← Netët e bardha

Nata e parë · Netët e bardha

Kapitulli 1 nga 5

Roman sentimental
(Nga kujtimet e një ëndërrimtari)

…Apo qe krijuar ai vallë që të rrinte
qoftë edhe një çast të vetëm
pranë zemrës sate?..

IVAN TURGENIEV1

Ishte një natë e mrekullueshme, një natë e tillë që ndoshta mund të ndodhë vetëm kur jemi të rinj, i dashur lexues. Qielli ishte aq plot yje, një qiell aq i ndritshëm, sa, po ta shikoje, padashur të vinte ta pyesje veten: vallë, a mund të rrojnë nën një qiell të tillë gjithfarë njerëzish zemërakë e tekanjozë? Edhe kjo është pyetje prej të riu, i dashur lexues, shumë prej të riu, por Zoti jua dërgoftë sa më shpesh në shpirt!.. Duke folur për zotërinj tekanjozë e gjithfarë zemërakësh, s’munda të mos kujtoja edhe sjelljen time shembullore gjatë gjithë asaj dite. Që në mëngjes kishte nisur të më mundonte një trishtim i çuditshëm. Papritur m’u duk se të gjithë po më braktisnin mua, të vetmin, dhe se të gjithë po largoheshin prej meje. Sigurisht, kushdo ka të drejtë të pyesë: po cilët janë këta të gjithë? sepse ja, kanë kaluar tetë vjet që kur jetoj në Petersburg dhe s’kam ditur të lidh pothuajse asnjë njohje. Po ç’më duhen mua njohjet? Edhe pa to e njoh gjithë Petersburgun; ja pse m’u duk se të gjithë po më braktisnin, kur gjithë Petersburgu u ngrit dhe iku papritur nëpër vila.2 M’u bë frikë të mbetesha vetëm, dhe tri ditë të tëra u enda nëpër qytet në një trishtim të thellë, pa e kuptuar fare se ç’po ndodhte me mua. Qoftë kur dal në Nevski,3 qoftë kur shkoj në kopsht, qoftë kur endem përgjatë bregut — asnjë fytyrë nga ato që jam mësuar t’i ndesh në të njëjtin vend, në një orë të caktuar, gjithë vitin. Ata, sigurisht, nuk më njohin, por unë i njoh. I njoh nga afër; pothuajse ua kam studiuar fizionomitë — dhe i sodis me ëndje kur janë të gëzuar, dhe më zë melankolia kur ata vrenjten. Gati sa s’kam lidhur miqësi me një plak, që e takoj çdo ditë që bën Zoti, në një orë të caktuar, buzë Fontankës.4 Fizionomi kaq serioze, kaq e menduar; pëshpërit gjithmonë nën hundë dhe tund dorën e majtë, kurse në të djathtën mban një bastun të gjatë me nyje, me dorezë të artë. Edhe ai më ka vënë re dhe tregon për mua një interes të përzemërt. Po të ndodhë që të mos jem në orën e caktuar në të njëjtin vend të Fontankës, jam i sigurt se do ta zërë melankolia. Ja pse ndonjëherë gati sa s’përshëndetemi, sidomos kur jemi të dy në humor të mirë. Para disa ditësh, kur s’ishim parë dy ditë të tëra dhe u takuam ditën e tretë, ua kishim vënë dorën kapelave, por fat që erdhëm në vete në kohë, i ulëm duart dhe kaluam pranë njëri-tjetrit me dashamirësi. Edhe shtëpitë i kam të njohura. Kur eci, secila sikur më del përpara në rrugë, më shikon nga të gjitha dritaret dhe gati sa s’më thotë: „Mirëdita; si e keni shëndetin? edhe unë, lavdi Zotit, jam mirë, kurse në maj do të më shtojnë një kat.“ Ose: „Si e keni shëndetin? kurse mua nesër më nisin për riparim.“ Ose: „Desh u dogja, dhe për më tepër u tremba“, e kështu me radhë. Prej tyre kam të preferuarat e mia, kam miqtë e mi të ngushtë; njëra prej tyre ka ndër mend të mjekohet këtë verë te arkitekti. Do të kaloj qëllimisht çdo ditë, që të mos ma mjekojnë gjer në vdekje, Zoti e ruajttë!.. Por kurrë s’do ta harroj historinë me një shtëpizë fort të bukur, rozë të çelët. Ishte një shtëpizë prej guri aq e lezetshme, më shikonte aq përzemërsisht, i shikonte me aq krenari fqinjët e saj të ngathët, sa zemra më gëzohej kur më qëllonte të kaloja andej. Papritur, javën e kaluar, po kaloj nëpër rrugë dhe, posa hodha sytë nga mikja ime, dëgjoj një britmë vajtuese: „Mua po më lyejnë me të verdhë!“ Keqbërës! barbarë! s’kursyen asgjë: as kolonat, as kornizat, dhe mikja ime u zverdh si kanarinë. Desh më plasi vreri për këtë punë, dhe as sot e kësaj dite s’kam pasur zemër ta shoh të gjorën time të shpërfytyruar, që e lyen me ngjyrën e Perandorisë Qiellore.5

Pra, e kuptoni, lexues, si e njoh unë gjithë Petersburgun.

E thashë tashmë se tri ditë të tëra më mundonte një shqetësim, derisa e mora me mend shkakun e tij. Edhe në rrugë s’ndihesha mirë (ky s’është, ai s’është, ku humbi filani?) — edhe në shtëpi s’isha në vete. Dy mbrëmje rresht u përpoqa ta kuptoja: ç’më mungon në qoshen time? pse më vinte kaq ngushtë të rrija aty? — dhe me hutim shikoja muret e mi të gjelbër e të nxirë nga bloza, tavanin të mbuluar me merimangë, që Matrjona e kultivonte me shumë sukses, rishikoja gjithë orenditë e mia, kontrolloja çdo karrige, duke menduar mos qëndronte aty e keqja (sepse, po të jetë qoftë edhe një karrige e vetme jo ashtu siç ishte dje, unë s’jam në vete), shikoja nga dritarja, dhe gjithçka më kot… s’më lehtësohej aspak! Madje më shkoi ndër mend ta thërrisja Matrjonën dhe aty për aty i dhashë një qortim atëror për merimangën dhe përgjithësisht për rrëmujën; por ajo vetëm më pa e habitur dhe iku pa thënë asnjë fjalë, kështu që merimanga ende sot e kësaj dite varet e paprekur në vendin e vet. Më në fund, vetëm sot në mëngjes, e mora vesh se ç’ishte puna. Eh! po ata po m’ia mbathin nëpër vila! Më falni për fjalën e rëndomtë, por s’kisha nge për stil të lartë… sepse gjithçka që ndodhej në Petersburg ose ishte shpërngulur, ose po shpërngulej nëpër vila; sepse çdo zotëri i nderuar me pamje të rëndë, që merrte një karrocë me qira, para syve të mi kthehej menjëherë në një baba familjeje të nderuar, që pas punëve të zakonshme të zyrës niset fare i lehtë drejt gjirit të familjes së vet, në vilë; sepse çdo kalimtar tani kishte një pamje krejt të veçantë, që gati-gati i thoshte kujtdo që ndeshte: „Ne, zotërinj, jemi këtu vetëm kalimthi, ja, pas dy orësh do të nisemi për në vilë.“ Po të hapej një dritare, mbi të cilën fillimisht kishin trokitur ca gishta të hollë, të bardhë si sheqeri, dhe të dilte koka e një vajze të bukur që thërriste shitësin shëtitës të vazove me lule, — mua menjëherë, aty për aty, më dukej se këto lule bliheshin vetëm ashtu, domethënë aspak për t’u kënaqur me pranverën dhe me lulet në një apartament të mbytur qyteti, por se ja, shumë shpejt të gjithë do të shpërnguleshin nëpër vila dhe do t’i merrnin lulet me vete. Për më tepër, kisha bërë përparime të tilla në këtë lloj të ri e të veçantë zbulimesh, sa tashmë mund të thosha pa gabuar, vetëm nga pamja, se në cilën vilë jetonte secili. Banorët e Ishullit Kamenni dhe të Ishullit Aptekarski, ose të rrugës së Peterhofit,6 dalloheshin nga hijeshia e studiuar e sjelljes, nga kostumet elegante të verës dhe nga karrocat e bukura me të cilat kishin ardhur në qytet. Banorët e Pargolovos dhe të vendeve më tej „të ngjallnin respekt“ që në shikim të parë me maturinë dhe seriozitetin e tyre; vizitori i Ishullit Krestovski dallohej nga një pamje e gëzuar që s’e trazonte asgjë. Po të më qëllonte të ndeshja një procesion të gjatë karrocierësh barrash, që ecnin me përtesë, me frerët në dorë, pranë qerreve të ngarkuara me male të tëra orendish nga më të ndryshmet, tavolina, karrige, divane turqe dhe jo turqe dhe plaçka të tjera shtëpie, mbi të cilat, përveç gjithë kësaj, shpesh rrinte si në fron, në majë fare të qerres, ndonjë kuzhiniere e thatanike, që ruante mallin e zotërinjve si dritën e syve; po të shikoja barkat e ngarkuara rëndë me plaçka shtëpie, që rrëshqisnin nëpër Nevën ose Fontankën, deri në Çornaja Reçka ose në ishuj,7 — qerret dhe barkat shumëfishoheshin dhjetë herë, njëqind herë në sytë e mi; dukej sikur gjithçka ishte ngritur e po ikte, gjithçka po shpërngulej me karvane të tëra nëpër vila; dukej sikur gjithë Petersburgu kërcënonte të kthehej në shkretëtirë, kështu që më në fund më erdhi turp, u fyeva dhe u trishtova: unë s’kisha absolutisht ku dhe pse të shkoja në vilë. Isha gati të ikja me çdo qerre, të nisesha me çdo zotëri me pamje të nderuar që merrte karrocë me qira; por asnjëri, absolutisht askush s’më ftoi; sikur më kishin harruar, sikur për ta isha vërtet një i huaj!

Eca shumë dhe gjatë, aq sa, si zakonisht, kisha arritur ta harroja fare se ku isha, kur papritur u gjenda te porta e qytetit.8 Menjëherë m’u bë qejfi dhe kalova përtej barrierës, ia mora rrugës midis arave të mbjella e livadheve, nuk e ndjeja lodhjen, por ndjeja vetëm, me gjithë qenien time, se njëfarë barre po më binte nga shpirti. Të gjithë ata që kalonin me karroca më shikonin aq përzemërsisht, sa gati-gati më përshëndetnin; të gjithë ishin aq të gëzuar për diçka, të gjithë pa përjashtim pinin puro. Edhe unë isha i gëzuar si s’më kishte ndodhur kurrë. Sikur të isha gjendur papritur në Itali, — aq shumë më mahniti natyra mua, një qytetar gjysmë të sëmurë, që gati sa s’isha mbytur midis mureve të qytetit.

Ka diçka të pashpjegueshme prekëse në natyrën tonë të Petersburgut, kur ajo, me ardhjen e pranverës, papritur shfaq gjithë fuqinë e saj, gjithë forcat që i ka falur qielli, mbulohet me gjethe, stoliset, laramanoset me lule… Disi padashur ma kujton atë vajzë, të vyshkur e të sëmurë, që e shikoni herë me keqardhje, herë me njëfarë dashurie plot dhembshuri, e herë thjesht nuk e vini re, por që papritur, për një çast, disi pa pritur, bëhet e pashpjegueshme, mrekullisht e bukur, kurse ju, i habitur, i dehur, pyesni padashur veten: ç’forcë i bëri këta sy të trishtuar e të menduar të shkëlqejnë me një zjarr të tillë? ç’e solli gjakun në këto faqe të zbehta e të tretura? ç’i mbushi me pasion këto tipare të njoma të fytyrës? pse ngrihet kaq shumë ky gjoks? ç’e ngjalli kaq befas forcën, jetën dhe bukurinë në fytyrën e vajzës së gjorë, e bëri të shkëlqejë me një buzëqeshje të tillë, të gjallërohet me një të qeshur kaq vezulluese, kaq shkëndijuese? Shikoni përreth, kërkoni dikë, merrni me mend… Por çasti kalon, dhe ndoshta që të nesërmen do të ndeshni sërish të njëjtin vështrim të menduar e të hutuar si më parë, të njëjtën fytyrë të zbehtë, të njëjtin nënshtrim e të njëjtën druajtje në lëvizje, madje edhe pendim, madje gjurmët e njëfarë trishtimi që të vret shpirtin dhe të njëfarë inati për atë rrëmbim të çastit… Dhe ju vjen keq që kaq shpejt, kaq pakthyeshëm u vyshk ajo bukuri e çastit, që shkëlqeu para jush kaq mashtrueshëm e kaq më kot, — ju vjen keq, sepse s’patët kohë as ta dashuronit…

E megjithatë nata ime qe më e mirë se dita! Ja si ndodhi.

U ktheva në qytet shumë vonë, dhe ora kishte rënë dhjetë kur po i afrohesha shtëpisë. Rruga ime kalonte përgjatë bregut të kanalit,9 ku në këtë orë s’ndesh shpirt të gjallë. Është e vërtetë që unë jetoj në pjesën më të largët të qytetit. Ecja e këndoja, sepse, kur jam i lumtur, patjetër gërgëris diçka me vete, si çdo njeri i lumtur që s’ka as miq, as të njohur të mirë dhe që në çastin e gëzimit s’ka me kë ta ndajë gëzimin e vet. Papritur më ndodhi aventura më e papritur.

Mënjanë, e mbështetur te parmaku i kanalit, qëndronte një grua; me bërryla mbi kangjella, ajo, me sa dukej, po shikonte me shumë vëmendje ujin e turbullt të kanalit. Kishte veshur një kapelë të verdhë shumë të lezetshme dhe një mantel të zi të shkurtër plot naze. „Është vajzë, dhe patjetër zeshkane“, mendova. Ajo, me sa dukej, s’i dëgjoi hapat e mi, madje as nuk lëvizi kur kalova pranë saj, duke mbajtur frymën dhe me zemrën që më rrihte fort. „Çudi! — mendova, — me siguri është zhytur shumë në mendime për diçka“, dhe papritur u ndala si i ngulur në vend. M’u duk se dëgjova një dënesë të mbytur. Po! s’isha gabuar: vajza po qante, dhe pas një minute edhe një dënesë, e prapë një tjetër. Zoti im! Zemra m’u shtrëngua. Dhe sado i ndrojtur që jam me gratë, ama ky ishte një çast i tillë!.. U ktheva, hodha një hap drejt saj dhe patjetër do të thosha: „Zonjë!“ — veç të mos e dija se kjo thirrje ishte shqiptuar tashmë një mijë herë në të gjitha romanet ruse të shoqërisë së lartë. Vetëm kjo më ndali. Por, ndërsa unë kërkoja një fjalë, vajza erdhi në vete, vështroi përreth, u përmend, uli sytë dhe rrëshqiti pranë meje përgjatë bregut. Unë menjëherë u nisa pas saj, por ajo e mori vesh, e la bregun, kaloi rrugën dhe vazhdoi në trotuar. Unë s’guxova ta kaloja rrugën. Zemra më dridhej si e një zogu të zënë. Papritur më erdhi në ndihmë një rastësi.

Në anën tjetër të trotuarit, jo larg nga e panjohura ime, u shfaq papritur një zotëri me frak, në një moshë të respektueshme, por që s’mund të thuhej se kishte edhe ecje të respektueshme. Ecte duke u lëkundur dhe duke u mbështetur me kujdes pas murit. Kurse vajza ecte si shigjetë, me nxitim e me druajtje, siç ecin përgjithësisht të gjitha vajzat që nuk duan që dikush të ofrohet t’i përcjellë natën në shtëpi, dhe, sigurisht, zotëria që lëkundej s’do ta arrinte kurrsesi, po të mos e kishte frymëzuar fati im të kërkonte mjete artificiale. Papritur, pa i thënë asgjë askujt, zotëria im shkëputet nga vendi dhe fluturon sa i hanë këmbët, vrapon duke e ndjekur të panjohurën time. Ajo ecte si era, por zotëria që lëkundej po e arrinte, e arriti, vajza bërtiti — dhe… e bekoj fatin për shkopin e shkëlqyer me nyje që këtë herë më ndodhej në dorën e djathtë. Në çast u gjenda në anën tjetër të trotuarit, në çast zotëria i paftuar e kuptoi se ç’ishte puna, mori parasysh argumentin e pakundërshtueshëm, heshti, mbeti prapa dhe vetëm kur ishim tashmë shumë larg, protestoi kundër meje me terma mjaft energjikë. Por fjalët e tij mezi na arritën.

— Më jepni dorën, — i thashë të panjohurës sime, — dhe ai s’do të guxojë të na ngacmojë më.

Ajo ma dha dorën pa folur, një dorë që ende i dridhej nga tronditja dhe frika. O zotëri i paftuar! sa të bekova në atë çast! I hodha një sy kalimthi: ishte shumë e lezetshme dhe zeshkane — e kisha marrë me mend; mbi qerpikët e saj të zinj shkëlqenin ende lotët e frikës së sapokaluar ose të ndonjë hidhërimi të mëparshëm — s’e di. Por mbi buzë tashmë vezullonte një buzëqeshje. Edhe ajo më hodhi një sy vjedhurazi, u skuq lehtë dhe uli sytë.

— Ja, e shihni, pse më përzutë atëherë? Po të kisha qenë këtu, s’do të kishte ndodhur asgjë…

— Por unë s’ju njihja: mendova se edhe ju…

— Po tani, vallë, më njihni?

— Pak. Ja, për shembull, pse dridheni?

— Oh, e morët me mend që herën e parë! — u përgjigja, i ngazëllyer që vajza ime ishte e zgjuar: kjo, bashkë me bukurinë, s’të prish kurrë punë. — Po, e morët me mend që në shikim të parë me kë keni të bëni. Vërtet, jam i ndrojtur me gratë, jam i tronditur, s’e mohoj, jo më pak se ç’ishit ju një minutë më parë, kur ju trembi ai zotëri… Tani jam si i trembur. Si në ëndërr, dhe as në ëndërr s’e kisha menduar se do të flisja ndonjëherë qoftë edhe me ndonjë grua.

— Si? vallë?..

— Po, nëse më dridhet dora, kjo ndodh sepse kurrë s’e kishte shtrënguar ende një dorë kaq e bukur e kaq e vogël si e juaja. Jam çmësuar krejt nga gratë; domethënë, me to s’isha mësuar kurrë; unë jam vetëm, e dini… S’di madje si të flas me to. Ja, edhe tani s’e di — mos ju thashë ndonjë marrëzi? Ma thoni hapur; ju paralajmëroj, s’jam nga ata që fyhen…

— Jo, s’ka gjë, s’ka gjë; përkundrazi. Dhe meqë kërkoni që të jem e sinqertë, atëherë po jua them se grave u pëlqen një ndrojtje e tillë; dhe po të doni të dini më shumë, edhe mua më pëlqen, dhe s’do t’ju përzë nga pranë meje deri te shtëpia.

— Ju do të bëni me mua, — nisa unë, duke u mbytur nga ngazëllimi, — që unë menjëherë të mos jem më i ndrojtur, dhe atëherë — lamtumirë të gjitha mjetet e mia!..

— Mjetet? ç’mjete, për çfarë? kjo tani s’është mirë.

— Fajin e kam, s’do ta bëj më, më shpëtoi nga goja; po si doni që në një çast të tillë të mos kem dëshirë…

— Të pëlqeni, apo jo?

— Epo po; por bëhuni, për hir të Zotit, bëhuni e mirë. Gjykoni vetë, kush jam unë! Ja, tashmë jam njëzet e gjashtë vjeç, dhe s’kam parë kurrë njeri. Si mund të flas, pra, bukur, me shkathtësi e me vend? Për ju do të jetë më mirë kur gjithçka të jetë e hapur, në dritë… Unë s’di të hesht kur flet zemra brenda meje. Epo, s’ka rëndësi… Do ta besoni? asnjë grua, kurrë, kurrë! Asnjë njohje! dhe vetëm ëndërroj çdo ditë se më në fund, një ditë, do të takoj dikë. Ah, sikur ta dinit sa herë kam qenë i dashuruar në këtë mënyrë!..

— Po si, me kë?

— Me askënd, me një ideal, me atë që të shfaqet në ëndërr. Krijoj në ëndrrat e mia romane të tëra. Oh, ju s’më njihni! Është e vërtetë, s’bën dot pa këtë, kam takuar dy-tri gra, por ç’gra janë ato? janë të gjitha të tilla amvise, sa… Por do t’ju bëj të qeshni, do t’ju tregoj se disa herë kam menduar t’i flas, kështu, thjesht, ndonjë aristokrateje në rrugë, sigurisht kur të jetë vetëm; t’i flas, natyrisht, me ndrojtje, me respekt, me pasion; t’i them se po humbas i vetmuar, që të mos më përzërë, se s’kam asnjë mjet për të njohur qoftë edhe ndonjë grua; t’i mbush mendjen se madje edhe detyra e gruas është të mos e hedhë poshtë lutjen e ndrojtur të një njeriu kaq fatkeq si unë. Se, më në fund, gjithçka që kërkoj është vetëm të më thotë dy fjalë vëllazërore, me dhembshuri, të mos më përzërë që në hapin e parë, të më besojë në fjalë, të dëgjojë se ç’do të them, të qeshë me mua, po të dojë, të më japë shpresë, të më thotë dy fjalë, vetëm dy fjalë, e pastaj le të mos takohemi më kurrë!.. Por ju qeshni… Megjithatë, pikërisht për këtë po flas…

— Mos u mërzitni; qesh sepse ju vetë jeni armiku juaj, dhe po ta provonit, ndoshta do t’ia dilnit, qoftë edhe në rrugë; sa më thjesht, aq më mirë… Asnjë grua e mirë, veç po të mos jetë budallaqe ose e zemëruar posaçërisht me diçka në atë çast, s’do të guxonte t’ju përzinte pa ato dy fjalë që i lypni me aq ndrojtje… Megjithatë, ç’po them! sigurisht, do t’ju merrte për të çmendur. Unë gjykoja nga vetja. Sikur ta di unë shumë se si rrojnë njerëzit në këtë botë!

— Oh, ju falënderoj, — thirra unë, — ju s’e dini ç’bëtë tani për mua!

— Mirë, mirë! Por më thoni, si e kuptuat se jam një grua e tillë me të cilën… pra, që e quanit të denjë… për vëmendje e miqësi… me një fjalë, jo amvise, siç i quani ju. Pse vendosët të më afroheshit?

— Pse? pse? Po ju ishit vetëm, ai zotëri ishte tepër i guximshëm, tani është natë: pranojeni edhe vetë se kjo është detyrë…

— Jo, jo, që më parë, atje, në anën tjetër. Ju donit të më afroheshit, apo jo?

— Atje, në anën tjetër? Por, të them të drejtën, s’di si të përgjigjem; kam frikë… E dini, sot isha i lumtur; ecja, këndoja; kisha qenë jashtë qytetit; s’kisha pasur kurrë çaste kaq të lumtura. Ju… ndoshta m’u duk… Epo, më falni po jua kujtoj: m’u duk se po qanit, dhe unë… unë s’duroja dot ta dëgjoja… m’u shtrëngua zemra… O Zot! Po vallë s’kisha të drejtë të trishtohesha për ju? Vallë ishte mëkat të ndjeja për ju një dhembshuri vëllazërore?.. Më falni, thashë dhembshuri… Epo, me një fjalë, vallë mund t’ju kisha fyer me faktin që padashur m’u tek t’ju afrohesha?..

— Lëreni, mjaft, mos flisni… — tha vajza, duke ulur sytë dhe duke ma shtrënguar dorën. — Vetë e kam fajin që e zura në gojë; por më vjen mirë që s’u gabova për ju… por ja, tashmë jam në shtëpi; duhet të kthehem këtu, në rrugicë; janë dy hapa… Lamtumirë, ju falënderoj…

— Vallë, vallë s’do të shihemi më kurrë?.. Vallë kështu do të mbetet?

— E shihni, — tha vajza duke qeshur, — fillimisht donit vetëm dy fjalë, kurse tani… Por, megjithatë, s’do t’ju them asgjë… Ndoshta do të takohemi…

— Do të vij këtu nesër, — thashë unë. — Oh, më falni, tashmë po kërkoj…

— Po, jeni i paduruar… gati po kërkoni…

— Dëgjoni, dëgjoni! — ia ndërpreva fjalën. — Më falni nëse do t’ju them prapë ndonjë gjë të tillë… Por puna është kjo: s’mund të mos vij këtu nesër. Jam ëndërrimtar; kam aq pak jetë të vërtetë, sa çaste të tilla si ky, si tani, i kam kaq të rralla, sa s’mund të mos i përsëris në ëndrrat e mia. Do t’ju ëndërroj gjithë natën, gjithë javën, gjithë vitin. Patjetër do të vij këtu nesër, pikërisht këtu, në po këtë vend, pikërisht në këtë orë, dhe do të jem i lumtur duke kujtuar të djeshmen. Ky vend më është bërë tashmë i dashur. Kam tashmë dy-tri vende të tilla në Petersburg. Madje një herë qava nga kujtimi, si ju… Kush e di, ndoshta edhe ju, dhjetë minuta më parë, qanit nga kujtimi… Por më falni, prapë e harrova veten; ndoshta ndonjëherë keni qenë këtu veçanërisht e lumtur…

— Mirë, — tha vajza, — ndoshta do të vij këtu nesër, gjithashtu në orën dhjetë. Shoh se s’mund t’jua ndaloj më… Puna është kjo, unë duhet të jem këtu; mos mendoni se po ju caktoj takim; ju paralajmëroj, duhet të jem këtu për punën time. Por ja… epo, po jua them troç: s’do të ishte keq po të vini edhe ju; së pari, mund të ketë prapë bezdi si sot, por kjo le të mbetet mënjanë… me një fjalë, thjesht do të doja t’ju shihja… që t’ju them dy fjalë. Vetëm se, e shihni, a s’do të më gjykoni tani? mos mendoni se unë caktoj takime kaq lehtë… Do ta caktoja, po të… Por le të jetë kjo e fshehta ime! Vetëm se, që më parë, një marrëveshje…

— Marrëveshje! thoni, thoni, thoni gjithçka që tani; jam dakord me gjithçka, gati për gjithçka, — thirra i ngazëllyer, — përgjigjem për veten — do të jem i bindur, i respektueshëm… ju më njihni…

— Pikërisht ngaqë ju njoh, po ju ftoj për nesër, — tha vajza duke qeshur. — Ju njoh krejtësisht. Por, kini kujdes, ejani me një kusht; së pari (vetëm bëhuni i mirë dhe bëni atë që do t’ju kërkoj, — e shihni, po flas hapur), mos u dashuroni me mua… Kjo s’bëhet, ju siguroj. Për miqësi jam gati, ja ku e keni dorën time… Por të dashuroheni s’bëhet, ju lutem!

— Ju betohem, — thirra unë, duke ia kapur dorën e vogël…

— Mjaft, mos u betoni, unë e di që ju ndizeni si baruti. Mos më gjykoni që flas kështu. Sikur ta dinit… As unë s’kam njeri me të cilin të mund të them një fjalë, prej të cilit të kërkoj një këshillë. Sigurisht, këshilltarët s’i kërkon në rrugë, por ju jeni përjashtim. Ju njoh sikur të kishim qenë miq njëzet vjet… A s’është e vërtetë, s’do ta shkelni fjalën?

— Do ta shihni… vetëm se s’e di si do ta shtyj qoftë edhe një ditë të vetme.

— Flini mirë; natën e mirë — dhe mbani mend që unë tashmë ju jam besuar. Por ju thirrët aq bukur pak më parë: vallë duhet të japësh llogari për çdo ndjenjë, madje edhe për dhembshurinë vëllazërore! E dini, ishte thënë aq bukur, sa menjëherë më vetëtiu mendimi të hapesha me ju…

— Për hir të Zotit, po për çfarë? çfarë?

— Deri nesër. Le të mbetet kjo, për tani, e fshehtë. Aq më mirë për ju; qoftë edhe nga larg do t’i ngjajë një romani. Ndoshta do t’jua them që nesër, e ndoshta jo… Do të flas më parë edhe pak me ju, do të njihemi më mirë…

— Oh, por unë nesër do t’ju tregoj gjithçka për veten! Po ç’është kjo? sikur po më ndodh një mrekulli… Ku jam, o Zot? Epo, më thoni, vallë jeni e pakënaqur që s’u zemëruat, siç do të bënte një tjetër, që s’më përzutë që në fillim? Dy minuta, dhe më bëtë të lumtur përgjithmonë. Po! të lumtur; kush e di, ndoshta më pajtuat me veten, m’i zgjidhët dyshimet… Ndoshta më vijnë ca çaste të tilla… Epo, nesër do t’jua tregoj gjithçka, do ta mësoni gjithçka, gjithçka…

— Mirë, e pranoj; ju do të filloni i pari…

— Dakord.

— Mirupafshim!

— Mirupafshim!

Dhe u ndamë. Eca gjithë natën; s’bëja dot të kthehesha në shtëpi. Isha kaq i lumtur… deri nesër!

Shënime

  1. Vargje të cituara jo saktësisht nga poezia „Lulja“ (1843) e Ivan Turgenievit (1818–1883), për një lule të këputur. ↩︎

  2. Vilë verimi (rus. дача, daça): shtëpi jashtë qytetit, ku familjet e Petersburgut shpërnguleshin me gjithë orenditë për muajt e verës. ↩︎

  3. Nevski: Prospekti Nevski, rruga kryesore e Petersburgut. ↩︎

  4. Fontanka: lumë-kanal në qendër të Petersburgut, me brigje të veshura me granit. ↩︎

  5. Perandoria Qiellore: emër i vjetër i Kinës, flamuri perandorak i së cilës kishte një dragua mbi sfond të verdhë. ↩︎

  6. Ishulli Kamenni dhe Ishulli Aptekarski, në veri të qendrës, dhe rruga e Peterhofit, përgjatë gjirit në jugperëndim: vende verimi të të pasurve. Pargolovo: fshat me vila verimi në veri të qytetit. Ishulli Krestovski njihej për shëtitjet dhe argëtimet popullore. ↩︎

  7. Çornaja Reçka (rus. „Lumi i Zi“): lumë i vogël në veri të Petersburgut, me vila verimi buzë tij. ↩︎

  8. Porta e qytetit (rus. застава): vendi ku rrugët dilnin nga qyteti, me një postë roje dhe një barrierë që ngrihej e ulej. ↩︎

  9. Kanali: Kanali Jekaterininski (sot Kanali Gribojedov), në qendër të Petersburgut. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Netët e bardha

Kapitujt

  1. Nata e parë · Po lexoni
  2. Nata e dytë
  3. Nata e tretë
  4. Nata e katërt
  5. Mëngjesi

Bookmarks

Me tastierë: shigjetat ← dhe → kalojnë te kapitulli i mëparshëm ose tjetri.

Te faqja e librit

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat