← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e dytë — VI · Krim dhe ndëshkim

Chapter 13 of 41

Por sapo ajo doli, ai u ngrit, mbylli derën me grremç, zgjidhi bohçen me rroba që e kishte sjellë pak më parë Razumihini dhe që po ai e kishte lidhur përsëri, dhe filloi të vishej. Çudi: dukej sikur ishte bërë befas krejt i qetë; s’kishte as kllapi të marrë, si pak më parë, as frikë paniku, si gjatë gjithë kohës së fundit. Ishte minuta e parë e njëfarë qetësie të çuditshme, të papritur. Lëvizjet i kishte të sakta e të qarta, në to dukej një qëllim i vendosur. „Sot, që sot!..“ — mërmëriste me vete. E kuptonte, megjithatë, se ishte ende i dobët, por tendosja shpirtërore më e fortë, që kishte arritur deri në qetësi, deri në një ide të ngulët, i jepte forca e vetëbesim; shpresonte, megjithatë, se nuk do të binte në rrugë. Pasi u vesh krejt, me të gjitha rrobat e reja, vështroi paratë që ishin mbi tryezë, u mendua dhe i futi në xhep. Paratë ishin njëzet e pesë rubla. Mori edhe të gjitha pesëkopekëshat e bakrit, kusurin e dhjetë rublave që kishte shpenzuar Razumihini për rrobat. Pastaj hoqi ngadalë grremçin, doli nga dhoma, zbriti shkallët dhe hodhi një sy në kuzhinën e hapur krejt: Nastasja i kishte kthyer shpinën dhe, e përkulur, po i frynte samovarit të së zonjës së shtëpisë. S’dëgjoi asgjë. E kush mund ta supozonte që ai do të ikte? Pas një minute ishte tashmë në rrugë.

Ishte rreth orës tetë, dielli po perëndonte. Mbytja ishte si më parë; por ai e thithi me lakmi këtë ajër të qelbur, plot pluhur, të infektuar nga qyteti. Koka kishte filluar t’i vinte pak rrotull; njëfarë energjie e egër u ndez befas në sytë e tij të përflakur e në fytyrën e tij të rrëgjuar, të verdhë në të zbehtë. Nuk e dinte, e as mendonte, se ku të shkonte; dinte vetëm një gjë: „që gjithë kjo duhet mbaruar që sot, përnjëherësh, tani; që në shtëpi ndryshe s’do të kthehej, sepse s’do të rrojë kështu“. Si ta mbaronte? Me se ta mbaronte? Për këtë s’kishte asnjë ide, e as donte të mendonte. E largonte mendimin: mendimi e torturonte. Vetëm ndiente e dinte se duhej që gjithçka të ndryshonte, në një mënyrë a në një tjetër, „si do që të jetë“, përsëriste ai me një vetëbesim e vendosmëri të dëshpëruar e të palëvizshme.

Nga zakoni i vjetër, nëpër rrugën e zakonshme të shëtitjeve të tij të mëparshme, u nis drejt për në Sheshin Sennaja. Pa arritur te Sennaja, në kalldrëm, para një dyqani të vogël, qëndronte një djalë i ri flokëzi me një organo rrugësh dhe i binte një romance shumë të ndjeshme. Shoqëronte një vajzë që qëndronte para tij në trotuar, nja pesëmbëdhjetë vjeçe, e veshur si zonjushë, me krinolinë, me mantele të vogël, me doreza e me një kapelë kashte me një pendë ngjyrë zjarri; të gjitha këto ishin të vjetra e të konsumuara. Me një zë rruge, që dridhej, por mjaft të këndshëm e të fortë, ajo këndonte romancën, duke pritur një dykopekësh nga dyqani. Raskolnikovi u ndal pranë dy-tre dëgjuesve, dëgjoi, nxori një pesëkopekësh dhe ia vuri vajzës në dorë. Ajo e ndërpreu befas këngën mu në notën më të ndjeshme e më të lartë, sikur ta prerë me thikë, i bërtiti prerë organistit: „mjaft!“, dhe të dy u nisën më tej, drejt dyqanit tjetër.

— A ju pëlqejnë këngët e rrugës? — iu drejtua befas Raskolnikovi një kalimtari, jo më të ri, që qëndronte pranë tij te organoja dhe kishte pamjen e një flanëri. Ai e vështroi i hutuar dhe u habit. — Mua më pëlqejnë, — vazhdoi Raskolnikovi, por me një pamje sikur s’fliste fare për këngët e rrugës, — mua më pëlqen kur këndojnë me organo në një mbrëmje vjeshte të ftohtë, të errët e të lagësht, patjetër të lagësht, kur të gjithë kalimtarët kanë fytyra të gjelbra në të zbehtë e të sëmura; ose, edhe më mirë, kur bie borë e lagësht, krejt drejt, pa erë, e dini? kurse përmes saj shkëlqejnë fenerët me gaz…

— S’e di, zotëri… Më falni… — mërmëriti zotëria, i trembur edhe nga pyetja, edhe nga pamja e çuditshme e Raskolnikovit, dhe kaloi në anën tjetër të rrugës.

Raskolnikovi eci drejt dhe doli në atë qoshe të Sheshit Sennaja, ku shitnin meshçani dhe gruaja që kishin folur atëherë me Lizavetën; por ata tani s’ishin. Kur e njohu vendin, u ndal, vështroi përreth dhe iu drejtua një djali të ri me këmishë të kuqe, që po gogësinte në hyrje të një magazine mielli.

— Këtu në qoshe shet një meshçan, me një grua, me të shoqen, a?

— Shesin lloj-lloj njerëzish, — u përgjigj djaloshi, duke e matur nga lart Raskolnikovin.

— Si e quajnë?

— Siç e pagëzuan, ashtu e quajnë.

— Mos je edhe ti nga Zarajsku? Nga cila krahinë?

Djaloshi e vështroi përsëri Raskolnikovin.

— Ne, shkëlqesia juaj, s’kemi krahinë, po rreth, kurse ka udhëtuar vëllai, unë kam ndenjur në shtëpi, kështu që s’e di, zotëri… Më falni, shkëlqesia juaj, bujarisht.

— Kjo lart është gjellëtore?

— Është tavernë, edhe bilardo ka; edhe prenceresha gjenden… Lju-lí!

Raskolnikovi kaloi sheshin. Atje, në qoshe, qëndronte një turmë e dendur njerëzish, të gjithë fshatarë. U fut mu në mes të turmës, duke shikuar fytyrat. Për ndonjë arsye i vinte të fliste me të gjithë. Por fshatarët nuk i kushtonin vëmendje dhe të gjithë bërtisnin diçka midis tyre, duke u mbledhur grupe-grupe. Qëndroi pak, u mendua dhe shkoi djathtas, nëpër trotuar, drejt V—. Pasi kaloi sheshin, ra në një rrugicë…

Edhe më parë kishte kaluar shpesh nëpër këtë rrugicë të shkurtër, që bën një bërryl dhe të çon nga sheshi në rrugën Sadovaja. Kohët e fundit madje i vinte të endej nëpër të gjitha këto vende, kur i vinte për të vjellë, „që t’i vinte edhe më keq“. Kurse tani hyri pa menduar për asgjë. Këtu ka një ndërtesë të madhe, e tëra me pijetore e me lokale të tjera për të ngrënë e për të pirë; prej tyre dilnin çdo minutë me vrap gra të veshura siç dalin „te fqinjët“ — kokëjashtë e vetëm me fustan. Në dy-tri vende grumbulloheshin në trotuar në grupe, sidomos pranë shkallëve që të çonin në katin e poshtëm, ku, nëpër dy shkallare, mund të zbrisje në lokale të ndryshme shumë argëtuese. Në njërin prej tyre, në atë minutë, bëhej një zhurmë e rrëmujë për gjithë rrugën, cingëronte një kitarë, këndoheshin këngë dhe ishte shumë gëzim. Një grup i madh grash ishte grumbulluar te hyrja; disa ishin ulur në shkallë, të tjera në trotuar, të tjera qëndronin në këmbë e flisnin. Pranë, në kalldrëm, endej, duke sharë me zë të lartë, një ushtar i dehur me një cigare dhe, me sa dukej, donte të hynte diku, por sikur e kishte harruar ku. Një leckaman shante një leckaman tjetër, dhe njëfarë i dehur si i vdekur ishte shtrirë tërthor rrugës. Raskolnikovi u ndal pranë grupit të madh të grave. Ato flisnin me zëra të ngjirur; të gjitha ishin me fustane basme, me këpucë prej lëkure dhie dhe kokëjashtë. Disa kishin kaluar të dyzetat, po kishte edhe nga shtatëmbëdhjetë vjeçe, pothuajse të gjitha me sy të nxirë nga goditjet.

Për ndonjë arsye e mbante të zënë kënga dhe gjithë kjo zhurmë e rrëmujë, atje, poshtë… Prej andej dëgjohej se si, midis të qeshurave e ciklimave, nën falsetin e hollë të një kënge të shfrenuar e nën kitarë, dikush hidhte valle si i dëshpëruar, duke rrahur kohën me takat.

Ti, rojtari1 im i bukur, more,

Mos më rrih kot me ato dore!

„A të hyj? — mendoi ai. — Qeshin! Nga e dehura. Po pse jo, a të dehem?“

— S’hyni, zotëri i dashur? — pyeti njëra nga gratë me një zë mjaft të kumbueshëm e jo krejt të ngjirur ende. Ishte e re dhe madje jo e neveritshme — e vetmja nga gjithë grupi.

— Shih, sa e bukur! — u përgjigj ai, duke u ngritur pak e duke e vështruar.

Ajo buzëqeshi; komplimenti i pëlqeu shumë.

— Edhe ju vetë jeni shumë i bukur, — tha ajo.

— Sa i dobët! — vërejti me zë të trashë një tjetër, — mos ka dalë nga spitali, a?

— Duken si bija gjeneralësh, po hundët i kanë të gjitha të shtypura! — ndërhyri befas një fshatar që u afrua, i pirë, me kapotë të hapur e me një turi që qeshte dinakërisht. — Shih ç’gëzim!

— Hyr, po erdhe!

— Do të hyj! Ëmbëlsi!

Dhe u rrokullis poshtë.

Raskolnikovi vazhdoi rrugën.

— Dëgjoni, zotëri! — i thirri pas vajza.

— Ç’ka?

Ajo u hutua.

— Unë, zotëri i dashur, gjithmonë do të gëzohem t’i ndaj orët me ju, kurse tani ja, s’e mbledh dot ndërgjegjen para jush. Më dhuroni, kavalier i këndshëm, gjashtë kopekë për të pirë!

Raskolnikovi nxori sa i dolën: tre pesëkopekëshe.

— Ah, ç’zotëri shpirtmirë!

— Si të quajnë?

— Pyetni për Duklidën.

— Jo, kjo ç’është, — vërejti befas njëra nga grupi, duke tundur kokën nga Duklida. — Unë s’e di si mund të lypësh kështu! Unë, më duket, do të futesha nën dhe vetëm nga turpi…

Raskolnikovi e vështroi me kureshtje atë që foli. Ishte një vajzë lëkurëpikëlore, nja tridhjetë vjeçe, e tëra me shenja goditjesh, me buzën e sipërme të fryrë. Fliste e dënonte e qetë dhe seriozisht.

„Ku vallë, — mendoi Raskolnikovi, duke ecur më tej, — ku e kam lexuar se si një i dënuar me vdekje, një orë para vdekjes, thotë ose mendon se, sikur t’i duhej të jetonte diku lart, mbi një shkëmb, dhe mbi një shesh kaq të ngushtë sa të mund të vinte vetëm dy këmbët, — kurse përreth të ishin humnera, oqeani, errësirë e përjetshme, vetmi e përjetshme dhe stuhi e përjetshme, — dhe të mbetej kështu, duke qëndruar mbi një arshin hapësirë, gjithë jetën, një mijë vjet, përjetësisht, — më mirë të jetonte kështu, sesa të vdiste tani! Vetëm të rrojë, të rrojë e të rrojë! Si do që të rrojë — vetëm të rrojë!.. Ç’e vërtetë! O Zot, ç’e vërtetë! I poshtër është njeriu! Dhe i poshtër është ai që e quan të poshtër për këtë“, — shtoi ai pas një minute.

Doli në një rrugë tjetër: „Ba! ‚Pallati i Kristaltë‘!2 Pak më parë Razumihini fliste për ‚Pallatin e Kristaltë‘. Vetëm, ç’doja të bëja vallë? Po, të lexoja!.. Zosimovi tha se kishte lexuar në gazeta…“

— Keni gazeta? — pyeti ai, duke hyrë në një tavernë shumë të gjerë e madje të pastër, me disa dhoma, megjithatë mjaft bosh. Dy-tre klientë pinin çaj, dhe në një dhomë të largët rrinte një grup, nja katër veta, dhe pinin shampanjë. Raskolnikovit iu duk se midis tyre ishte Zametovi. Megjithatë, nga larg s’mund të shihej mirë.

„Po le të jetë!“ — mendoi ai.

— Do të urdhëroni vodkë, zotëri? — pyeti kamerieri.

— Sill çaj. Dhe më sill gazeta, të vjetra, nja pesë ditë rresht, e do të të jap për vodkë.

— Urdhëroni, zotëri. Ja të sotmet, zotëri. Edhe vodkë do të urdhëroni, zotëri?

Gazetat e vjetra dhe çaji erdhën. Raskolnikovi u ul dhe filloi të kërkonte: „Izler — Izler — Aztekët — Aztekët — Izler — Bartola — Maksimo — Aztekët — Izler…3 pfu, dreqi! A, ja shënimet: ra nga shkallët — një meshçan u dogj nga pija — zjarr në Peski — zjarr në Anën e Petersburgut — prapë zjarr në Anën e Petersburgut — prapë zjarr në Anën e Petersburgut — Izler — Izler — Izler — Izler — Maksimo… A, ja…“

Më në fund gjeti atë që kërkonte dhe filloi të lexonte; rreshtat i kërcenin para syve, megjithatë e lexoi deri në fund gjithë „lajmin“ dhe filloi të kërkonte me lakmi në numrat e tjerë shtesat e mëvonshme. Duart i dridheshin, duke i shfletuar fletët, nga një padurim spazmatik. Befas dikush u ul pranë tij, në tryezën e tij. Ai vështroi — Zametovi, po ai Zametov dhe në të njëjtën pamje, me unaza, me zinxhirë, me vijë në flokët e zinj, kaçurrelë e të lyer me pomadë, me jelek elegant e me një redingotë pak të konsumuar e të brendshme jo të freskëta. Ishte i gëzuar, të paktën buzëqeshte shumë gazmor e me shpirtmirësi. Fytyra e tij zeshkane ishte skuqur pak nga shampanja që kishte pirë.

— Si! Ju këtu? — filloi ai i hutuar dhe me një ton sikur ta njihte prej një shekulli, — kurse mua dje Razumihini ende më thoshte se s’jeni në vete. Ja çudi! Po unë kam qenë te ju…

Raskolnikovi e dinte se ai do t’i afrohej. I la gazetat mënjanë dhe u kthye nga Zametovi. Në buzë kishte një buzëqeshje, dhe në këtë buzëqeshje dukej njëfarë padurimi i ri, nervoz.

— Këtë e di që keni qenë, — u përgjigj ai, — e dëgjova, zotëri. Kërkonit çorapen… E dini, Razumihini është i çmendur pas jush, thotë se keni shkuar me të te Laviza Ivanovna, ja ajo për të cilën përpiqeshit atëherë, togerit Barut i bënit me sy, kurse ai s’kuptonte asgjë, e mbani mend? Si s’e kuptonte, më duket, — puna ishte e qartë… a?

— Po ç’zhurmaxhi që është!

— Baruti?

— Jo, miku juaj, Razumihini…

— Po ju rroni mirë, zoti Zametov; në vendet më të këndshme hyni pa doganë! Kush ju hidhte tani shampanjë?

— Po ne… pimë… Po ç’është kjo, hidhte?!

— Honorar! Përfitoni nga gjithçka! — Raskolnikovi qeshi. — S’ka gjë, djalë shpirtmirë, s’ka gjë! — shtoi ai, duke i rënë Zametovit në sup, — unë s’e them me ligësi, po „nga gjithë dashuria, me lojë“, ja si thoshte ai punëtori juaj, kur e godiste Mitkën, ja, për çështjen e plakës.

— Po ju nga e dini?

— Po unë, ndoshta, di më shumë se ju.

— Sa i çuditshëm që jeni… Me siguri, jeni ende shumë i sëmurë. Kot dolët…

— Ju dukem i çuditshëm?

— Po. Ç’janë këto gazeta që lexoni?

— Gazeta.

— Shkruajnë shumë për zjarret…

— Jo, unë s’lexoj për zjarret. — Këtu e vështroi Zametovin në mënyrë misterioze; një buzëqeshje tallëse ia shtrembëroi përsëri buzët. — Jo, unë s’lexoj për zjarret, — vazhdoi ai, duke i bërë me sy Zametovit. — Po pranojeni, djalosh i dashur, që ju vjen tmerrësisht të dini se për çfarë lexova?

— Aspak s’më vjen; ashtu pyeta. Mos s’bën të pyesësh? Pse ju gjithë kohën…

— Dëgjoni, ju jeni njeri i arsimuar, letrar, a?

— Kam bërë gjashtë klasë gjimnaz, — u përgjigj Zametovi me njëfarë dinjiteti.

— Gjashtë! Ah, harabelushi im! Me vijë në flokë, me unaza — njeri i pasur! Pfu, sa djalë i lezetshëm! — Këtu Raskolnikovi ia plasi një të qeshure nervoze, drejt në fytyrë Zametovit. Ky u tërhoq mbrapa dhe, jo se u fye, po u habit shumë.

— Pfu, sa i çuditshëm! — përsëriti Zametovi shumë seriozisht. — Më duket se ende flisni përçart.

— Flas përçart? Gënjen, harabelush!.. Pra, jam i çuditshëm? Hë, po a ju ngjall kureshtje, a? Ju ngjall kureshtje?

— Më ngjallni.

— Pra, t’ju them për çfarë lexova, ç’kërkoja? Shih sa numra urdhërova të më sillnin! E dyshimtë, a?

— Hë, thoni.

— Veshët pipëz?

— Ç’pipëz?

— Do t’ju them më vonë ç’pipëz, kurse tani, i dashuri im, po ju deklaroj… jo, më mirë: „po rrëfehem“… Jo, as kjo s’është ajo: „unë po jap dëshmi, e ju po e regjistroni“ — ja kështu! Pra, po jap dëshmi se lexova, u interesova… kërkova… gjurmova… — Raskolnikovi i mblodhi sytë dhe priti, — gjurmova — dhe për këtë hyra këtu — për vrasjen e plakës, gruas së nëpunësit, — tha ai më në fund, gati me pëshpëritje, duke e afruar jashtëzakonisht fytyrën te fytyra e Zametovit. Zametovi e shikonte drejt në sy, pa lëvizur e pa e larguar fytyrën nga fytyra e tij. Më e çuditshmja iu duk më pas Zametovit që heshtja midis tyre zgjati plot një minutë të tërë dhe plot një minutë të tërë ata e shikuan kështu njëri-tjetrin.

— Hë, e ç’ka që lexuat? — thirri ai befas i hutuar e i paduruar. — Ç’punë kam unë! E ç’ka këtu?

— Kjo është ajo plaka, — vazhdoi Raskolnikovi, me të njëjtën pëshpëritje e pa lëvizur nga thirrja e Zametovit, — po ajo, për të cilën, e mbani mend, kur filluan të tregonin në zyrë, kurse unë rashë të fikët. Ç’është, tani e kuptoni?

— Po ç’është? Ç’të… „kuptoj“? — tha Zametovi gati i shqetësuar.

Fytyra e palëvizshme e serioze e Raskolnikovit u shndërrua në një çast, dhe befas ai ia plasi përsëri asaj të qeshure nervoze, si pak më parë, sikur vetë të mos ishte fare në gjendje ta përmbante veten. Dhe në një çast iu kujtua deri në një qartësi të jashtëzakonshme ndjesie një çast i para pak ditësh, kur qëndronte pas derës, me sëpatë, shuli kërcente, ata pas derës shaheshin e shtyheshin, kurse atij i erdhi befas dëshira t’u bërtiste, të shahej me ta, t’u nxirrte gjuhën, t’i ngacmonte, të qeshte, të qeshte, të qeshte, të qeshte!

— Ju ose jeni i çmendur, ose… — tha Zametovi — dhe u ndal, sikur ta kishte goditur befas një mendim që i shkrepi papritur në mendje.

— Ose? Ç’„ose“? Hë, ç’ka? Hë, thoni pra!

— Asgjë! — u përgjigj Zametovi i nxehur, — të gjitha janë marrëzira!

Të dy heshtën. Pas shpërthimit të papritur të së qeshurës, si në krizë, Raskolnikovi u bë befas i menduar e i trishtuar. U mbështet me bërryl në tryezë dhe e mbështeti kokën në dorë. Dukej sikur e kishte harruar krejt Zametovin. Heshtja zgjati mjaft gjatë.

— Pse s’e pini çajin? Do të ftohet, — tha Zametovi.

— A? Ç’ka? Çajin?.. Mirë… — Raskolnikovi piu një gllënjkë nga gota, futi në gojë një copë bukë dhe befas, duke e vështruar Zametovin, sikur i kujtoi të gjitha dhe sikur u shkund: fytyra e tij mori në po atë minutë shprehjen tallëse të fillimit. Vazhdoi të pinte çaj.

— Sot janë shtuar shumë këto mashtrime, — tha Zametovi. — Ja, edhe kohët e fundit lexova në „Moskovskije vedomosti“4 se në Moskë kapën një bandë të tërë falsifikatorësh monedhash. Ishte një shoqëri e tërë. Falsifikonin bileta.

— Oh, kjo është e vjetër! E kam lexuar qysh një muaj më parë, — u përgjigj i qetë Raskolnikovi. — Pra, këta sipas jush janë mashtrues? — shtoi ai, duke buzëqeshur.

— Si të mos jenë mashtrues?

— Këta? Këta janë fëmijë, blanbekë,5 e jo mashtrues! Një pesëdhjetëshe e tërë njerëzish mblidhen për një qëllim të tillë! Mos vallë është e mundur? Këtu edhe tre janë shumë, dhe atëherë vetëm nëse secili është më i sigurt për tjetrin se për veten! Ndryshe, mjafton që njërit t’i shpëtojë goja nga e dehura, dhe gjithçka shkoi në erë! Blanbekë! Pajtojnë njerëz të pabesueshëm për të këmbyer biletat nëpër zyra: një punë të tillë t’ia besosh të parit që të del përpara? Hë, le të themi se ua doli mbarë edhe me blanbekët, le të themi se secili këmbeu për vete nga një milion, po pastaj? Gjithë jetën? Secili varet nga tjetri për gjithë jetën e tij! Më mirë të varesh! Kurse ata as t’i këmbenin s’dinin: filloi njëri t’i këmbente në zyrë, mori pesë mijë, dhe i dridhën duart. Katër i numëroi, kurse të pestën e mori pa e numëruar, me besim, vetëm që ta futte në xhep e të ikte sa më shpejt. Hë, dhe ngjalli dyshim. Dhe pëlciti gjithçka për shkak të një budallai! Mos vallë është e mundur kështu?

— Që i dridhën duart? — ia mori Zametovi, — jo, kjo është e mundur, zotëri. Jo, për këtë jam plotësisht i sigurt që është e mundur. Ndonjëherë s’e duron dot.

— Këtë?

— Po ju, ndoshta, do ta duronit? Jo, unë s’do ta duroja! Për një shpërblim prej njëqind rublash të shkosh në një tmerr të tillë! Të shkosh me një biletë false — ku? — në një zyrë bankieri, ku ia kanë hedhur të gjitha, — jo, unë do të hutohesha. Po ju s’do të hutoheshit?

Raskolnikovit i erdhi befas një dëshirë e tmerrshme të „nxirrte gjuhën“ përsëri. Herë-herë i kalonte një dridhmë nëpër shpinë.

— Unë s’do ta bëja kështu, — filloi ai nga larg. — Unë ja si do t’i këmbeja: do ta numëroja mijëshen e parë, nja katër herë nga të gjitha anët, duke e vështruar çdo kartëmonedhë, dhe do të filloja mijëshen tjetër; do të filloja ta numëroja, do ta numëroja deri në mes, dhe do të nxirrja ndonjë pesëdhjetëshe, dhe në dritë, dhe do ta ktheja përmbys e përsëri në dritë — mos është false? „Unë, gjoja, kam frikë: një e afërme e imja humbi ditët e shkuara njëzet e pesë rubla në këtë mënyrë“; dhe do të tregoja këtu një histori. E kur të filloja të numëroja mijëshen e tretë — jo, më lejoni: më duket se atje, në mijëshen e dytë, e numërova gabim qindëshen e shtatë, më kap dyshimi, dhe do ta lija të tretën, e përsëri te e dyta, — e kështu të pesta. E kur të mbaroja, nga e pesta dhe nga e dyta do të nxirrja nga një kartëmonedhë, e përsëri në dritë, e përsëri e dyshimtë, „ndërrojeni, ju lutem“, — dhe do ta çoja nëpunësin deri në djersën e shtatë, aq sa s’do ta dinte si të më hiqte qafe! Do t’i mbaroja më në fund të gjitha, do të shkoja, do ta hapja derën — po jo, më falni, përsëri do të kthehesha, për të pyetur për diçka, për të marrë ndonjë shpjegim, — ja kështu do ta bëja unë!

— Pfu, sa gjëra të tmerrshme thoni! — tha Zametovi duke qeshur. — Vetëm se të gjitha këto janë vetëm fjalë, kurse në vepër, me siguri, do të pengoheshit. Këtu, po ju them, sipas meje, jo vetëm ne të dy, po edhe një njeri me përvojë, i dëshpëruar, s’mund të garantojë për veten. Po ç’të shkojmë larg — ja një shembull: në lagjen tonë, e vranë plakën. Se, me sa duket, ishte kokë e dëshpëruar, në mes të ditës u rrezikua në të gjitha rreziqet, shpëtoi vetëm me mrekulli, — po duart prapëseprapë i dridhën: s’dinte të grabiste, s’duroi; nga puna duket…

Raskolnikovi sikur u fye.

— Duket! Po kapeni tani, shkoni ta kapni! — thirri ai, duke e ngacmuar Zametovin me një gëzim të keq.

— E ç’ka, do ta kapin.

— Kush? Ju? Ju ta kapni? Do të këputeni duke kërcyer! Ja ç’është kryesorja për ju: a i shpenzon njeriu paratë apo jo? S’kishte para, e tani befas fillon të shpenzojë, — hë, si të mos jetë ai? Kështu që një fëmijë si ky do t’jua hedhë me këtë, po të dojë!

— Pikërisht kjo është, që të gjithë kështu bëjnë, — u përgjigj Zametovi, — e vret me dinakëri, e rrezikon jetën, e pastaj menjëherë kapet në mejhane. Me shpenzimin i kapin. S’janë të gjithë dinakë si ju. Ju s’do të shkonit në mejhane, natyrisht?

Raskolnikovi i rrudhi vetullat dhe e vështroi me ngulm Zametovin.

— Ju, me sa duket, ju ka hyrë qejfi dhe doni të dini si do të veproja unë edhe këtu? — pyeti ai me pakënaqësi.

— Do të doja, — u përgjigj ai me vendosmëri e seriozisht. Diçka tepër seriozisht kishte filluar të fliste e të shikonte.

— Shumë?

— Shumë.

— Mirë. Unë ja si do të veproja, — filloi Raskolnikovi, duke e afruar përsëri befas fytyrën te fytyra e Zametovit, duke e shikuar përsëri drejt në sy dhe duke folur përsëri me pëshpëritje, aq sa ky madje u drodh këtë herë. — Unë ja si do ta bëja: do t’i merrja paratë e sendet dhe, kur të ikja prej andej, menjëherë, pa hyrë gjëkundi, do të shkoja diku ku është vend i shkretë dhe vetëm gardhe, dhe pothuajse s’ka njeri, — ndonjë kopsht perimesh a diçka e tillë. Do të kisha parë atje që më parë, në atë oborr, ndonjë gur të tillë, nja një pud a një pud e gjysmë i rëndë, diku në qoshe, pranë gardhit, që ndoshta është aty qysh nga ndërtimi i shtëpisë; do ta ngrija këtë gur — nën të duhet të ketë një gropë, — dhe në këtë gropë do t’i vija të gjitha sendet e paratë. Do t’i vija dhe do ta rëndoja me gurin, ashtu siç ishte më parë, do ta shtypja me këmbë dhe do të ikja. Dhe një vit, dy vjet s’do t’i merrja, tre s’do t’i merrja, — hë, kërkoni! Ishte, po iku e shkoi!

— Ju jeni i çmendur, — tha për ndonjë arsye Zametovi, edhe ai gati me pëshpëritje, dhe për ndonjë arsye u largua befas nga Raskolnikovi. Atij i shkrepën sytë; u zbardh tmerrësisht; buza e sipërme iu drodh e filloi t’i kërcente. U përkul drejt Zametovit sa më afër që mundi dhe filloi të lëvizte buzët, pa shqiptuar asgjë; kështu zgjati nja gjysmë minute; e dinte ç’bënte, por s’mund ta përmbante veten. Fjala e tmerrshme, si shuli i derës atëherë, i kërcente në buzë: ja, ja do t’i shpëtojë; ja, ja vetëm ta lëshojë, ja, ja vetëm ta shqiptojë!

— Po sikur unë ta kem vrarë plakën dhe Lizavetën? — tha ai befas dhe — erdhi në vete.

Zametovi e vështroi i hutuar dhe u zbardh si mbulesë tryeze. Fytyra iu shtrembërua nga një buzëqeshje.

— Po mos vallë është e mundur? — tha ai mezi i dëgjueshëm.

Raskolnikovi e vështroi me ligësi.

— Pranojeni që e besuat? Po? Apo jo, po?

— Aspak! Tani më shumë se kurrë s’e besoj! — tha me nxitim Zametovi.

— U kape më në fund! E kapëm harabelin. Pra, e besonit më parë, kur tani „më shumë se kurrë s’e besoni“?

— Po aspak! — thërriste Zametovi, dukshëm i hutuar. — Për këtë më trembët, që të më çonit këtu?

— Pra, s’e besoni? Po për çfarë folët pa mua, kur dola atëherë nga zyra? E pse më mori në pyetje togeri Barut pas të fikëtit? Hej ti, — i bërtiti ai kamerierit, duke u ngritur e duke marrë kasketën, — sa të detyrohem?

— Tridhjetë kopekë gjithsej, zotëri, — u përgjigj ky, duke vrapuar.

— Ja ku i ke edhe njëzet kopekë për vodkë. Shih sa para! — i zgjati ai Zametovit dorën që i dridhej me kartëmonedhat, — të kuqe, të kaltra,6 njëzet e pesë rubla. Nga erdhën? E nga erdhën rrobat e reja? Se e dini që s’kisha asnjë kopek! Të zonjën e shtëpisë, me siguri, e keni pyetur tashmë… Hë, mjaft! Assez causé!7 Mirupafshim… dhe gjithë të mirat!..

Doli, duke u dridhur i tëri nga njëfarë ndjesie e egër histerike, në të cilën megjithatë kishte edhe një pjesë kënaqësie të padurueshme, — megjithatë i zymtë, tmerrësisht i lodhur. Fytyra i ishte shtrembëruar, si pas ndonjë krize. Lodhja i rritej shpejt. Forcat i ngjalleshin e i vinin tani befas, me shtysën e parë, me ndjesinë e parë ngacmuese, dhe po aq shpejt dobësoheshin, sa dobësohej ndjesia.

Kurse Zametovi, kur mbeti vetëm, ndenji ende gjatë në po atë vend, i menduar. Raskolnikovi papritur ia kishte përmbysur të gjitha mendimet për pikën e njohur dhe ia kishte vendosur përfundimisht mendimin.

„Ilja Petroviçi është budalla!“ — vendosi ai përfundimisht.

Sapo Raskolnikovi hapi derën nga rruga, mu në sundurmë u përplas me Razumihinin, që po hynte. Të dy, madje edhe një hap larg, s’e kishin parë njëri-tjetrin, aq sa gati u përplasën me kokë. Për ca kohë e matën njëri-tjetrin me sy. Razumihini ishte në habinë më të madhe, por befas zemërimi, zemërimi i vërtetë, i shkrepi kërcënueshëm në sy.

— Pra, këtu qenke! — bërtiti ai me sa i hante fyti. — Ike nga shtrati! E unë të kërkova atje madje nën divan! Shkuam edhe në papafingo! Nastasjën gati e rraha për ty… E ai qenka këtu! Rodka! Ç’do të thotë kjo? Thuaj gjithë të vërtetën! Rrëfehu! E dëgjon?

— Do të thotë se të gjithë më keni mërzitur për vdekje dhe dua të jem vetëm, — u përgjigj i qetë Raskolnikovi.

— Vetëm? Kur ende s’mund të ecësh, kur ende turinjtë i ke të zbehtë si pëlhurë, dhe gulçon! Budalla!.. Ç’bëje në „Pallatin e Kristaltë“? Rrëfehu menjëherë!

— Më lësho! — tha Raskolnikovi dhe desh të kalonte. Kjo e nxori Razumihinin nga vetja: e kapi fort nga supi.

— Të të lëshoj? Ti guxon të thuash: „më lësho“? Po a e di ç’do të të bëj tani? Do të të marr në krahë, do të të lidh nyjë dhe do të të çoj nën sqetull në shtëpi, nën kyç!

— Dëgjo, Razumihin, — filloi ngadalë dhe, me sa dukej, krejt i qetë Raskolnikovi, — mos vallë s’e sheh se s’i dua të mirat e tua? Dhe ç’qejf ke t’u bësh të mira atyre që… pështyjnë mbi to? Atyre, më në fund, që me të vërtetë e kanë rëndë t’i durojnë? Hë, pse më gjete në fillim të sëmundjes? Unë, ndoshta, do të isha shumë i lumtur të vdisja? Hë, mos vallë s’ta tregova mjaftueshëm sot që ti më mundon, që ti më ke… mërzitur! Ç’qejf, vërtet, të mundosh njerëzit! Të siguroj, pra, se të gjitha këto ma pengojnë seriozisht shërimin, sepse më acarojnë pa pushim. Se Zosimovi iku pak më parë, që të mos më acaronte! Hiqmu edhe ti, për hir të Zotit! Dhe ç’të drejtë ke, më në fund, të më mbash me forcë? Mos vallë s’e sheh se tani po flas krejtësisht në vete? Me se, me se, më mëso, të të lutem, më në fund, që të mos më ngacmosh e të mos më bësh të mira? Le të jem mosmirënjohës, le të jem i ulët, vetëm hiqmuni të gjithë, për hir të Zotit, hiqmuni! Hiqmuni! Hiqmuni!

E filloi i qetë, duke u gëzuar që më parë për gjithë helmin që po bëhej gati të derdhte, kurse e mbaroi i tërbuar e duke u mbytur, si pak më parë me Luzhinin.

Razumihini qëndroi, u mendua dhe ia lëshoi dorën.

— Shporru, pra, në djall! — tha ai ngadalë dhe gati i menduar. — Prit! — gjëmoi befas, kur Raskolnikovi u nis nga vendi, — më dëgjo. Po të deklaroj se të gjithë ju, deri tek i fundit, jeni llafazanë të vegjël e fanfaronë të vegjël! T’ju dalë ndonjë vuajtje e vogël — e mbani si pula vezën! Edhe këtu vidhni autorë të huaj. Asnjë shenjë jete të pavarur s’keni! Prej pomade spermaceti8 jeni bërë, e në vend të gjakut keni hirrë! Asnjërit prej jush s’i besoj! Puna e parë për ju, në të gjitha rrethanat — si të mos i ngjani një njeriu! Pri-i-it! — bërtiti ai me tërbim të dyfishuar, kur vuri re se Raskolnikovi po nisej përsëri të ikte, — dëgjo deri në fund! E di, te unë mblidhen sot për festën e shtëpisë së re, ndoshta kanë ardhur tashmë, po unë e lashë atje xhaxhanë, — sapo shkova me vrap, — që të presë ata që vijnë. Pra, ja, sikur të mos ishe budalla, budalla banal, budalla i mbushur, përkthim nga e huaja… e sheh, Rodja, e pranoj, ti je djalë i zgjuar, por je budalla! — pra, ja, sikur të mos ishe budalla, do të bëje më mirë të vije sot te unë, të rrish një mbrëmje, sesa t’i konsumosh kot çizmet. Dole tashmë, e s’ke ç’të bësh! Do të të afroja një kolltuk kaq të butë, të zotët e shtëpisë kanë… Pak çaj, shoqëri… E po s’deshe, do të të shtrij edhe në kanape, — prapëseprapë do të rrish shtrirë midis nesh… Edhe Zosimovi do të jetë. Do të vish, apo jo?

— Jo.

— Gën-n-njen! — thirri me padurim Razumihini, — nga e di ti? Ti s’mund të përgjigjesh për veten! Dhe s’kupton asgjë nga këto… Unë një mijë herë jam ndarë kështu me pështymë nga njerëzit e përsëri jam kthyer me vrap… Do të të vijë turp — dhe do të kthehesh te njeriu! Pra, mbaje mend, shtëpia e Poçinkovit, kati i tretë…

— Po kështu ju, ndoshta, do të lejoni t’ju rrahë ndokush, zoti Razumihin, nga kënaqësia për të bërë të mira.

— Kë? Mua! Vetëm për këtë fantazi do të ta përdredh hundën! Shtëpia e Poçinkovit, numri dyzet e shtatë, në banesën e nëpunësit Babushkin…

— S’do të vij, Razumihin! — Raskolnikovi u kthye dhe iku.

— Vë bast që do të vish! — i bërtiti pas Razumihini. — Përndryshe ti… përndryshe s’dua të të njoh më! Prit, hej! Zametovi është atje?

— Atje është.

— E pe?

— E pashë.

— Dhe fole?

— Fola.

— Për çfarë? Hë, po në djall, mos ma thuaj. Poçinkov, dyzet e shtatë, Babushkin, mbaje mend!

Raskolnikovi arriti deri te Sadovaja dhe u kthye pas qoshes. Razumihini e shikonte pas, i menduar. Më në fund, duke bërë me dorë, hyri në ndërtesë, por u ndal në mes të shkallëve.

„Dreqi e mori! — vazhdoi ai, gati me zë, — flet me mend, po sikur… Edhe unë jam budalla! Po mos vallë të çmendurit s’flasin me mend? Kurse Zosimovi, m’u duk, pikërisht nga kjo ka pak frikë! — I ra ballit me gisht. — Po sikur… si ta lë vetëm tani? Ndoshta do të mbytet… Eh, gabova! S’bën!“ Dhe vrapoi mbrapsht, pas Raskolnikovit, por atij i kishte humbur gjurma. Pështyu dhe me hapa të shpejtë u kthye në „Pallatin e Kristaltë“, ta merrte në pyetje sa më shpejt Zametovin.

Raskolnikovi shkoi drejt në urën —, qëndroi në mes, te parmaku, u mbështet mbi të me të dy bërrylat dhe filloi të shikonte përgjatë. Pasi u nda me Razumihinin, ishte dobësuar aq shumë, sa mezi kishte arritur deri këtu. I vinte të ulej a të shtrihej diku, në rrugë. I përkulur mbi ujë, shikonte mekanikisht reflektimin e fundit, rozë, të perëndimit, radhën e shtëpive që nxinin në muzgun që po dendësohej, një dritare të largët, diku në një papafingo, në bregun e majtë, që shkëlqente si në flakë nga rrezja e fundit e diellit që e goditi për një çast, ujin që nxinte të kanalit, dhe, me sa dukej, e vështronte me vëmendje këtë ujë. Më në fund para syve filluan t’i vërtiteshin ca rrathë të kuq, shtëpitë lëvizën, kalimtarët, bregjet, karrocat — të gjitha këto u vërtitën e vallëzuan përreth. Befas u drodh, ndoshta i shpëtuar përsëri nga të fikët prej një pamjeje të egër e të shëmtuar. Ndjeu se dikush qëndroi pranë tij, djathtas, pranë; vështroi — dhe pa një grua, të gjatë, me shami në kokë, me një fytyrë të verdhë, të zgjatur, të rrëgjuar nga pija, dhe me sy të kuqërremtë, të futur thellë. Ajo e shikonte drejt, por, me sa dukej, s’shihte asgjë dhe s’dallonte askënd. Befas u mbështet me dorën e djathtë në parmak, ngriti këmbën e djathtë dhe e hodhi përtej hekurave, pastaj të majtën, dhe u hodh në kanal. Uji i ndyrë u ça, e përpiu për një çast viktimën, por pas një minute e mbytura doli në sipërfaqe, dhe rryma e mori ngadalë poshtë, me kokë e me këmbë në ujë, me shpinë sipër, me fundin e rrëmbyer e të fryrë mbi ujë si jastëk.

— U mbyt! U mbyt! — bërtisnin dhjetëra zëra; njerëzit vraponin të gjithë andej, të dy bregjet u mbushën me spektatorë, në urë, rreth Raskolnikovit, u grumbullua populli, duke e shtyrë e duke e shtypur nga prapa.

— O nëna ime, kjo është Afrosinjushka jonë! — u dëgjua diku jo larg një britmë vajtuese gruaje. — O nëna ime, shpëtojeni! Etër të dashur, nxirreni!

— Barkë! Barkë! — bërtisnin në turmë.

Por barka s’duhej më: një polic vrapoi poshtë nëpër shkallët e kanalit, hodhi kapotën, çizmet dhe u hodh në ujë. Punë s’kishte shumë: rryma e çonte të mbyturën dy hapa larg shkallëve, ai e kapi për rrobash me dorën e djathtë, me të majtën arriti të kapej pas një shkopi që ia zgjati një shok, dhe menjëherë e mbytura u nxor. E vunë mbi pllakat e granitit të shkallëve. Ajo erdhi shpejt në vete, u ngrit pak, u ul dhe filloi të teshtinte e të frynte, duke fshirë pa kuptim me duar fustanin e lagur. S’thoshte asgjë.

— E piu deri sa pa djaj, o nëna ime, deri sa pa djaj, — ulërinte i njëjti zë gruaje, tashmë pranë Afrosinjushkës, — ditët e shkuara deshi të varej, e zbritën nga litari. Unë shkova tani në dyqan, e lashë vajzën e vogël ta ruante, — e ja, ndodhi e keqja! Meshçane, o nëna ime, meshçania jonë, banojmë pranë, shtëpia e dytë nga cepi, ja këtu…

Populli po shpërndahej, policët ende merreshin me të mbyturën, dikush bërtiti diçka për zyrën… Raskolnikovi i shikonte të gjitha me një ndjesi të çuditshme indiference e mospjesëmarrjeje. Iu bë neveri. „Jo, e ndyrë… uji… s’ia vlen, — mërmëriste ai me vete. — S’do të ndodhë asgjë, — shtoi ai, — s’ka ç’të pritet. Ç’është kjo, zyra… Po pse s’është Zametovi në zyrë? Zyra është e hapur deri pas orës nëntë…“ U kthye me shpinë nga parmaku dhe vështroi përreth.

„Hë, e ç’ka! Le të jetë!“ — tha ai me vendosmëri; u nis nga ura dhe shkoi nga ana ku ishte zyra. Zemra i ishte e zbrazët dhe e shurdhër. Nuk donte të mendonte. Madje edhe mërzia i kishte kaluar, asnjë gjurmë nga energjia e mëparshme, kur kishte dalë nga shtëpia për „t’i dhënë fund gjithçkaje!“ Vendin e saj e kishte zënë një apati e plotë.

„E ç’ka, kjo është rrugëdalje! — mendonte ai, duke ecur ngadalë e plogësht nëpër bregun e kanalit. — Prapëseprapë do t’i jap fund, sepse dua… Po a është rrugëdalje, megjithatë? Njësoj është! Do të ketë një arshin hapësirë, — he! Po ç’fund, megjithatë! Mos vallë fund? Do t’ua them apo s’do t’ua them? E… dreqi! Dhe jam lodhur: të shtrihesha a të ulesha diku sa më shpejt! Më e turpshmja është se është shumë budallallëk. Po pështyj edhe mbi këtë. Pfu, ç’marrëzira më vijnë në kokë…“

Për në zyrë duhej të shkonte gjithnjë drejt dhe në kthesën e dytë të merrte majtas: ishte aty, dy hapa larg. Por kur arriti te kthesa e parë, u ndal, u mendua, u kthye në një rrugicë dhe shkoi duke bërë xhiro, nëpër dy rrugë, — ndoshta pa asnjë qëllim, e ndoshta që ta zgjaste qoftë edhe një minutë e të fitonte kohë. Ecte dhe shikonte përdhe. Befas sikur dikush i pëshpëriti diçka në vesh. Ngriti kokën dhe pa se ndodhej para asaj ndërtese, mu te porta. Që nga ajo mbrëmje nuk kishte qenë këtu dhe s’kishte kaluar andej.

Një dëshirë e papërballueshme e e pashpjegueshme e tërhoqi. Hyri në ndërtesë, kaloi gjithë kalimin nën portë, pastaj në hyrjen e parë djathtas, dhe filloi të ngjitej nëpër shkallët e njohura, për në katin e katërt. Në shkallët e ngushta e të pjerrëta ishte shumë errësirë. Ndalej në çdo sheshpushim dhe vështronte përreth me kureshtje. Në sheshpushimin e katit të parë korniza e dritares ishte hequr krejt: „Kjo atëherë s’ishte“, — mendoi ai. Ja edhe banesa e katit të dytë, ku punonin Nikolashka dhe Mitka: „E mbyllur; dhe dera e lyer rishtas; jepet, pra, me qira“. Ja edhe kati i tretë… dhe i katërti… „Këtu!“ E kapi hutimi: dera e kësaj banese ishte hapur krejt, aty kishte njerëz, dëgjoheshin zëra; këtë s’e priste në asnjë mënyrë. Pasi u lëkund pak, u ngjit nëpër shkallaret e fundit dhe hyri në banesë.

Edhe atë po e rregullonin rishtas; brenda kishte punëtorë; kjo sikur e goditi. I përfytyrohej, për ndonjë arsye, se do t’i gjente të gjitha krejt njësoj siç i kishte lënë atëherë, madje, ndoshta, edhe trupat në po ato vende përdhe. Kurse tani: mure të zhveshura, asnjë orendi; disi e çuditshme! Shkoi te dritarja dhe u ul në parvaz.

Gjithsej ishin dy punëtorë, të dy djem të rinj, njëri më i madh, kurse tjetri shumë më i ri. Po ngjitnin në mure letër të re, të bardhë, me lule të vogla vjollcë, në vend të asaj të mëparshmes së verdhë, të grisur e të konsumuar. Raskolnikovit, për ndonjë arsye, kjo s’i pëlqeu fare; i shikonte këto letra të reja me armiqësi, sikur t’i vinte keq që i kishin ndryshuar të gjitha kështu.

Punëtorët, me sa dukej, ishin vonuar dhe tani po mblidhnin me nxitim letrën e tyre dhe po bëheshin gati të shkonin në shtëpi. Shfaqja e Raskolnikovit pothuajse nuk ua tërhoqi vëmendjen. Po flisnin për diçka. Raskolnikovi kryqëzoi duart dhe filloi të dëgjonte.

— Më vjen ajo, pra, në mëngjes, — i thoshte i madhi të voglit, — që herët fare, e tëra e stolisur. „E ç’më limonizohesh, i them, para meje, ç’më portokallizohesh, i them, para meje?“ — „Unë dua, thotë, Tit Vasiljiç, që tani e tutje të jem plotësisht në vullnetin tuaj“. Ja si qenka puna! E sa e stolisur: revistë, një revistë e vërtetë!

— Po ç’është kjo, xhaxho, revista? — pyeti i riu. Me sa dukej, mësonte nga „xhaxhai“.

— Revista, vëllai im, janë ca piktura të vogla, të ngjyrosura, dhe u vijnë këtu rrobaqepësve të këtushëm çdo të shtunë, me postë, nga jashtë, që ta dinë domethënë si duhet të vishet secili, si gjinia mashkullore, po ashtu edhe femërore. Vizatim, domethënë. Gjinia mashkullore pikturohet më shumë me bekesha, kurse në degën femërore ka, vëlla, ca sufllera të tilla, që jepmë gjithçka, e prapë pak është!

— Dhe ç’s’ka në këtë Piter!9 — thirri me entuziazëm i vogli, — përveç babës e nënës, gjithçka ka!

— Përveç kësaj, vëllai im, gjithçka gjendet, — vendosi me ton mësuesi i madhi.

Raskolnikovi u ngrit dhe shkoi në dhomën tjetër, ku më parë kishin qenë arka, shtrati dhe komoja; dhoma iu duk tmerrësisht e vogël pa orendi. Letra e murit ishte po ajo; në qoshe, në letër, shihej qartë vendi ku kishte qenë kutia me ikona. E vështroi dhe u kthye në dritaren e tij. Punëtori i madh e vështronte me bisht të syrit.

— Ç’kërkoni, zotëri? — pyeti ai befas, duke iu drejtuar atij.

Në vend të përgjigjes, Raskolnikovi u ngrit, doli në paradhomë, kapi zilen dhe e tërhoqi. Po ajo zile, po ai tingull prej teneqeje! E tërhoqi për herë të dytë, të tretë; dëgjonte dhe kujtonte. Ndjesia e mëparshme, mundimtare e tmerrshme, e shëmtuar, filloi t’i kujtohej gjithnjë e më qartë e më gjallë, ai dridhej me çdo goditje, dhe i bëhej gjithnjë e më e këndshme.

— Po ç’do ti? Kush je? — bërtiti punëtori, duke dalë drejt tij. Raskolnikovi hyri përsëri nga dera.

— Dua të marr banesën me qira, — tha ai, — po e shikoj.

— Banesë natën s’merret me qira; dhe për më tepër duhet të vini me portierin.

— Dyshemenë e latë; do ta lyeni? — vazhdoi Raskolnikovi. — Gjak s’ka?

— Ç’gjak?

— Po këtu e vranë plakën me motrën. Këtu ishte një pellg i tërë.

— Po ç’njeri je ti? — bërtiti i shqetësuar punëtori.

— Unë?

— Po.

— Do ta dish?.. Ejani në zyrë, atje do ta them.

Punëtorët e vështruan të hutuar.

— Ne duhet të ikim, zotëri, u vonuam. Ikim, Aljoshka. Duhet mbyllur, — tha punëtori i madh.

— Hë, ikim! — u përgjigj Raskolnikovi indiferent dhe doli përpara, duke zbritur ngadalë shkallët. — Hej, portier! — bërtiti ai, duke dalë nën portë.

Disa njerëz qëndronin mu në hyrje të ndërtesës nga rruga, duke vështruar kalimtarët: të dy portierët, një grua, një meshçan me rrobdishan e ndonjë tjetër. Raskolnikovi shkoi drejt tek ata.

— Ç’kërkoni? — ia ktheu njëri nga portierët.

— Ke qenë në zyrë?

— Sapo isha. Ç’kërkoni?

— Janë atje?

— Janë.

— Edhe ndihmësi është atje?

— Ishte për ca kohë. Ç’kërkoni?

Raskolnikovi nuk u përgjigj dhe qëndroi pranë tyre, i menduar.

— Erdhi të shikonte banesën, — tha, duke u afruar, punëtori i madh.

— Ç’banesë?

— Po ku punojmë. „Pse, gjoja, e latë gjakun? Këtu, thotë, ndodhi një vrasje, kurse unë erdha ta marr me qira“. Dhe filloi t’i binte ziles, gati e këputi. Ikim, thotë, në zyrë, atje do t’i vërtetoj të gjitha. Na u qep.

Portieri e shqyrtonte Raskolnikovin i hutuar e i vrenjtur.

— Po ju kush jeni? — bërtiti ai më kërcënueshëm.

— Unë jam Rodion Romaniç Raskolnikov, ish-student, dhe banoj në shtëpinë e Shilit, këtu në rrugicë, jo larg prej këtej, në banesën numër katërmbëdhjetë. Pyete portierin… më njeh. — Raskolnikovi i tha të gjitha këto disi me përtesë e i menduar, pa u kthyer e duke shikuar me ngulm rrugën që po errësohej.

— Po pse erdhët në banesë?

— Ta shikoja.

— Ç’ka atje për të parë?

— Po sikur ta marrim e ta çojmë në zyrë? — ndërhyri befas meshçani dhe heshti.

Raskolnikovi i hodhi sytë përmbi sup, e vështroi me vëmendje dhe tha po aq ngadalë e me përtesë:

— Ikim!

— Po, ta çojmë! — ia mori meshçani, që mori zemër. — Pse pyeti ai për atë, ç’ka në mendje, a?

— I dehur, jo i dehur, Zoti e di, — mërmëriti punëtori.

— Po ç’kërkoni? — bërtiti përsëri portieri, që kishte filluar të zemërohej seriozisht, — pse na je qepur?

— U trembe nga zyra? — i tha me tallje Raskolnikovi.

— Nga se të trembem? Pse na je qepur?

— Mashtrues! — bërtiti gruaja.

— Po ç’të flasësh me të, — bërtiti portieri tjetër, një fshatar i madh, me kapotë të hapur e me çelësat në brez. — Ik!.. Vërtet mashtrues… Ik!

Dhe, duke e kapur Raskolnikovin nga supi, e hodhi në rrugë. Ky u rrokullis, por nuk ra, u drejtua, i vështroi në heshtje të gjithë spektatorët dhe vazhdoi më tej.

— Njeri i çuditshëm, — tha punëtori.

— Të çuditshëm janë bërë njerëzit sot, — tha gruaja.

— Prapëseprapë duhej çuar në zyrë, — shtoi meshçani.

— S’ka pse të ngatërrohesh, — vendosi portieri i madh. — Mashtrues i vërtetë! Vetë e kërkon, dihet, po ngatërrohu me të, e s’del dot… E dimë!

„Pra, të shkoj, apo jo“, — mendonte Raskolnikovi, duke u ndalur në mes të kalldrëmit në udhëkryq e duke vështruar përreth, sikur të priste nga dikush fjalën e fundit. Por asgjë s’u përgjigj nga askund; gjithçka ishte e shurdhër e e vdekur, si gurët mbi të cilët shkelte, e vdekur për të, vetëm për të… Befas, larg, nja dyqind hapa larg tij, në fund të rrugës, në errësirën që po dendësohej, dalloi një turmë, zëra, britma… Midis turmës qëndronte një karrocë… Në mes të rrugës vezulloi një dritë e vogël. „Ç’është kjo?“ Raskolnikovi u kthye djathtas dhe shkoi drejt turmës. Sikur kapej pas gjithçkaje, dhe buzëqeshi ftohtë kur e mendoi këtë, sepse e kishte vendosur me siguri për zyrën dhe e dinte me bindje se tani gjithçka do të mbaronte.

Shënime

  1. Rojtar (rus. будочник): polic roje që qëndronte në një kabinë në rrugë. ↩︎

  2. Taverna „Palais de Cristal“, të cilën Razumihini e kishte përmendur me emrin frëngjisht (shih kapitullin IV). ↩︎

  3. Izler: pronar i një kopshti argëtimesh të njohur në Petersburg. „Aztekët“ Maksimo e Bartola: një vëlla e një motër me mikrocefali, që në vitin 1865 u shfaqën në Petersburg si „azteket e fundit“. Për të gjitha këto shkruante shumë shtypi i kohës. ↩︎

  4. „Moskovskije vedomosti“ (rus. «Московские ведомости», „Lajmet e Moskës“): gazetë e përditshme e Moskës. ↩︎

  5. Nga fr. blancs-becs, „sqepbardhë“, domethënë „të papjekur, rishtarë“. ↩︎

  6. Kartëmonedhat ruse të kohës kishin ngjyra sipas vlerës: ajo prej dhjetë rublash ishte e kuqe, ajo prej pesë rublash e kaltër. ↩︎

  7. Fr. „Mjaft llafe!“ ↩︎

  8. Spermacet: lëndë si dyll nga koka e kashalotit, që përdorej për pomada e qirinj. ↩︎

  9. Piter: emri popullor i Petersburgut. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Krim dhe ndëshkim

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours