Pjesa e gjashtë — V · Krim dhe ndëshkim
Chapter 36 of 41
Raskolnikovi shkoi pas tij.
— Ç’është kjo! — thirri Svidrigajlovi, duke u kthyer, — se unë, me sa duket, ju thashë…
— Kjo do të thotë që tani s’do t’ju ndahem.
— Ç’ka-a-a?
Të dy u ndalën, dhe të dy e vështruan një minutë njëri-tjetrin, sikur po mateshin.
— Nga të gjitha tregimet tuaja gjysmë të dehura, — ia preu prerë Raskolnikovi, — nxora përfundimin pozitivisht se ju jo vetëm që s’i keni lënë synimet tuaja më të ulëta ndaj motrës sime, por madje jeni më shumë se kurrë të zënë me to. E di që sot në mëngjes motra ime mori njëfarë letre. Ju gjatë gjithë kohës s’rrinit dot në vend… Ju, le të themi, mund të gjenit rrugës ndonjë grua; po kjo s’do të thotë asgjë. Dua të bindem personalisht…
Raskolnikovi vështirë se mund ta përcaktonte vetë se ç’donte pikërisht tani e për çfarë pikërisht donte të bindej personalisht.
— Ja si qenka! Po doni të thërras tani policinë?
— Thirre!
Përsëri qëndruan një minutë njëri përballë tjetrit. Më në fund fytyra e Svidrigajlovit ndryshoi. Pasi u bind se Raskolnikovi s’u tremb nga kërcënimi, mori befas pamjen më të gëzuar e miqësore.
— Ç’njeri! Unë me qëllim s’ju fola për punën tuaj, ndonëse, natyrisht, më mundon kureshtja. Punë fantastike. E kisha shtyrë për një herë tjetër, po, vërtet, ju jeni në gjendje të ngacmoni edhe të vdekurin… Hë, ejani, vetëm po ju them që më parë: tani vetëm për një minutë në shtëpi, të marr para; pastaj e mbyll banesën, marr një karrocë e për gjithë mbrëmjen në Ishuj. Hë, po ju pse të vini pas meje?
— Unë tani për tani në banesë, e edhe kjo jo te ju, po te Sofja Semjonovna, t’i kërkoj ndjesë që s’isha në varrim.
— Si të doni, po Sofja Semjonovna s’është në shtëpi. Ajo i ka çuar të gjithë fëmijët te një zonjë, te një zonjë e moshuar e fisme, një e njohur e imja e vjetër, e prej kohësh, drejtuese në ca jetimore. E magjepsa këtë zonjë, duke i dhënë para për të tre zogjtë e Katerina Ivanovnës, përveç kësaj, dhurova edhe para të tjera për institucionet; më në fund, i tregova historinë e Sofja Semjonovnës, madje me të gjitha honoret,1 pa fshehur asgjë. Bëri një efekt të papërshkrueshëm. Ja pse Sofja Semjonovnës iu caktua të paraqitej që sot, drejt e në hotelin —, ku ndodhet përkohësisht, nga vila, zonja ime.
— S’ka gjë, megjithatë do të kaloj.
— Si të doni, vetëm se unë s’jam shok juaji; po mua ç’më bën! Ja, tani jemi në shtëpi. Më thoni, jam i bindur, ju më shikoni me dyshim ngaqë unë vetë isha aq delikat sa deri tani s’ju shqetësova me pyetje… e kuptoni? Juve ju dukej kjo një punë e jashtëzakonshme; vë bast që kështu është! Hë, ja, jini delikat pas kësaj.
— Dhe përgjoni te dyert!
— A, për këtë e keni! — qeshi Svidrigajlovi, — po, do të habitesha sikur, pas gjithçkaje, ta lini këtë pa vërejtje. Ha-ha! Megjithëse kuptova diçka nga ato që ju atëherë… atje… bëtë marrëzira e ia treguat vetë Sofja Semjonovnës, po, megjithatë, ç’është kjo? Unë ndoshta jam njeri krejt i prapambetur e s’mund të kuptoj më asgjë. Shpjegojeni, për hir të Zotit, shpirt! Ndriçomëni me parimet më të reja.
— Ju s’mund të dëgjonit asgjë, gënjeni gjithçka!
— Po s’e kam për këtë, s’e kam për këtë (megjithëse, megjithatë, diçka dëgjova), jo, e kam për atë që ju gjithnjë ofshani e ofshani! Shileri te ju turbullohet çdo minutë. E tani ja, as te dyert mos përgjo. Po qe kështu, shkoni e deklarojani eprorëve se ja, gjoja, kështu e kështu, më ndodhi një rast i tillë: në teori doli një gabim i vogël. Kurse nëse jeni të bindur se te dyert s’mund të përgjosh, kurse plakushat mund t’i qërosh me çfarëdo, për qejfin tënd, atëherë ikni diku sa më shpejt në Amerikë! Ikni, i ri! Ndoshta ka ende kohë. Po flas sinqerisht. Mos s’keni para? Do t’ju jap për rrugë.
— Unë aspak s’mendoj për këtë, — desh ta ndërpriste me neveri Raskolnikovi.
— E kuptoj (megjithatë, mos u mundoni: po të doni, mos flisni shumë); e kuptoj ç’pyetje keni në qarkullim: morale, apo? pyetje të qytetarit e të njeriut? Po ju lërini mënjanë; ç’ju duhen tani? He-he! Sepse jeni ende edhe qytetar edhe njeri? Po qe kështu, atëherë s’duhej të ngatërroheshit; s’ke pse të merresh me punë që s’është e jotja. Hë, vritni veten; ç’ka, s’ju vjen?
— Ju, me sa duket, doni të më ngacmoni me qëllim, vetëm që t’ju lë tani…
— Ç’njeri i çuditshëm, po ja ku arritëm, urdhëroni në shkallë. Shihni, ja këtu është hyrja te Sofja Semjonovna, shikoni, s’ka njeri! S’besoni? Pyeteni Kapernaumovin; ajo ua lë atyre çelësin. Ja edhe vetë madame de Kapernaumov, a? Ç’ka? (ajo s’dëgjon mirë) iku? Ku? Hë, ja, e dëgjuat tani? S’është dhe s’do të jetë deri vonë, ndoshta, në mbrëmje. Hë, tani ejani te unë. Se donit të vinit edhe te unë? Hë, ja ku jemi te unë. Madame Resslih s’është në shtëpi. Kjo grua është gjithnjë në telashe, po grua e mirë, ju siguroj… ndoshta do t’ju hynte në punë, sikur të ishit pak më i arsyeshëm. Hë, ja, urdhëroni shihni: e marr nga byroja këtë biletë me pesë për qind (ja sa të tjera kam!), kurse kjo sot do të shkojë te sarrafi. Hë, e patë? S’kam më kohë për të humbur. Byroja mbyllet, banesa mbyllet, dhe jemi përsëri në shkallë. Hë, doni, të marrim një karrocë! Se unë po shkoj në Ishuj. A doni të bëni një shëtitje? Ja, po e marr këtë karrocë për në Jelagin, ç’ka? Refuzoni? S’e mbajtët dot? Të bëjmë një shëtitje, s’ka gjë. Më duket se po vjen shi, s’ka gjë, do ta ulim mbulesën…
Svidrigajlovi rrinte tashmë në karrocë. Raskolnikovi arsyetoi se dyshimet e tij, të paktën në këtë minutë, ishin të padrejta. Pa u përgjigjur asnjë fjalë, u kthye dhe shkoi mbrapsht në drejtim të Sennajës. Sikur të ishte kthyer qoftë edhe një herë rrugës, do të arrinte të shihte se si Svidrigajlovi, pasi shkoi jo më shumë se njëqind hapa, e pagoi karrocën dhe u gjend vetë në trotuar. Por ai s’mund të shihte më asgjë dhe kishte kthyer tashmë qoshen. Një neveri e thellë e tërhiqte larg Svidrigajlovit. „Dhe unë mund të prisja qoftë edhe për një çast diçka nga ky keqbërës i vrazhdë, nga ky i shthurur epshor e i poshtër!“ — thirri ai pa dashje. E vërtetë, Raskolnikovi e shqiptoi gjykimin e tij tepër me nxitim e me mendjelehtësi. Kishte diçka në gjithë mjedisin e Svidrigajlovit që, të paktën, i jepte atij njëfarë origjinaliteti, në mos misteri. Sa i përket në gjithë këtë motrës, Raskolnikovi mbetej prapëseprapë plotësisht i bindur se Svidrigajlovi s’do ta linte të qetë. Por bëhej tepër e rëndë e e padurueshme të mendoje e të rimendoje për të gjitha këto!
Sipas zakonit të tij, kur mbeti vetëm, pas njëzet hapash ra në mendime të thella. Kur u ngjit në urë, u ndal te parmaku dhe filloi të shikonte ujin. E ndërkaq mbi të qëndronte Avdotja Romanovna.
E kishte takuar në hyrje të urës, por kishte kaluar pranë saj pa e dalluar. Duneçka kurrë s’e kishte takuar kështu në rrugë dhe u trondit deri në frikë. U ndal dhe s’dinte: ta thërriste apo jo? Befas vuri re Svidrigajlovin që po afrohej me nxitim nga ana e Sennajës.
Por ai, me sa dukej, po afrohej misteriozisht e me kujdes. S’u ngjit në urë, po u ndal anash, në trotuar, duke u përpjekur me të gjitha forcat që Raskolnikovi të mos e shihte. Dunjën e kishte vënë re prej kohësh dhe filloi t’i bënte shenja. Asaj iu duk se me shenjat e tij i lutej të mos e thërriste vëllanë e ta linte të qetë, kurse atë e thërriste tek ai.
Kështu bëri Dunja. E anashkaloi ngadalë të vëllanë dhe iu afrua Svidrigajlovit.
— Ejani sa më shpejt, — i pëshpëriti Svidrigajlovi. — S’dëshiroj që Rodion Romaniçi ta dijë për takimin tonë. Ju paralajmëroj se kam ndenjur me të këtu afër, në një tavernë, ku më gjeti vetë, dhe mezi u shkëputa prej tij. Ai, s’dihet pse, e di për letrën time drejtuar juve dhe dyshon diçka. Natyrisht, s’ia keni zbuluar ju? E po s’ia keni zbuluar ju, atëherë kush?
— Ja, e kthyem tashmë qoshen, — e ndërpreu Dunja, — tani vëllai s’na sheh. Ju deklaroj se s’do të vij më tej me ju. Më thoni gjithçka këtu; të gjitha këto mund të thuhen edhe në rrugë.
— Së pari, kjo në asnjë mënyrë s’mund të thuhet në rrugë; së dyti, ju duhet ta dëgjoni edhe Sofja Semjonovnën; së treti, do t’ju tregoj disa dokumente… Hë, po, më në fund, po s’pranuat të hyni te unë, atëherë heq dorë nga çdo shpjegim dhe iki menjëherë. Në të njëjtën kohë do t’ju lutem të mos harroni se e fshehta shumë interesante e vëllait tuaj të dashur ndodhet plotësisht në duart e mia.
Dunja u ndal në mëdyshje dhe e vështroi Svidrigajlovin me një vështrim depërtues.
— Nga se keni frikë! — vuri re ky i qetë, — qyteti s’është fshat. Edhe në fshat më shumë dëm më bëtë ju mua sesa unë juve, kurse këtu…
— A është paralajmëruar Sofja Semjonovna?
— Jo, s’i kam thënë asnjë fjalë dhe madje s’jam krejt i sigurt nëse është tani në shtëpi. Megjithatë, me siguri është në shtëpi. Ajo sot varrosi të afërmen e saj: s’është ditë për të shkuar për vizita. Deri në një kohë s’dua t’ia them askujt këtë e madje pendohem pjesërisht që jua tregova juve. Këtu pakujdesia më e vogël barazohet tashmë me një kallëzim. Unë banoj ja këtu, ja në këtë shtëpi, ja po afrohemi. Ja, ky është portieri i shtëpisë sonë; portieri më njeh shumë mirë; ja po përkulet; ai sheh që po vij me një zonjë dhe, natyrisht, ka arritur ta vërejë fytyrën tuaj, e kjo do t’ju hyjë në punë, nëse keni shumë frikë e më dyshoni. Më falni që po flas kaq vrazhdë. Unë vetë banoj te ca qiradhënës. Sofja Semjonovna banon me mua mur më mur, gjithashtu te ca qiradhënës. Gjithë kati është me qiramarrës. Nga se keni frikë, si fëmijë? Apo jam kaq i tmerrshëm?
Fytyra e Svidrigajlovit u shtrembërua në një buzëqeshje mëshiruese; por atij s’i kishte mbetur më buzëqeshje. Zemra i trokiste, dhe frymëmarrja i zihej në kraharor. Fliste me qëllim më me zë, për ta fshehur trazimin që i rritej; por Dunja s’arriti ta vinte re këtë trazim të veçantë; e kishte nervozuar tepër vërejtja se kishte frikë prej tij si fëmijë dhe se ai ishte kaq i tmerrshëm për të.
— Ndonëse e di që jeni njeri… pa nder, s’kam aspak frikë nga ju. Shkoni përpara, — tha ajo, në dukje e qetë, por fytyra i ishte shumë e zbehtë.
Svidrigajlovi u ndal te banesa e Sonjës.
— Më lejoni të pyes, a është në shtëpi. S’është. Fatkeqësi! Por e di që ajo mund të vijë shumë shpejt. Nëse ka dalë, s’ka shkuar gjëkundi tjetër veçse te një zonjë, për jetimët e saj. Atyre u vdiq nëna. Edhe unë u përzieva këtu e dhashë urdhra. Nëse Sofja Semjonovna s’kthehet pas dhjetë minutash, atëherë do t’jua dërgoj vetë juve, po të doni, që sot; hë, ja dhe nomeri im. Ja dy dhomat e mia. Pas derës banon e zonja ime e shtëpisë, zonja Resslih. Tani vështroni këtu, do t’ju tregoj dokumentet e mia kryesore: nga dhoma ime e gjumit kjo derë të çon në dy dhoma krejt bosh, që jepen me qira. Ja ku janë… këtë duhet ta shikoni pak më me vëmendje…
Svidrigajlovi zinte dy dhoma të mobiluara, mjaft të gjera. Duneçka shikonte përreth me mosbesim, por s’vuri re asgjë të veçantë as në mobilim, as në vendosjen e dhomave, megjithëse mund të vihej re diçka, për shembull, që banesa e Svidrigajlovit binte disi midis dy banesave gati të pabanuara. Hyrja tek ai s’ishte drejt e nga korridori, por përmes dy dhomave të së zonjës së shtëpisë, gati bosh. Kurse nga dhoma e gjumit Svidrigajlovi, duke hapur një derë të mbyllur me çelës, i tregoi Duneçkës një banesë gjithashtu bosh, që jepej me qira. Duneçka u ndal në prag, duke mos kuptuar pse e ftonin ta shikonte, por Svidrigajlovi nxitoi të shpjegonte:
— Ja, shikoni këtu, në këtë dhomë të dytë të madhe. Vëreni këtë derë, është e mbyllur me çelës. Pranë derës është një karrige, vetëm një karrige në të dy dhomat. Këtë e solla nga banesa ime, që të dëgjoja më rehat. Ja atje, menjëherë pas derës, është tryeza e Sofja Semjonovnës; atje rrinte ajo dhe bisedonte me Rodion Romaniçin. Kurse unë këtu përgjoja, duke ndenjur në karrige, dy mbrëmje me radhë, të dyja herët nga dy orë, — dhe, natyrisht, mund të merrja vesh diçka, si mendoni?
— Ju përgjonit?
— Po, përgjoja; tani ejani te unë; këtu s’ke as ku të ulesh.
E çoi Avdotja Romanovnën mbrapsht në dhomën e tij të parë, që i shërbente si sallon, dhe e ftoi të ulej në një karrige. Vetë u ul në skajin tjetër të tryezës, të paktën një sazhen2 larg saj, por, me siguri, në sytë e tij shkëlqente tashmë po ai zjarr që e kishte trembur dikur aq shumë Duneçkën. Ajo u drodh dhe edhe një herë shikoi përreth me mosbesim. Gjesti i saj ishte i pavullnetshëm; asaj, dukshëm, s’i vinte ta tregonte mosbesimin. Por pozita e vetmuar e banesës së Svidrigajlovit më në fund e tronditi. Donte të pyeste, të paktën, nëse e zonja e shtëpisë ishte në shtëpi, por s’pyeti… nga krenaria. Përveç kësaj, në zemrën e saj kishte edhe një vuajtje tjetër, pa masë më e madhe se frika për veten. Ajo mundohej në mënyrë të padurueshme.
— Ja letra juaj, — filloi ajo, duke e vënë mbi tryezë. — Mos vallë është e mundur ajo që shkruani? Ju bëni aluzion për një krim gjoja të kryer nga vëllai. Ju bëni aluzion tepër qartë, tani s’guxoni të shmangeni. Dijeni, pra, se unë e kam dëgjuar këtë përrallë budallaqe edhe para jush dhe s’i besoj asnjë fjale. Ky është një dyshim i ndyrë e qesharak. Unë e di historinë dhe si e pse u sajua. Ju s’mund të keni asnjë provë. Ju premtuat ta provoni: flisni, pra! Po dijeni që më parë se s’ju besoj! S’ju besoj!..
Duneçka e tha këtë shpejt e shpejt, duke nxituar, dhe për një çast iu skuq fytyra.
— Sikur të mos besonit, a mund të ndodhte që të rrezikonit të vinit vetëm te unë? Pse erdhët atëherë? Vetëm nga kureshtja?
— Mos më mundoni, flisni, flisni!
— S’ka ç’të thuhet që jeni vajzë trime. Për Zotin, mendoja se do t’i kërkonit zotit Razumihin t’ju shoqëronte këtu. Por ai s’ishte as me ju, as rreth jush, shikova megjithatë: kjo është trimëri, donit, pra, ta kursenit Rodion Romaniçin. Megjithatë, te ju gjithçka është hyjnore… Sa i përket vëllait tuaj, ç’t’ju them? Tani e patë vetë. Si është?
— Mos vallë vetëm mbi këtë mbështeteni?
— Jo, jo mbi këtë, po mbi fjalët e tij vetjake. Ja këtu dy mbrëmje me radhë erdhi te Sofja Semjonovna. Jua tregova ku rrinin. Ai i bëri asaj rrëfimin e tij të plotë. Ai është vrasës. Ai vrau plakën nëpunëse, fajdexhoren, te e cila linte peng edhe ai vetë sende; vrau edhe motrën e saj, tregtaren, me emrin Lizaveta, që hyri rastësisht gjatë vrasjes së motrës. I vrau të dyja me sëpatë, që e kishte sjellë me vete. I vrau për t’i grabitur, dhe i grabiti; mori para e ca sende… Ai vetë ia tregoi të gjitha këto fjalë për fjalë Sofja Semjonovnës, e cila e di vetëm ajo të fshehtën, por në vrasje s’ka marrë pjesë as me fjalë, as me vepër, e, përkundrazi, u tmerrua po aq sa edhe ju tani. Jini të qetë, ajo s’do ta tradhtojë.
— Kjo s’mund të jetë! — mërmëriste Duneçka me buzë të zbehta, të vdekura; i merrej fryma, — s’mund të jetë, s’ka asnjë, as shkakun më të vogël, asnjë arsye… Kjo është gënjeshtër! Gënjeshtër!
— Ai grabiti, ja gjithë shkaku. Mori para e sende. E vërtetë, sipas rrëfimit të tij vetjak, s’i përdori as paratë, as sendet, po i çoi diku nën një gur, ku ndodhen edhe tani. Po kjo sepse s’guxoi t’i përdorte.
— Po mos vallë është e besueshme që ai të mund të vidhte, të grabiste? Që të mund qoftë edhe ta mendonte këtë? — thirri Dunja dhe u hodh nga karrigia. — Se ju e njihni, e keni parë? Mos vallë mund të jetë vjedhës?
Ajo sikur po i lutej Svidrigajlovit; e kishte harruar gjithë frikën e saj.
— Këtu, Avdotja Romanovna, ka mijëra e miliona kombinime e renditje. Vjedhësi vjedh, por e di me vete që është i poshtër; kurse unë kam dëgjuar për një njeri fisnik që grabiti postën; e kush e di, ndoshta ai vërtet mendonte se kishte bërë një punë të ndershme! Natyrisht, as unë vetë s’do ta besoja, njësoj si ju, sikur të ma kishin treguar nga jashtë. Por veshëve të mi u besova. Ai i shpjegoi Sofja Semjonovnës edhe të gjitha shkaqet; por ajo në fillim s’u besoi as veshëve, po më në fund u besoi syve, syve të saj. Se ai vetë ia tregoi personalisht.
— Po ç’janë… shkaqet!
— Punë e gjatë, Avdotja Romanovna. Këtu, si t’jua shpreh, ka një teori të llojit të vet, po ajo punë sipas së cilës unë gjej, për shembull, se një krim i vetëm lejohet, nëse qëllimi kryesor është i mirë. Një e keqe e vetme dhe njëqind vepra të mira! Natyrisht, është edhe fyese për një djalë të ri me cilësi e me sedër të pamasë ta dijë se do të mjaftonin, për shembull, vetëm nja tre mijë, dhe gjithë karriera, gjithë e ardhmja në qëllimin e tij jetësor do të formohej ndryshe, e megjithatë s’i ka këto tre mijë. Shtojini kësaj acarimin nga uria, nga banesa e ngushtë, nga leckat, nga vetëdija e qartë për bukurinë e pozitës së tij shoqërore, e njëkohësisht për pozitën e motrës e të nënës. Më shumë se gjithçka kotësia, krenaria e kotësia, po, megjithatë, Zoti e di, ndoshta edhe me prirje të mira… Unë s’e fajësoj, mos mendoni, ju lutem; e pastaj s’është puna ime. Këtu kishte gjithashtu një teori të vogël të tijën, — ashtu, një teori, — sipas së cilës njerëzit ndahen, e shihni, në material dhe në njerëz të veçantë, domethënë në njerëz të tillë për të cilët, për shkak të pozitës së tyre të lartë, ligji s’është shkruar, po, përkundrazi, që u hartojnë vetë ligje njerëzve të tjerë, materialit, plehrave. S’ka gjë, ashtu, një teori e vogël; une théorie comme une autre.3 Napoleoni e rrëmbeu tmerrësisht, domethënë, në të vërtetë, e rrëmbeu fakti që shumë njerëz gjenialë s’e shikonin të keqen e vetme, po e kapërcenin pa u menduar. Ai, me sa duket, përfytyroi se edhe ai është njeri gjenial, — domethënë ishte i bindur për këtë për ca kohë. Ai vuajti shumë dhe vuan edhe tani nga mendimi se teorinë diti ta hartonte, kurse ta kapërcente pa u menduar s’është në gjendje, pra s’është njeri gjenial. Hë, kjo për një djalë të ri me sedër është poshtëruese, sidomos në shekullin tonë…
— Po brejtja e ndërgjegjes? Ju mohoni pra tek ai çdo ndjenjë morale? Po mos vallë është i tillë?
— Ah, Avdotja Romanovna, tani gjithçka është turbulluar, domethënë, megjithatë, kurrë s’ka qenë në ndonjë rregull të veçantë. Rusët në përgjithësi janë njerëz të gjerë, Avdotja Romanovna, të gjerë si toka e tyre, dhe jashtëzakonisht të prirur për të fantastikën, për të çrregullën; po hata është të jesh i gjerë pa ndonjë gjenialitet të veçantë. E mbani mend sa shumë kemi folur bashkë të dy për këtë e në këtë temë, duke ndenjur në mbrëmje në tarracën e kopshtit, çdo herë pas darkës? Ju më qortonit pikërisht për këtë gjerësi. Kush e di, ndoshta flisnim në po atë kohë kur ai dergjej këtu e mendonte të tijën. Te ne, në shoqërinë e shkolluar, s’ka ndonjë traditë veçanërisht të shenjtë, Avdotja Romanovna: veç ndonjëri ta sajojë disi për veten nga librat… ose të nxjerrë diçka nga kronikat. Por këta janë më shumë dijetarë dhe, e dini, në llojin e tyre të gjithë kapuçë nate, kështu që madje është e pahijshme për një njeri të shoqërisë. Megjithatë, mendimet e mia në përgjithësi i dini; unë s’fajësoj absolutisht askënd. Unë vetë jam dorëbardhë dhe mbahem pas kësaj. Po për këtë kemi folur jo një herë. Madje pata lumturinë t’ju interesoja me gjykimet e mia… Ju jeni shumë e zbehtë, Avdotja Romanovna!
— Unë e di këtë teori të tij. E lexova artikullin e tij në revistë për njerëzit të cilëve u lejohet gjithçka… Ma solli Razumihini…
— Zoti Razumihin? Artikullin e vëllait tuaj? Në revistë? Ka një artikull të tillë? S’e dija. Ja, duhet të jetë interesant! Po ku po shkoni, Avdotja Romanovna?
— Dua ta shoh Sofja Semjonovnën, — tha me zë të dobët Duneçka. — Nga shkohet te ajo? Ndoshta ka ardhur; dua patjetër ta shoh tani. Le të…
Avdotja Romanovna s’mundi ta mbaronte; frymëmarrja iu ndërpre fjalë për fjalë.
— Sofja Semjonovna s’do të kthehet deri në natë. Kështu mendoj. Ajo duhej të vinte shumë shpejt, por po s’erdhi, atëherë shumë vonë…
— A, pra ti gënjen! E shoh… ti gënjeve… ti gënjeve gjithçka!.. S’të besoj! S’të besoj! S’të besoj! — bërtiste Duneçka në një ekstazë të vërtetë, duke e humbur krejt kokën.
Gati pa ndjenja ra në karrigen që Svidrigajlovi nxitoi t’ia vinte.
— Avdotja Romanovna, ç’keni, ejani në vete! Ja ujë. Pini një gllënjkë…
E spërkati me ujë. Duneçka u drodh dhe erdhi në vete.
— Ndikoi fort! — mërmëriste me vete Svidrigajlovi, i vrenjtur. — Avdotja Romanovna, qetësohuni! Dijeni që ai ka miq. Do ta shpëtojmë, do ta nxjerrim. Doni ta çoj jashtë shtetit? Kam para; për tri ditë siguroj biletën. E sa për atë që vrau, ai do të bëjë ende shumë vepra të mira, kështu që e gjitha kjo do të shlyhet; qetësohuni. Mund të bëhet ende njeri i madh. Hë, ç’keni? Si ndiheni?
— Njeri i lig! Edhe tallet. Më lini…
— Ku po shkoni? Po ku po shkoni?
— Tek ai. Ku është? E dini? Pse është e mbyllur kjo derë? Ne hymë këtu nga kjo derë, kurse tani është e mbyllur me çelës. Kur arritët ta mbyllnit me çelës?
— S’mund të bërtisnim nëpër të gjitha dhomat për ato që folëm këtu. Unë aspak s’po tallem; vetëm më është mërzitur të flas me këtë gjuhë. Hë, ku do të shkoni kështu? Apo doni ta tradhtoni? Do ta çoni në tërbim, dhe ai do ta tradhtojë veten vetë. Dijeni që tashmë e ndjekin, i kanë rënë tashmë në gjurmë. Ju vetëm do ta tradhtoni. Prisni: e pashë dhe fola me të tani; ai mund të shpëtohet ende. Prisni, uluni, ta mendojmë bashkë. Pikërisht për këtë ju thirra, që të flisnim për këtë vetëm për vetëm e ta mendonim mirë. Po uluni, pra!
— Në ç’mënyrë mund ta shpëtoni? Mos vallë mund të shpëtohet?
Dunja u ul. Svidrigajlovi u ul pranë saj.
— E gjitha kjo varet nga ju, nga ju, vetëm nga ju, — filloi ai me sy që i shkreptinin, gati me pëshpëritje, duke u ngatërruar e madje duke mos i shqiptuar disa fjalë nga trazimi.
Dunja u zmbraps e trembur më larg prej tij. Edhe ai dridhej i tëri.
— Ju… një fjalë juaja, dhe ai është i shpëtuar! Unë… unë do ta shpëtoj. Kam para e miq. Do ta nis menjëherë, kurse vetë do të marr pasaportë, dy pasaporta. Njërën të tijën, tjetrën timen. Kam miq; kam njerëz të punëve… Doni? Do të marr edhe për ju pasaportë… për nënën tuaj… ç’ju duhet Razumihini? Edhe unë ju dua… Ju dua pafundësisht. Më lini t’ju puth cepin e fustanit, më lini! më lini! S’mund ta dëgjoj si fëshfërin. Më thoni: bëj këtë, dhe do ta bëj! Do të bëj gjithçka. Do të bëj të pamundurën. Atë që besoni ju, do ta besoj edhe unë. Do të bëj gjithçka, gjithçka! Mos më shikoni, mos më shikoni kështu! A e dini që po më vrisni…
Ai filloi madje të fliste përçart. Diçka i ndodhi befas, sikur t’i kishte rënë befas në kokë. Dunja u hodh dhe u sul drejt derës.
— Hapni! hapni! — bërtiste ajo përmes derës, duke thirrur dikë e duke e tundur derën me duar. — Hapni, pra! Mos vallë s’ka njeri?
Svidrigajlovi u ngrit dhe erdhi në vete. Një buzëqeshje e ligë e tallëse i shtrydhej ngadalë në buzët që i dridheshin ende.
— Atje s’ka njeri në shtëpi, — tha ai ngadalë e duke i ndarë fjalët, — e zonja e shtëpisë ka dalë, dhe është mundim i kotë të bërtisni kështu: vetëm e trazoni veten më kot.
— Ku është çelësi? Hape tani derën, tani, njeri i ulët!
— Çelësin e humba dhe s’mund ta gjej.
— A! Pra kjo është dhunë! — thirri Dunja, u zbeh si vdekja dhe u hodh në qoshe, ku u mbulua sa më shpejt pas një tryeze të vogël që i ndodhi pranë. S’bërtiste; por e nguli vështrimin mbi torturuesin e saj dhe ndiqte me vëmendje çdo lëvizje të tij. Edhe Svidrigajlovi s’lëvizte nga vendi dhe qëndronte përballë saj në skajin tjetër të dhomës. Madje e kishte zotëruar veten, të paktën nga jashtë. Por fytyra i ishte e zbehtë si më parë. Buzëqeshja tallëse s’i largohej.
— Ju thatë tani „dhunë“, Avdotja Romanovna. Nëse është dhunë, atëherë mund ta gjykoni vetë që kam marrë masa. Sofja Semjonovna s’është në shtëpi; deri te Kapernaumovët është shumë larg, pesë dhoma të mbyllura. Më në fund, unë jam të paktën dy herë më i fortë se ju, dhe, përveç kësaj, s’kam nga se të kem frikë, sepse ju edhe pastaj s’mund të ankoheni: se s’do të doni vërtet ta tradhtoni vëllanë tuaj? E pastaj askush s’do t’ju besojë: hë, pse të shkojë një vajzë vetëm në banesën e një njeriu të vetmuar? Kështu që, edhe sikur ta flijoni vëllanë, edhe atëherë s’do të provoni asgjë: dhuna provohet shumë vështirë, Avdotja Romanovna.
— I poshtër! — pëshpëriti Dunja e indinjuar.
— Si të doni, po vini re, unë fola vetëm në formë supozimi. Kurse sipas bindjes sime personale, ju keni krejtësisht të drejtë: dhuna — është ndyrësi. Fola vetëm për të thënë që në ndërgjegjen tuaj s’do të mbetej absolutisht asgjë, edhe sikur… edhe sikur të donit ta shpëtonit vëllanë tuaj vullnetarisht, kështu siç ju propozoj unë. Ju thjesht, pra, iu nënshtruat rrethanave, hë, forcës, më në fund, nëse s’mund të bëhet pa këtë fjalë. Mendojeni këtë; fati i vëllait tuaj e i nënës suaj është në duart tuaja. Kurse unë do të jem skllavi juaj… gjithë jetën… ja këtu do të pres…
Svidrigajlovi u ul në divan, nja tetë hapa larg Dunjës. Për të s’kishte më as dyshimin më të vogël për vendosmërinë e tij të palëkundur. Përveç kësaj, ajo e njihte…
Befas ajo nxori nga xhepi një revolver, ngriti këmbëzën dhe e uli dorën me revolverin mbi tryezë. Svidrigajlovi u hodh nga vendi.
— Aha! Pra kështu qenka! — thirri ai i habitur, por duke buzëqeshur me ligësi, — hë, kjo e ndryshon krejt rrjedhën e punës! Ju ma lehtësoni jashtëzakonisht punën vetë, Avdotja Romanovna! Po ku e gjetët revolverin? Mos zoti Razumihin? Ba! Po revolveri është imi! I njohur i vjetër! E unë si e kërkoja atëherë!.. Mësimet tona të qitjes në fshat, që pata nderin t’jua jepja, s’shkuan kot.
— S’është revolveri yt, po i Marfa Petrovnës, që e vrave, keqbërës! Ti s’kishe asgjë tënden në shtëpinë e saj. E mora kur fillova të dyshoja për çfarë je i aftë. Guxo të bësh qoftë edhe një hap, dhe të betohem, do të të vras!
Dunja ishte në ekstazë. Revolverin e mbante gati.
— Hë, po vëllai? Nga kureshtja po pyes, — pyeti Svidrigajlovi, duke qëndruar ende në vend.
— Kallëzoje, po të duash! Mos lëviz! Mos u afro! Do të qëlloj! Ti e helmove gruan, e di, ti vetë je vrasës!..
— Po ju jeni të sigurt se unë e helmova Marfa Petrovnën?
— Ti! Ti vetë më bëre aluzion; më fole për helmin… e di, ti shkove ta merrje… e kishe gati… Patjetër je ti… i poshtër!
— Edhe sikur të ishte e vërtetë kjo, atëherë për ty… prapëseprapë ti do të ishe shkaku.
— Gënjen! Të kam urryer gjithmonë, gjithmonë…
— Ehe, Avdotja Romanovna! Me sa duket e keni harruar si në zjarrin e propagandës po përkuleshit tashmë e po shkriheshit… E pashë nga sytë; e mbani mend, në mbrëmje, nën hënë, kur këndonte edhe bilbili?
— Gënjen! (tërbimi i shkrepi në sy Dunjës) gënjen, shpifës!
— Gënjej? Hë, ndoshta gënjej. Gënjeva. Grave s’u duhen kujtuar këto gjëra të vogla. (Ai buzëqeshi.) E di që do të qëllosh, kafshëz e bukur. Hë, qëllo pra!
Dunja ngriti revolverin dhe, e zbehtë si e vdekur, me buzën e poshtme të zbardhur e që i dridhej, me sytë e mëdhenj të zinj që i shkreptinin si zjarr, e shikonte, e vendosur, duke e matur e duke pritur lëvizjen e parë nga ana e tij. Kurrë s’e kishte parë ai aq të bukur. Zjarri që shkrepi nga sytë e saj në atë minutë kur ngrinte revolverin sikur e dogji, dhe zemra iu shtrëngua me dhimbje. Ai bëri një hap, dhe kumboi e shtëna. Plumbi i rrëshqiti nëpër flokë dhe goditi pas, në mur. Ai u ndal dhe qeshi ngadalë:
— Më pickoi grenza! Drejt në kokë po synon… Ç’është kjo? Gjak! — Nxori shaminë për të fshirë gjakun që i rridhte si një rrjedhë e hollë në tëmthin e djathtë; me siguri, plumbi ia kishte prekur fare pak lëkurën e kafkës. Dunja e uli revolverin dhe e shikonte Svidrigajlovin jo se me frikë, po me njëfarë hutimi të egër. Ishte sikur as vetë s’e kuptonte më ç’kishte bërë e ç’po ndodhte!
— Hë, ç’ka, e gabove! Qëlloni edhe një herë, po pres, — tha ngadalë Svidrigajlovi, duke buzëqeshur ende, por disi i zymtë, — kështu do të arrij t’ju kap, para se ta ngrini këmbëzën!
Duneçka u drodh, e ngriti shpejt këmbëzën dhe e ngriti përsëri revolverin.
— Më lini! — tha ajo e dëshpëruar, — të betohem, do të qëlloj përsëri… Do… të vras!..
— Hë, ç’ka… në tre hapa s’mund të mos vrasësh. Hë, po po s’vratë… atëherë… — Sytë i shkreptinë, dhe bëri edhe dy hapa.
Duneçka qëlloi, kapsolla s’mori!
— E keni mbushur pa kujdes. S’ka gjë! Keni aty edhe një kapsollë. Ndreqeni, do të pres.
Ai qëndronte para saj dy hapa larg, priste e e vështronte me një vendosmëri të egër, me një vështrim të rëndë, të ndezur nga pasioni. Dunja e kuptoi se ai do të vdiste më shpejt sesa do ta lëshonte. „Dhe… dhe, natyrisht, ajo do ta vrasë tani, nga dy hapa!..“
Befas ajo e hodhi revolverin.
— E hodhi! — tha i habitur Svidrigajlovi dhe mori frymë thellë. Diçka sikur iu largua përnjëherësh nga zemra, dhe, ndoshta, jo vetëm barra e frikës së vdekjes; vështirë se e ndiente atë në këtë minutë. Ishte çlirimi nga një ndjenjë tjetër, më e pikëlluar e më e zymtë, të cilën as vetë s’do ta përcaktonte dot me gjithë forcën e saj.
Ai iu afrua Dunjës dhe e përqafoi ngadalë me dorë nga beli. Ajo s’rezistoi, por, duke u dridhur e tëra si gjethe, e vështronte me sy lutës. Ai desh të thoshte diçka, por vetëm buzët iu shtrembëruan, e s’mundi të fliste.
— Më lër të iki! — tha Dunja duke iu lutur. Svidrigajlovi u drodh: ky ti ishte shqiptuar disi ndryshe nga më parë.
— Pra s’më do? — pyeti ai ngadalë.
Dunja tundi kokën mohueshëm.
— Dhe… s’mund të më duash?.. Kurrë? — pëshpëriti ai i dëshpëruar.
— Kurrë! — pëshpëriti Dunja.
Kaloi një çast lufte të tmerrshme, të heshtur, në shpirtin e Svidrigajlovit. E vështronte me një vështrim të papërshkrueshëm. Befas e tërhoqi dorën, u kthye mënjanë, u largua shpejt te dritarja dhe qëndroi para saj.
Kaloi edhe një çast.
— Ja çelësi! (E nxori nga xhepi i majtë i palltos dhe e vuri pas vetes mbi tryezë, pa e vështruar e pa u kthyer nga Dunja.) Merreni; ikni shpejt!..
Ai shikonte me ngulm nga dritarja.
Dunja iu afrua tryezës të merrte çelësin.
— Shpejt! Shpejt! — përsëriti Svidrigajlovi, ende pa lëvizur e pa u kthyer. Por në këtë „shpejt“, me sa dukej, tingëlloi njëfarë note e tmerrshme.
Dunja e kuptoi, rrëmbeu çelësin, u hodh drejt derës, e hapi shpejt dhe u shkëput nga dhoma. Pas një minute, si e çmendur, pa e ditur ç’bënte, doli me vrap buzë kanalit dhe vrapoi në drejtim të urës —.
Svidrigajlovi qëndroi edhe nja tri minuta te dritarja; më në fund u kthye ngadalë, hodhi sytë përreth dhe kaloi ngadalë pëllëmbën nëpër ballë. Një buzëqeshje e çuditshme ia shtrembëroi fytyrën, një buzëqeshje e mjerë, e trishtuar, e dobët, buzëqeshje dëshpërimi. Gjaku, që po thahej tashmë, ia kishte ndotur pëllëmbën; e vështroi gjakun me inat; pastaj lagu peshqirin dhe lau tëmthin. Revolveri, i hedhur nga Dunja e që kishte fluturuar deri te dera, i ra befas në sy. E mori dhe e shqyrtoi. Ishte një revolver i vogël xhepi, me tri të shtëna, i modelit të vjetër; në të kishin mbetur edhe dy fishekë e një kapsollë. Një herë mund të qëllohej. Ai u mendua, e futi revolverin në xhep, mori kapelën dhe doli.
Shënime
Found a mistake in this chapter? Report a mistake