Pjesa e tretë — II · Krim dhe ndëshkim
Chapter 16 of 41
I shqetësuar e serioz u zgjua Razumihini të nesërmen pas orës shtatë. Shumë hutime të reja e të paparashikuara iu gjendën befas atë mëngjes. As që e kishte përfytyruar më parë se ndonjëherë do të zgjohej kështu. I mbante mend deri në hollësitë e fundit të gjitha ato të djeshmet dhe e kuptonte se me të kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte marrë në vete një përshtypje deri atëherë krejt të panjohur për të dhe që s’u ngjante të gjitha të mëparshmeve. Njëkohësisht e kuptonte qartë se ëndrra që i ishte ndezur në kokë ishte në shkallën më të lartë e parealizueshme, — aq e parealizueshme, sa madje i erdhi turp prej saj, dhe kaloi sa më shpejt te shqetësimet e hutimet e tjera, më të ngutshme, që i kishin mbetur trashëgim nga „dita e djeshme e trimallkuar“.
Kujtimi më i tmerrshëm për të ishte si doli dje „i ulët e i ndyrë“, jo vetëm ngaqë ishte i pirë, por ngaqë e shau para vajzës, duke përfituar nga gjendja e saj, nga një xhelozi budallaqe e e nxituar, dhëndrin e saj, pa i ditur jo vetëm marrëdhëniet e detyrimet e tyre të ndërsjella, por pa e njohur mirë as vetë njeriun. Dhe ç’të drejtë kishte ai ta gjykonte kaq me nxitim e kaq pa u menduar? Dhe kush e kishte thirrur për gjykatës! Dhe mos vallë një qenie si Avdotja Romanovna mund t’i jepej një njeriu të padenjë për para? Pra, ka edhe në të ndonjë vlerë. Nomerat? Po nga mund ta dinte ai, në fakt, se ishin nomera të tillë? Se po përgatit një banesë… pfu, sa e ulët është e gjithë kjo! Dhe ç’justifikim është që ishte i pirë? Shfajësim budalla, që e poshtëron edhe më! Në verë është e vërteta, dhe ja e vërteta doli e gjitha, „domethënë doli gjithë ndyrësia e zemrës së tij ziliqare e të vrazhdë“! Dhe mos vallë i lejohet qoftë edhe pak një ëndërr e tillë atij, Razumihinit? Kush është ai krahasuar me një vajzë të tillë, — ai, një zhurmaxhi i pirë dhe mburravec i djeshëm? „Mos vallë është e mundur një përballje kaq cinike e qesharake?“ Razumihini u skuq i dëshpëruar nga ky mendim, dhe befas, si me qëllim, po në atë çast, iu kujtua qartë se si u kishte thënë atyre dje, duke qëndruar në shkallë, që e zonja e shtëpisë do të kishte xhelozi për të me Avdotja Romanovnën… kjo ishte tashmë e padurueshme. Me gjithë fuqinë i ra me grusht sobës së kuzhinës, vrau dorën dhe nxori një tullë.
„Natyrisht, — mërmëriti ai me vete pas një minute, me njëfarë ndjenje vetëposhtërimi, — natyrisht, gjithë këto ndyrësi s’mund të lyhen e të fshihen më kurrë… pra, s’ka pse të mendosh për këtë, prandaj duhet të paraqitem në heshtje, dhe… të kryej detyrat e mia… po ashtu në heshtje, dhe… dhe të mos kërkoj ndjesë, e të mos them asgjë, dhe… dhe, natyrisht, tani gjithçka humbi!“
E megjithatë, duke u veshur, i shqyrtoi rrobat më me kujdes se zakonisht. Rroba të tjera s’kishte, e sikur të kishte, ndoshta s’do t’i vishte, — „ashtu, qëllimisht s’do t’i vishte“. Por sidoqoftë s’mund të mbetej cinik e i ndyrë i çrregullt: s’ka të drejtë t’i fyejë ndjenjat e të tjerëve, aq më tepër që këta të tjerët kanë vetë nevojë për të dhe e thërrasin vetë. Rrobat i pastroi me kujdes me furçë. Kurse të brendshmet i kishte gjithmonë të pranueshme; për këtë ishte veçanërisht i pastër.
Atë mëngjes u la me zell, — Nastasja kishte sapun, — lau flokët, qafën e sidomos duart. Kur erdhi puna te pyetja: ta rruante apo jo qimen e parruar (Praskovja Pavlovna kishte brisqe të shkëlqyera, të ruajtura qysh nga i ndjeri zoti Zarnicin), pyetja madje me tërbim u zgjidh në mënyrë mohuese: „Le të mbetet kështu! Po sikur të mendojnë se u rrova për… dhe patjetër do ta mendojnë! Për asgjë në botë!
Dhe… dhe kryesorja, ai është kaq i vrazhdë, i ndyrë, sjellje prej tavernë ka; dhe… dhe, le të themi, ai e di se edhe ai, hë, të paktën pak, është njeri i ndershëm… hë, po ç’ka për t’u krenuar këtu që është njeri i ndershëm? Çdokush duhet të jetë njeri i ndershëm, e edhe më i pastër, dhe… dhe prapëseprapë (e mban mend këtë) ka pasur edhe ai ca punë të vogla… jo se të pandershme, po megjithatë!.. E ç’mendime i kanë shkuar nëpër kokë! hm… dhe të gjitha këto t’i vësh pranë Avdotja Romanovnës! Hë, po, dreqi! Le të jetë! Hë, edhe qëllimisht do të jem kaq i ndyrë, i yndyrosur, prej tavernë, dhe pështyj! Edhe më shumë do të jem!..“
Në këta monologë e gjeti Zosimovi, që kishte kaluar natën në sallonin e Praskovja Pavlovnës.
Po shkonte në shtëpi dhe, duke ikur, nxitonte t’i hidhte një sy të sëmurit. Razumihini i raportoi se ai flinte si marmot. Zosimovi urdhëroi të mos e zgjonin, derisa të zgjohej vetë. Kurse vetë premtoi të vinte pas orës dhjetë.
— Vetëm nëse do të jetë në shtëpi, — shtoi ai. — Pfu, dreqi! S’ke pushtet mbi të sëmurin tënd, eja e mjekoje! S’e di, ai do të shkojë tek ata, apo ata do të vijnë këtu?
— Ata, mendoj, — u përgjigj Razumihini, duke e kuptuar qëllimin e pyetjes, — dhe do të flasin, natyrisht, për punët e tyre familjare. Unë do të iki. Ti, si mjek, natyrisht, ke më shumë të drejta se unë.
— As unë s’jam rrëfyes; do të vij e do të iki; edhe pa ta kam shumë punë.
— Më shqetëson një gjë, — e ndërpreu Razumihini duke u vrenjtur, — dje, nga e dehura, i llomotita rrugës për lloj-lloj marrëzirash… lloj-lloj… ndër të tjera, që ti ke frikë se ai gjoja… është i prirur drejt çmendurisë…
— Edhe zonjave u llomotite dje po këtë.
— E di që është budallallëk! Më rrih po deshe! Po vërtet, e kishe ndonjë mendim të prerë?
— Po marrëzi, të them; ç’mendim të prerë! Ti vetë e përshkrove si monoman kur më çove te ai… Hë, kurse dje i shtuam edhe zjarr, ti domethënë, me ato tregime… për bojaxhiun; bukur bisedë, kur ndoshta ai vetë është çmendur pikërisht për këtë! Sikur ta dija saktë se ç’ndodhi atëherë në zyrë dhe se atje ndonjë horr e… fyeu me këtë dyshim! Hm… s’do ta kisha lejuar dje një bisedë të tillë. Se këta monomanët nga një pikë bëjnë oqean, shohin zgjuar përralla me fytyra të gjalla… Me sa mbaj mend, dje, nga ky tregim i Zametovit, m’u sqarua gjysma e punës. Po ç’të them! Unë di një rast kur një hipokondrik dyzetvjeçar, duke mos qenë në gjendje të duronte talljet e përditshme në tryezë të një çunaku tetëvjeçar, e theri! Kurse këtu, i tëri me lecka, një polic lagjeje i pacipë, një sëmundje që po fillonte, dhe një dyshim i tillë! Një hipokondriku të tërbuar! Me një kotësi të çmendur, të jashtëzakonshme! Po këtu, ndoshta, rri gjithë pika e nisjes së sëmundjes! Hë, po, dreqi!.. Meqë ra fjala, ky Zametovi vërtet është çunak i dashur, vetëm se hm… kot i tregoi të gjitha këto dje. Llafazan i tmerrshëm!
— Po kujt ia tregoi? Mua e ty?
— Edhe Porfirit.
— E ç’ka që ia tregoi Porfirit?
— Meqë ra fjala, a ke ndonjë ndikim mbi ato, mbi nënën e motrën? Do të duhej më shumë kujdes me të sot…
— Do të merren vesh! — u përgjigj pa dëshirë Razumihini.
— Po pse e ka kaq me këtë Luzhinin? Njeri me para, asaj, me sa duket, s’i vjen neveri… kurse ato s’kanë asnjë grosh? a?
— Po ti pse po më merr në pyetje? — bërtiti i nervozuar Razumihini, — nga ta di unë, kanë grosh apo s’kanë? Pyeti vetë, ndoshta e merr vesh…
— Pfu, sa budalla je ndonjëherë! Rri ende pija e djeshme… Mirupafshim; falënderoje nga ana ime Praskovja Pavlovnën tënde për strehimin. U mbyll, në bonjour-in tim s’u përgjigj nga pas derës, kurse vetë u ngrit në orën shtatë, samovarin ia çuan nëpër korridor nga kuzhina… S’u nderova ta shoh me sy…
Mu në orën nëntë Razumihini u paraqit në nomerat e Bakalejevit. Të dyja zonjat e prisnin prej kohësh me një padurim histerik. Ishin ngritur rreth orës shtatë, e ndoshta edhe më herët. Ai hyri i vrenjtur si nata, u përshëndet i ngathët, gjë për të cilën u zemërua menjëherë — me veten, natyrisht. I kishte bërë hesapet pa hanxhiun: Pulherija Aleksandrovna u hodh drejt tij, ia kapi të dyja duart dhe gati ia puthi. Ai e vështroi me druajtje Avdotja Romanovnën; por edhe në atë fytyrë mendjemadhe kishte në atë minutë një shprehje të tillë mirënjohjeje e miqësie, një respekt kaq të plotë e të papritur për të (në vend të vështrimeve tallëse e të përbuzjes së pavullnetshme, të fshehur keq!), sa do t’i ishte, vërtet, më lehtë sikur ta kishin pritur me sharje, se përndryshe i erdhi tepër ndrojtje. Për fat, kishte një temë të gatshme për bisedë, dhe u kap sa më shpejt pas saj.
Kur dëgjoi se „ende s’është zgjuar“, por „gjithçka shkëlqyeshëm“, Pulherija Aleksandrovna deklaroi se kjo ishte edhe më mirë, „sepse asaj i duhej shumë, shumë, shumë të fliste më parë“. Erdhi pyetja për çajin dhe ftesa për ta pirë bashkë; ato vetë ende s’e kishin pirë duke pritur Razumihinin. Avdotja Romanovna i ra ziles, në thirrje u shfaq një leckaman i ndyrë, dhe i urdhëruan çaj, i cili u shërbye më në fund, por kaq ndyrë e kaq pahijshëm, sa zonjave u erdhi turp. Razumihini desh ta shante me energji nomerin, por, kur iu kujtua Luzhini, heshti, u hutua dhe u gëzua tmerrësisht kur pyetjet e Pulherija Aleksandrovnës filluan më në fund të binin njëra pas tjetrës pa pushim.
Duke iu përgjigjur atyre, foli tre çerekë ore, i ndërprerë e i pyetur rishtas vazhdimisht, dhe arriti t’u tregonte të gjitha faktet më kryesore e më të nevojshme që dinte nga viti i fundit i jetës së Rodion Romanoviçit, duke përfunduar me një tregim të hollësishëm për sëmundjen e tij. Shumë gjëra, megjithatë, i kaloi, ato që duheshin kaluar, ndër të tjera edhe skenën në zyrë me të gjitha pasojat. Tregimin e tij e dëgjonin me lakmi; por kur mendoi se kishte mbaruar e i kishte kënaqur dëgjueset e tij, doli se për to ai sikur s’kishte filluar ende.
— Më thoni, më thoni, si mendoni… ah, më falni, ende s’e di emrin tuaj? — nxitonte Pulherija Aleksandrovna.
— Dmitri Prokofiç.
— Pra, ja, Dmitri Prokofiç, do të doja shumë, shumë të dija… si i shikon tani në përgjithësi gjërat, domethënë, më kuptoni, si t’jua them, domethënë më mirë të them: ç’i pëlqen e ç’s’i pëlqen? A është gjithmonë kaq nervoz? Ç’dëshira ka dhe, si të thuash, ëndrra, po të jetë e mundur? Ç’ka tani ndikim të veçantë mbi të? Me një fjalë, do të doja…
— Ah, mama, si mund t’u përgjigjesh të gjitha këtyre kështu përnjëherësh! — vërejti Dunja.
— Ah, Zoti im, se unë s’e prisja aspak, aspak ta gjeja kështu, Dmitri Prokofiç.
— Kjo është shumë e natyrshme, zonjë, — u përgjigj Dmitri Prokofiçi. — Unë nënë s’kam, kurse xhaxhai vjen këtu çdo vit dhe pothuajse çdo herë s’më njeh, madje as nga pamja, ndonëse është njeri i zgjuar; hë, kurse në tre vjet ndarje ka rrjedhur shumë ujë. Po ç’t’ju them? Rodionin e njoh prej një viti e gjysmë: i vrenjtur, i zymtë, mendjemadh e krenar; kohët e fundit (e ndoshta qysh shumë më parë) dyshues e hipokondrik. Zemërgjerë e i mirë. S’i pëlqen t’i shprehë ndjenjat e veta dhe më shpejt bën një mizori sesa ta shprehë zemrën me fjalë. Ndonjëherë, megjithatë, s’është fare hipokondrik, por thjesht i ftohtë e i pandjeshëm deri në çnjerëzi, vërtet, sikur në të të ndërroheshin me radhë dy karaktere të kundërta. Ndonjëherë është tmerrësisht i pafjalë! S’ka kurrë kohë, gjithmonë e pengojnë, kurse vetë rri shtrirë e s’bën asgjë. S’është tallës, dhe jo se i mungon mprehtësia, po sikur s’ka kohë për gjëra të tilla të kota. S’i dëgjon deri në fund ato që thuhen. Kurrë s’interesohet për atë për të cilën interesohen të gjithë në atë çast. E çmon veten tmerrësisht lart dhe, me sa duket, jo pa njëfarë të drejte. Hë, ç’tjetër?.. Më duket se ardhja juaj do të ketë mbi të ndikimin më shpëtimtar.
— Ah, dhëntë Zoti! — thirri Pulherija Aleksandrovna, e mundur nga përshkrimi që Razumihini i bëri Rodjës së saj.
Kurse Razumihini më në fund e vështroi pak më me guxim Avdotja Romanovnën. E kishte vështruar shpesh gjatë bisedës, por kalimthi, vetëm për një çast, dhe menjëherë i largonte sytë. Avdotja Romanovna herë ulej në tryezë dhe dëgjonte me vëmendje, herë ngrihej përsëri dhe fillonte të ecte, sipas zakonit të saj, nga një qoshe në tjetrën, me duart e kryqëzuara, me buzët e shtrënguara, duke bërë herë pas here pyetjen e saj, pa e ndërprerë ecjen, e menduar. Edhe ajo e kishte zakon të mos i dëgjonte deri në fund ato që thuheshin. Ishte veshur me një fustan të errët prej stofi të lehtë, kurse në qafë kishte lidhur një shall të vogël të bardhë, të tejdukshëm. Nga shumë shenja Razumihini e vuri re menjëherë se gjendja e të dyja grave ishte jashtëzakonisht e varfër. Sikur Avdotja Romanovna të ishte veshur si mbretëreshë, me sa duket nuk do të kishte fare frikë prej saj; kurse tani, ndoshta pikërisht ngaqë ishte veshur kaq varfër dhe ngaqë ai e vuri re gjithë këtë mjedis të mjerë, në zemër i hyri frika, dhe filloi të kishte frikë për çdo fjalë të tij, për çdo gjest, gjë që, natyrisht, ishte e bezdisshme për një njeri që edhe pa këtë s’kishte besim te vetja.
— Thatë shumë gjëra interesante për karakterin e vëllait dhe… i thatë pa anësi. Kjo është mirë; mendoja se ju e adhuronit, — vërejti Avdotja Romanovna me një buzëqeshje. — Me sa duket, është e vërtetë edhe që pranë tij duhet të jetë një grua, — shtoi ajo e menduar.
— Këtë s’e thashë, po, në fund të fundit, ndoshta edhe këtu keni të drejtë, vetëm…
— Ç’ka?
— Se ai s’do askënd; ndoshta edhe s’do të dashurojë kurrë, — e preu Razumihini.
— Domethënë s’është në gjendje të dashurojë?
— Po e dini, Avdotja Romanovna, ju vetë i ngjani tmerrësisht vëllait tuaj, madje në gjithçka! — ia plasi ai befas, papritur edhe për veten, por menjëherë, kur iu kujtua ç’i kishte thënë sapo asaj për vëllanë, u skuq si karkalec dhe u hutua tmerrësisht. Avdotja Romanovna s’mundi të mos qeshte duke e parë.
— Për Rodjën mund të gaboheni të dy, — ia mori Pulherija Aleksandrovna, disi e fyer. — Unë s’flas për të tanishmen, Duneçka. Ajo që shkruan Pjotr Petroviçi në këtë letër… dhe ajo që supozonim me ty, — ndoshta s’është e vërtetë, por ju s’mund ta përfytyroni, Dmitri Prokofiç, sa fantastik është dhe, si ta them, tekanjoz. Karakterit të tij s’kam mundur kurrë t’i besoj, madje edhe kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Jam e sigurt se edhe tani mund të bëjë befas me veten diçka të tillë që asnjë njeri s’do ta mendonte kurrë ta bënte… Po s’kemi pse të shkojmë larg: e dini se si, një vit e gjysmë më parë, më habiti, më tronditi dhe gati më vrau krejt, kur i shkoi ndër mend të martohej me atë, si quhej, — me të bijën e asaj Zarnicinës, të zonjës së tij të shtëpisë?
— E dini ndonjë gjë me hollësi për këtë histori? — pyeti Avdotja Romanovna.
— Mendoni ju, — vazhdoi me zjarr Pulherija Aleksandrovna, — se do ta kishin ndalur atëherë lotët e mi, lutjet e mia, sëmundja ime, vdekja ime, ndoshta, nga brenga, varfëria jonë? Do t’i kishte kapërcyer krejt i qetë të gjitha pengesat. Po mos vallë, mos vallë ai s’na do?
— Ai vetë kurrë s’më ka folur për këtë histori, — u përgjigj me kujdes Razumihini, — por diçka kam dëgjuar nga vetë zonja Zarnicina, e cila, edhe ajo, në llojin e vet, s’është nga ato që tregojnë, dhe ç’kam dëgjuar, ndoshta është madje pak e çuditshme…
— Po ç’keni dëgjuar, ç’keni dëgjuar? — pyetën njëherësh të dyja gratë.
— Megjithatë, asgjë kaq të veçantë. Mësova vetëm se kjo martesë, krejt e rregulluar tashmë dhe që s’u bë vetëm për shkak të vdekjes së nuses, nuk i pëlqente aspak vetë zonjës Zarnicina… Përveç kësaj, thonë se nusja s’ishte madje e bukur, domethënë, thonë, madje e shëmtuar… dhe kaq e sëmurë, dhe… dhe e çuditshme… po, në fund të fundit, me sa duket, me disa vlera. Patjetër duhet të ketë pasur ndonjë vlerë; ndryshe s’kuptohet asgjë… Pajë gjithashtu asnjë, po ai as s’do të llogariste për pajë… Në përgjithësi, në një punë të tillë është vështirë të gjykosh.
— Jam e sigurt se ishte vajzë e denjë, — vërejti shkurt Avdotja Romanovna.
— Zoti më faltë, po unë u gëzova atëherë për vdekjen e saj, ndonëse s’e di kush do ta kishte shkatërruar tjetrin: ai atë, apo ajo atë? — përfundoi Pulherija Aleksandrovna; pastaj me kujdes, me ndalesa e duke i hedhur sy pa pushim Dunjës, gjë që, me sa dukej, asaj s’i pëlqente, filloi përsëri të pyeste për skenën e djeshme midis Rodjës dhe Luzhinit. Kjo ngjarje, siç dukej, e shqetësonte më shumë se gjithçka, deri në frikë e dridhje. Razumihini e tregoi përsëri të gjithën, me hollësi, por këtë herë shtoi edhe përfundimin e tij: e fajësoi drejtpërdrejt Raskolnikovin për fyerje të paramenduar të Pjotr Petroviçit, duke e justifikuar këtë herë shumë pak me sëmundjen.
— Këtë e kishte menduar qysh para sëmundjes, — shtoi ai.
— Edhe unë kështu mendoj, — tha Pulherija Aleksandrovna me një pamje të dërrmuar. Por e goditi shumë që për Pjotr Petroviçin Razumihini u shpreh këtë herë kaq me kujdes e madje sikur me respekt. Kjo e goditi edhe Avdotja Romanovnën.
— Pra, ky është mendimi juaj për Pjotr Petroviçin? — nuk duroi dot pa pyetur Pulherija Aleksandrovna.
— Për burrin e ardhshëm të bijës suaj s’mund të kem mendim tjetër, — u përgjigj me vendosmëri e me zjarr Razumihini, — dhe këtë s’e them vetëm nga mirësjellja banale, po sepse… sepse… hë, qoftë edhe vetëm për atë se vetë Avdotja Romanovna, me dëshirën e saj, e nderoi këtë njeri duke e zgjedhur. E nëse e shava kaq shumë dje, kjo ishte sepse dje isha i pirë ndyrë dhe për më tepër… i çmendur; po, i çmendur, pa kokë, krejt i lajthitur… dhe sot kam turp për këtë!.. — U skuq dhe heshti. Avdotja Romanovna u ndez, por s’e theu heshtjen. S’kishte thënë asnjë fjalë qysh nga çasti kur filluan të flisnin për Luzhinin.
Ndërkaq Pulherija Aleksandrovna, pa mbështetjen e saj, ishte dukshëm në mëdyshje. Më në fund, duke u penguar e duke i hedhur sy pa pushim së bijës, deklaroi se e shqetësonte jashtëzakonisht tani një rrethanë.
— E shihni, Dmitri Prokofiç… — filloi ajo. — Të jem krejt e çiltër me Dmitri Prokofiçin, Duneçka?
— Natyrisht, mama, — vërejti me rëndësi Avdotja Romanovna.
— Ja ku qëndron puna, — nxitoi ajo, sikur t’i kishin hequr një mal nga supet me lejen për ta treguar hallin. — Sot, shumë herët, morëm nga Pjotr Petroviçi një shënim si përgjigje të njoftimit tonë të djeshëm për ardhjen. E shihni, dje ai duhej të na priste, siç kishte premtuar, në vetë stacionin. Në vend të kësaj në stacion na dërgoi përpara një lake me adresën e këtyre nomerave dhe që të na tregonte rrugën, kurse Pjotr Petroviçi urdhëronte të na thuhej se do të vinte vetë këtu sot në mëngjes. Në vend të kësaj sot në mëngjes erdhi prej tij ky shënim… Më mirë, lexojeni vetë; këtu ka një pikë që më shqetëson shumë… do ta shihni vetë tani se cila është kjo pikë, dhe… më thoni mendimin tuaj të çiltër, Dmitri Prokofiç! Ju e njihni më mirë se të gjithë karakterin e Rodjës dhe mund të këshilloni më mirë se të gjithë. Ju paralajmëroj se Duneçka i ka zgjidhur tashmë të gjitha, që në hapin e parë, kurse unë, unë ende s’e di si të veproj, dhe… dhe gjithë kohës ju prisja juve.
Razumihini e hapi shënimin, me datën e djeshme, dhe lexoi sa vijon:
„E nderuara zonjë Pulherija Aleksandrovna, kam nderin t’ju njoftoj se, për shkak të vonesave të papritura që ndodhën, nuk munda t’ju prisja në debarkader,1 duke dërguar për këtë qëllim një njeri shumë të shkathët. Po ashtu do ta privoj veten nga nderi i takimit me ju edhe nesër në mëngjes, për shkak të punëve të pashtyshme në Senat dhe që të mos pengoj takimin tuaj familjar me djalin tuaj dhe të Avdotja Romanovnës me vëllanë e saj. Do të kem nderin t’ju vizitoj e t’ju paraqes respektet në banesën tuaj jo ndryshe veçse ditën e nesërme, mu në orën tetë pas mesdite, dhe guxoj të shtoj këtu lutjen time bindëse dhe, do të shtoj, këmbëngulëse, që në takimin tonë të përbashkët Rodion Romanoviçi të mos jetë i pranishëm, meqë ai më fyeu pa shembull e pa mirësjellje gjatë vizitës sime të djeshme kur ishte i sëmurë, dhe, përveç kësaj, meqë kam personalisht me ju një sqarim të domosdoshëm e të hollësishëm për pikën e njohur, për të cilën dëshiroj të mësoj interpretimin tuaj vetjak. Kam nderin t’ju paralajmëroj që tani se, nëse, në kundërshtim me lutjen, do të ndesh Rodion Romanoviçin, do të detyrohem të largohem menjëherë, dhe atëherë fajin do ta keni ju vetë. Shkruaj duke supozuar se Rodion Romanoviçi, që dukej kaq i sëmurë gjatë vizitës sime, pas dy orësh u shërua befas, dhe, pra, duke dalë nga shtëpia, mund të vijë edhe te ju. Për këtë u binda me sytë e mi, në banesën e një pijaneci të shtypur nga kuajt, që vdiq nga kjo, së bijës së të cilit, një vajze me sjellje famëkeqe, i dha dje deri në njëzet e pesë rubla, me pretekstin e varrimit, gjë që më habiti shumë, duke ditur me ç’mundime e keni mbledhur ju këtë shumë. Me këtë rast, duke i shprehur respektin tim të veçantë Avdotja Romanovnës së nderuar, ju lutem të pranoni ndjenjat e përkushtimit plot respekt të shërbëtorit tuaj të bindur P. Luzhin.“
— Ç’të bëj tani, Dmitri Prokofiç? — foli Pulherija Aleksandrovna, gati duke qarë. — Si t’i propozoj Rodjës të mos vijë? Ai kërkonte dje me kaq ngulm t’i thoshim jo Pjotr Petroviçit, kurse këtu urdhërojnë që të mos e presim atë vetë! Po ai do të vijë qëllimisht, kur ta marrë vesh, dhe… ç’do të ndodhë atëherë?
— Veproni ashtu siç ka vendosur Avdotja Romanovna, — u përgjigj i qetë dhe menjëherë Razumihini.
— Ah, Zoti im! Ajo thotë… ajo thotë Zoti e di se ç’thotë dhe s’ma shpjegon qëllimin! Thotë se do të jetë më mirë, domethënë jo se më mirë, po për ndonjë arsye duhet patjetër, gjoja, që edhe Rodja të vijë qëllimisht sot në orën tetë dhe që ata patjetër të takohen… Kurse unë as letrën s’doja t’ia tregoja, dhe disi me dinakëri, nëpërmjet jush, ta bëja që të mos vinte… sepse është kaq nervoz… Dhe s’kuptoj fare ç’pijanec vdiq atje, dhe ç’bijë, dhe si mundi t’i jepte kësaj bije të gjitha paratë e fundit… të cilat…
— Të cilat ju kushtuan kaq shtrenjtë, mama, — shtoi Avdotja Romanovna.
— Dje s’ishte në vete, — tha i menduar Razumihini. — Sikur ta dinit ç’tha dje në tavernë, ndonëse me mend… hm! Për një të vdekur e për një vajzë vërtet më tha diçka dje, kur po shkonim në shtëpi, po s’kuptova asnjë fjalë… Po, në fund të fundit, edhe unë vetë dje…
— Më mirë, mama, të shkojmë vetë te ai, dhe atje, ju siguroj, do ta shohim menjëherë ç’duhet bërë. Dhe për më tepër, është koha, — o Zot! Ka kaluar ora dhjetë! — thirri ajo, duke i hedhur një sy orës së saj të mrekullueshme prej ari me smalt, që i varej në qafë në një zinxhir të hollë venecian dhe që s’përputhej tmerrësisht me pjesën tjetër të veshjes. „Dhurata e dhëndrit“, — mendoi Razumihini.
— Ah, është koha!.. Është koha, Duneçka, është koha! — u ngut e shqetësuar Pulherija Aleksandrovna, — mos mendojë se jemi zemëruar për të djeshmen, që po vonojmë kaq shumë. Ah, Zoti im!
Duke thënë këto, hidhte me nxitim mbi vete mantelin dhe vinte kapelën; edhe Duneçka u vesh. Dorezat i kishte jo vetëm të konsumuara, por madje të grisura, gjë që e vuri re Razumihini, e megjithatë kjo varfëri e dukshme e veshjes u jepte të dyja zonjave madje njëfarë pamjeje dinjiteti të veçantë, gjë që ndodh gjithmonë me ata që dinë ta mbajnë rrobën e varfër. Razumihini e shikonte me adhurim Duneçkën dhe krenohej që do ta shoqëronte. „Ajo mbretëresha, — mendonte ai me vete, — që i arnonte çorapet në burg,2 natyrisht, në atë çast dukej si mbretëreshë e vërtetë, e madje më shumë se gjatë festave e daljeve më madhështore.“
— O Zot! — thirri Pulherija Aleksandrovna, — a e mendoja unë që do të kisha frikë nga takimi me djalin, me Rodjën tim të dashur, të dashur, si kam frikë tani!.. Kam frikë, Dmitri Prokofiç! — shtoi ajo, duke e vështruar me druajtje.
— Mos kini frikë, mama, — tha Dunja, duke e puthur, — më mirë besoni tek ai. Unë besoj.
— Ah, Zoti im! Besoj edhe unë, po s’fjeta gjithë natën! — thirri gruaja e gjorë.
Dolën në rrugë.
— E di, Duneçka, sapo më zuri pak gjumi nga mëngjesi, pashë befas në ëndërr të ndjerën Marfa Petrovna… dhe e tëra me të bardha… m’u afrua, më kapi për dore, kurse vetë tund kokën nga unë, dhe kaq rreptë, rreptë, sikur më dënon… A është për mirë? Ah, Zoti im, Dmitri Prokofiç, ju ende s’e dini: Marfa Petrovna vdiq!
— Jo, s’e di; cila Marfa Petrovna?
— Papritur! Dhe përfytyroni…
— Më vonë, mama, — ndërhyri Dunja, — se ata s’e dinë ende kush është Marfa Petrovna.
— Ah, s’e dini? E unë mendoja se ju i dinit të gjitha tashmë. Më falni, Dmitri Prokofiç, këto ditë më ngatërrohet thjesht mendja. Vërtet, ju quaj si një dërgatë të Zotit për ne, prandaj isha kaq e bindur se ju i dinit të gjitha. Ju quaj si të afërm… Mos u zemëroni që flas kështu. Ah, Zoti im, ç’keni në dorën e djathtë! E vratë?
— Po, e vrava, — mërmëriti Razumihini i lumturuar.
— Unë ndonjëherë flas tepër nga zemra, aq sa Dunja më ndreq… Por, o Zot, në ç’kthinë banon ai! A është zgjuar, megjithatë? Dhe ajo grua, e zonja e tij e shtëpisë, e quan këtë dhomë? Dëgjoni, ju thoni se s’i pëlqen ta tregojë zemrën, kështu që unë, ndoshta, do ta mërzit me… dobësitë e mia?.. A s’do të më mësonit, Dmitri Prokofiç? Si të sillem me të? Unë, e dini, eci krejt si e humbur.
— Mos e pyetni shumë për ndonjë gjë, po të shihni se vrenjtet; sidomos për shëndetin mos e pyetni shumë: s’i pëlqen.
— Ah, Dmitri Prokofiç, sa e rëndë është të jesh nënë! Po ja edhe këto shkallë… Ç’shkallë të tmerrshme!
— Mama, jeni madje e zbehtë, qetësohuni, shpirti im, — tha Dunja, duke e përkëdhelur, — ai duhet të jetë i lumtur që ju sheh, kurse ju e mundoni kaq shumë veten, — shtoi ajo, duke shkrepur sytë.
— Prisni, do të shoh unë përpara, a është zgjuar?
Zonjat shkuan ngadalë pas Razumihinit, që u nis përpara nëpër shkallë, dhe kur arritën në katin e katërt para derës së së zonjës së shtëpisë, vunë re se dera e së zonjës ishte e hapur sa një të çarë e vogël dhe se dy sy të zinj e të shpejtë i shqyrtonin të dyja nga errësira. Kur vështrimet u takuan, dera u përplas befas, dhe me një zhurmë të tillë, sa Pulherija Aleksandrovna gati thirri nga frika.
Shënime
Found a mistake in this chapter? Report a mistake