Parathënie · Portreti i Dorian Grejit
Chapter 1 of 21
Artisti është krijuesi i gjërave të bukura.
Të zbulosh artin dhe të fshehësh artistin: ky është synimi i artit.
Kritiku është ai që di ta përkthejë në një mënyrë tjetër, ose në një lëndë të re, përshtypjen e tij për gjërat e bukura.
Forma më e lartë e kritikës, ashtu si edhe më e ulëta, është një lloj autobiografie. Ata që gjejnë kuptime të shëmtuara te gjërat e bukura janë të prishur pa qenë magjepsës. Kjo është një e metë.
Ata që gjejnë kuptime të bukura te gjërat e bukura janë njerëzit e kulturuar. Për ta ka shpresë.
Ata janë të zgjedhurit, për të cilët gjërat e bukura nuk do të thonë tjetër veçse bukuri.
Nuk ka libër moral apo imoral.
Librat janë ose të shkruar mirë, ose të shkruar keq. Kaq.
Neveria e shekullit të nëntëmbëdhjetë ndaj realizmit është tërbimi i Kalibanit1 kur sheh fytyrën e vet në pasqyrë.
Neveria e shekullit të nëntëmbëdhjetë ndaj romantizmit është tërbimi i Kalibanit kur nuk e sheh fytyrën e vet në pasqyrë.
Jeta morale e njeriut është pjesë e lëndës së artistit, por morali i artit qëndron në përdorimin e përsosur të një mjeti të papërsosur.
Asnjë artist nuk dëshiron të provojë asgjë. Edhe gjërat e vërteta mund të provohen.
Asnjë artist nuk ka simpati etike. Simpatia etike te një artist është një manierizëm stili i pafalshëm.
Asnjë artist nuk është kurrë morbid. Artisti mund të shprehë gjithçka.
Për artistin, mendimi dhe gjuha janë vegla të një arti.
Për artistin, vesi dhe virtyti janë lëndë për një art.
Nga pikëpamja e formës, modeli i të gjitha arteve është arti i muzikantit. Nga pikëpamja e ndjenjës, modeli është mjeshtëria e aktorit.
Çdo art është njëkohësisht sipërfaqe dhe simbol.
Ata që zhyten nën sipërfaqe e bëjnë këtë me rrezikun e vet.
Ata që e lexojnë simbolin e bëjnë këtë me rrezikun e vet.
Ajo që arti pasqyron vërtet është shikuesi, e jo jeta.
Larmia e mendimeve për një vepër arti tregon se vepra është e re, komplekse dhe plot jetë.
Kur kritikët nuk pajtohen, artisti është në pajtim me veten.
Një njeriu mund t’ia falim që ka bërë diçka të dobishme, për sa kohë që nuk e admiron. Justifikimi i vetëm për të bërë diçka të padobishme është ta admirosh pa masë.
I gjithë arti është krejtësisht i padobishëm.
OSCAR WILDE
Shënime
-
Kalibani: shërbëtori i egër e i shëmtuar, gjysmë njeri e gjysmë përbindësh, i magjistarit Prospero në dramën Stuhia të Shekspirit. ↩︎
Found a mistake in this chapter? Report a mistake