← Zonja Bovari

Pjesa e parë — I · Zonja Bovari

Kapitulli 2 nga 36

Ishim në sallën e studimit, kur hyri drejtori, i ndjekur nga një i sapoardhur i veshur civil dhe nga një shërbëtor i shkollës që mbante një bankë të madhe. Ata që flinin u zgjuan dhe secili u ngrit në këmbë, sikur ta kishin zënë në mes të punës.

Drejtori na bëri shenjë të uleshim; pastaj, duke u kthyer nga mbikëqyrësi:

— Zoti Rozhe, — i tha me zë të ulët, — ja një nxënës që jua lë në kujdes; hyn në klasën e pestë.1 Po të jenë puna dhe sjellja e tij për t’u lavdëruar, do të kalojë te të mëdhenjtë, ku e thërret mosha.

I mbetur në qoshe, pas derës, saqë mezi e shihje, i sapoardhuri ishte një djalë fshati, rreth pesëmbëdhjetë vjeç, dhe më i gjatë se cilido prej nesh. Flokët i kishte prerë drejt mbi ballë, si këngëtarët e kishave të fshatit, dhe dukej i urtë e shumë i sikletosur. Megjithëse nuk ishte i gjerë në shpatulla, xhaketa e tij prej stofi të gjelbër me kopsa të zeza duhej ta shtrëngonte te sqetullat dhe linte të dukeshin, nga e çara e mëngëve, dy kyçe të kuqe, të mësuara të rrinin zbuluar. Këmbët, me çorape blu, i dilnin nga një palë pantallona të verdhemë, të tërhequra shumë lart nga tirantat. Mbathte këpucë të rënda, të lyera keq, me gozhdë në shuall.

Filloi përsëritja e mësimeve. Ai i dëgjoi me gjithë veshë, i vëmendshëm si në predikim, pa guxuar as të kryqëzonte këmbët, as të mbështetej në bërryl; dhe në orën dy, kur ra zilja, mbikëqyrësi u detyrua ta paralajmëronte që të hynte në rresht me ne.

E kishim zakon, kur hynim në klasë, t’i hidhnim kasketat përtokë, që t’i kishim pastaj duart më të lira; duhej, që në prag të derës, t’i flakje nën bankë, në mënyrë që të përplaseshin pas murit e të ngrinin shumë pluhur; kështu e donte moda.

Por, ose se s’e kishte vënë re këtë manovër, ose se s’kishte guxuar t’i nënshtrohej, lutja kishte mbaruar dhe i sapoardhuri e mbante ende kasketën mbi gjunjë. Ishte një nga ato kapele të rendit kompozit,2 ku gjen elementet e kalpakut me qime, të shapkës,3 të kapelës së rrumbullakët, të kasketës prej gëzofi vidre dhe të skufjes së pambuktë; një nga ato sende të mjera, me një fjalë, shëmtia e heshtur e të cilave ka thellësi shprehjeje si fytyra e një budallai. Vezake, e fryrë nga kockat e balenës që e mbanin përbrenda, fillonte me tri rrotulla të rrumbullakëta; pastaj vinin njëra pas tjetrës, të ndara nga një rrip i kuq, romba prej kadifeje dhe prej qimeje lepuri; më tej vinte një si thes, që mbaronte me një shumëkëndësh prej kartoni, të mbuluar me një qëndismë të ndërlikuar me gajtan, dhe prej tij varej, në fund të një kordoni të gjatë e tepër të hollë, një kryq i vogël prej fijesh ari, në vend të xhufkës. Ishte e re; streha shkëlqente.

— Çohuni, — tha profesori.

U ngrit; kasketa i ra. Gjithë klasa shpërtheu në të qeshura.

U përkul ta merrte. Shoku i bankës ia rrëzoi me një bërryl; ai e mori edhe një herë.

— Hiqeni qafe, pra, atë përkrenare, — tha profesori, që ishte njeri mendjehollë.

Nxënësit shpërthyen në një të qeshur aq të zhurmshme, sa i shkreti djalë u hutua fare, dhe nuk dinte më nëse duhej ta mbante kasketën në dorë, ta linte përtokë apo ta vinte në kokë. U ul përsëri dhe e vuri mbi gjunjë.

— Çohuni, — vazhdoi profesori, — dhe më thoni emrin.

I sapoardhuri shqiptoi, me një zë që i merrej, një emër që s’kuptohej.

— Përsëriteni!

U dëgjua po ai belbëzim rrokjesh, i mbuluar nga britmat tallëse të klasës.

— Më fort! — bërtiti mësuesi, — më fort!

Atëherë i sapoardhuri, duke marrë një vendim të skajshëm, hapi një gojë pa masë dhe lëshoi me sa kishte në mushkëri, si për të thirrur dikë, këtë fjalë: Sharbovari.4

Plasi një zallamahi që u hodh përpjetë me një të kërcyer, u ngjit në krescendo, me britma të holla (ulërinin, lehnin, përplasnin këmbët, përsëritnin: Sharbovari! Sharbovari!), pastaj u rrokullis në nota të veçuara, duke u qetësuar me shumë mundim, e herë-herë rifillonte befas në rreshtin e ndonjë banke, ku shpërthente ende, aty-këtu, si një fishek i pashuar mirë, ndonjë e qeshur e mbytur.

Ndërkaq, nën breshërinë e ndëshkimeve, rregulli u kthye pak nga pak në klasë; dhe profesori, pasi mezi arriti ta kapte emrin Sharl Bovari dhe ia bëri ta diktonte, ta shqiptonte germë për germë e ta rilexonte, e urdhëroi menjëherë të shkretin të shkonte e të ulej në bankën e dembelëve, në këmbët e katedrës. Ai u nis, por, para se të ikte, ngurroi.

— Ç’kërkoni? — pyeti profesori.

— Kaske… — bëri me drojë i sapoardhuri, duke hedhur rreth e rrotull vështrime të shqetësuara.

— Pesëqind vargje gjithë klasës! — Kjo britmë, e lëshuar me zë të tërbuar, ndali, si dikur Quos ego-ja,5 një shtrëngatë të re. — Rrini urtë, pra! — vazhdonte profesori i indinjuar, duke fshirë ballin me shaminë që sapo e kishte nxjerrë nga kësula. — Sa për ju, i sapoardhur, do të ma kopjoni njëzet herë foljen ridiculus sum.6

Pastaj, me zë më të butë:

— Eh! Do ta gjeni, kasketën tuaj; s’jua ka vjedhur njeri!

Gjithçka u qetësua. Kokat u përkulën mbi dosjet, dhe i sapoardhuri ndenji dy orë me një sjellje shembullore, ndonëse herë pas here i vinte ndonjë topth letre, i hedhur me majë pene, dhe i spërkatej mbi fytyrë. Por ai fshihej me dorë dhe rrinte pa lëvizur, me sytë ulur.

Në mbrëmje, në studim, nxori nga banka mëngoret, i vuri në rregull gjërat e tij të vogla, i vizoi me kujdes letrat. E pamë që punonte me ndërgjegje, duke kërkuar të gjitha fjalët në fjalor dhe duke u munduar shumë. Ndoshta pikërisht këtij vullneti të mirë që tregoi i detyrohej që nuk e zbritën në klasën më poshtë; sepse, edhe pse rregullat i dinte disi, nuk kishte aspak hijeshi në ndërtimin e fjalive. Latinishten ia kishte nisur prifti i fshatit, pasi prindërit, për kursim, e kishin dërguar në kolegj sa më vonë që të ishte e mundur.

I ati, zoti Sharl-Deni-Bartolome Bovari, ish-ndihmëskirurg ushtarak, i ngatërruar rreth vitit 1812 në ca punë rekrutimesh7 dhe i detyruar asokohe ta linte shërbimin, kishte përfituar atëherë nga hiret e veta për të rrëmbyer në fluturim një prikë prej gjashtëdhjetë mijë frangash, që i dilte përpara në personin e së bijës së një tregtari çorapesh, e cila ishte dashuruar pas paraqitjes së tij. Burrë i pashëm, mburravec, që i kumbonte fort mamuzet, me favorite që i bashkoheshin me mustaqet, me gishtat gjithmonë plot unaza dhe i veshur me ngjyra që të vrisnin sytë, kishte pamjen e një trimi, me hovin e lehtë të një agjenti tregtar që bredh nëpër vende. Pasi u martua, jetoi dy-tre vjet me pasurinë e së shoqes, duke ngrënë mirë, duke u zgjuar vonë, duke pirë duhan me llulla të mëdha porcelani, duke u kthyer në mbrëmje vetëm pas teatrit dhe duke ndenjur nëpër kafene. I vjehrri vdiq dhe la pak gjë; ai u indinjua, u fut në punë fabrike, humbi aty ca para, pastaj u tërhoq në fshat, ku deshi ta punonte tokën vetë. Por, meqë nga bujqësia s’merrte vesh më shumë se nga basmat, meqë kuajt i kalëronte në vend që t’i çonte në parmendë, sidrin8 e pinte në shishe në vend që ta shiste me fuçi, hante shpendët më të mirë të oborrit dhe këpucët e gjahut i lyente me dhjamin e derrave të tij, nuk vonoi ta kuptonte se ishte më mirë t’i hiqte dorë çdo sipërmarrjeje.

Kështu, me dyqind franga në vit, gjeti të merrte me qira në një fshat, në kufi mes krahinës Ko9 dhe Pikardisë, një lloj banese gjysmë fermë, gjysmë shtëpi zotërie; dhe, i vrerosur, i brejtur nga pendimet, duke fajësuar qiellin, xheloz për gjithë botën, u mbyll aty që në moshën dyzet e pesë vjeç, i neveritur nga njerëzit, siç thoshte, dhe i vendosur të jetonte në paqe.

E shoqja kishte qenë dikur e çmendur pas tij; e kishte dashur me një mijë përulje, që e kishin larguar edhe më shumë prej saj. Gazmore dikur, e hapur dhe e gjitha dashuri, me plakjen ishte bërë (si vera e shpëlarë që kthehet në uthull) zemërngushtë, grindavece, nervoze. Sa kishte vuajtur, pa u ankuar, në fillim, kur e shihte të vraponte pas çdo femre të lehtë të fshatit dhe kur njëzet vende të këqija ia kthenin në mbrëmje, të ngopur e duke qelbur pije! Pastaj krenaria iu ngrit. Atëherë heshti, duke gëlltitur tërbimin në një stoicizëm të heshtur, që e ruajti deri në vdekje. Ishte gjithmonë në lëvizje, nëpër punë. Shkonte te avokatët, te gjykatësi, i kujtohej afati i kambialeve, merrte shtyrje; dhe në shtëpi hekuroste, qepte, lante, mbikëqyrte punëtorët, paguante faturat, ndërsa Zotëria, pa u shqetësuar për asgjë, i mpirë përherë në një përgjumje të vrerosur, nga e cila zgjohej vetëm për t’i thënë gjëra fyese, rrinte e pinte duhan në qoshe të vatrës, duke pështyrë në hi.

Kur i lindi një fëmijë, u desh ta jepnin te një tajë. Kur u kthye në shtëpi, çilimiun e përkëdhelën si një princ. E ëma e ushqente me reçel; i ati e linte të vraponte zbathur dhe, për t’u hequr si filozof, thoshte madje se mund të shkonte edhe lakuriq fare, si këlyshët e kafshëve. Kundër prirjeve të nënës, ai kishte në kokë njëfarë ideali burrëror të fëmijërisë, sipas të cilit përpiqej ta formonte të birin, duke dashur ta rritnin ashpër, si spartanët, që t’i bënte një trup të fortë. E dërgonte të flinte pa zjarr, e mësonte të pinte rum me gllënjka të mëdha dhe të shante procesionet. Por i vogli, i qetë nga natyra, u përgjigjej keq përpjekjeve të tij. E ëma e tërhiqte gjithmonë pas vetes; i priste figura prej kartoni, i tregonte përralla, bisedonte me të në monologë pa fund, plot gëzime melankolike dhe përkëdhelje llafazane. Në vetminë e jetës së saj, ajo hodhi mbi atë kokë fëmije gjithë kotësitë e saj të shpërndara, të thyera. Ëndërronte pozita të larta; e shihte tashmë të rritur, të bukur, mendjemprehtë, të vendosur mirë, në Urat dhe Rrugët10 ose në gjyqësi. E mësoi të lexonte, madje, në një piano të vjetër që kishte, e mësoi të këndonte dy-tri romanca të vogla. Por për gjithë këto, zoti Bovari, që s’e vriste mendjen për letërsinë, thoshte se s’ia vlente! A do të kishin vallë ndonjëherë mundësi ta mbanin në shkollat e qeverisë, t’i blinin një zyrë11 ose një dyqan? E pastaj, me pak paturpësi, një burrë ia del gjithmonë mbanë në botë. Zonja Bovari kafshonte buzët, dhe fëmija endej nëpër fshat.

Shkonte pas lëruesve dhe i ndiqte me plisa sorrat që fluturonin. Hante manaferra përgjatë hendeqeve, ruante gjelat e detit me një purtekë, kthente barin në kohë të korrjeve, vraponte nëpër pyll, luante rrasash nën portikun e kishës ditëve me shi dhe, në festat e mëdha, i lutej kambanarit ta linte t’u binte kambanave, që të varej me gjithë trup në litarin e madh e ta ndiente veten të ngritur prej tij në lëkundje.

Kështu u rrit si një lis. I dolën duar të forta dhe një ngjyrë e shëndetshme.

Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç, e ëma arriti të bënte që t’i fillonin mësimet. Ia ngarkuan priftit. Por mësimet ishin aq të shkurtra dhe aq të çrregullta, sa s’mund të vlenin për shumë gjë. Jepeshin në kohë të humbura, në sakristi, në këmbë, me nxitim, mes një pagëzimi dhe një varrimi; ose prifti dërgonte e thërriste nxënësin pas Angelusit,12 kur s’kishte për të dalë. Ngjiteshin në dhomën e tij, uleshin: mushkonjat dhe fluturat e natës vërtiteshin rreth qiriut. Bënte vapë, fëmijën e zinte gjumi; dhe plaku i mirë, duke u kotur me duart mbi bark, s’vononte të gërhiste me gojë hapur. Herë të tjera, kur zoti famullitar, duke u kthyer nga kungimi i fundit që i kishte dhënë ndonjë të sëmuri në rrethina, shihte Sharlin që bënte prapësira nëpër fushë, e thërriste, i mbante predikim një çerek ore dhe përfitonte nga rasti për ta bërë t’i zgjidhonte foljen nën një pemë. Shiu vinte e i ndërpriste, ose ndonjë i njohur që kalonte. Sidoqoftë, ai ishte gjithmonë i kënaqur me të, madje thoshte se djali kishte kujtesë të mirë.

Sharli s’mund të mbetej me kaq. Zonja u tregua e vendosur. I turpëruar, ose më mirë i lodhur, Zotëria u dorëzua pa kundërshtuar, dhe pritën edhe një vit që çuni të bënte kungimin e parë.

Kaluan edhe gjashtë muaj; dhe vitin tjetër Sharlin e dërguan përfundimisht në kolegjin e Ruanit, ku e çoi vetë i ati, nga fundi i tetorit, në kohën e panairit të Shën Romenit.

Sot do të ishte e pamundur që ndonjëri prej nesh të kujtonte ndonjë gjë për të. Ishte një djalë me temperament të matur, që luante në pushime, punonte në studim, dëgjonte në klasë, flinte mirë në fjetore, hante mirë në mensë. Kujdestar kishte një shitës hekurishtesh me shumicë në rrugën Gantëri, që e nxirrte jashtë një herë në muaj, të dielën, pasi mbyllte dyqanin, e dërgonte të shëtiste në port për të parë anijet, pastaj e kthente në kolegj që në orën shtatë, para darkës. Çdo të enjte në mbrëmje i shkruante së ëmës një letër të gjatë, me bojë të kuqe, dhe e mbyllte me tri vula; pastaj përsëriste fletoret e historisë ose lexonte një vëllim të vjetër të Anakarsisit13 që vërtitej nëpër sallën e studimit. Në shëtitje bisedonte me shërbëtorin, që ishte nga fshati si ai.

Duke u munduar, mbeti gjithmonë rreth mesit të klasës; një herë madje mori edhe një përmendje nderi në shkencat natyrore. Por në fund të klasës së tretë prindërit e tërhoqën nga kolegji për ta vënë të studionte mjekësi, të bindur se ai do të mund ta shtynte vetë deri te matura.

E ëma i zgjodhi një dhomë në katin e katërt, buzë Robekut,14 te një bojaxhi që e njihte. Ra në ujdi për ushqimin e tij, gjeti mobilje, një tryezë dhe dy karrige, solli nga shtëpia një shtrat të vjetër prej druri qershie dhe bleu për më tepër një stufë të vogël prej gize, bashkë me drutë që do ta ngrohnin të shkretin djalë. Pastaj iku në fund të javës, pas një mijë porosish që të sillej mirë, tani që do të mbetej në dorë të vetes.

Programi i kurseve, që e lexoi në afishe, i dha një si marramendje: kurs anatomie, kurs patologjie, kurs fiziologjie, kurs farmacie, kurs kimie, e botanike, e klinike, e terapeutike, pa llogaritur higjienën dhe njohjen e barnave, të gjithë emra që s’ua dinte prejardhjen dhe që ishin si po aq porta tempujsh plot errësirë madhështore.

Nuk kuptoi asgjë; sado që dëgjonte, s’kapte gjë. Megjithatë punonte, kishte fletore të lidhura, ndiqte të gjitha kurset; nuk humbiste asnjë vizitë në spital. E kryente detyrën e tij të vogël të përditshme si kali i mullirit, që vjen rrotull në vend me sy të lidhur, pa ditur se ç’bluan.

Për t’i kursyer shpenzimet, e ëma i dërgonte çdo javë, me karrocierin, një copë mish viçi të pjekur në furrë, me të cilin hante mëngjes kur kthehej nga spitali, duke përplasur këmbët pas murit për t’u ngrohur. Pastaj duhej të vraponte në mësime, në amfiteatër, në spitalin e të varfërve, dhe të kthehej në shtëpi, nëpër gjithë ato rrugë. Në mbrëmje, pas darkës së varfër të të zot të shtëpisë, ngjitej në dhomë dhe i hynte sërish punës, me rrobat e lagura që i avullonin mbi trup, para stufës së skuqur.

Në mbrëmjet e bukura të verës, në orën kur rrugët e vakëta janë bosh, kur shërbyeset luajnë me raketa në pragun e dyerve, ai hapte dritaren dhe mbështetej në bërryla. Lumi, që e bën këtë lagje të Ruanit si një Venecie të vogël e të ndyrë, rridhte poshtë, nën të, i verdhë, i purpurt ose blu, mes urave dhe parmakëve të tij. Punëtorë të kruspullosur në breg lanin krahët në ujë. Mbi hunj që dilnin nga papafingot, thaheshin në erë tufa fijesh pambuku. Përballë, përtej çative, shtrihej qielli i madh e i kulluar, me diellin e kuq që perëndonte. Sa mirë duhej të ishte atje! Ç’freski nën ahishte! Dhe ai hapte flegrat për të thithur aromat e mira të fshatit, që s’arrinin deri te ai.

U dobësua, shtati iu zgjat dhe fytyra i mori një si shprehje vuajtjeje, që e bëri gati interesante.

Natyrisht, nga shkujdesja, arriti ta zgjidhte veten nga të gjitha vendimet që kishte marrë. Një herë humbi vizitën, të nesërmen mësimin dhe, duke shijuar përtacinë, pak nga pak nuk shkoi më fare.

E zuri zakoni i pijetores, bashkë me pasionin për dominonë. Të mbyllej çdo mbrëmje në një sallë publike të ndyrë, për të përplasur mbi tryeza mermeri ca kocka të vogla deleje me pika të zeza, i dukej një akt i çmuar i lirisë së tij, që ia ngrinte vlerën në sytë e vetes. Ishte si hyrja në botë, qasja te kënaqësitë e ndaluara; dhe, kur hynte, e vinte dorën mbi dorezën e derës me një gëzim gati epshor. Atëherë shumë gjëra që i ishin ngjeshur përbrenda u çliruan; mësoi përmendsh kuplete që i këndonte në gostitë për të ardhurit e rinj, u entuziazmua pas Béranger-it,15 mësoi të bënte punç dhe njohu më në fund dashurinë.

Falë këtyre punimeve përgatitore, ra keqas në provimin për oficer shëndetësie.16 E prisnin po atë mbrëmje në shtëpi për të festuar suksesin.

U nis në këmbë dhe u ndal afër hyrjes së fshatit, ku dërgoi të thërrisnin të ëmën, dhe i tregoi gjithçka. Ajo e shfajësoi, duke ia hedhur fajin e dështimit padrejtësisë së ekzaminuesve, dhe i dha pak zemër, duke marrë përsipër t’i rregullonte punët. Vetëm pas pesë vjetësh zoti Bovari e mori vesh të vërtetën; tashmë ishte e vjetër, ai e pranoi, edhe sepse nuk mund të përfytyronte që një njeri i dalë prej tij të ishte budalla.

Sharli iu kthye pra punës dhe i përgatiti pa pushim lëndët e provimit, duke i mësuar përmendsh që përpara të gjitha pyetjet. E kaloi me një notë goxha të mirë. Ç’ditë e bukur për të ëmën! U shtrua një darkë e madhe.

Ku do ta ushtronte zanatin? Në Tost. Aty kishte vetëm një mjek plak. Prej kohësh zonja Bovari ia priste vdekjen, dhe plaku ende s’i kishte mbledhur plaçkat për rrugën e fundit, kur Sharli ishte vendosur përballë, si pasardhësi i tij.

Por s’mjaftonte ta kishte rritur të birin, ta kishte bërë të mësonte mjekësinë dhe t’i kishte gjetur Tostin për ta ushtruar: i duhej edhe një grua. Ajo i gjeti një: të venë e një përmbaruesi nga Diepi, që ishte dyzet e pesë vjeç dhe kishte një mijë e dyqind livra të ardhura në vit.17

Megjithëse ishte e shëmtuar, e thatë si shkarpë dhe e mbushur me puçrra si dega me sytha në pranverë, zonja Dybyk, sigurisht, nuk kishte mungesë kërkuesish për të zgjedhur. Që t’ia arrinte qëllimit, plaka Bovari u detyrua t’i largonte të gjithë, dhe madje i prishi me shumë mjeshtëri intrigat e një shitësi sallamesh që e mbështetnin priftërinjtë.

Sharli e kishte parë martesën si ardhjen e një gjendjeje më të mirë, duke kujtuar se do të ishte më i lirë dhe do të mund të bënte ç’të donte me veten dhe me paratë e tij. Por burri i shtëpisë doli e shoqja; ai duhej, para njerëzve, të thoshte këtë e të mos thoshte atë, të mos hante mish asnjë të premte, të vishej si t’ia donte qejfi asaj, të ngacmonte me urdhër të saj klientët që s’paguanin. Ajo ia hapte letrat, ia përgjonte hapat dhe e dëgjonte pas murit të hollë kur jepte vizitat në kabinet, në qoftë se kishte gra.

Asaj i duhej çokollata çdo mëngjes dhe kujdese pa mbarim. Ankohej pa pushim për nervat, për gjoksin, për të ligat e trupit. Zhurma e hapave i bënte keq; po ta linin vetëm, vetmia i bëhej e padurueshme; po t’i afroheshin, ishte, pa dyshim, për ta parë si vdiste. Në mbrëmje, kur Sharli kthehej, ajo nxirrte nga poshtë çarçafëve krahët e saj të gjatë e të thatë, ia hidhte rreth qafës dhe, pasi e ulte në buzë të shtratit, fillonte t’i fliste për hallet e saj: ai e harronte, ai donte një tjetër! Ia kishin thënë, pra, që do të ishte e pafat; dhe e mbyllte duke i kërkuar ndonjë shurup për shëndetin dhe pak më shumë dashuri.

Shënime

  1. Në shkollat e mesme franceze klasat numëroheshin së prapthi: nxënësit nisnin nga e teta a e shtata dhe mbaronin me retorikën dhe filozofinë. Klasa e pestë ishte ndër më të ultat, ndaj Sharli, pesëmbëdhjetë vjeç, është shumë më i madh se shokët. ↩︎

  2. Në arkitekturë, rendi kompozit është ai i kolonave që përziejnë elemente të rendeve jonik dhe korintik. Flaubert-i e huazon termin me ironi për këtë kapele të përzier nga të gjitha llojet. ↩︎

  3. Shapka (polonisht czapka): kapelë ushtarake me majë katrore, e ulanëve polakë, që e mbanin edhe kalorësit e lehtë francezë. ↩︎

  4. Emri dhe mbiemri, Charles Bovary, të shqiptuar me nxitim e të ngjitur bashkë. Për veshin francez tingëllon gati si charivari, „zallamahi“: zhurma e britmave, e fishkëllimave dhe e tenxhereve të rrahura me të cilën fshatarët dikur tallnin dikë nën dritare. Pikërisht kjo ndodh menjëherë pas në klasë. ↩︎

  5. Quos ego… (lat. „Ju, unë…!“): kërcënimi i lënë përgjysmë me të cilin Neptuni, te Eneida e Virgjilit, i qorton erërat dhe e qetëson menjëherë stuhinë. Çdo nxënës francez i kohës e njihte nga orët e latinishtes. ↩︎

  6. Lat. „jam qesharak“. Ndëshkimi është ta zgjedhojë foljen „jam“ në të gjitha kohët e vetat, gjithnjë bashkë me mbiemrin „qesharak“. ↩︎

  7. Në vitet e fundit të Perandorisë së Napoleonit, kur rekrutimi ishte i rëndë, ndodhte shpesh që mjekët ushtarakë të merrnin ryshfet për t’i shpallur të rinjtë të paaftë për ushtri. ↩︎

  8. Sidri: pije e lehtë alkoolike prej lëngu mollësh të fermentuar, pija e përditshme e fshatrave të Normandisë. ↩︎

  9. Ko (Pays de Caux): krahinë në Normandinë e Epërme, rrafshnaltë pjellore mes Ruanit, Havrit dhe Diepit. ↩︎

  10. Urat dhe Rrugët (Ponts et Chaussées): trupa shtetërore e inxhinierëve që ndërtonin dhe mirëmbanin rrugët, urat dhe kanalet e Francës. Ishte një karrierë e nderuar, për të cilën duhej një shkollë e lartë. ↩︎

  11. Në Francë disa profesione, si ai i noterit, i përmbaruesit ose i avokatit pranë një gjykate, ushtroheshin me një „zyrë“ (charge) që blihej me para nga ai që e kishte pasur më parë. ↩︎

  12. Angelus: lutja që katolikët e thonë tri herë në ditë, në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje, kur bie kambana e kishës. Këtu është fjala për atë të mbrëmjes. ↩︎

  13. Udhëtimi i Anakarsisit të ri në Greqi (1788), nga abati Barthélemy: libër i gjatë, gjysmë roman e gjysmë enciklopedi, mbi jetën në Greqinë e lashtë, që lexohej shumë nëpër shkolla. ↩︎

  14. Robeku: përrua i vogël që përshkon lagjet e varfra të Ruanit. Në brigjet e tij punonin bojaxhinjtë e pëlhurave, dhe uji i tij ndërronte ngjyrë sipas bojërave që derdhnin ata. ↩︎

  15. Pierre-Jean de Béranger (1780–1857): poet këngësh shumë popullor, i njohur për kupletet e tij liberale, antiklerikale dhe bonapartiste, që këndoheshin nëpër kafene dhe gosti. ↩︎

  16. Officier de santé: mjek i shkallës së dytë, që mund ta ushtronte profesionin pa doktoratë, pas studimesh më të shkurtra e më të lehta, dhe që nuk lejohej të bënte operacione të mëdha pa praninë e një doktori. Titulli u shfuqizua në Francë më 1892. ↩︎

  17. Livra ishte monedha e vjetër franceze, e zëvendësuar me frangun më 1795, por në provincë njerëzit vazhdonin t’i numëronin të ardhurat në livra. Një mijë e dyqind livra në vit ishin një e ardhur e mirë për një familje provinciale. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Zonja Bovari

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat