Pjesa e gjashtë — VII · Krim dhe ndëshkim
Chapter 38 of 41
Po atë ditë, por tashmë në mbrëmje, nja në orën shtatë, Raskolnikovi po i afrohej banesës së nënës e të motrës së tij — pikërisht asaj banese në shtëpinë e Bakalejevit, ku i kishte vendosur Razumihini. Hyrja për te shkallët ishte nga rruga. Raskolnikovi po afrohej, duke e mbajtur ende hapin e sikur duke u lëkundur: të hynte apo jo? Por për asgjë në botë s’do të kthehej; vendimi i tij ishte marrë. „E pastaj njësoj është, ato ende s’dinë asgjë, — mendonte ai, — kurse mua janë mësuar tashmë të më quajnë njeri të çuditshëm…“ Veshja e tij ishte e tmerrshme: gjithçka e ndyrë, e ndenjur gjithë natën në shi, e grisur, e rreckosur. Fytyra i ishte gati e shëmtuar nga lodhja, nga koha e keqe, nga rraskapitja fizike e nga lufta gati njëditore me veten. Gjithë këtë natë e kishte kaluar vetëm, Zoti e di ku. Por, të paktën, kishte vendosur.
Trokiti në derë; ia hapi nëna. Duneçka s’ishte në shtëpi. Madje as shërbëtorja s’u ndodh në atë kohë. Pulherija Aleksandrovna në fillim mbeti pa gojë nga habia e gëzuar; pastaj e kapi për dore dhe e tërhoqi në dhomë.
— Hë, ja ku je! — filloi ajo, duke u penguar nga gëzimi. — Mos u zemëro me mua, Rodja, që të pres kaq budallaqe, me lot: kjo po qesh unë, e jo po qaj. Ti mendon se po qaj? Jo, kjo po gëzohem unë, e kam një zakon të tillë budalla: më rrjedhin lotët. Kjo më ka mbetur që nga vdekja e babait tënd, qaj për gjithçka. Ulu, shpirt, je lodhur, me siguri, e shoh. Ah, sa je ndotur.
— Isha në shi dje, mama… — desh të fillonte Raskolnikovi.
— Po jo, jo! — u ngrit Pulherija Aleksandrovna, duke e ndërprerë, — ti mendove se do të filloj menjëherë të të marr në pyetje, sipas zakonit të vjetër të grave, mos u shqetëso. Unë e kuptoj, i kuptoj të gjitha, tani kam mësuar si e kanë këtu dhe, vërtet, e shoh vetë që këtu janë më të mençur. Njëherë e përgjithmonë e kam menduar: ku t’i kuptoj unë mendimet e tua e të të kërkoj llogari? Ti ndoshta ke në kokë Zoti e di ç’punë e plane, ose të lindin ndonjë mendime atje; e unë të të shtyj në krah: për çfarë, gjoja, po mendon? Ja unë… Ah, o Zot! Po pse vërtitem andej-këtej, si e marrë… Ja unë, Rodja, po e lexoj artikullin tënd në revistë tashmë për të tretën herë, ma solli Dmitri Prokofiçi. Ashtu mbeta gojëhapur kur e pashë: ja budallaqja, mendoj me vete, ja me se merret ai, ja ku është zgjidhja e gjërave! Ai, ndoshta, ka mendime të reja në kokë, në atë kohë; po i mendon, kurse unë e mundoj e e turbulloj. E lexoj, miku im, dhe, natyrisht, shumë s’i kuptoj; po, megjithatë, kështu duhet të jetë: ku t’i kuptoj unë?
— Ma tregoni pak, mama.
Raskolnikovi mori gazetën dhe hodhi kalimthi një sy mbi artikullin e tij. Sado që binte ndesh kjo me gjendjen e me pozitën e tij, ndjeu atë ndjenjë të çuditshme e therëse-të ëmbël që provon autori kur e sheh veten të shtypur për herë të parë, e për më tepër ndikuan edhe njëzet e tre vjetët. Kjo zgjati një çast. Pasi lexoi disa rreshta, u vrenjt, dhe një pikëllim i tmerrshëm ia shtrëngoi zemrën. Gjithë lufta e tij shpirtërore e muajve të fundit iu kujtua përnjëherësh. Me neveri e me mërzi e hodhi artikullin mbi tryezë.
— Po vetëm, Rodja, sado budallaqe që të jem, megjithatë mund të gjykoj se shumë shpejt do të jesh një nga njerëzit e parë, në mos më i pari, në botën tonë të shkencës. E guxuan të mendonin për ty se je çmendur. Ha-ha-ha! Ti s’e di — se ata këtë mendonin! Ah, krimba të ulët, ku ta kuptojnë ata ç’është mendja! Po edhe Duneçka gati e besonte — ç’të them! I ndjeri babai yt dy herë dërgoi në revista — në fillim vjersha (e kam ende fletoren, do të ta tregoj ndonjëherë), e pastaj edhe një tregim të tërë (ia lypa vetë të ma jepte ta kopjoja), e si u lutëm që të dy që ta pranonin, — s’e pranuan! Unë, Rodja, nja gjashtë-shtatë ditë më parë vritesha duke parë rrobat e tua, si rron, ç’ha e me se vishesh. Kurse tani shoh që prapëseprapë kam qenë budallaqe, sepse po të duash, tani do t’i arrish të gjitha përnjëherësh, me mendjen e me talentin. Ti tani për tani, pra, s’do, dhe merresh me punë shumë më të rëndësishme…
— Dunja s’është në shtëpi, mama?
— S’është, Rodja. Shumë shpesh s’e shoh në shtëpi, më lë vetëm. Dmitri Prokofiçi, i qoftë falë, vjen të rrijë me mua dhe gjithnjë flet për ty. Të do e të respekton, miku im. Për motrën s’e them që të jetë kaq shumë e pasjellshme me mua. Unë s’po ankohem. Ajo ka karakterin e saj, unë timin; asaj i kanë dalë ca të fshehta; kurse unë s’kam asnjë të fshehtë nga ju. Natyrisht, jam plotësisht e sigurt se Dunja është shumë e zgjuar e, përveç kësaj, edhe mua edhe ty na do… po s’e di më ku do të çojë e gjitha kjo. Ja, ti më bëre tani të lumtur, Rodja, që erdhe, kurse ajo shkoi të shëtiste; do të vijë, e unë do t’i them: erdhi vëllai kur s’ishe, e ti ku denjove ta kaloje kohën? Ti, Rodja, mos më llasto shumë: po mundesh — eja, po s’mundesh — s’ka ç’bëhet, edhe kështu do të pres. Se megjithatë do ta di që më do, e mua kjo më mjafton. Ja, do t’i lexoj shkrimet e tua, do të dëgjoj për ty nga të gjithë, e herë pas here — edhe vetë do të vish të më shohësh, ç’më mirë? Se ja, erdhe tani të ngushëllosh nënën, e shoh unë…
Këtu Pulherija Aleksandrovna befas filloi të qante.
— Prapë unë! Mos më shiko, budallaqen! Ah, o Zot, po pse rri, — thirri ajo, duke u hedhur nga vendi, — se kemi kafe, e unë s’të gostis! Ja ç’do të thotë egoizmi i plakave. Tani, tani!
— Mama, lëreni këtë, po iki tani. S’erdha për këtë. Ju lutem, më dëgjoni.
Pulherija Aleksandrovna iu afrua me druajtje.
— Mama, çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të dëgjoni për mua, çfarëdo që t’ju thonë për mua, a do të më doni ashtu siç më doni tani? — pyeti ai befas nga plotësia e zemrës, sikur pa menduar për fjalët e tij e pa i peshuar.
— Rodja, Rodja, ç’ke? Po si mund të pyesësh për këtë! Po kush do të më thotë gjë për ty? Po unë s’do t’i besoj askujt, kushdo që të vijë tek unë, thjesht do ta përzë.
— Erdha t’ju siguroj se ju kam dashur gjithmonë, dhe tani gëzohem që jemi vetëm, gëzohem madje që Duneçka s’është, — vazhdoi ai me po atë vrull, — erdha t’ju them drejt se, ndonëse do të jeni fatkeqe, megjithatë dijeni se djali juaj ju do tani më shumë se veten dhe se gjithçka që keni menduar për mua, se jam mizor e s’ju dua, e gjitha kjo s’ka qenë e vërtetë. Kurrë s’do të pushoj së dashuruari ju… Hë, dhe mjaft; m’u duk se kështu duhej bërë e me këtë duhej filluar…
Pulherija Aleksandrovna e përqafonte në heshtje, e shtrëngonte pas gjoksit të saj dhe qante ngadalë.
— Ç’ke ti, Rodja, s’e di, — tha ajo më në fund, — gjithë këtë kohë mendoja se thjesht të mërzisim, po tani shoh nga të gjitha se të pret një hidhërim i madh, prandaj pikëllohesh. Prej kohësh e parashikoj këtë, Rodja. Më fal që fola për këtë; gjithnjë mendoj për këtë e natën s’fle. Këtë natë edhe motra jote e kaloi gjithë kohën në kllapi dhe gjithnjë të kujtonte ty. Dëgjova diçka, po s’kuptova asgjë. Gjithë mëngjesin eca si para ekzekutimit, prisja diçka, e parandieja, e ja ku e prita! Rodja, Rodja, po ku po shkon? Po nisesh diku, apo?
— Po nisem.
— Ashtu e mendova! Po edhe unë mund të nisem me ty, po të të duhet. Edhe Dunja; ajo të do, të do shumë, edhe Sofja Semjonovna, ndoshta, le të vijë me ne, po të duhet; e sheh, unë do ta marr me qejf madje në vend të bijës. Dmitri Prokofiçi do të na ndihmojë të bëhemi gati bashkë… po… ku po… nisesh?
— Lamtumirë, mama.
— Si! Që sot! — thirri ajo, sikur po e humbiste përgjithmonë.
— S’mundem, duhet të shkoj, më duhet shumë…
— Po unë s’mund të vij me ty?
— Jo, po ju bini në gjunjë e lutjuni Zotit për mua. Lutja juaj ndoshta do të arrijë.
— Më lër të të kryqëzoj, të të bekoj! Ja kështu, ja kështu. O Zot, ç’po bëjmë kështu!
Po, ai ishte i gëzuar, ishte shumë i gëzuar që s’kishte njeri, që ishin vetëm me nënën. Sikur për gjithë këtë kohë të tmerrshme iu zbut përnjëherësh zemra. Ai ra para saj, ia puthte këmbët, dhe të dy, të përqafuar, qanin. Dhe ajo s’habitej e s’pyeste këtë herë. Prej kohësh e kuptonte se me djalin po ndodhte diçka e tmerrshme, kurse tani kishte ardhur një minutë e tmerrshme për të.
— Rodja, i dashuri im, i parëlinduri im, — thoshte ajo, duke qarë me dënesë, — ja, tani je po ashtu si kur ishe i vogël, po ashtu vije tek unë, po ashtu më përqafoje e më puthje; qysh kur rronim me babanë e hiqnim të zeza, ti na ngushëlloje vetëm me atë që ishe me ne, e kur e varrosa babanë, — sa herë, të përqafuar me ty ja kështu, si tani, kemi qarë mbi varrin e tij. E që qaj prej kohësh, kjo është sepse zemra e nënës e parandjeu fatkeqësinë. Sapo të pashë për herë të parë atëherë, në mbrëmje, të kujtohet, kur sapo kishim ardhur këtu, i mora me mend të gjitha vetëm nga vështrimi yt, kështu m’u drodh zemra atëherë, kurse sot kur të hapa, të pashë, hë, mendoj, me sa duket erdhi ora fatale. Rodja, Rodja, ti s’po nisesh tani?
— Jo.
— Do të vish edhe?
— Po… do të vij.
— Rodja, mos u zemëro, as të të pyes s’guxoj. E di që s’guxoj, po kështu, vetëm dy fjalë më thuaj, larg po shkon?
— Shumë larg.
— Po ç’ka atje, ndonjë shërbim, karrierë, apo, për ty?
— Ç’të dërgojë Zoti… vetëm lutuni për mua…
Raskolnikovi shkoi drejt derës, por ajo u kap pas tij dhe e shikonte në sy me një vështrim të dëshpëruar. Fytyra i ishte shtrembëruar nga tmerri.
— Mjaft, mama, — tha Raskolnikovi, duke u penduar thellë që i kishte shkuar ndër mend të vinte.
— Jo përgjithmonë? Se ende s’është përgjithmonë? Se do të vish, nesër do të vish?
— Do të vij, do të vij, lamtumirë.
Më në fund u shkëput.
Mbrëmja ishte e freskët, e ngrohtë e e kthjellët; koha ishte hapur qysh në mëngjes. Raskolnikovi po shkonte në banesën e tij; nxitonte. Donte t’i mbaronte të gjitha para perëndimit të diellit. Deri atëherë s’do të donte të takohej me njeri. Duke u ngjitur në banesën e tij, vuri re se Nastasja, duke u shkëputur nga samovari, po e ndiqte me ngulm e po e përcillte me sy. „Mos ka ndonjë njeri tek unë?“ — mendoi ai. Iu bë me neveri se ishte Porfiri. Por, kur arriti te dhoma e tij dhe e hapi, pa Duneçkën. Rrinte krejt vetëm, në mendime të thella dhe, me sa dukej, e priste prej kohësh. Ai u ndal në prag. Ajo u ngrit pak nga divani e trembur dhe u drejtua para tij. Vështrimi i saj, i ngulur pa lëvizur mbi të, shprehte tmerr e një pikëllim të pashuar. Dhe vetëm nga ky vështrim ai e kuptoi menjëherë që ajo i dinte të gjitha.
— Ç’ka, të hyj te ti apo të iki? — pyeti ai me mosbesim.
— Ndenja gjithë ditën te Sofja Semjonovna; të prisnim që të dyja. Mendonim se patjetër do të shkoje atje.
Raskolnikovi hyri në dhomë dhe u ul i rraskapitur në karrige.
— Jam disi i dobët, Dunja; jam shumë i lodhur; e do të doja të paktën në këtë minutë ta zotëroja plotësisht veten.
Ngriti me mosbesim sytë drejt saj.
— Po ku ishe gjithë natën?
— S’më kujtohet mirë; e sheh, motër, doja të vendosja përfundimisht dhe shumë herë kalova pranë Nevës; këtë e mbaj mend. Doja t’i jepja fund atje, po… s’guxova… — pëshpëriti ai, duke e vështruar përsëri me mosbesim Dunjën.
— Lavdi Zotit! E sa kishim frikë pikërisht nga kjo, unë e Sofja Semjonovna! Pra, ti ende beson në jetë: lavdi Zotit, lavdi Zotit!
Raskolnikovi buzëqeshi me hidhërim.
— S’besoja, po tani bashkë me nënën, të përqafuar, qamë; unë s’besoj, po asaj i kërkova të lutej për mua. Zoti e di si bëhet kjo, Duneçka, dhe unë s’kuptoj asgjë në këtë.
— Ishe te nëna? Edhe ia the? — thirri me tmerr Dunja. — Mos vallë guxove t’ia thuash?
— Jo, s’ia thashë… me fjalë; po ajo kuptoi shumë. Ajo dëgjoi natën si flisje përçart ti. Jam i sigurt se ajo kupton tashmë gjysmën. Ndoshta bëra keq që shkova. As vetë s’e di pse shkova. Jam njeri i ulët, Dunja.
— Njeri i ulët, po je gati të shkosh në vuajtje! Se po shkon, apo jo?
— Po shkoj. Tani. Po, për t’i shpëtuar këtij turpi desha të mbytesha, Dunja, por mendova, duke qëndruar tashmë mbi ujë, se nëse e kam quajtur veten deri tani të fortë, atëherë le të mos kem frikë tani as nga turpi, — tha ai, duke ia marrë përpara. — Kjo është krenari, Dunja?
— Krenari, Rodja.
Sikur një zjarr i shkrepi në sytë e shuar; sikur iu bë qejf që ishte ende krenar.
— Po ti s’mendon, motër, se thjesht pata frikë nga uji? — pyeti ai me një buzëqeshje të shëmtuar, duke e vështruar në fytyrë.
— Oh, Rodja, mjaft! — thirri me hidhërim Dunja.
Nja dy minuta zgjati heshtja. Ai rrinte kokulur e shikonte përdhe; Duneçka qëndronte në skajin tjetër të tryezës dhe e shikonte me mundim. Befas ai u ngrit:
— Vonë, është koha. Tani po shkoj të dorëzoj veten. Po s’e di përse po shkoj të dorëzoj veten.
Lot të mëdhenj i rridhnin nëpër faqe.
— Ti qan, motër, po a mund të më zgjatësh dorën?
— Edhe për këtë dyshove?
Ajo e përqafoi fort.
— Mos vallë ti, duke shkuar drejt vuajtjes, s’e lan tashmë përgjysmë krimin tënd? — thirri ajo, duke e shtrënguar në përqafim e duke e puthur.
— Krimin? Ç’krim? — thirri ai befas, në një tërbim të papritur, — që vrava një morr të ndyrë, të dëmshëm, një plakushë fajdexhore, që s’i duhej askujt, për vrasjen e së cilës të falen dyzet mëkate,1 që u thithte lëngun të varfërve, edhe ky qenka krim? S’mendoj për të dhe s’mendoj ta laj. E pse ma ngulin të gjithë nga të gjitha anët: „krim, krim!“ Vetëm tani e shoh qartë gjithë absurditetin e frikacakërisë sime, tani, që vendosa të shkoj drejt këtij turpi të panevojshëm! Thjesht nga poshtërsia e paaftësia ime po vendos, e ndoshta edhe nga përfitimi, siç më propozonte ky… Porfiri!..
— Vëlla, vëlla, ç’po thua kështu! Po ti ke derdhur gjak! — thirri e dëshpëruar Dunja.
— Që e derdhin të gjithë, — e kapi fjalën ai gati në ekstazë, — që derdhet e është derdhur gjithmonë në botë, si ujëvarë, që e derdhin si shampanjë e për të cilin të kurorëzojnë në Kapitol2 e pastaj të quajnë bamirës të njerëzimit. Po vështroje vetëm më me vëmendje e shikoje mirë! Unë vetë doja të mirën e njerëzve dhe do të bëja qindra, mijëra vepra të mira në vend të këtij budallallëku të vetëm, madje jo budallallëku, po thjesht ngathtësie, meqë gjithë ky mendim s’ishte aspak aq budalla sa duket tani, me dështimin… (Me dështimin gjithçka duket budallaqe!) Me këtë budallallëk doja vetëm ta vija veten në një pozitë të pavarur, të bëja hapin e parë, të arrija mjetet, e pastaj gjithçka do të shlyhej me një dobi, krahasimisht, të pamatë… Por unë, unë as hapin e parë s’e durova, sepse jam — i poshtër! Ja ku qëndron gjithë puna! E megjithatë s’do ta shikoj me vështrimin tuaj: sikur të më kishte dalë mbarë, do të më kurorëzonin, e tani në çark!
— Por kjo s’është ajo, aspak s’është ajo! Vëlla, ç’po thua kështu!
— A! s’është forma e duhur, s’është formë kaq e bukur estetikisht! Hë, unë vendosmërisht s’e kuptoj: pse të qëllosh njerëzit me bomba, me rrethim të rregullt, është formë më e nderuar? Frika nga estetika është shenja e parë e pafuqisë!.. Kurrë, kurrë s’e kam kuptuar këtë më qartë se tani, dhe më shumë se kurrë s’e kuptoj krimin tim! Kurrë, kurrë s’kam qenë më i fortë e më i bindur se tani!..
Ngjyra madje i goditi fytyrën e zbehtë, të rraskapitur. Por, duke shqiptuar thirrjen e fundit, iu takua pa dashje vështrimi me sytë e Dunjës, dhe aq, aq shumë mundim për të hasi në këtë vështrim, sa erdhi pa dashje në vete. Ndjeu se megjithatë i kishte bërë fatkeqe këto dy gra të gjora. Megjithatë ai ishte shkaku…
— Dunja, e dashur! Nëse jam fajtor, më fal (megjithëse s’mund të falem, nëse jam fajtor). Lamtumirë! Të mos grindemi! Është koha, shumë koha. Mos eja pas meje, të lutem, më duhet të kaloj edhe diku… E shko tani dhe ulu menjëherë pranë nënës. Të lutem për këtë! Kjo është lutja ime e fundit, më e madhja për ty. Mos u largo prej saj gjatë gjithë kohës; e lashë në një shqetësim që vështirë se do ta durojë: ose do të vdesë, ose do të çmendet. Ji pra me të! Razumihini do të jetë me ju; i fola… Mos qaj për mua: do të përpiqem të jem edhe trim, edhe i ndershëm, gjithë jetën, ndonëse jam vrasës. Ndoshta do ta dëgjosh ndonjëherë emrin tim. S’do t’ju turpëroj, do ta shohësh; do ta provoj ende… tani për tani mirupafshim, — nxitoi ai ta mbyllte, duke vënë re përsëri njëfarë shprehjeje të çuditshme në sytë e Dunjës nga fjalët e premtimet e tij të fundit. — Pse qan kështu? Mos qaj, mos qaj; s’po ndahemi krejt!.. Ah, po! Prit, harrova!..
Shkoi te tryeza, mori një libër të trashë, të pluhurosur, e hapi dhe nxori nga fletët një portret të vogël, me akuarel, mbi fildish. Ishte portreti i së bijës së së zonjës së shtëpisë, e fejuara e tij e dikurshme, që kishte vdekur nga ethet, pikërisht ajo vajzë e çuditshme që donte të shkonte në manastir. Për një minutë e shqyrtoi këtë fytyrëz shprehëse e të sëmurë, e puthi portretin dhe ia dha Duneçkës.
— Ja, me të fola shumë edhe për këtë, vetëm me të, — tha ai i menduar, — zemrës së saj i thashë shumë nga ato që pastaj u realizuan kaq shëmtuar. Mos u shqetëso, — iu drejtua ai Dunjës, — ajo s’ishte dakord, si edhe ti, dhe gëzohem që s’është më. Kryesorja, kryesorja është që gjithçka tani do të shkojë në një mënyrë të re, do të thyhet përgjysmë, — thirri ai befas, duke iu kthyer përsëri pikëllimit të tij, — gjithçka, gjithçka, po a jam përgatitur unë për këtë? A e dua vetë këtë? Kjo, thonë, duhet për sprovën time! Përse, përse gjithë këto sprova pa kuptim? Përse janë ato, a do ta kuptoj më mirë atëherë, i dërrmuar nga mundimet, nga idiotësia, në pafuqinë e pleqërisë pas njëzet vjetësh katorgë, sesa e kuptoj tani, dhe përse do të më duhet atëherë të rroj? Pse pranoj tani të rroj kështu? Oh, e dija që jam i poshtër, kur qëndroja sot, në agim, mbi Nevë!
Më në fund dolën të dy. Ishte e vështirë për Dunjën, por ajo e donte! Shkoi, por, pasi u largua nja pesëdhjetë hapa, u kthye edhe një herë ta vështronte. Ai dukej ende. Por, kur arriti te qoshja, u kthye edhe ai; për herë të fundit u takuan me vështrime; por, duke vënë re që ajo po e shikonte, ai tundi dorën me padurim e madje me mërzi, që ajo të shkonte, kurse vetë e ktheu prerë qoshen.
„Jam i lig, e shoh këtë, — mendonte ai me vete, duke u turpëruar pas një minute për gjestin e tij të mërzitur me dorë ndaj Dunjës. — Po pse më duan kaq shumë vetë, nëse s’e meritoj! Oh, sikur të isha vetëm e të mos më donte askush, e vetë të mos kisha dashur kurrë askënd! S’do të kishte ndodhur gjithë kjo! Po interesante, a thua vallë në këta pesëmbëdhjetë — njëzet vjet të ardhshëm shpirti im do të përulet aq shumë sa do të qaravitem me nderim para njerëzve, duke e quajtur veten kusar në çdo fjalë? Po, pikërisht, pikërisht! Pikërisht për këtë më internojnë tani, pikërisht këtë duan ata… Ja, vërtiten të gjithë nëpër rrugë andej-këtej, e secili prej tyre është i poshtër e kusar qysh nga natyra; më keq akoma — idiot! Po provo të më kursesh internimin, e të gjithë do të tërbohen nga indinjata fisnike! Oh, sa i urrej të gjithë!“
U zhyt thellë në mendime për këtë: „me ç’proces mund të ndodhë kështu, që ai më në fund para të gjithë atyre do të përulet pa arsyetuar, do të përulet me bindje! E ç’ka, pse jo? Natyrisht, kështu duhet të jetë. Mos vallë njëzet vjet shtypje të pandërprerë s’të mbarojnë përfundimisht? Pika e ujit e shpon gurin. Dhe pse, pse të rrosh pas kësaj, pse po shkoj tani, kur e di vetë se gjithçka do të jetë pikërisht kështu, si sipas librit, e jo ndryshe!“
Ai ia bënte vetes këtë pyetje, ndoshta, tashmë për të qindën herë që nga mbrëmja e djeshme, por megjithatë po shkonte.
Shënime
Found a mistake in this chapter? Report a mistake