← Metamorfoza

Pjesa e tretë · Metamorfoza

Chapter 3 of 3

Plaga e rëndë e Gregorit, nga e cila vuajti më shumë se një muaj — molla mbeti e ngulur në mish si një kujtim i dukshëm, meqë askush nuk guxoi ta hiqte — dukej se ia kishte kujtuar edhe të atit se Gregori, pavarësisht nga trajta e tij e tanishme e trishtueshme dhe e neveritshme, ishte një anëtar i familjes, që nuk mund ta trajtoje si armik, por ndaj të cilit detyra familjare urdhëronte ta gëlltitje neverinë dhe të duroje, vetëm të duroje.

Dhe megjithëse tani Gregori, për shkak të plagës, kishte humbur ndoshta përgjithmonë një pjesë të shkathtësisë dhe për tani, si një invalid i vjetër, i duheshin minuta të gjata, të gjata për ta përshkuar dhomën — as që bëhej fjalë të zvarritej lart — për këtë përkeqësim të gjendjes së tij mori, sipas mendimit të tij, një shpërblim krejt të mjaftueshëm: nga mbrëmja dera e dhomës së ndenjes, të cilën ai kishte zakon ta vëzhgonte me ngulm një a dy orë më parë, hapej gjithmonë, kështu që ai, i shtrirë në errësirën e dhomës së tij, i padukshëm nga dhoma e ndenjes, mund ta shihte gjithë familjen rreth tryezës së ndriçuar dhe t’i dëgjonte bisedat e tyre, si të thuash me lejen e të gjithëve, pra krejt ndryshe nga më parë.

Sigurisht, nuk ishin më bisedat e gjalla të kohëve të dikurshme, që Gregori i kishte kujtuar gjithmonë me njëfarë malli në dhomat e vogla të hoteleve, kur i duhej të hidhej i lodhur në shtratin e lagësht. Tani zakonisht ishte shumë qetë. I ati, pak pas darkës, e zinte gjumi në kolltukun e tij; nëna dhe motra i bënin njëra-tjetrës shenjë të heshtnin; nëna qepte, e përkulur shumë mbi dritën, të brendshme të holla për një dyqan modash; motra, që kishte zënë një vend pune si shitëse, mësonte në mbrëmje stenografi dhe frëngjisht, që ndoshta më vonë të arrinte ndonjë vend më të mirë. Ndonjëherë i ati zgjohej dhe, sikur të mos e dinte fare që kishte fjetur, i thoshte nënës: „Sa gjatë që po qep përsëri sot!“ dhe e zinte gjumi përsëri menjëherë, ndërsa nëna dhe motra i buzëqeshnin njëra-tjetrës të lodhura.

Me njëfarë kokëfortësie, i ati refuzonte ta hiqte uniformën e shërbyesit edhe në shtëpi; dhe ndërsa rroba e shtëpisë varej e padobishme në varëse, i ati dremiste krejt i veshur në vendin e tij, sikur të ishte gjithmonë gati për shërbim dhe të priste edhe këtu zërin e eprorit. Si pasojë, uniforma, që nuk kishte qenë e re as që në fillim, pavarësisht nga gjithë kujdesi i nënës dhe i motrës, e humbi pastërtinë, dhe Gregori shpesh shikonte mbrëmje të tëra atë rrobë të mbushur plot me njolla, që shkëlqente me kopsat e saj të arta gjithmonë të lustruara, në të cilën plaku flinte shumë pa rehati, e megjithatë i qetë.

Sapo ora binte dhjetë, nëna përpiqej, duke i folur butë, ta zgjonte të atin dhe pastaj ta bindte të shkonte në shtrat, sepse këtu nuk ishte gjumë i vërtetë, dhe këtë i ati, që duhej të fillonte shërbimin në orën gjashtë, e kishte jashtëzakonisht të nevojshëm. Por me kokëfortësinë që e kishte pushtuar që kur ishte bërë shërbyes, ai ngulte këmbë gjithmonë të rrinte edhe më gjatë në tryezë, megjithëse e zinte gjumi rregullisht, dhe pastaj, për më tepër, vetëm me mundimin më të madh mund të bindej ta ndërronte kolltukun me shtratin. Sado që nëna e motra t’i vërsuleshin me qortime të vogla, ai tundte kokën ngadalë me çerek ore të tëra, i mbante sytë mbyllur dhe nuk ngrihej. Nëna e tërhiqte nga mënga, i thoshte fjalë të ëmbla në vesh, motra e linte detyrën e saj për ta ndihmuar nënën, por te i ati kjo s’bënte punë. Ai vetëm zhytej edhe më thellë në kolltuk. Vetëm kur gratë e kapnin nën sqetulla, i hapte sytë, i shikonte me radhë nënën e motrën dhe kishte zakon të thoshte: „Kjo është jetë. Kjo është qetësia e pleqërisë sime.“ Dhe, i mbështetur te të dyja gratë, ngrihej me vështirësi, sikur të ishte barra më e madhe për vetveten, linte gratë ta çonin deri te dera, aty u bënte shenjë me dorë të largoheshin dhe vazhdonte tani vetë, ndërsa nëna i hidhte me nxitim punët e qepjes, motra pendën, për të vrapuar pas të atit dhe për ta ndihmuar më tej.

Kush kishte kohë në këtë familje të rraskapitur e të lodhur tej mase të kujdesej për Gregorin më shumë sesa ishte e domosdoshme? Shpenzimet e shtëpisë u kufizuan gjithnjë e më shumë; shërbyesja u pushua më në fund; një pastruese gjigante, kockëmadhe, me flokë të bardha që i valëviteshin rreth kokës, vinte në mëngjes e në mbrëmje për të bërë punët më të rënda; gjithçka tjetër e bënte nëna, krahas punës së saj të shumtë me qepje. Ndodhi madje që u shitën stoli të ndryshme të familjes, që dikur nëna dhe motra i kishin mbajtur me gëzim të madh në mbrëmje e në festime, siç mësoi Gregori në mbrëmje nga bisedat e përbashkëta për çmimet që kishin marrë. Ankesa më e madhe, megjithatë, ishte gjithmonë se nuk mund ta linin këtë banesë, tepër të madhe për gjendjen e tanishme, sepse nuk mund të përfytyrohej si do ta shpërngulnin Gregorin. Por Gregori e kuptonte mirë se nuk ishte vetëm kujdesi për të ai që e pengonte shpërnguljen, sepse atë mund ta transportonin lehtë në një arkë të përshtatshme me disa vrima ajri; ajo që e mbante familjen kryesisht larg ndërrimit të banesës ishte më shumë dëshpërimi i plotë dhe mendimi se ishte goditur nga një fatkeqësi si askush tjetër në gjithë rrethin e të afërmve dhe të të njohurve. Atë që bota kërkon nga njerëzit e varfër, ata e plotësonin deri në skaj: i ati u çonte mëngjesin nëpunësve të vegjël të bankës, nëna sakrifikohej për të brendshmet e njerëzve të huaj, motra vraponte andej-këtej pas banakut sipas urdhrave të klientëve, por më tej forcat e familjes nuk arrinin dot. Dhe plaga në shpinë Gregorit filloi t’i dhembte sikur të ishte e re, kur nëna dhe motra, pasi e kishin shtënë në shtrat të atin, ktheheshin, e linin punën, afroheshin pranë njëra-tjetrës dhe rrinin tashmë faqe më faqe; kur nëna, duke treguar dhomën e Gregorit, thoshte: „Mbylle atë derë, Greta“, dhe kur Gregori ishte përsëri në errësirë, ndërsa në dhomën ngjitur gratë i përzienin lotët ose madje shikonin pa lot, me sy të ngulur, tryezën.

Netët dhe ditët Gregori i kalonte gati krejt pa gjumë. Ndonjëherë mendonte që, herën tjetër që të hapej dera, t’i merrte përsëri në dorë punët e familjes krejt si më parë; në mendimet e tij shfaqeshin përsëri, pas shumë kohësh, shefi dhe prokuristi, nëpunësit dhe çirakët, hamalli aq i ngathët nga mendja, dy-tre miq nga firma të tjera, një shërbyese dhomash nga një hotel në provincë, një kujtim i dashur e kalimtar, një arkëtare nga një dyqan kapelash, të cilën e kishte lakmuar seriozisht, por shumë ngadalë — të gjithë shfaqeshin të përzier me të huaj ose me njerëz të harruar tashmë, por në vend që ta ndihmonin atë dhe familjen e tij, ishin të gjithë të paarritshëm, dhe ai gëzohej kur zhdukeshin. Por pastaj nuk ishte më aspak në humor të shqetësohej për familjen, vetëm tërbimi për kujdesin e keq e mbushte, dhe megjithëse nuk mund të përfytyronte asgjë që t’i hapte oreksin, bënte megjithatë plane si të arrinte në qilarin e ushqimeve, për të marrë atje atë që, edhe po të mos kishte uri, i takonte gjithsesi. Pa menduar më tani se me çfarë mund t’i bënte Gregorit ndonjë qejf të veçantë, motra, para se të vraponte në mëngjes e në mesditë në dyqan, shtynte me nxitim me këmbë në dhomën e Gregorit ndonjë ushqim çfarëdo, për ta fshirë jashtë në mbrëmje me një të tundur të fshesës, pa u interesuar nëse ushqimi ishte vetëm provuar apo — rasti më i shpeshtë — ishte krejt i paprekur. Rregullimi i dhomës, që ajo e bënte tani gjithmonë në mbrëmje, nuk mund të bëhej më shpejt. Vija pisllëku shtriheshin përgjatë mureve, aty-këtu ishin lëmshe pluhuri e plehrash. Në kohën e parë, kur vinte motra, Gregori vendosej pikërisht në cepa të tillë veçanërisht domethënës, për t’i bërë asaj me këtë qëndrim, si të thuash, një qortim. Por mund të kishte ndenjur atje me javë të tëra, pa u përmirësuar motra; ajo e shihte pisllëkun njësoj si ai, por kishte vendosur thjesht ta linte. Ndërkaq, me një ndjeshmëri krejt të re për të, që e kishte pushtuar gjithë familjen, kujdesej që rregullimi i dhomës së Gregorit t’i mbetej vetëm asaj. Njëherë nëna i kishte bërë dhomës së Gregorit një pastrim të madh, që i kishte dalë vetëm pasi kishte harxhuar disa kova me ujë — lagështia e shumë e kishte fyer, ama, edhe Gregorin, dhe ai rrinte shtrirë gjerë mbi kanape, i hidhëruar e pa lëvizur — por ndëshkimi për nënën nuk mungoi. Sepse sapo motra e vuri re në mbrëmje ndryshimin në dhomën e Gregorit, vrapoi, e fyer në kulm, në dhomën e ndenjes dhe, pavarësisht nga duart e nënës të ngritura si për t’iu përgjëruar, shpërtheu në një krizë të qari, që prindërit — i ati, natyrisht, ishte hedhur i trembur nga kolltuku — e shikuan fillimisht të habitur e të pafuqishëm; derisa filluan të lëviznin edhe ata; i ati, nga e djathta, i bënte qortime nënës që nuk ia kishte lënë motrës pastrimin e dhomës së Gregorit; nga e majta, përkundrazi, i bërtiste motrës se nuk do ta pastronte më kurrë dhomën e Gregorit; ndërsa nëna përpiqej ta tërhiqte zvarrë në dhomën e gjumit të atin, që nga ngazëllimi nuk e njihte më veten; motra, e tronditur nga ngashërimat, i binte tryezës me grushtet e saj të vegjël; dhe Gregori fërshëllente me zë nga tërbimi që askujt nuk i shkonte ndër mend ta mbyllte derën dhe t’ia kursente këtë pamje e këtë zhurmë.

Por edhe sikur motra, e rraskapitur nga puna e saj, të ishte mërzitur të kujdesej për Gregorin si më parë, nuk duhej aspak që nëna të zinte vendin e saj, dhe Gregori nuk kishte pse të lihej pas dore. Sepse tani ishte pastruesja. Kjo e ve plakë, që në jetën e saj të gjatë, falë kockave të saj të forta, duhet t’i kishte kapërcyer gjërat më të këqija, nuk ndiente ndonjë neveri të vërtetë për Gregorin. Pa qenë aspak kureshtare, kishte hapur njëherë rastësisht derën e dhomës së Gregorit dhe, duke parë Gregorin, i cili, krejt i befasuar, filloi të vraponte andej-këtej, megjithëse askush nuk e ndiqte, kishte mbetur e habitur, me duar të kryqëzuara në prehër. Që atëherë nuk harronte kurrë, në mëngjes e në mbrëmje, ta hapte pak derën shkarazi dhe të shikonte brenda te Gregori. Në fillim e thërriste edhe pranë vetes, me fjalë që ndoshta i mbante për miqësore, si „Eja pak këtu, o brumbull plehu i vjetër!“1 ose „Shikoni pak brumbullin e vjetër të plehut!“ Ndaj thirrjeve të tilla Gregori nuk përgjigjej me asgjë, por rrinte pa lëvizur në vendin e tij, sikur dera të mos ishte hapur fare. Sikur t’i kishin dhënë më mirë kësaj pastrueseje urdhër ta pastronte dhomën e tij çdo ditë, në vend që ta linin ta shqetësonte kot sipas qejfit të saj! Njëherë herët në mëngjes — një shi i rrëmbyeshëm, ndoshta shenjë e pranverës që po vinte, godiste xhamat — kur pastruesja filloi përsëri me fjalët e saj, Gregori u hidhërua aq shumë, sa u kthye kundër saj, si për ta sulmuar, ndonëse ngadalë dhe i dobët. Por pastruesja, në vend që të trembej, ngriti vetëm lart një karrige që ishte pranë derës, dhe siç qëndronte aty me gojë hapur fort, ishte i qartë qëllimi i saj për ta mbyllur gojën vetëm kur karrigia në dorën e saj të binte mbi shpinën e Gregorit. „Pra, më tej s’po vjen?“ pyeti ajo, kur Gregori u kthye përsëri, dhe e vuri qetësisht karrigen përsëri në qoshe.

Gregori tani nuk hante gati fare. Vetëm kur kalonte rastësisht pranë ushqimit të përgatitur, merrte një kafshatë në gojë për lojë, e mbante aty me orë të tëra dhe pastaj zakonisht e pështynte. Në fillim mendoi se ishte hidhërimi për gjendjen e dhomës së tij që e pengonte të hante, por pikërisht me ndryshimet e dhomës u pajtua shumë shpejt. Ishin mësuar t’i vinin në këtë dhomë gjërat që s’kishin ku t’i vendosnin gjetiu, dhe gjëra të tilla tani kishte shumë, sepse njërën dhomë të banesës ua kishin dhënë me qira tre zotërinjve. Këta zotërinj seriozë — që të tre kishin mjekër të plotë, siç vuri re Gregori njëherë përmes një të çare të derës — ishin tepër të kujdesshëm për rregullin, jo vetëm në dhomën e tyre, por, meqë kishin zënë me qira këtu, në gjithë shtëpinë, pra sidomos në kuzhinë. Plaçkat e padobishme, e aq më pak të pista, nuk i duronin. Për më tepër, kishin sjellë me vete pjesën më të madhe të mobiljeve të tyre. Për këtë arsye shumë gjëra kishin mbetur të tepërta, që nuk mund të shiteshin, por që as nuk donin t’i hidhnin. Të gjitha këto shkonin në dhomën e Gregorit. Po ashtu edhe arka e hirit dhe arka e plehrave nga kuzhina. Çdo gjë që për momentin nuk vlente, pastruesja, që nxitonte gjithmonë shumë, e flakte thjesht në dhomën e Gregorit; Gregori, për fat, zakonisht shihte vetëm sendin përkatës dhe dorën që e mbante. Pastruesja ndoshta kishte ndër mend t’i merrte përsëri gjërat kur të kishte kohë e rast, ose t’i hidhte të gjitha njëherësh jashtë, por në të vërtetë ato mbetën aty ku kishin rënë që në hedhjen e parë, po të mos ishte Gregori që përdridhej nëpër rrangullat dhe i lëvizte, në fillim i detyruar, sepse s’kishte vend tjetër të lirë për t’u zvarritur, por më vonë me një kënaqësi gjithnjë e më të madhe, megjithëse pas shëtitjeve të tilla, i lodhur për vdekje dhe i trishtuar, nuk lëvizte më me orë të tëra.

Meqë qiramarrësit ndonjëherë e hanin edhe darkën në shtëpi, në dhomën e përbashkët të ndenjes, dera e dhomës së ndenjes mbetej e mbyllur disa mbrëmje, por Gregori hoqi dorë fare lehtë nga hapja e derës, sepse edhe disa mbrëmje kur ajo ishte e hapur nuk e kishte shfrytëzuar, por kishte ndenjur shtrirë, pa e vënë re familja, në cepin më të errët të dhomës së tij. Njëherë, megjithatë, pastruesja e kishte lënë pak hapur derën e dhomës së ndenjes, dhe ajo mbeti ashtu e hapur edhe kur qiramarrësit hynë në mbrëmje dhe u ndez drita. Ata u ulën në krye të tryezës, aty ku dikur rrinin babai, nëna dhe Gregori, shpalosën pecetat dhe morën në dorë thikën e pirunin. Menjëherë u shfaq te dera nëna me një enë me mish, dhe fare pas saj motra me një enë me patate të grumbulluara lart. Ushqimi nxirrte avull të dendur. Qiramarrësit u përkulën mbi enët që u kishin vënë përpara, sikur të donin t’i shqyrtonin para se të hanin, dhe vërtet ai që rrinte në mes dhe që për dy të tjerët dukej si autoritet, preu një copë mish ende në enë, me sa dukej për të parë nëse ishte mjaft i butë dhe mos duhej kthyer prapa në kuzhinë. Ai mbeti i kënaqur, dhe nëna e motra, që e kishin ndjekur me ankth, filluan të buzëqeshnin duke marrë frymë lirshëm.

Familja vetë hante në kuzhinë. Megjithatë, i ati, para se të shkonte në kuzhinë, hyri në këtë dhomë dhe, me një përkulje të vetme, me kasketën në dorë, i ra rreth e rrotull tryezës. Qiramarrësit u ngritën të gjithë dhe murmuritën diçka në mjekrat e tyre. Kur mbetën vetëm, hëngrën gati në heshtje të plotë. Gregorit i dukej e çuditshme që nga gjithë zhurmat e ndryshme të të ngrënit dalloheshin vazhdimisht dhëmbët e tyre që përtypnin, sikur me këtë t’i tregohej Gregorit se duhen dhëmbë për të ngrënë, dhe se me nofulla pa dhëmbë, qofshin edhe më të bukurat, nuk bën dot asgjë. „Oreks kam, — i tha vetes Gregori i brengosur, — por jo për këto gjëra. Si ushqehen këta qiramarrës, kurse unë po vdes!“

Pikërisht atë mbrëmje — Gregori nuk mbante mend ta kishte dëgjuar violinën gjatë gjithë asaj kohe — ajo u dëgjua nga kuzhina. Qiramarrësit e kishin mbaruar tashmë darkën, ai i mesit kishte nxjerrë një gazetë, u kishte dhënë dy të tjerëve nga një fletë, dhe tani lexonin të mbështetur prapa e pinin duhan. Kur violina filloi të binte, u bënë të vëmendshëm, u ngritën dhe shkuan në majë të gishtave te dera e paradhomës, ku qëndruan të ngjeshur pas njëri-tjetrit. Duhet t’i kishin dëgjuar nga kuzhina, sepse i ati thirri: „Mos u vjen vallë zotërinjve bezdi të rënët? Mund të ndërpritet menjëherë.“ „Përkundrazi, — tha zotëria i mesit, — a nuk do të donte zonjusha të vinte këtu te ne dhe t’i binte këtu në dhomë, ku është shumë më rehat e më ngrohtë?“ „Oh, ju lutem“, thirri i ati, sikur violinisti të ishte ai. Zotërinjtë u kthyen në dhomë dhe pritën. Shpejt erdhi i ati me mbajtësen e notave, nëna me notat dhe motra me violinën. Motra i përgatiti qetësisht të gjitha për të rënë; prindërit, që nuk kishin dhënë kurrë më parë dhoma me qira dhe prandaj e tepronin në mirësjellje ndaj qiramarrësve, nuk guxonin fare të uleshin në karriget e tyre; i ati u mbështet te dera, me dorën e djathtë të futur midis dy kopsave të xhaketës së mbërthyer të uniformës; nënës, ama, një zotëri i ofroi një karrige, dhe ajo, meqë e la karrigen aty ku e kishte vënë rastësisht zotëria, u ul mënjanë, në një qoshe.

Motra filloi t’i binte; babai dhe nëna ndiqnin me vëmendje, secili nga ana e vet, lëvizjet e duarve të saj. Gregori, i tërhequr nga muzika, ishte guxuar pak më përpara dhe e kishte tashmë kokën në dhomën e ndenjes. Pothuajse nuk habitej që kohët e fundit tregonte kaq pak kujdes ndaj të tjerëve; dikur ky kujdes kishte qenë krenaria e tij. E megjithatë pikërisht tani do të kishte pasur më shumë arsye të fshihej, sepse, për shkak të pluhurit që ishte kudo në dhomën e tij dhe që fluturonte përreth me lëvizjen më të vogël, edhe ai ishte krejt i mbuluar me pluhur; fije, qime, mbetje ushqimesh tërhiqte me vete mbi shpinë e nëpër brinjë; mosinteresimi i tij për gjithçka ishte shumë i madh që të shtrihej, si dikur disa herë në ditë, mbi shpinë dhe të fërkohej pas qilimit. Dhe pavarësisht nga kjo gjendje, nuk kishte asnjë druajtje të përparonte pak mbi dyshemenë pa asnjë njollë të dhomës së ndenjes.

Gjithsesi, askush nuk i kushtonte vëmendje. Familja ishte krejt e zënë me violinën; qiramarrësit, përkundrazi, që në fillim, me duart në xhepat e pantallonave, ishin vendosur shumë afër pas mbajtëses së notave të motrës, aq sa të mund të shihnin të gjithë notat, gjë që me siguri duhej ta shqetësonte motrën, shpejt u tërhoqën duke folur me gjysmë zëri, me kokat ulur, drejt dritares, ku edhe mbetën, të vëzhguar me shqetësim nga i ati. Tani dukej vërtet tepër qartë sikur ishin zhgënjyer në pritjen e tyre për të dëgjuar një violinë të bukur ose argëtuese, sikur ishin ngopur me gjithë shfaqjen dhe po e linin ta prishnin qetësinë e tyre vetëm nga mirësjellja. Sidomos mënyra si e nxirrnin të gjithë lart tymin e purove nga hunda e goja tregonte nervozizëm të madh. E megjithatë motra i binte kaq bukur. Fytyra i ishte përkulur anash, vështrimet e saj ndiqnin, të vëmendshme e të trishtuara, rreshtat e notave. Gregori u zvarrit edhe pak përpara dhe e mbajti kokën ngjitur pas dyshemesë, që ndoshta të mund t’i takonte vështrimet e saj. A ishte kafshë, që muzika e prekte kaq shumë? I dukej sikur po i shfaqej rruga drejt ushqimit të panjohur që aq shumë e dëshironte. Ishte i vendosur të arrinte deri te motra, ta tërhiqte nga fundi dhe t’i jepte kështu të kuptonte që të vinte me violinën e saj në dhomën e tij, sepse këtu askush nuk e shpërblente muzikën ashtu siç donte ta shpërblente ai. Nuk donte ta linte më të dilte nga dhoma e tij, të paktën jo sa të ishte gjallë; trajta e tij e tmerrshme do t’i hynte në punë për herë të parë; do të ishte njëkohësisht te të gjitha dyert e dhomës së tij dhe do t’u fërshëllente sulmuesve; motra, ama, nuk do të rrinte me të e detyruar, por me dëshirën e vet; do të ulej pranë tij në kanape, do ta përkulte veshin drejt tij, dhe ai atëherë do t’i rrëfente se kishte pasur qëllimin e prerë ta dërgonte në konservator dhe se këtë, po të mos kishte ndërhyrë fatkeqësia, do t’ua kishte thënë të gjithëve Krishtlindjet e shkuara — Krishtlindjet duhej të kishin kaluar tashmë, apo jo? — pa i vënë veshin asnjë kundërshtimi. Pas këtij deklarimi motra do të shpërthente në lot prekjeje, dhe Gregori do të ngrihej deri te supi i saj dhe do t’ia puthte qafën, që ajo, qëkur kishte filluar të shkonte në dyqan, e mbante të zhveshur, pa shirit e pa jakë.

— Zoti Samsa! — i thirri zotëria i mesit të atit dhe, pa thënë asnjë fjalë më shumë, tregoi me gisht tregues Gregorin, që po përparonte ngadalë. Violina heshti, qiramarrësi i mesit fillimisht u buzëqeshi miqve, duke tundur kokën, dhe pastaj vështroi përsëri Gregorin. I ati dukej se e mendonte më të nevojshme t’i qetësonte në fillim qiramarrësit, në vend që të përzinte Gregorin, megjithëse këta nuk ishin aspak të shqetësuar dhe Gregori dukej se i argëtonte më shumë se violina. Ai nxitoi drejt tyre dhe me krahë të hapur u përpoq t’i shtynte në dhomën e tyre e, njëkohësisht, me trupin e tij t’ua zinte pamjen e Gregorit. Tani ata u zemëruan vërtet pak, nuk dihej më nëse për sjelljen e të atit, apo se tani po e kuptonin që kishin pasur, pa e ditur, një fqinj dhome si Gregori. I kërkuan të atit shpjegime, ngritën nga ana e tyre krahët, tërhiqnin me shqetësim mjekrat dhe vetëm ngadalë tërhiqeshin drejt dhomës së tyre. Ndërkohë motra e kishte kapërcyer hutimin ku kishte rënë pas ndërprerjes së papritur të muzikës; pasi kishte mbajtur një copë herë violinën dhe harkun në duart që i vareshin të lëshuara dhe kishte vazhduar të shikonte notat, sikur të binte ende, u përmend befas, e vuri instrumentin në prehrin e nënës, që rrinte ende në karrige, me vështirësi në frymëmarrje e me mushkëri që i punonin fort, dhe vrapoi në dhomën ngjitur, drejt së cilës qiramarrësit, nën shtytjet e të atit, po afroheshin tashmë më shpejt. U pa se si nën duart e stërvitura të motrës jorganët dhe jastëkët në shtretër fluturonin lart dhe rregulloheshin. Para se zotërinjtë të arrinin në dhomë, ajo i kishte mbaruar shtretërit dhe doli fshehurazi. I ati dukej përsëri aq i pushtuar nga kokëfortësia e tij, sa harroi çdo respekt që, gjithsesi, u detyrohej qiramarrësve. Ai vetëm shtynte e shtynte, derisa, tashmë te dera e dhomës, zotëria i mesit përplasi këmbën si bubullimë dhe e ndali kështu të atin. — Deklaroj me këtë, — tha ai, ngriti dorën dhe kërkoi me sy edhe nënën dhe motrën, — se, duke pasur parasysh gjendjen e neveritshme që sundon në këtë banesë e në këtë familje, — këtu pështyu shkurt e prerë përdhe, — e lë dhomën time menjëherë. Natyrisht, për ditët që kam banuar këtu nuk do të paguaj as gjënë më të vogël; përkundrazi, do ta mendoj edhe nëse nuk do të dal kundër jush me ndonjë kërkesë — më besoni — shumë të lehtë për t’u përligjur. — Heshti dhe vështroi drejt përpara, sikur të priste diçka. Vërtet, dy miqtë e tij ndërhynë menjëherë me fjalët: — Edhe ne e lëmë menjëherë. — Atëherë ai kapi dorezën dhe e mbylli derën me krismë.

I ati u lëkund, duke kërkuar me duar një mbështetje, drejt kolltukut të tij dhe u lëshua në të; dukej sikur po shtrihej për dremitjen e tij të zakonshme të mbrëmjes, por tundja e fortë e kokës, që dukej sikur s’mbahej më, tregonte se nuk po flinte aspak. Gregori kishte ndenjur gjatë gjithë kohës i qetë në vendin ku e kishin zënë qiramarrësit. Zhgënjimi për dështimin e planit të tij, por ndoshta edhe dobësia e shkaktuar nga uria e gjatë, e bënin të pamundur të lëvizte. Kishte frikë, me njëfarë sigurie, se që në çastin tjetër do t’i shembej mbi kokë gjithçka, dhe priste. As violina nuk e trembi, që, nga gishtat e dridhur të nënës, i ra nga prehri dhe lëshoi një tingull që jehoi.

— Prindër të dashur, — tha motra dhe, si hyrje, goditi me dorë tryezën, — kështu nuk shkon më. Në qoftë se ju ndoshta nuk e kuptoni, unë e kuptoj. Nuk dua ta shqiptoj emrin e vëllait tim para këtij përbindëshi, dhe prandaj them vetëm: duhet të përpiqemi ta heqim qafe. Kemi bërë gjithçka që është në dorë të njeriut për ta mbajtur e për ta duruar; besoj se askush nuk mund të na bëjë as qortimin më të vogël.

— Ka një mijë herë të drejtë, — tha i ati me vete. Nëna, që ende nuk merrte dot frymë mjaftueshëm, filloi të kollitej mbytur në dorën që kishte vënë përpara gojës, me një shprehje të çmendur në sy.

Motra nxitoi te nëna dhe ia mbajti ballin. I ati dukej se nga fjalët e motrës kishte arritur në mendime më të caktuara; ishte ulur drejt, luante me kasketën e tij të shërbyesit midis pjatave që kishin mbetur ende mbi tryezë nga darka e qiramarrësve, dhe herë pas here vështronte Gregorin e qetë.

— Duhet të përpiqemi ta heqim qafe, — i tha motra tani vetëm të atit, sepse nëna, nga kolla, nuk dëgjonte asgjë, — do t’ju vrasë të dyve, e shoh që po vjen. Kur duhet të punosh kaq rëndë si ne të gjithë, nuk mund ta durosh edhe në shtëpi këtë mundim të përjetshëm. As unë s’mundem më. — Dhe shpërtheu në të qarë aq fort, sa lotët i rrodhën mbi fytyrën e nënës, nga e cila ajo i fshinte me lëvizje mekanike të dorës.

— Bija ime, — tha i ati me dhembshuri dhe me një mirëkuptim që binte në sy, — po ç’duhet të bëjmë?

Motra vetëm ngriti supet, si shenjë e hutimit që e kishte pushtuar tani, gjatë të qarit, ndryshe nga siguria e saj e mëparshme.

— Sikur të na kuptonte, — tha i ati gjysmë duke pyetur; motra, mes të qarit, tundi fort dorën, si shenjë se as që bëhej fjalë për këtë.

— Sikur të na kuptonte, — përsëriti i ati dhe, duke mbyllur sytë, e përvetësoi bindjen e motrës se kjo ishte e pamundur, — atëherë ndoshta mund të merreshim vesh me të. Por kështu…

— Duhet të ikë, — thirri motra, — kjo është e vetmja rrugë, babë. Duhet vetëm të përpiqesh ta heqësh nga mendja se është Gregori. Që e kemi besuar këtë kaq gjatë, kjo është fatkeqësia jonë e vërtetë. Po si mund të jetë Gregori? Sikur të ishte Gregori, do ta kishte kuptuar prej kohësh se njerëzit nuk mund të jetojnë bashkë me një kafshë të tillë, dhe do të kishte ikur me dëshirën e vet. Atëherë nuk do të kishim vëlla, por do të mund të vazhdonim të jetonim dhe do ta nderonim kujtimin e tij. Kurse kështu, kjo kafshë na ndjek, i përzë qiramarrësit, me sa duket do ta zërë gjithë banesën dhe do të na lërë të flemë në rrugë. Shiko, babë, — bërtiti ajo befas, — po fillon përsëri! — Dhe me një tmerr krejt të pakuptueshëm për Gregorin, motra madje e la nënën, u shty me të vërtetë nga karrigia e saj, sikur të donte më mirë ta sakrifikonte nënën sesa të rrinte pranë Gregorit, dhe nxitoi pas të atit, i cili, i ngacmuar vetëm nga sjellja e saj, u ngrit edhe ai dhe i ngriti përgjysmë krahët përpara saj, si për ta mbrojtur.

Por Gregorit as që i shkonte ndër mend të donte të trembte dikë, e aq më pak motrën e tij. Kishte filluar vetëm të rrotullohej, që të shkonte prapa në dhomën e tij, dhe kjo, sigurisht, binte shumë në sy, sepse, për shkak të gjendjes së tij të vuajtur, gjatë rrotullimeve të vështira duhej të ndihmohej me kokë, të cilën e ngrinte shumë herë dhe e përplaste pas dyshemesë. U ndal dhe vështroi përreth. Qëllimi i tij i mirë dukej se ishte kuptuar; kishte qenë vetëm një tmerr i çastit. Tani të gjithë e shikonin në heshtje e të trishtuar. Nëna rrinte shtrirë në karrigen e saj, me këmbët të shtrira e të ngjeshura pas njëra-tjetrës, sytë gati i mbylleshin nga rraskapitja; i ati dhe motra rrinin ulur pranë njëri-tjetrit, motra ia kishte hedhur dorën rreth qafës të atit.

„Tani ndoshta mund të rrotullohem“, mendoi Gregori dhe e filloi përsëri punën. Nuk e mbante dot gulçimin nga mundimi dhe duhej edhe të pushonte herë pas here. Përveç kësaj, askush nuk e nxitonte, gjithçka i ishte lënë atij vetë. Kur e mbaroi rrotullimin, filloi menjëherë të shkonte drejt prapa. U habit nga largësia e madhe që e ndante nga dhoma e tij, dhe nuk e kuptonte fare si, me dobësinë e tij, e kishte bërë pak më parë të njëjtën rrugë gati pa e vënë re. Duke menduar vetëm të zvarritej shpejt, mezi e vuri re se asnjë fjalë, asnjë thirrje e familjes nuk e shqetësonte. Vetëm kur ishte tashmë te dera, e ktheu kokën, jo plotësisht, sepse ndjeu që i ngurtësohej qafa, gjithsesi pa ende se pas tij nuk kishte ndryshuar asgjë, vetëm motra ishte ngritur. Vështrimi i tij i fundit preku nënën, që tani e kishte zënë gjumi krejt.

Sapo hyri brenda në dhomën e tij, dera u shty me nxitim, u mbërthye me shul dhe u kyç. Nga zhurma e papritur pas tij Gregori u tremb aq shumë, sa iu përkulën këmbëzat. Ishte motra që kishte nxituar kështu. Kishte qëndruar tashmë drejt aty dhe kishte pritur, pastaj ishte hedhur përpara me hap të lehtë, Gregori nuk e kishte dëgjuar fare të vinte, dhe u thirri prindërve një „Më në fund!“, ndërsa rrotullonte çelësin në bravë.

„Po tani?“ e pyeti veten Gregori dhe vështroi përreth në errësirë. Shpejt zbuloi se tani nuk mund të lëvizte më fare. Nuk u habit për këtë, përkundrazi, i dukej e panatyrshme që deri tani kishte mundur vërtet të lëvizte me këto këmbëza të holla. Përveç kësaj, ndihej relativisht rehat. Kishte, sigurisht, dhimbje në gjithë trupin, por i dukej sikur ato po dobësoheshin gradualisht gjithnjë e më shumë dhe më në fund do të zhdukeshin krejt. Mollën e kalbur në shpinë dhe vendin e përflakur përreth, të mbuluar krejt me pluhur të butë, mezi i ndiente më. Familjen e kujtonte me mallëngjim e me dashuri. Mendimi i tij se duhej të zhdukej ishte, ndoshta, edhe më i vendosur se ai i motrës. Në këtë gjendje mendimesh të zbrazëta e paqësore mbeti derisa ora e kambanores ra tri të mëngjesit. Fillimin e zbardhjes së përgjithshme jashtë dritares e përjetoi ende. Pastaj koka i ra krejt poshtë pa dëshirën e tij, dhe nga flegrat e hundës i doli dobët fryma e fundit.

Kur erdhi pastruesja herët në mëngjes — nga forca dhe nxitimi i madh, i përplaste të gjitha dyert aq fort, sado herë që i ishin lutur të mos e bënte, sa që nga ardhja e saj në gjithë banesën nuk ishte më i mundur një gjumë i qetë — gjatë vizitës së saj të zakonshme të shkurtër te Gregori nuk gjeti në fillim asgjë të veçantë. Mendoi se ai rrinte shtrirë kaq pa lëvizur me qëllim dhe po bënte të fyerin; i besonte çdo zgjuarësi të mundshme. Meqë rastësisht e mbante në dorë fshesën e gjatë, u përpoq t’i bënte Gregorit gudulisje me të që nga dera. Kur as kështu nuk pati sukses, u nevrikos dhe e shtyu pak Gregorin, dhe vetëm kur e kishte shtyrë nga vendi pa asnjë rezistencë, iu ngjall vëmendja. Kur shpejt e kuptoi gjendjen e vërtetë, zgurdulloi sytë, fishkëlleu me vete, por nuk u vonua shumë, po hapi me vrull derën e dhomës së gjumit dhe thirri me zë të lartë në errësirë: „Shikoni pak, ka ngordhur; ja ku e keni, ngordhur fare!“

Bashkëshortët Samsa rrinin ulur drejt në shtratin martesor dhe iu desh ta kapërcenin tmerrin nga pastruesja, para se të arrinin ta kuptonin lajmin e saj. Por pastaj zoti dhe zonja Samsa dolën me ngut nga shtrati, secili nga ana e vet, zoti Samsa hodhi jorganin mbi supe, zonja Samsa doli vetëm me këmishë nate; kështu hynë në dhomën e Gregorit. Ndërkohë ishte hapur edhe dera e dhomës së ndenjes, ku flinte Greta që kur kishin ardhur qiramarrësit; ishte krejt e veshur, sikur të mos kishte fjetur fare, dhe edhe fytyra e saj e zbehtë dukej se e vërtetonte këtë. „I vdekur?“ tha zonja Samsa dhe vështroi pyetëse pastruesen, megjithëse mund t’i kontrollonte vetë të gjitha, madje edhe pa kontroll mund ta kuptonte. „Po si jo!“ tha pastruesja dhe, si provë, e shtyu kufomën e Gregorit me fshesë edhe një copë të mirë mënjanë. Zonja Samsa bëri një lëvizje, sikur të donte ta ndalte fshesën, por nuk e bëri. „Hë, — tha zoti Samsa, — tani mund ta falënderojmë Zotin.“ Ai bëri kryq, dhe të tri gratë e ndoqën shembullin e tij. Greta, që nuk ia ndante sytë kufomës, tha: „Shikoni sa i dobët ishte. Kishte kaq kohë që nuk hante gjë. Ushqimet dilnin ashtu siç hynin.“ Vërtet, trupi i Gregorit ishte krejt i sheshtë dhe i tharë; këtë e kuptoje në të vërtetë vetëm tani, që nuk e ngrinin më këmbëzat dhe asgjë tjetër nuk ta tërhiqte vështrimin.

— Eja, Greta, hyr pak tek ne, — tha zonja Samsa me një buzëqeshje melankolike, dhe Greta, jo pa hedhur sytë prapa nga kufoma, shkoi pas prindërve në dhomën e gjumit. Pastruesja e mbylli derën dhe e hapi krejt dritaren. Ndonëse ishte ende herët në mëngjes, ajrit të freskët i ishte përzier tashmë diçka e vakët. Ishte, në fund të fundit, fundi i marsit.

Nga dhoma e tyre dolën të tre qiramarrësit dhe vështruan përreth të habitur për mëngjesin e tyre; i kishin harruar. „Ku është mëngjesi?“ e pyeti zotëria i mesit me inat pastruesen. Por ajo vuri gishtin te goja dhe pastaj u bëri shenjë me nxitim e në heshtje zotërinjve të vinin në dhomën e Gregorit. Ata erdhën dhe qëndruan pastaj, me duart në xhepat e xhaketave të tyre disi të konsumuara, rreth kufomës së Gregorit, në dhomën tashmë krejt të ndriçuar.

Atëherë u hap dera e dhomës së gjumit dhe zoti Samsa doli me uniformën e tij, me të shoqen në njërin krah dhe të bijën në tjetrin. Të gjithë kishin qarë pak; Greta herë pas here e shtypte fytyrën pas krahut të të atit.

— Largohuni menjëherë nga banesa ime! — tha zoti Samsa dhe tregoi derën, pa i lëshuar gratë nga krahët. — Ç’doni të thoni me këtë? — tha zotëria i mesit, disi i hutuar, dhe buzëqeshi me ëmbëlsi. Dy të tjerët i mbanin duart pas shpine dhe i fërkonin pa pushim, si në pritje të gëzuar të një grindjeje të madhe, që megjithatë duhej të përfundonte në favor të tyre. — Dua të them pikërisht atë që them, — u përgjigj zoti Samsa dhe u nis, në një rresht me dy shoqëruese të tij, drejt qiramarrësit. Ky fillimisht qëndroi i heshtur dhe vështroi përdhe, sikur gjërat në kokën e tij të renditeshin në një rend të ri. — Atëherë po ikim, — tha pastaj dhe e vështroi zotin Samsa nga poshtë, sikur, në një përulësi që e kishte pushtuar befas, të kërkonte edhe për këtë vendim një leje të re. Zoti Samsa vetëm i tundi kokën disa herë shkurt, me sy të zgurdulluar. Pas kësaj zotëria shkoi vërtet menjëherë me hapa të gjatë në paradhomë; dy miqtë e tij kishin dëgjuar me vëmendje një copë herë, me duar krejt të qeta, dhe tani formalisht kërcyen pas tij, si nga frika se zoti Samsa mund të hynte në paradhomë para tyre dhe ta ndërpriste lidhjen me prijësin e tyre. Në paradhomë, që të tre morën kapelat nga varësja, nxorën bastunët nga mbajtësja e bastunëve, u përkulën pa folur dhe dolën nga banesa. Me një mosbesim krejt të pabazë, siç doli, zoti Samsa doli me dy gratë në sheshpushim; të mbështetur pas parmakut, shikuan se si të tre zotërinjtë zbrisnin shkallët e gjata, ngadalë, por pa u ndalur, si zhdukeshin në çdo kat në një kthesë të caktuar të shkallëve dhe pas pak çastesh dilnin përsëri; sa më poshtë arrinin, aq më shumë e humbiste familja Samsa interesin për ta, dhe kur një çirak kasapi, me tabakanë mbi kokë, me qëndrim krenar, u ngjit përballë tyre e pastaj lart përmbi ta, zoti Samsa shpejt e la parmakun bashkë me gratë, dhe të gjithë u kthyen në banesën e tyre si të lehtësuar.

Vendosën ta kalonin ditën e sotme duke pushuar e duke shëtitur; këtë ndërprerje të punës jo vetëm që e kishin merituar, por e kishin edhe patjetër të nevojshme. Dhe kështu u ulën në tryezë dhe shkruan tri letra për t’u justifikuar, zoti Samsa drejtorisë së tij, zonja Samsa porositësit të saj dhe Greta pronarit të saj. Ndërsa shkruanin, hyri pastruesja për të thënë se po ikte, sepse puna e saj e mëngjesit kishte mbaruar. Të tre që shkruanin vetëm tundën kokën në fillim, pa ngritur sytë; vetëm kur pastruesja ende nuk donte të largohej, ngritën sytë të nevrikosur. „Hë?“ pyeti zoti Samsa. Pastruesja qëndronte te dera duke buzëqeshur, sikur të kishte për t’i njoftuar familjes një lumturi të madhe, por do ta bënte këtë vetëm po ta pyesnin me hollësi. Pendla e vogël e strucit, gati drejt, mbi kapelën e saj, që e kishte nevrikosur zotin Samsa gjatë gjithë kohës që ajo kishte shërbyer aty, lëkundej lehtë në të gjitha drejtimet. „Hë, ç’doni në të vërtetë?“ pyeti zonja Samsa, të cilën pastruesja e respektonte më shumë se të tjerët. „Po, — u përgjigj pastruesja, dhe nga e qeshura dashamirëse nuk mundi të vazhdonte menjëherë, — pra, si do të hiqet që këtej ajo gjëja aty ngjitur, për këtë nuk keni pse të shqetësoheni. U rregullua.“ Zonja Samsa dhe Greta u përkulën mbi letrat e tyre, sikur të donin të vazhdonin të shkruanin; zoti Samsa, që e vuri re se pastruesja donte tani të fillonte t’i përshkruante të gjitha me hollësi, e ndali këtë me vendosmëri, me dorën të shtrirë. Por meqë nuk e lanë të tregonte, ajo u kujtua për ngutin e madh që kishte, thirri, me sa dukej e fyer: „Mirupafshim të gjithëve“, u kthye me furi dhe doli nga banesa duke i përplasur dyert në mënyrë të tmerrshme.

— Në mbrëmje do ta pushojmë, — tha zoti Samsa, por nuk mori përgjigje as nga e shoqja, as nga e bija, sepse pastruesja dukej se ua kishte prishur përsëri qetësinë që mezi e kishin gjetur. Ato u ngritën, shkuan te dritarja dhe qëndruan aty, të përqafuara. Zoti Samsa u kthye në kolltukun e tij nga ato dhe i vështroi një copë herë në heshtje. Pastaj thirri: — Ejani pra këtu. Lërini më në fund gjërat e vjetra. Dhe kini pak kujdes edhe për mua. — Gratë iu bindën menjëherë, nxituan drejt tij, e përkëdhelën dhe i mbaruan shpejt letrat.

Pastaj që të tre dolën bashkë nga banesa, gjë që nuk e kishin bërë prej muajsh, dhe shkuan me tramvaj jashtë qytetit, në natyrë. Vagoni, ku rrinin vetëm ata, ishte krejt i përshkuar nga dielli i ngrohtë. Duke u mbështetur rehat prapa në ndenjëset e tyre, biseduan për perspektivat e së ardhmes, dhe doli se këto, po t’i shikoje më nga afër, nuk ishin aspak të këqija, sepse vendet e punës të të treve, për të cilat, në të vërtetë, ende nuk e kishin pyetur njëri-tjetrin, ishin jashtëzakonisht të favorshme dhe sidomos premtuese për më vonë. Përmirësimi më i madh i menjëhershëm i gjendjes do të vinte, natyrisht, lehtë me ndërrimin e banesës; tani donin të merrnin një banesë më të vogël dhe më të lirë, por në vend më të mirë dhe në përgjithësi më praktike se e tanishmja, që e kishte zgjedhur Gregori. Ndërsa bisedonin kështu, zotit dhe zonjës Samsa, duke parë të bijën që gjallërohej gjithnjë e më shumë, u shkoi ndër mend gati njëkohësisht se si ajo kohët e fundit, pavarësisht nga gjithë ajo përkujdesje që ia kishte zbehur faqet, ishte çelur në një vajzë të bukur e të plotë. Duke u bërë më të heshtur dhe duke u marrë vesh gati pa e kuptuar me vështrime, menduan se tani do të ishte koha t’i gjenin edhe asaj një burrë të mirë. Dhe ishte për ta si një vërtetim i ëndrrave të tyre të reja dhe i qëllimeve të tyre të mira, kur, në fund të udhëtimit, e bija u ngrit e para dhe e shtriu trupin e saj të ri.

Shënime

  1. Brumbull plehu: në origjinal Mistkäfer, emri i një brumbulli që jeton në pleh, por edhe fjalë sharjeje e zakonshme. Është i vetmi vend në tregim ku Gregori quhet me emrin e një insekti të caktuar, dhe e bën këtë pastruesja. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Metamorfoza

Chapters

  1. Pjesa e parë
  2. Pjesa e dytë
  3. Pjesa e tretë · Reading now

Bookmarks

Keyboard: the ← and → arrow keys go to the previous or next chapter.

Back to the book

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours