← Getsbi i madh

Kapitulli IV · Getsbi i madh

Kapitulli 4 nga 9

Të dielën në mëngjes, ndërsa kambanat e kishave binin në fshatrat gjatë bregut, bota dhe dashnorja e saj u kthyen në shtëpinë e Getsbit dhe vezulluan me hare mbi lëndinën e tij.

— Është kontrabandist pijesh,1 — thoshin zonjushat, duke lëvizur diku mes koktejeve dhe luleve të tij. — Një herë vrau një njeri që kishte zbuluar se ishte nip i Fon Hindenburgut2 dhe kushëri i dytë i djallit. Ma jep një trëndafil, shpirt, dhe hidhmë një pikë të fundit në atë gotën e kristaltë atje.

Një herë i shkrova në hapësirat bosh të një orari treni emrat e atyre që erdhën në shtëpinë e Getsbit atë verë. Tani është një orar i vjetër, që po shpërbëhet në palosje, dhe në krye ka: „Ky orar është në fuqi nga 5 korriku 1922“. Por i lexoj ende emrat gri, dhe ata do t’ju japin për ata që pranuan mikpritjen e Getsbit, dhe që i bënë atij nderimin e hollë të mos dinin asgjë fare për të, një përshtypje më të mirë se përgjithësimet e mia.

Nga Veza Lindore, pra, erdhën Çester Bekerët dhe Liçët, dhe një burrë që quhej Bansen, që e kisha njohur në Jejl, dhe doktor Uebster Sivet, që u mbyt verën e kaluar lart në Mejn.3 Dhe Hornbimët dhe Uilli Volterët, dhe një klan i tërë që quhej Blekbak, që mblidheshin gjithmonë në një qoshe dhe ngrinin hundët si dhitë ndaj kujtdo që u afrohej. Dhe Ismejt dhe Kristitë (ose, më saktë, Hjubert Auerbahu dhe gruaja e zotit Kristi), dhe Edgar Biveri, të cilit, siç thonë, i zbardhën flokët si pambuk një pasdite dimri pa asnjë arsye.

Klerëns Endajvi ishte nga Veza Lindore, me sa më kujtohet. Erdhi vetëm një herë, me pantallona të shkurtra golfi të bardha, dhe u zu në kopsht me një endacak që quhej Eti. Nga më larg në Ishull erdhën Çidëllët dhe O. R. P. Shrejderët, Stounuoll Xhekson Ejbramët nga Xhorxhia,4 Fishgardët dhe Riplei Snellët. Snelli ishte aty tri ditë para se të shkonte në burg, aq i dehur, i shtrirë në zhavorrin e hyrjes, saqë automobili i zonjës Julisis Suet i shkeli dorën e djathtë. Erdhën edhe Densitë, edhe S. B. Uajtbejti, që i kishte kaluar mirë të gjashtëdhjetat, edhe Moris A. Flinku, edhe Hemerhedët, edhe Beluga, importuesi i duhanit, me vajzat e Belugës.

Nga Veza Perëndimore erdhën Pollët dhe Mallridit, dhe Sesil Roubaku, dhe Sesil Shoni, dhe Gjuliku, senatori i shtetit, dhe Njuton Orkidi, që drejtonte Films Par Excellence, dhe Ekhausti, dhe Klajd Koeni, dhe Don S. Shuarci (i biri), dhe Artur Mëkarti, të gjithë të lidhur me kinemanë në një mënyrë a në një tjetër. Dhe Katlipët, dhe Bembergët, dhe G. Ërl Mallduni, vëllai i atij Mallduni që më vonë mbyti gruan. Vinte atje Da Fontano, sipërmarrësi, dhe Ed Legroja, dhe Xhejms B. („Zorrëprishësi“) Fereti, dhe De Jongët, dhe Ernest Lilli: vinin për të luajtur bixhoz, dhe kur Fereti endej nëpër kopsht, do të thoshte se e kishin qëruar dhe se të nesërmen aksionet e Associated Traction do të duhej të luhateshin me fitim.

Një burrë që quhej Klipspringer vinte aq shpesh, sa e mori nami si „qiraxhiu“; dyshoj nëse kishte ndonjë shtëpi tjetër. Nga njerëzit e teatrit kishte Gas Uejzin dhe Horas O’Donavanin, dhe Lester Majerin, dhe Xhorxh Dakuidin, dhe Frensis Bullin. Nga Nju-Jorku ishin edhe Kromët, dhe Bekhisonët, dhe Denikerët, dhe Rasëll Beti, dhe Korriganët, dhe Kelehërët, dhe Djuarët, dhe Skallitë, dhe S. U. Bellçeri, dhe Smërkët, dhe Kuinët e rinj, tani të ndarë, dhe Henri L. Palmeto, që vrau veten duke u hedhur para trenit të metrosë në Times Square.

Beni Mëklenehani vinte gjithmonë me katër vajza. Nga trupi nuk ishin kurrë krejt të njëjtat, por i ngjanin aq shumë njëra-tjetrës, saqë të dukej patjetër se kishin qenë aty edhe më parë. I kam harruar emrat e tyre: Xhaklina, më duket, ose Konsuela, ose Gloria, ose Xhudi, ose Xhun, dhe mbiemrat e tyre ishin ose emrat melodiozë të luleve e të muajve, ose ata më të ashpërit e kapitalistëve të mëdhenj amerikanë, kushërira të të cilëve, po t’i shtrëngoje, do të rrëfenin se ishin.

Përveç të gjithë këtyre, më kujtohet se të paktën një herë erdhi atje Faustina O’Brajeni, dhe vajzat Bedeker, dhe Brueri i ri, që ia kishte rrëmbyer hundën një plumb në luftë, dhe zoti Albruksburger me zonjushën Hag, të fejuarën e tij, dhe Ardita Fic-Piters, dhe zoti P. Xhuet, dikur kryetar i Legjionit Amerikan,5 dhe zonjusha Klaudia Hip, me një burrë që thuhej se ishte shoferi i saj, dhe një princ i diçkaje, që e thërrisnim Duka, dhe emrin e të cilit, po ta kem ditur ndonjëherë, e kam harruar.

Të gjithë këta njerëz erdhën në shtëpinë e Getsbit atë verë.


Në orën nëntë, një mëngjes nga fundi i korrikut, makina e mrekullueshme e Getsbit u ngjit duke u lëkundur nëpër rrugicën me gurë deri te dera ime dhe lëshoi një shpërthim melodie nga boria e saj me tri nota.

Ishte hera e parë që më vinte për vizitë, ndonëse unë kisha qenë në dy nga festat e tij, kisha fluturuar me hidroplanin e tij dhe, me ftesën e tij këmbëngulëse, e përdorja shpesh plazhin e tij.

— Mirëmëngjes, miku plak. Sot drekon me mua, dhe mendova të shkonim bashkë me makinë.

Po mbante ekuilibrin mbi parafangon e makinës me atë shkathtësi lëvizjesh që është kaq tipike amerikane: që vjen, mendoj, nga mungesa e punës së rëndë në rini dhe, akoma më shumë, nga hijeshia pa formë e lojërave tona nervoze e të çrregullta. Kjo cilësi shpërthente vazhdimisht përmes sjelljes së tij të përpiktë në formën e padurimit. S’rrinte kurrë krejt i qetë; kishte gjithmonë diku një këmbë që trokiste ose një dorë që hapej e mbyllej me padurim.

Më pa që po ia shikoja makinën me admirim.

— E bukur, apo jo, miku plak? — U hodh poshtë që ta shihja më mirë. — S’e ke parë ndonjëherë më parë?

E kisha parë. E kishin parë të gjithë. Ishte ngjyrë kremi e pasur, e shndritshme nga nikeli, e fryrë andej-këtej në gjatësinë e saj monstruoze me kuti kapelash, kuti darke e kuti veglash triumfale, dhe me tarraca nga një labirint xhamash përpara që pasqyronin një duzinë diejsh. Ulur pas shumë shtresave xhami në njëfarë serre prej lëkure të gjelbër, u nisëm për në qytet.

Gjatë muajit të kaluar kisha folur me të ndoshta gjysmë duzine herë dhe kisha zbuluar, me zhgënjim, se kishte pak për të thënë. Kështu, përshtypja ime e parë, se ishte njeri me ndonjë rëndësi të papërcaktuar, ishte venitur dalëngadalë, dhe ai ishte bërë thjesht i zoti i një hani të stërholluar buzë rrugës, ngjitur me mua.

Dhe pastaj erdhi ai udhëtim që të hutonte. S’kishim arritur ende në fshatin e Vezës Perëndimore, kur Getsbi filloi t’i linte përgjysmë fjalitë e tij elegante dhe të godiste veten me pavendosmëri në gjurin e kostumit ngjyrë karamele.

— Dëgjo, miku plak, — shpërtheu befas, — në fund të fundit, ç’mendim ke për mua?

Paksa i zënë në befasi, fillova me ato bishtnime të përgjithshme që meriton kjo pyetje.

— Pra, do të të tregoj diçka për jetën time, — më ndërpreu. — S’dua të krijosh ide të gabuar për mua nga gjithë këto histori që dëgjon.

Pra, ai e dinte për akuzat e çuditshme që i jepnin shije bisedës në sallat e tij.

— Do të të them të vërtetën e Zotit. — Dora e tij e djathtë i urdhëroi befas ndëshkimit hyjnor të rrinte gati. — Jam djali i disa njerëzve të pasur nga Perëndimi i Mesëm, që kanë vdekur të gjithë tani. U rrita në Amerikë, por u shkollova në Oksford, sepse aty janë shkolluar të gjithë të parët e mi prej shumë vitesh. Është traditë e familjes.

Më pa me bisht të syrit, dhe e kuptova pse Xhordan Bejkeri kishte besuar se gënjente. Fjalinë „u shkollova në Oksford“ e nxitoi, ose e gëlltiti, ose iu mbyt në fyt, sikur ta kishte shqetësuar edhe më parë. Dhe me këtë dyshim, gjithë deklarata e tij u shpërbë copë-copë, dhe pyeta veten nëse, në fund të fundit, s’kishte diçka pak ogurzezë tek ai.

— Nga cila pjesë e Perëndimit të Mesëm? — pyeta si pa të keq.

— Nga San Francisko.

— E kuptoj.

— Familja ime vdiq e gjitha dhe trashëgova shumë para.

Zëri i tij ishte solemn, sikur kujtimi i atij shuarjeje të papritur të një klani ta ndiqte ende. Për një çast dyshova se po tallej me mua, por një vështrim nga ai më bindi për të kundërtën.

— Pas kësaj jetova si një raxha i ri në të gjitha kryeqytetet e Evropës, Paris, Venecie, Romë, duke mbledhur xhevahire, kryesisht rubinë, duke gjuajtur kafshë të mëdha, duke pikturuar pak, gjëra vetëm për veten time, dhe duke u përpjekur të harroja diçka shumë të trishtë që më kishte ndodhur shumë kohë më parë.

Me mundim arrita ta mbaja të qeshurën e mosbesimit. Vetë fjalët ishin konsumuar aq shumë, sa s’ngjallnin asnjë figurë tjetër përveç asaj të një „personazhi“ me çallmë, që i rridhte tallash nga çdo pore, ndërsa ndiqte një tigër nëpër Bois de Boulogne.6

— Pastaj erdhi lufta, miku plak. Qe një lehtësim i madh, dhe u përpoqa shumë të vdisja, por dukej sikur jeta ime ishte e magjepsur. Kur filloi, pranova gradën e togerit të parë. Në pyllin e Argonës7 i çova mbetjet e batalionit tim të mitralozave aq përpara, saqë në të dy anët tona mbeti një çarje gjysmë milje, ku këmbësoria s’arrinte të përparonte. Ndenjëm aty dy ditë e dy net, njëqind e tridhjetë veta me gjashtëmbëdhjetë mitralozë Lewis,8 dhe kur më në fund arriti këmbësoria, gjetën mes grumbujve të të vdekurve shenjat e tri divizioneve gjermane. U gradova major, dhe çdo qeveri aleate më dha një dekoratë, madje edhe Mali i Zi, Mali i Zi i vogël atje poshtë, në Detin Adriatik!

Mali i Zi i vogël! I ngriti lart ato fjalë dhe u pohoi me kokë, me buzëqeshjen e tij. Buzëqeshja e përfshinte historinë e trazuar të Malit të Zi dhe ndiente keqardhje për luftërat trimërore të popullit malazez. E vlerësonte plotësisht vargun e rrethanave kombëtare që i kishte shkulur këtë nderim zemrës së vogël e të ngrohtë të Malit të Zi. Mosbesimi im tani ishte mbytur nga magjepsja; ishte si të shfletoje me ngut një duzinë revistash.

Futi dorën në xhep, dhe një copë metali, e varur në një shirit, më ra në pëllëmbë.

— Ajo është nga Mali i Zi.

Për habinë time, sendi kishte pamje të vërtetë. „Orderi di Danilo,“ thoshte mbishkrimi rrethor, „Montenegro, Nicolas Rex.“9

— Ktheje.

„Majori Xhej Getsbi,“ lexova, „Për trimëri të jashtëzakonshme.“

— Ja edhe një gjë tjetër që e mbaj gjithmonë me vete. Një kujtim nga ditët e Oksfordit. Është bërë në oborrin e Trinity-t;10 ai në të majtën time tani është konti i Donkasterit.

Ishte fotografia e gjysmë duzine djemsh të rinj me xhaketa sportive, që rrinin kot nën një hark, përmes të cilit dukeshin një mori majash kullash. Aty ishte Getsbi, që dukej pak, jo shumë, më i ri, me një shkop kriketi në dorë.

Atëherë ishte e gjitha e vërtetë. Pashë lëkurët e tigrave që flakëronin në pallatin e tij mbi Kanalin e Madh;11 e pashë duke hapur një arkë me rubinë për të qetësuar, me thellësitë e tyre të ndriçuara në të kuq, brejtjet e zemrës së tij të thyer.

— Sot do të të bëj një kërkesë të madhe, — tha, duke i futur në xhep kujtimet e tij me kënaqësi, — ndaj mendova se duhej të dije diçka për mua. S’doja të mendoje se jam ndonjë hiç. E sheh, zakonisht e gjej veten mes të huajsh, sepse endem andej-këtej duke u përpjekur të harroj gjërat e trishta që më kanë ndodhur. — Ngurroi. — Do ta dëgjosh këtë pasdite.

— Në drekë?

— Jo, këtë pasdite. Rastësisht mora vesh se po e çon zonjushën Bejker për çaj.

— Do të thuash se je i dashuruar me zonjushën Bejker?

— Jo, miku plak, s’jam. Por zonjusha Bejker ka pranuar me mirësjellje të të flasë për këtë çështje.

S’e kisha as idenë më të vogël se ç’ishte „kjo çështje“, por isha më shumë i mërzitur se i interesuar. Xhordanin s’e kisha ftuar për çaj që të flisnim për zotin Xhej Getsbi. Isha i sigurt se kërkesa do të ishte diçka krejt fantastike, dhe për një çast më erdhi keq që kisha shkelur ndonjëherë në lëndinën e tij të mbipopulluar.

S’deshi të thoshte asnjë fjalë tjetër. Korrektësia e tij rritej sa më shumë i afroheshim qytetit. Kaluam Port Ruzveltin, ku dukeshin anijet e oqeanit me rripa të kuq, dhe vrapuam nëpër një lagje të varfër të shtruar me kalldrëm, me pijetore të errëta, por jo të braktisura, me praruesin e zbehur të viteve nëntëqind. Pastaj lugina e hirit u hap në të dy anët tona, dhe, kur kaluam, pashë kalimthi zonjën Uillson që mundohej me pompën e garazhit, me një gjallëri që i merrte frymën.

Me parafangot të hapur si krahë, shpërndamë dritë nëpër gjysmën e Astorias,12 vetëm gjysmën, sepse, ndërsa përdridheshim mes shtyllave të hekurudhës së ngritur, dëgjova „trak-trak-paf!“-in e njohur të një motoçiklete, dhe një polic i tërbuar na doli krah.

— Mirë, miku plak, — thirri Getsbi. E ngadalësuam. Ai nxori nga portofoli një kartë të bardhë dhe ia tundi para syve.

— Në rregull, — pranoi polici, duke prekur strehën e kapelës. — Herës tjetër do t’ju njoh, zoti Getsbi. Më falni mua!

— Ç’ishte ajo? — pyeta. — Fotografia e Oksfordit?

— Një herë arrita t’i bëj një nder shefit të policisë, dhe ai më dërgon çdo vit një kartolinë Krishtlindjesh.

Përmes urës së madhe, me dritën e diellit që kalonte nëpër trarët dhe bënte një vezullim të pandërprerë mbi makinat që lëviznin, me qytetin që ngrihej matanë lumit në grumbuj të bardhë e në kubikë sheqeri, të ndërtuar të gjithë me një dëshirë, me para që s’u vjen erë. Qyteti i parë nga ura e Kuinsboros13 është gjithmonë qyteti i parë për herë të parë, në premtimin e tij të parë e të egër për gjithë misterin dhe bukurinë në botë.

Një i vdekur kaloi pranë nesh në një makinë mortore të mbushur me lule, e ndjekur nga dy karroca me perde të ulura dhe nga karroca më të gëzuara për miqtë. Miqtë na panë me sytë tragjikë dhe me buzët e sipërme të shkurtra të Evropës Juglindore, dhe më erdhi mirë që pamja e makinës së mrekullueshme të Getsbit u përfshi në festën e tyre të zymtë. Kur kaluam ishullin Blekuell,14 na kaloi një limuzinë me shofer të bardhë, ku ishin ulur tre zezakë të modës, dy meshkuj dhe një vajzë. Qesha me zë kur të verdhat e kokërdhokëve të tyre u rrotulluan drejt nesh me një rivalitet mendjemadh.

„Tani që rrëshqitëm përtej kësaj ure, mund të ndodhë gjithçka,“ mendova; „gjithçka fare…“

Edhe Getsbi mund të ndodhte, pa ndonjë habi të veçantë.


Mesditë që gjëmonte. Në një bodrum të ajrosur mirë në Rrugën 42 u takova me Getsbin për drekë. Duke e larguar me shkelje syri shkëlqimin e rrugës jashtë, sytë e mi e dalluan turbull në paradhomë, duke folur me një burrë tjetër.

— Zoti Kerauei, ky është miku im, zoti Uolfshajm.

Një hebre i vogël me hundë të shtypur ngriti kokën e madhe dhe më vështroi me dy tufa të bukura qimesh që lulëzonin në të dy vrimat e hundës. Pas një çasti i zbulova sytë e vegjël në gjysmerrësirë.

— …Kështu, e pashë një herë, — tha zoti Uolfshajm, duke ma shtrënguar dorën me seriozitet, — dhe ç’mendon se bëra?

— Çfarë? — pyeta me mirësjellje.

Por me sa dukej s’po më fliste mua, sepse ma lëshoi dorën dhe e mbuloi Getsbin me hundën e tij shprehëse.

— Ia dhashë paratë Kacpos dhe i thashë: „Mirë, Kacpo, mos i jep asnjë qindarkë gjersa të mbyllë gojën.“ Dhe ai e mbylli aty për aty.

Getsbi na kapi secilin nga një krah dhe u fut përpara në restorant, e atëherë zoti Uolfshajm e gëlltiti një fjali të re që po fillonte dhe ra në një përhumbje si prej somnambuli.

— Uiski me sodë? — pyeti kryekamerieri.

— Ky është restorant i mirë këtu, — tha zoti Uolfshajm, duke parë nimfat presbiteriane në tavan. — Por mua më pëlqen më shumë ai përballë!

— Po, uiski me sodë, — pranoi Getsbi, dhe pastaj zotit Uolfshajm: — Atje bën shumë vapë.

— Vapë dhe i vogël, po, — tha zoti Uolfshajm, — por plot kujtime.

— Cili lokal është ai? — pyeta.

— Metropoli i vjetër.

— Metropoli i vjetër, — tha i menduar e i zymtë zoti Uolfshajm. — Plot me fytyra të vdekura e të shkuara. Plot me miq që kanë ikur përgjithmonë. Sa të jem gjallë, s’e harroj dot natën kur e qëlluan atje Rozi Rozentalin.15 Ishim gjashtë veta në tryezë, dhe Rozi kishte ngrënë e pirë shumë gjithë mbrëmjen. Kur ishte gati mëngjes, kamerieri iu afrua me një pamje të çuditshme dhe i thotë se dikush do t’i flasë jashtë. „Mirë,“ thotë Rozi, dhe fillon të ngrihet, dhe unë e tërhoqa poshtë në karrige.

— „Le të vijnë këtu brenda, bastardët, po të duan, Rozi, por ti, për Zotin, mos dil nga kjo dhomë.“

— Atëherë ishte ora katër e mëngjesit, dhe po t’i kishim ngritur grilat, do të kishim parë dritën e ditës.

— Doli? — pyeta i pafajshëm.

— Sigurisht që doli. — Hunda e zotit Uolfshajm shkrepi drejt meje e indinjuar. — U kthye te dera dhe thotë: „Mos e lini kamerierin të ma marrë kafenë!“ Pastaj doli në trotuar, dhe ata e qëlluan tri herë në barkun e ngopur dhe ikën me makinë.

— Katër prej tyre i ekzekutuan në karrigen elektrike, — thashë, duke kujtuar.

— Pesë, me Bekerin. — Vrimat e hundës m’u kthyen me interes. — Kuptoj që kërkoni një gondakt pune.

Afrimi i këtyre dy vërejtjeve të trondiste. Getsbi u përgjigj për mua:

— Oh, jo, — thirri, — nuk është ky njeriu.

— Jo? — Zoti Uolfshajm dukej i zhgënjyer.

— Ky është vetëm një mik. Të thashë që për atë do të flisnim ndonjë herë tjetër.

— Më falni, — tha zoti Uolfshajm, — e ngatërrova njeriun.

Erdhi një gjellë e lëngshme me mish të grirë, dhe zoti Uolfshajm, duke e harruar atmosferën më sentimentale të Metropolit të vjetër, filloi të hante me një delikatesë të egër. Ndërkohë sytë e tij endeshin shumë ngadalë nëpër gjithë sallën; e plotësoi harkun duke u kthyer të shqyrtonte njerëzit pikërisht pas tij. Mendoj se, po të mos isha unë aty, do t’i kishte hedhur një sy të shkurtër edhe nën tryezën tonë.

— Dëgjo, miku plak, — tha Getsbi, duke u përkulur drejt meje, — kam frikë se këtë mëngjes në makinë të zemërova pak.

Ishte sërish ajo buzëqeshje, por kësaj radhe i bëra ballë.

— Nuk më pëlqejnë misteret, — iu përgjigja, — dhe s’e kuptoj pse s’del hapur e të më thuash ç’do. Pse duhet të kalojë gjithçka përmes zonjushës Bejker?

— Oh, s’është ndonjë gjë e fshehtë, — më siguroi. — Zonjusha Bejker është sportiste e madhe, e di, dhe s’do të bënte kurrë ndonjë gjë që s’është në rregull.

Befas pa orën, u hodh në këmbë dhe doli me nxitim nga salla, duke më lënë në tryezë me zotin Uolfshajm.

— Duhet të telefonojë, — tha zoti Uolfshajm, duke e ndjekur me sy. — Djalë i shkëlqyer, apo jo? I pashëm për t’u parë dhe zotëri i përsosur.

— Po.

— Është njeri i Ogsfordit.

— Oh!

— Ka shkuar në Kolegjin e Ogsfordit në Angli. E njihni Kolegjin e Ogsfordit?

— E kam dëgjuar.

— Është një nga kolegjet më të famshëm në botë.

— E njihni prej kohësh Getsbin? — pyeta.

— Prej disa vitesh, — m’u përgjigj i kënaqur. — Bëra kënaqësinë ta njoh menjëherë pas luftës. Por e dija që kisha zbuluar një njeri me edukatë të hollë pasi fola me të një orë. I thashë vetes: „Ja një njeri nga ata që do të doje ta merrje në shtëpi e t’ua prezantoje nënës e motrës.“ — Pushoi. — Shoh që po m’i shikoni kopsat e mëngëve.

S’po i shikoja, por tani i pashë. Ishin bërë me copa fildishi çuditërisht të njohura.

— Ekzemplarët më të mirë të dhëmbëve dhëmballë njerëzorë, — më njoftoi.

— Pa shih! — I shqyrtova. — Kjo është një ide shumë interesante.

— Po. — I fshehu mëngët nën xhaketë. — Po, Getsbi është shumë i kujdesshëm me gratë. S’do ta shikonte as me bisht të syrit gruan e një miku.

Kur objekti i këtij besimi instinktiv u kthye në tryezë dhe u ul, zoti Uolfshajm e piu kafenë me një të rrëkëllyer dhe u ngrit në këmbë.

— E shijova drekën, — tha, — dhe po ju lë ju dy djemve të rinj, para se ta zgjas më shumë se ç’duhet.

— Mos u ngut, Mejer, — tha Getsbi, pa entuziazëm. Zoti Uolfshajm ngriti dorën si për bekim.

— Jeni shumë i sjellshëm, por unë i përkas një brezi tjetër, — njoftoi solemnisht. — Rrini këtu dhe flisni për sportet tuaja, për zonjushat tuaja dhe për… — Një emër të përfytyruar e plotësoi me një tundje tjetër të dorës. — Sa për mua, jam pesëdhjetë vjeç dhe s’do t’ju imponohem më.

Kur na dha dorën dhe u kthye, hunda e tij tragjike dridhej. Pyeta veten se mos i kisha thënë ndonjë gjë që e kishte fyer.

— Ndonjëherë bëhet shumë sentimental, — shpjegoi Getsbi. — Kjo është një nga ditët e tij sentimentale. Është figurë e njohur në Nju-Jork, banor i përhershëm i Broadway-t.

— Po kush është, në fund të fundit, aktor?

— Jo.

— Dentist?

— Mejer Uolfshajmi? Jo, është kumarxhi. — Getsbi ngurroi, pastaj shtoi me gjakftohtësi: — Është njeriu që e trukoi Serinë Botërore të vitit 1919.16

— E trukoi Serinë Botërore? — përsërita.

Ideja më shtangu. Më kujtohej, sigurisht, që Seria Botërore ishte trukuar më 1919, por, po të kisha menduar ndonjëherë për të, do ta kisha menduar si diçka që thjesht ndodhi, si fundin e ndonjë vargu të pashmangshëm. S’më kishte shkuar kurrë ndër mend se një njeri i vetëm mund të fillonte të luante me besimin e pesëdhjetë milionë njerëzve, me vendosmërinë e një hajduti që shpërthen një kasafortë.

— Si i erdhi ta bënte këtë? — pyeta pas një minute.

— Thjesht e pa rastin.

— Pse s’është në burg?

— S’e kapin dot, miku plak. Është njeri i zgjuar.

Ngula këmbë ta paguaja unë llogarinë. Ndërsa kamerieri më sillte kusurin, pashë Tom Bjukenanin në anën tjetër të sallës plot njerëz.

— Eja me mua për një minutë, — thashë; — duhet t’i them tungjatjeta dikujt.

Kur na pa, Tomi u hodh në këmbë dhe bëri gjysmë duzine hapash drejt nesh.

— Ku ke qenë? — pyeti me zjarr. — Dejzi është tërbuar që s’i ke telefonuar.

— Ky është zoti Getsbi, zoti Bjukenan.

I dhanë dorën njëri-tjetrit shkurt, dhe në fytyrën e Getsbit u shfaq një pamje sikleti e tendosur, që s’ia kisha parë.

— Si je, në fund të fundit? — më pyeti Tomi. — Si të ra rruga deri këtu për të ngrënë?

— Kam qenë për drekë me zotin Getsbi.

U ktheva nga zoti Getsbi, por ai s’ishte më aty.


Një ditë tetori të nëntëmbëdhjetë e shtatës…

(tha Xhordan Bejkeri atë pasdite, ulur shumë drejt në një karrige të drejtë në kopshtin e çajit të hotelit Plaza)17

…po ecja nga një vend në tjetrin, gjysmë nëpër trotuare e gjysmë nëpër lëndina. Nëpër lëndina isha më e lumtur, sepse kisha veshur këpucë nga Anglia, me thumba gome në shollë që nguleshin në tokën e butë. Kisha veshur edhe një fund të ri me kuadrate, që e frynte pak era, dhe sa herë që ndodhte kjo, flamujt kuq, bardh e blu para të gjitha shtëpive tendoseshin të ngurtë dhe bënin c-c-c-c, në një mënyrë qortuese.

Më i madhi i flamujve dhe më e madhja e lëndinave ishin të shtëpisë së Dejzi Fejt. Ajo sapo kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, dy vjet më e madhe se unë, dhe ishte pa krahasim më e dashura nga të gjitha vajzat e reja të Luizvilit. Vishej në të bardha, kishte një makinë të vogël të bardhë me dy vende, dhe gjithë ditën i binte telefoni në shtëpi, ndërsa oficerë të rinj të ngazëllyer nga Kampi Tejlor18 kërkonin privilegjin ta kishin vetëm për vete atë natë. „Të paktën për një orë!“

Kur arrita përballë shtëpisë së saj atë mëngjes, makina e saj e bardhë ishte buzë trotuarit, dhe ajo ishte ulur brenda me një toger që s’e kisha parë kurrë. Ishin aq të zhytur te njëri-tjetri, sa ajo s’më pa gjersa u ndodha pesë këmbë larg.

— Tungjatjeta, Xhordan, — thirri papritur. — Të lutem, eja këtu.

Më kënaqi sedrën që donte të më fliste, sepse nga të gjitha vajzat më të mëdha, atë e admiroja më shumë. Më pyeti nëse po shkoja në Kryqin e Kuq për të bërë fasha. Po shkoja. Pra, a do t’u thosha që ajo s’mund të vinte atë ditë? Ndërsa fliste, oficeri e shikonte Dejzin në një mënyrë që çdo vajzë e re do të donte ta shikonin ndonjëherë, dhe, ngaqë m’u duk romantike, ngjarja më ka mbetur në mendje që atëherë. Emri i tij ishte Xhej Getsbi, dhe s’e pashë më me sy për më shumë se katër vjet: edhe pasi e njoha në Long Ajlend, s’e kuptova se ishte i njëjti njeri.

Kjo ishte më nëntëmbëdhjetë e shtatë. Vitin tjetër kisha edhe unë disa të dashur dhe fillova të luaja në turne, ndaj s’e shihja shpesh Dejzin. Ajo shoqërohej me një rreth pak më të rritur, kur shoqërohej me dikë. Për të qarkullonin thashetheme të egra: si e kishte gjetur e ëma një natë dimri duke bërë valixhen për të shkuar në Nju-Jork t’i thoshte lamtumirë një ushtari që po nisej matanë oqeanit. E penguan me sukses, por ajo s’u foli njerëzve të shtëpisë për disa javë. Pas kësaj s’u soll më me ushtarët, por vetëm me disa djem të rinj të qytetit me këmbë të sheshta e me sy të dobët, që s’mund të hynin fare në ushtri.

Vjeshtën tjetër ishte sërish e gëzuar, e gëzuar si gjithmonë. Doli në shoqëri19 pas armëpushimit,20 dhe në shkurt thuhej se ishte fejuar me një burrë nga Nju-Orleansi. Në qershor u martua me Tom Bjukenanin nga Çikagoja, me më shumë pompë e madhështi se ç’kishte parë ndonjëherë Luizvili. Ai erdhi me njëqind veta në katër vagonë privatë, mori me qira një kat të tërë të hotelit Malbah, dhe një ditë para dasmës i dhuroi një gjerdan me perla me vlerë treqind e pesëdhjetë mijë dollarë.

Unë isha shoqëruese e nuses. Hyra në dhomën e saj gjysmë ore para darkës së dasmës dhe e gjeta të shtrirë në shtrat, e bukur si nata e qershorit me fustanin me lule, dhe e dehur si majmun. Në njërën dorë kishte një shishe soterni21 dhe në tjetrën një letër.

— ’Rgëzomëni, — murmuriti. — S’kisha pirë kurrë më parë, por oh, sa më pëlqen.

— Ç’ke, Dejzi?

U tremba, ta them unë; s’kisha parë kurrë më parë një vajzë në atë gjendje.

— Ja, shpirtrat e mi. — Rrëmoi në një kosh letrash që e kishte me vete në shtrat dhe nxori gjerdanin me perla. — Merrini e çojini poshtë dhe kthejiani kujt i përkasin. U thoni të gjithëve se Dejzi ndërro’ mend’. U thoni: „Dejzi ndërro’ mend’!“

Filloi të qante: qante e qante. Dola me vrap dhe gjeta shërbyesen e së ëmës, mbyllëm derën me çelës dhe e futëm në një banjë me ujë të ftohtë. S’e lëshonte letrën. E futi me vete në vaskë dhe e shtrydhi në një top të lagur, dhe më la ta vija në pjatën e sapunit vetëm kur pa se po bëhej copa-copa si bora.

Por s’tha më asnjë fjalë. I dhamë spirt amoniaku, i vumë akull në ballë, ia mbërthyem sërish fustanin, dhe gjysmë ore më vonë, kur dolëm nga dhoma, perlat ishin në qafën e saj dhe ngjarja kishte marrë fund. Të nesërmen, në orën pesë, u martua me Tom Bjukenanin pa iu dridhur qerpiku dhe u nis për një udhëtim tremujor në Detet e Jugut.

I pashë në Santa Barbara kur u kthyen, dhe mendova se s’kisha parë kurrë një vajzë aq të çmendur pas burrit të saj. Po të dilte ai nga dhoma për një minutë, ajo shikonte përreth e shqetësuar dhe thoshte: „Ku shkoi Tomi?“, dhe kishte shprehjen më të përhumbur gjersa e shihte duke hyrë nga dera. Rrinte me orë të tëra ulur në rërë me kokën e tij në prehër, duke i fërkuar sytë me gishta dhe duke e parë me një kënaqësi të pakuptueshme. Të prekte t’i shihje bashkë: të bënte të qeshje në heshtje, i magjepsur. Kjo ishte në gusht. Një javë pasi u largova nga Santa Barbara, Tomi u përplas një natë me një karrocë në rrugën e Venturës dhe i shkuli makinës një rrotë të përparme. Vajza që ishte me të doli edhe ajo në gazeta, sepse theu krahun: ishte një nga shërbyeset e dhomave të hotelit të Santa Barbarës.

Prillin tjetër Dejzi lindi vajzën e vogël, dhe shkuan në Francë për një vit. I pashë një pranverë në Kanë, e më vonë në Dovil,22 dhe pastaj u kthyen në Çikago që të ngulnin këmbë. Në Çikago Dejzi ishte shumë e dashur, siç e di. Shoqëroheshin me një rreth që jetonte shpejt, të gjithë të rinj, të pasur e të shfrenuar, por ajo doli me një emër krejtësisht të pastër. Ndoshta ngaqë s’pi. Është përparësi e madhe të mos pish mes njerëzve që pinë shumë. Mund ta mbash gjuhën, dhe, përveç kësaj, mund ta caktosh kohën e ndonjë parregullsie tënden të vogël, kur të gjithë të tjerët janë aq të verbër sa s’e shohin dhe s’u intereson. Ndoshta Dejzi s’u mor kurrë me dashuri të fshehta; e megjithatë, ka diçka në atë zë të saj…

Pra, para rreth gjashtë javësh, ajo dëgjoi emrin Getsbi për herë të parë pas shumë vitesh. Ishte kur të pyeta, të kujtohet?, nëse e njihje Getsbin në Vezën Perëndimore. Pasi ike ti në shtëpi, ajo erdhi në dhomën time, më zgjoi dhe më tha: „Cilin Getsbi?“, dhe kur ia përshkrova, isha gjysmë në gjumë, tha me zërin më të çuditshëm se duhej të ishte njeriu që njihte dikur. Vetëm atëherë e lidha këtë Getsbi me oficerin në makinën e saj të bardhë.


Kur Xhordan Bejkeri mbaroi së treguari gjithë këtë, kishim gjysmë ore që ishim larguar nga Plaza dhe po shëtisnim me një viktoria23 nëpër Central Park. Dielli kishte perënduar pas pallateve të larta të yjeve të kinemasë në rrugët me numra pesëdhjetë e ca në anën perëndimore, dhe zërat e kthjellët të fëmijëve, të mbledhur tashmë si bulkthat në bar, ngjiteshin nëpër muzgun e nxehtë:

„Unë jam Sheiku i Arabisë.
Dashuria jote është imja.
Natën, kur të zërë gjumi,
në çadrën tënde do të hyj zvarrë…“24

— Ishte një rastësi e çuditshme, — thashë.

— Por s’ishte aspak rastësi.

— Pse jo?

— Getsbi e bleu atë shtëpi që Dejzi të ishte pikërisht matanë gjirit.

Atëherë s’kishin qenë vetëm yjet ato që ai kishte synuar atë natë qershori. M’u bë i gjallë, i lindur befas nga barku i shkëlqimit të tij pa qëllim.

— Do të dijë, — vazhdoi Xhordani, — nëse do ta ftosh Dejzin në shtëpinë tënde ndonjë pasdite dhe pastaj ta lësh atë të vijë.

Modestia e kërkesës më tronditi. Kishte pritur pesë vjet dhe kishte blerë një vilë ku u shpërndante dritë yjesh fluturave të rastit, që të mund të „vinte“ një pasdite në kopshtin e një të huaji.

— Duhej t’i dija të gjitha këto para se të më kërkonte një gjë kaq të vogël?

— Ka frikë, ka pritur kaq gjatë. Mendoi se mund të fyheshe. E sheh, nën gjithë atë, është njeri i fortë fare.

Diçka më shqetësonte.

— Pse s’të kërkoi ty ta rregulloje takimin?

— Do që ajo t’ia shohë shtëpinë, — shpjegoi ajo. — Dhe shtëpia jote është pikërisht ngjitur.

— Oh!

— Më duket se gjysmë e priste që ajo të vinte rastësisht në ndonjë nga festat e tij, ndonjë natë, — vazhdoi Xhordani, — por ajo s’erdhi kurrë. Pastaj filloi t’i pyeste njerëzit si pa të keq nëse e njihnin, dhe unë isha e para që gjeti. Ishte ajo natë që më thirri në ballon e tij, dhe duhej ta kishe dëgjuar me çfarë mënyre të stërholluar iu afrua çështjes. Sigurisht, unë i propozova menjëherë një drekë në Nju-Jork, dhe kujtova se do të çmendej:

— „S’dua të bëj asgjë jashtë rregullit!“ thoshte vazhdimisht. „Dua ta shoh këtu, pikërisht ngjitur.“

— Kur i thashë se ishe mik i veçantë i Tomit, filloi ta braktiste gjithë idenë. Nuk di shumë për Tomin, ndonëse thotë se prej vitesh lexon një gazetë të Çikagos vetëm me shpresën se mund t’i zërë syri emrin e Dejzisë.

Tani ishte errët, dhe ndërsa zhyteshim poshtë një ure të vogël, e vura krahun rreth supit të artë të Xhordanit, e tërhoqa drejt vetes dhe e ftova për darkë. Befas s’po mendoja më për Dejzin e Getsbin, por për këtë krijesë të pastër, të fortë e të kufizuar, që merrej me skepticizëm të përgjithshëm, dhe që mbështetej prapa e shkathët pikërisht brenda rrethit të krahut tim. Një fjali filloi të më rrihte në vesh me njëfarë ngazëllimi dehës: „Ka vetëm të ndjekur, ndjekës, të zënë me punë dhe të lodhur.“

— Dhe Dejzi duhet të ketë diçka në jetën e saj, — më murmuriti Xhordani.

— A do ajo ta shohë Getsbin?

— Ajo s’duhet ta dijë. Getsbi s’do që ta dijë. Ti duhet vetëm ta ftosh për çaj.

Kaluam një pengesë pemësh të errëta, dhe pastaj fasada e Rrugës 59, një bllok drite të zbehtë e delikate, shkëlqeu poshtë në park. Ndryshe nga Getsbi dhe nga Tom Bjukenani, unë s’kisha ndonjë vajzë, fytyra pa trup e së cilës të notonte gjatë kornizave të errëta e reklamave verbuese, ndaj e afrova vajzën pranë meje, duke i shtrënguar krahët. Goja e saj e zbehtë e përbuzëse buzëqeshi, ndaj e afrova sërish, më pranë, këtë herë deri te fytyra ime.

Shënime

  1. Kontrabandist pijesh (anglisht bootlegger). Nga viti 1920 deri më 1933, në SHBA ishte në fuqi Ndalimi (Prohibition): ndryshimi i 18-të i Kushtetutës dhe ligji Volstead ndalonin prodhimin, shitjen dhe transportin e pijeve alkoolike. Pija nuk u zhduk: e sillnin fshehurazi nga Kanadaja e nga deti, e prodhonin në mënyrë të paligjshme dhe e shisnin nëpër lokale të fshehta, dhe nga kjo tregti u pasuruan shumë kontrabandistë e banda të krimit të organizuar. ↩︎

  2. Paul von Hindenburg (1847–1934): feldmarshall gjerman, komandanti i ushtrisë gjermane në vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore; më vonë president i Gjermanisë. ↩︎

  3. Shumë nga emrat e kësaj liste janë lojëra fjalësh të Fitzgerald-it, të ndërtuara mbi emra kafshësh, peshqish e bimësh: leech (shushunjë), civet (civetë, mace e egër aromatike), hornbeam (shkozë), blackbuck (antilopë indiane), beaver (kastor), endive (çikore), whitebait (peshq të vegjël), hammerhead (peshkaçen-çekiç), beluga (blinja e madhe, peshku i havjarit), duckweed (thjerrëz uji), bull (dem). Mejn (Maine): shteti më verilindor i SHBA-ve. ↩︎

  4. Stonewall Jackson (1824–1863): gjeneral i Konfederatës së Jugut në Luftën Civile Amerikane. Xhorxhia (Georgia) është një nga shtetet e Jugut. ↩︎

  5. Legjioni Amerikan: shoqata e veteranëve amerikanë të Luftës së Parë Botërore, e themeluar më 1919. ↩︎

  6. Bois de Boulogne: park i madh në skajin perëndimor të Parisit, vend shëtitjesh i shoqërisë së lartë. ↩︎

  7. Pylli i Argonës: krahinë me pyje në verilindje të Francës, ku nga shtatori deri në nëntor të vitit 1918 ushtria amerikane zhvilloi ofensivën e saj më të madhe dhe më të përgjakshme të luftës. ↩︎

  8. Mitralozi Lewis: mitraloz i lehtë, i shpikur në SHBA dhe i prodhuar sidomos në Britani, që përdorej shumë gjatë Luftës së Parë Botërore. ↩︎

  9. „Urdhri i Danilos… Mali i Zi, Mbreti Nikolla“: Urdhri i Princit Danilo I ishte një nga dekoratat e Malit të Zi, që u jepej edhe ushtarakëve të huaj. Nikolla I (1841–1921) mbretëroi deri më 1918, kur Mali i Zi u bashkua me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. ↩︎

  10. Trinity: Trinity College, një nga kolegjet e Universitetit të Oksfordit. Oborret e kolegjeve të Oksfordit quhen quad (nga quadrangle, „katërkëndësh“). ↩︎

  11. Kanali i Madh (Canal Grande): kanali kryesor i Venecies, me pallatet e vjetra të fisnikëve në të dy brigjet. ↩︎

  12. Astoria: lagje në veriperëndim të Kuinsit, në bregun e lumit Ist River, përballë Manhatanit. ↩︎

  13. Ura e Kuinsboros (Queensboro Bridge): ura që e lidh Kuinsin me Manhatanin mbi lumin Ist River, e përfunduar më 1909. ↩︎

  14. Ishulli Blekuell (Blackwell’s Island): ishull i ngushtë në lumin Ist River, nën urën e Kuinsboros, ku atëherë ndodheshin burgu dhe disa spitale të qytetit (sot ishulli Ruzvelt). ↩︎

  15. Rozi Rozentali: Herman Rosenthal, kumarxhi nga Nju-Jorku, u vra me armë para hotelit Metropole, afër Times Square-it, në korrik të vitit 1912, pasi kishte akuzuar publikisht togerin e policisë Charles Becker se merrte para nga lokalet e kumarit. Katër vrasësit u ekzekutuan në karrigen elektrike më 1914, dhe vetë Becker-i më 1915. ↩︎

  16. Seria Botërore (World Series): finalja e kampionatit amerikan të bejsbollit, sporti më i dashur i amerikanëve. Më 1919 disa lojtarë të Chicago White Sox-it morën para nga kumarxhinjtë që ta humbnin me qëllim finalen kundër Cincinnati Reds-it. Skandali u zbulua më 1920; si organizatori i tij u përmend kumarxhiu nga Nju-Jorku Arnold Rothstein, që mendohet të ketë qenë modeli i Uolfshajmit. ↩︎

  17. Hotel Plaza: hotel luksoz në Nju-Jork, në cep të Central Park-ut dhe të Fifth Avenue-së, i hapur më 1907. ↩︎

  18. Kampi Tejlor (Camp Zachary Taylor): kamp ushtarak afër Luizvilit, ku gjatë Luftës së Parë Botërore stërviteshin dhjetëra mijëra ushtarë para se të niseshin për në Francë. ↩︎

  19. Daljet në shoqëri: në familjet e pasura amerikane, vajzat rreth të tetëmbëdhjetave „dilnin në shoqëri“ me një ballo a pritje të veçantë (début), dhe që atëherë konsideroheshin gati për martesë. ↩︎

  20. Armëpushimi i 11 nëntorit 1918, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. ↩︎

  21. Soterni (Sauternes): verë e bardhë e ëmbël nga krahina e Bordosë, në Francë. ↩︎

  22. Kana (Cannes), në bregun jugor të Francës, dhe Dovili (Deauville), në bregun e Normandisë: qytete pushimi të pasanikëve evropianë e amerikanë. ↩︎

  23. Viktoria: karrocë e lehtë me kuaj, me një ndenjëse për dy veta dhe me tendë të palosshme, që përdorej për shëtitje. ↩︎

  24. Fjalët e këngës The Sheik of Araby (1921), të frymëzuar nga filmi The Sheik (1921) me Rudolph Valentino-n, një nga këngët më të njohura të kohës. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Getsbi i madh

Kapitujt

  1. Kapitulli I
  2. Kapitulli II
  3. Kapitulli III
  4. Kapitulli IV · Po lexoni
  5. Kapitulli V
  6. Kapitulli VI
  7. Kapitulli VII
  8. Kapitulli VIII
  9. Kapitulli IX

Bookmarks

Me tastierë: shigjetat ← dhe → kalojnë te kapitulli i mëparshëm ose tjetri.

Te faqja e librit

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat