Epilogu — II · Krim dhe ndëshkim
Chapter 41 of 41
Ai ishte i sëmurë prej kohësh; por s’e kishin thyer as tmerret e jetës së katorgës, as punët, as ushqimi, as koka e rruar, as rrobat me arna: oh! ç’i bënin atij të gjitha këto mundime e tortura! Përkundrazi, ai madje gëzohej për punën: duke u rraskapitur fizikisht në punë, të paktën fitonte disa orë gjumë të qetë. E ç’kuptim kishte për të ushqimi — kjo supë e hollë me lakër e me buburreca? Si student, në jetën e mëparshme, shpesh s’kishte as këtë. Rrobat e tij ishin të ngrohta e të përshtatura me mënyrën e tij të jetesës. Prangat as që i ndiente mbi vete. A duhej të kishte turp për kokën e rruar e për xhaketën dyngjyrëshe?1 Po para kujt? Para Sonjës? Sonja kishte frikë prej tij, e mos vallë para saj duhej të kishte turp?
Po ç’ka? Kishte turp madje edhe para Sonjës, të cilën e mundonte për këtë me sjelljen e tij përbuzëse e të vrazhdë. Por s’kishte turp për kokën e rruar e për prangat: krenaria e tij ishte plagosur rëndë; ai u sëmur nga krenaria e plagosur. Oh, sa i lumtur do të ishte, sikur të mund ta fajësonte vetë veten! Atëherë do t’i duronte të gjitha, madje edhe turpin e çnderimin. Por ai e gjykoi rreptë veten, dhe ndërgjegjja e tij e ashpërsuar s’gjeti asnjë faj veçanërisht të tmerrshëm në të kaluarën e tij, përveç ndoshta një gabimi të thjeshtë, që mund t’i ndodhte kujtdo. Kishte turp pikërisht për atë që ai, Raskolnikovi, ishte shkatërruar kaq verbërisht, pa shpresë, shurdhët e marrëzisht, sipas njëfarë vendimi të fatit të verbër, dhe duhet të përulej e të nënshtrohej para „pakuptimësisë“ së njëfarë vendimi, nëse donte ta qetësonte sadopak veten.
Një shqetësim pa objekt e pa qëllim në të tashmen, e në të ardhmen një flijim i vetëm i pandërprerë, me të cilin s’fitohej asgjë, — ja çfarë e priste në botë. E ç’rëndësi kishte që pas tetë vjetësh do të ishte vetëm tridhjetë e dy vjeç e mund të fillonte përsëri të rronte! Pse të rronte? Ç’të kishte parasysh? Drejt çfarë të synonte? Të rronte, që të ekzistonte? Po ai edhe më parë kishte qenë gati një mijë herë ta jepte ekzistencën e tij për një ide, për një shpresë, madje për një fantazi. Vetëm ekzistenca i kishte qenë gjithmonë pak; ai kishte dashur gjithmonë më shumë. Ndoshta vetëm nga forca e dëshirave të tij e kishte quajtur atëherë veten njeri të cilit i lejohet më shumë se tjetrit.
Dhe sikur fati t’i dërgonte të paktën pendimin — pendimin djegës, që të copëton zemrën, që të largon gjumin, një pendim të tillë, nga mundimet e tmerrshme të të cilit të vegjohen litari e vorbulla e lumit! Oh, do të gëzohej për të! Mundimet e lotët — se edhe kjo është jetë. Por ai s’pendohej për krimin e tij.
Të paktën, do të mund të zemërohej me budallallëkun e tij, siç ishte zemëruar më parë me veprimet e tij të shëmtuara e shumë budallaqe, që e kishin çuar në burg. Por tani, tashmë në burg, në liri, ai i rishqyrtoi e i rimendoi të gjitha veprimet e tij të mëparshme dhe aspak s’i gjeti aq budallaqe e të shëmtuara sa i ishin dukur në atë kohë fatale, më parë.
„Me se, me se, — mendonte ai, — mendimi im ishte më budalla se mendimet e teoritë e tjera, që vërtiten e përplasen njëra me tjetrën në botë, qysh kur qëndron kjo botë? Mjafton ta shikosh punën me një vështrim krejt të pavarur, të gjerë e të çliruar nga ndikimet e përditshme, dhe atëherë, natyrisht, mendimi im s’do të dalë aspak aq… i çuditshëm. O mohues e të urtë pesë kapikësh argjendi, pse ndaleni në gjysmë të rrugës!
Hë, me se u duket atyre kaq i shëmtuar veprimi im? — i thoshte ai vetes. — Me atë që është — ligësi? Ç’do të thotë fjala ‚ligësi‘? Ndërgjegjja ime është e qetë. Natyrisht, është kryer një krim penal; natyrisht, është shkelur germa e ligjit dhe është derdhur gjak, hë, merrni pra për germën e ligjit kokën time… e mjaft! Natyrisht, në këtë rast madje shumë bamirës të njerëzimit, që s’e kishin trashëguar pushtetin, po që e kishin rrëmbyer vetë, duhej të ishin ekzekutuar që në hapat e tyre të parë fare. Por ata njerëz i duruan hapat e tyre, e prandaj ata kanë të drejtë, kurse unë s’e durova, e pra s’kisha të drejtë ta lejoja këtë hap“.
Ja vetëm në çfarë e pranonte krimin e tij: vetëm në atë që s’e duroi dot dhe u paraqit vetë e rrëfeu fajin.
Vuante gjithashtu nga mendimi: pse s’e vrau atëherë veten? Pse qëndroi atëherë mbi lumë e parapëlqeu të paraqitej vetë e të rrëfente fajin? Mos vallë kaq e madhe është forca e kësaj dëshire për të rrojtur dhe kaq e vështirë ta mposhtësh? E mposhti megjithatë Svidrigajlovi, që kishte frikë nga vdekja?
Ia bënte vetes këtë pyetje me mundim dhe s’mund ta kuptonte që qysh atëherë, kur qëndronte mbi lumë, ndoshta parandiente në vete e në bindjet e tij një gënjeshtër të thellë. S’e kuptonte se kjo parandjenjë mund të ishte lajmëtarja e një kthese të ardhshme në jetën e tij, i ringjalljes së tij të ardhshme, i një vështrimi të ri të ardhshëm mbi jetën.
Ai më tepër pranonte këtu vetëm një barrë të shurdhër të instinktit, që s’ishte në dorën e tij ta këpuste e të cilën, përsëri, s’kishte forcë ta kapërcente (për shkak të dobësisë e të parëndësisë). Shikonte shokët e tij të katorgës dhe habitej: si e donin edhe ata të gjithë jetën, si e çmonin! Pikërisht iu duk se në burg jetën e duan dhe e çmojnë edhe më shumë, dhe e ruajnë më fort se në liri. Ç’mundime e tortura të tmerrshme s’kishin duruar disa prej tyre, për shembull endacakët! Mos vallë kaq shumë mund të kishte kuptim për ta ndonjë rreze dielli, një pyll i dendur, diku në një skaj të panjohur një burim i ftohtë, i shënuar qysh para tre vjetësh, për takimin me të cilin endacaku ëndërron si për takimin me një dashnore, e sheh në ëndërr, me barin e gjelbër rreth tij, me zogun që këndon në shkurre? Duke shqyrtuar më tej, shihte shembuj edhe më të pashpjegueshëm.
Në burg, në mjedisin që e rrethonte, ai, natyrisht, shumë gjëra s’i vinte re, e as s’donte fare t’i vinte re. Rronte disi me sy ulur: i vinte neveri dhe e kishte të padurueshme të shikonte. Por në fund shumë gjëra filluan ta habisnin, dhe ai, disi pa dashje, filloi të vinte re atë që më parë as s’e dyshonte. Në përgjithësi e më shumë se gjithçka filloi ta habiste ajo humnerë e tmerrshme, e pakapërcyeshme, që shtrihej midis tij e gjithë këtyre njerëzve. Dukej sikur ai e ata ishin nga kombe të ndryshme. Ai e ata e shikonin njëri-tjetrin me mosbesim e me armiqësi. Ai i dinte e i kuptonte shkaqet e përgjithshme të një ndarjeje të tillë; por kurrë s’e kishte pranuar më parë që këto shkaqe të ishin në të vërtetë kaq të thella e të forta. Në burg kishte gjithashtu polakë të internuar, të burgosur politikë. Ata thjesht i quanin gjithë këta njerëz injorantë e kmetë dhe i përbuznin nga lart; por Raskolnikovi s’mund t’i shikonte kështu: e shihte qartë se këta injorantë në shumë gjëra janë shumë më të zgjuar se pikërisht këta polakë. Kishte këtu edhe rusë, që gjithashtu e përbuznin tepër këtë popull, — një ish-oficer e dy seminaristë; Raskolnikovi e vinte re qartë edhe gabimin e tyre.
Kurse atë vetë s’e donin e i shmangeshin të gjithë. Madje filluan ta urrenin në fund — pse? Ai s’e dinte këtë. E përbuznin, qeshnin me të, qeshnin me krimin e tij ata që ishin shumë më kriminelë se ai.
— Ti je zotëri! — i thoshin. — Ç’të duhej ty të shkoje me sëpatë; s’është fare punë zotërinjsh.
Në javën e dytë të Kreshmëve të Mëdha i erdhi radha të agjëronte e të përgatitej për kungim2 bashkë me kazermën e tij. Shkonte në kishë të lutej bashkë me të tjerët. Për shkak të diçkaje, as ai vetë s’e dinte, — ndodhi një herë një grindje; të gjithë njëherësh iu sulën me tërbim.
— Ti je i pafe! Ti s’beson në Zot! — i bërtisnin. — Duhet të të vrasim.
Ai kurrë s’kishte folur me ta për Zotin e për besimin, por ata donin ta vrisnin si të pafe; ai heshtte e s’i kundërshtonte. Një i dënuar u hodh mbi të në një tërbim të vendosur; Raskolnikovi e priste i qetë e në heshtje: vetulla s’i lëvizi, asnjë tipar i fytyrës s’iu drodh. Roja arriti në kohë të futej midis tij e vrasësit — përndryshe do të derdhej gjak.
E pazgjidhshme ishte për të edhe një pyetje tjetër: pse e deshën të gjithë kaq shumë Sonjën? Ajo s’u bënte lajka; e takonin rrallë, ndonjëherë vetëm në punë, kur vinte për një minutë ta shihte. E megjithatë të gjithë e njihnin tashmë, e dinin edhe që ajo kishte ardhur pas tij, e dinin si rronte, ku rronte. Para s’u jepte, shërbime të veçanta s’u bënte. Vetëm një herë, për Krishtlindje, solli për gjithë burgun lëmoshë: byrekë e kuleçë. Por pak nga pak midis tyre e Sonjës u lidhën ca marrëdhënie më të afërta: ajo u shkruante letra për të afërmit e tyre dhe i dërgonte në postë. Të afërmit e të afërmet e tyre, që vinin në qytet, linin, sipas udhëzimeve të tyre, në duart e Sonjës sende për ta e madje para. Gratë e dashnoret e tyre e njihnin e shkonin tek ajo. E kur ajo dukej në punë, duke ardhur te Raskolnikovi, ose takohej me grupin e të burgosurve që shkonin në punë, — të gjithë hiqnin kapelet, të gjithë përkuleshin: „Nënë, Sofja Semjonovna, nëna jonë, e butë, e dhembshur!“ — u thoshin këta të dënuar të vrazhdë, të damkosur, kësaj krijese të vogël e të dobët. Ajo buzëqeshte e përkulej, dhe të gjithëve u pëlqente kur ajo u buzëqeshte. U pëlqente madje ecja e saj, ktheheshin ta shihnin si ecte, dhe e lëvdonin; e lëvdonin madje që ishte kaq e vogël, madje s’dinin më për se ta lëvdonin. Shkonin madje tek ajo të mjekoheshin.
Ai ndenji në spital gjithë fundin e Kreshmëve e Javën e Ndritshme.3 Duke u shëruar tashmë, iu kujtuan ëndrrat e tij, kur dergjej ende me ethe e në kllapi. Në sëmundje i ishte bërë sikur gjithë bota ishte dënuar të flijohej për një murtajë të tmerrshme, të padëgjuar e të paparë, që vinte nga thellësitë e Azisë drejt Evropës. Të gjithë duhej të vdisnin, përveç disave, shumë të paktëve, të zgjedhurve. Ishin shfaqur ca trikina4 të reja, qenie mikroskopike, që ngulnin vend në trupat e njerëzve. Por këto qenie ishin shpirtra, të pajisur me mendje e me vullnet. Njerëzit që i merrnin në vete, bëheshin menjëherë të djallosur e të çmendur. Por kurrë, kurrë njerëzit s’e kishin quajtur veten kaq të zgjuar e të palëkundur në të vërtetë, si e quanin të infektuarit. Kurrë s’i kishin quajtur më të palëkundur vendimet e tyre, përfundimet e tyre shkencore, bindjet e besimet e tyre morale. Fshatra të tërë, qytete e popuj të tërë infektoheshin e çmendeshin. Të gjithë ishin në ankth e s’e kuptonin njëri-tjetrin, secili mendonte se vetëm tek ai gjendej e vërteta, e mundohej duke parë të tjerët, i binte vetes në kraharor, qante e përdridhte duart. S’dinin kë e si të gjykonin, s’mund të merreshin vesh ç’të quanin të keqe e ç’të mirë. S’dinin kë të fajësonin, kë të shfajësonin. Njerëzit vrisnin njëri-tjetrin në njëfarë inati pa kuptim. Mblidheshin kundër njëri-tjetrit me ushtri të tëra, por ushtritë, tashmë në marshim, fillonin befas ta copëtonin vetveten, radhët prisheshin, luftëtarët hidheshin mbi njëri-tjetrin, shpoheshin e priteshin, kafshonin e hanin njëri-tjetrin. Nëpër qytete gjithë ditën binin kambanat e alarmit: thërrisnin të gjithë, por kush e përse thërriste, askush s’e dinte, e të gjithë ishin në ankth. I lanë zanatet më të zakonshme, sepse secili propozonte mendimet e tij, ndreqjet e tij, e s’mund të merreshin vesh; u ndal bujqësia. Këtu-këtu njerëzit mblidheshin në grumbuj, merreshin vesh bashkë për diçka, betoheshin të mos ndaheshin, — por menjëherë fillonin diçka krejt tjetër nga ç’kishin parashikuar vetë pak më parë, fillonin ta fajësonin njëri-tjetrin, rriheshin e priteshin. Filluan zjarret, filloi uria. Të gjithë e gjithçka po humbiste. Murtaja rritej e përparonte gjithnjë më tej. Në gjithë botën mund të shpëtonin vetëm disa njerëz, ata ishin të pastërt e të zgjedhur, të caktuar të fillonin një racë të re njerëzish e një jetë të re, ta ripërtërinin e ta pastronin tokën, por askush e askund s’i kishte parë këta njerëz, askush s’ua kishte dëgjuar fjalën e zërin.
Raskolnikovin e mundonte fakti që kjo kllapi pa kuptim jehonte kaq trishtueshëm e kaq me mundim në kujtimet e tij, që kaq gjatë s’i kalonte përshtypja e këtyre ëndrrave të etheve. Ishte tashmë java e dytë pas Javës së Ndritshme; ishin ditë të ngrohta, të kthjellëta, pranverore; në pavijonin e të burgosurve hapën dritaret (me hekura, poshtë të cilave ecte roja). Sonja, gjatë gjithë sëmundjes së tij, kishte mundur ta vizitonte vetëm dy herë në pavijon; çdo herë duhej kërkuar leje, e kjo ishte e vështirë. Por ajo vinte shpesh në oborrin e spitalit, nën dritare, sidomos nga mbrëmja, e ndonjëherë thjesht kështu, për të qëndruar një minutë në oborr e për të shikuar qoftë edhe nga larg dritaret e pavijonit. Një herë, nga mbrëmja, Raskolnikovi, pothuajse krejt i shëruar tashmë, ra në gjumë; kur u zgjua, shkoi rastësisht te dritarja dhe befas pa larg, te porta e spitalit, Sonjën. Ajo qëndronte dhe sikur priste diçka. Diçka sikur ia shpoi në atë minutë zemrën; ai u drodh dhe u largua sa më shpejt nga dritarja. Të nesërmen Sonja s’erdhi, as ditën e tretë; ai vuri re se e priste me shqetësim. Më në fund e nxorën nga spitali. Kur erdhi në burg, mori vesh nga të burgosurit se Sofja Semjonovna ishte sëmurur, dergjej në shtëpi e s’dilte gjëkundi.
Ishte shumë i shqetësuar, dërgonte të pyesnin për të. Shpejt mori vesh se sëmundja e saj s’ishte e rrezikshme. Kur mori vesh nga ana e saj se ai pikëllohej e shqetësohej kaq shumë për të, Sonja i dërgoi një shënim, të shkruar me laps, dhe e njoftonte se i ishte bërë shumë më mirë, se kishte një ftohje të kotë, të lehtë, dhe se shpejt, shumë shpejt, do të vinte ta shihte në punë. Kur e lexonte këtë shënim, zemra i rrihte fort e me dhimbje.
Dita ishte përsëri e kthjellët dhe e ngrohtë. Herët në mëngjes, nja në orën gjashtë, ai u nis për në punë, në bregun e lumit, ku në një hangar ishte ngritur një furrë për pjekjen e alabastrit e ku e shtypnin. Atje shkuan gjithsej tre punëtorë. Njëri nga të burgosurit mori rojën dhe shkoi me të në kështjellë për njëfarë vegle; tjetri filloi të përgatiste drutë e t’i fuste në furrë. Raskolnikovi doli nga hangari mu në breg, u ul mbi trarët e grumbulluar pranë hangarit dhe filloi të shikonte lumin e gjerë e të shkretë. Nga bregu i lartë hapej një pamje e gjerë. Nga bregu tjetër i largët vinte mezi e dëgjueshme një këngë. Atje, në stepën e pafund të larë nga dielli, nxinin si pika mezi të dukshme jurtat e nomadëve.5 Atje ishte liria e rronin njerëz të tjerë, krejt të ndryshëm nga ata të këtushmit, atje sikur ishte ndalur vetë koha, sikur s’kishin kaluar ende shekujt e Abrahamit e të kopeve të tij. Raskolnikovi rrinte, shikonte pa lëvizur, pa u shkëputur; mendimi i tij kalonte në ëndërrim, në soditje; s’mendonte për asgjë, por njëfarë pikëllimi e trazonte dhe e mundonte.
Befas pranë tij u gjend Sonja. Ishte afruar mezi e dëgjueshme dhe u ul pranë tij. Ishte ende shumë herët, freskia e mëngjesit s’ishte zbutur ende. Kishte veshur burnusin6 e saj të varfër, të vjetër, e shamin e gjelbër. Fytyra mbante ende shenjat e sëmundjes, ishte dobësuar, zbehur, rënë. Ajo i buzëqeshi me dashamirësi e me gëzim, por, sipas zakonit, ia zgjati dorën me druajtje.
Ajo ia zgjaste gjithmonë dorën me druajtje, ndonjëherë madje s’ia jepte fare, sikur kishte frikë se ai do ta shtynte. Ai gjithmonë sikur me neveri ia merrte dorën, gjithmonë sikur me mërzi e priste, ndonjëherë heshtte me kokëfortësi gjatë gjithë vizitës së saj. Ndodhte që ajo dridhej para tij e largohej në pikëllim të thellë. Por tani duart e tyre s’ndaheshin; ai i hodhi një sy kalimthi e shpejt, s’tha asgjë dhe i uli sytë përdhe. Ishin vetëm, s’i shihte askush. Roja në atë kohë ishte kthyer mënjanë.
Si ndodhi kjo, as ai vetë s’e dinte, por befas diçka sikur e rrëmbeu e sikur e hodhi te këmbët e saj. Ai qante e ia përqafonte gjunjët. Në çastin e parë ajo u tremb tmerrësisht, dhe gjithë fytyra iu ngri si e vdekur. U hodh nga vendi dhe, duke u dridhur, e shikonte. Por menjëherë, në po atë çast, ajo i kuptoi të gjitha. Në sytë e saj shkëlqeu një lumturi e pafund; ajo kuptoi, dhe për të s’kishte më dyshim, që ai e do, e do pafundësisht dhe që kishte ardhur më në fund kjo minutë…
Desh të flisnin, por s’mundën. Lotët u qëndronin në sy. Të dy ishin të zbehtë e të dobët; por në këto fytyra të sëmura e të zbehta shkëlqente tashmë agimi i një të ardhmeje të ripërtërirë, i ringjalljes së plotë në një jetë të re. I ringjalli dashuria, zemra e njërit mbante burime të pafund jete për zemrën e tjetrit.
Vendosën të prisnin e të duronin. U mbeteshin ende shtatë vjet; e deri atëherë kaq shumë mundim i padurueshëm e kaq shumë lumturi e pafund! Por ai u ringjall, dhe e dinte këtë, e ndiente plotësisht me gjithë qenien e tij të ripërtërirë, kurse ajo — ajo rronte vetëm me jetën e tij!
Në mbrëmjen e po asaj dite, kur i kishin mbyllur tashmë kazermat, Raskolnikovi rrinte shtrirë mbi dërrasat e fjetjes e mendonte për të. Atë ditë madje i ishte dukur sikur të gjithë të dënuarit, armiqtë e tij të dikurshëm, e shikonin tashmë ndryshe. Madje u kishte folur vetë, e i ishin përgjigjur me dashamirësi. Tani e kujtoi këtë, po kështu duhej të ishte: a s’duhej të ndryshonte tani gjithçka?
Mendonte për të. Iu kujtua si e kishte munduar vazhdimisht e si ia kishte copëtuar zemrën; iu kujtua fytyrëza e saj e zbehtë, e dobët, por këto kujtime tani pothuajse s’e mundonin: e dinte me ç’dashuri të pafund do t’ia shlyente tani të gjitha vuajtjet.
E pastaj ç’janë të gjitha këto, të gjitha mundimet e së kaluarës! Gjithçka, madje edhe krimi i tij, madje edhe dënimi e internimi, i dukeshin tani, në vrullin e parë, si një fakt i jashtëm, i çuditshëm, sikur madje s’i kishte ndodhur atij. Megjithatë, atë mbrëmje s’mund të mendonte gjatë e vazhdimisht për diçka, ta përqendronte mendimin në diçka; e as s’do të zgjidhte tani me vetëdije asgjë; vetëm ndiente. Në vend të dialektikës kishte ardhur jeta, dhe në vetëdije duhej të përpunohej diçka krejt tjetër.
Nën jastëkun e tij ishte Ungjilli. E mori mekanikisht. Ky libër i përkiste asaj, ishte po ai nga i cili ajo i kishte lexuar për ringjalljen e Llazarit. Në fillim të katorgës ai mendonte se ajo do ta torturonte me fe, do të fillonte të fliste për Ungjillin e do t’i impononte libra. Por, për habinë e tij më të madhe, ajo asnjëherë s’kishte folur për këtë, asnjëherë s’i kishte ofruar madje Ungjillin. Ai vetë ia kishte kërkuar pak para sëmundjes, dhe ajo ia kishte sjellë librin në heshtje. Deri atëherë s’e kishte hapur.
S’e hapi as tani, por një mendim i shkrepi: „Mos vallë bindjet e saj s’mund të jenë tani edhe bindjet e mia? Ndjenjat e saj, synimet e saj, të paktën…“
Edhe ajo gjatë gjithë kësaj dite ishte e trazuar, e natën madje u sëmur përsëri. Por ishte aq e lumtur, sa gati u tremb nga lumturia e saj. Shtatë vjet, vetëm shtatë vjet! Në fillim të lumturisë së tyre, në disa çaste, të dy ishin gati t’i shikonin këto shtatë vjet si shtatë ditë. Ai as që e dinte se jeta e re s’i jepej falas, se ajo ende duhej blerë shtrenjtë, duhej paguar me një bëmë të madhe, të ardhshme…
Por këtu fillon tashmë një histori e re, historia e ripërtëritjes graduale të njeriut, historia e rilindjes së tij graduale, e kalimit gradual nga një botë në tjetrën, e njohjes me një realitet të ri, deri tani krejt të panjohur. Kjo mund të përbënte temën e një tregimi të ri, — por tregimi ynë i tanishëm mbaroi.
Shënime
-
Të dënuarit me katorgë mbanin xhaketa prej dy ngjyrash dhe kokën të rruar përgjysmë. ↩︎
-
Para kungimit, besimtarët ortodoksë agjërojnë disa ditë, shkojnë në shërbesat kishtare dhe rrëfehen (rus. govet’). ↩︎
-
Java e Ndritshme: java që vjen pas të Dielës së Pashkëve në traditën ortodokse. ↩︎
-
Trikinat: krimba parazitë mikroskopikë që shkaktojnë trikinozën; në vitet 1860 për ta shkruhej shumë në shtyp. ↩︎
-
Jurta: tenda e rrumbullakët, e mbuluar me shajak, e nomadëve të stepës. ↩︎
-
Burnus: mantel i gjerë grash pa mëngë. ↩︎
Found a mistake in this chapter? Report a mistake