Nata e katërt · Netët e bardha
Chapter 4 of 5
O Zot, si përfundoi e gjithë kjo! Me çfarë përfundoi e gjithë kjo!
Erdha në orën nëntë. Ajo ishte tashmë atje. E vura re që nga larg; qëndronte, si atëherë, herën e parë, e mbështetur me bërryla te parmaku i bregut, dhe s’më dëgjoi kur iu afrova.
— Nastenka! — e thirra, duke e shtypur me mundim tronditjen time.
Ajo u kthye shpejt nga unë.
— Epo! — tha ajo, — epo! shpejt!
E shikoja i hutuar.
— Epo, ku është letra? E sollët letrën? — përsëriti ajo, duke u kapur me dorë pas parmakut.
— Jo, s’kam letër, — thashë më në fund, — vallë ende s’ka ardhur ai?
Ajo u zbeh tmerrësisht dhe më shikoi gjatë pa lëvizur. Ia theva shpresën e fundit.
— Epo, punë e tij! — tha më në fund me një zë të ndërprerë, — punë e tij, po qe se më braktis kështu.
Ajo i uli sytë, pastaj desh të më shikonte, por s’mundi. Edhe ca minuta e mbajti tronditjen, por papritur u kthye mënjanë, u mbështet me bërryla te balustrada e bregut dhe shpërtheu në lot.
— Mjaft, mjaft! — nisa unë, por s’pata fuqi të vazhdoja duke e parë, dhe ç’mund të thosha?
— Mos më ngushëlloni, — thoshte ajo duke qarë, — mos më flisni për të, mos më thoni se do të vijë, se s’më ka braktisur kaq mizorisht, kaq çnjerëzisht, siç bëri. Për çfarë, për çfarë? Mos kishte vallë diçka në letrën time, në atë letër fatkeqe?..
Këtu dënesat ia prenë zërin; mua më çahej zemra duke e parë.
— Oh, sa çnjerëzisht mizore është kjo! — nisi ajo sërish. — Dhe asnjë rresht, asnjë rresht! Të paktën të ma kishte kthyer përgjigje se s’i duhem, se më hedh poshtë; kurse kështu, asnjë rresht për tri ditë të tëra! Sa lehtë e ka ta fyejë, ta lëndojë një vajzë të varfër, të pambrojtur, që ka vetëm këtë faj, që e do! Oh, sa kam hequr në këto tri ditë! O Zot! O Zot! Kur kujtoj se shkova tek ai vetë herën e parë, se u poshtërova para tij, qava, se i luta qoftë edhe për një pikë dashurie… E pas kësaj!.. Dëgjoni, — tha, duke u kthyer nga unë, dhe sytë e saj të zinj vetëtinë, — po kështu s’është! S’mund të jetë kështu; s’është e natyrshme! Ose ju, ose unë jemi gabuar; ndoshta s’e ka marrë letrën? Ndoshta ende s’di asgjë? Si është e mundur, gjykoni vetë, më thoni, për hir të Zotit, ma shpjegoni, — unë s’e kuptoj dot këtë, — si mund të sillesh kaq barbarisht, kaq vrazhdë, siç u soll ai me mua! Asnjë fjalë! Edhe me njeriun e fundit në botë tregohen më të mëshirshëm. Ndoshta ka dëgjuar diçka, ndoshta dikush i ka thënë diçka për mua? — thirri ajo, duke m’u drejtuar me pyetje. — Ç’mendoni ju?
— Dëgjoni, Nastenka, nesër do të shkoj tek ai në emrin tuaj.
— Epo!
— Do ta pyes për gjithçka, do t’i tregoj gjithçka.
— Epo, epo!
— Ju do të shkruani një letër. Mos thoni jo, Nastenka, mos thoni jo! Do ta detyroj ta respektojë veprimin tuaj, do t’i mësojë të gjitha, dhe po qe se…
— Jo, miku im, jo, — ma preu ajo. — Mjaft! Asnjë fjalë më, asnjë fjalë prej meje, asnjë rresht — mjaft! Unë s’e njoh, s’e dua më, do ta… do ta har…roj…
Ajo s’e mbaroi fjalën.
— Qetësohuni, qetësohuni! Uluni këtu, Nastenka, — thashë, duke e ulur në stol.
— Po unë jam e qetë. Mjaft! S’është gjë! Janë lot, do të thahen! Ç’mendoni, se do ta shkatërroj veten, se do të hidhem në lumë?..
Zemra ime ishte plot; desha të flisja, por s’munda.
— Dëgjoni! — vazhdoi ajo, duke më kapur për dore, — më thoni: ju s’do të silleshit kështu? ju s’do ta braktisnit atë që do të vinte vetë te ju, s’do t’ia hidhnit në sy një tallje të paturpshme për zemrën e saj të dobët, të marrë? Do ta ruanit? Do ta përfytyronit se ajo ishte vetëm, se s’dinte të kujdesej për veten, se s’dinte ta ruante veten nga dashuria për ju, se s’ka faj, se ajo, më në fund, s’ka faj… se s’ka bërë asgjë!.. Oh, o Zot, o Zot!..
— Nastenka! — thirra më në fund, pa qenë në gjendje ta mposhtja tronditjen, — Nastenka! ju po më mundoni! Ma plagosni zemrën, po më vrisni, Nastenka! S’mund të hesht! Duhet të flas më në fund, të shpreh atë që më ka zier këtu, në zemër…
Duke thënë këtë, u ngrita përgjysmë nga stoli. Ajo më kapi për dore dhe më shikonte e habitur.
— Ç’keni? — tha ajo më në fund.
— Dëgjoni! — thashë me vendosmëri. — Më dëgjoni, Nastenka! Ajo që do të them tani është e gjitha marrëzi, e gjitha e pamundur, e gjitha budallallëk! E di që kjo s’mund të ndodhë kurrë, por s’mund të hesht. Në emër të asaj për të cilën vuani tani, ju lutem që më parë, më falni!..
— Epo, çfarë, çfarë? — thoshte ajo, duke pushuar së qari dhe duke më parë ngultas, ndërsa një kureshtje e çuditshme i shkëlqente në sytë e habitur, — ç’keni?
— Është e pamundur, por unë ju dua, Nastenka! ja çfarë! Epo, tani u tha gjithçka! — thashë, duke tundur dorën. — Tani do ta shihni a mund të flisni me mua kështu siç flisnit tani, a mund, më në fund, të dëgjoni atë që do t’ju them…
— Epo, po çfarë, çfarë? — ma preu Nastenka, — ç’ka me këtë? Epo, unë e dija prej kohësh që ju më doni, por vetëm më dukej se më doni ashtu, thjesht, disi… Ah, o Zot, o Zot!
— Në fillim ishte thjesht, Nastenka, kurse tani, tani… unë jam pikërisht si ju, kur shkuat atëherë tek ai me bohçen tuaj. Më keq se ju, Nastenka, sepse ai atëherë s’donte askënd, kurse ju doni.
— Ç’po më thoni! Unë, më në fund, s’ju kuptoj fare. Por dëgjoni, përse kjo, domethënë jo përse, por pse jeni ju kështu, dhe kështu papritur… O Zot! po flas marrëzira! Por ju…
Dhe Nastenka u hutua krejt. Faqet iu ndezën; uli sytë.
— Ç’të bëj, Nastenka, ç’të bëj unë? kam faj, e shpërdorova… Por jo, jo, s’kam faj, Nastenka; këtë e dëgjoj, e ndiej, sepse zemra më thotë se kam të drejtë, sepse unë s’mund t’ju lëndoj me asgjë, s’mund t’ju fyej me asgjë! Isha miku juaj; epo, ja, edhe tani jam mik; s’kam tradhtuar asgjë. Ja, tani më rrjedhin lotët, Nastenka. Le të rrjedhin, le të rrjedhin — s’i pengojnë askujt. Do të thahen, Nastenka…
— Po uluni, pra, uluni, — tha ajo, duke më ulur në stol, — oh, o Zot!
— Jo! Nastenka, s’do të ulem; s’mund të rri më këtu, ju s’mund të më shihni më; do t’i them të gjitha dhe do të iki. Vetëm dua të them se ju s’do ta kishit marrë vesh kurrë se ju dua. Do ta kisha varrosur të fshehtën time. S’do t’ju mundoja tani, në këtë çast, me egoizmin tim. Jo! por tani s’durova dot; ju vetë e zutë në gojë, ju keni fajin… ju keni fajin për të gjitha, e unë s’kam faj. S’mund të më përzini nga pranë jush…
— Jo, jo, unë s’ju përzë, jo! — thoshte Nastenka, duke e fshehur sa mundej hutimin e saj, e gjora.
— S’më përzini? jo! e unë që doja vetë t’ju ikja. Edhe do të iki, vetëm do t’i them më parë të gjitha, sepse, kur flisnit këtu, s’rrija dot, kur qanit këtu, kur mundoheshit ngaqë, epo, ngaqë (po e them me emër, Nastenka), ngaqë ju hedhin poshtë, ngaqë e shtynë dashurinë tuaj, ndjeva, dëgjova se në zemrën time ka kaq shumë dashuri për ju, Nastenka, kaq shumë dashuri!.. Dhe m’u bë aq hidhur që s’mund t’ju ndihmoja me këtë dashuri… sa m’u copëtua zemra, dhe unë, unë — s’mund të heshtja, duhej të flisja, Nastenka, duhej të flisja!..
— Po, po! flisni, flisni me mua kështu! — tha Nastenka me një lëvizje të pashpjegueshme. — Ndoshta ju duket e çuditshme që po ju flas kështu, por… flisni! do t’ju them më vonë! do t’jua tregoj të gjitha!
— Ju vjen keq për mua, Nastenka; thjesht ju vjen keq për mua, mikesha ime e vogël! Ç’humbi, humbi! ç’u tha, nuk kthehet më! A s’është kështu? Epo, tani i dini të gjitha. Epo, ja ku është pika e nisjes. Epo, mirë! tani të gjitha këto janë shumë bukur; vetëm dëgjoni. Kur rrinit ulur dhe qanit, unë mendoja me vete (oh, më lini të them ç’mendoja!), mendoja se (epo, sigurisht, kjo s’mund të jetë, Nastenka), mendoja se ju… mendoja se ju disi atje… epo, në ndonjë mënyrë krejt të huaj, s’e doni më. Atëherë, — këtë e mendoja edhe dje, edhe pardje, Nastenka, — atëherë do të bëja kështu, patjetër do të bëja kështu që të më donit: sepse ju thatë, ju vetë më thatë, Nastenka, se gati më kishit dashur fare. Epo, e pastaj? Epo, ja gati gjithçka që doja të thosha; mbetet vetëm të them ç’do të ndodhte atëherë, po të më donit, vetëm këtë, asgjë më shumë! Dëgjoni pra, mikesha ime, — sepse ju megjithatë jeni mikesha ime, — unë, sigurisht, jam njeri i thjeshtë, i varfër, kaq i parëndësishëm, por s’është kjo puna (po flas disi gjithnjë për gjëra të tjera, kjo vjen nga hutimi, Nastenka), por unë do t’ju doja aq shumë, aq shumë, sa, edhe sikur ta donit ende atë dhe të vazhdonit të donit atë që unë s’e njoh, prapëseprapë s’do ta vinit re se dashuria ime ju rëndon disi. Ju vetëm do të dëgjonit, vetëm do të ndienit çdo minutë se pranë jush rreh një zemër mirënjohëse, mirënjohëse, një zemër e zjarrtë, që për ju… Oh, Nastenka, Nastenka! ç’më bëtë!..
— Mos qani, pra, s’dua që të qani, — tha Nastenka, duke u ngritur shpejt nga stoli, — ejani, ngrihuni, ejani me mua, mos qani, mos qani, — thoshte ajo, duke m’i fshirë lotët me shaminë e saj, — epo, ejani tani; ndoshta do t’ju them diçka… Po, meqë ai tani më braktisi, meqë më harroi, ndonëse unë ende e dua (s’dua t’ju gënjej)… por, dëgjoni, më përgjigjuni. Sikur unë, për shembull, t’ju doja, domethënë sikur vetëm… Oh, miku im, miku im! kur mendoj, kur mendoj se ju fyeja atëherë, që qeshja me dashurinë tuaj, kur ju lavdëroja që s’ishit dashuruar!.. Oh, o Zot! si s’e parashikova këtë, si s’e parashikova, si qeshë kaq budallaqe, por… epo, epo, vendosa, do t’i them të gjitha…
— Dëgjoni, Nastenka, e dini ç’ka? do të iki prej jush, ja ç’ka! Thjesht po ju mundoj. Ja, tani ju bren ndërgjegjja që qeshët, e unë s’dua, po, s’dua që ju, përveç hidhërimit tuaj… unë, sigurisht, kam faj, Nastenka, por lamtumirë!
— Prisni, më dëgjoni: a mund të prisni?
— Të pres çfarë, si?
— Unë e dua; por kjo do të kalojë, duhet të kalojë, s’mund të mos kalojë; tashmë po kalon, e ndiej… Kush e di, ndoshta që sot do të mbarojë, sepse e urrej, sepse ai u tall me mua, ndërsa ju qanit këtu bashkë me mua, sepse ju s’do të më hidhnit poshtë si ai, sepse ju doni, e ai s’më donte, sepse unë, më në fund, ju dua vetë… po, ju dua! ju dua siç më doni ju; unë vetë jua kam thënë këtë që më parë, ju vetë e dëgjuat, — ju dua sepse ju jeni më i mirë se ai, sepse jeni më fisnik se ai, sepse, sepse ai…
Tronditja e së gjorës ishte aq e fortë, sa s’e mbaroi fjalën, e vuri kokën mbi supin tim, pastaj mbi gjoksin tim dhe qau me hidhërim. E ngushëlloja, e bindja, por ajo s’pushonte dot; ma shtrëngonte vazhdimisht dorën dhe thoshte midis dënesave: „Prisni, prisni; ja, tani do të pushoj! Dua t’ju them… mos mendoni se këta lot, — s’është gjë, janë nga dobësia, prisni sa të kalojë…“ Më në fund pushoi, i fshiu lotët, dhe nisëm të ecnim sërish. Desha të flisja, por ajo vazhdoi të më lutej gjatë të prisja. Heshtëm… Më në fund mblodhi zemrën dhe nisi të fliste…
— Ja ç’ka, — nisi ajo me një zë të dobët e të dridhur, por në të cilin papritur tingëlloi diçka që m’u ngul drejt në zemër dhe m’u dhemb ëmbëlsisht në të, — mos mendoni se jam kaq e paqëndrueshme dhe mendjelehtë, mos mendoni se mund të harroj e të tradhtoj kaq lehtë e kaq shpejt… E kam dashur një vit të tërë dhe betohem në Zot se kurrë, kurrë s’i kam qenë e pabesë, as me mendje. Ai e përbuzi këtë; u tall me mua, — punë e tij! Por ai më plagosi dhe ma fyeu zemrën. Unë — unë s’e dua, sepse mund të dua vetëm atë që është zemërgjerë, që më kupton, që është fisnike; sepse vetë jam e tillë, dhe ai s’është i denjë për mua, — epo, punë e tij! Bëri më mirë se sikur unë më vonë të isha zhgënjyer në pritjet e mia dhe të kisha mësuar se kush është… Epo, mbaroi! Por kush e di, miku im i mirë, — vazhdoi ajo, duke ma shtrënguar dorën, — kush e di, ndoshta edhe gjithë dashuria ime ishte mashtrim i ndjenjave, i imagjinatës, ndoshta nisi si çapkënllëk, si marrëzi, ngaqë isha nën mbikëqyrjen e gjyshes? Ndoshta duhet të dua një tjetër, e jo atë, jo një njeri të tillë, një tjetër, që të më kishte mëshirë dhe, dhe… Epo, le ta lëmë, le ta lëmë këtë, — ndërpreu Nastenka veten, duke u mbytur nga tronditja, — vetëm doja t’ju thoja… doja t’ju thoja se, në qoftë se, pavarësisht se e dua (jo, e kam dashur), në qoftë se, pavarësisht nga kjo, ju do të thoni ende… në qoftë se e ndieni që dashuria juaj është aq e madhe, sa mund ta dëbojë më në fund nga zemra ime të mëparshmen… në qoftë se do të doni të keni mëshirë për mua, në qoftë se s’do të doni të më lini vetëm me fatin tim, pa ngushëllim, pa shpresë, në qoftë se do të doni të më doni gjithmonë, siç më doni tani, atëherë betohem se mirënjohja… se dashuria ime do të jetë më në fund e denjë për dashurinë tuaj… A do ta merrni tani dorën time?
— Nastenka, — thirra, duke u mbytur nga dënesat, — Nastenka!.. O Nastenka!
— Epo, mjaft, mjaft! epo, tani vërtet mjaft! — foli ajo, duke e mposhtur mezi veten, — epo, tani u tha gjithçka; apo jo? kështu? Epo, edhe ju jeni i lumtur, edhe unë jam e lumtur; asnjë fjalë më për këtë; prisni; më kurseni… Flisni për ndonjë gjë tjetër, për hir të Zotit!..
— Po, Nastenka, po! mjaft më për këtë, tani jam i lumtur, unë… Epo, Nastenka, epo, le të flasim për diçka tjetër, shpejt, shpejt të flasim; po! jam gati…
Dhe s’dinim ç’të flisnim, qeshnim, qanim, thoshim mijëra fjalë pa lidhje e pa kuptim; herë ecnim nëpër trotuar, herë ktheheshim papritur prapa dhe niseshim ta kalonim rrugën; pastaj ndaleshim dhe kalonim prapë në breg; ishim si fëmijë…
— Tani jetoj vetëm, Nastenka, — nisa unë, — kurse nesër… Epo, sigurisht, unë, e dini, Nastenka, jam i varfër, kam gjithsej një mijë e dyqind,1 por s’ka gjë…
— Sigurisht që s’ka gjë, kurse gjyshja ka pension; kështu që s’do të na rëndojë. Duhet ta marrim gjyshen.
— Sigurisht, duhet ta marrim gjyshen… Vetëm ja, Matrjona…
— Ah, edhe ne kemi Fjoklën!
— Matrjona është e mirë, vetëm ka një të metë: s’ka imagjinatë, Nastenka, absolutisht asnjë imagjinatë; por s’ka gjë!..
— S’ka rëndësi; të dyja mund të rrinë bashkë; vetëm ju nesër shpërnguluni te ne.
— Si? te ju! Mirë, jam gati…
— Po, merreni me qira te ne. Ne kemi atje, sipër, mansardën; është bosh; kishte një qiraxhije, një plakë, fisnike, por u shpërngul, dhe gjyshja, e di, do të fusë një djalë të ri; unë i them: „Pse një djalë të ri?“ Kurse ajo thotë: „Ashtu, unë jam plakur tashmë, por ti mos mendo, Nastenka, se dua të të martoj me të.“ Dhe unë e mora me mend që është për këtë…
— Ah, Nastenka!..
Dhe qeshëm të dy.
— Epo, mjaft, pra, mjaft. Po ku banoni ju? e harrova.
— Atje, pranë urës —ski, në shtëpinë e Barannikovit.
— Ajo shtëpia e madhe?
— Po, ajo shtëpia e madhe.
— Ah, e di, shtëpi e mirë; vetëm, e dini, lëreni dhe shpërnguluni te ne sa më shpejt…
— Që nesër, Nastenka, që nesër; atje kam pak borxh për qiranë, por s’ka gjë… Së shpejti do të marr rrogën…
— E dini, ndoshta do të jap mësime; do të mësoj vetë dhe do të jap mësime…
— Epo, ja, shumë mirë… kurse unë së shpejti do të marr një shpërblim, Nastenka…
— Atëherë, ja, nesër do të jeni qiraxhiu im…
— Po, dhe do të shkojmë te „Berberi i Seviljes“, sepse së shpejti do ta japin prapë.
— Po, do të shkojmë, — tha Nastenka duke qeshur, — jo, më mirë të dëgjojmë jo „Berberin“, por diçka tjetër…
— Epo mirë, diçka tjetër; sigurisht, kjo do të jetë më mirë, se unë s’e mendova…
Duke folur kështu, ecnim të dy sikur në avull, në mjegull, sikur s’e dinim vetë se ç’po ndodhte me ne. Herë ndaleshim dhe flisnim gjatë në një vend, herë niseshim prapë të ecnim dhe shkonim Zoti e di ku, dhe prapë të qeshura, prapë lot… Herë Nastenkës i teket papritur të shkojë në shtëpi, unë s’guxoj ta mbaj dhe dua ta përcjell deri te shtëpia; nisemi, dhe papritur, pas një çerek ore, e gjejmë veten në breg pranë stolit tonë. Herë ajo psherëtin, dhe sërish i mbushen sytë me lot; unë trembem, ngrij… Por ajo aty për aty ma shtrëngon dorën dhe më tërheq sërish të ecim, të llomotisim, të flasim…
— Është koha tani, është koha të shkoj në shtëpi; mendoj se është shumë vonë, — tha më në fund Nastenka, — mjaft më me këto fëmijëri!
— Po, Nastenka, vetëm se unë tani s’do të fle dot; s’do të shkoj në shtëpi.
— As unë, më duket, s’do të fle dot; vetëm më përcillni…
— Patjetër.
— Por tani patjetër do të arrijmë deri te shtëpia.
— Patjetër, patjetër…
— Fjalë nderi?.. sepse dikur duhet të kthehesh në shtëpi!
— Fjalë nderi, — u përgjigja duke qeshur…
— Epo, ejani!
— Ejani.
— Shikoni qiellin, Nastenka, shikoni! Nesër do të jetë një ditë e mrekullueshme; ç’qiell i kaltër, ç’hënë! Shikoni: ja, kjo re e verdhë po e mbulon tani, shikoni, shikoni!.. Jo, kaloi pranë saj. Shikoni, pra, shikoni!..
Por Nastenka s’e shikonte renë, qëndronte e heshtur, si e ngulur; pas një minute nisi të më shtrëngohej disi me ndrojtje, ngushtë pas meje. Dora i dridhej në dorën time; e shikova… Ajo u mbështet edhe më fort pas meje.
Në atë çast pranë nesh kaloi një djalë i ri. Papritur u ndal, na shikoi ngultas dhe pastaj bëri prapë disa hapa. Zemra m’u drodh…
— Nastenka, — thashë me gjysmë zëri, — kush është ky, Nastenka?
— Është ai! — u përgjigj ajo me pëshpëritje, duke m’u shtrënguar edhe më afër, edhe më e dridhur… Mezi qëndrova në këmbë.
— Nastenka! Nastenka! je ti! — u dëgjua një zë pas nesh, dhe në po atë çast djali i ri bëri disa hapa drejt nesh.
O Zot, ç’britmë! si u drodh ajo! si m’u shkëput nga krahët dhe fluturoi drejt tij!.. Unë qëndroja dhe i shikoja si i vrarë. Por ajo mezi i dha dorën, mezi iu hodh në krahë, kur papritur u kthye sërish nga unë, u gjend pranë meje, si era, si vetëtima, dhe, para se të vija në vete, m’i hodhi të dyja duart në qafë dhe më puthi fort, me zjarr. Pastaj, pa më thënë asnjë fjalë, u hodh sërish drejt tij, e kapi për duarsh dhe e tërhoqi pas vetes.
Qëndrova gjatë dhe i shikoja nga pas… Më në fund të dy m’u zhdukën nga sytë.
Shënime
-
Një mijë e dyqind: rubla, të ardhurat e tij vjetore. ↩︎
Found a mistake in this chapter? Report a mistake