← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e tretë — I · Krim dhe ndëshkim

Chapter 15 of 41

Raskolnikovi u ngrit pak dhe u ul në divan.

I bëri me dorë dobët Razumihinit, që të ndalte një rrjedhë të tërë ngushëllimesh të tij të zjarrta e pa lidhje, që u drejtonte nënës e motrës, i kapi të dyja për dore dhe për nja dy minuta i vështroi në heshtje herë njërën, herë tjetrën. E ëma u tremb nga vështrimi i tij. Në këtë vështrim shkëlqente një ndjenjë e fortë deri në vuajtje, por njëkohësisht kishte diçka të palëvizshme, madje sikur të çmendur. Pulherija Aleksandrovna qau.

Avdotja Romanovna ishte e zbehtë; dora i dridhej në dorën e vëllait.

— Shkoni në shtëpi… me të, — tha ai me zë të ndërprerë, duke treguar Razumihinin, — deri nesër; nesër të gjitha… Ka shumë që keni ardhur?

— Në mbrëmje, Rodja, — u përgjigj Pulherija Aleksandrovna, — treni u vonua tmerrësisht. Po, Rodja, për asgjë në botë s’do të largohem tani prej teje! Do të kaloj natën këtu pranë…

— Mos më mundoni! — tha ai, duke bërë me dorë i nervozuar.

— Do të rri unë me të! — thirri Razumihini, — s’do ta lë asnjë minutë, e në djall të gjithë të mitë atje, le të ngjiten nëpër mure! Atje xhaxhai im është kryetar.

— Si, si t’ju falënderoj! — filloi Pulherija Aleksandrovna, duke i shtrënguar përsëri duart Razumihinit, por Raskolnikovi e ndërpreu përsëri:

— S’mundem, s’mundem, — përsëriste ai i nervozuar, — mos më mundoni! Mjaft, ikni… S’mundem!..

— Ikim, mama, të paktën të dalim një minutë nga dhoma, — pëshpëriti e trembur Dunja, — po e vrasim, kjo duket.

— Po mos vallë s’do ta shoh as një herë, pas tre vjetësh! — qau Pulherija Aleksandrovna.

— Prisni! — i ndali ai përsëri, — ju gjithë kohën më ndërprisni, kurse mua më ngatërrohen mendimet… E patë Luzhinin?

— Jo, Rodja, por ai e di tashmë që kemi ardhur. Dëgjuam, Rodja, që Pjotr Petroviçi qe kaq i mirë sa të vizitoi sot, — shtoi me njëfarë druajtjeje Pulherija Aleksandrovna.

— Po… qe kaq i mirë… Dunja, pak më parë i thashë Luzhinit se do ta hidhja nga shkallët dhe e përzura në djall…

— Rodja, ç’thua! Ti, me siguri… s’do të thuash, — filloi e trembur Pulherija Aleksandrovna, por u ndal, duke vështruar Dunjën.

Avdotja Romanovna e vështronte me ngulm vëllanë dhe priste vazhdimin. Të dyja ishin njoftuar tashmë për grindjen nga Nastasja, aq sa kishte mundur ajo të kuptonte e ta tregonte, dhe ishin rraskapitur në hutim e në pritje.

— Dunja, — vazhdoi me mundim Raskolnikovi, — unë s’e dua këtë martesë, prandaj ti duhet, që nesër, me fjalën e parë, t’i thuash jo Luzhinit, që të mos i dëgjohet as era.

— O Zot! — thirri Pulherija Aleksandrovna.

— Vëlla, mendo ç’po thua! — filloi me gjaknxehtësi Avdotja Romanovna, por menjëherë u përmbajt. — Ti, ndoshta, tani s’je në gjendje, je lodhur, — tha ajo butë.

— Në kllapi? Jo… Ti martohesh me Luzhinin për mua. Kurse unë flijim s’pranoj. Prandaj, deri nesër, shkruaj një letër… me refuzim… Në mëngjes ma jep ta lexoj, dhe mbaroi!

— Këtë s’mund ta bëj! — thirri vajza e fyer. — Me ç’të drejtë…

— Duneçka, edhe ti je gjaknxehtë, mjaft, nesër… Mos vallë s’e sheh… — u tremb e ëma, duke u hedhur te Dunja. — Ah, më mirë të ikim!

— Flet përçart! — bërtiti Razumihini i pirë, — ndryshe si do të guxonte! Nesër do t’i dalë gjithë kjo marrëzi… Kurse sot vërtet e përzuri. Ashtu ishte. Hë, kurse ai u zemërua… Mbajti ligjërata këtu, nxori në pah dijet e tij, e iku me bisht ndër shalë…

— Pra, është e vërtetë? — thirri Pulherija Aleksandrovna.

— Deri nesër, vëlla, — tha me dhembshuri Dunja, — ikim, mama… Lamtumirë, Rodja!

— Dëgjo, motër, — përsëriti ai pas tyre, duke mbledhur forcat e fundit, — s’jam në kllapi; kjo martesë është poshtërsi. Le të jem unë i poshtër, po ti s’duhet… njëri nga ne… dhe unë, ndonëse i poshtër, një motër të tillë s’do ta quaj motër. Ose unë, ose Luzhini! Ikni…

— Po ti qenke çmendur! Despot! — gjëmoi Razumihini, por Raskolnikovi s’u përgjigj më, e ndoshta s’kishte më forcë të përgjigjej. U shtri në divan dhe u kthye nga muri krejt i rraskapitur. Avdotja Romanovna e vështroi me kureshtje Razumihinin; sytë e saj të zinj shkrepën: Razumihini madje u drodh nën këtë vështrim. Pulherija Aleksandrovna qëndronte si e goditur.

— Për asgjë në botë s’mund të iki! — i pëshpëriste ajo Razumihinit, gati e dëshpëruar, — do të rri këtu, diku… përcilleni Dunjën.

— Dhe do ta prishni gjithë punën! — pëshpëriti edhe Razumihini, duke dalë nga vetja, — të dalim të paktën në shkallë. Nastasja, ndriço! Ju betohem, — vazhdoi ai me gjysmë zëri, tashmë në shkallë, — që pak më parë na desh rrahur, mua dhe mjekun! E kuptoni këtë? Vetë mjekun! Dhe ai u tërhoq, që të mos e acaronte, dhe iku, kurse unë mbeta poshtë ta ruaja, kurse ai u vesh këtu dhe ia mbathi. Edhe tani do t’ia mbathë, po ta acaroni, natën, dhe do t’i bëjë ndonjë gjë vetes…

— Ah, ç’thoni!

— Edhe Avdotja Romanovna s’mund të rrijë vetëm pa ju në nomera! Mendoni ku keni zënë vend! Se ai i poshtër, Pjotr Petroviçi, mos s’mund t’ju gjente një banesë më të mirë… Po, e dini, jam pak i pirë dhe prandaj… e shava; mos ia vini veshin…

— Po unë do të shkoj te e zonja e shtëpisë këtu, — ngulte këmbë Pulherija Aleksandrovna, — do t’i lutem të na japë mua e Dunjës një qoshe për këtë natë. S’mund ta lë kështu, s’mundem!

Duke folur kështu, qëndronin në shkallë, në sheshpushim, mu para derës së së zonjës së shtëpisë. Nastasja u bënte dritë nga shkallarja e poshtme. Razumihini ishte në një trazim të pazakontë. Gjysmë ore më parë, kur e përcillte Raskolnikovin në shtëpi, ndonëse ishte tepër llafazan, gjë që e kuptonte edhe vetë, ishte krejt i gjallë dhe gati i freskët, megjithë sasinë e tmerrshme të verës që kishte pirë atë mbrëmje. Kurse tani gjendja e tij i ngjante madje njëfarë ekstaze, dhe njëkohësisht sikur gjithë vera e pirë t’i ishte hedhur përsëri në kokë, përnjëherësh e me forcë të dyfishtë. Qëndronte me të dyja zonjat, duke i mbajtur të dyja për dore, duke i bindur e duke u paraqitur arsye me një çiltërsi të habitshme, dhe, me siguri për t’i bindur më mirë, gati me çdo fjalë të tij u shtrëngonte të dyjave duart fort-fort, si në morsë, deri në dhimbje, dhe, me sa dukej, e hante me sy Avdotja Romanovnën, pa u ndrojtur aspak për këtë. Nga dhimbja ato ndonjëherë i shkëpusnin duart nga dora e tij e madhe e kockëzuar, por ai jo vetëm që s’e vinte re se ç’po ndodhte, por i tërhiqte edhe më fort drejt vetes. Sikur t’i urdhëronin tani, për shërbimin e tyre, të hidhej kokëposhtë nga shkallët, do ta bënte menjëherë, pa menduar e pa dyshuar. Pulherija Aleksandrovna, e shqetësuar e tëra nga mendimi për Rodjën e saj, ndonëse ndiente se djaloshi ishte tepër ekscentrik dhe ia shtrëngonte dorën tepër me dhimbje, meqë njëkohësisht ai ishte për të si i dërguar nga Zoti, s’donte t’i vinte re të gjitha këto hollësi ekscentrike. Por, megjithë po atë shqetësim, Avdotja Romanovna, ndonëse s’ishte me karakter frikacak, i priste me habi e gati edhe me frikë vështrimet e mikut të vëllait të saj, që shkëlqenin me një zjarr të egër, dhe vetëm besimi i pakufishëm, i ngjallur nga tregimet e Nastasjës për këtë njeri të çuditshëm, e mbajti të mos përpiqej të ikte prej tij e të tërhiqte pas vetes nënën. E kuptonte edhe se ndoshta tani as që mund t’i iknin. Megjithatë, pas nja dhjetë minutash u qetësua shumë: Razumihini kishte vetinë ta shprehte veten të tërin sa hap e mbyll sytë, në çfarëdo gjendjeje qoftë, kështu që të gjithë e merrnin vesh shumë shpejt me kë kishin të bënin.

— Te e zonja e shtëpisë s’bën, dhe është marrëzi nga më të tmerrshmet! — thirri ai, duke e bindur Pulherija Aleksandrovnën. — Ndonëse jeni nënë, po të mbeteni, do ta çoni deri në tërbim, dhe atëherë djalli e di ç’do të ndodhë! Dëgjoni, ja ç’do të bëj: tani te ai do të rrijë Nastasja, kurse unë do t’ju çoj të dyja te ju, sepse ju vetëm s’mund të ecni nëpër rrugë; te ne në Petersburg për këtë punë… Hë, pështyj!.. Pastaj nga ju vrapoj menjëherë këtu dhe pas një çerek ore, për fjalën time më të ndershme, do t’ju sjell raport: si është? fle apo jo? e të gjitha të tjerat. Pastaj, dëgjoni! Pastaj nga ju sa hap e mbyll sytë te unë, — atje kam mysafirë, të gjithë të dehur, — marr Zosimovin — ky është mjeku që e mjekon, tani rri te unë, s’është i pirë; ky s’është i pirë, ky kurrë s’është i pirë! E tërheq te Rodka e pastaj menjëherë te ju, pra, brenda një ore do të merrni dy lajme për të — edhe nga mjeku, e kuptoni, nga vetë mjeku; kjo s’është më njësoj si nga unë! Po të jetë keq, ju betohem, do t’ju sjell vetë këtu, e po të jetë mirë, atëherë shtrihuni e flini. Kurse unë do të kaloj gjithë natën këtu, në paradhomë, ai as s’do ta dëgjojë, kurse Zosimovit do t’i them të flejë te e zonja e shtëpisë, që të jetë afër. Hë, ç’është më mirë për të tani, ju apo mjeku? Se mjeku është më i dobishëm, më i dobishëm. Hë, pra, shkoni në shtëpi! Kurse te e zonja e shtëpisë s’bën; mua më bën, ju s’ju bën: s’do t’ju lërë, sepse… sepse është budallaqe. Do të ketë xhelozi për mua me Avdotja Romanovnën, po doni ta dini, dhe me ju gjithashtu… Kurse me Avdotja Romanovnën patjetër. Ky është karakter krejt, krejt i papritur! Megjithatë, edhe unë jam budalla… Pështyj! Ikim! Më besoni? Hë, më besoni apo jo?

— Ikim, mama, — tha Avdotja Romanovna, — ai me siguri do ta bëjë ashtu siç premton. Ai e ka ringjallur tashmë vëllanë, dhe nëse është e vërtetë që mjeku do të pranojë të kalojë natën këtu, ç’mund të ketë më mirë?

— Ja, ju… ju… më kuptoni, sepse ju jeni engjëll! — thirri në ekstazë Razumihini. — Ikim! Nastasja! Sa hap e mbyll sytë lart dhe rri atje pranë tij, me dritë; do të vij pas një çerek ore…

Pulherija Aleksandrovna, ndonëse s’u bind plotësisht, nuk kundërshtoi më. Razumihini i mori të dyja nën krahë dhe i tërhoqi poshtë shkallëve. Megjithatë, ai e shqetësonte: „ndonëse i shkathët e i mirë, a është në gjendje ta kryejë atë që premton? Në ç’gjendje është!..“

— A, e kuptoj, ju mendoni se jam në një gjendje të tillë! — ia ndërpreu mendimet Razumihini, duke i marrë me mend e duke ecur me hapat e tij tejet të mëdhenj nëpër trotuar, aq sa të dyja zonjat mezi e ndiqnin, gjë që ai, megjithatë, s’e vinte re. — Marrëzi! domethënë… jam i pirë si budalla, po s’është puna këtu; jam i pirë jo nga vera. Kurse kjo, sapo ju pashë, më hipi në kokë… Po pështyj mbi mua! Mos ma vini veshin: gënjej; s’jam i denjë për ju… S’jam në shkallën më të lartë i denjë për ju!.. E kur t’ju çoj, sa hap e mbyll sytë, këtu në kanal, do të hedh mbi kokë dy kova ujë, dhe gati… Sikur ta dinit vetëm sa ju dua të dyja!.. Mos qeshni e mos u zemëroni!.. Zemërohuni me të gjithë, po me mua mos u zemëroni! Unë jam miku i tij, pra edhe miku juaj. Kështu dua… E parandieja këtë… vjet, pati një çast të tillë… Megjithatë, aspak s’e parandieja, sepse ju sikur ratë nga qielli. E unë, ndoshta, s’do të fle gjithë natën… Ky Zosimovi pak më parë kishte frikë se mos ai çmendej… Ja pse s’duhet acaruar…

— Ç’thoni! — thirri e ëma.

— Vallë vetë mjeku tha kështu? — pyeti Avdotja Romanovna, e trembur.

— E tha, po s’është ajo, aspak ajo. Ai i dha edhe një ilaç, një pluhur, e pashë, kurse ju erdhët këtu… Eh!.. Më mirë të kishit ardhur nesër! Mirë që ikëm. Kurse pas një ore do t’jua raportojë të gjitha vetë Zosimovi. Ja ai s’është i pirë! Edhe unë s’do të jem i pirë… Po pse u ngjesha kaq shumë? Sepse më futën në debat, të mallkuarit! Se jam betuar të mos debatoj!.. Thonë gjëra kaq të marra! Gati u zura! Atje e lashë xhaxhanë, kryetar… Hë, a e besoni: kërkojnë mungesë të plotë personaliteti dhe pikërisht në këtë gjejnë shijen më të madhe! Vetëm të mos jesh vetvetja, vetëm t’i ngjash vetes sa më pak! Pikërisht kjo quhet tek ata përparimi më i lartë. Edhe të paktën të gënjenin në mënyrën e tyre, po ja…

— Dëgjoni, — e ndërpreu me druajtje Pulherija Aleksandrovna, por kjo vetëm sa i shtoi zjarrin.

— Po ç’mendoni ju? — bërtiste Razumihini, duke e ngritur zërin edhe më lart, — mendoni se zemërohem ngaqë gënjejnë? Marrëzi! Mua më pëlqen kur gënjejnë! Gënjeshtra është privilegji i vetëm njerëzor përpara të gjithë organizmave. Po gënjeve — do të arrish te e vërteta! Pikërisht se gënjej, jam njeri. Asnjë të vërtete s’i kanë arritur pa gënjyer më parë nja katërmbëdhjetë herë, e ndoshta njëqind e katërmbëdhjetë, dhe kjo është në llojin e vet nder; hë, kurse ne as të gënjejmë me mendjen tonë s’dimë! Ti më gënje, po gënje në mënyrën tënde, dhe atëherë do të të puth. Të gënjesh në mënyrën tënde — kjo është pothuajse më mirë se një e vërtetë vetëm në mënyrën e tjetrit; në rastin e parë je njeri, kurse në të dytin je vetëm zog! E vërteta s’ikën, kurse jetën mund ta gozhdosh; ka pasur shembuj. Hë, ç’jemi ne tani? Të gjithë ne, të gjithë pa përjashtim, sa i përket shkencës, zhvillimit, mendimit, shpikjeve, idealeve, dëshirave, liberalizmit, arsyes, përvojës dhe gjithçkaje, gjithçkaje, gjithçkaje, gjithçkaje, gjithçkaje, ende rrimë në klasën e parë përgatitore të gjimnazit! Na pëlqeu të rrojmë me mendjen e të tjerëve — u ngulëm aty! A s’është kështu? A s’e them kështu? — bërtiste Razumihini, duke i tundur e duke u shtrënguar duart të dyja zonjave, — a s’është kështu?

— Oh, Zoti im, s’e di, — tha Pulherija Aleksandrovna e gjorë.

— Kështu është, kështu… ndonëse s’jam dakord me ju për të gjitha, — shtoi seriozisht Avdotja Romanovna dhe aty për aty thirri, aq me dhimbje ia shtrëngoi ai këtë herë dorën.

— Kështu? Ju thoni, kështu? Hë, atëherë pas kësaj ju… ju… — bërtiti ai në ekstazë, — ju jeni burim mirësie, pastërtie, arsyeje dhe… përsosmërie! Ma jepni dorën, ma jepni… edhe ju ma jepni tuajën, dua t’ju puth duart këtu, tani, në gjunjë!

Dhe ra në gjunjë në mes të trotuarit, për fat, këtë herë të shkretë.

— Mjaft, ju lutem, ç’po bëni? — thirri Pulherija Aleksandrovna, e shqetësuar në kulm.

— Ngrihuni, ngrihuni! — qeshte e shqetësohej edhe Dunja.

— Për asgjë në botë, derisa të më jepni duart! Ja kështu, dhe mjaft, dhe u ngrita, dhe ikim! Jam një budalla fatkeq, s’jam i denjë për ju, dhe i pirë, dhe kam turp… S’jam i denjë t’ju dua, po t’ju falem — kjo është detyrë e secilit, veç po të mos jetë krejt bagëti! Dhe unë u fala… Ja edhe nomerat tuaj, dhe vetëm për këtë ka të drejtë Rodioni që e përzuri pak më parë Pjotr Petroviçin tuaj! Si guxoi t’ju vendosë në nomera të tillë? Kjo është skandal! E dini kë lënë të hyjë këtu? Kurse ju jeni nuse! Ju jeni nuse, po? Hë, atëherë do t’ju them se dhëndri juaj pas kësaj është i poshtër!

— Dëgjoni, zoti Razumihin, ju e harruat veten… — filloi Pulherija Aleksandrovna.

— Po, po, keni të drejtë, e harrova veten, kam turp! — erdhi në vete Razumihini, — por… por… ju s’mund të zemëroheni me mua që flas kështu! Sepse flas sinqerisht, e jo sepse… hm! kjo do të ishte e poshtër; me një fjalë, jo sepse unë për ju… hm!.. hë, le të jetë, s’duhet, s’do ta them pse, s’guxoj!.. Kurse ne të gjithë e kuptuam pak më parë, kur hyri, se ky njeri s’është nga shoqëria jonë. Jo sepse hyri me flokë të dredhur te berberi, jo sepse nxitonte të nxirrte në pah mendjen e tij, po sepse është spiun e spekullant; sepse është çifut e palaço, dhe kjo duket. Ju mendoni se është i zgjuar? Jo, është budalla, budalla! Hë, a është ai shok për ju? O Zoti im! E shihni, zonja, — u ndal ai befas, duke u ngjitur tashmë nëpër shkallët e nomerave, — ndonëse ata te unë atje janë të gjithë të dehur, po të gjithë janë të ndershëm, dhe ndonëse gënjejmë, sepse edhe unë gënjej, prapë do të gënjejmë deri sa të arrijmë më në fund te e vërteta, sepse qëndrojmë në rrugë fisnike, kurse Pjotr Petroviçi… s’qëndron në rrugë fisnike. Ndonëse unë sapo i shava me sharje të rënda, po unë i respektoj të gjithë; madje edhe Zametovin, ndonëse s’e respektoj, e dua, sepse — është këlysh! Madje edhe këtë bagëti Zosimovin, sepse — është i ndershëm dhe e di punën… Po mjaft, u tha gjithçka dhe u fal gjithçka. U fal? A është kështu? Hë, ikim. E njoh këtë korridor, kam qenë; ja këtu, në numrin e tretë, pati një skandal… Hë, ku jeni ju këtu? Cili numër? I teti? Hë, atëherë mbylluni për natën, mos lini njeri të hyjë. Pas një çerek ore kthehem me lajm, e pastaj edhe pas gjysmë ore me Zosimovin, do ta shihni! Lamtumirë, po vrapoj!

— O Zot, Duneçka, ç’do të ndodhë? — tha Pulherija Aleksandrovna, duke iu drejtuar së bijës e shqetësuar e e trembur.

— Qetësohuni, mama, — u përgjigj Dunja, duke hequr kapelën e mantelin e vogël, — këtë zotëri na e dërgoi vetë Zoti, ndonëse vjen drejt e nga ndonjë pijatikë. Te ai mund të mbështetesh, ju siguroj. Dhe gjithçka që ka bërë tashmë për vëllanë…

— Ah, Duneçka, Zoti e di nëse do të vijë! Dhe si guxova ta lë Rodjën!.. Dhe aspak, aspak s’e përfytyroja ta gjeja kështu! Sa i ashpër ishte, sikur s’gëzohej për ne…

Lotët iu shfaqën në sy.

— Jo, s’është kështu, mama. Ju s’e vutë re mirë, gjithë kohës qanit. Ai është shumë i trazuar nga një sëmundje e rëndë — ja shkaku i gjithçkaje.

— Ah, kjo sëmundje! Ç’do të ndodhë, ç’do të ndodhë! Dhe si fliste me ty, Dunja! — tha e ëma, duke i vështruar me druajtje në sy së bijës, për t’i lexuar gjithë mendimin, dhe tashmë gjysmë e ngushëlluar nga ajo që vetë Dunja e mbronte Rodjën, pra e kishte falur. — Jam e sigurt se nesër do të mendohet mirë, — shtoi ajo, duke u përpjekur ta zbulonte deri në fund.

— Kurse unë jam e sigurt se edhe nesër do të thotë të njëjtën gjë… për këtë, — e preu Avdotja Romanovna, dhe, natyrisht, kjo ishte pikë e vështirë, sepse këtu ishte një çështje për të cilën Pulherija Aleksandrovna kishte tani tepër frikë të fliste. Dunja u afrua dhe e puthi nënën. Ajo e përqafoi fort në heshtje. Pastaj u ul në pritje të shqetësuar të kthimit të Razumihinit dhe filloi të ndiqte me druajtje të bijën, e cila, me duart e kryqëzuara, edhe ajo në pritje, filloi të ecte përpara e prapa nëpër dhomë, duke menduar me vete. Kjo ecje nga një qoshe në tjetrën, e menduar, ishte zakon i rëndomtë i Avdotja Romanovnës, dhe e ëma kishte gjithmonë njëfarë frike t’ia prishte në ato çaste mendimet.

Razumihini, natyrisht, ishte qesharak me pasionin e tij të papritur, të ndezur nga e dehura, për Avdotja Romanovnën; por, po ta shikoje Avdotja Romanovnën, sidomos tani, kur ecte me duart e kryqëzuara nëpër dhomë, e trishtuar e e menduar, ndoshta shumë do ta falnin, pa folur më për gjendjen e tij ekscentrike. Avdotja Romanovna ishte jashtëzakonisht e bukur — e gjatë, çuditërisht e hijshme, e fortë, e sigurt në vete, gjë që shprehej në çdo gjest të saj dhe që, megjithatë, s’ua hiqte aspak lëvizjeve të saj butësinë e hirin. Në fytyrë i ngjante vëllait, por atë madje mund ta quaje bukuroshe. Flokët i kishte ngjyrë gështenjë të errët, pak më të çelët se të vëllait; sytë gati të zinj, që shkëlqenin, krenarë dhe njëkohësisht ndonjëherë, në disa çaste, jashtëzakonisht të mirë. Ishte e zbehtë, por jo e zbehtë si e sëmurë; fytyra i shkëlqente nga freskia e shëndeti. Goja i ishte pak e vogël, kurse buza e poshtme, e freskët e e kuqe flakë, i dilte fare pak përpara, bashkë me mjekrën, — parregullsia e vetme në këtë fytyrë të bukur, që i jepte megjithatë një karakter të veçantë dhe, ndër të tjera, sikur njëfarë mendjemadhësie. Shprehja e fytyrës së saj ishte gjithmonë më shumë serioze se e gëzuar, e menduar; por sa i shkonte kësaj fytyre buzëqeshja, sa i shkonte e qeshura, e gëzuar, rinore, pa rezerva! Kuptohet që Razumihini i zjarrtë, i çiltër, pak naiv, i ndershëm, i fortë si një kreshnik, dhe i pirë, që s’kishte parë kurrë diçka të tillë, e humbi kokën që në shikim të parë. Për më tepër, rasti, si me qëllim, ia tregoi Dunjën për herë të parë në çastin e bukur të dashurisë e të gëzimit të takimit me vëllanë. E pa pastaj si iu drodh nga indinjata buza e poshtme në përgjigje të urdhrave të pacipë e mizorë, mosmirënjohës, të vëllait, — dhe s’mundi t’i rezistonte.

Ai, megjithatë, tha të vërtetën kur llomotiti pak më parë nga e dehura në shkallë se e zonja ekscentrike e shtëpisë së Raskolnikovit, Praskovja Pavlovna, do të kishte xhelozi për të jo vetëm me Avdotja Romanovnën, por ndoshta edhe me vetë Pulherija Aleksandrovnën. Megjithëse Pulherija Aleksandrovna ishte tashmë dyzet e tre vjeçe, fytyra e saj ruante ende mbetjet e bukurisë së dikurshme, dhe për më tepër dukej shumë më e re se mosha e saj, gjë që ndodh pothuajse gjithmonë me gratë që e kanë ruajtur kthjelltësinë e shpirtit, freskinë e përshtypjeve dhe zjarrin e ndershëm e të pastër të zemrës deri në pleqëri. Le ta themi në kllapa se ta ruash të gjithë këtë është mjeti i vetëm për të mos e humbur bukurinë edhe në pleqëri. Flokët kishin filluar t’i thinjeshin e t’i rralloheshin, rrudhat e vogla rrezatuese ishin shfaqur prej kohësh rreth syve, faqet i ishin futur e i ishin tharë nga shqetësimi e hidhërimi, dhe prapëseprapë kjo fytyrë ishte e bukur. Ishte portreti i fytyrës së Duneçkës, vetëm njëzet vjet më vonë, përveç shprehjes së buzës së poshtme, e cila tek ajo s’dilte përpara. Pulherija Aleksandrovna ishte e ndjeshme, megjithatë jo deri në tepri, e druajtur dhe lëshonte pe, por deri në një vijë të caktuar: mund të lëshonte shumë, mund të pranonte shumë, madje edhe nga ato që binin ndesh me bindjet e saj, por kishte gjithmonë një vijë ndershmërie, rregullash e bindjesh të skajshme, përtej së cilës asnjë rrethanë s’mund ta detyronte të kalonte.

Mu pas njëzet minutash nga ikja e Razumihinit u dëgjuan dy trokitje jo të forta, por të nxituara, në derë; ishte kthyer.

— S’hyj, s’kam kohë! — nxitoi ai, kur i hapën derën, — fle top, shkëlqyeshëm, qetë, dhe dhëntë Zoti të flejë nja dhjetë orë. Te ai është Nastasja; i thashë të mos dalë derisa të vij unë. Tani do të sjell Zosimovin, ai do t’ju raportojë, e pastaj edhe ju në shtrat; jeni rraskapitur, e shoh, deri në fund.

Dhe u nis prej tyre nëpër korridor.

— Ç’djalë i ri i shkathët dhe… i përkushtuar! — thirri Pulherija Aleksandrovna, jashtëzakonisht e gëzuar.

— Me sa duket, një njeri i shkëlqyer! — u përgjigj me njëfarë zjarri Avdotja Romanovna, duke filluar përsëri të ecte përpara e prapa nëpër dhomë.

Gati pas një ore u dëgjuan hapa në korridor dhe një trokitje tjetër në derë. Të dyja gratë prisnin, këtë herë duke i besuar plotësisht premtimit të Razumihinit; dhe vërtet, ai arriti ta sillte Zosimovin. Zosimovi pranoi menjëherë ta linte gostinë e të shkonte ta shihte Raskolnikovin, por te zonjat shkoi pa dëshirë e me shumë mosbesim, pa i besuar Razumihinit të pirë. Por sedra iu qetësua menjëherë e madje iu përkëdhel: kuptoi se vërtet e prisnin si orakull. Ndenji plot dhjetë minuta dhe arriti plotësisht ta bindte e ta qetësonte Pulherija Aleksandrovnën. Foli me një pjesëmarrje të pazakontë, por i përmbajtur e disi tepër serioz, krejt si një mjek njëzet e shtatë vjeçar në një konsultë të rëndësishme, dhe asnjë fjalë s’u largua nga tema dhe s’tregoi as dëshirën më të vogël të hynte në marrëdhënie më personale e më private me të dyja zonjat. Kur vuri re qysh në hyrje se sa verbuesisht e bukur ishte Avdotja Romanovna, u përpoq menjëherë madje të mos e vinte fare re gjatë gjithë vizitës dhe i drejtohej vetëm Pulherija Aleksandrovnës. E gjithë kjo i jepte një kënaqësi të brendshme të jashtëzakonshme. Për të sëmurin vetë u shpreh se e gjente në këtë çast në një gjendje mjaft të kënaqshme. Sipas vëzhgimeve të tij, sëmundja e pacientit, përveç mjedisit të keq material të muajve të fundit të jetës, kishte edhe disa shkaqe morale, „ishte, si të thuash, produkt i shumë ndikimeve të ndërlikuara morale e materiale, shqetësimeve, frikërave, brengave, disa ideve… e të tjera“. Kur vuri re kalimthi se Avdotja Romanovna kishte filluar të dëgjonte veçanërisht me vëmendje, Zosimovi u zgjat pak më shumë në këtë temë. Kurse në pyetjen e shqetësuar e të druajtur të Pulherija Aleksandrovnës lidhur me „gjoja ca dyshime për çmenduri“, ai u përgjigj me një buzëqeshje të qetë e të çiltër se fjalët e tij ishin tepër të zmadhuara; se, natyrisht, te i sëmuri vihej re një mendim i ngulët, diçka që tregonte monomani, — meqë ai, Zosimovi, po e ndiqte tani veçanërisht këtë degë jashtëzakonisht interesante të mjekësisë, — por duhej kujtuar se gati deri sot i sëmuri kishte qenë në kllapi, dhe… dhe, natyrisht, ardhja e të afërmve do ta forcojë, do ta shpërqendrojë e do të veprojë shpëtimtarisht, „vetëm nëse do të mund të shmangen tronditje të reja të veçanta“, — shtoi ai me kuptim. Pastaj u ngrit, u përshëndet me rëndësi e përzemërsisht, i përcjellë nga bekime, mirënjohje të zjarrtë, lutje e madje nga dora e vogël e Avdotja Romanovnës, që iu zgjat për ta shtrënguar pa e kërkuar ai, dhe doli jashtëzakonisht i kënaqur me vizitën e tij e edhe më shumë me veten.

— Kurse do të flasim nesër; shtrihuni, tani, patjetër! — e vulosi Razumihini, duke ikur me Zosimovin. — Nesër, sa më herët që të mundem, jam te ju me raport.

— Megjithatë, ç’vajzë magjepsëse kjo Avdotja Romanovna! — vërejti Zosimovi, gati duke lëpirë buzët, kur të dy dolën në rrugë.

— Magjepsëse? Ti the magjepsëse! — gjëmoi Razumihini dhe befas u hodh mbi Zosimovin dhe e kapi për gryke. — Nëse ti ndonjëherë guxon… E kupton? E kupton? — bërtiste ai, duke e tundur për jake e duke e shtypur pas murit, — e dëgjove?

— Po më lësho, djall i dehur! — mbrohej Zosimovi, dhe pastaj, kur ai e lëshoi, e vështroi me ngulm dhe befas ia plasi të qeshurit. Razumihini qëndronte para tij, me duar të lëshuara, i zhytur në një mendim të zymtë e serioz.

— Natyrisht, jam gomar, — tha ai, i zymtë si re, — po… edhe ti.

— Hë, jo, vëlla, aspak edhe unë. Unë për marrëzira s’ëndërroj.

Ecën në heshtje, dhe vetëm kur po i afroheshin banesës së Raskolnikovit, Razumihini, shumë i shqetësuar, e theu heshtjen.

— Dëgjo, — i tha ai Zosimovit, — ti je djalë i shkëlqyer, por ti, përveç të gjitha cilësive të tua të këqija, je edhe kurvar, këtë e di, dhe nga më të ndyrët. Ti je një gjë e ndyrë nervoze, e dobët, je tekanjoz, je majmur dhe s’mund t’i mohosh vetes asgjë, — kurse këtë unë e quaj ndyrësi, sepse të çon drejt e në ndyrësi. E ke përkëdhelur aq shumë veten, sa, ta pranoj, më pak se gjithçka e kuptoj si mund të jesh me gjithë këtë një mjek i mirë e madje vetëmohues. Fle në dyshek me pupla (mjeku!), e netëve ngrihet për të sëmurin! Pas nja tre vjetësh s’do të ngrihesh më për të sëmurin… Hë, po, dreqi, s’është puna këtu, po ja ku është: ti sot do të flesh në banesën e së zonjës së shtëpisë (mezi e bindja!), kurse unë në kuzhinë: ja ku keni rast të njiheni më nga afër! Jo ajo që mendon ti! Këtu, vëlla, s’ka as hije të kësaj…

— Po unë aspak s’e mendoj.

— Këtu, vëlla, ka turp, heshtje, ndrojtje, dlirësi të egërsuar, dhe me gjithë këtë — psherëtima, dhe shkrihet si dylli, shkrihet fare! Më shpëto prej saj, për hir të të gjithë djajve të botës! Shumë-shumë avenante!.. Do ta shpërblej, me kokë do ta shpërblej!

Zosimovi ia plasi të qeshurit edhe më fort se më parë.

— Shih si të paska marrë! Po ç’më duhet mua ajo?

— Të siguroj, s’ka shumë mundim, vetëm thuaj ç’të duash, ç’të të vijë ndër mend, vetëm ulu pranë saj e fol. Për më tepër, ti je mjek, filloje ta mjekosh për diçka. Betohem, s’do të pendohesh. Ka një klavikord; unë, e di, i bie pak; kam atje një këngë, ruse, të vërtetë: „Do të derdh lot të hidhur…“ Asaj i pëlqejnë të vërtetat, — hë, nga kënga filloi; kurse ti në piano je virtuoz, mjeshtër, Rubinshtejn…1 Të siguroj, s’do të pendohesh!

— Po mos i ke dhënë ndonjë premtim, a? Ndonjë dëftesë me formë? Ndoshta i ke premtuar të martohesh…

— Asgjë, asgjë, absolutisht asgjë nga këto! Po ajo s’është fare e tillë; ishte Çebarovi te ajo…

— Hë, atëherë lëre!

— Po s’mund ta lësh kështu!

— Po pse s’mund?

— Hë, po, disi s’mund, dhe kaq! Këtu, vëlla, ka një parim që të tërheq brenda.

— Atëherë pse e joshe?

— Po unë aspak s’e josha, unë, ndoshta, jam joshur vetë, nga budallallëku im, kurse për të do të jetë krejtësisht njësoj, ti apo unë, vetëm të rrijë dikush pranë e të psherëtijë. Këtu, vëlla… S’mund ta shpreh këtë, këtu, — hë, ja, ti matematikën e di mirë, dhe merresh ende me të, e di… hë, fillo t’i mësosh njehsimin integral, për Zotin s’bëj shaka, flas seriozisht, për të do të jetë krejtësisht njësoj: do të të shikojë e do të psherëtijë, dhe kështu një vit të tërë rresht. Unë, ndër të tjera, i fola shumë gjatë, dy ditë rresht, për Dhomën e Zotërinjve të Prusisë2 (sepse për çfarë të flasësh me të?), — vetëm psherëtinte e avullonte! Vetëm për dashuri mos i fol, — e turpshme deri në spazma, — po bëj sikur s’mund të ikësh prej saj, — hë, dhe mjafton. Tmerrësisht rehat; krejt si në shtëpi, — lexo, rri, shtrihu, shkruaj… Mund ta puthësh madje, me kujdes…

— Po ç’më duhet mua ajo?

— Eh, në asnjë mënyrë s’mund të ta shpjegoj! E sheh: ju të dy i përshtateni krejtësisht njëri-tjetrit! Edhe më parë kam menduar për ty… Se me këtë do ta mbarosh! Atëherë a s’të bën njësoj — më herët apo më vonë? Këtu, vëlla, ka njëfarë parimi dysheku me pupla, — eh! dhe jo vetëm dysheku! Këtu të tërheq; këtu është fundi i botës, spiranca, strehë e qetë, kërthiza e tokës, themeli i botës mbi tre peshq,3 esenca e petullave, e kulebjakave4 të yndyrshme, e samovarit të mbrëmjes, e psherëtimave të qeta dhe e xhaketave të ngrohta, e stolave të nxehta të sobës, — hë, ja, krejt sikur ke vdekur, e në të njëjtën kohë je gjallë, të dyja përfitimet njëherësh! Hë, vëlla, dreqi, fola përçart, është koha për gjumë! Dëgjo: unë natën ndonjëherë zgjohem, dhe shkoj ta shoh. Po s’ka gjë, marrëzi, gjithçka mirë. As ti mos u shqetëso shumë, po po deshe, shko edhe ti një herë. Po sapo të vësh re ndonjë gjë, kllapi për shembull, ose zjarrmi, ose ndonjë gjë, zgjomë menjëherë. Megjithatë, s’mund të jetë…

Shënime

  1. Anton Rubinshtejn (1829–1894): pianist e kompozitor rus i famshëm. ↩︎

  2. Dhoma e Zotërinjve: dhoma e sipërme e parlamentit të Prusisë. ↩︎

  3. Sipas besimeve popullore ruse, toka mbështetej mbi tre peshq. ↩︎

  4. Kulebjakë: byrek i madh rus i mbushur me peshk, mish ose lakër. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Krim dhe ndëshkim

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours