← Netët e bardha

Nata e dytë · Netët e bardha

Kapitulli 2 nga 5

— Epo, ja ku ia dolëm ta presim! — më tha ajo, duke qeshur dhe duke m’i shtrënguar të dyja duart.

— Unë jam këtu që prej dy orësh; s’e dini ç’kam hequr gjithë ditën!

— E di, e di… por le të vijmë te puna. E dini pse erdha? Jo për të llomotitur marrëzira, si dje. Puna është kjo: duhet të sillemi më me mend tani e tutje. Për gjithë këtë mendova gjatë dje.

— Po në çfarë, në çfarë të jemi më të mençur? Nga ana ime, jam gati; por, të them të drejtën, s’më ka ndodhur kurrë në jetë asgjë më e mençur se tani.

— Vërtet? Së pari, ju lutem, mos m’i shtrëngoni kaq shumë duart; së dyti, ju njoftoj se sot kam menduar gjatë për ju.

— Epo, dhe si përfundoi?

— Si përfundoi? Përfundoi me atë që duhet nisur gjithçka nga e para, sepse, si përfundim të gjithave, sot vendosa që ju jeni ende krejt i panjohur për mua, që dje u solla si fëmijë, si vajzë e vogël, dhe, sigurisht, doli që fajin për të gjitha e ka zemra ime e mirë, domethënë e lavdërova veten, siç ndodh gjithmonë kur nisim të shqyrtojmë veten. Prandaj, për ta ndrequr gabimin, vendosa të mësoj për ju sa më hollësisht. Por meqë s’kam prej kujt të mësoj për ju, atëherë ju duhet të më tregoni vetë gjithçka, gjer në rrënjë. Epo, ç’njeri jeni ju? Shpejt — nisni pra, tregoni historinë tuaj.

— Historinë! — thirra unë, i trembur, — historinë! Po kush ju tha se unë kam një histori timen? unë s’kam histori…

— Po si keni jetuar, pra, kur s’keni histori? — ma preu ajo, duke qeshur.

— Krejtësisht pa asnjë histori! ashtu, kam jetuar, siç themi ne, më vete, domethënë krejt vetëm, — vetëm, tërësisht vetëm, — e kuptoni ç’do të thotë vetëm?

— Po si vetëm? Domethënë s’keni parë kurrë njeri?

— O jo, të shoh i shoh, — por megjithatë jam vetëm.

— Po si, vallë s’flisni me njeri?

— Në kuptimin e ngushtë, me askënd.

— Po kush jeni ju, pra, shpjegohuni! Prisni, po e marr me mend: ju me siguri keni një gjyshe, si unë. Ajo është e verbër dhe ja, gjithë jetën s’më lë të shkoj askund, aq sa gati e kam harruar fare të folurit. Kurse kur bëra një çapkënllëk para nja dy vjetësh, ajo pa se s’më mban dot, më thirri dhe ma mbërtheu fustanin pas fustanit të saj me një karficë — dhe kështu rrimë që atëherë ditë të tëra; ajo thur çorape, ndonëse është e verbër; kurse unë duhet të rri pranë saj, të qep ose t’i lexoj me zë ndonjë libër — një zakon kaq i çuditshëm, që ja, prej dy vjetësh jam e mbërthyer…

— Ah, o Zot, ç’fatkeqësi! Jo, jo, unë s’kam një gjyshe të tillë.

— Po kur s’keni, si mund të rrini në shtëpi?..

— Dëgjoni, doni ta dini kush jam unë?

— Po, po!

— Në kuptimin e ngushtë të fjalës?

— Në kuptimin më të ngushtë të fjalës!

— Urdhëroni, unë jam një tip.

— Tip, tip! ç’tip? — thirri vajza, duke shpërthyer në një të qeshur sikur s’kishte pasur rast të qeshte një vit të tërë. — Me ju qenka shumë gaz! Shikoni: ja këtu është një stol; të ulemi! Këtu s’kalon njeri, s’na dëgjon njeri, dhe — nisni pra historinë tuaj! sepse, s’do të më bindni dot, ju keni një histori, vetëm se po e fshihni. Së pari, ç’është ky tip?

— Tip? tip do të thotë një origjinal, një njeri kaq qesharak! — u përgjigja, duke shpërthyer edhe vetë në të qeshur pas të qeshurës së saj fëmijërore. — Është një karakter i tillë. Dëgjoni: a e dini ç’është një ëndërrimtar?

— Ëndërrimtar? më lejoni, po si s’e di? unë vetë jam ëndërrimtare! Ndonjëherë rri pranë gjyshes dhe ç’nuk më shkon ndër mend. Epo, ja, nis e ëndërroj, dhe zhytem aq shumë në mendime — sa, thjesht, martohem me një princ kinez… E ndonjëherë është mirë kjo — të ëndërrosh! Jo, megjithatë, Zoti e di! Sidomos kur ke edhe pa këtë për ç’të mendosh, — shtoi vajza, kësaj here mjaft seriozisht.

— Shkëlqyeshëm! Meqë një herë jeni martuar me bogdihanin kinez,1 atëherë do të më kuptoni krejtësisht. Epo, dëgjoni… Por më lejoni: unë s’e di ende si ju quajnë?

— Më në fund! sa shpejt ju kujtua!

— Ah, o Zot! as që më shkoi ndër mend, më ishte mirë edhe kështu…

— Më quajnë — Nastenka.

— Nastenka! dhe vetëm kaq?

— Vetëm kaq! po vallë s’ju mjafton, o i pangopur!

— S’më mjafton? Është shumë, shumë, përkundrazi, shumë-shumë, Nastenka, vajzë e mirë që jeni, meqë që në takimin e parë u bëtë Nastenka për mua!

— Ashtu pra! epo!

— Epo, ja, Nastenka, dëgjoni pak ç’histori qesharake del këtu.

U ula pranë saj, mora një qëndrim serioz prej pedanti dhe nisa sikur të lexoja nga një shkrim:

— Ka, Nastenka, në rast se s’e dini, ka në Petersburg disa qoshe mjaft të çuditshme. Në këto vende sikur s’shikon i njëjti diell që ndriçon për gjithë njerëzit e Petersburgut, por shikon njëfarë dielli tjetër, i ri, sikur të ishte porositur enkas për këto qoshe, dhe ndriçon gjithçka me një dritë tjetër, të veçantë. Në këto qoshe, e dashur Nastenka, rrohet si të thuash një jetë krejt tjetër, që s’i ngjan asaj që vlon rreth nesh, por një jetë e tillë që mund të jetë në ndonjë mbretëri të panjohur, matanë nëntë maleve, e jo këtu te ne, në kohën tonë serioze, tepër serioze. E pikërisht kjo jetë është një përzierje e diçkaje thjesht fantastike, idealiste gjer në zjarr, e njëkohësisht (mjerisht, Nastenka!) prozaike pa ngjyrë dhe të rëndomtë, për të mos thënë: banale gjer në të pabesueshme.

— Uf! o Zot i madh! ç’parathënie! Ç’do të dëgjoj vallë?

— Do të dëgjoni, Nastenka (më duket se kurrë s’do të lodhem duke ju quajtur Nastenka), do të dëgjoni se në këto qoshe banojnë njerëz të çuditshëm — ëndërrimtarët. Ëndërrimtari — po deshët përkufizimin e tij të hollësishëm — nuk është njeri, por, e dini, njëfarë qenieje e gjinisë asnjanëse. Zakonisht vendoset diku në ndonjë qoshe të paarritshme, sikur fshihet aty madje edhe nga drita e ditës, dhe, po u fut një herë te vetja, ngjitet pas qoshes së vet si kërmilli, ose, të paktën, në këtë drejtim i ngjan shumë asaj kafshe interesante që është njëherësh edhe kafshë, edhe shtëpi, dhe që quhet breshkë. Si mendoni, pse i do kaq shumë katër muret e veta, të lyera patjetër me bojë të gjelbër, të nxira nga bloza, të trishta dhe të tymosura në mënyrë të palejueshme? Pse ky zotëri qesharak, kur vjen ta vizitojë ndonjë nga të njohurit e tij të rrallë (e më në fund të gjithë të njohurit i shteren), pse ky njeri qesharak e pret aq i turbulluar, aq i ndryshuar në fytyrë e në një hutim të tillë, sikur sapo të kishte bërë ndonjë krim brenda katër mureve të veta, sikur të kishte falsifikuar kartëmonedha ose ndonjë vjershë për t’ia dërguar një reviste me një letër anonime, ku shkruhet se poeti i vërtetë ka vdekur tashmë dhe se miku i tij e quan detyrë të shenjtë t’ia botojë vargjet? Pse, më thoni, Nastenka, biseda nuk lidhet fare midis këtyre dy bashkëbiseduesve? pse as e qeshura, as ndonjë fjalë e shpejtë nuk i del nga goja mikut që hyri papritur dhe mbeti i hutuar, i cili në raste të tjera e do shumë edhe të qeshurën, edhe fjalën e shpejtë, edhe bisedat për seksin e bukur dhe tema të tjera të gëzuara? Pse, më në fund, ky mik, me siguri një i njohur i ri, dhe në vizitën e parë, — sepse vizita e dytë në një rast të tillë s’do të ketë më dhe miku s’do të vijë herë tjetër, — pse vetë miku turbullohet kaq shumë, ngrin kaq shumë, me gjithë mendjemprehtësinë e tij (në qoftë se e ka), duke parë fytyrën e përmbysur të të zotit të shtëpisë, i cili nga ana e tij ka arritur tashmë ta humbasë krejt veten dhe të mos dijë më ç’bën, pas përpjekjeve gjigante, por të kota, për ta zbutur e për ta zbukuruar bisedën, për të treguar edhe ai se i njeh sjelljet e botës, për të folur edhe ai për seksin e bukur dhe, qoftë edhe me një nënshtrim të tillë, t’i pëlqejë njeriut të gjorë që s’ra ku duhej, që i erdhi për vizitë gabimisht? Pse, më në fund, mysafiri papritur rrëmben kapelën dhe ikën me nxitim, duke iu kujtuar befas një punë tepër e ngutshme që s’ka ekzistuar kurrë, dhe e çliron disi dorën nga shtrëngimet e zjarrta të të zotit të shtëpisë, që përpiqet në çdo mënyrë të tregojë pendimin e tij dhe ta ndreqë atë që humbi? Pse miku që po ikën shkrihet së qeshuri sapo del nga dera, aty për aty i jep vetes fjalë se s’do të vijë më kurrë te ky i çuditshëm, ndonëse ky i çuditshëm në thelb është një djalë i shkëlqyer, dhe njëkohësisht s’ia mohon dot imagjinatës së vet një tekë të vogël: ta krahasojë, qoftë edhe së largu, fizionominë e bashkëbiseduesit të tij të sapolënë gjatë gjithë takimit me pamjen e atij koteli fatkeq që e kanë shtypur, e kanë trembur dhe e kanë fyer në çdo mënyrë fëmijët, pasi e zunë rob pabesisht, që e turpëruan sa e bënë pluhur, që më në fund u fsheh prej tyre nën një karrige, në errësirë, dhe aty, një orë të tërë, s’ka ç’të bëjë tjetër veç të ngrejë qimet, të fryjë e të lajë me të dyja putrat turinjtë e fyer, dhe gjatë edhe pas kësaj të shikojë me armiqësi natyrën dhe jetën, madje edhe kafshatën nga dreka e zotërinjve, që ia ka ruajtur shtëpiakja e mëshirshme?

— Dëgjoni, — ndërhyri Nastenka, që gjatë gjithë kohës më kishte dëgjuar e habitur, me sy e me gojëzën hapur, — dëgjoni: unë s’e di fare pse ndodhi gjithë kjo dhe pse pikërisht ma bëni këto pyetje kaq qesharake; por ajo që e di me siguri është se të gjitha këto aventura ju kanë ndodhur patjetër juve, fjalë për fjalë.

— Pa dyshim, — u përgjigja me fytyrën më serioze.

— Epo, meqë është pa dyshim, atëherë vazhdoni, — u përgjigj Nastenka, — sepse dua shumë ta di si do të përfundojë.

— Doni të dini, Nastenka, ç’bënte heroi ynë në qoshen e vet, ose, më mirë të them, unë, sepse heroi i gjithë kësaj pune jam unë, me personin tim modest; doni të dini pse u trondita dhe u hutova kaq shumë për një ditë të tërë nga vizita e papritur e mikut? Doni të dini pse u hodha përpjetë kaq, u skuqa kaq, kur m’u hap dera e dhomës, pse s’dita ta pres mysafirin dhe u shkatërrova kaq turpshëm nën peshën e mikpritjes sime?

— Po, po! — u përgjigj Nastenka, — pikërisht për këtë është fjala. Dëgjoni: ju tregoni shumë bukur, po a s’mund të tregoni disi jo kaq bukur? Përndryshe flisni sikur të lexoni libër.

— Nastenka! — u përgjigja me një zë solemn e të rreptë, duke e mbajtur mezi të qeshurën, — e dashur Nastenka, e di që tregoj bukur, por — më falni, ndryshe s’di të tregoj. Tani, e dashur Nastenka, tani i ngjaj xhindit të mbretit Solomon, që ndenji një mijë vjet në një shtambë, nën shtatë vula, dhe të cilit më në fund ia hoqën të shtatë vulat.2 Tani, e dashur Nastenka, kur u takuam sërish pas një ndarjeje kaq të gjatë, — sepse unë ju njihja prej kohësh, Nastenka, sepse kërkoja prej kohësh dikë, dhe kjo është shenjë se kërkoja pikërisht ju dhe se ishte e shkruar të takoheshim tani, — tani në kokën time u hapën mijëra valvula, dhe duhet të derdhem si lumë fjalësh, përndryshe do të mbytem. Prandaj ju lutem të mos më ndërprisni, Nastenka, por të më dëgjoni e urtë dhe e bindur; përndryshe — do të hesht.

— Jo-jo-jo! kurrsesi! flisni! Tani s’do të them asnjë fjalë.

— Vazhdoj: ka, mikja ime Nastenka, në ditën time një orë që e dua jashtëzakonisht shumë. Është pikërisht ajo orë kur mbarojnë pothuajse të gjitha punët, detyrat e zyrës dhe angazhimet, e të gjithë nxitojnë për në shtëpi të hanë drekë, të shtrihen të çlodhen dhe, aty për aty, rrugës, shpikin edhe tema të tjera të gëzuara që kanë të bëjnë me mbrëmjen, me natën dhe me gjithë kohën e lirë që u mbetet. Në këtë orë edhe heroi ynë, — sepse, më lejoni, Nastenka, të tregoj në vetën e tretë, ngaqë në vetën e parë të gjitha këto janë tmerrësisht të turpshme për t’u treguar, — pra, në këtë orë edhe heroi ynë, që s’ishte as ai pa punë, ecën pas të tjerëve. Por një ndjenjë e çuditshme kënaqësie luan mbi fytyrën e tij të zbehtë, disi të rrudhur. Jo pa ndjenjë e shikon muzgun e mbrëmjes, që shuhet ngadalë në qiellin e ftohtë të Petersburgut. Kur them — e shikon, gënjej: ai nuk e shikon, por e sodit disi pa e kuptuar, sikur të ishte i lodhur ose i zënë njëkohësisht me ndonjë gjë tjetër më interesante, aq sa vetëm kalimthi, pothuajse padashur, mund t’i kushtojë kohë gjithçkaje që e rrethon. Është i kënaqur, sepse i mbaroi deri nesër punët që e bezdisin, dhe gëzohet si një nxënës që e lëshuan nga banka e klasës te lojërat dhe çapkënllëqet e tij të dashura. Shikojeni nga anash, Nastenka: do ta shihni menjëherë se ndjenja e gëzuar ka vepruar tashmë me fat mbi nervat e tij të dobëta dhe mbi imagjinatën e tij të ngacmuar në mënyrë të sëmurë. Ja, është zhytur në mendime për diçka… Mendoni se për drekën? për mbrëmjen e sotme? Çfarë po shikon kështu? Mos vallë atë zotëri me pamje të rëndë, që përshëndeti aq piktoreskisht një zonjë që kaloi pranë tij me kuaj këmbëshpejtë, në një karrocë që shkëlqente? Jo, Nastenka, ç’i duhen atij tani gjithë këto vogëlsira! Ai tani është i pasur me jetën e tij të veçantë; papritur u bë disi i pasur, dhe rrezja lamtumirëse e diellit që shuhet s’vetëtiu më kot kaq e gëzuar para tij dhe s’ngjalli më kot nga zemra e ngrohur një tufë të tërë përshtypjesh. Tani mezi e vë re rrugën ku më parë edhe vogëlsira më e vogël mund ta habiste. Tani „hyjnesha Fantazi“ (në qoftë se e keni lexuar Zhukovskin, e dashur Nastenka)3 ka endur tashmë me dorën e saj tekanjoze vëzhgën e saj të artë dhe ka nisur të shpalosë para tij motivet e një jete të paparë, të çuditshme — dhe, kush e di, ndoshta me dorën e saj tekanjoze e ka çuar në qiellin e shtatë prej kristali4 nga trotuari i shkëlqyer prej graniti, nëpër të cilin ai po kthehet në shtëpi. Provoni ta ndalni tani, pyeteni papritur: ku ndodhet tani, nëpër cilat rrugë kaloi? — me siguri s’do të kujtonte asgjë, as se nga kishte kaluar, as se ku ndodhej tani, dhe, duke u skuqur nga inati, patjetër do të gënjente diçka për të shpëtuar dukjen. Ja pse u drodh kaq shumë, gati sa s’bërtiti dhe vështroi i trembur përreth, kur një plakë fort e nderuar e ndali me mirësjellje në mes të trotuarit dhe zuri ta pyeste për rrugën që kishte humbur. Duke u vrenjtur nga inati, ai ecën më tej, duke vënë mezi re se më shumë se një kalimtar buzëqeshi kur e pa dhe u kthye pas tij dhe se ndonjë vajzë e vogël, që i hapi rrugë me druajtje, qeshi me zë, duke ia ngulur sytë buzëqeshjes së tij të gjerë soditëse dhe gjesteve të duarve. Por po ajo fantazi i rrëmbeu në fluturimin e saj lozonjar edhe plakën, edhe kalimtarët kureshtarë, edhe vajzën që qeshte, edhe fshatarët që hanë darkë aty në mavnat e tyre, që e kanë zënë Fontankën (le të themi se heroi ynë po kalonte në atë kohë andej), i endi me çapkënllëk të gjithë e gjithçka në pëlhurën e saj, si mizat në rrjetën e merimangës, dhe me fitimin e ri i çuditshmi hyri në strofullën e tij të ngrohtë, u ul të hante drekë, e mbaroi prej kohësh drekën dhe erdhi në vete vetëm kur Matrjona e menduar e përjetësisht e trishtuar, që i shërben, e kishte pastruar tashmë tavolinën dhe i kishte dhënë llullën, erdhi në vete dhe kujtoi me habi se e kishte ngrënë tashmë fare drekën, pa e vënë re absolutisht si ndodhi kjo. Dhoma u errësua; në shpirt i është bërë bosh e trishtim; një mbretëri e tërë ëndrrash u shemb rreth tij, u shemb pa gjurmë, pa zhurmë e kërcitje, kaloi si ëndërr, dhe as vetë nuk e mban mend se ç’ëndërroi. Por njëfarë ndjesie e errët, nga e cila i dhemb lehtë dhe i trazohet gjoksi, njëfarë dëshire e re ia gudulis e ia ngacmon joshëse fantazinë dhe thërret pa u ndier një tufë të tërë fantazmash të reja. Në dhomën e vogël mbretëron heshtja; vetmia dhe përtacia e përkëdhelin imagjinatën; ajo ndizet lehtë, zien lehtë si uji në ibrikun e Matrjonës plakë, që punon e qetë aty pranë, në kuzhinë, duke gatuar kafenë e saj prej kuzhiniereje. Ja, tani ajo shpërthen lehtë me flakërima, ja, edhe libri, i marrë pa qëllim dhe kuturu, i bie nga duart ëndërrimtarit tim, që s’ka arritur as në faqen e tretë. Imagjinata e tij është sërish e akorduar, e ngacmuar, dhe papritur prapë një botë e re, një jetë e re magjepsëse vetëtiu para tij në perspektivën e saj të shndritshme. Ëndërr e re — lumturi e re! Një dozë e re helmi të rafinuar e epshor! Oh, ç’i duhet atij jeta jonë e vërtetë! Në vështrimin e tij të anshëm, ne të dy, Nastenka, jetojmë kaq me përtesë, kaq ngadalë, kaq plogësht; në vështrimin e tij, ne të gjithë jemi kaq të pakënaqur me fatin tonë, kaq të lodhur nga jeta jonë! Dhe vërtet, shikoni, me të vërtetë, sa e ftohtë, e vrenjtur, sikur e zemëruar duket gjithçka midis nesh në shikim të parë… „Të gjorët!“ — mendon ëndërrimtari im. Dhe s’është çudi që mendon kështu! Shikoni këto fantazma magjike, që ndërtohen para tij kaq magjepsëse, kaq tekanjoze, kaq pa kufi e kaq gjerë, në një tablo kaq magjike, kaq të gjallë, ku në plan të parë, personazhi kryesor, sigurisht, është ai vetë, ëndërrimtari ynë, me personin e tij të çmuar. Shikoni ç’aventura të shumëllojshme, ç’tufë e pafund ëndrrash të ngazëllyera. Do të pyesni, ndoshta, se ç’ëndërron ai? Pse ta pyesni! po për gjithçka… për rolin e poetit, që në fillim nuk e njohin, e pastaj e kurorëzojnë; për miqësinë me Hofmanin; Nata e Shën Bartolomeut, Diana Vernon, roli heroik në marrjen e Kazanit nga Ivan Vasiljeviçi, Klara Mobrej, Efi Dins, koncili i prelatëve dhe Husi përpara tyre, ngritja e të vdekurve te „Roberti“ (e mbani mend muzikën? vjen erë varrezë!), Mina dhe Brenda, beteja e Berezinës, leximi i një poeme te kontesha V—j—D—j, Dantoni, Kleopatra e i suoi amanti, shtëpiza në Kolomnë,5 një qoshe e vetja, e pranë një krijesë e dashur që ju dëgjon në një mbrëmje dimri, me gojëzën e me sytë hapur, siç po më dëgjoni tani ju mua, engjëlli im i vogël… Jo, Nastenka, ç’i duhet atij, ç’i duhet këtij përtaci epshor, ajo jetë ku duam kaq shumë të shkojmë unë dhe ju? ai mendon se kjo është një jetë e varfër, e mjerë, pa e parashikuar se edhe për të, ndoshta, ndonjëherë do të bjerë ora e trishtë kur ai do t’i japë për një ditë të vetme të kësaj jete të mjerë gjithë vitet e tij fantastike, dhe s’do t’i japë as për gëzim, as për lumturi, dhe s’do të dojë të zgjedhë në atë orë trishtimi, pendimi dhe dhembjeje të papenguar. Por për sa kohë s’ka ardhur ende ajo, koha e tmerrshme, — ai s’dëshiron asgjë, sepse është mbi dëshirat, sepse ka gjithçka me vete, sepse është i ngopur, sepse ai vetë është artisti i jetës së tij dhe e krijon për vete çdo orë sipas një teke të re. Dhe sa lehtë, sa natyrshëm krijohet kjo botë përrallore, fantastike! Sikur të gjitha këto të mos ishin vërtet fantazmë! Të them të drejtën, në ndonjë çast jam gati të besoj se gjithë kjo jetë nuk është ngacmim i ndjenjave, nuk është mirazh, nuk është mashtrim i imagjinatës, por se është vërtet reale, e vërtetë, ekzistuese! Pse, pra, më thoni, Nastenka, pse në çaste të tilla shpirti shtrëngohet? pse, me njëfarë magjie, nga njëfarë teke e panjohur, i shpejtohet pulsi, i shpërthejnë lotët nga sytë ëndërrimtarit, i digjen faqet e zbehta, të lagura, dhe gjithë qenia e tij mbushet me një ngazëllim kaq të papërballueshëm? Pse netë të tëra pa gjumë kalojnë si një çast i vetëm, në një gëzim e lumturi të pashtershme, dhe kur agimi vezullon me rreze rozë në dritare dhe agu e ndriçon dhomën e vrenjtur me dritën e vet të dyshimtë, fantastike, si te ne, në Petersburg, ëndërrimtari ynë, i lodhur, i rraskapitur, hidhet në shtrat dhe fle duke u shuar nga ngazëllimi i shpirtit të tij të tronditur në mënyrë të sëmurë, me një dhembje kaq të ëmbël e kaq mundonjëse në zemër? Po, Nastenka, gabohesh dhe padashur beson, si i huaj, se një pasion i vërtetë, i mirëfilltë, ia trazon shpirtin, padashur beson se ka diçka të gjallë, të prekshme në ëndrrat e tij pa trup! E ç’mashtrim — ja, për shembull, dashuria i zbriti në gjoks me gjithë gëzimin e saj të pashtershëm, me gjithë mundimet e saj të lodhshme… Vetëm shikojeni dhe do të bindeni! A besoni, duke e parë, e dashur Nastenka, se ai vërtet s’e ka njohur kurrë atë që e deshi kaq shumë në ëndërrimin e tij të marrë? Vallë e ka parë vetëm në fantazma joshëse dhe vetëm e ka ëndërruar këtë pasion? Vallë vërtet s’kanë kaluar dorë për dore kaq vite të jetës së tyre — vetëm, të dy bashkë, duke e hedhur poshtë gjithë botën dhe duke e bashkuar secili botën e vet, jetën e vet me jetën e mikut? Vallë s’ishte ajo, në orë të vonë, kur erdhi ndarja, s’ishte ajo që rrinte e shtrirë, duke qarë e duke vuajtur, mbi gjoksin e tij, pa e dëgjuar stuhinë që ishte ngritur nën qiellin e ashpër, pa e dëgjuar erën që ia këpuste e ia merrte lotët nga qerpikët e zinj? Vallë ishte ëndërr gjithë kjo — edhe ky kopsht, i trishtë, i braktisur dhe i egër, me shtigje të mbuluara me myshk, i vetmuar, i vrenjtur, ku ata shëtitnin kaq shpesh të dy bashkë, shpresonin, vuanin, donin, e donin njëri-tjetrin kaq gjatë, „kaq gjatë e me aq butësi“!6 Edhe kjo shtëpi e çuditshme, e stërgjyshërve, ku ajo jetoi kaq kohë e vetmuar dhe e trishtuar me një burrë plak, të vrenjtur, përjetësisht të heshtur e të hidhur, që i trembte ata, të ndrojtur si fëmijë, që e fshihnin me trishtim e me frikë dashurinë e tyre nga njëri-tjetri? Si vuanin, si kishin frikë, sa e pafajshme, sa e pastër ishte dashuria e tyre dhe sa (sigurisht, Nastenka) të ligë ishin njerëzit! Dhe, o Zot, vallë s’ishte ajo që e takoi më pas, larg brigjeve të atdheut të tij, nën një qiell të huaj, jugor, të nxehtë, në qytetin e mrekullueshëm të përjetshëm,7 në shkëlqimin e ballit, në gjëmimin e muzikës, në një palaco (patjetër në palaco), të zhytur në një det dritash, në këtë ballkon të mbështjellë me mërsinë e trëndafila, ku ajo, kur e njohu, e hoqi me aq nxitim maskën dhe, duke pëshpëritur: „Jam e lirë“, u drodh dhe iu hodh në krahë, dhe, duke thirrur nga ngazëllimi, të shtrënguar pas njëri-tjetrit, në një çast harruan edhe hidhërimin, edhe ndarjen, edhe gjithë mundimet, edhe shtëpinë e vrenjtur, edhe plakun, edhe kopshtin e zymtë në atdheun e largët, edhe stolin ku, me puthjen e fundit plot pasion, ajo shkëputej nga krahët e tij të mpirë nga një mundim i dëshpëruar… Oh, pranojeni, Nastenka, se hidhesh përpjetë, turbullohesh dhe skuqesh, si një nxënës që sapo ka futur në xhep mollën e vjedhur nga kopshti i fqinjit, kur ndonjë djalë i gjatë, shëndoshë, hokatar e gazmor, miku juaj i paftuar, ju hap derën dhe thërret, sikur të mos kishte ndodhur asgjë: „Kurse unë, vëlla, tani në këtë çast erdha nga Pavlovsku!“8 O Zot! konti plak vdiq, po vjen një lumturi e papërshkrueshme, — e këtu njerëzit vijnë nga Pavlovsku!

Heshta patetikisht, pasi mbarova thirrjet e mia patetike. Më kujtohet se kisha një dëshirë të tmerrshme të shpërtheja disi, me zor, në të qeshur, sepse e ndjeja tashmë se brenda meje kishte nisur të lëvizte njëfarë djallëzi armiqësor, se kishte nisur të më zinte fyti, të më dridhej mjekra dhe se sytë po më njomeshin gjithnjë e më shumë… Prisja që Nastenka, e cila më dëgjonte me sytë e saj të zgjuar hapur, të shpërthente me gjithë të qeshurën e saj fëmijërore, të gëzuar pa frena, dhe tashmë isha penduar që kisha shkuar larg, që kisha treguar më kot atë që prej kohësh më ishte grumbulluar në zemër, për të cilën mund të flisja si nga një shkrim, sepse prej kohësh e kisha përgatitur aktgjykimin për veten, dhe tani s’u përmbajta pa e lexuar, pa pritur, ta pranoj, se do të më kuptonin; por, për habinë time, ajo heshti, pas pak ma shtrëngoi lehtë dorën dhe me njëfarë dhembshurie të ndrojtur pyeti:

— Vallë vërtet e keni kaluar kështu gjithë jetën?

— Gjithë jetën, Nastenka, — u përgjigja, — gjithë jetën, dhe, me sa duket, kështu do ta mbaroj!

— Jo, kjo s’bëhet, — tha ajo me shqetësim, — kjo s’do të ndodhë; kështu, me sa duket, edhe unë do ta kaloj gjithë jetën pranë gjyshes. Dëgjoni, a e dini se s’është aspak mirë të jetosh kështu?

— E di, Nastenka, e di! — thirra, pa e përmbajtur më ndjenjën. — Dhe tani e di më shumë se kurrë që i kam humbur kot gjithë vitet e mia më të mira! Tani e di këtë, dhe më dhemb më shumë nga kjo vetëdije, sepse vetë Zoti më dërgoi ju, engjëllin tim të mirë, që të ma thoni këtë dhe të ma provoni. Tani, kur rri pranë jush dhe flas me ju, më vjen frikë edhe të mendoj për të ardhmen, sepse në të ardhmen — prapë vetmi, prapë kjo jetë e mykur, e panevojshme; e ç’do të ëndërroj unë, kur tashmë, zgjuar e jo në ëndërr, isha kaq i lumtur pranë jush! Oh, qofshi e bekuar, ju, vajzë e dashur, që s’më hodhët poshtë që herën e parë, që tani mund të them se kam jetuar qoftë edhe dy mbrëmje në jetën time!

— Oh, jo, jo! — thirri Nastenka, dhe pikëza lotësh i vezulluan në sy, — jo, kështu s’do të jetë më; s’do të ndahemi kështu! Ç’janë dy mbrëmje!

— Oh, Nastenka, Nastenka! a e dini për sa kohë më pajtuat me veten? a e dini se tani s’do të mendoj më aq keq për veten sa mendoja në disa çaste? A e dini se tani, ndoshta, s’do të vuaj më se kam bërë krim e mëkat në jetën time, sepse një jetë e tillë është krim e mëkat? Dhe mos mendoni se po ju zmadhoj diçka, për hir të Zotit, mos e mendoni këtë, Nastenka, sepse më vijnë ndonjëherë çaste të një trishtimi të tillë, të një trishtimi të tillë… Sepse në këto çaste kam nisur të besoj se s’do të jem kurrë i zoti të nis të jetoj një jetë të vërtetë; sepse më ishte dukur se e kisha humbur çdo takt, çdo nuhatje për atë që është e vërtetë, reale; sepse, më në fund, e mallkoja veten; sepse pas netëve të mia fantastike më vijnë çaste kthjellimi, që janë të tmerrshme! Ndërkohë dëgjon se si rreth teje gjëmon e vërtitet në shakullimën e jetës turma e njerëzve, dëgjon, sheh si jetojnë njerëzit, — jetojnë zgjuar, sheh se jeta për ta s’është e ndaluar, se jeta e tyre s’do të shpërndahet si ëndërr, si vegim, se jeta e tyre përtërihet përjetësisht, është përjetësisht e re dhe asnjë orë e saj s’i ngjan tjetrës, kurse fantazia e frikshme, skllave e hijes, e idesë, skllave e resë së parë që befas mbulon diellin dhe ia shtrëngon me trishtim zemrën një petersburgasi të vërtetë, që e çmon kaq shumë diellin e vet, është e trishtë dhe monotone gjer në banalitet, — e në trishtim ç’fantazi mund të ketë! Ndjen se ajo më në fund lodhet, shterret në tensionin e përjetshëm, kjo fantazi e pashtershme, sepse burrërohesh, rritesh e del nga idealet e tua të dikurshme: ato thërrmohen në pluhur, në copëra; e po s’pate jetë tjetër, të duhet ta ndërtosh pikërisht prej këtyre copërave. E ndërkaq shpirti kërkon e do diçka tjetër! Dhe më kot ëndërrimtari gërmon, si në hi, në ëndrrat e tij të vjetra, duke kërkuar në këtë hi qoftë edhe ndonjë shkëndijë, që ta fryjë, që me zjarrin e përtërirë të ngrohë zemrën e ftohur dhe të ngjallë sërish në të gjithçka që i ishte dikur kaq e dashur, që i prekte shpirtin, që ia vlonte gjakun, që ia nxirrte lotët nga sytë dhe e mashtronte kaq bukur! A e dini, Nastenka, ku kam arritur? a e dini se tashmë jam i detyruar të kremtoj përvjetorin e ndjenjave të mia, përvjetorin e asaj që më ishte dikur kaq e dashur, që në thelb s’ka ndodhur kurrë, — sepse ky përvjetor kremtohet gjithnjë sipas po atyre ëndrrave të marra, pa trup, — dhe ta bëj këtë sepse s’i kam më as këto ëndrra të marra, ngaqë s’kam më ç’të jetoj me to: edhe ëndrrat jetohen gjer në fund! A e dini se tani më pëlqen të kujtoj dhe të vizitoj, në një kohë të caktuar, ato vende ku dikur kam qenë i lumtur në mënyrën time, më pëlqen ta ndërtoj të tashmen time sipas së shkuarës që s’kthehet më, dhe shpesh endem si hije, pa nevojë dhe pa qëllim, i trishtuar e i mërzitur, nëpër rrugicat dhe rrugët e Petersburgut. Ç’kujtime! Më kujtohet, për shembull, që ja, këtu, plot një vit më parë, pikërisht në këtë kohë, në këtë orë, nëpër këtë trotuar, endesha po aq i vetmuar, po aq i trishtuar sa edhe tani! Dhe kujton se edhe atëherë ëndrrat ishin të trishta, dhe ndonëse edhe më parë s’ishte më mirë, prapëseprapë ndjen disi se sikur jetohej më lehtë e më qetë, se s’ishte ky mendim i zi që më është ngjitur tani; se s’ishin këto brejtje ndërgjegjeje, brejtje të errëta, të vrenjtura, që tani s’më lënë të qetë as ditën, as natën. Dhe pyet veten: ku janë ëndrrat e tua? dhe tund kokën, thua: sa shpejt fluturojnë vitet! Dhe prapë pyet veten: ç’i bëre vitet e tua? ku e varrose kohën tënde më të mirë? Jetove apo jo? Shiko, i thua vetes, shiko si po bëhet ftohtë në botë. Do të kalojnë edhe ca vite, e pas tyre do të vijë vetmia e vrenjtur, do të vijë me shkop pleqëria e dridhur, e pas tyre trishtimi dhe dëshpërimi. Do të zbehet bota jote fantastike, do të ngrijnë, do të vyshken ëndrrat e tua dhe do të bien si gjethet e verdha nga pemët… Oh, Nastenka! do të jetë e trishtë të mbetesh vetëm, krejt vetëm, dhe as të mos kesh për çfarë të të vijë keq — asgjë, absolutisht asgjë… sepse gjithçka që humbe, e gjithë kjo, e gjitha ishte asgjë, një zero e marrë, e rrumbullakët, ishte vetëm një ëndërrim!

— Epo, mos më mallëngjeni më! — tha Nastenka, duke fshirë një lot që i ishte rrokullisur nga sytë. — Tani mbaroi! Tani do të jemi të dy; tani, ç’do që të më ndodhë, s’do të ndahemi më kurrë. Dëgjoni. Unë jam një vajzë e thjeshtë, kam mësuar pak, ndonëse gjyshja më kishte marrë mësues; por, të them të drejtën, ju kuptoj, sepse gjithçka që më treguat tani, e kam jetuar vetë, kur gjyshja më mbërtheu pas fustanit. Sigurisht, unë s’do ta tregoja kaq bukur sa e treguat ju, s’kam mësuar, — shtoi me ndrojtje, sepse ende ndiente njëfarë respekti për fjalimin tim patetik dhe për stilin tim të lartë, — por më vjen shumë mirë që u hapët krejt me mua. Tani ju njoh, krejt, ju njoh tërësisht. Dhe e dini ç’ka? dua t’ju tregoj edhe historinë time, të gjithën, pa fshehur asgjë, kurse ju pastaj, për këtë, do të më jepni një këshillë. Ju jeni njeri shumë i zgjuar; a më premtoni se do të ma jepni këtë këshillë?

— Ah, Nastenka, — u përgjigja, — ndonëse s’kam qenë kurrë këshilltar, e aq më pak këshilltar i zgjuar, tani shoh se po të jetojmë gjithmonë kështu, kjo do të jetë disi shumë e mençur, dhe secili do t’i japë tjetrit shumë e shumë këshilla të mençura! Epo, Nastenka ime e bukur, ç’këshillë doni? Ma thoni hapur; tani jam kaq i gëzuar, i lumtur, i guximshëm dhe i zgjuar, sa fjalët s’do t’i kërkoj nëpër xhepa.

— Jo, jo! — ma preu Nastenka, duke qeshur, — s’më duhet vetëm një këshillë e mençur, më duhet një këshillë e përzemërt, vëllazërore, sikur të më kishit dashur gjithë jetën!

— U bë, Nastenka, u bë! — thirra i ngazëllyer, — edhe sikur t’ju kisha dashur njëzet vjet, prapë s’do t’ju kisha dashur më fort se tani!

— Dorën tuaj! — tha Nastenka.

— Ja ku e keni! — u përgjigja, duke ia zgjatur dorën.

— Pra, le ta nisim historinë time!

Historia e Nastenkës

— Gjysmën e historisë e dini tashmë, domethënë e dini se kam një gjyshe të vjetër…

— Po qe se gjysma tjetër është po aq e shkurtër sa kjo… — desha t’ia ndërprisja duke qeshur.

— Heshtni dhe dëgjoni. Para së gjithash një marrëveshje: të mos më ndërprisni, se përndryshe, ndoshta, do të ngatërrohem. Epo, dëgjoni urtë.

Kam një gjyshe të vjetër. Kam ardhur te ajo që kur isha fare e vogël, sepse më kishin vdekur edhe nëna, edhe babai. Duhet menduar se gjyshja dikur ka qenë më e pasur, sepse edhe tani i kujton ditët më të mira. Ajo vetë më mësoi frëngjisht dhe pastaj më mori një mësues. Kur isha pesëmbëdhjetë vjeç (kurse tani jam shtatëmbëdhjetë), e mbaruam mësimin. Pikërisht atëherë bëra një çapkënllëk; ç’bëra — s’do t’jua them; mjafton që faji ishte i vogël. Vetëm se gjyshja më thirri pranë saj një mëngjes dhe më tha se, meqë është e verbër, s’mund të më ruajë, mori një karficë dhe ma mbërtheu fustanin pas fustanit të saj, dhe aty për aty më tha se kështu do të rrimë gjithë jetën, në rast se, sigurisht, s’bëhem më e mirë. Me një fjalë, në fillim s’kishte mënyrë të largohesha: edhe puno, edhe lexo, edhe mëso — të gjitha pranë gjyshes. Një herë u përpoqa të bëja një dredhi dhe e binda Fjoklën të ulej në vendin tim. Fjokla është shërbyesja jonë, është e shurdhër. Fjokla u ul në vendin tim; gjyshja në atë kohë kishte rënë në gjumë në kolltuk, kurse unë shkova te një shoqe, jo larg. Epo, përfundoi keq. Gjyshja u zgjua pa qenë unë aty dhe pyeti diçka, duke menduar se unë ende rrija urtë në vend. Fjokla sheh që gjyshja po pyet, por s’dëgjon se për çfarë, mendoi e mendoi ç’të bënte, e hoqi karficën dhe ia mbathi me vrap…

Këtu Nastenka u ndal dhe ia plasi gazit. Qesha edhe unë bashkë me të. Ajo pushoi menjëherë.

— Dëgjoni, mos qeshni me gjyshen. Unë qesh, sepse është qesharake… Ç’të bësh, kur gjyshja, vërtet, është e tillë, por unë megjithatë e dua pak. Epo, atëherë më ra mua: menjëherë më ulën prapë në vend, dhe më — as zë, as lëvizje.

Pra, zotëri, harrova t’ju them edhe që ne, domethënë gjyshja, ka shtëpinë e vet, domethënë një shtëpizë të vogël, gjithsej tri dritare, krejt prej druri dhe po aq e vjetër sa gjyshja; kurse sipër ka një mansardë; dhe ja, në mansardë erdhi të banonte te ne një qiraxhi i ri…

— Domethënë, kishte edhe një qiraxhi të vjetër? — vërejta kalimthi.

— Sigurisht që kishte, — u përgjigj Nastenka, — dhe që dinte të heshtte më mirë se ju. Është e vërtetë, mezi e lëvizte gjuhën. Ishte një plak, i thatë, memec, i verbër, i çalë, kështu që më në fund s’mund të rronte më në këtë botë, dhe vdiq; e pastaj na u desh një qiraxhi i ri, sepse pa qiraxhi s’mund të jetojmë: bashkë me pensionin e gjyshes, kjo është pothuajse gjithë e ardhura jonë. Qiraxhiu i ri, si me qëllim, ishte një djalë i ri, jo nga këto anë, i ardhur. Meqë s’u pazarit, gjyshja e la të hynte, e pastaj më pyet: „Pa më thuaj, Nastenka, qiraxhiu ynë është i ri apo jo?“ Unë s’doja të gënjeja: „Ashtu, i them, gjyshe, jo se është krejt i ri, por ashtu, jo plak.“ „Po a ka pamje të këndshme?“ — pyet gjyshja.

Unë prapë s’dua të gënjej. „Po, i them, ka pamje të këndshme, gjyshe!“ Kurse gjyshja thotë: „Ah! ndëshkim, ndëshkim! Ta them këtë, mbesë, që të mos i ngulësh sytë. Ç’kohë është kjo! shiko, një qiraxhi kaq i parëndësishëm, e megjithatë edhe ai me pamje të këndshme: s’ishte kështu në kohën e vjetër!“

Kurse gjyshja gjithçka e do si në kohën e vjetër! Edhe më e re ishte në kohën e vjetër, edhe dielli ishte më i ngrohtë në kohën e vjetër, edhe ajka në kohën e vjetër s’thartohej aq shpejt, — gjithçka në kohën e vjetër! Ja, unë rri e hesht, kurse me vete mendoj: po pse vallë gjyshja vetë po ma fut në mendje, po më pyet a është i pashëm, a është i ri qiraxhiu? Por vetëm ashtu, vetëm e mendova, e aty për aty nisa prapë të numëroja sythet, të thurja çorapen, e pastaj e harrova fare.

Ja, një mëngjes na vjen qiraxhiu, për të pyetur për atë që i kishin premtuar t’ia vishnin dhomën me letër muri. Fjalë pas fjale, gjyshja është llafazane, dhe thotë: „Shko, Nastenka, në dhomën time të gjumit, sill numëratoren.“ Unë u hodha menjëherë përpjetë, u skuqa e tëra, s’e di pse, dhe harrova se rrija e mbërthyer; në vend që ta hiqja ngadalë karficën, që të mos e shihte qiraxhiu, — u vrula aq shumë sa kolltuku i gjyshes lëvizi nga vendi. Kur pashë që qiraxhiu e mori vesh tani gjithçka për mua, u skuqa, mbeta në vend si e ngulur dhe papritur ia plasa të qarit, — m’u bë aq turp dhe aq hidhur në atë çast, sa s’doja ta shihja më dritën e diellit! Gjyshja bërtet: „Pse rri ashtu?“ — kurse unë edhe më keq… Qiraxhiu, kur pa, kur pa që m’u bë turp prej tij, u përshëndet dhe iku menjëherë!

Që atëherë, sapo dëgjoja zhurmë në paradhomë, ngrija si e vdekur. Ja, mendoja, po vjen qiraxhiu, dhe ngadalë, për çdo rast, e hiqja karficën. Vetëm se s’ishte kurrë ai, nuk vinte. Kaluan dy javë; qiraxhiu na dërgon fjalë me Fjoklën se ka shumë libra frëngjisht dhe se janë të gjithë libra të mirë, që mund të lexohen; a s’do gjyshja që t’ia lexoj unë, që të mos mërzitet? Gjyshja pranoi me mirënjohje, vetëm se pyeste vazhdimisht a janë libra moralë apo jo, sepse po të jenë libra të pamoralshëm, atëherë ti, thotë, Nastenka, s’duhet t’i lexosh kurrsesi, do të mësosh gjëra të këqija.

— Po ç’do të mësoj, gjyshe? Ç’shkruhet atje?

— Ah! thotë, aty përshkruhet si i joshin djemtë e rinj vajzat e sjellshme, si i rrëmbejnë nga shtëpia prindërore, me pretekstin se duan t’i marrin për gra, si pastaj i lënë këto vajza fatkeqe në mëshirë të fatit dhe ato humbasin në mënyrën më të mjerueshme. Unë, — thotë gjyshja, — kam lexuar shumë libra të tillë, dhe të gjitha, thotë, janë përshkruar kaq bukur, sa rri gjithë natën e lexon fshehtas. Prandaj ti, thotë, Nastenka, ki kujdes, mos i lexo. Ç’libra, thotë, paska dërguar?

— Të gjitha romane të Valter Skotit, gjyshe.

— Romane të Valter Skotit! Po mos ka ndonjë dredhi këtu? Shiko pak, mos ka futur brenda ndonjë letërz dashurie?

— Jo, i them, gjyshe, s’ka letërz.

— Po shiko nën lidhje; ndonjëherë e fusin nën lidhjen e librit, kusarët!..

— Jo, gjyshe, edhe nën lidhje s’ka asgjë.

— Ashtu pra!

Dhe ja, nisëm të lexonim Valter Skotin dhe brenda një muaji lexuam gati gjysmën. Pastaj ai dërgoi edhe të tjerë e të tjerë, dërgoi Pushkinin, kështu që më në fund s’rrija dot pa libra dhe pushova së menduari si të martohesha me princin kinez.

Kështu qëndronte puna, kur një herë më ndodhi të ndeshesha me qiraxhiun tonë në shkallë. Gjyshja më kishte dërguar për diçka. Ai u ndal, unë u skuqa, u skuq edhe ai; megjithatë qeshi, më përshëndeti, pyeti për shëndetin e gjyshes dhe thotë: „Si thoni, i lexuat librat?“ Unë iu përgjigja: „I lexova.“ „Po cili, thotë, ju pëlqeu më shumë?“ Kurse unë i them: „Ajvanhoi9 dhe Pushkini më pëlqyen më shumë se të gjithë.“ Atë herë përfundoi me kaq.

Pas një jave u ndesha prapë me të në shkallë. Kësaj here gjyshja s’më kishte dërguar, por më duhej vetë për diçka. Ishte ora dy e ca, dhe qiraxhiu në këtë kohë kthehej në shtëpi.

„Mirëdita!“ — thotë. I them: „Mirëdita!“

— Si thoni, thotë, a s’mërziteni gjithë ditën ulur me gjyshen?

Kur ma pyeti këtë, unë, s’e di pse, u skuqa, më erdhi turp, dhe prapë u fyeva, me sa duket sepse edhe të tjerët kishin nisur të pyesnin për këtë punë. Desha të mos i përgjigjesha e të ikja, por s’kisha fuqi.

— Dëgjoni, thotë, ju jeni vajzë e mirë! Më falni që po ju flas kështu, por, ju siguroj, ju dua të mirën më shumë se gjyshja juaj. A s’keni ndonjë shoqe, që të shkoni për vizitë?

I them se s’kam asnjë, se kisha një, Mashenkën, por edhe ajo iku në Pskov.

— Dëgjoni, thotë, a doni të vini me mua në teatër?

— Në teatër? po gjyshja?

— Po ju, thotë, fshehtas nga gjyshja…

— Jo, i them, unë s’dua ta gënjej gjyshen. Mirupafshim, zotëri!

— Epo, mirupafshim, thotë, dhe s’tha asgjë tjetër.

Vetëm se pas drekës na vjen; u ul, foli gjatë me gjyshen, e pyeste ç’bën, a del ndonjëherë diku, a ka të njohur, — e papritur thotë: „Kurse sot kisha marrë një lozhë në opera; japin ‚Berberin e Seviljes‘,10 të njohurit donin të vinin, por pastaj hoqën dorë, dhe më mbeti bileta në dorë.“

— „Berberin e Seviljes“! — thirri gjyshja, — po ky është po ai „Berber“ që e jepnin në kohën e vjetër?

— Po, thotë, është po ai „Berber“, — dhe më hodhi një sy. Kurse unë i kisha kuptuar të gjitha, u skuqa, dhe zemra më kërcente nga pritja!

— Si jo, thotë gjyshja, si s’e di! Unë vetë në kohën e vjetër kam luajtur Rozinën në një teatër shtëpie!

— Atëherë a doni të vini sot? — tha qiraxhiu. — Përndryshe bileta ime po më humbet kot.

— Po, ndoshta, le të shkojmë, thotë gjyshja, pse të mos shkojmë? Edhe Nastenka ime s’ka qenë kurrë në teatër.

O Zot, ç’gëzim! Menjëherë u bëmë gati, u veshëm dhe shkuam. Gjyshja, ndonëse e verbër, prapëseprapë donte të dëgjonte muzikë, dhe, përveç kësaj, ajo është një plakë e mirë: donte më shumë të më gëzonte mua, vetë s’do të ishim nisur kurrë. Ç’përshtypje më la „Berberi i Seviljes“, s’do t’jua them, vetëm se gjatë gjithë asaj mbrëmjeje qiraxhiu ynë më shikonte aq bukur, fliste aq bukur, sa e pashë menjëherë se në mëngjes kishte dashur të më provonte, kur më propozoi të shkoja vetëm me të. Ah, ç’gëzim! U shtriva të fle aq krenare, aq e gëzuar, zemra më rrihte aq fort, sa më zuri një ethe e lehtë dhe gjithë natën fola përçart për „Berberin e Seviljes“.

Mendova se pas kësaj do të vinte gjithnjë e më shpesh, — kot. Pothuajse e ndërpreu fare. Ashtu, një herë në muaj, vinte ndonjëherë, dhe vetëm për të na ftuar në teatër. Nja dy herë shkuam prapë pas kësaj. Vetëm se me këtë s’isha aspak e kënaqur. E shihja se thjesht i vinte keq për mua, që gjyshja më mbante kaq të shtypur, dhe asgjë më shumë. Kalonte koha, dhe më zuri një gjë: as ulur s’rri dot, as lexoj dot, as punoj dot, ndonjëherë qesh e i bëj gjyshes diçka për inat, e ndonjëherë thjesht qaj. Më në fund, u dobësova dhe gati sa s’u sëmura. Sezoni i operës kaloi, dhe qiraxhiu pushoi fare së ardhuri te ne; e kur takoheshim — gjithnjë në po atë shkallë, sigurisht, — përkulej kaq heshtur, kaq seriozisht, sikur s’donte as të fliste, dhe zbriste gjer poshtë te pragu, kurse unë ende qëndroja në mes të shkallës, e kuqe si qershi, sepse sa herë që e takoja, më hipte i gjithë gjaku në kokë.

Tani vjen menjëherë fundi. Plot një vit më parë, në maj, qiraxhiu na vjen dhe i thotë gjyshes se e kishte rregulluar krejt punën e vet këtu dhe se duhej të nisej prapë për një vit në Moskë. Unë, kur e dëgjova, u zbeha dhe rashë mbi një karrige si e vdekur. Gjyshja s’vuri re asgjë, kurse ai, pasi na njoftoi se po ikte prej nesh, na përshëndeti dhe iku.

Ç’të bëja? Mendova e mendova, u mërzita e u mërzita, dhe më në fund vendosa. Nesër ai do të nisej, kurse unë vendosa t’i jepja fund gjithçkaje në mbrëmje, kur gjyshja të shkonte të flinte. Ashtu ndodhi. Lidha në një bohçe gjithë fustanet që kisha, sa të brendshme duheshin, dhe me bohçen në dorë, as e gjallë as e vdekur, u ngjita në mansardë te qiraxhiu ynë. Më duket se ngjitesha në shkallë një orë të tërë. Kur ia hapa derën, ai vetëm sa thirri, duke më parë. Mendoi se isha fantazmë dhe u turr të më jepte ujë, sepse mezi qëndroja në këmbë. Zemra më rrihte aq fort sa më dhembte koka, dhe mendja m’u turbullua. Kur erdha në vete, gjëja e parë që bëra ishte ta vija bohçen time mbi shtratin e tij; u ula vetë pranë, mbulova fytyrën me duar dhe qava me lot rrëke. Ai, me sa duket, i kuptoi të gjitha në çast dhe qëndronte përpara meje i zbehtë dhe më shikonte aq i trishtuar, sa m’u copëtua zemra.

— Dëgjoni, — nisi ai, — dëgjoni, Nastenka, unë s’mund të bëj asgjë; jam njeri i varfër; për tani s’kam asgjë, madje as një vend pune të mirë; si do të jetonim, sikur të martohesha me ju?

Folëm gjatë, por më në fund humba fare kontrollin, i thashë se s’mund të jetoja te gjyshja, se do t’i ikja, se s’doja të më mbërthenin me karficë, dhe se unë, si të dojë ai, do të shkoja me të në Moskë, sepse pa të s’mund të jetoja. Edhe turpi, edhe dashuria, edhe krenaria — të gjitha flisnin përnjëherësh brenda meje, dhe gati në ngërçe rashë mbi shtrat. Kisha aq frikë se do të më thoshte jo!

Ai ndenji ca minuta pa folur, pastaj u ngrit, m’u afrua dhe më kapi për dore.

— Dëgjoni, Nastenka ime e mirë, Nastenka ime e dashur! — nisi ai, edhe ai me lot në sy, — dëgjoni. Ju betohem se, në qoftë se ndonjëherë do të jem në gjendje të martohem, patjetër ju do të jeni lumturia ime; ju siguroj, tani vetëm ju mund të jeni lumturia ime. Dëgjoni: unë po shkoj në Moskë dhe do të qëndroj atje plot një vit. Shpresoj t’i rregulloj punët e mia. Kur të kthehem, dhe po qe se ju s’do të pushoni së më dashuri, ju betohem, do të jemi të lumtur. Kurse tani është e pamundur, s’mundem, s’kam të drejtë t’ju premtoj qoftë edhe diçka. Por, e përsëris, po qe se pas një viti kjo s’do të ndodhë, atëherë patjetër do të ndodhë ndonjëherë; sigurisht — në rast se ju s’do të parapëlqeni një tjetër në vend timin, sepse t’ju lidh me ndonjë fjalë s’mundem dhe s’guxoj.

Ja ç’më tha, dhe të nesërmen iku. U vendos bashkërisht që gjyshes të mos i thoshim asnjë fjalë për këtë. Kështu deshi ai. Epo, ja, tani gati mbaroi gjithë historia ime. Kaloi plot një vit. Ai erdhi, është këtu prej tri ditësh të tëra, dhe, dhe…

— Dhe çfarë? — thirra, i paduruar të dëgjoja fundin.

— Dhe ende s’është dukur! — u përgjigj Nastenka, sikur po mblidhte forcat, — as zë, as nam…

Këtu ajo u ndal, heshti pak, uli kokën dhe papritur, duke mbuluar fytyrën me duar, shpërtheu në dënesë aq të forta, sa m’u përmbys zemra nga ato dënesa.

S’e prisja kurrsesi një përfundim të tillë.

— Nastenka! — nisa me një zë të ndrojtur e të përkëdhelur, — Nastenka! për hir të Zotit, mos qani! Si e dini? ndoshta s’ka ardhur ende…

— Këtu është, këtu! — vazhdoi Nastenka. — Ai është këtu, e di. Kishim një marrëveshje, që atëherë, atë mbrëmje, në prag të nisjes: kur i kishim thënë të gjitha ato që jua tregova, dhe u morëm vesh, dolëm këtu të shëtisnim, pikërisht në këtë breg. Ishte ora dhjetë; ishim ulur në këtë stol; unë s’qaja më, më ishte e ëmbël të dëgjoja ç’thoshte ai… Tha se, sapo të vinte, do të vinte menjëherë te ne dhe, po të mos hiqja dorë prej tij, do t’i tregonim gjithçka gjyshes. Tani ka ardhur, e di, dhe s’është, s’është!

Dhe ajo shpërtheu sërish në lot.

— O Zot! Po vallë s’ka asnjë mënyrë t’i ndihmohet hallit? — thirra, duke u hedhur nga stoli në dëshpërim të plotë. — Më thoni, Nastenka, a s’do të mundja të shkoja qoftë edhe unë tek ai?..

— Vallë është e mundur kjo? — tha ajo, duke ngritur papritur kokën.

— Jo, sigurisht, jo! — vërejta, duke ardhur në vete. — Po ja ç’ka: shkruani një letër.

— Jo, kjo është e pamundur, kjo s’bëhet! — u përgjigj ajo me vendosmëri, por tashmë me kokën ulur e pa më parë.

— Si s’bëhet? pse s’bëhet? — vazhdova, duke u kapur pas idesë sime. — Por, e dini, Nastenka, ç’letër! Ka letër e letër, dhe… Ah, Nastenka, kështu është! Më besoni, më besoni! S’do t’ju jap këshillë të keqe. Të gjitha këto mund të rregullohen! Ju e bëtë tashmë hapin e parë — pse, pra, tani…

— S’bëhet, s’bëhet! Atëherë do të dukej sikur po i imponohem…

— Ah, Nastenka ime e mirë! — ia ndërpreva, pa e fshehur buzëqeshjen, — jo, jo; ju, më në fund, keni të drejtë, sepse ai jua premtoi. Dhe nga të gjitha shoh se është njeri i hollë, se u soll mirë, — vazhdova, duke u entuziazmuar gjithnjë e më shumë nga logjika e argumenteve dhe e bindjeve të mia, — si u soll ai? E lidhi veten me një premtim. Tha se s’do të martohej me asnjë tjetër veç jush, po qe se do të martohej; kurse juve jua la lirinë e plotë të hiqnit dorë prej tij qoftë edhe menjëherë… Në këtë rast ju mund ta bëni hapin e parë, keni të drejtë, keni përparësi përpara tij, qoftë edhe, për shembull, sikur të donit ta lironit nga fjala e dhënë…

— Dëgjoni, si do ta shkruanit ju?

— Çfarë?

— Po këtë letër.

— Unë do ta shkruaja kështu: „I nderuar zotëri…“

— Vallë duhet patjetër kështu — i nderuar zotëri?

— Patjetër! Megjithatë, pse? mendoj…

— Epo, epo! më tej!

— „I nderuar zotëri!

Më falni që unë…“ Megjithatë, jo, s’duhen fare ndjesë! Këtu vetë fakti i justifikon të gjitha, shkruani thjesht:

„Po ju shkruaj. Ma falni padurimin; por gjithë një vit kam qenë e lumtur me shpresën; a kam faj unë që s’mund ta duroj tani as një ditë dyshimi? Tani, kur ju keni ardhur tashmë, ndoshta i keni ndryshuar qëllimet tuaja. Atëherë kjo letër do t’ju thotë se unë s’ankohem dhe s’ju fajësoj. S’ju fajësoj që s’kam pushtet mbi zemrën tuaj; i tillë është fati im!

Ju jeni njeri fisnik. S’do të buzëqeshni dhe s’do të zemëroheni me rreshtat e mi të paduruar. Kujtoni se i shkruan një vajzë e varfër, se ajo është vetëm, se s’ka kush ta mësojë, as kush ta këshillojë dhe se ajo s’ka ditur kurrë ta zotërojë vetë zemrën e saj. Por më falni që në shpirtin tim, qoftë edhe për një çast, u fut dyshimi. Ju s’jeni i zoti ta fyeni as me mend atë që ju ka dashur dhe ju do kaq shumë.“

— Po, po! pikërisht kështu e kisha menduar! — thirri Nastenka, dhe gëzimi i shkëlqeu në sy. — Oh! m’i zgjidhët dyshimet, ju më dërgoi vetë Zoti! Ju falënderoj, ju falënderoj!

— Për çfarë? që më dërgoi Zoti? — u përgjigja, duke parë i ngazëllyer fytyrëzën e saj të gëzuar.

— Po, qoftë edhe për këtë.

— Ah, Nastenka! Ne i falënderojmë disa njerëz qoftë edhe për faktin që jetojnë bashkë me ne. Unë ju falënderoj që më dolët përpara, që do t’ju kujtoj gjithë jetën time!

— Epo, mjaft, mjaft! E tani ja ç’ka, dëgjoni pak: atëherë kishim marrëveshje që, sapo të vinte ai, të më lajmëronte menjëherë duke më lënë një letër në një vend, te disa të njohur të mi, njerëz të mirë e të thjeshtë, që s’dinë asgjë për këtë punë; ose, po të mos mundej të më shkruante, ngaqë në një letër s’i thua dot gjithmonë të gjitha, atëherë ai, po atë ditë që të vinte, do të ishte këtu në orën dhjetë fiks, ku edhe ishim marrë vesh të takoheshim. Për ardhjen e tij e di tashmë; por ja, kjo është dita e tretë dhe s’ka as letër, as atë. Të largohem nga gjyshja në mëngjes s’mund kurrsesi. Jepjani letrën time nesër vetë ju atyre njerëzve të mirë për të cilët ju fola: ata do t’ia çojnë; e po të ketë përgjigje, ma sillni vetë ju në mbrëmje, në orën dhjetë.

— Po letra, letra! Më parë duhet shkruar letra! Kështu, ndoshta, të gjitha këto do të bëhen pasnesër.

— Letra… — u përgjigj Nastenka, paksa e hutuar, — letra… por…

Por nuk e mbaroi fjalën. Në fillim e ktheu fytyrëzën nga ana tjetër, u skuq si trëndafil, dhe papritur ndjeva në dorë një letër, me sa dukej të shkruar prej kohësh, krejt të gatshme dhe të vulosur. Njëfarë kujtimi i njohur, i ëmbël, plot hir më kaloi nëpër kokë!

— R, o — Ro, s, i — si, n, a — na, — nisa unë.

— Rosina! — kënduam të dy, unë, gati duke e përqafuar nga ngazëllimi, ajo, e skuqur sa mund të skuqej, duke qeshur me lot që i dridheshin si perla mbi qerpikët e zinj.11

— Epo, mjaft, mjaft! Lamtumirë tani! — tha ajo me nxitim. — Ja letra, ja edhe adresa ku duhet çuar. Lamtumirë! mirupafshim! deri nesër!

Ma shtrëngoi fort të dyja duart, tundi kokën dhe u zhduk si shigjetë në rrugicën e saj. Qëndrova gjatë në vend, duke e përcjellë me sy.

„Deri nesër! deri nesër!“ — më kaloi nëpër kokë, kur ajo m’u zhduk nga sytë.

Shënime

  1. Bogdihan (rus. богдыхан): emër i vjetër rus për perandorin e Kinës, nga mongolishtja. ↩︎

  2. Aludim për përrallën e peshkatarit dhe xhindit te „Një mijë e një netë“, ku një xhind, i mbyllur nga mbreti Solomon në një shtambë të vulosur, lirohet pas shekujsh. ↩︎

  3. „Hyjnesha Fantazi“: aludim për poezinë „Hyjnesha ime“ (1809) të Vasili Zhukovskit (1783–1852), përkthim i lirë nga Gëte, ku Fantazia lavdërohet si hyjneshë. ↩︎

  4. Qielli i shtatë: lumturia më e madhe; sipas një përfytyrimi të lashtë, qielli përbëhej nga sfera kristali të vendosura njëra mbi tjetrën. ↩︎

  5. Hofmani: E. T. A. Hoffmann (1776–1822), shkrimtar romantik gjerman. Nata e Shën Bartolomeut: masakra e protestantëve në Paris, më 24 gusht 1572. Diana Vernon: heroina e romanit „Rob Roj“ (1817) të Valter Skotit. Marrja e Kazanit: pushtimi i Kazanit nga cari Ivan Vasiljeviç, Ivani i Tmerrshëm, më 1552. Klara Mobrej dhe Efi Dins: heroina të Skotit, te „Burimi i Shën Ronanit“ dhe te „Zemra e Midllothianit“ (1818). Husi: reformatori çek Jan Hus (rreth 1370–1415), i dënuar nga Koncili i Konstancës dhe i djegur si heretik. „Roberti“: opera „Robert Djalli“ (1831) e Majerberit, ku në një skenë të famshme murgeshat e vdekura ngrihen nga varret. Mina dhe Brenda: dy motrat e romanit „Pirati“ të Skotit. Berezina: lumi ku ushtria e Napoleonit pësoi humbje të rënda gjatë tërheqjes nga Rusia më 1812. Kontesha V—j—D—j: një zonjë e shoqërisë së lartë të Petersburgut, emrin e së cilës autori e jep vetëm me shkronjat e para. Dantoni: Zhorzh Danton (1759–1794), udhëheqës i Revolucionit Francez. Kleopatra e i suoi amanti (it. „Kleopatra dhe dashnorët e saj“): tema e një improvizimi te novela „Netët egjiptiane“ (1835) e Pushkinit. Shtëpiza në Kolomnë: poema e Pushkinit me këtë titull, për një vajzë të varfër në Kolomnë, lagje e thjeshtë e Petersburgut. ↩︎

  6. „Kaq gjatë e me aq butësi“: varg nga poezia e Mihail Lermontovit (1814–1841) „E donin njëri-tjetrin kaq gjatë e me aq butësi…“ (1841), përkthim i lirë nga Hajne. ↩︎

  7. Qyteti i përjetshëm: Roma. ↩︎

  8. Pavlovsku: qytet me pallat e park perandorak në jug të Petersburgut, vend i dashur verimi e shëtitjesh. ↩︎

  9. Ajvanhoi: „Ivanhoe“ (1819), romani historik i Valter Skotit. ↩︎

  10. „Berberi i Seviljes“: opera komike (1816) e Xhoakino Rosinit, sipas komedisë së Bomarshesë; Rozina është heroina e saj. ↩︎

  11. Aludim për një skenë të „Berberit të Seviljes“: Figaroja ia shqipton Rozinës germë për germë emrin e vajzës që do Lindoroja — „R, o — Ro…“ — dhe ajo, në vend që ta shkruajë letrën për Lindoron, siç e këshillon ai, i jep një letër që e kishte shkruar që më parë. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Netët e bardha

Kapitujt

  1. Nata e parë
  2. Nata e dytë · Po lexoni
  3. Nata e tretë
  4. Nata e katërt
  5. Mëngjesi

Bookmarks

Me tastierë: shigjetat ← dhe → kalojnë te kapitulli i mëparshëm ose tjetri.

Te faqja e librit

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat