← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e katërt — III · Krim dhe ndëshkim

Chapter 23 of 41

Puna kryesore ishte se ai, deri në minutën e fundit, në asnjë mënyrë s’e kishte pritur një zgjidhje të tillë. Ishte kapardisur deri në vijën e fundit, pa e supozuar madje as mundësinë që dy gra të varfra e të pambrojtura mund të dilnin nga pushteti i tij. Kësaj bindjeje i ndihmuan shumë kotësia dhe ajo shkallë vetëbesimi që më mirë se gjithçka do ta quaje vetëdashuri. Pjotr Petroviçi, pasi kishte çarë rrugën nga hiçi, ishte mësuar në mënyrë të sëmurë të mrekullohej me veten, e çmonte lart mendjen e aftësitë e tij dhe madje ndonjëherë, kur ishte vetëm, mrekullohej me fytyrën e vet në pasqyrë. Por më shumë se gjithçka në botë donte e çmonte paratë e tij, të fituara me punë e me të gjitha mjetet: ato e barazonin me gjithçka që ishte mbi të.

Duke i kujtuar tani me hidhërim Dunjës se kishte vendosur ta merrte, pavarësisht nga fjala e keqe për të, Pjotr Petroviçi fliste krejt sinqerisht dhe madje ndiente një indinjatë të thellë kundër një „mosmirënjohjeje kaq të zezë“. E megjithatë, kur e kishte kërkuar atëherë Dunjën për grua, ishte plotësisht i bindur për absurditetin e gjithë këtyre thashethemeve, të përgënjeshtruara para gjithë popullit nga vetë Marfa Petrovna dhe të lëna prej kohësh mënjanë nga gjithë qytetza, që e shfajësonte Dunjën me zjarr. Dhe as ai vetë s’do ta mohonte tani se të gjitha këto i dinte qysh atëherë. E megjithatë ai prapëseprapë e çmonte lart vendosmërinë e tij për ta ngritur Dunjën deri te vetja dhe e quante këtë një bëmë. Duke ia qortuar tani Dunjës këtë, ai shprehte mendimin e tij të fshehtë, të përkëdhelur, me të cilin ishte mrekulluar jo një herë, dhe s’mund ta kuptonte si mund të mos mrekulloheshin të tjerët me bëmën e tij. Kur kishte shkuar atëherë për vizitë te Raskolnikovi, kishte hyrë me ndjenjën e një bamirësi që bëhet gati të korrë frytet e të dëgjojë komplimente shumë të ëmbla. Dhe, natyrisht, tani, duke zbritur shkallët, e quante veten në shkallën më të lartë të fyer e të pavlerësuar.

Kurse Dunja i ishte thjesht e domosdoshme; të hiqte dorë prej saj ishte për të e pamendueshme. Prej kohësh, qysh prej disa vjetësh, ëndërronte me ëndje martesën, por gjithnjë grumbullonte para e priste. Me dehje mendonte, në fshehtësinë më të thellë, për një vajzë të mirësjellshme e të varfër (patjetër të varfër), shumë të re, shumë të bukur, fisnike e të shkolluar, shumë të trembur, që të kishte provuar jashtëzakonisht shumë fatkeqësi e që të ishte përulur plotësisht para tij, një vajzë të tillë që gjithë jetën ta quante atë shpëtimin e saj, ta nderonte me përulje, t’i nënshtrohej, të mrekullohej me të, dhe vetëm me të. Sa skena, sa episode të ëmbla kishte krijuar në përfytyrim për këtë temë joshëse e lozonjare, duke pushuar në qetësi nga punët! E ja, ëndrra e kaq vjetëve ishte gati duke u realizuar: bukuria dhe arsimi i Avdotja Romanovnës e kishin tronditur; gjendja e saj e pafuqishme e kishte ndezur deri në skaj. Këtu dilte madje diçka më shumë nga sa kishte ëndërruar: kishte dalë një vajzë krenare, me karakter, e virtytshme, me edukatë e zhvillim më të lartë se ai (këtë e ndiente), dhe një qenie e tillë do t’i ishte skllavërisht mirënjohëse gjithë jetën për bëmën e tij e do të asgjësohej me nderim para tij, kurse ai do të sundonte pa kufi e plotësisht!.. Si me qëllim, pak kohë para kësaj, pas shumë llogarive e pritjesh, kishte vendosur më në fund ta ndërronte përfundimisht karrierën e të hynte në një rreth më të gjerë veprimtarie, e bashkë me këtë, pak nga pak, të kalonte edhe në një shoqëri më të lartë, për të cilën prej kohësh mendonte me epsh… Me një fjalë, kishte vendosur ta provonte Petersburgun. E dinte se me anë të grave mund të fitohej „shumë e shumë“. Hijeshia e një gruaje të këndshme, të virtytshme e të shkolluar mund t’ia zbukuronte mrekullisht rrugën, të tërhiqte njerëz drejt tij, t’i krijonte një aureolë… dhe ja, gjithçka u shemb! Kjo prishje e tanishme e papritur, e shëmtuar, ndikoi mbi të si një goditje rrufeje. Ishte njëfarë shakaje e shëmtuar, absurditet! Ai ishte kapardisur vetëm një pikëz; madje s’kishte arritur të thoshte gjithçka, thjesht kishte bërë shaka, ishte rrëmbyer, e mbaroi kaq seriozisht! Më në fund, se ai madje e donte tashmë Dunjën në mënyrën e tij, tashmë sundonte mbi të në ëndrrat e tij — e befas!.. Jo! Që nesër, që nesër gjithë kjo duhet rikthyer, shëruar, ndrequr, e kryesorja — duhet asgjësuar ky qumështor mendjemadh, ky çunak, që ishte shkaku i gjithçkaje. Me një ndjesi të sëmurë i kujtohej, gjithashtu disi pa dashje, Razumihini… por, megjithatë, shpejt u qetësua nga kjo anë: „Vetëm kjo mungonte, ta vë edhe këtë krah tij!“ Por ai nga i cili kishte vërtet frikë seriozisht — ishte Svidrigajlovi… Me një fjalë, e prisnin shumë telashe.

— Jo, unë, unë jam më fajtorja nga të gjithë! — thoshte Duneçka, duke e përqafuar e duke e puthur të ëmën, — u joshova nga paratë e tij, por, të betohem, vëlla, — as që e përfytyroja se ishte një njeri kaq i padenjë. Sikur ta kisha njohur më parë, s’do të joshesha nga asgjë! Mos më fajëso, vëlla!

— Zoti na shpëtoi! Zoti na shpëtoi! — mërmëriste Pulherija Aleksandrovna, por disi pa vetëdije, sikur s’e kishte kuptuar ende krejt gjithçka që kishte ndodhur.

Të gjithë gëzoheshin, pas pesë minutash madje qeshnin. Vetëm ndonjëherë Duneçka zbehej dhe rrudhte vetullat, duke kujtuar ç’kishte ndodhur. Pulherija Aleksandrovna as që mund ta përfytyronte se edhe ajo do të gëzohej; prishja me Luzhinin i dukej që në mëngjes një fatkeqësi e tmerrshme. Por Razumihini ishte i ngazëllyer. Ende s’guxonte ta shprehte plotësisht, por dridhej i tëri si në ethe, sikur t’i kishte rënë nga zemra një peshë pesë pudësh. Tani ai ka të drejtë t’u japë atyre gjithë jetën e tij, t’u shërbejë… E ç’s’ka tani! Megjithatë, ai i dëbonte edhe më i trembur mendimet e mëtejshme dhe kishte frikë nga përfytyrimi i vet. Vetëm Raskolnikovi rrinte gjithnjë në po atë vend, gati i zymtë e madje i hutuar. Ai, që kishte ngulur këmbë më shumë se të gjithë për largimin e Luzhinit, tani sikur interesohej më pak se të gjithë për atë që kishte ndodhur. Dunja mendoi pa dashje se ai ishte ende shumë i zemëruar me të, kurse Pulherija Aleksandrovna e vështronte me druajtje.

— Po ç’të tha Svidrigajlovi? — iu afrua Dunja.

— Ah, po, po! — thirri Pulherija Aleksandrovna.

Raskolnikovi ngriti kokën:

— Ai dëshiron patjetër të të dhurojë dhjetë mijë rubla dhe njëkohësisht shpreh dëshirën të të shohë një herë në praninë time.

— Të shohë! Për asgjë në botë! — thirri Pulherija Aleksandrovna, — dhe si guxon t’i ofrojë para!

Pastaj Raskolnikovi tregoi (mjaft thatë) bisedën e tij me Svidrigajlovin, duke i kapërcyer fantazmat e Marfa Petrovnës, që të mos hynte në materie të tepërt e duke ndier neveri të niste çfarëdo bisede tjetër përveç më të domosdoshmes.

— Po ti ç’iu përgjigje? — pyeti Dunja.

— Në fillim i thashë që s’do të të përcjell asgjë. Atëherë ai deklaroi se do të përpiqet vetë, me të gjitha mjetet, për një takim. Siguronte se pasioni i tij për ty ishte një tekë dhe se tani s’ndien asgjë për ty… Ai s’do që të martohesh me Luzhinin… Në përgjithësi fliste ngatërruar.

— Si e shpjegon ti vetë, Rodja? Si të dukej?

— E pranoj, s’kuptoj gjë mirë. Ofron dhjetë mijë, kurse vetë thoshte se s’është i pasur. Deklaron se do të ikë diku, dhe pas dhjetë minutash harron që ka folur për këtë. Befas thotë gjithashtu se do të martohet dhe se po i gjejnë nuse… Natyrisht, ka qëllime, dhe më shumë gjasa — të këqija. Por prapë është disi e çuditshme të supozosh që t’i qasej punës kaq budallallëqe, po të kishte qëllime të këqija ndaj teje… Unë, natyrisht, ia refuzova, për ty, këto para, njëherë e përgjithmonë. Në përgjithësi m’u duk shumë i çuditshëm, dhe… madje… me shenja si të një çmendurie. Por mund të jem gabuar; ndoshta këtu ka thjesht njëfarë mashtrimi. Vdekja e Marfa Petrovnës, me sa duket, i bën përshtypje…

— Prehe, o Zot, shpirtin e saj! — thirri Pulherija Aleksandrovna, — përjetë, përjetë do t’i lutem Zotit për të! Hë, ç’do të bëhej me ne tani, Dunja, pa këto tre mijë! O Zot, sikur ranë nga qielli! Ah, Rodja, se në mëngjes na kishin mbetur vetëm tri rubla argjendi1 në xhep, dhe unë me Duneçkën vetëm llogarisnim si ta linim sa më shpejt peng sahatin diku, që vetëm të mos merrnim nga ai, derisa ta merrte me mend vetë.

Dunjën sikur e kishte tronditur tepër propozimi i Svidrigajlovit. Ajo qëndronte gjithnjë e menduar.

— Ai ka menduar diçka të tmerrshme! — tha ajo gati me pëshpëritje me vete, gati duke u drithëruar.

Raskolnikovi e vuri re këtë frikë të tepruar.

— Me sa duket, do të më duhet ta shoh edhe jo një herë, — i tha ai Dunjës.

— Do ta ndjekim! Unë do ta gjurmoj! — bërtiti me energji Razumihini. — S’do t’ia ndaj sytë! Rodja më lejoi. Ai vetë më tha pak më parë: „Ruaje motrën“. Po ju a më lejoni, Avdotja Romanovna?

Dunja buzëqeshi dhe i zgjati dorën, por shqetësimi s’i largohej nga fytyra. Pulherija Aleksandrovna e vështronte me druajtje; megjithatë, tre mijë rublat dukshëm e qetësonin.

Pas një çerek ore të gjithë ishin në bisedën më të gjallë. Madje edhe Raskolnikovi, ndonëse s’fliste, dëgjoi me vëmendje për ca kohë. Oratorizonte Razumihini.

— Dhe pse, pse të ikni! — derdhej ai i dehur në një fjalim plot ngazëllim, — dhe ç’do të bëni në qytetzë? E kryesorja, këtu jeni të gjithë bashkë dhe njëri-tjetrit i nevojiteni, e si i nevojiteni, — më kuptoni! Hë, të paktën për ca kohë… Kurse mua më merrni për mik, për ortak, dhe ju siguroj që do të nisim një sipërmarrje të shkëlqyer. Dëgjoni, do t’jua shpjegoj të gjitha me hollësi — gjithë projektin! Qysh në mëngjes, kur ende s’kishte ndodhur asgjë, më vërtitej në kokë… Ja ku qëndron puna: kam një dajë (do t’ju njoh me të; një plakush shumë i shkathët e shumë i nderuar!), dhe ky dajë ka një mijë rubla kapital, kurse vetë rron me pension e s’ka nevojë. Ka dy vjet që më ngulmon t’ia marr këtë mijëshe, e t’i paguaj gjashtë për qind. Unë e shoh dredhinë: ai thjesht do të më ndihmojë; po vitin e kaluar s’kisha nevojë, kurse këtë vit vetëm prisja ardhjen e tij dhe vendosa ta marr. Pastaj ju do të jepni një mijëshe tjetër, nga tre mijë tuajat, dhe ja mjafton për fillim, ja ku bashkohemi. E ç’do të bëjmë?

Këtu Razumihini filloi ta shtjellonte projektin e tij dhe foli gjatë se si pothuajse të gjithë librashitësit e botuesit tanë kuptojnë pak nga malli i tyre, e prandaj zakonisht janë edhe botues të këqij, ndërsa botimet e rregullta në përgjithësi e nxjerrin shpenzimin e japin fitim, ndonjëherë të konsiderueshëm. Pikërisht për veprimtarinë botuese ëndërronte Razumihini, që punonte prej dy vjetësh për të tjerët dhe njihte jo keq tri gjuhë evropiane, megjithëse nja gjashtë ditë më parë i kishte thënë Raskolnikovit se në gjermanisht ishte schwach, me qëllim që ta bindte të merrte përsipër gjysmën e punës së përkthimit dhe tri rubla kapar: edhe atëherë kishte gënjyer, dhe Raskolnikovi e dinte që po gënjente.

— Pse, pse ta lëmë të na ikë e jona, kur na ka rënë në dorë një nga mjetet më kryesore — paratë tona? — ndizej Razumihini. — Natyrisht, duhet shumë punë, po ne do të punojmë, ju, Avdotja Romanovna, unë, Rodioni… disa botime japin tani fitim të bukur! E baza kryesore e sipërmarrjes është se do ta dimë pikërisht se ç’duhet përkthyer. Do të përkthejmë, do të botojmë e do të mësojmë, të gjitha bashkë. Tani mund të jem i dobishëm, sepse kam përvojë. Ja, së shpejti dy vjet që sillem rrotull botuesve dhe ua di të gjitha të fshehtat: s’janë shenjtorë ata që punojnë poçet, besomëni! Dhe pse, pse ta kalosh kafshatën pranë gojës! Po unë vetë di, e i ruaj në fshehtësi, dy-tri vepra të tilla, sa vetëm për idenë për t’i përkthyer e botuar mund të marrësh nga njëqind rubla për secilin libër, kurse për njërin prej tyre s’do të marr as pesëqind rubla për idenë. Dhe ç’mendoni, sikur t’ia tregoja dikujt, ndoshta do të dyshonte edhe, ç’trungje! Kurse sa për telashet e punëve vetë, shtypshkronjat, letrën, shitjen, këto m’i lini mua! I njoh të gjitha qoshet! Do të fillojmë pak nga pak, do të arrijmë te e madhja, të paktën do të kemi me se të mbajmë frymën, dhe në çdo rast do ta nxjerrim tonën.

Dunjës i shkëlqenin sytë.

— Ajo që thoni më pëlqen shumë, Dmitri Prokofiç, — tha ajo.

— Unë këtu, natyrisht, s’di asgjë, — u përgjigj Pulherija Aleksandrovna, — ndoshta është mirë, po prapë Zoti e di. Është disi e re, e panjohur. Natyrisht, ne duhet patjetër të mbetemi këtu, të paktën për ca kohë…

Ajo e vështroi Rodjën.

— Si mendon ti, vëlla? — tha Dunja.

— Mendoj se ai ka një mendim shumë të mirë, — u përgjigj ai. — Për firmë, natyrisht, s’duhet ëndërruar që tani, por pesë-gjashtë libra mund të botohen vërtet me sukses të padyshimtë. Edhe unë vetë di një vepër që patjetër do të shitet. E sa për atë që ai do të dijë ta drejtojë punën, për këtë s’ka asnjë dyshim: e kupton punën… Megjithatë, do të keni ende kohë të merreni vesh…

— Urra! — bërtiti Razumihini, — tani prisni, këtu ka një banesë, në po këtë shtëpi, nga po këta pronarë. Është e veçantë, më vete, s’komunikon me këto nomera, dhe e mobiluar, me çmim të arsyeshëm, tri dhomëza. Ja, për fillim zëreni këtë. Sahatin do t’jua lë peng nesër e do t’ju sjell paratë, e pastaj gjithçka do të rregullohet. E kryesorja, mund të jetoni të tre bashkë, edhe Rodja me ju… Po ku po shkon, Rodja?

— Si, Rodja, po ikën tashmë? — pyeti madje e trembur Pulherija Aleksandrovna.

— Në një minutë të tillë! — bërtiti Razumihini.

Dunja e vështronte të vëllanë me një habi plot mosbesim. Në duar kishte kasketën; po bëhej gati të dilte.

— Ç’paskeni, sikur po më varrosni a po më ndaheni përjetë, — tha ai disi çuditshëm.

Sikur buzëqeshi, por sikur kjo s’ishte buzëqeshje.

— Po kush e di, ndoshta po shihemi edhe për herë të fundit, — shtoi ai pa dashje.

Këtë e kishte menduar vetëm me vete, por disi i doli vetë me zë.

— Po ç’ke! — thirri e ëma.

— Ku po shkon, Rodja? — pyeti disi çuditshëm Dunja.

— Ashtu, më duhet shumë, — u përgjigj ai turbullt, sikur të lëkundej në atë që donte të thoshte. Por në fytyrën e tij të zbehtë kishte njëfarë vendosmërie të prerë.

— Desha të thosha… duke ardhur këtu… desha t’ju thosha, mama… edhe ty, Dunja, se do të ishte më mirë të ndaheshim për ca kohë. Nuk ndihem mirë, s’jam i qetë… do të vij më vonë, do të vij vetë, kur… të jetë e mundur. Ju mbaj mend dhe ju dua… Më lini! Më lini vetëm! Kështu e vendosa, qysh më parë… E vendosa me siguri… Çfarëdo që të më ndodhë, do të humbas apo jo, dua të jem vetëm. Harromëni krejt… Kështu është më mirë… Mos pyesni për mua. Kur të duhet, do të vij vetë ose… do t’ju thërras. Ndoshta gjithçka do të ringjallet!.. Kurse tani, nëse më doni, hiqni dorë… Përndryshe, do t’ju urrej, e ndiej… Lamtumirë!

— O Zot! — thirri Pulherija Aleksandrovna.

Edhe nëna, edhe motra ishin të tmerruara; edhe Razumihini.

— Rodja, Rodja! Pajtohu me ne, të jemi si më parë! — thirri nëna e gjorë.

Ai u kthye ngadalë nga dera dhe doli ngadalë nga dhoma. Dunja e arriti.

— Vëlla! Ç’po i bën nënës! — pëshpëriti ajo me një vështrim që i digjej nga indinjata.

Ai e vështroi rëndë.

— S’ka gjë, do të vij, do të vij gjithmonë! — mërmëriti ai me gjysmë zëri, sikur s’e kuptonte plotësisht se ç’donte të thoshte, dhe doli nga dhoma.

— Egoist pa ndjenja, i lig! — thirri Dunja.

— Ai është i ç-m-e-n-d-u-r, jo pa ndjenja! Ai është i luajtur nga mendtë! Vallë s’e shihni këtë? Ju jeni pa ndjenja pas kësaj!.. — pëshpëriti me zjarr Razumihini mu në vesh të saj, duke ia shtrënguar fort dorën.

— Kthehem tani! — bërtiti ai, duke iu drejtuar Pulherija Aleksandrovnës, që ishte zbehur si e vdekur, dhe doli me vrap nga dhoma.

Raskolnikovi e priste në fund të korridorit.

— E dija që do të dilje me vrap, — tha ai. — Kthehu te ato dhe rri me to… Rri edhe nesër me to… dhe gjithmonë. Unë… ndoshta do të vij… po të jetë e mundur. Lamtumirë!

Dhe, pa i zgjatur dorën, iku prej tij.

— Po ku po shkon? Ç’ke? Po ç’të ka gjetur? Po a mund të bëhet kështu!.. — mërmëriste Razumihini krejt i humbur.

Raskolnikovi u ndal edhe një herë.

— Njëherë e përgjithmonë: kurrë mos më pyet për asgjë. S’kam ç’të të përgjigjem… Mos eja te unë. Ndoshta do të vij unë këtu… Më lër mua, kurse ato… mos i lër. Më kupton?

Në korridor ishte errësirë; ata qëndronin pranë llambës. Një minutë e vështruan njëri-tjetrin në heshtje. Razumihini e mbajti mend gjithë jetën këtë minutë. Vështrimi i zjarrtë e i ngulët i Raskolnikovit sikur forcohej me çdo çast, depërtonte në shpirtin e tij, në vetëdije. Befas Razumihini u drodh. Diçka e çuditshme sikur kaloi midis tyre… Njëfarë ideje rrëshqiti, si një aluzion; diçka e tmerrshme, e shëmtuar, e kuptuar befas nga të dyja anët… Razumihini u zbeh si i vdekur.

— Kupton tani?.. — tha befas Raskolnikovi me fytyrë të shtrembëruar nga dhimbja. — Kthehu, shko te ato, — shtoi ai befas dhe, duke u kthyer shpejt, doli nga shtëpia…

Nuk do të përshkruaj tani ç’ndodhi atë mbrëmje te Pulherija Aleksandrovna, si u kthye Razumihini tek ato, si i qetësonte, si betohej se Rodjës duhej t’i jepej mundësi të pushonte në sëmundje, betohej se Rodja do të vinte patjetër, do të vinte çdo ditë, se ai ishte shumë, shumë i tronditur, se s’duhej nervozuar; si ai, Razumihini, do ta ndiqte, do t’i gjente një mjek të mirë, më të mirin, një konsulte të tërë… Me një fjalë, që nga ajo mbrëmje Razumihini u bë për to bir e vëlla.

Shënime

  1. Rubla argjendi (rus. celkovyj): emërtim popullor i rublës së plotë. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Krim dhe ndëshkim

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours