← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e pestë — IV · Krim dhe ndëshkim

Chapter 30 of 41

Raskolnikovi kishte qenë avokati i zellshëm e i gjallë i Sonjës kundër Luzhinit, pavarësisht se mbante vetë në shpirt aq shumë tmerr e vuajtje të vetat. Por, pasi kishte vuajtur aq shumë në mëngjes, ishte sikur i gëzuar për rastin për t’i ndërruar përshtypjet, që po i bëheshin të padurueshme, pa folur për atë sa shumë gjë personale e të zemrës kishte në dëshirën e tij për ta mbrojtur Sonjën. Përveç kësaj, kishte parasysh dhe e shqetësonte tmerrësisht, sidomos në disa minuta, takimi që e priste me Sonjën: ai duhej t’i tregonte se kush e kishte vrarë Lizavetën, dhe parandiente për veten një mundim të tmerrshëm, dhe sikur e largonte me duar. Prandaj, kur thirri, duke dalë nga Katerina Ivanovna: „Hë, ç’do të thoni tani, Sofja Semjonovna?“, me sa dukej ndodhej ende në njëfarë gjendjeje të ngacmuar nga jashtë gjallërie, sfide e fitoreje të fundit mbi Luzhinin. Por diçka e çuditshme i ndodhi. Kur arriti te banesa e Kapernaumovit, ndjeu befas tek vetja një pafuqi të papritur e frikë. I menduar u ndal para derës me një pyetje të çuditshme: „A duhet ta them kush e vrau Lizavetën?“ Pyetja ishte e çuditshme, sepse ai befas, njëkohësisht, ndjeu se jo vetëm që s’mund të mos e thoshte, por madje edhe ta shtynte këtë minutë, qoftë edhe për pak kohë, ishte e pamundur. Ende s’e dinte pse ishte e pamundur; vetëm e ndjeu këtë, dhe kjo vetëdije e mundimshme e pafuqisë së tij para domosdoshmërisë gati e shtypi. Që të mos arsyetonte më e të mos mundohej, e hapi shpejt derën dhe e vështroi Sonjën nga pragu. Ajo rrinte ulur, e mbështetur me bërryla në tryezëz e me fytyrën të mbuluar me duar, por, kur pa Raskolnikovin, u ngrit shpejt dhe shkoi ta takonte, sikur ta kishte pritur.

— Ç’do të bëhej me mua pa ju! — tha ajo shpejt, duke u takuar me të në mes të dhomës. Me sa dukej, vetëm këtë donte t’i thoshte sa më shpejt. Për këtë edhe e kishte pritur.

Raskolnikovi shkoi te tryeza dhe u ul në karrigen nga e cila ajo sapo ishte ngritur. Ajo qëndroi para tij dy hapa larg, tamam si dje.

— Hë, Sonja? — tha ai dhe befas ndjeu se zëri po i dridhej, — se gjithë puna mbështetej te „pozita shoqërore dhe zakonet e lidhura me të“. E kuptuat pak më parë këtë?

Në fytyrën e saj u shpreh vuajtja.

— Vetëm mos më flisni si dje! — e ndërpreu ajo. — Ju lutem, mos filloni. Edhe kështu mundime ka mjaft…

Ajo buzëqeshi me nxitim, duke u trembur se, ndoshta, qortimi s’do t’i pëlqente.

— Ika që andej si budallaqe. Ç’po ndodh atje tani? Tani desh të shkoja, po gjithnjë mendoja se ja… do të vini ju.

Ai i tregoi se Amalija Ivanovna po i nxirrte nga banesa dhe se Katerina Ivanovna kishte vrapuar diku „të kërkonte drejtësi“.

— Ah, Zoti im! — u hodh Sonja, — të shkojmë sa më shpejt…

Dhe rrëmbeu mantelin e saj të vogël.

— Gjithnjë e njëjta gjë! — thirri i nervozuar Raskolnikovi. — Ju s’keni ndër mend tjetër veç atyre! Rrini pak me mua.

— Po… Katerina Ivanovna?

— Po Katerina Ivanovna, natyrisht, s’do t’ju anashkalojë, do të vijë vetë te ju, meqë doli me vrap nga shtëpia, — shtoi ai me inat. — Po s’ju gjeti, ju do të dilni fajtore…

Sonja u ul në karrige në një pavendosmëri të mundimshme. Raskolnikovi heshtte, duke shikuar përdhe e duke menduar diçka.

— Le të themi, Luzhini tani s’deshi, — filloi ai, pa e vështruar Sonjën. — Hë, po sikur të donte ose të hynte disi në llogaritë e tij, ai do t’ju kishte futur në burg, sikur të mos ishim ndodhur aty unë e Lebezjatnikovi! A?

— Po, — tha ajo me zë të dobët, — po! — përsëriti ajo, e hutuar e në ankth.

— E unë vërtet mund të mos isha ndodhur! Kurse Lebezjatnikovi u gjend aty krejt rastësisht.

Sonja heshtte.

— Hë, po sikur në burg, ç’do të ndodhte atëherë? E mbani mend ç’thashë dje?

Ajo përsëri s’u përgjigj. Ai priti pak.

— E unë mendova se do të bërtisnit përsëri: „Ah, mos flisni, pushoni!“ — qeshi Raskolnikovi, por disi me mundim. — Ç’ka, prapë heshtje? — pyeti ai pas një minute. — Se duhet të flasim për diçka? Ja, pikërisht do të më interesonte të dija si do ta zgjidhnit tani një „çështje“, siç thotë Lebezjatnikovi. (Ai sikur kishte filluar të ngatërrohej.) Jo, vërtet, po flas seriozisht. Përfytyroni, Sonja, se t’i dinit që më parë të gjitha qëllimet e Luzhinit, ta dinit (domethënë me siguri) se për shkak të tyre do të humbte krejt Katerina Ivanovna, e edhe fëmijët; edhe ju, për më tepër (meqë ju e quani veten asgjë, prandaj për më tepër). Poleçka gjithashtu… sepse asaj i del po ajo rrugë. Hë pra; ja kështu: sikur befas t’ia linin të gjitha këto tani vendimit tuaj: ky apo ata të rrojnë në botë, domethënë të rrojë Luzhini e të bëjë poshtërsi, apo të vdesë Katerina Ivanovna? Si do ta vendosnit: cili prej tyre të vdesë? Po ju pyes.

Sonja e vështroi me shqetësim: iu duk se dëgjoi diçka të veçantë në këtë të folur të pasigurt e që i afrohej diçkaje nga larg.

— E parandieja që do të më pyesnit diçka të tillë, — tha ajo, duke e vështruar me hetim.

— Mirë, le të jetë; po, megjithatë, si do ta vendosnit?

— Pse pyetni për diçka që s’mund të ndodhë? — tha Sonja me neveri.

— Pra, më mirë të rrojë Luzhini e të bëjë poshtërsi! As këtë s’guxuat ta vendosnit?

— Po unë s’mund ta di providencën e Zotit… E pse pyetni për atë që s’duhet pyetur? Pse pyetje kaq boshe? Si mund të ndodhë që kjo të varet nga vendimi im? E kush më ka vënë gjykatëse këtu: kush të rrojë, kush të mos rrojë?

— Kur përzihet providenca e Zotit, s’ke ç’të bësh më, — mërmëriti i zymtë Raskolnikovi.

— Thoni më mirë drejt ç’ju duhet! — thirri me vuajtje Sonja, — ju prapë po më çoni drejt diçkaje… Mos vallë keni ardhur vetëm për të më torturuar!

Ajo s’e duroi dot dhe befas filloi të qante me hidhërim. Me një pikëllim të zymtë e vështronte ai. Kaluan nja pesë minuta.

— E megjithatë ke të drejtë, Sonja, — tha ai më në fund me zë të ulët. Ai ndryshoi befas; toni i tij i sforcuar i paturpshëm e sfidues pa fuqi u zhduk. Madje edhe zëri iu dobësua befas. — Unë vetë të thashë dje se s’do të vija të kërkoja falje, e pothuajse me këtë fillova, që po kërkoj falje… Për Luzhinin e për providencën e thashë për veten… Kjo do të thotë që kërkoja falje, Sonja…

Desh të buzëqeshte, por diçka pa fuqi e e pambaruar u shpreh në buzëqeshjen e tij të zbehtë. E uli kokën dhe e mbuloi fytyrën me duar.

Dhe befas një ndjesi e çuditshme, e papritur, njëfarë urrejtjeje therëse ndaj Sonjës i kaloi nëpër zemër. Sikur i habitur e i trembur vetë nga kjo ndjesi, ngriti befas kokën dhe e vështroi me ngulm; por hasi te vetja vështrimin e saj të shqetësuar e plot kujdes deri në mundim; këtu ishte dashuria; urrejtja e tij u zhduk si fantazmë. S’ishte ajo; ai e kishte marrë një ndjenjë për një tjetër. Kjo vetëm do të thoshte se ajo minutë kishte ardhur.

Përsëri e mbuloi fytyrën me duar dhe e uli kokën poshtë. Befas u zbeh, u ngrit nga karrigia, e vështroi Sonjën dhe, pa thënë asgjë, kaloi mekanikisht e u ul në shtratin e saj.

Kjo minutë, në ndjesinë e tij, i ngjante tmerrësisht asaj kur ishte në këmbë pas plakës, pasi e kishte liruar tashmë sëpatën nga laku, dhe kishte ndier se „s’mund të humbiste më asnjë çast“.

— Ç’keni? — pyeti Sonja, tmerrësisht e druajtur.

Ai s’mund të thoshte asgjë. Ai s’e kishte menduar fare, fare kështu ta shpallte dhe as vetë s’e kuptonte se ç’po i ndodhte tani. Ajo iu afrua ngadalë, u ul në shtrat pranë tij dhe priste, pa ia ndarë sytë. Zemra i trokiste e i ngrinte. U bë e padurueshme: ai e ktheu drejt saj fytyrën e tij të zbehtë si e vdekur; buzët i shtrembëroheshin pa fuqi, duke u përpjekur të thoshin diçka. Tmerri i kaloi Sonjës nëpër zemër.

— Ç’keni? — përsëriti ajo, duke u larguar pak prej tij.

— Asgjë, Sonja. Mos u tremb… Marrëzi! Vërtet, po ta mendosh, — marrëzi, — mërmëriste ai me pamjen e një njeriu që s’e di ç’bën, në kllapi. — Pse erdha vetëm të të torturoj ty? — shtoi ai befas, duke e vështruar. — Vërtet. Pse? Gjithnjë ia bëj vetes këtë pyetje, Sonja…

Ai, ndoshta, ia kishte bërë vetes këtë pyetje një çerek ore më parë, por tani e tha në pafuqi të plotë, mezi duke e kuptuar veten e duke ndier një dridhje të pandërprerë në gjithë trupin.

— Oh, sa po mundoheni! — tha ajo me vuajtje, duke e shqyrtuar.

— Të gjitha marrëzira!.. Ja ç’është, Sonja (ai befas buzëqeshi s’dihej pse, disi zbehtë e pa fuqi, nja dy sekonda), — e mban mend ç’desha të të thosha dje?

Sonja priste e shqetësuar.

— Të thashë, duke ikur, se ndoshta po ndahem me ty përgjithmonë, por se po të vija sot, do të të thosha… kush e vrau Lizavetën.

Ajo befas u drodh me gjithë trupin.

— Hë, ja, erdha të ta them.

— Pra ju dje vërtet… — pëshpëriti ajo me mundim, — po nga e dini ju? — pyeti ajo shpejt, sikur të kishte ardhur befas në vete.

Sonja filloi të merrte frymë me vështirësi. Fytyra i bëhej gjithnjë e më e zbehtë.

— E di.

Ajo heshti një minutë.

— E gjetën, apo, atë? — pyeti ajo me druajtje.

— Jo, s’e gjetën.

— Po atëherë si e dini ju për këtë? — pyeti përsëri ajo mezi e dëgjueshme, dhe përsëri gati pas një heshtjeje prej një minute.

Ai u kthye nga ajo dhe e vështroi me ngulm, me ngulm.

— Merre me mend, — tha ai me buzëqeshjen e mëparshme të shtrembër e pa fuqi.

Sikur ngërçe i kaluan nëpër gjithë trupin.

— Po ju… mua… pse më… trembni kështu? — tha ajo, duke buzëqeshur si fëmijë.

— Pra, unë jam mik i madh me të… meqë e di, — vazhdoi Raskolnikovi, duke vazhduar ta vështronte pa u shkëputur në fytyrë, sikur s’kishte më forcë t’i largonte sytë, — ai këtë Lizavetën… s’donte ta vriste… Atë… e vrau pa dashje… Ai donte të vriste plakën… kur ajo ishte vetëm… dhe erdhi… E pikërisht atëherë hyri Lizaveta… Ai atëherë… vrau edhe atë.

Kaloi edhe një minutë e tmerrshme. Të dy vazhdonin ta vështronin njëri-tjetrin.

— Pra, s’mund ta marrësh me mend? — pyeti ai befas, me atë ndjesi sikur po hidhej poshtë nga një kambanore.

— J-jo, — pëshpëriti Sonja mezi e dëgjueshme.

— Shiko mirë.

Dhe sapo e tha këtë, përsëri një ndjesi e dikurshme, e njohur, ia ngriu befas shpirtin: e vështronte dhe befas, në fytyrën e saj, sikur pa fytyrën e Lizavetës. E kishte mbajtur mend qartë shprehjen e fytyrës së Lizavetës, kur i afrohej atëherë me sëpatë, kurse ajo zmbrapsej prej tij drejt murit, duke e zgjatur dorën përpara, me një tmerr krejt fëminor në fytyrë, tamam si fëmijët e vegjël, kur befas fillojnë të tremben nga diçka, e shikojnë pa lëvizur e të shqetësuar sendin që i tremb, zmbrapsen mbrapsht dhe, duke zgjatur përpara dorën e vogël, bëhen gati të qajnë. Pothuajse e njëjta gjë i ndodhi tani edhe Sonjës: po aq pa fuqi, me po atë tmerr, e vështroi për ca kohë dhe befas, duke zgjatur përpara dorën e majtë, u mbështet lehtë, fare pak, me gishta në kraharorin e tij dhe filloi të ngrihej ngadalë nga shtrati, duke u larguar gjithnjë e më shumë prej tij, dhe gjithnjë e më i palëvizshëm i bëhej vështrimi mbi të. Tmerri i saj iu përcoll befas edhe atij: po i njëjti tmerr u shfaq edhe në fytyrën e tij, po njësoj filloi ta vështronte edhe ai, dhe gati madje me po atë buzëqeshje fëminore.

— E more me mend? — pëshpëriti ai më në fund.

— O Zot! — i shpërtheu nga kraharori një ulërimë e tmerrshme. Ra pa fuqi në shtrat, me fytyrë në jastëkë. Por pas një çasti u ngrit shpejt, iu afrua shpejt, e kapi nga të dyja duart dhe, duke ia shtrënguar fort, si në morsë, me gishtat e saj të hollë, filloi përsëri ta vështronte pa lëvizur, sikur të ishte ngjitur, në fytyrë. Me këtë vështrim të fundit, të dëshpëruar, ajo donte të shihte e të kapte qoftë edhe ndonjë shpresë të fundit për veten. Por shpresë s’kishte; dyshim s’mbetej asnjë; gjithçka ishte kështu! Madje edhe më pas, më vonë, kur e kujtonte këtë minutë, i dukej edhe e çuditshme, edhe e mrekullueshme: pse pikërisht e pa ajo atëherë kaq menjëherë se s’kishte më asnjë dyshim? Se s’mund të thoshte, për shembull, që kishte parandier diçka të tillë? E megjithatë, tani, sapo ai ia tha këtë, iu duk befas se vërtet sikur e kishte parandier pikërisht këtë.

— Mjaft, Sonja, mjaft! Mos më torturo! — iu lut ai me vuajtje.

Ai s’e kishte menduar fare, fare kështu t’ia zbulonte, por doli kështu.

Si pa e ditur ç’bënte, ajo u hodh përpjetë dhe, duke përdredhur duart, shkoi deri në mes të dhomës; por u kthye shpejt dhe u ul përsëri pranë tij, gati duke e prekur sup më sup. Befas, sikur e shpuar, u drodh, thirri dhe u hodh, pa ditur vetë pse, para tij në gjunjë.

— Ç’bëtë, ç’i bëtë vetes! — tha ajo e dëshpëruar dhe, duke u ngritur nga gjunjët, iu hodh në qafë, e përqafoi dhe e shtrëngoi fort-fort me duar.

Raskolnikovi u zmbraps dhe e vështroi me një buzëqeshje të trishtuar:

— Sa e çuditshme je, Sonja, — më përqafon e më puth, kur të thashë për këtë. S’e ke mendjen në vete.

— Jo, s’ka njeri më fatkeq se ti tani në gjithë botën! — thirri ajo si në ekstazë, pa e dëgjuar vërejtjen e tij, dhe befas filloi të qante me dënesë, si në histeri.

Një ndjenjë prej kohësh e panjohur për të i vërshoi si valë në shpirt dhe ia zbuti menjëherë. Ai s’i rezistoi: dy lot i rrokullisën nga sytë dhe i mbetën varur në qerpikë.

— Pra, s’do të më lësh, Sonja? — thoshte ai, duke e vështruar gati me shpresë.

— Jo, jo; kurrë e askund! — thirri Sonja, — do të vij pas teje, kudo do të vij! O Zot!.. Oh, unë e mjera!.. E pse, pse s’të njoha më parë! Pse s’erdhe më parë? O Zot!

— Ja ku erdha.

— Tani! Oh, ç’të bëjmë tani!.. Bashkë, bashkë! — përsëriste ajo si e harruar dhe e përqafonte përsëri, — në katorgë1 do të vij bashkë me ty! — Atë sikur e përshkoi befas një drithërimë, buzëqeshja e mëparshme, e urryer e gati mendjemadhe, iu shtrydh në buzë.

— Unë, Sonja, në katorgë ndoshta ende s’dua të shkoj, — tha ai.

Sonja e vështroi shpejt.

Pas dhembshurisë së parë, të zjarrtë e të mundimshme për fatkeqin, përsëri ideja e tmerrshme e vrasjes e tronditi. Në tonin e ndryshuar të fjalëve të tij iu duk befas se dëgjoi vrasësin. E vështronte me habi. Asaj s’i dihej ende asgjë, as pse, as si, as për çfarë kishte ndodhur kjo. Tani të gjitha këto pyetje iu ndezën përnjëherësh në vetëdije. Dhe përsëri s’e besoi: „Ai, ai vrasës! Po a është e mundur kjo?“

— Po ç’është kjo! Po ku jam unë! — tha ajo në një hutim të thellë, sikur ende pa ardhur në vete, — po si mundët ju, ju, një i tillë… të vendosnit për këtë?.. Po ç’është kjo!

— Hë, po, për të grabitur. Mjaft, Sonja! — u përgjigj ai disi i lodhur e madje sikur i mërzitur.

Sonja qëndronte sikur e shtangur, por befas thirri:

— Ti ishe i uritur! ti… për t’i ndihmuar nënës? Po?

— Jo, Sonja, jo, — mërmëriste ai, duke u kthyer mënjanë e duke ulur kokën, — s’isha aq i uritur… vërtet doja t’i ndihmoja nënës, po… as kjo s’është krejt e vërtetë… mos më torturo, Sonja!

Sonja përplasi duart.

— Po vallë, vallë e gjitha kjo është vërtet! O Zot, po ç’e vërtetë është kjo! Kush mund ta besojë këtë?.. E si, si e jepni vetë të fundit, kurse vratë për të grabitur! A!.. — thirri ajo befas, — ato para që i dhatë Katerina Ivanovnës… ato para… O Zot, mos vallë edhe ato para…

— Jo, Sonja, — e ndërpreu ai me nxitim, — ato para s’ishin ato, qetësohu! Ato para m’i dërgoi nëna, nëpërmjet një tregtari, dhe i mora i sëmurë, po atë ditë kur i dhashë… Razumihini e pa… ai vetë i mori për mua… ato para janë të miat, të miat vetjake, vërtet të miat.

Sonja e dëgjonte e hutuar dhe përpiqej me të gjitha forcat të merrte vesh diçka.

— Kurse ato para… megjithatë, as që e di nëse kishte atje para, — shtoi ai ngadalë e sikur i menduar, — ia hoqa atëherë nga qafa një qese, prej kamoshi… një qese plot, aq të mbushur… po s’shikova brenda; s’arrita, me siguri… Hë, kurse sendet, ca kopsa mëngësh e zinxhirë, — të gjitha këto sende dhe qesen i groposa nën një gur në një oborr të huaj, në Prospektin V—, të nesërmen në mëngjes. Gjithçka është atje edhe tani.

Sonja dëgjonte me gjithë forcat.

— Hë, po atëherë pse… si thatë: për të grabitur, kurse vetë s’morët asgjë? — pyeti ajo shpejt, duke u kapur pas një fije kashte.

— S’e di… ende s’kam vendosur — do t’i marr apo s’do t’i marr këto para, — tha ai, përsëri sikur i menduar, dhe befas, duke ardhur në vete, buzëqeshi shpejt e shkurt. — Eh, ç’budallallëk thashë tani, a?

Sonjës i shkrepi një mendim: „Mos është i çmendur?“ Por e la menjëherë: jo, këtu ka diçka tjetër. Asgjë, asgjë s’kuptonte ajo këtu!

— E di, Sonja, — tha ai befas me njëfarë frymëzimi, — e di ç’do të të them: sikur të kisha therur vetëm nga që isha i uritur, — vazhdoi ai, duke e theksuar çdo fjalë e duke e vështruar enigmatikisht, por sinqerisht, — atëherë tani do të isha… i lumtur! Ta dish këtë!

— E ç’të duhet ty, ç’të duhet ty kjo, — thirri ai pas një çasti madje me njëfarë dëshpërimi, — hë, ç’të duhet ty, sikur ta pranoja tani që bëra keq? Hë, ç’të duhet ty ky triumf budalla mbi mua? Ah, Sonja, a për këtë erdha unë te ti tani!

Sonja desh përsëri të thoshte diçka, por heshti.

— Prandaj të thërrisja dje me vete, sepse vetëm ti më ke mbetur.

— Ku më thërrisje? — pyeti me druajtje Sonja.

— Jo të vjedhim e të vrasim, mos u shqetëso, jo për këtë, — buzëqeshi ai me thumb, — ne jemi njerëz të ndryshëm… Dhe e di, Sonja, unë vetëm tani, vetëm tani e kuptova: ku të thërrisja dje? E dje, kur të thërrisja, as unë vetë s’e kuptoja ku. Për një gjë të thërrisja, për një gjë vija: të mos më lësh. S’do të më lësh, Sonja?

Ajo ia shtrëngoi dorën.

— E pse, pse ia thashë, pse ia zbulova! — thirri ai i dëshpëruar pas një minute, duke e vështruar me një mundim të pafund, — ja, ti pret shpjegime nga unë, Sonja, rri e pret, e shoh këtë; po ç’të të them? Asgjë s’do të kuptosh në këtë, veçse do të vuash e tëra… për shkakun tim! Ja, ti qan e më përqafon prapë, — po pse më përqafon? Sepse s’e durova vetë dhe erdha t’ia hedh një tjetri: „vuaj edhe ti, mua do të më bëhet më lehtë!“ Dhe a mund ta duash një të poshtër të tillë?

— Po vallë edhe ti s’mundohesh? — thirri Sonja.

Përsëri po ajo ndjenjë i vërshoi si valë në shpirt dhe përsëri ia zbuti për një çast.

— Sonja, unë kam zemër të ligë, mbaje parasysh këtë: me këtë mund të shpjegohen shumë gjëra. Prandaj erdha, sepse jam i lig. Ka të tillë që s’do të vinin. Kurse unë jam frikacak e… i poshtër! Por… le të jetë! të gjitha këto s’janë ajo… Tani duhet folur, po s’di si ta filloj…

U ndal dhe u zhyt në mendime.

— E-eh, jemi njerëz të ndryshëm! — thirri ai përsëri, — s’i shkojmë njëri-tjetrit. E pse, pse erdha! Kurrë s’do ta fal veten për këtë!

— Jo, jo, është mirë që erdhe! — thërriste Sonja, — është më mirë që ta di! Shumë më mirë!

Ai e vështroi me dhimbje.

— E ç’ka, vërtet! — tha ai, sikur e kishte menduar mirë, — se kështu ishte! Ja ç’është: unë doja të bëhesha Napoleon, prandaj vrava… Hë, e kupton tani?

— J-jo, — pëshpëriti me naivitet e me druajtje Sonja, — vetëm… fol, fol! Do ta kuptoj, në vetvete do t’i kuptoj të gjitha! — i lutej ajo.

— Do ta kuptosh? Hë, mirë, do ta shohim!

Ai heshti dhe mendoi gjatë.

— Puna është se: një herë ia bëra vetes këtë pyetje: po sikur, për shembull, në vendin tim të ndodhej Napoleoni dhe të mos kishte, për ta filluar karrierën, as Tulon, as Egjipt, as kalim përmes Mon Blanit,2 por në vend të të gjitha këtyre gjërave të bukura e monumentale të kishte thjesht e qartë një plakushë qesharake, një „legjistruese“,3 që për më tepër duhet vrarë, që t’i vjedhësh paratë nga sënduku (për karrierën, e kupton?), hë, a do të vendoste ai për këtë, po të mos kishte rrugëdalje tjetër? A s’do t’i neveritej që kjo është tepër jo monumentale e… e mëkat? Hë, pra po të them se me këtë „pyetje“ u mundova tmerrësisht gjatë, saqë m’u bë tmerrësisht turp kur e mora më në fund me mend (befas disi) se jo vetëm që s’do t’i neveritej, por as që do t’i shkonte ndër mend se kjo s’është monumentale… madje as s’do ta kuptonte fare: pse t’i neveritet këtu? Dhe po të mos kishte rrugë tjetër, do ta mbyste kështu sa as zë s’do ta linte të nxirrte, pa kurrfarë mëdyshjeje!.. Hë, edhe unë… dola nga mëdyshja… e mbyta… sipas shembullit të autoritetit… Dhe kjo ishte tamam kështu! Të vjen për të qeshur? Po, Sonja, këtu më qesharakja është se, ndoshta, pikërisht kështu ishte…

Sonjës aspak s’i vinte për të qeshur.

— Ju më mirë më flisni drejt… pa shembuj, — u lut ajo edhe më me druajtje e mezi e dëgjueshme.

Ai u kthye nga ajo, e vështroi i trishtuar dhe e kapi për duarsh.

— Ti ke përsëri të drejtë, Sonja. Të gjitha këto janë marrëzira, gati llafe të kota! E sheh: ti e di që nëna ime s’ka pothuajse asgjë. Motra mori edukatë, rastësisht, dhe është e dënuar të endet si guvernante. Gjithë shpresat e tyre ishin te unë vetëm. Unë studioja, por s’mund ta mbaja veten në universitet dhe u detyrova ta lë për ca kohë. Edhe sikur të vazhdonte kështu, pas nja dhjetë, dymbëdhjetë vjetësh (po të ktheheshin mirë rrethanat) mund të shpresoja prapëseprapë të bëhesha ndonjë mësues a nëpunës, me një mijë rubla rrogë… (Fliste sikur të ishte mësuar përmendësh.) E deri në atë kohë nëna do të ishte tharë nga hallet e nga hidhërimi, dhe unë prapëseprapë s’do të arrija ta qetësoja, kurse motra… hë, me motrën mund të ndodhte edhe më keq!.. E pastaj ç’qejf ke gjithë jetën të kalosh pranë gjithçkaje e t’i kthesh shpinën gjithçkaje, ta harrosh nënën, kurse fyerjen e motrës, për shembull, ta durosh me respekt? Për çfarë? Mos vallë që, pasi t’i varrosësh ato, të bësh të reja — grua e fëmijë, e pastaj edhe ata t’i lësh pa një grosh e pa një kafshatë? Hë… hë, ja kështu vendosa që, duke i shtënë në dorë paratë e plakës, t’i përdorja për vitet e mia të para, pa e munduar nënën, për të siguruar veten në universitet, për hapat e parë pas universitetit, — e t’i bëja të gjitha këto gjerësisht, rrënjësisht, që ta ndërtoja krejt një karrierë të re e të dilja në një rrugë të re, të pavarur… Hë… hë, ja kaq… Hë, natyrisht, që e vrava plakën, — këtë e bëra keq… hë, dhe mjaft!

Në njëfarë pafuqie u zvarrit deri në fund të tregimit dhe e uli kokën.

— Oh, s’është kjo, s’është kjo, — thërriste Sonja e pikëlluar, — e vallë mund kështu… jo, s’është kështu, s’është kështu!

— E sheh vetë që s’është kështu!.. Po unë të tregova sinqerisht, të vërtetën!

— Po ç’e vërtetë është kjo! O Zot!

— Unë vrava vetëm një morr, Sonja, të padobishëm, të ndyrë, të dëmshëm.

— Njeriu qenka morr!

— Po edhe unë e di që s’është morr, — u përgjigj ai, duke e vështruar çuditshëm. — Po, megjithatë, po gënjej, Sonja, — shtoi ai, — prej kohësh po gënjej… Të gjitha këto s’janë ajo; ke të drejtë. Krejt, krejt, krejt të tjera shkaqe ka këtu!.. Prej kohësh s’kam folur me njeri, Sonja… Koka më dhemb shumë tani.

Sytë i digjeshin me një zjarr ethesh. Pothuajse po fillonte të fliste përçart; një buzëqeshje e shqetësuar i endej në buzë. Përmes gjendjes së ngacmuar të shpirtit dukej tashmë një pafuqi e tmerrshme. Sonja e kuptoi sa po mundohej. Edhe asaj filloi t’i vërtitej koka. Dhe çuditshëm fliste ai kështu: sikur diçka kuptohej, por… „po si! Si! O Zot!“ Dhe ajo përdridhte duart e dëshpëruar.

— Jo, Sonja, s’është kjo! — filloi ai përsëri, duke ngritur befas kokën, sikur një kthesë e papritur e mendimeve ta kishte goditur e ta kishte ngacmuar përsëri, — s’është kjo! Më mirë… supozo (po! kështu është vërtet më mirë!), supozo se jam sedërli, ziliqar, i lig, i ndyrë, hakmarrës, hë… dhe, ndoshta, i prirur edhe për çmenduri. (Le të jenë të gjitha njëherësh! Për çmendurinë kanë folur edhe më parë, e kam vënë re!) Ja, të thashë pak më parë se s’mund ta mbaja veten në universitet. Po a e di se ndoshta mundja? Nëna do të më dërgonte për të paguar ç’duhej, kurse për çizme, rroba e bukë do t’i fitoja vetë; me siguri! Kishte mësime private; më ofronin nga gjysmë rubla. Ja, Razumihini punon! Po unë u inatosa dhe s’desha. Pikërisht u inatosa (kjo është fjalë e mirë!). Atëherë u futa, si merimangë, në qoshen time. Ti ke qenë në strofkën time, e ke parë… Po a e di, Sonja, se tavanet e ulëta e dhomat e ngushta e ngushtojnë shpirtin e mendjen? Oh, sa e urreja këtë strofkë! E megjithatë s’doja të dilja prej saj. Me qëllim s’doja! Ditë të tëra s’dilja, s’doja të punoja, madje as të haja s’doja, gjithnjë rrija shtrirë. Po të më sillte Nastasja — haja, po s’më sillte — ashtu kalonte dita; me qëllim, nga inati, s’kërkoja! Natën s’ka dritë, rri shtrirë në errësirë, kurse për qirinj s’dua të fitoj. Duhej të mësoja, i shita librat; kurse në tryezën time, mbi shënimet e fletoret, ka edhe tani pluhur sa një gisht. Më pëlqente më shumë të rrija shtrirë e të mendoja. Dhe gjithnjë mendoja… Dhe gjithnjë kisha ëndrra të tilla, ëndrra të çuditshme, të ndryshme, s’ka ç’të thuash çfarë! Por vetëm atëherë filloi të më bëhej gjithashtu se… Jo, s’është kështu! Prapë s’po e tregoj si duhet! E sheh, atëherë e pyesja gjithnjë veten: pse jam kaq budalla, që, nëse të tjerët janë budallenj e nëse unë e di me siguri që janë budallenj, vetë s’dua të jem më i zgjuar? Pastaj mora vesh, Sonja, se po të presësh derisa të bëhen të gjithë të zgjuar, do të duhej tepër shumë kohë… Pastaj mora vesh edhe që kjo s’do të ndodhë kurrë, që njerëzit s’ndryshojnë, e s’mund t’i ribëjë askush, dhe s’ia vlen të harxhosh mundin! Po, kështu është! Ky është ligji i tyre… Ligj, Sonja! Kështu është!.. Dhe unë tani e di, Sonja, që ai që është i fortë e i fuqishëm nga mendja e nga shpirti, ai është edhe sunduesi i tyre! Kush guxon shumë, ai ka të drejtë te ata. Kush mund të pështyjë mbi më shumë, ai është ligjvënësi i tyre, e kush mund të guxojë më shumë se të gjithë, ai ka edhe më shumë të drejtë se të gjithë! Kështu ka shkuar deri më sot dhe kështu do të jetë gjithmonë! Vetëm i verbri s’e sheh!

Raskolnikovi, duke thënë këtë, ndonëse e shikonte Sonjën, nuk shqetësohej më: do ta kuptojë ajo apo jo. Ethet e kishin pushtuar krejt. Ishte në njëfarë ngazëllimi të zymtë. (Vërtet, kishte kohë tepër të gjatë që s’kishte folur me njeri!) Sonja e kuptoi se ky katekizëm i zymtë ishte bërë besimi e ligji i tij.

— E mora me mend atëherë, Sonja, — vazhdoi ai me ngazëllim, — se pushteti i jepet vetëm atij që guxon të përkulet e ta marrë. Këtu ka vetëm një gjë, vetëm një: mjafton të guxosh! Atëherë më lindi një mendim, për herë të parë në jetë, që s’e kishte sajuar askush e kurrë para meje! Askush! M’u përfytyrua befas qartë, si dielli, se si është e mundur që asnjë i vetëm deri tani s’ka guxuar e s’guxon, duke kaluar pranë gjithë këtij absurditeti, ta kapë thjesht e qartë gjithçka nga bishti e ta shkundë në djall! Unë… unë desha të guxoja dhe vrava… unë vetëm desha të guxoja, Sonja, ja gjithë shkaku!

— Oh, heshtni, heshtni! — thirri Sonja, duke përplasur duart. — Nga Zoti u larguat, dhe Zoti ju goditi, ju dorëzoi te djalli!..

— Meqë ra fjala, Sonja, kur rrija shtrirë në errësirë dhe më përfytyroheshin gjithnjë, mos ishte djalli që më ngatërronte? a?

— Heshtni! Mos qeshni, blasfemues, asgjë, asgjë s’kuptoni! O Zot! Asgjë, asgjë s’do të kuptojë ai!

— Hesht, Sonja, s’po qesh aspak, edhe unë vetë e di që djalli më tërhiqte. Hesht, Sonja, hesht! — përsëriti ai i zymtë e me ngulm. — I di të gjitha. Të gjitha këto i kam menduar e i kam pëshpëritur me vete, kur rrija shtrirë atëherë në errësirë… Të gjitha këto i kam diskutuar me veten, deri te tipari më i vogël i fundit, dhe i di të gjitha, të gjitha! Dhe sa më ishin mërzitur, sa më ishin mërzitur atëherë gjithë këto llafe! Doja t’i harroja të gjitha e të filloja përsëri, Sonja, e të pushoja së llafosuri! Dhe vallë mendon se shkova si budalla, kokëkrisur? Shkova si i zgjuar, e pikërisht kjo më shkatërroi! Dhe vallë mendon se s’e dija, për shembull, qoftë edhe këtë, që, nëse fillova ta pyes e ta marr në pyetje veten: a kam të drejtë të kem pushtet? — atëherë, pra, s’kam të drejtë të kem pushtet. Ose që, nëse e bëj pyetjen: a është njeriu morr? — atëherë, pra, njeriu s’është më morr për mua, por është morr për atë që kjo as s’i shkon ndër mend e që shkon drejt pa pyetje… Meqë u mundova kaq ditë: a do të shkonte Napoleoni apo jo? — atëherë e ndieja qartë që s’jam Napoleon… Gjithë, gjithë mundimin e gjithë këtyre llafeve e durova, Sonja, dhe desha ta shkundja të gjithin nga supet: desha, Sonja, të vrisja pa kazuistikë, të vrisja për veten, vetëm për veten! S’desha të gënjeja në këtë as veten! Jo për t’i ndihmuar nënës vrava — marrëzi! Jo për të vrava, që, duke marrë mjete e pushtet, të bëhesha bamirës i njerëzimit. Marrëzi! Unë thjesht vrava; për veten vrava, vetëm për veten: e pastaj a do të bëhesha bamirës i dikujt apo gjithë jetën, si merimangë, do t’i kapja të gjithë në rrjetë e do t’u thithja të gjithëve lëngjet e gjalla, mua, në atë minutë, duhej të më ishte njësoj!.. Dhe jo paratë, kryesorja, më duheshin, Sonja, kur vrava; jo aq paratë më duheshin, sa diçka tjetër… Të gjitha këto i di tani… Më kupto: ndoshta, duke shkuar në po atë rrugë, kurrë më s’do ta përsërisja vrasjen. Diçka tjetër më duhej të dija, diçka tjetër më shtynte për krahu: më duhej të dija atëherë, dhe ta dija sa më shpejt, a jam morr, si të gjithë, apo njeri? A do të mund ta kapërcej apo s’do të mund! A do të guxoj të përkulem e ta marr apo jo? A jam krijesë që dridhet apo kam të drejtë…

— Të vrisni? Të drejtë për të vrarë keni? — përplasi duart Sonja.

— E-eh, Sonja! — thirri ai i nervozuar, desh t’i kundërshtonte diçka, por heshti me përbuzje. — Mos më ndërprit, Sonja! Desha të të provoja vetëm një gjë: që djalli më tërhoqi atëherë, e pastaj më shpjegoi se s’kisha të drejtë të shkoja atje, sepse jam po aq morr sa të gjithë! U tall me mua, ja ku erdha te ti tani! Prite mysafirin! Sikur të mos isha morr, a do të vija te ti? Dëgjo: kur shkova atëherë te plaka, shkova vetëm të provoja… Dije këtë!

— Dhe vratë! Vratë!

— Po si vrava? Vallë kështu vritet? Vallë kështu shkohet për të vrarë, si shkova unë atëherë! Do të të tregoj ndonjëherë si shkova… Vallë plakushën vrava? Veten vrava, e jo plakushën! Këtu, përnjëherësh, e shtrova veten përdhe, përgjithmonë!.. Kurse plakushën e vrau djalli, e jo unë… Mjaft, mjaft, Sonja, mjaft! Më lër, — thirri ai befas me një pikëllim ngërçor, — më lër!

U mbështet me bërryla mbi gjunjë dhe, si në darë, e shtrëngoi kokën me pëllëmbë.

— Ç’vuajtje! — i shpërtheu një ulërimë e mundimshme Sonjës.

— Hë, ç’të bëjmë tani, thuaj! — pyeti ai, duke ngritur befas kokën e duke e vështruar me një fytyrë të shtrembëruar në mënyrë të shëmtuar nga dëshpërimi.

— Ç’të bëjmë! — thirri ajo, duke u hedhur befas nga vendi, dhe sytë e saj, deri atëherë plot lot, befas shkreptinë. — Ngrihu! (E kapi nga supi; ai u ngrit pak, duke e vështruar gati me habi.) Shko tani, në këtë minutë, ndalu në udhëkryq, përkulu, puthe së pari tokën që e ke ndotur, e pastaj përkulu para gjithë botës, nga të katër anët, dhe u thuaj të gjithëve, me zë: „Unë vrava!“ Atëherë Zoti do të të dërgojë përsëri jetë. Do të shkosh? Do të shkosh? — e pyeste ajo, duke u dridhur e tëra, si në krizë, duke e kapur nga të dyja duart, duke ia shtrënguar fort në duart e saj e duke e vështruar me një vështrim të zjarrtë.

Ai u habit dhe madje u trondit nga ngazëllimi i saj i papritur.

— Për katorgën e ke, apo, Sonja? Duhet të kallëzoj veten, apo? — pyeti ai i zymtë.

— Ta pranosh vuajtjen e ta shlyesh veten me të, ja ç’duhet.

— Jo! S’do të shkoj tek ata, Sonja.

— Po si do të rrosh, si do të rrosh? Me se do të rrosh? — thërriste Sonja. — Vallë kjo është e mundur tani? Hë, si do të flasësh me nënën? (Oh, me ato, me ato ç’do të bëhet tani!) Po ç’po them! Se ti e ke braktisur tashmë nënën e motrën. Ja, i ke braktisur tashmë, i ke braktisur. O Zot! — thirri ajo, — se ai i di vetë të gjitha këto tashmë! Hë, po si, si mund të rrosh pa njeri! Ç’do të bëhet me ty tani!

— Mos ji fëmijë, Sonja, — tha ai me zë të ulët. — Për çfarë jam fajtor para tyre? Pse të shkoj? Ç’t’u them? Të gjitha këto janë vetëm një fantazmë… Ata vetë i shfarosin njerëzit me miliona, e madje e quajnë edhe virtyt. Mashtrues e të poshtër janë ata, Sonja!.. S’do të shkoj. E ç’do të them: që vrava, po paratë s’guxova t’i merrja, i fsheha nën një gur? — shtoi ai me një buzëqeshje therëse. — Po ata vetë do të tallen me mua, do të thonë: budalla që s’i mori. Frikacak e budalla! Asgjë, asgjë s’do të kuptojnë ata, Sonja, dhe s’janë të denjë ta kuptojnë. Pse të shkoj? S’do të shkoj. Mos ji fëmijë, Sonja…

— Do të torturohesh, do të torturohesh, — përsëriste ajo, duke i zgjatur duart në një lutje të dëshpëruar.

— Ndoshta e kam shpifur ende veten, — vuri re ai i zymtë, sikur i menduar, — ndoshta jam ende njeri, e jo morr, dhe nxitova ta dënoj veten… Do të luftoj ende.

Një buzëqeshje mendjemadhe i shtrydhej në buzë.

— Ta mbash një mundim të tillë! Po gjithë jetën, gjithë jetën!..

— Do të mësohem… — tha ai i zymtë e i menduar. — Dëgjo, — filloi ai pas një minute, — mjaft qave, është koha për punën: erdha të të them se tani më kërkojnë, po më ndjekin…

— Ah! — thirri Sonja e trembur.

— Hë, pse thirre? Vetë dëshiron që të shkoj në katorgë, e tani u tremb? Vetëm ja ç’është: unë s’do t’u dorëzohem. Do të luftoj ende me ta, dhe s’do të bëjnë asgjë. S’kanë prova të vërteta. Dje isha në rrezik të madh dhe mendova se kisha humbur tashmë; kurse sot puna u ndreq. Të gjitha provat e tyre kanë dy anë, domethënë akuzat e tyre mund t’i kthej në dobinë time, e kupton? dhe do t’i kthej; sepse tani kam mësuar… Por në burg me siguri do të më fusin. Sikur të mos ishte një rast, ndoshta do të më fusnin edhe sot, me siguri, madje ndoshta do të më fusin ende sot… Vetëm se kjo s’është gjë, Sonja: do të rri pak, e do të më lëshojnë… sepse s’kanë asnjë provë të vërtetë dhe s’do të kenë, ta jap fjalën. E me atë që kanë s’mund ta mbyllësh njeriun. Hë, mjaft… Vetëm që ta dish… Me motrën e me nënën do të përpiqem ta bëj disi kështu, që t’ua heq bindjen e të mos i tremb… Motra tani, megjithatë, me sa duket, është e siguruar… pra, edhe nëna… Hë, ja kaq. Megjithatë, ji e kujdesshme. Do të vish të më shohësh në burg, kur të jem brenda?

— Oh, do të vij! Do të vij!

Të dy rrinin ulur pranë njëri-tjetrit, të trishtuar e të vrarë, sikur të ishin hedhur të vetëm pas një stuhie në një breg të shkretë. Ai e vështronte Sonjën dhe ndiente sa shumë dashuri të saj kishte mbi të, dhe, çudi, iu bë befas rëndë e i dhembi që e donin kështu. Po, kjo ishte një ndjesi e çuditshme e e tmerrshme! Duke shkuar te Sonja, ai ndiente se tek ajo ishte gjithë shpresa e tij e gjithë rrugëdalja; mendonte të linte të paktën një pjesë të mundimeve të tij, e befas, tani, kur gjithë zemra e saj u kthye nga ai, befas e ndjeu e e kuptoi se ishte bërë pa shembull më fatkeq se ç’kishte qenë më parë.

— Sonja, — tha ai, — më mirë mos eja te unë, kur të jem në burg.

Sonja s’u përgjigj, qante. Kaluan disa minuta.

— A ke kryq në qafë? — pyeti ajo befas e papritur, sikur iu kujtua befas.

Në fillim ai s’e kuptoi pyetjen.

— Jo, s’ke, apo jo? Ja, merre këtë, prej selvie. Mua më ka mbetur një tjetër, prej bakri, i Lizavetës. Unë me Lizavetën i ndërruam kryqet, ajo më dha kryqin e saj, kurse unë i dhashë ikonën time të vogël. Tani do të mbaj atë të Lizavetës, kurse këtë ty. Merre… se është imi! Se është imi! — i lutej ajo. — Se bashkë do të shkojmë të vuajmë, bashkë edhe kryqin do ta mbajmë!..

— Ma jep! — tha Raskolnikovi. S’donte ta hidhëronte. Por e tërhoqi menjëherë dorën e zgjatur për kryqin.

— Jo tani, Sonja. Më mirë më vonë, — shtoi ai, për ta qetësuar.

— Po, po, më mirë, më mirë, — e kapi fjalën ajo me rrëmbim, — kur të shkosh të vuash, atëherë do ta vësh. Do të vish te unë, do ta var në qafën tënde, do të falemi e do të shkojmë.

Në këtë çast dikush trokiti tri herë në derë.

— Sofja Semjonovna, a mund të hyj te ju? — u dëgjua një zë shumë i njohur e i sjellshëm.

Sonja u hodh e trembur drejt derës. Fytyra bionde e zotit Lebezjatnikov u duk në dhomë.

Shënime

  1. Katorga: punë të detyruara, zakonisht në Siberi, dënimi më i rëndë pas atij me vdekje për krimet e rënda. ↩︎

  2. Kalimi i Napoleonit përmes Alpeve, me ushtrinë, në pranverën e vitit 1800, para betejës së Marengos. ↩︎

  3. Raskolnikovi e shqipton fjalën „regjistruese“ (gruaja e një regjistruesi kolegjial, grada më e ulët civile) me një shtrembërim popullor. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Krim dhe ndëshkim

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours