Pjesa e pestë — II · Krim dhe ndëshkim
Chapter 28 of 41
Do të ishte e vështirë të përcaktoheshin me saktësi shkaqet për të cilat në kokën e çrregulluar të Katerina Ivanovnës lindi ideja e kësaj dreke përkujtimi pa kuptim. Vërtet, për të ishin prishur gati dhjetë rubla nga njëzet e ca që kishte marrë nga Raskolnikovi pikërisht për varrimin e Marmeladovit. Ndoshta Katerina Ivanovna e quante veten të detyruar ndaj të ndjerit ta nderonte kujtimin e tij „siç duhet“, që ta dinin të gjithë qiramarrësit e sidomos Amalija Ivanovna se ai „jo vetëm që s’ishte aspak më i keq se ata, po, ndoshta, edhe shumë më i mirë, zotëri“, dhe se asnjëri prej tyre s’kishte të drejtë „ta ngrinte hundën“ para tij. Ndoshta këtu ndikoi më shumë se gjithçka ajo krenari e veçantë e të varfërve, për shkak të së cilës, në disa rite shoqërore, të detyrueshme në jetën tonë për të gjithë e për secilin, shumë të varfër sforcohen me forcat e fundit dhe shpenzojnë kapikët e fundit të kursyer, vetëm që të jenë „jo më keq se të tjerët“ dhe që të mos i „gjykojnë“ disi ata të tjerët. Shumë e mundshme është edhe që Katerina Ivanovnës iu tek, pikërisht në këtë rast, pikërisht në atë minutë kur, me sa dukej, ishte braktisur nga të gjithë në botë, t’u tregonte gjithë këtyre „qiramarrësve të parëndësishëm e të ndyrë“ se ajo jo vetëm që „di të rrojë e di të presë mysafirë“, por se aspak s’ishte edukuar për një fat të tillë, po ishte edukuar në „një shtëpi koloneli fisnike, madje mund të thuhet aristokratike“, dhe aspak s’ishte përgatitur që të fshinte vetë dyshemenë e të lante natën leckat e fëmijëve. Këto paroksizma krenarie e kotësie i vizitojnë ndonjëherë njerëzit më të varfër e më të shtypur dhe, herë-herë, u shndërrohen në një nevojë nervoze, të papërmbajtshme. E Katerina Ivanovna, për më tepër, s’ishte nga të shtypurit: mund ta vrisnin krejt rrethanat, por ta shtypnin moralisht, domethënë ta trembnin e t’ia nënshtronin vullnetin, s’mundej. Përveç kësaj, Soneçka thoshte fare me të drejtë për të se mendja i ngatërrohej. Pozitivisht e përfundimisht, e vërtetë, kjo s’mund të thuhej ende, por vërtet kohët e fundit, gjatë gjithë vitit të fundit, koka e saj e gjorë ishte munduar tepër që të mos dëmtohej të paktën pjesërisht. Zhvillimi i fortë i tuberkulozit, siç thonë mjekët, ndihmon gjithashtu në çrregullimin e aftësive mendore.
Verëra në shumës e të shumë llojeve s’kishte, as madera: kjo ishte zmadhuar, por verë kishte. Kishte vodkë, rum e verë Lisbone, të gjitha të cilësisë më të ndyrë, por të gjitha me sasi të mjaftueshme. Nga gjellët, përveç kutjes,1 kishte tri-katër pjata (ndër të tjera, edhe petulla), të gjitha nga kuzhina e Amalija Ivanovnës, e përveç kësaj u vunë njëherësh dy samovarë për çajin e ponçin që parashikoheshin pas drekës. Blerjet i drejtoi vetë Katerina Ivanovna, me ndihmën e një qiramarrësi, njëfarë polaku të vogël e të mjerë, që Zoti e di përse banonte te zonja Lippevehzel, i cili u fut menjëherë si porositës i Katerina Ivanovnës dhe vrapoi gjithë ditën e djeshme e gjithë këtë mëngjes me sa i hanin këmbët e me gjuhën jashtë, duke u përpjekur, me sa duket, veçanërisht që të dukej kjo rrethanë e fundit. Për çdo vogëlsirë vinte me vrap çdo minutë te vetë Katerina Ivanovna, vraponte madje ta kërkonte në Gostini Dvor,2 e quante pa pushim „pani horunzhina“,3 dhe më në fund e mërziti për vdekje, megjithëse në fillim ajo thoshte se pa këtë njeri „të gatshëm e bujar“ do të kishte humbur krejt. Në natyrën e karakterit të Katerina Ivanovnës ishte ta vishte sa më shpejt të parin që i dilte përpara me ngjyrat më të mira e më të ndezura, ta lëvdonte aq shumë sa disave madje u vinte turp, të sajonte në lavdinë e tij rrethana të ndryshme që s’kishin ekzistuar fare, t’u besonte vetë krejt sinqerisht e me zemër të pastër realitetit të tyre, e pastaj befas, përnjëherësh, të zhgënjehej, ta këpuste, ta pështynte e ta nxirrte me të shtyra njeriun të cilit, vetëm disa orë më parë, i ishte falur fjalë për fjalë. Nga natyra ishte me karakter të qeshur, të gëzuar e paqësor, por nga fatkeqësitë e dështimet e pandërprera kishte filluar të dëshironte e të kërkonte aq me tërbim që të gjithë të rronin në paqe e në gëzim dhe të mos guxonin të rronin ndryshe, sa disonanca më e lehtë në jetë, dështimi më i vogël, filluan ta çonin menjëherë gati në ekstazë, dhe ajo në një çast, pas shpresave e fantazive më të ndezura, fillonte të mallkonte fatin, të griste e të hidhte gjithçka që i binte në dorë, e të godiste kokën pas murit. Edhe Amalija Ivanovna befas, s’dihej pse, fitoi një rëndësi të jashtëzakonshme dhe një respekt të jashtëzakonshëm nga Katerina Ivanovna, ndoshta vetëm sepse u nis kjo drekë përkujtimi e sepse Amalija Ivanovna vendosi me gjithë zemër të merrte pjesë në të gjitha telashet: mori përsipër të shtronte tryezën, të siguronte mbulesat, enët e kështu me radhë, dhe të gatuante ushqimin në kuzhinën e saj. Katerina Ivanovna e autorizoi për gjithçka dhe e la në vend të vetes, duke shkuar vetë në varreza. Vërtet, gjithçka ishte përgatitur për mrekulli: tryeza ishte shtruar madje mjaft pastër, enët, pirunët, thikat, gotat e vogla, gotat, filxhanët — të gjitha këto, natyrisht, ishin të mbledhura, të formave e të madhësive të ndryshme, nga qiramarrës të ndryshëm, por gjithçka ishte në orën e caktuar në vendin e vet, dhe Amalija Ivanovna, duke ndier se e kishte kryer punën shkëlqyeshëm, i priti ata që u kthyen madje me njëfarë krenarie, e stolisur e tëra, me një kapuç me shirita të rinj zie e me fustan të zi. Kjo krenari, ndonëse e merituar, s’i pëlqeu, s’dihej pse, Katerina Ivanovnës: „vërtet, sikur pa Amalija Ivanovnën s’do të dinin as tryezën ta shtronin!“ S’i pëlqeu as kapuçi me shiritat e rinj: „mos vallë krenohet, ku i dihet, kjo gjermane budallaqe që është e zonja e shtëpisë dhe që pranoi nga mëshira t’i ndihmonte qiramarrësit e varfër? Nga mëshira! Ju lutem shumë! Te babai i Katerina Ivanovnës, që ishte kolonel e gati-gati guvernator, tryeza shtrohej ndonjëherë për dyzet veta, kështu që ndonjë Amalija Ivanovna, ose më mirë të themi Ljudvigovna, atje as në kuzhinë s’do ta lejonin…“ Megjithatë, Katerina Ivanovna vendosi të mos i shprehte për ca kohë ndjenjat e saj, megjithëse vendosi në zemër se Amalija Ivanovnës duhej patjetër t’ia ulte hundën që sot e t’ia kujtonte vendin e saj të vërtetë, përndryshe do të ëndërronte Zoti e di se ç’për veten, kurse tani për tani u soll me të vetëm ftohtë. Një pakëndshmëri tjetër ndihmoi gjithashtu pjesërisht në acarimin e Katerina Ivanovnës: në varrim, nga qiramarrësit e ftuar, përveç polakut të vogël, që arriti megjithatë të shkonte edhe në varreza, pothuajse s’kishte qenë askush; kurse në drekën e përkujtimit, domethënë te mezeja, erdhën prej tyre gjithë më të parëndësishmit e më të varfrit, shumë prej tyre madje jo në gjendje të mirë, kështu, ca plehra. Kurse ata që ishin më të moshuar e më solidë, të gjithë, si me qëllim, sikur të ishin marrë vesh, munguan. Pjotr Petroviç Luzhini, për shembull, më solidi, mund të thuhet, nga të gjithë qiramarrësit, s’erdhi, e megjithatë qysh mbrëmë Katerina Ivanovna kishte arritur t’u fliste të gjithëve në botë, domethënë Amalija Ivanovnës, Poleçkës, Sonjës e polakut të vogël, se ai ishte njeriu më fisnik, më bujar, me lidhje shumë të mëdha e me pasuri, ish-mik i burrit të saj të parë, i pritur në shtëpinë e babait të saj, dhe se kishte premtuar të përdorte të gjitha mjetet për t’i siguruar një pension të konsiderueshëm. Të vëmë re këtu se, nëse Katerina Ivanovna mburrej me lidhjet e pasurinë e dikujt, e bënte pa kurrfarë interesi, pa kurrfarë llogarie personale, krejt pa përfitim, si të thuash, nga plotësia e zemrës, vetëm nga kënaqësia për ta lëvduar dhe për t’i dhënë edhe më shumë vlerë atij që lëvdohej. Pas Luzhinit, dhe, me siguri, „duke marrë shembull prej tij“, s’erdhi as „ky maskara i ndyrë Lebezjatnikovi“. „Po ky ç’mendon për veten? Atë e ftuan vetëm nga mëshira, e edhe kjo sepse rri në një dhomë me Pjotr Petroviçin dhe është i njohuri i tij, kështu që të vinte ngushtë të mos e ftoje“. S’erdhi gjithashtu as një zonjë me pretendime me „virgjëreshën e saj të tejpjekur“, të bijën, që, megjithëse banonin vetëm nja dy javë në nomerat e Amalija Ivanovnës, ishin ankuar tashmë disa herë për zhurmën e britmat që ngriheshin nga dhoma e Marmeladovëve, sidomos kur i ndjeri kthehej i dehur në shtëpi, gjë që, natyrisht, e kishte marrë vesh tashmë Katerina Ivanovna po nëpërmjet Amalija Ivanovnës, kur kjo, duke u grindur me Katerina Ivanovnën e duke e kërcënuar se do ta nxirrte gjithë familjen, bërtiste me sa i hante zëri se ata shqetësonin „qiramarrës fisnikë, që ata s’vlejnë as sa këmbët e tyre“. Katerina Ivanovna kishte vendosur tani me qëllim ta ftonte këtë zonjë e të bijën, sa këmbët e të cilave ajo „gjoja s’vlente“, aq më tepër që deri tani, në takimet e rastit, ajo kthente kokën me mendjemadhësi, — që ta dinte pra se këtu „mendohet e ndihet më fisnikërisht, dhe ftohet pa e mbajtur mend të keqen“, e që të shihnin se Katerina Ivanovna ishte mësuar të rronte edhe jo në një fat të tillë. Kjo patjetër parashikohej t’u shpjegohej në tryezë, si edhe guvernatoria e babait të ndjerë, e njëkohësisht t’u vihej në dukje tërthorazi se s’kishin pse ta kthenin kokën në takime e se kjo ishte jashtëzakonisht budallaqe. S’erdhi gjithashtu as nënkoloneli i trashë (në të vërtetë, kapiten shtabi në pension), por doli se ai ishte „i shtrirë pa ndjenja“ qysh nga mëngjesi i djeshëm. Me një fjalë, erdhën vetëm: polaku i vogël, pastaj një kancelarist i mjerë pa fjalë, me frak të yndyrosur, me puçrra e me një erë të neveritshme; pastaj edhe një plak i shurdhër e gati krejt i verbër, që kishte shërbyer dikur në një postë e që dikush, qysh prej kohësh të lashta e s’dihej përse, e mbante te Amalija Ivanovna. Erdhi gjithashtu një toger në pension i dehur, në të vërtetë nëpunës furnizimesh ushtarake, me të qeshurën më të pahijshme e më të zhurmshme, dhe, „përfytyroni“, pa jelek! Njëri u ul drejt e në tryezë, pa i bërë madje as përshëndetje Katerina Ivanovnës, dhe, më në fund, një person, meqë s’kishte rroba, erdhi me rrobdishan, por kjo ishte në atë shkallë të pahijshme, sa me përpjekjet e Amalija Ivanovnës e të polakut të vogël arritën megjithatë ta nxirrnin. Polaku i vogël, megjithatë, solli me vete edhe dy polakë të tjerë të vegjël, që s’kishin banuar kurrë te Amalija Ivanovna e që askush s’i kishte parë deri atëherë në nomera. Të gjitha këto e acaruan jashtëzakonisht pakëndshëm Katerina Ivanovnën. „Për kë u bënë pra gjithë përgatitjet pas kësaj?“ Madje edhe fëmijët, për të fituar vend, s’i ulën në tryezë, që e zinte edhe pa këtë gjithë dhomën, po u shtruan në qoshen e pasme mbi sënduk, ku të dy të voglat i ulën në një stol, kurse Poleçka, si e madhe, duhej t’i mbikëqyrte, t’i ushqente e t’u fshinte, „si fëmijëve fisnikë“, hundët. Me një fjalë, Katerina Ivanovna pa dashje duhej t’i priste të gjithë me një solemnitet të dyfishuar e madje me mendjemadhësi. Disa i shqyrtoi veçanërisht rreptë dhe i ftoi nga lart të uleshin në tryezë. Duke e quajtur, s’dihej pse, Amalija Ivanovnën përgjegjëse për të gjithë ata që s’erdhën, filloi befas të sillej me të tejet me shpërfillje, gjë që ajo e vuri re menjëherë dhe u prek tejet në sedër. Një fillim i tillë s’parathoshte fund të mirë. Më në fund u ulën.
Raskolnikovi hyri pothuajse në po atë minutë kur u kthyen nga varrezat. Katerina Ivanovna u gëzua tmerrësisht për të, së pari, sepse ai ishte i vetmi „mysafir i shkolluar“ nga të gjithë mysafirët dhe, „siç dihet, pas dy vjetësh do të zinte në universitetin e këtushëm një katedër profesori“, e së dyti, sepse ai i kërkoi menjëherë e me respekt ndjesë që, me gjithë dëshirën, s’kishte mundur të ishte në varrim. Ajo iu hodh përsipër, e uli në tryezë pranë vetes, në të majtë (në të djathtë u ul Amalija Ivanovna) dhe, pavarësisht nga rrëmuja e telashet e pandërprera që gjellët të shpërndaheshin si duhej e t’u binin të gjithëve, pavarësisht nga kolla e mundimshme që e ndërpriste e e mbyste çdo minutë e që, me sa duket, i kishte zënë rrënjë veçanërisht këto dy ditët e fundit, i drejtohej pa pushim Raskolnikovit dhe me gjysmë pëshpëritjeje nxitonte të derdhte para tij të gjitha ndjenjat e grumbulluara tek ajo dhe gjithë indinjatën e saj të drejtë për drekën e përkujtimit të dështuar; dhe indinjata zëvendësohej shpesh nga e qeshura më e gëzuar, më e papërmbajtshme me mysafirët e mbledhur, por kryesisht me vetë të zonjën e shtëpisë.
— Për të gjitha fajin e ka kjo qyqe. E kuptoni për kë po flas: për të, për të! — dhe Katerina Ivanovna filloi t’i bënte me kokë drejt së zonjës së shtëpisë. — Shikojeni: i ka zgurdulluar sytë, ndien që po flasim për të, po s’mund të kuptojë, dhe i ka nxjerrë sytë. Puh, buf! ha-ha-ha!.. Khi-khi-khi! E ç’do të tregojë me atë kapuçin e saj! khi-khi-khi! E keni vënë re, ajo do gjithnjë që të gjithë të mendojnë se ajo më mbron e më bën nder që është e pranishme. Unë iu luta, si të hijshme, të ftonte njerëz më të mirë e pikërisht të njohurit e të ndjerit, po shikoni kë ka sjellë: ca gaztorë! ca zuzarë! Shikojeni këtë me fytyrë të papastër: ky është një qurrash mbi dy këmbë! E këta polakët e vegjël… ha-ha-ha! Khi-khi-khi! Askush, askush s’i ka parë ndonjëherë këtu, as unë s’i kam parë kurrë; hë, pse erdhën, do t’ju pyes? Rrinë urtë njëri pranë tjetrit. Panie, hej! — i bërtiti ajo befas njërit prej tyre, — morët petulla? Merrni edhe! Pini birrë, birrë! Vodkë nuk doni? Shikoni: u hodh, po përkulet, shikoni, shikoni: duhet të jenë krejt të uritur, të gjorët! S’ka gjë, le të hanë. Të paktën s’bëjnë zhurmë, vetëm… vetëm, vërtet, kam frikë për lugët e argjendta të së zonjës së shtëpisë!.. Amalija Ivanovna! — iu drejtua ajo befas asaj, pothuajse me zë, — nëse ndodh që t’ju vjedhin lugët, unë s’mbaj përgjegjësi për to, po ju paralajmëroj që më parë! Ha-ha-ha! — shpërtheu ajo në të qeshur, duke iu drejtuar përsëri Raskolnikovit, duke i bërë përsëri me kokë drejt së zonjës së shtëpisë e duke u gëzuar për të papriturën e saj. — S’kuptoi, prapë s’kuptoi! Rri me gojë hapur, shikoni: buf, buf i vërtetë, kukuvajkë me shirita të rinj, ha-ha-ha!
Këtu e qeshura u kthye përsëri në një kollë të padurueshme, që zgjati pesë minuta. Në shami mbeti pak gjak, në ballë i dolën pika djerse. Ajo ia tregoi në heshtje gjakun Raskolnikovit dhe, sapo mori pak frymë, filloi menjëherë t’i pëshpëriste përsëri me një gjallëri të jashtëzakonshme e me njolla të kuqe në faqe:
— Shikoni, unë i dhashë porosinë më delikate, mund të thuhet, të ftonte atë zonjë e të bijën, e kuptoni për kë po flas? Këtu duhej sjellë në mënyrën më delikate, të veproje në mënyrën më të mjeshtërishme, kurse ajo e bëri kështu që kjo budallaqe e ardhur, kjo krijesë mendjemadhe, kjo provinciale e parëndësishme, vetëm sepse është njëfarë vejushe majori dhe ka ardhur të përpiqet për pension e të fshijë me fund pragjet e zyrave, sepse në pesëdhjetë e pesë vjeç ngjyen vetullat, lyhet me të bardhë e me të kuqe (kjo dihet)… dhe një krijesë e tillë jo vetëm që s’denjoi të vinte, por as s’dërgoi të kërkonte ndjesë, po s’mund të vinte, siç kërkon në raste të tilla mirësjellja më e zakonshme! S’mund ta kuptoj pse s’erdhi edhe Pjotr Petroviçi? Po ku është Sonja? Ku shkoi? A, ja ku është më në fund! Ç’ke, Sonja, ku ishe? E çuditshme që ti edhe në varrimin e babait je kaq e pakujdesshme. Rodion Romanoviç, lëreni pranë jush. Ja vendi yt, Soneçka… merr ç’të duash. Merr pelte, është më e mirë. Tani do të sjellin petullat. Po fëmijëve u dhanë? Poleçka, a keni gjithçka atje? Khi-khi-khi! Hë, mirë. Ji e urtë, Lenja, kurse ti, Kolja, mos i tund këmbët; rri si duhet të rrijë një fëmijë fisnik. Ç’thua, Soneçka?
Sonja nxitoi t’i përcillte menjëherë ndjesën e Pjotr Petroviçit, duke u përpjekur të fliste me zë, që të dëgjonin të gjithë, e duke përdorur shprehjet më të zgjedhura plot respekt, madje të sajuara me qëllim në emër të Pjotr Petroviçit e të zbukuruara prej saj. Shtoi se Pjotr Petroviçi kishte porositur t’i përcillej veçanërisht se, sapo t’i jepej mundësia, do të vinte menjëherë për të biseduar për punët vetëm për vetëm e për t’u marrë vesh se ç’mund të bëhej e të ndërmerrej më tej, e kështu me radhë, e kështu me radhë.
Sonja e dinte se kjo do ta paqtonte e do ta qetësonte Katerina Ivanovnën, do t’i bënte qejfin, e kryesorja — krenaria e saj do të kënaqej. U ul pranë Raskolnikovit, të cilit iu përkul me nxitim, dhe e vështroi kalimthi me kureshtje. Megjithatë, gjatë gjithë kohës tjetër disi i shmangej edhe ta shikonte, edhe të fliste me të. Ishte sikur madje e hutuar, megjithëse e shikonte kështu në fytyrë Katerina Ivanovnën, për t’i bërë qejfin. As ajo, as Katerina Ivanovna s’ishin me rroba zie, sepse s’kishin rroba; Sonja kishte veshur diçka ngjyrë kafe, pak më të errët, kurse Katerina Ivanovna fustanin e saj të vetëm, prej basme, të errët me vija. Lajmi për Pjotr Petroviçin kaloi si në vaj. Pasi e dëgjoi me rëndësi Sonjën, Katerina Ivanovna pyeti me po atë rëndësi: si është me shëndet Pjotr Petroviçi? Pastaj, menjëherë dhe gati me zë, i pëshpëriti Raskolnikovit se vërtet do të ishte e çuditshme për një njeri të nderuar e solid si Pjotr Petroviçi të binte në një „kompani kaq të jashtëzakonshme“, pavarësisht madje nga gjithë përkushtimi i tij ndaj familjes së saj e nga miqësia e tij e vjetër me babain e saj.
— Ja pse ju jam veçanërisht mirënjohëse, Rodion Romaniç, që s’e përbuzët bukën e kripën time, madje edhe në një mjedis të tillë, — shtoi ajo gati me zë, — megjithatë, jam e sigurt se vetëm miqësia juaj e veçantë me të ndjerin tim të gjorë ju shtyu ta mbanit fjalën.
Pastaj ajo i shqyrtoi edhe një herë me krenari e me dinjitet mysafirët e saj dhe befas, me një kujdes të veçantë, pyeti me zë të lartë e përmes tryezës plakun e shurdhër: „A s’do edhe mish të pjekur dhe a i kanë dhënë verë Lisbone?“ Plaku s’u përgjigj dhe për një kohë të gjatë s’mundi të kuptonte se ç’e pyesnin, megjithëse fqinjët, për të qeshur, filluan madje ta shtynin. Ai vetëm shikonte rreth e rrotull me gojë hapur, gjë që e ndezi edhe më shumë gazin e përgjithshëm.
— Ç’leshko! Shikoni, shikoni! Po pse e sollën? Sa i përket Pjotr Petroviçit, unë gjithmonë kam qenë e sigurt për të, — vazhdoi Katerina Ivanovna duke iu drejtuar Raskolnikovit, — dhe, natyrisht, ai s’u ngjan… — iu drejtua ajo prerë e me zë të lartë e me një pamje jashtëzakonisht të rreptë Amalija Ivanovnës, saqë kjo madje u tremb, — s’u ngjan atyre fundzvarriturave tuaja të stolisura, që te babai im s’do t’i merrnin as kuzhinjere në kuzhinë, kurse burri im i ndjerë, natyrisht, do t’u bënte nder duke i pritur, e edhe kjo vetëm nga mirësia e tij e pashtershme.
— Po, zonjë, i pëlqente të pinte; kjo i pëlqente, zonjë, pinte, zonjë! — bërtiti befas furnizuesi në pension, duke e kthyer gotën e dymbëdhjetë të vodkës.
— Burri im i ndjerë e kishte vërtet këtë dobësi, dhe këtë e dinë të gjithë, — iu ngul befas atij Katerina Ivanovna, — por ishte njeri i mirë e fisnik, që e donte e e respektonte familjen e tij; e keqja vetëm ishte se nga mirësia e tij u besonte tepër gjithfarë njerëzve të shthurur dhe Zoti e di me kë s’pinte, me ata që s’vlenin as sa shuallat e tij! Përfytyroni, Rodion Romanoviç, në xhep i gjetën një gjel të vogël prej kuleçi me mjaltë: ecën i dehur tapë, po për fëmijët e mban mend.
— Gje-li të vo-gël? Denjuat të thoshit: gje-li të vo-gël? — bërtiti zotëria i furnizimeve.
Katerina Ivanovna s’e nderoi me përgjigje. U zhyt në mendime për diçka dhe psherëtiu.
— Ja, ju, me siguri, mendoni, si të gjithë, se unë kam qenë tepër e rreptë me të, — vazhdoi ajo, duke iu drejtuar Raskolnikovit. — Po kjo s’është kështu! Ai më respektonte, më respektonte shumë, shumë! Njeri me shpirt të mirë ishte! E sa të vinte keq për të ndonjëherë! Rrinte, ndodhte, e më shikonte nga qoshja, aq keq të vinte për të, të vinte ta përkëdhelje, e pastaj mendon me vete: „po ta përkëdhel, ai prapë do të dehet“, vetëm me rreptësi mund ta mbaje disi.
— Po, zonjë, ndodhte edhe shkulje flokësh, zonjë, ndodhte jo një herë, zonjë, — gjëmoi përsëri furnizuesi dhe derdhi brenda edhe një gotë vodkë.
— Jo vetëm me shkulje flokësh, po edhe me fshesë do të ishte e dobishme të silleshe me disa budallenj. S’po flas tani për të ndjerin! — ia preu Katerina Ivanovna furnizuesit.
Njollat e kuqe në faqet e saj skuqeshin gjithnjë e më fort, kraharori i valëzohej. Edhe një minutë, dhe ajo ishte tashmë gati të niste një skandal. Shumë qeshnin nën hundë, shumëve, dukshëm, kjo u pëlqente. Furnizuesin filluan ta shtynin e t’i pëshpëritnin diçka. Me sa dukej, donin t’i ndeshnin.
— Po më le-e-ejoni të pyes, për çfarë e keni këtë, zonjë, — filloi furnizuesi, — domethënë për llogari… të cilit fisnik… denjuat tani… Po, megjithatë, s’duhet! Marrëzi! E ve! Vejushë! E fal… Pas! — dhe ai shkrepi edhe një vodkë.
Raskolnikovi rrinte e dëgjonte në heshtje e me neveri. Kurse hante vetëm nga mirësjellja, duke prekur kafshatat që Katerina Ivanovna ia vinte çdo minutë në pjatë, e edhe këtë vetëm që të mos e fyente. Ai e shqyrtonte me ngulm Sonjën. Por Sonja bëhej gjithnjë e më e shqetësuar e më e preokupuar; edhe ajo e parandiente se dreka e përkujtimit s’do të mbaronte në paqe, dhe ndiqte me frikë acarimin që i rritej Katerina Ivanovnës. Ajo e dinte, ndër të tjera, se shkaku kryesor për të cilin të dyja zonjat e ardhura e kishin trajtuar me aq përbuzje ftesën e Katerina Ivanovnës ishte ajo, Sonja. Kishte dëgjuar nga vetë Amalija Ivanovna se nëna madje ishte fyer nga ftesa dhe kishte shtruar pyetjen: „Si mund ta ulte të bijën pranë kësaj vajze?“ Sonja e parandiente se Katerina Ivanovna e dinte disi tashmë këtë, kurse fyerja ndaj saj, Sonjës, për Katerina Ivanovnën kishte më shumë rëndësi sesa fyerja ndaj saj personalisht, ndaj fëmijëve të saj, ndaj babait të saj, me një fjalë, ishte një fyerje vdekjeprurëse, dhe Sonja e dinte se Katerina Ivanovna tani s’do të qetësohej „derisa t’u provojë këtyre fundzvarriturave se ato të dyja“ etj., etj. Si me qëllim, dikush i dërgoi Sonjës nga skaji tjetër i tryezës një pjatë, me dy zemra të gdhendura në të prej buke të zezë, të shpuara me shigjetë. Katerina Ivanovna u ndez dhe vuri re menjëherë me zë të lartë, përmes tryezës, se ai që e kishte dërguar ishte, natyrisht, „një gomar i dehur“. Amalija Ivanovna, që gjithashtu e parandiente diçka të keqe e njëkohësisht ishte fyer deri në thellësi të shpirtit nga mendjemadhësia e Katerina Ivanovnës, për ta kthyer disponimin e pakëndshëm të shoqërisë në një anë tjetër e, meqë ra fjala, për ta ngritur veten në opinionin e përgjithshëm, filloi befas, pa një pa dy, të tregonte se njëfarë i njohuri i saj, „Karli nga farmacia“, kishte shkuar natën me karrocë dhe se „karrocier desh atë vrasë dhe Karl atij shum, shum lutej që ai atë mos vrasë, dhe qante, dhe duart bashkoi, dhe u trembi, dhe nga frik atij zemër shpoi“. Katerina Ivanovna, ndonëse buzëqeshi, vuri re menjëherë se Amalija Ivanovna s’duhej të tregonte anekdota rusisht. Ajo u fye edhe më shumë dhe kundërshtoi se „fater aus Berlin ishte shum, shum i rëndësishëm njeri dhe gjithë kohës duar nëpër xhepa fuste“. Katerina Ivanovna, që qeshte lehtë, s’u përmbajt dot dhe shpërtheu tmerrësisht në të qeshur, kështu që Amalija Ivanovna po humbiste tashmë durimin e fundit e mezi mbahej.
— Ja kukuvajka! — filloi t’i pëshpëriste përsëri menjëherë Katerina Ivanovna Raskolnikovit, gati e gëzuar, — donte të thoshte: i mbante duart në xhepa, kurse doli që u fuste duart njerëzve nëpër xhepa, khi-khi! Dhe a e keni vënë re, Rodion Romanoviç, njëherë e përgjithmonë, se të gjithë këta të huaj petërburgas, domethënë kryesisht gjermanët, që vijnë te ne nga s’di se ku, janë të gjithë më budallenj se ne! Hë, pranojeni, hë, si mund të tregosh se „Karli nga farmacia nga frika zemër shpoi“ dhe se ai (qurrash!), në vend që ta lidhte karrocierin, „duart bashkoi, dhe qante, dhe shum lutej“. Ah, ç’kokëtrashë! Dhe mendon se kjo është shumë prekëse, e as që e dyshon sa budallaqe është! Sipas meje, ky furnizuesi i dehur është shumë më i zgjuar se ajo; të paktën duket që është pijanec, që e ka pirë mendjen e fundit, kurse këta të gjithë janë kaq të rregullt, kaq seriozë… Shih si rri, i ka nxjerrë sytë. Po zemërohet! Po zemërohet! Ha-ha-ha! Khi-khi-khi!
E gëzuar, Katerina Ivanovna u rrëmbye menjëherë në hollësi të ndryshme dhe befas filloi të fliste se si, me ndihmën e pensionit që do të siguronte, do të hapte patjetër në qytetin e saj të lindjes, T…, një konvikt për vajza fisnike. Për këtë Raskolnikovit s’i kishte folur ende vetë Katerina Ivanovna, dhe ajo u rrëmbye menjëherë në hollësitë më joshëse. S’dihet në ç’mënyrë iu gjend befas në duar po ajo „fletë lavdërimi“, për të cilën e kishte njoftuar Raskolnikovin qysh i ndjeri Marmeladov, duke i shpjeguar në pijetore se Katerina Ivanovna, bashkëshortja e tij, kur mbaroi institutin, kishte kërcyer me shall „para guvernatorit e personave të tjerë“. Kjo fletë lavdërimi, dukshëm, duhej t’i shërbente tani si dëshmi për të drejtën e Katerina Ivanovnës për të hapur vetë një konvikt; por kryesorja, ishte përgatitur me qëllim që t’u priste përfundimisht hundën „të dyja fundzvarriturave të stolisura“, në rast se do të vinin në drekën e përkujtimit, dhe t’u provonte qartë se Katerina Ivanovna ishte nga shtëpia më fisnike, „mund të thuhet madje aristokratike, e bija e një koloneli dhe me siguri më e mirë se disa aventuriere, që janë shtuar kaq shumë kohët e fundit“. Fleta e lavdërimit filloi menjëherë të kalonte dorë më dorë te mysafirët e dehur, gjë që Katerina Ivanovna s’e pengoi, sepse në të ishte shënuar vërtet, en toutes lettres,4 se ajo ishte e bija e një këshilltari oborri e kavalieri,5 e rrjedhimisht vërtet gati e bija e një koloneli. E ndezur, Katerina Ivanovna u zgjat menjëherë për të gjitha hollësitë e jetës së ardhshme të bukur e të qetë në T…; për mësuesit e gjimnazit, që do t’i ftonte për mësime në konviktin e saj; për një plak të nderuar, francezin Mango, që i kishte mësuar frëngjisht vetë Katerina Ivanovnës në institut e që ende edhe sot e kalon pleqërinë në T… dhe, me siguri, do të vinte tek ajo për pagesën më të arsyeshme. Më në fund puna arriti edhe te Sonja, „që do të shkojë në T… bashkë me Katerina Ivanovnën dhe do ta ndihmojë atje në gjithçka“. Por këtu befas dikush gërhiti nga e qeshura në fund të tryezës. Katerina Ivanovna, ndonëse u përpoq menjëherë të bënte sikur s’e vinte re me përbuzje të qeshurën që lindi në fund të tryezës, menjëherë, duke e ngritur me qëllim zërin, filloi të fliste me gjallëri për aftësitë e padyshimta të Sofja Semjonovnës për t’i shërbyer si ndihmëse, „për butësinë, durimin, vetëmohimin, fisnikërinë e arsimin e saj“, dhe i ledhatoi Sonjës faqen e, duke u ngritur pak, e puthi me zjarr dy herë. Sonja u skuq, kurse Katerina Ivanovna befas shpërtheu në lot, duke vënë re aty për aty për veten se „ajo është një budallaqe me nerva të dobëta dhe se është tepër e trazuar, se është koha t’i jepet fund, e meqë mezeja mbaroi, të shpërndahej çaji“. Pikërisht në këtë minutë Amalija Ivanovna, tashmë përfundimisht e fyer ngaqë në gjithë bisedën s’kishte marrë as pjesën më të vogël dhe ngaqë as që e dëgjonin fare, rrezikoi befas një përpjekje të fundit dhe, me një brengë të fshehtë, guxoi t’i bënte Katerina Ivanovnës një vërejtje jashtëzakonisht praktike e të thellë: se në konviktin e ardhshëm duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë ndërresave të pastra të vajzave (die Wäsche) dhe se „patjetër duhet ishte një e tillë zonjë e mirë (die Dame), që mirë ndërresat shikonte“, dhe e dyta, „që gjitha vajzat e reja natën fshehtas asnjë roman mos lexonte“. Katerina Ivanovna, që ishte vërtet e trazuar e shumë e lodhur dhe që e kishte mërzitur krejt dreka e përkujtimit, „ia preu“ menjëherë Amalija Ivanovnës se ajo „po bluan marrëzira“ dhe s’kupton asgjë; se kujdesi për die Wäsche është punë e rrobaruajtëses, e jo e drejtoreshës së një konvikti fisnik; kurse sa për leximin e romaneve, kjo është thjesht madje pahijshmëri, dhe se po i lutet të heshtë. Amalija Ivanovna u skuq dhe, duke u inatosur, vuri re se ajo vetëm „të mirë donte“ dhe se ajo „shum shum të mirë donte“, kurse asaj „për banesë prej kohe Geld s’paguante“. Katerina Ivanovna „ia uli hundën“ menjëherë, duke i thënë se ajo gënjen kur thotë se „të mirë donte“, sepse qysh dje, kur i ndjeri ende dergjej mbi tryezë, ajo e torturonte për qiranë. Kësaj Amalija Ivanovna i vuri re fare logjikisht se ajo „ato zonja ftoi, po ato zonja s’erdhi, sepse ato zonja fisnike zonja dhe s’mund vinte te jo fisnike zonja“. Katerina Ivanovna i „nënvizoi“ menjëherë se, meqë ajo është një zuzare, s’mund të gjykojë se ç’është fisnikëria e vërtetë. Amalija Ivanovna s’e duroi dot dhe deklaroi menjëherë se „fater aus Berlin ishte shum, shum i rëndësishëm njeri dhe të dyja duar nëpër xhepa ecte dhe gjithë kohës bënte kështu: puf! puf!“, dhe, për ta paraqitur më me efekt fater-in e saj, Amalija Ivanovna u hodh nga karrigia, futi të dyja duart në xhepa, fryu faqet dhe filloi të nxirrte nga goja ca tinguj të papërcaktuar, që ngjanin me puf-puf, mes të qeshurave të forta të të gjithë qiramarrësve, që e nxitnin me qëllim Amalija Ivanovnën me miratimin e tyre, duke parandier përleshjen. Por këtë s’mund ta duronte më Katerina Ivanovna dhe menjëherë, që ta dëgjonin të gjithë, „ia shqiptoi me rrokje“ se Amalija Ivanovna ndoshta s’ka pasur kurrë fare fater, po se Amalija Ivanovna është thjesht një çuhone6 e dehur petërburgase dhe me siguri ka punuar më parë diku si kuzhinjere, e ndoshta edhe më keq. Amalija Ivanovna u skuq si gaforre dhe kërciti se ndoshta Katerina Ivanovna „fare fater s’kishte; kurse ajo kishte fater aus Berlin, dhe ashtu sertuk të gjatë vishte, dhe gjithë kohës bënte: puf, puf, puf!“ Katerina Ivanovna vuri re me përbuzje se prejardhja e saj dihet nga të gjithë dhe se në po këtë fletë lavdërimi është shënuar me shkronja shtypi se babai i saj ishte kolonel; kurse babai i Amalija Ivanovnës (nëse kishte pasur ndonjë baba), me siguri ishte ndonjë çuhon petërburgas, që shiste qumësht; e më e mundshmja, s’kishte pasur fare baba, sepse ende s’dihet si e thërrasin Amalija Ivanovnën sipas babait: Ivanovna apo Ljudvigovna? Këtu Amalija Ivanovna, e tërbuar përfundimisht e duke goditur me grusht mbi tryezë, filloi të kërciste se ajo është Amal-Ivan, e jo Ljudvigovna, se fater-i i saj „quhej Johan dhe ishte burgmajstër“,7 kurse fater-i i Katerina Ivanovnës „fare kurrë s’ishte burgmajstër“. Katerina Ivanovna u ngrit nga karrigia dhe rreptë, me një zë në dukje të qetë (megjithëse krejt e zbehtë e me kraharor që i ngrihej thellë), i vuri re se, nëse do të guxonte edhe vetëm një herë „të vinte në një rrafsh fateruckun e saj të ndyrë me babanë e saj, atëherë ajo, Katerina Ivanovna, do t’ia shkulë kapuçin e do ta shkelë me këmbë“. Kur e dëgjoi këtë, Amalija Ivanovna filloi të vraponte nëpër dhomë, duke bërtitur me sa kishte fuqi se ajo është e zonja e shtëpisë dhe që Katerina Ivanovna „në këtë minutë të largohej nga banesë“; pastaj u hodh, s’dihej pse, të mblidhte nga tryeza lugët e argjendta. U ngrit një rrëmujë e një zhurmë; fëmijët filluan të qanin. Sonja u hodh ta mbante Katerina Ivanovnën; por kur Amalija Ivanovna bërtiti befas diçka për biletën e verdhë,8 Katerina Ivanovna e shtyu Sonjën dhe u sul drejt Amalija Ivanovnës, që ta zbatonte menjëherë kërcënimin e saj për kapuçin. Në këtë minutë u hap dera, dhe në pragun e dhomës u shfaq befas Pjotr Petroviç Luzhini. Ai qëndronte dhe e shqyrtonte gjithë shoqërinë me një vështrim të rreptë e të vëmendshëm. Katerina Ivanovna u hodh drejt tij.
Shënime
-
Kutja: grurë a oriz i zier me mjaltë e rrush të thatë, gjellë rituale e përkujtimit ortodoks. ↩︎
-
Gostini Dvor: ndërtesa e madhe e dyqaneve në Prospektin e Nevës. ↩︎
-
Pani chorążyna (pol.): „zonja e flamurtarit“; polaku i jep Katerina Ivanovnës titullin e gruas së një oficeri të ulët. ↩︎
-
En toutes lettres (fr.): me shkronja të plota, zi mbi të bardhë. ↩︎
-
Këshilltar oborri: gradë civile e klasës VII. Kavalier: mbajtës i një urdhri (dekorate) shtetërore. ↩︎
-
Çuhon: emërtim popullor, shpesh përçmues, për finlandezët e estonezët e rrethinave të Petersburgut. ↩︎
-
Burgmajstër (gjerm. Bürgermeister): kryetar bashkie. ↩︎
-
Bileta e verdhë: dokumenti që u jepej në Rusi grave të regjistruara si prostituta. ↩︎
Found a mistake in this chapter? Report a mistake