← Zonja Bovari

Pjesa e dytë — VIII · Zonja Bovari

Kapitulli 18 nga 36

Dhe erdhi, në të vërtetë, ai panair i famshëm! Që në mëngjesin e ditës solemne, të gjithë banorët, te dyert e tyre, flisnin për përgatitjet; fronteni i bashkisë ishte zbukuruar me kurora urthi; në një livadh ishte ngritur një tendë për gostinë, dhe në mes të sheshit, para kishës, një lloj topi i vogël do të lajmëronte mbërritjen e zotit prefekt dhe emrat e bujqve të fituar. Garda kombëtare e Byshit1 (në Jonvil s’kishte) kishte ardhur t’i bashkohej trupës së zjarrfikësve, kapiten i së cilës ishte Bine. Atë ditë kishte vënë një jakë edhe më të lartë se zakonisht; dhe, i shtrënguar në uniformë, e kishte trupin aq të ngurtë e të palëvizshëm, sa gjithë pjesa e gjallë e qenies së tij dukej se i kishte zbritur në dy këmbët, që ngriheshin me ritëm, me hapa të shënuar, me një lëvizje të vetme. Meqë mes tagrambledhësit dhe kolonelit vazhdonte një rivalitet, që të dy, për të treguar talentin e tyre, i stërvitnin veçmas njerëzit e tyre. Shihje të kalonin e të rikalonin me radhë spaletat e kuqe dhe gjoksoret e zeza. S’kishte të mbaruar dhe gjithmonë rifillonte! Kurrë s’ishte parë një shfaqje e tillë madhështie! Shumë qytetarë i kishin larë shtëpitë që një ditë më parë; flamuj trengjyrësh vareshin nga dritaret gjysmë të hapura; të gjitha pijetoret ishin plot; dhe, në kohën e bukur që bënte, kësulat e kollarisura, kryqet e arta dhe shamitë me ngjyra dukeshin më të bardha se bora, vezullonin në diellin e kthjellët dhe e gjallëronin me larminë e tyre të shpërndarë monotoninë e zymtë të redingotave dhe të bluzave blu të punës. Fermeret e rrethinave, kur zbritnin nga kali, hiqnin karficën e madhe që ua shtrëngonte rreth trupit fustanin e ngritur nga frika e njollave; ndërsa burrat, përkundrazi, për t’i ruajtur kapelat, mbanin përsipër shami xhepi, një cep të të cilave e kafshonin me dhëmbë.

Turma vinte në rrugën e madhe nga të dy anët e fshatit. Derdhej nga rrugicat, nga shtigjet, nga shtëpitë, dhe herë pas here dëgjohej çokja e dyerve që binte pas qytetareve me doreza fije, që dilnin të shihnin festën. Ajo që admirohej më shumë ishin dy tisa të gjata të mbuluara me fenerë, që rrinin anash një podiumi ku do të uleshin autoritetet; dhe, për më tepër, pas katër kolonave të bashkisë, ishin katër si purteka, secila me një flamur të vogël prej pëlhure të gjelbëremë, të pasuruar me mbishkrime me shkronja ari. Mbi njërin lexohej: „Tregtisë“; mbi tjetrin: „Bujqësisë“; mbi të tretin: „Industrisë“; dhe mbi të katërtin: „Arteve të Bukura“.

Por gëzimi që ua çelte të gjithëve fytyrat dukej se e vrenjte zonjën Lëfransua, të zonjën e hanit. Më këmbë në shkallët e kuzhinës, murmuriste nën mjekër:

— Ç’marrëzi! ç’marrëzi me atë barrakën e tyre prej pëlhure! Kujtojnë se prefektit do t’i pëlqejë të darkojë atje, nën një tendë, si ndonjë akrobat? Këto rrëmuja i quajnë të bëjnë të mirën e vendit! S’kishte nevojë, atëherë, të shkonin të merrnin një gjellëbërës në Nëfshatel! Dhe për kë? për lopçarë! për zbathuraqë!…

Kaloi farmacisti. Kishte veshur një frak të zi, pantallona nankini, këpucë kastori dhe, gjë e jashtëzakonshme, një kapelë, — një kapelë të ulët.

— Shërbëtori juaj! — tha; — më falni, jam me nxitim.

Dhe kur e veja e trashë e pyeti ku po shkonte:

— Ju duket e çuditshme, apo jo? Unë që rri gjithmonë më i mbyllur në laboratorin tim se miu i plakut në djathin e tij.2

— Ç’djathë? — bëri e zonja e hanit.

— Jo, asgjë! s’është gjë! — vazhdoi Ome. — Desha vetëm t’ju shpreh, zonja Lëfransua, se zakonisht rri krejt i mbyllur në shtëpi. Sot megjithatë, duke pasur parasysh rastin, duhet patjetër që…

— Ah! po shkoni atje? — tha ajo me pamje përbuzjeje.

— Po, po shkoj, — ia ktheu farmacisti i habitur; — a s’jam pjesë e komisionit këshillimor?

Nëna Lëfransua e shikoi disa minuta dhe përfundoi duke iu përgjigjur me buzëqeshje:

— Kjo është tjetër punë! Po ç’ju duhet juve bujqësia? Merrni vesh ju nga ajo?

— Sigurisht që marr vesh, meqë jam farmacist, domethënë kimist! Dhe kimia, zonja Lëfransua, duke pasur si objekt njohjen e veprimit të ndërsjellë dhe molekular të të gjithë trupave të natyrës, del që bujqësia përfshihet në fushën e saj! Dhe, në të vërtetë, përbërja e plehrave, fermentimi i lëngjeve, analiza e gazeve dhe ndikimi i miazmave, ç’është gjithë kjo, ju pyes, nëse jo kimi e pastër dhe e thjeshtë?

E zonja e hanit s’u përgjigj. Ome vazhdoi:

— Mos kujtoni se, për të qenë agronom, duhet ta kesh lëruar vetë tokën ose të kesh majmur vetë shpendët? Përkundrazi, duhet të njohësh përbërjen e lëndëve në fjalë, shtresat gjeologjike, veprimet atmosferike, cilësinë e tokave, të mineraleve, të ujërave, dendësinë e trupave të ndryshëm dhe kapilaritetin e tyre! ç’di unë? Dhe duhet t’i zotërosh në themel të gjitha parimet e higjienës, për të drejtuar, për të kritikuar ndërtimin e ndërtesave, regjimin e kafshëve, ushqimin e shërbëtorëve! duhet, zonja Lëfransua, të zotërosh edhe botanikën; të mund të dallosh bimët, a më kuptoni, cilat janë të shëndetshmet e cilat të dëmshmet, cilat joprodhueset e cilat ushqyeset, nëse është mirë t’i shkulësh këtu e t’i rimbjellësh atje, t’i shtosh disa e t’i shkatërrosh të tjerat; me një fjalë, duhet të jesh në rrjedhë të shkencës nëpërmjet broshurave dhe gazetave, të jesh gjithmonë në gatishmëri, që të tregosh përmirësimet…

E zonja e hanit s’i shqiste sytë nga dera e Kafenesë Franceze, dhe farmacisti vazhdoi:

— Dhëntë Zoti që bujqit tanë të ishin kimistë, ose të paktën t’i dëgjonin më shumë këshillat e shkencës! Kështu, unë kam shkruar së fundi një traktat të fortë, një memorie prej më shumë se shtatëdhjetë e dy faqesh, me titull: Mbi sidrin, prodhimin dhe efektet e tij; i ndjekur nga disa mendime të reja mbi këtë temë, që ia kam dërguar Shoqërisë Agronomike të Ruanit; gjë që më ka sjellë madje nderin të pranohem mes anëtarëve të saj, seksioni i bujqësisë, klasa e pomologjisë; e pra, sikur vepra ime t’i ishte dhënë publikut…

Por farmacisti u ndal, aq e shqetësuar dukej zonja Lëfransua.

— Shikojini, pra! — thoshte ajo, — s’kupton gjë! një gjellëtore e tillë!

Dhe, duke ngritur supet sa i tërhiqte mbi gjoks syzat e trikos, tregonte me të dyja duart pijetoren e rivalit të saj, prej nga dilnin atëherë këngë.

— Sidoqoftë, s’i ka mbetur shumë, — shtoi ajo; — para tetë ditësh, gjithçka mbaron.

Ome u tërhoq nga habia. Ajo zbriti tri shkallët dhe, duke i folur në vesh:

— Si! s’e dini? Do t’ia sekuestrojnë këtë javë. Është Lëroi që po ia nxjerr në shitje. E ka vrarë me kambiale.

— Ç’katastrofë e tmerrshme! — thirri farmacisti, që kishte gjithmonë shprehje të përshtatshme për të gjitha rrethanat e imagjinueshme.

E zonja e hanit nisi t’ia tregonte atëherë këtë histori, që e dinte nga Teodori, shërbëtori i zotit Gijomen, dhe, megjithëse e urrente Telienë, e fajësonte Lëroin. Ishte një mashtrues, një zvarranik…

— Ah! shikoni, — tha, — ja ku është nën treg; po përshëndet zonjën Bovari, që ka kapelë të gjelbër. Ajo madje është krah për krah me zotin Bulanzhe.

— Zonja Bovari! — bëri Ome. — Po nxitoj të shkoj t’i paraqes nderimet. Ndoshta do të jetë e kënaqur të ketë një vend në mjedisin e rezervuar, nën portik.

Dhe, pa e dëgjuar nënën Lëfransua, që e thërriste t’i tregonte më shumë, farmacisti u largua me hap të shpejtë, me buzëqeshje në buzë e këmbë të tendosur, duke shpërndarë djathtas e majtas një mori përshëndetjesh dhe duke zënë shumë vend me polat e mëdha të frakut të zi, që valëviteshin në erë pas tij.

Rodolfi, që e kishte parë që larg, e kishte shpejtuar hapin; por zonjës Bovari iu mor fryma; ndaj ai e ngadalësoi dhe i tha duke buzëqeshur, me ton të vrazhdë:

— Është për t’i shpëtuar atij të trashit: e dini, farmacistit.

Ajo i dha një bërryl.

„Ç’do të thotë kjo?“ — pyeti veten ai.

Dhe e vështroi me bisht të syrit, duke vazhduar të ecte.

Profili i saj ishte aq i qetë, sa s’merrej vesh asgjë prej tij. Dallohej në dritë të plotë, në ovalin e kapelës, që kishte shirita të zbehtë si gjethe kallami. Sytë e saj me qerpikë të gjatë të përkulur shikonin përpara, dhe, megjithëse ishin hapur mirë, dukeshin paksa të ngushtuar nga mollëzat, për shkak të gjakut që rrihte butë nën lëkurën e saj të hollë. Një ngjyrë rozë i përshkonte pjesën mes flegrave. E përkulte kokën mbi sup, dhe mes buzëve i shihje majën sedefi të dhëmbëve të bardhë.

„Mos po tallet me mua?“ — mendonte Rodolfi.

Megjithatë, ai gjest i Emës kishte qenë vetëm një paralajmërim; sepse zoti Lëro po i shoqëronte dhe u fliste herë pas here, si për të hyrë në bisedë:

— Ç’ditë e mrekullueshme! të gjithë janë jashtë! erërat janë nga lindja.

Dhe as zonja Bovari, as Rodolfi s’i përgjigjeshin, ndërsa ai, në lëvizjen më të vogël që bënin ata, afrohej duke thënë: „Urdhëroni?“ dhe çonte dorën te kapela.

Kur arritën para shtëpisë së nallbanit, në vend që të ndiqnin rrugën deri te porta, Rodolfi, befas, mori një shteg, duke tërhequr me vete zonjën Bovari; thirri:

— Mirëmbrëma, zoti Lëro! gëzohemi!

— Si e përzutë! — tha ajo duke qeshur.

— Pse, — vazhdoi ai, — ta lësh veten të pushtohesh nga të tjerët? dhe, meqë sot kam lumturinë të jem me ju…

Ema u skuq. Ai nuk e mbaroi fjalinë. Atëherë foli për kohën e bukur dhe për kënaqësinë e të ecurit mbi bar. Kishin mbirë sërish disa margarita.

— Ja ca luleshqerra të hijshme, — tha, — që mjaftojnë për t’u dhënë fall gjithë të dashuruarave të vendit.

Shtoi:

— Sikur të këpusja ca? Ç’thoni?

— Mos jeni i dashuruar? — bëri ajo duke u kollitur pak.

— Eh! eh! kush e di? — u përgjigj Rodolfi.

Livadhi kishte nisur të mbushej, dhe gratë e shtëpisë të përplaseshin me çadrat e tyre të mëdha, me shportat dhe me kalamajtë. Shpesh duhej t’u hapje rrugë vargjeve të gjata fshataresh, shërbyese me çorape blu, me këpucë të sheshta, me unaza argjendi, që vinin erë qumësht kur kaloje pranë tyre. Ecnin duke u mbajtur për dore dhe kështu shtriheshin në gjithë gjatësinë e livadhit, nga vargu i plepave deri te tenda e gostisë. Por ishte çasti i vlerësimit, dhe bujqit, njëri pas tjetrit, hynin në një lloj hipodromi që e formonte një litar i gjatë i mbajtur nga shkopinj.

Kafshët ishin aty, me hundën nga spangoja, duke rreshtuar rrëmujshëm vithet e tyre të pabarabarta. Derra të përgjumur e fusnin turinjtë në dhé; viçat pëllisnin; delet blegërinin; lopët, me njërën këmbë të përkulur, e shtrinin barkun mbi bar dhe, duke përtypur ngadalë, mbyllnin e hapnin qepallat e rënda nën mushkonjat që gumëzhinin rreth tyre. Karrocierë me krahë të zhveshur mbanin nga kapistra hamshorë të ngritur mbi këmbët e pasme, që hingëllinin me gjithë flegra drejt pelave. Ato rrinin të qeta, duke zgjatur kokën me jelen të varur, ndërsa mëzat pushonin në hijen e tyre ose vinin herë-herë t’u pinin gji; dhe mbi valëzimin e gjatë të gjithë atyre trupave të ngjeshur, shihje të ngrihej në erë, si një valë, ndonjë jele e bardhë, ose të dilnin brirë të mprehtë dhe koka burrash që vraponin. Mënjanë, jashtë gardhit, njëqind hapa më tutje, ishte një dem i madh i zi me turizë, me një rreth hekuri në hundë, që nuk lëvizte më shumë se një kafshë prej bronzi. E mbante me një litar një fëmijë me lecka.

Ndërkaq, mes dy rreshtave, ecnin me hap të rëndë disa zotërinj, duke shqyrtuar çdo kafshë, pastaj këshilloheshin me zë të ulët. Njëri prej tyre, që dukej më i rëndësishëm, mbante shënime në një album ndërsa ecte. Ishte kryetari i jurisë: zoti Dërozërè de La Panvil. Sapo e njohu Rodolfin, u afrua me gjallëri dhe i tha duke buzëqeshur me pamje të dashur:

— Si, zoti Bulanzhe, na braktisni?

Rodolfi u betua se do të vinte, por kur kryetari u zhduk:

— Për besë, jo, — vazhdoi, — s’do të shkoj; shoqëria juaj vlen më shumë se e tij.

Dhe, ndërsa tallej me panairin, Rodolfi, për të qarkulluar më lirshëm, i tregonte xhandarit biletën e tij blu, madje ndalej ndonjëherë para ndonjë kafshe të bukur, që zonja Bovari nuk e admironte fare. Ai e vuri re këtë dhe atëherë nisi të bënte shaka me zonjat e Jonvilit, për veshjen e tyre; pastaj kërkoi falje për shkujdesjen e veshjes së vet. Kjo kishte atë mospërputhje sendesh të zakonshme e të kërkuara, ku njerëzit e rëndomtë zakonisht kujtojnë se shohin zbulimin e një jete të çuditshme, çrregullimet e ndjenjës, tiranitë e artit, dhe gjithmonë njëfarë përbuzjeje për rregullat e shoqërisë, gjë që i josh ose i tërbon. Kështu, këmisha e tij prej batisti me mansheta të rrudhosura fryhej sipas erës në hapjen e jelekut, që ishte prej pëlhure gri, dhe pantallonat me vija të gjera i zbulonin te kyçet çizmet prej nankini, me lëkurë të llakuar përreth. Ishin aq të llakuara, sa bari pasqyrohej në to. Me to shkelte nëpër baglat e kuajve, me njërën dorë në xhepin e xhaketës dhe me kapelën e kashtës mënjanë.

— E pastaj, — shtoi, — kur banon në fshat…

— Çdo mundim shkon dëm, — tha Ema.

— Është e vërtetë! — ia ktheu Rodolfi. — Ta mendosh që asnjë nga këta njerëz të mirë s’është në gjendje të kuptojë qoftë edhe prerjen e një rrobe!

Atëherë folën për mediokritetin e provincës, për jetët që mbyste, për iluzionet që humbisnin aty.

— Prandaj, — thoshte Rodolfi, — zhytem në një trishtim…

— Ju! — bëri ajo e habitur. — Po unë ju kujtoja shumë të gëzuar?

— Ah! po, në dukje, sepse mes njerëzve di të vë mbi fytyrë një maskë tallëse; e megjithatë sa herë, kur shoh një varrezë nën dritën e hënës, e kam pyetur veten nëse s’do të bëja më mirë të shkoja e të bashkohesha me ata që flenë…

— Oh! Po miqtë tuaj? — tha ajo. — Për ta s’mendoni.

— Miqtë e mi? cilët, pra? a kam? Kush shqetësohet për mua?

Dhe i shoqëroi këto fjalë të fundit me një si fishkëllimë mes buzëve.

Por u detyruan të largoheshin nga njëri-tjetri, për shkak të një grumbulli të madh karrigesh që një burrë po mbante pas tyre. Ishte aq i ngarkuar, sa i dukej vetëm maja e nallaneve dhe majat e dy krahëve, të hapur drejt. Ishte Lestibudua, varrmihësi, që bartte nëpër turmë karriget e kishës. Plot imagjinatë për gjithçka që kishte të bënte me interesat e tij, e kishte gjetur këtë mënyrë për të nxjerrë fitim nga panairi; dhe ideja i dilte mbarë, sepse s’dinte më kujt t’i përgjigjej. Në të vërtetë, fshatarët, që kishin vapë, i grindeshin për këto ndenjëse, kashta e të cilave vinte erë temjan, dhe mbështeteshin pas mbështetëseve të tyre të trasha, të ndotura nga dylli i qirinjve, me njëfarë nderimi.

Zonja Bovari e mori sërish krahun e Rodolfit; ai vazhdoi si të fliste me vete:

— Po! sa gjëra më kanë munguar! gjithmonë vetëm! Ah! sikur të kisha pasur një qëllim në jetë, sikur të kisha takuar një dashuri, sikur të kisha gjetur dikë… Oh! si do ta kisha shpenzuar gjithë energjinë që kam, do t’i kisha kapërcyer të gjitha, do t’i kisha thyer të gjitha!

— Megjithatë më duket, — tha Ema, — se s’jeni aspak për t’u mëshiruar.

— Ah! ashtu mendoni? — bëri Rodolfi.

— Sepse në fund të fundit…, — vazhdoi ajo, — jeni i lirë.

Ngurroi:

— I pasur.

— Mos u tallni me mua, — u përgjigj ai.

Dhe ajo betohej se nuk po tallej, kur kumboi një e shtënë topi; menjëherë njerëzit u shtynë, rrëmujë, drejt fshatit.

Ishte alarm i rremë. Zoti prefekt s’po vinte; dhe anëtarët e jurisë ishin shumë në siklet, pa ditur nëse duhej të fillonin seancën apo të prisnin edhe pak.

Më në fund, në fund të sheshit, u shfaq një karrocë e madhe me qira, e tërhequr nga dy kuaj të dobët, që i fshikullonte me sa kishte fuqi një karrocier me kapelë të bardhë. Bine pati kohë vetëm të bërtiste: „Armët!“ dhe koloneli ta imitonte. Vrapuan te pushkët e ngritura grumbull. U turrën. Disa madje harruan jakën. Por karroca e prefekturës dukej sikur e mori me mend këtë siklet, dhe dy gërdallat e mbrehura bashkë, duke u lëkundur mbi zinxhirin e tyre, mbërritën me trok të ngadaltë para portikut të bashkisë, pikërisht në çastin kur garda kombëtare dhe zjarrfikësit po rreshtoheshin aty, me daulle që binin e duke shënuar hapin.

— Në vend numëro! — bërtiti Bine.

— Ndal! — bërtiti koloneli. — Në kolonë, majtas!

Dhe, pas një përshëndetjeje me armë, ku kërcitja e unazave të pushkëve, duke u shpalosur, tingëlloi si një kazan bakri që rrokulliset nëpër shkallë, të gjitha pushkët ranë.

Atëherë panë të zbriste nga karroca një zotëri i veshur me një frak të shkurtër me qëndisma argjendi, tullac në ballë, me një tufë flokësh në zverk, me ngjyrë të zbehtë dhe me pamjen më të butë. Dy sytë e tij, shumë të mëdhenj e të mbuluar me qepalla të trasha, mbylleshin përgjysmë për të parë turmën, ndërsa ngrinte hundën e tij me majë dhe e bënte të buzëqeshte gojën e futur brenda. E njohu kryetarin e bashkisë nga shiriti në brez dhe i shpjegoi se zoti prefekt s’kishte mundur të vinte. Ai vetë ishte këshilltar i prefekturës; pastaj shtoi disa fjalë falje. Tyvashi u përgjigj me mirësjellje, tjetri u rrëfye i hutuar; dhe kështu qëndronin, ballë për ballë, me ballët gati të prekur, me anëtarët e jurisë rreth e qark, këshillin bashkiak, parinë, gardën kombëtare dhe turmën. Zoti këshilltar, duke mbështetur pas gjoksit kapelën e tij të vogël trecepëshe të zezë, i përsëriste përshëndetjet, ndërsa Tyvashi, i përkulur si hark, buzëqeshte edhe ai, belbëzonte, kërkonte fjalitë, deklaronte përkushtimin e tij ndaj monarkisë dhe nderin që i bëhej Jonvilit.

Ipoliti, djali i hanit, erdhi e mori nga freri kuajt e karrocierit, dhe, duke çaluar me këmbën e tij të shtrembër, i çoi nën strehën e Luanit të Artë, ku shumë fshatarë u mblodhën të shihnin karrocën. Daullja ra, topi kumboi, dhe zotërinjtë në rresht u ngjitën të uleshin në podium, në kolltukët prej kadifeje të kuqe që kishte dhënë hua zonja Tyvash.

Të gjithë këta njerëz i ngjanin njëri-tjetrit. Fytyrat e tyre të buta e bjonde, pak të nxira nga dielli, kishin ngjyrën e sidrit të ëmbël, dhe favoritet e tyre të fryra dilnin nga jaka të mëdha të ngurta, që i mbanin kravata të bardha me fjongo të shtrirë mirë. Të gjithë jeleqet ishin prej kadifeje, me jakë shall; të gjitha orët kishin në fund të një shiriti të gjatë ndonjë vulë vezake prej kornalini; dhe secili i mbante të dyja duart mbi të dy kofshët, duke hapur me kujdes mesin e pantallonave, stofi i ri i të cilave shkëlqente më shumë se lëkura e çizmeve të rënda.

Zonjat e shoqërisë rrinin pas, në holl, mes kolonave, ndërsa populli i thjeshtë ishte përballë, më këmbë ose i ulur në karrige. Në të vërtetë, Lestibudua kishte sjellë aty të gjitha ato që kishte bartur nga livadhi, madje vraponte çdo minutë të merrte të tjera në kishë, dhe me tregtinë e tij shkaktonte një rrëmujë të tillë, sa mezi arrije te shkallët e vogla të podiumit.

— Unë mendoj, — tha zoti Lëro (duke iu drejtuar farmacistit, që po kalonte për të zënë vendin e tij), — që do të duhej të ishin ngulur këtu dy shtylla veneciane: me diçka pak të rëndë e të pasur, si stofrat e modës, do të kishte qenë një pamje shumë e bukur.

— Sigurisht, — u përgjigj Ome. — Por, ç’të bësh! kryetari i ka marrë të gjitha mbi vete. S’ka shumë shije, i shkreti Tyvash, madje i mungon krejt ajo që quhet gjeniu i arteve.

Ndërkaq Rodolfi, me zonjën Bovari, ishte ngjitur në katin e parë të bashkisë, në sallën e mbledhjeve, dhe, meqë ishte bosh, kishte thënë se aty do të rrinin mirë për ta shijuar më lirshëm spektaklin. Mori tri stola rreth tryezës vezake, nën bustin e monarkut, dhe, pasi i afroi te njëra nga dritaret, u ulën pranë njëri-tjetrit.

Në podium pati një lëvizje, pëshpëritje të gjata, bisedime. Më në fund, zoti Këshilltar u ngrit. Tani dihej se quhej Lievën, dhe emri i tij përsëritej nga njëri te tjetri nëpër turmë. Pasi i radhiti disa fletë dhe vuri syrin sipër tyre që të shihte më mirë, filloi:

„Zotërinj,

Më lejoni së pari (para se t’ju flas për qëllimin e kësaj mbledhjeje të sotme, dhe kjo ndjenjë, jam i sigurt, do të ndahet nga të gjithë ju), më lejoni, them, t’i bëj drejtësi administratës së lartë, qeverisë, monarkut, zotërinj, sovranit tonë, këtij mbreti të dashur, për të cilin asnjë degë e mbarëvajtjes publike apo private nuk është e parëndësishme, dhe që drejton njëkohësisht me një dorë kaq të fortë e kaq të urtë karrocën e Shtetit mes rreziqeve të pandërprera të një deti të trazuar, duke ditur, nga ana tjetër, të bëjë të respektohen paqja si edhe lufta, industria, tregtia, bujqësia dhe artet e bukura.“

— Do të duhej, — tha Rodolfi, — të tërhiqesha pak prapa.

— Pse? — tha Ema.

Por, në atë çast, zëri i Këshilltarit u ngrit në një ton të jashtëzakonshëm. Deklamonte:

„Ka kaluar koha, zotërinj, kur grindjet civile i përgjakeshin sheshet tona publike, kur pronari, tregtari, madje edhe punëtori, duke rënë në mbrëmje në një gjumë të qetë, dridheshin se mos zgjoheshin befas nga zhurma e kambanave të alarmit, kur parimet më përmbysëse gërryenin me guxim themelet…“

— Sepse mund të më shohin, — vazhdoi Rodolfi, — nga poshtë; pastaj do të më duhej të kërkoja falje për pesëmbëdhjetë ditë, dhe, me famën time të keqe…

— Oh! po shpifni për veten, — tha Ema.

— Jo, jo, është e neveritshme, ju betohem.

„Por, zotërinj, — vazhdonte Këshilltari, — nëse, duke i larguar nga kujtesa këto tablo të zymta, i kthej sytë nga gjendja e tanishme e atdheut tonë të bukur: ç’shoh? Kudo lulëzojnë tregtia dhe artet; kudo rrugë të reja komunikimi, si po aq arterie të reja në trupin e Shtetit, krijojnë marrëdhënie të reja; qendrat tona të mëdha prodhuese e kanë rifilluar veprimtarinë; feja, më e forcuar, u buzëqesh të gjitha zemrave; portet tona janë plot, besimi rilind, dhe më në fund Franca merr frymë!…“

— Sidoqoftë, — shtoi Rodolfi, — ndoshta, nga pikëpamja e botës, kanë të drejtë?

— Si kështu? — bëri ajo.

— Si! — tha ai, — a s’e dini që ka shpirtra të munduar pa pushim? U duhen me radhë ëndrra dhe veprimi, pasionet më të pastra, kënaqësitë më të tërbuara, dhe kështu hidhesh në lloj-lloj tekash, marrëzish.

Atëherë ajo e shikoi siç sodit një udhëtar që ka kaluar nëpër vende të jashtëzakonshme, dhe vazhdoi:

— Ne s’e kemi as këtë argëtim, ne gratë e shkreta!

— Argëtim i trishtë, sepse aty s’e gjen lumturinë.

— Po a e gjen ndonjëherë? — pyeti ajo.

— Po, një ditë të del përpara, — u përgjigj ai.

„Dhe këtë e keni kuptuar ju, — thoshte Këshilltari. — Ju, bujq dhe punëtorë të fshatrave; ju, pionierë paqësorë të një vepre krejt qytetëruese! ju, njerëz të përparimit dhe të moralit! e keni kuptuar, them, se stuhitë politike janë vërtet edhe më të frikshme se trazirat e atmosferës…“

— Një ditë të del përpara, — përsëriti Rodolfi, — një ditë, befas, kur kishe humbur shpresën. Atëherë hapen horizonte, është si një zë që thërret: „Ja ku është!“ Ndien nevojën t’i rrëfesh jetën tënde atij personi; t’i japësh gjithçka, t’i sakrifikosh gjithçka! S’shpjegohesh, e merr me mend njëri-tjetrin. E ke parë njëri-tjetrin në ëndrra. (Dhe ai e shikonte.) Më në fund, është aty, ai thesar që e ke kërkuar aq shumë, aty, para teje; shkëlqen, vezullon. Megjithatë ende dyshon, s’guxon ta besosh; mbetesh i verbuar, si të dilje nga errësira në dritë.

Dhe, duke mbaruar këto fjalë, Rodolfi i shtoi fjalisë pantomimën. Kaloi dorën mbi fytyrë, si një njeri që i merren mendtë; pastaj e la të binte mbi dorën e Emës. Ajo e tërhoqi të sajën. Por Këshilltari vazhdonte të lexonte:

„Dhe kush do të habitej, zotërinj? Vetëm ai që do të ishte aq i verbër, aq i zhytur (nuk kam frikë ta them), aq i zhytur në paragjykimet e një kohe tjetër, sa të mos e njihte ende shpirtin e popullsive bujqësore. Ku të gjesh, në të vërtetë, më shumë patriotizëm se nëpër fshatra, më shumë përkushtim ndaj çështjes publike, më shumë inteligjencë, me një fjalë? Dhe nuk e kam fjalën, zotërinj, për atë inteligjencë sipërfaqësore, stoli të kotë të mendjeve përtace, por për më shumë nga ajo inteligjencë e thellë e e matur, që merret mbi të gjitha me ndjekjen e qëllimeve të dobishme, duke ndihmuar kështu të mirën e secilit, përmirësimin e përbashkët dhe mbështetjen e Shteteve, fryt i respektit për ligjet dhe i përmbushjes së detyrave…“

— Ah! prapë, — tha Rodolfi. — Gjithmonë detyrat, më kanë mbytur këto fjalë. Janë një tufë pleqsh të matufosur me jelek fanelle, dhe devotesh me mangall këmbësh e me rruzare, që na këndojnë pa pushim në vesh: „Detyra! detyra!“ Eh! për besë! detyra është të ndiesh atë që është e madhe, të duash atë që është e bukur, dhe jo të pranosh të gjitha rregullat e shoqërisë, me poshtërsitë që ajo na imponon.

— Megjithatë…, megjithatë…, — kundërshtonte zonja Bovari.

— Eh, jo! pse të flasësh kundër pasioneve? A s’janë ato e vetmja gjë e bukur që ka mbi tokë, burimi i heroizmit, i entuziazmit, i poezisë, i muzikës, i arteve, i gjithçkaje, me një fjalë?

— Por duhet, — tha Ema, — të ndjekësh pak mendimin e botës dhe t’i bindesh moralit të saj.

— Ah! sepse ka dy, — ia ktheu ai. — I vogli, i rëndomti, ai i njerëzve, ai që ndryshon pa pushim dhe që bërtet kaq fort, lëviz poshtë, përdhe, si ky grumbull budallenjsh që shihni. Por tjetri, i përjetshmi, është rreth e rrotull dhe sipër, si peizazhi që na rrethon dhe qielli blu që na ndriçon.

Zoti Lievën sapo kishte fshirë gojën me shaminë e xhepit. Vazhdoi:

„Dhe ç’nevojë kam, zotërinj, t’ju tregoj këtu dobinë e bujqësisë? Kush i plotëson nevojat tona? kush na siguron jetesën? A s’është bujku? Bujku, zotërinj, i cili, duke mbjellë me dorë punëtore brazdat pjellore të fshatrave, bën të lindë gruri, i cili, i bluar, bëhet pluhur me anë aparatesh të zgjuara, del prej tyre me emrin miell, dhe që andej, i çuar nëpër qytete, shpejt i dorëzohet furrtarit, i cili bën prej tij një ushqim si për të varfrin ashtu edhe për të pasurin. A s’është përsëri bujku ai që majm, për veshjet tona, kopetë e tij të shumta nëpër kullota? Sepse si do të visheshim, sepse si do të ushqeheshim pa bujkun? Madje, zotërinj, a ka nevojë të shkojmë kaq larg për të kërkuar shembuj? Kush s’ka menduar shpesh për gjithë rëndësinë që nxjerrim nga ajo kafshë e thjeshtë, stoli e kotecëve tanë, që na jep njëherësh një jastëk të butë për shtretërit tanë, mishin e saj të shijshëm për tryezat tona, dhe vezë? Por s’do të mbaroja kurrë, po të duhej t’i numëroja njërin pas tjetrit prodhimet e ndryshme që toka e punuar mirë, si një nënë bujare, ua jep pa kursim fëmijëve të saj. Këtu është hardhia; gjetiu, mollët e sidrit; atje, kolza; më tej, djathërat; dhe liri; zotërinj, mos ta harrojmë lirin! i cili ka marrë këto vitet e fundit një zhvillim të madh dhe mbi të cilin do t’ju tërheq në mënyrë të veçantë vëmendjen.“

S’kishte nevojë ta tërhiqte: sepse të gjitha gojët e turmës rrinin hapur, si për t’i pirë fjalët e tij. Tyvashi, pranë tij, e dëgjonte duke zgurdulluar sytë; zoti Dërozërè, herë pas here, mbyllte butë qepallat; dhe më tej, farmacisti, me të birin Napoleonin mes këmbëve, e bënte grusht dorën pas veshit që të mos i humbiste asnjë rrokje. Anëtarët e tjerë të jurisë tundnin ngadalë mjekrën në jelek, në shenjë miratimi. Zjarrfikësit, poshtë podiumit, pushonin mbi bajonetat e tyre; dhe Bine, pa lëvizur, mbetej me bërrylin jashtë e me majën e shpatës përpjetë. Ndoshta dëgjonte, por s’duhej të shihte asgjë, për shkak të strehës së përkrenares që i zbriste mbi hundë. Togeri i tij, djali i vogël i zotërisë Tyvash, e kishte tepruar edhe më me të vetën; sepse mbante një përkrenare të stërmadhe që i lëkundej në kokë, duke lënë të dilte një cep i shamisë së tij prej basme. Nën të buzëqeshte me një ëmbëlsi krejt fëminore, dhe fytyra e tij e vogël e zbehtë, ku rridhnin pika djerse, kishte një shprehje kënaqësie, rraskapitjeje dhe gjumi.

Sheshi deri te shtëpitë ishte plot me njerëz. Shihje njerëz të mbështetur në të gjitha dritaret, të tjerë më këmbë në të gjitha dyert, dhe Zhysteni, para vitrinës së farmacisë, dukej krejt i ngulur në soditjen e asaj që shikonte. Pavarësisht nga heshtja, zëri i zotit Lievën humbiste në ajër. Të vinte copa-copa fjalish, që i ndërpriste, aty-këtu, zhurma e karrigeve në turmë; pastaj dëgjoje befas pas teje një pëllitje të gjatë kau, ose blegërimat e qengjave që i përgjigjeshin njëri-tjetrit nëpër qoshet e rrugëve. Në të vërtetë, lopçarët dhe barinjtë i kishin shtyrë kafshët deri aty, dhe ato pëllisnin herë pas here, ndërsa shkulnin me gjuhë ndonjë grimë gjetheje që u varej mbi turi.

Rodolfi i ishte afruar Emës dhe i thoshte me zë të ulët, duke folur shpejt:

— A s’ju revolton ky komplot i botës? A ka qoftë edhe një ndjenjë që ajo s’e dënon? Instinktet më fisnike, simpatitë më të pastra përndiqen, shpifen, dhe, nëse më në fund takohen dy shpirtra të shkretë, gjithçka është organizuar që të mos bashkohen dot. Megjithatë do të përpiqen, do të rrahin krahët, do ta thërrasin njëri-tjetrin. Oh! s’ka rëndësi, herët a vonë, pas gjashtë muajsh, pas dhjetë vjetësh, do të bashkohen, do ta duan njëri-tjetrin, sepse kështu e do fati dhe sepse kanë lindur njëri për tjetrin.

Mbante krahët e kryqëzuar mbi gjunjë dhe kështu, duke ngritur fytyrën drejt Emës, e shikonte nga afër, ngultas. Ajo dallonte në sytë e tij rreze të vogla ari që rrezatonin rreth bebëzave të zeza, madje ndiente aromën e pomadës që ia shndriste flokët. Atëherë e kapi një plogështi, iu kujtua ai vikont që e kishte bërë të kërcente vals në Vobiesar, dhe mjekra e të cilit lëshonte, si këta flokë, atë erë vanilje e limoni; dhe, pa e ditur, i mbylli përgjysmë qepallat që ta thithte më mirë. Por, në këtë lëvizje që bëri duke u harkuar në karrige, pa larg, në fund fare të horizontit, karrocën e vjetër, Dallëndyshen, që zbriste ngadalë bregoren e Lëve, duke tërhequr pas vetes një tufë të gjatë pluhuri. Ishte me këtë karrocë të verdhë që Leoni, kaq shpesh, ishte kthyer te ajo; dhe nëpër atë rrugë atje ishte nisur përgjithmonë! Iu duk se e pa përballë, në dritaren e tij; pastaj gjithçka u ngatërrua, kaluan re; iu duk se po sillej ende në vals, nën dritën e llambadarëve, në krahët e vikontit, dhe se Leoni s’ishte larg, se do të vinte… e megjithatë ndiente gjithmonë kokën e Rodolfit pranë vetes. Ëmbëlsia e kësaj ndjesie depërtonte kështu në dëshirat e saj të dikurshme, dhe, si kokrra rëre nën një shkulm ere, ato vërtiteshin në valën e hollë të aromës që i përhapej mbi shpirt. I hapi flegrat disa herë, fort, për të thithur freskinë e urthit rreth kapiteleve. Hoqi dorezat, fshiu duart; pastaj, me shaminë, i bënte erë fytyrës, ndërsa përmes rrahjes së tëmthave dëgjonte zhurmën e turmës dhe zërin e Këshilltarit që këndonte fjalitë e tij si psalme.

Ai thoshte:

„Vazhdoni! ngulmoni! mos dëgjoni as sugjerimet e rutinës, as këshillat tepër të nxituara të një empirizmi të pamatur! Përpiquni sidomos për përmirësimin e tokës, për plehrat e mira, për zhvillimin e racave të kuajve, të gjedhëve, të deleve dhe të derrave! Le të jetë ky panair për ju si arena paqësore ku fituesi, duke dalë, t’i zgjasë dorën të mundurit dhe të vëllazërohet me të, me shpresën e një suksesi më të mirë! Dhe ju, shërbëtorë të nderuar! shërbyes të përulur, mundimet e rënda të të cilëve asnjë qeveri deri sot s’i kishte marrë parasysh, ejani të merrni shpërblimin e virtyteve tuaja të heshtura, dhe jini të bindur se shteti, tani e tutje, i ka sytë të ngulur mbi ju, se ju inkurajon, se ju mbron, se do t’i plotësojë kërkesat tuaja të drejta dhe do ta lehtësojë, me sa të mundet, barrën e sakrificave tuaja të rënda!“

Zoti Lievën u ul atëherë; u ngrit zoti Dërozërè, duke nisur një fjalim tjetër. I tiji ndoshta s’qe aq i lulëzuar sa ai i Këshilltarit; por shquhej nga një stil më praktik, domethënë nga njohuri më të specializuara dhe nga mendime më të larta. Kështu, lavdërimi i qeverisë zinte më pak vend aty; feja dhe bujqësia zinin më shumë. Shihej lidhja mes njërës dhe tjetrës, dhe si kishin ndihmuar gjithmonë së bashku në qytetërim. Rodolfi, me zonjën Bovari, fliste për ëndrra, parandjenja, magnetizëm.3 Duke u ngjitur te djepi i shoqërive, oratori përshkruante ato kohë të egra kur njerëzit jetonin me lende, në thellësi të pyjeve. Pastaj e kishin lënë lëkurën e kafshëve, kishin veshur stofin, kishin hapur brazda, kishin mbjellë hardhinë. A ishte kjo një e mirë, dhe a s’kishte në këtë zbulim më shumë të meta se përparësi? Zoti Dërozërè ia shtronte vetes këtë problem. Nga magnetizmi, pak nga pak, Rodolfi kishte kaluar te afinitetet, dhe, ndërsa zoti kryetar përmendte Cincinatin pas parmendës, Dioklecianin që mbillte lakrat e tij dhe perandorët e Kinës që e çelnin vitin me mbjellje,4 djali i ri i shpjegonte gruas së re se këto tërheqje të papërballueshme e kishin shkakun në ndonjë jetë të mëparshme.

— Kështu ne, — thoshte, — pse u njohëm? ç’rastësi e deshi? Sepse, përmes largësisë, pa dyshim, si dy lumenj që rrjedhin për t’u bashkuar, prirjet tona të veçanta na kishin shtyrë njërin drejt tjetrit.

Dhe ia kapi dorën; ajo s’e tërhoqi.

„Për kulturat e mira në tërësi!“ — thirri kryetari.

— Pak më parë, për shembull, kur erdha te ju…

„Zotit Bize, nga Kenkampua.“

— A e dija që do t’ju shoqëroja?

„Shtatëdhjetë franga!“

— Njëqind herë madje desha të iki, dhe ju ndoqa, mbeta.

„Plehrat.“

— Siç do të mbetesha sonte, nesër, ditët e tjera, gjithë jetën!

„Zotit Karon, nga Argueji, një medalje ari!“

— Sepse kurrë s’kam gjetur në shoqërinë e askujt një hijeshi kaq të plotë.

„Zotit Ben, nga Zhivri-Shën-Marten!“

— Prandaj unë do ta marr me vete kujtimin tuaj.

„Për një dash merinos…“

— Por ju do të më harroni, do të kem kaluar si një hije.

„Zotit Belo, nga Notr-Dami…“

— Oh! jo, apo jo, do të jem diçka në mendimin tuaj, në jetën tuaj?

„Raca e derrave, çmim ex aequo: zotërinjve Leerise dhe Kylëmbur; gjashtëdhjetë franga!“

Rodolfi ia shtrëngonte dorën dhe e ndiente krejt të ngrohtë e që dridhej si një turtull e zënë rob që do të rimarrë fluturimin; por, ose se po përpiqej ta çlironte, ose se po i përgjigjej këtij shtrëngimi, ajo bëri një lëvizje me gishta; ai thirri:

— Oh! faleminderit! S’më shtyni! Jeni e mirë! e kuptoni që jam i juaji! Më lini t’ju shoh, t’ju sodis!

Një shkulm ere që hyri nga dritaret e rrudhosi mbulesën e tryezës, dhe në shesh, poshtë, të gjitha kësulat e mëdha të fshatareve u ngritën, si krahë fluturash të bardha që lëvizin.

„Përdorimi i makuxhës së farërave vajore“, — vazhdoi kryetari.

Po nxitonte:

„Plehu flamand, — kultura e lirit, — kullimi, — qiratë afatgjata, — shërbimet e shërbëtorëve.“

Rodolfi s’fliste më. Shikonin njëri-tjetrin. Një dëshirë e skajshme ua dridhte buzët e thata; dhe butësisht, pa mundim, gishtat e tyre u shkrinë bashkë.

„Katerinë-Nikeze-Elizabet Lëru, nga Sasëto-la-Gerier, për pesëdhjetë e katër vjet shërbim në të njëjtën fermë, një medalje argjendi — me vlerë njëzet e pesë franga!“

„Ku është Katerinë Lëru?“ — përsëriti Këshilltari.

Ajo s’dilte, dhe dëgjoheshin zëra që pëshpërisnin:

— Shko!

— Jo.

— Majtas!

— Mos ki frikë!

— Ah! sa budallaqe që është!

— Më në fund, është këtu apo jo? — thirri Tyvashi.

— Po!… ja ku është!

— Le të afrohet, pra!

Atëherë panë të përparonte drejt podiumit një plakë e vogël me qëndrim të frikësuar, që dukej sikur tkurrej në rrobat e saj të varfra. Kishte në këmbë nallane të rënda druri dhe, përgjatë ijëve, një përparëse të madhe blu. Fytyra e saj e thatë, e rrethuar nga një kësulë pa anë, ishte më e rrudhur se një mollë e vyshkur, dhe nga mëngët e këmishës së saj të kuqe dilnin dy duar të gjata, me nyja të kockëzuara. Pluhuri i hambarëve, potasa e larjeve dhe dhjami i leshit ua kishin dhënë aq mirë një kore, i kishin çarë, i kishin ngurtësuar, sa dukeshin të pista megjithëse ishin shpëlarë me ujë të kulluar; dhe, nga shërbimi i gjatë, mbeteshin gjysmë të hapura, si për të paraqitur vetë dëshminë e përulur të gjithë atyre vuajtjeve të hequra. Diçka nga ngurtësia e një murgeshe ia ngrinte shprehjen e fytyrës. Asgjë e trishtë apo e prekur s’e zbuste atë vështrim të zbehtë. Duke jetuar mes kafshëve, kishte marrë heshtjen dhe qetësinë e tyre. Ishte hera e parë që gjendej në mes të një shoqërie kaq të madhe; dhe, e trembur përbrenda nga flamujt, nga daullet, nga zotërinjtë me frak të zi dhe nga kryqi i Legjionit të Nderit i Këshilltarit, rrinte krejt e palëvizur, pa ditur nëse duhej të përparonte apo të ikte, as pse e shtynte turma dhe pse i buzëqeshnin ekzaminuesit. Kështu qëndronte, para këtyre qytetarëve të çelur, ky gjysmë shekulli robërie.

— Afrohuni, e nderuara Katerinë-Nikeze-Elizabet Lëru! — tha zoti Këshilltar, që kishte marrë nga duart e kryetarit listën e fituesve.

Dhe, duke parë me radhë fletën e letrës, pastaj plakën, përsëriste me ton atëror:

— Afrohuni, afrohuni!

— Jeni e shurdhër? — tha Tyvashi, duke u hedhur nga kolltuku.

Dhe nisi t’i bërtiste në vesh:

— Pesëdhjetë e katër vjet shërbim! Një medalje argjendi! Njëzet e pesë franga! Është për ju.

Pastaj, kur e mori medaljen, e vështroi. Atëherë një buzëqeshje lumturie iu përhap në fytyrë, dhe e dëgjuan që murmuriste duke ikur:

— Do t’ia jap priftit tonë, që të më thotë mesha.

— Ç’fanatizëm! — thirri farmacisti, duke u përkulur drejt noterit.

Seanca kishte mbaruar; turma u shpërnda; dhe tani që fjalimet ishin lexuar, secili zinte sërish vendin e tij dhe gjithçka kthehej në zakon: zotërinjtë i trajtonin keq shërbëtorët, dhe këta i rrihnin kafshët, fitimtarë të plogët që ktheheshin në stallë me një kurorë të gjelbër mes brirëve.

Ndërkaq gardistët kombëtarë ishin ngjitur në katin e parë të bashkisë, me brioshë të ngulur në bajoneta, dhe me daullexhiun e batalionit që mbante një shportë me shishe. Zonja Bovari e mori krahun e Rodolfit; ai e përcolli deri në shtëpi; u ndanë para derës së saj; pastaj ai shëtiti vetëm në livadh, duke pritur orën e gostisë.

Gostia qe e gjatë, e zhurmshme, e shërbyer keq; rrinin aq të ngjeshur, sa mezi i lëvizje bërrylat, dhe dërrasat e ngushta që shërbenin si stola për pak sa s’u thyen nën peshën e të ftuarve. Hanin me bollëk. Secili përpiqej të merrte pjesën e vet. Djersa u rridhte të gjithëve në ballë; dhe një avull i zbardhëllyer, si mjegulla e një lumi në një mëngjes vjeshte, luhatej mbi tryezë, mes llambave të varura. Rodolfi, me shpinë pas pëlhurës së tendës, mendonte aq fort për Emën, sa s’dëgjonte asgjë. Pas tij, mbi bar, shërbëtorët grumbullonin pjata të pista; fqinjët i flisnin, ai s’u përgjigjej; ia mbushnin gotën, dhe në mendjen e tij binte një heshtje, pavarësisht nga zhurma që shtohej. Ëndërronte për atë që kishte thënë ajo dhe për formën e buzëve të saj; fytyra e saj, si në një pasqyrë magjike, shkëlqente mbi pllakën e kapelave ushtarake; palët e fustanit të saj zbritnin përgjatë mureve, dhe ditë dashurie shpaloseshin pafund në perspektivat e së ardhmes.

E pa sërish në mbrëmje, gjatë fishekzjarreve; por ajo ishte me të shoqin, me zonjën Ome dhe me farmacistin, i cili shqetësohej shumë për rrezikun e fishekëve të humbur; dhe çdo çast e linte shoqërinë për të shkuar t’i jepte Binesë porosi.

Fishekzjarret, të dërguara në adresë të zotërisë Tyvash, nga tepria e kujdesit ishin mbyllur në bodrumin e tij; ndaj baruti i lagur mezi ndizej, dhe pjesa kryesore, që do të paraqiste një dragua që kafshon bishtin, dështoi krejtësisht. Herë pas here, ikte ndonjë qiri romak i shkretë; atëherë turma me gojë hapur lëshonte një britmë ku përzihej klithma e grave të cilave u gudulisnin belin në errësirë. Ema, e heshtur, strukej butë pas supit të Sharlit; pastaj, me mjekrën ngritur, ndiqte në qiellin e zi shkëndijën e ndritshme të fishekëve. Rodolfi e sodiste nën dritën e fenerëve që digjeshin.

Ata u shuan pak nga pak. Yjet u ndezën. Ranë disa pika shiu. Ajo e lidhi shaminë mbi kokën e zbuluar.

Në atë çast, karroca e Këshilltarit doli nga hani. Karrocieri, që ishte i dehur, u përgjum befas; dhe që larg shihje, përmbi kapakun, mes dy fenerëve, trupin e tij që lëkundej djathtas e majtas sipas tundjes së sustave.

— Me të vërtetë, — tha farmacisti, — duhet ndëshkuar rëndë dehja! Do të doja që të shkruheshin, çdo javë, te dera e bashkisë, në një tabelë ad hoc, emrat e të gjithë atyre që gjatë javës janë helmuar me alkoole. E pastaj, nga ana e statistikës, do të kishim aty si analet e hapura që do të mund t’i… Por më falni.

Dhe vrapoi përsëri drejt kapitenit.

Ky po kthehej në shtëpi. Po shkonte të shihte tornon e tij.

— Ndoshta s’do të bënit keq, — i tha Ome, — të dërgonit një nga njerëzit tuaj ose të shkonit vetë…

— Më lini rehat, pra, — u përgjigj tagrambledhësi, — kur s’ka asgjë!

— Qetësohuni, — tha farmacisti, kur u kthye pranë miqve të tij. — Zoti Bine më siguroi se masat janë marrë. S’do të ketë rënë asnjë shkëndijë. Pompat janë plot. Shkojmë të flemë.

— Për besë! më duhet, — bëri zonja Ome që hapte gojën pa masë; — por, s’ka rëndësi, patëm për festën tonë një ditë shumë të bukur.

Rodolfi përsëriti me zë të ulët e me vështrim të butë:

— Oh! po, shumë të bukur!

Dhe, pasi u përshëndetën, i kthyen kurrizin njëri-tjetrit.

Pas dy ditësh, te Feneri i Ruanit doli një artikull i madh për panairin. Ome e kishte shkruar me frymëzim që të nesërmen:

„Pse këto kurora, këto lule, këto girlanda? Ku vraponte kjo turmë si valët e një deti të tërbuar, nën vërshimet e një dielli tropikal që derdhte nxehtësinë e tij mbi arat tona?“

Pastaj fliste për gjendjen e fshatarëve. Sigurisht, qeveria bënte shumë, por jo mjaft! „Guxim! — i bërtiste ai; — një mijë reforma janë të domosdoshme, le t’i kryejmë.“ Pastaj, duke kaluar te hyrja e Këshilltarit, s’harronte „pamjen luftarake të milicisë sonë“, as „fshataret tona më të gjalla“, as „pleqtë me koka tullace, njëfarë patriarkësh që ishin aty, dhe disa prej të cilëve, mbetje të falangave tona të pavdekshme, ndienin ende t’u rrihte zemra në tingullin burrëror të daulleve“. E përmendte veten ndër të parët mes anëtarëve të jurisë, madje kujtonte, në një shënim, se zoti Ome, farmacist, i kishte dërguar Shoqërisë së Bujqësisë një memorie mbi sidrin. Kur arrinte te shpërndarja e shpërblimeve, e përshkruante gëzimin e fituesve me ngjyra ditirambike. Babai përqafonte të birin, vëllai vëllanë, burri gruan. Më shumë se një vetë e tregonte me krenari medaljen e tij të përulur, dhe pa dyshim, kur u kthye në shtëpi, pranë zonjës së tij të mirë, e ka varur duke qarë në muret e heshtura të kasolles së tij.

„Rreth orës gjashtë, një gosti, e shtruar në livadhin e zotit Liezhar, mblodhi pjesëmarrësit kryesorë të festës. Aty mbretëroi pa pushim përzemërsia më e madhe. U ngritën dolli të ndryshme: zoti Lievën, për monarkun! zoti Tyvash, për prefektin! zoti Dërozërè, për bujqësinë! zoti Ome, për industrinë dhe për artet e bukura, ato dy motra! zoti Lëplishe, për përmirësimet! Në mbrëmje, një fishekzjarr i shkëlqyer ndriçoi befas qiejt. Do të thoje një kaleidoskop i vërtetë, një dekor i vërtetë Opere, dhe për një çast vendi ynë i vogël mundi të besonte se ishte transportuar në mes të një ëndrre nga Një mijë e një net.

Le të vërejmë se asnjë ngjarje e pakëndshme s’erdhi ta prishte këtë mbledhje familjare.“

Dhe shtonte: „U vu re vetëm mungesa e klerit. Pa dyshim sakristitë e kuptojnë përparimin ndryshe. Ju takon juve, zotërinj të Lojolës!“5

Shënime

  1. Garda kombëtare: milici qytetare, e përbërë nga pronarët e vendit, që në monarkinë e Luigj-Filipit ruante rendin dhe dilte me uniformë në festat zyrtare. ↩︎

  2. Ome kujton fablën e La Fontaine-it Miu që u tërhoq nga bota, ku një mi i devotshëm mbyllet në një djathë holandez dhe jeton rehat brenda tij, pa iu dhënë hiç për hallet e të tjerëve. E zonja e hanit, natyrisht, s’e njeh. ↩︎

  3. Magnetizmi „kafshëror“, sipas teorisë së mjekut Mesmer, ishte shumë i modës: besohej se mes njerëzve qarkullonte një rrjedhë e padukshme që shpjegonte tërheqjet, ëndrrat dhe parandjenjat. ↩︎

  4. Cincinati, në Romën e lashtë, u thirr nga parmenda për t’u bërë diktator dhe, pasi shpëtoi atdheun, u kthye në arën e tij; perandori Dioklecian, pasi hoqi dorë nga froni, thuhet se iu përgjigj atyre që i luteshin të kthehej se lakrat e kopshtit të tij ishin më të çmuara se perandoria; dhe perandorët e Kinës hapnin çdo pranverë një brazdë me dorën e tyre, për të nderuar bujqësinë. ↩︎

  5. Ignacio de Loyola themeloi më 1540 Shoqërinë e Jezusit, urdhrin e jezuitëve. Për mendimtarët e lirë si Ome, „jezuitët“ ishin emri i përbashkët i të gjithë klerit. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Zonja Bovari

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat