Epilogu — I · Krim dhe ndëshkim
Chapter 40 of 41
Siberia. Në bregun e një lumi të gjerë, të shkretë, qëndron një qytet, një nga qendrat administrative të Rusisë; në qytet është një kështjellë, në kështjellë një burg. Në burg ndodhet prej nëntë muajsh i dënuari me internim e katorgë i kategorisë së dytë,1 Rodion Raskolnikov. Që nga dita e krimit të tij kanë kaluar gati një vit e gjysmë.
Procesi gjyqësor për çështjen e tij kaloi pa vështirësi të mëdha. Krimineli e mbajti dëshminë e tij me vendosmëri, saktë e qartë, pa i ngatërruar rrethanat, pa i zbutur në dobinë e tij, pa i shtrembëruar faktet, pa harruar hollësinë më të vogël. Ai e tregoi deri te vija e fundit gjithë procesin e vrasjes: e sqaroi të fshehtën e pengut (një dërrasëz druri me një shirit metalik), që u gjend në duart e plakës së vrarë; tregoi me hollësi si i mori të vrarës çelësat, i përshkroi këta çelësa, përshkroi arkën dhe me se ishte mbushur; madje numëroi disa nga sendet e veçanta që ishin në të; e sqaroi gjëegjëzën e vrasjes së Lizavetës; tregoi si erdhi e trokiti Kohu, e pas tij studenti, duke përcjellë gjithçka që folën ata midis tyre; si ai, krimineli, zbriti pastaj me vrap nëpër shkallë dhe dëgjoi britmat e Mikolkës e të Mitkës; si u fsheh në banesën bosh, erdhi në shtëpi, dhe në përfundim tregoi gurin në oborr, në Prospektin Voznesenski, nën portë, nën të cilin u gjetën sendet e qesja. Me një fjalë, çështja doli e qartë. Hetuesit e gjykatësit u habitën shumë, ndër të tjera, që ai i kishte fshehur qesen e sendet nën gur, pa i përdorur, e më shumë se gjithçka që ai jo vetëm që s’i mbante mend me hollësi të gjitha sendet që kishte vjedhur vetë, por madje ishte gabuar edhe në numrin e tyre. Pikërisht rrethana që ai asnjëherë s’e kishte hapur qesen e madje s’e dinte as sa para kishte saktësisht në të, u duk e pabesueshme (në qese u gjetën treqind e shtatëmbëdhjetë rubla argjendi dhe tri monedha njëzetkapikëshe; nga qëndrimi i gjatë nën gur disa kartëmonedha të sipërme, më të mëdhatë, ishin dëmtuar jashtëzakonisht). U përpoqën gjatë të merrnin vesh: pse pikërisht i pandehuri gënjen vetëm në këtë rrethanë, ndërsa për gjithçka tjetër rrëfen vullnetarisht e me vërtetësi? Më në fund, disa (sidomos nga psikologët) pranuan madje mundësinë që ai vërtet s’kishte parë në qese, e prandaj s’dinte ç’kishte në të, dhe, pa ditur, e çoi ashtu nën gur, por aty për aty nxorën prej kësaj përfundimin se vetë krimi s’mund të kishte ndodhur ndryshe veçse në njëfarë çmendurie të përkohshme, si të thuash, në një monomani të sëmurë vrasjeje e grabitjeje, pa qëllime të mëtejshme e pa llogari përfitimi. Këtu, meqë ra fjala, erdhi në kohë teoria më e re në modë e çmendurisë së përkohshme, që përpiqen ta zbatojnë kaq shpesh në kohën tonë për disa kriminelë. Përveç kësaj, gjendja hipokondriake e vjetër e Raskolnikovit u deklarua me saktësi nga shumë dëshmitarë, nga doktor Zosimovi, nga shokët e tij të dikurshëm, nga e zonja e shtëpisë, nga shërbëtorja. Të gjitha këto ndihmuan fort në përfundimin se Raskolnikovi s’i ngjan krejt një vrasësi, kusari e grabitësi të zakonshëm, por se këtu ka diçka tjetër. Për mërzinë më të madhe të atyre që e mbronin këtë mendim, vetë krimineli pothuajse s’u përpoq ta mbronte veten; në pyetjet përfundimtare: ç’mund ta kishte shtyrë pikërisht drejt vrasjes e ç’e kishte nxitur të kryente grabitjen, ai u përgjigj shumë qartë, me saktësinë më të vrazhdë, se shkaku i gjithçkaje ishte gjendja e tij e keqe, varfëria e pafuqia e tij, dëshira për të forcuar hapat e parë të karrierës së tij në jetë me ndihmën e të paktën tre mijë rublave, që llogariste t’i gjente te e vrara. Kurse për vrasjen kishte vendosur për shkak të karakterit të tij mendjelehtë e frikacak, të acaruar, përveç kësaj, nga privimet e dështimet. Kurse në pyetjet se ç’e kishte shtyrë pikërisht të paraqitej e ta rrëfente fajin, u përgjigj drejt se pendimi i sinqertë. E gjitha kjo ishte gati vrazhdë…
Dënimi, megjithatë, doli më i mëshirshëm nga ç’mund të pritej, duke gjykuar nga krimi i kryer, dhe, ndoshta, pikërisht sepse krimineli jo vetëm që s’donte të justifikohej, por madje sikur shprehte dëshirën ta fajësonte veten edhe më shumë. Të gjitha rrethanat e çuditshme e të veçanta të çështjes u morën parasysh. Gjendja e sëmurë e e mjerë e kriminelit para kryerjes së krimit s’u vu aspak në dyshim. Fakti që ai s’përfitoi nga të grabiturat u llogarit pjesërisht si veprim i pendimit që ishte zgjuar, pjesërisht si gjendje jo plotësisht e shëndoshë e aftësive mendore gjatë kryerjes së krimit. Rrethana e vrasjes së rastësishme të Lizavetës madje shërbeu si shembull që e përforconte këtë supozim të fundit: njeriu kryen dy vrasje e njëkohësisht harron se dera është e hapur! Më në fund, paraqitja me rrëfim, pikërisht në kohën kur çështja ishte ngatërruar jashtëzakonisht për shkak të dëshmisë së rreme kundër vetes të një fanatiku të rënë shpirtërisht (Nikolajt) dhe, përveç kësaj, kur kundër kriminelit të vërtetë jo vetëm që s’kishte prova të qarta, por madje as dyshime pothuajse (Porfiri Petroviçi e mbajti plotësisht fjalën), të gjitha këto ndihmuan përfundimisht në zbutjen e fatit të të akuzuarit.
U shfaqën, përveç kësaj, krejt papritur edhe rrethana të tjera, shumë të favorshme për të pandehurin. Ish-studenti Razumihin kishte gjetur nga diku të dhëna dhe paraqiti prova se krimineli Raskolnikov, kur ishte në universitet, me mjetet e tij të fundit kishte ndihmuar një shok të varfër e me tuberkuloz të universitetit dhe pothuajse e kishte mbajtur gjatë gjysmë viti. Kur ky vdiq, ishte kujdesur për babain plak e të paralizuar të shokut të vdekur, që kishte mbetur gjallë (i cili e kishte mbajtur e ushqyer babain e tij me punën e tij gati qysh nga mosha trembëdhjetëvjeçare), më në fund e kishte vendosur këtë plak në spital, e kur vdiq edhe ai, e kishte varrosur. Të gjitha këto të dhëna patën njëfarë ndikimi të favorshëm në vendimin për fatin e Raskolnikovit. Vetë e zonja e tij e dikurshme, nëna e së fejuarës së vdekur të Raskolnikovit, vejusha Zarnicina, dëshmoi gjithashtu se, kur jetonin ende në një shtëpi tjetër, te Pesë Qoshet, Raskolnikovi gjatë një zjarri, natën, kishte nxjerrë nga një banesë, që kishte marrë flakë tashmë, dy fëmijë të vegjël, dhe ishte djegur në këtë rast. Ky fakt u hetua me kujdes dhe u dëshmua mjaft mirë nga shumë dëshmitarë. Me një fjalë, mbaroi me atë që krimineli u dënua me punë katorge të kategorisë së dytë, për një afat vetëm tetë vjet, duke pasur parasysh paraqitjen me rrëfim e disa rrethana lehtësuese.
Qysh në fillim të procesit nëna e Raskolnikovit u sëmur. Dunja dhe Razumihini gjetën mundësinë ta largonin nga Petersburgu për gjithë kohën e gjyqit. Razumihini zgjodhi një qytet në hekurudhë e në largësi të afërt nga Petersburgu, që të kishte mundësi të ndiqte rregullisht të gjitha rrethanat e procesit e njëkohësisht të shihej sa më shpesh me Avdotja Romanovnën. Sëmundja e Pulherija Aleksandrovnës ishte diçka e çuditshme, nervore, e shoqërohej me diçka si çmenduri, në mos krejtësisht, të paktën pjesërisht. Dunja, kur u kthye nga takimi i fundit me të vëllanë, e gjeti nënën tashmë krejt të sëmurë, me ethe e në kllapi. Po atë mbrëmje u mor vesh me Razumihinin se ç’t’i përgjigjeshin pikërisht nënës në pyetjet e saj për vëllanë, e madje sajoi bashkë me të, për nënën, një histori të tërë për nisjen e Raskolnikovit diku larg, në kufi të Rusisë, për një detyrë private, që do t’i sillte më në fund edhe para, edhe famë. Por i habiti fakti që për asgjë nga këto vetë Pulherija Aleksandrovna s’pyeti as atëherë, as më pas. Përkundrazi, ajo vetë kishte një histori të tërë për nisjen e papritur të të birit; tregonte me lot si kishte ardhur ai t’i thoshte lamtumirë; jepte të kuptonte me aluzione se vetëm ajo dinte shumë rrethana shumë të rëndësishme e misterioze dhe se Rodja kishte shumë armiq shumë të fortë, kështu që madje duhet të fshihej. Sa i përket karrierës së tij të ardhshme, edhe kjo i dukej e padyshimtë e e shkëlqyer, kur të kalonin disa rrethana armiqësore; e siguronte Razumihinin se i biri me kohë do të bëhej madje burrë shteti, gjë që e provonte artikulli i tij dhe talenti i tij letrar i shkëlqyer. Këtë artikull e lexonte pa pushim, e lexonte ndonjëherë madje me zë, gati flinte me të, e megjithatë, ku ndodhej pikërisht tani Rodja, pothuajse s’pyeste, pavarësisht madje se dukshëm i shmangeshin të flisnin me të për këtë, — gjë që vetëm mund t’ia ngjallte dyshimin. Më në fund filluan të kishin frikë nga kjo heshtje e çuditshme e Pulherija Aleksandrovnës për disa pika. Ajo, për shembull, madje as s’ankohej që s’kishte letra prej tij, ndërsa më parë, kur rronte në qytetzën e saj, rronte vetëm me shpresën e me pritjen për të marrë sa më shpejt një letër nga Rodja i dashur. Rrethana e fundit ishte tepër e pashpjegueshme dhe e shqetësonte fort Dunjën; i vinte në mendje se nëna, ndoshta, parandien diçka të tmerrshme në fatin e të birit dhe ka frikë të pyesë, që të mos mësojë diçka edhe më të tmerrshme. Në çdo rast, Dunja e shihte qartë se Pulherija Aleksandrovna s’ishte me mendje të shëndoshë.
Nja dy herë, megjithatë, ndodhi që ajo vetë ta drejtonte bisedën kështu, sa ishte e pamundur, duke iu përgjigjur, të mos përmendej se ku ndodhej pikërisht tani Rodja; e kur përgjigjet pa dashje duhej të dilnin të pakënaqshme e të dyshimta, ajo u bë befas jashtëzakonisht e trishtuar, e zymtë e e heshtur, gjë që zgjati shumë kohë. Dunja pa më në fund se ishte e vështirë të gënjeje e të sajoje dhe arriti në përfundimin përfundimtar se ishte më mirë të heshtej krejt për disa pika të caktuara; por gjithnjë e më shumë bëhej e qartë deri në dukshmëri se nëna e gjorë dyshonte diçka të tmerrshme. Dunjës iu kujtuan, ndër të tjera, fjalët e vëllait, se nëna kishte dëgjuar kllapinë e saj, natën para asaj dite të fundit fatale, pas skenës së saj me Svidrigajlovin: mos dëgjoi diçka atëherë? Shpesh, ndonjëherë pas disa ditësh e madje javësh heshtjeje të zymtë, të errët e lotësh të heshtur, e sëmura gjallërohej disi në mënyrë histerike dhe fillonte befas të fliste me zë, gati pa pushuar, për të birin, për shpresat e saj, për të ardhmen… Fantazitë e saj ishin ndonjëherë shumë të çuditshme. I bënin qejfin, i jepnin të drejtë (ajo vetë, ndoshta, e shihte qartë që i jepnin të drejtë vetëm për t’i bërë qejfin), por ajo megjithatë fliste…
Pesë muaj pas paraqitjes së kriminelit me rrëfim pasoi dënimi i tij. Razumihini takohej me të në burg, sa herë që ishte e mundur. Edhe Sonja. Më në fund erdhi edhe ndarja; Dunja iu betua të vëllait se kjo ndarje s’ishte përjetë; edhe Razumihini. Në kokën e re e të zjarrtë të Razumihinit u forcua fort projekti që në tri-katër vitet e ardhshme të hidhte, sa të ishte e mundur, të paktën fillimin e një pasurie të ardhshme, të kursente të paktën ca para e të shpërngulej në Siberi, ku toka është e pasur në të gjitha drejtimet, kurse punëtorë, njerëz e kapitale ka pak; të vendosej atje pikërisht në qytetin ku do të ishte Rodja, dhe… të fillonin të gjithë bashkë një jetë të re. Duke u ndarë, të gjithë qanin. Raskolnikovi ditët e fundit fare ishte shumë i menduar, pyeste shumë për nënën, shqetësohej vazhdimisht për të. Madje mundohej tepër për të, gjë që e shqetësonte Dunjën. Kur mori vesh me hollësi për gjendjen e sëmurë të nënës, u bë shumë i zymtë. Me Sonjën, s’dihej pse, ishte veçanërisht fjalëpakë gjatë gjithë kohës. Sonja, me ndihmën e parave që i kishte lënë Svidrigajlovi, ishte bërë gati prej kohësh e ishte përgatitur ta ndiqte grupin e të burgosurve me të cilin do të nisej edhe ai. Për këtë s’ishte përmendur kurrë asnjë fjalë midis saj e Raskolnikovit; por të dy e dinin që kështu do të ishte. Në ndarjen e fundit fare ai buzëqeshte çuditshëm me sigurimet e zjarrta të motrës e të Razumihinit për të ardhmen e tyre të lumtur, kur ai të dilte nga katorga, dhe parashikoi se gjendja e sëmurë e nënës do të mbaronte shpejt me fatkeqësi. Ai e Sonja më në fund u nisën.
Dy muaj më vonë Duneçka u martua me Razumihinin. Dasma ishte e trishtuar e e qetë. Nga të ftuarit ishin, megjithatë, Porfiri Petroviçi e Zosimovi. Gjatë gjithë kohës së fundit Razumihini kishte pamjen e një njeriu që kishte vendosur me vendosmëri. Dunja besonte verbërisht se ai do t’i përmbushte të gjitha qëllimet e tij, e as s’mund të mos besonte: te ky njeri dukej një vullnet i hekurt. Ndër të tjera, ai filloi përsëri të ndiqte leksionet e universitetit, që ta mbaronte kursin. Te ta të dy krijoheshin çdo minutë plane për të ardhmen; të dy llogaritnin me vendosmëri që pas pesë vjetësh me siguri të shpërnguleshin në Siberi. Deri atëherë shpresonin atje te Sonja…
Pulherija Aleksandrovna e bekoi me gëzim të bijën për martesën me Razumihinin; por pas kësaj martese sikur u bë edhe më e trishtuar e më e shqetësuar. Për t’i dhënë një minutë të këndshme, Razumihini i tregoi, ndër të tjera, faktin për studentin e babain e tij të plakur e për atë se Rodja ishte djegur e madje ishte sëmurur, pasi kishte shpëtuar nga vdekja, vitin e kaluar, dy të vegjël. Të dy lajmet e çuan Pulherija Aleksandrovnën, edhe pa këtë të çrregulluar nga mendja, gati në një gjendje ekstaze. Fliste pa pushim për këtë, hynte në bisedë edhe në rrugë (megjithëse Dunja e shoqëronte vazhdimisht). Në karrocat publike, nëpër dyqane, duke kapur qoftë edhe ndonjë dëgjues, e drejtonte bisedën te i biri, te artikulli i tij, si ai e kishte ndihmuar studentin, ishte djegur në zjarr e kështu me radhë. Duneçka madje s’dinte si ta mbante. Përveç rrezikut të një humori të tillë ekstatik, të sëmurë, vetëm kjo kanosej me fatkeqësi, se dikush mund ta kujtonte mbiemrin Raskolnikov nga çështja gjyqësore e dikurshme e të fillonte të fliste për këtë. Pulherija Aleksandrovna mori vesh madje adresën e nënës së dy të vegjëlve të shpëtuar nga zjarri dhe donte patjetër të shkonte tek ajo. Më në fund shqetësimi i saj u rrit deri në kufijtë e skajshëm. Ndonjëherë fillonte befas të qante, sëmurej shpesh e fliste përçart në ethe. Një ditë, në mëngjes, deklaroi drejt se, sipas llogarive të saj, së shpejti duhej të vinte Rodja, se i kujtohej si ai vetë, duke u ndarë me të, kishte përmendur se pikërisht pas nëntë muajsh duhej pritur. Filloi të rregullonte gjithçka në banesë e të përgatitej për pritjen, filloi të rregullonte dhomën që i caktohej atij (dhomën e saj vetjake), të pastronte mobiliet, të lante e të vinte perde të reja e kështu me radhë. Dunja u shqetësua, por heshtte e madje e ndihmonte ta rregullonte dhomën për pritjen e vëllait. Pas një dite të shqetësuar, të kaluar në fantazi të pandërprera, në ëndrra të gëzuara e në lot, natën ajo u sëmur dhe në mëngjes ishte tashmë me ethe e në kllapi. I filloi ethja e fortë. Pas dy javësh vdiq. Në kllapi i shpëtonin fjalë nga të cilat mund të nxirrej përfundimi se ajo kishte dyshuar për fatin e tmerrshëm të të birit shumë më tepër nga ç’e kishin supozuar madje.
Raskolnikovi s’e mori vesh për një kohë të gjatë vdekjen e nënës, megjithëse korrespondenca me Petersburgun ishte vendosur qysh në fillim fare të vendosjes së tij në Siberi. U rregullua nëpërmjet Sonjës, e cila çdo muaj i shkruante me rregull Petersburgut në emër të Razumihinit dhe çdo muaj merrte me rregull përgjigje nga Petersburgu. Letrat e Sonjës në fillim u dukeshin Dunjës e Razumihinit disi të thata e të pakënaqshme; por në fund që të dy gjetën se më mirë s’mund të shkruhej, sepse edhe nga këto letra në rezultat dilte megjithatë përfytyrimi më i plotë e i saktë për fatin e vëllait të tyre fatkeq. Letrat e Sonjës ishin mbushur me realitetin më të përditshëm, me përshkrimin më të thjeshtë e të qartë të gjithë mjedisit të jetës së katorgës së Raskolnikovit. Këtu s’kishte as paraqitje të shpresave të saj, as hamendje për të ardhmen, as përshkrime të ndjenjave të saj. Në vend të përpjekjeve për të shpjeguar gjendjen e tij shpirtërore e në përgjithësi gjithë jetën e tij të brendshme qëndronin vetëm fakte, domethënë fjalët e tij vetjake, lajme të hollësishme për gjendjen e shëndetit të tij, ç’kishte dëshiruar në atë ose atë takim, ç’i kishte kërkuar, ç’i kishte porositur e kështu me radhë. Të gjitha këto lajme jepeshin me hollësi të jashtëzakonshme. Figura e vëllait fatkeq më në fund doli vetvetiu, u vizatua saktë e qartë; këtu s’mund të kishte as gabime, sepse të gjitha ishin fakte të vërteta.
Por pak gjëra ngushëlluese mund të nxirrnin Dunja dhe i shoqi nga këto lajme, sidomos në fillim. Sonja njoftonte pa pushim se ai ishte vazhdimisht i zymtë, fjalëpakë e madje gati aspak s’interesohej për lajmet që ajo i jepte çdo herë nga letrat që merrte; se ai pyeste ndonjëherë për nënën; e kur ajo, duke parë që ai e merrte me mend tashmë të vërtetën, i tregoi më në fund për vdekjen e saj, atëherë, për habinë e saj, madje edhe lajmi për vdekjen e nënës sikur s’ndikoi shumë fort mbi të, të paktën kështu iu duk asaj nga pamja e jashtme. Ajo njoftonte, ndër të tjera, se, pavarësisht se ai, me sa dukej, ishte kaq i zhytur në vetvete e sikur ishte mbyllur nga të gjithë, — ndaj jetës së tij të re ishte sjellë shumë drejt e thjesht; se e kuptonte qartë gjendjen e tij, s’priste së afërmi asgjë më të mirë, s’kishte kurrfarë shpresash mendjelehta (që janë kaq të natyrshme në gjendjen e tij) dhe pothuajse për asgjë s’habitej mes mjedisit të ri që e rrethonte, kaq pak të ngjashëm me çfarëdo gjëje të mëparshme. Njoftoi se shëndeti i tij ishte i kënaqshëm. Shkonte në punë, të cilave s’u shmangej e për të cilat s’kërkonte. Ndaj ushqimit ishte gati indiferent, por ky ushqim, përveç ditëve të diela e të festave, ishte aq i keq, sa më në fund ai pranoi me qejf prej saj, Sonjës, ca para, për të pasur çaj çdo ditë; kurse për gjithë të tjerat i kishte kërkuar të mos shqetësohej, duke e siguruar se gjithë këto kujdese për të vetëm e bezdisnin. Më tej Sonja njoftonte se vendi i tij në burg ishte i përbashkët me të gjithë; brendësinë e kazermave të tyre s’e kishte parë, por nxirrte përfundimin se atje ishte ngushtë, e shëmtuar e e pashëndetshme; se ai flinte mbi dërrasat e fjetjes, duke shtruar poshtë vetes një copë shajaku, dhe s’donte të rregullonte asgjë tjetër për vete. Por se rronte kaq vrazhdë e varfër aspak jo sipas ndonjë plani a qëllimi të paramenduar, por thjesht nga mosvëmendja e indiferenca e jashtme ndaj fatit të tij. Sonja shkruante drejt se ai, sidomos në fillim, jo vetëm që s’interesohej për vizitat e saj, por madje gati mërzitej me të, ishte fjalëpakë e madje i vrazhdë me të, por se në fund këto takime i ishin kthyer në zakon e madje gati në nevojë, kështu që ai madje ishte pikëlluar shumë kur ajo kishte qenë e sëmurë disa ditë e s’kishte mundur ta vizitonte. Kurse takohej me të në ditët e festave te porta e burgut ose në korpusin e rojes,2 ku e thërrisnin tek ajo për disa minuta; kurse në ditët e javës në punë, ku shkonte ajo tek ai, ose në punishte, ose në furrat e tullave, ose në hangarët në bregun e Irtishit. Për veten Sonja njoftonte se i kishte dalë për dore të fitonte në qytet madje disa njohje e mbrojtje; se merrej me qepje, e meqë në qytet pothuajse s’kishte modiste, ishte bërë madje e domosdoshme në shumë shtëpi; vetëm s’përmendte që nëpërmjet saj edhe Raskolnikovi kishte fituar mbrojtjen e eprorëve, që i lehtësoheshin punët e kështu me radhë. Më në fund erdhi lajmi (Dunja madje vuri re një trazim e shqetësim të veçantë në letrat e saj të fundit) se ai u shmangej të gjithëve, se në burg të dënuarit s’e kishin dashur; se heshtte ditë të tëra dhe po zbehej shumë. Befas, në letrën e fundit, Sonja shkroi se ai ishte sëmurur shumë rëndë dhe dergjej në spital, në pavijonin e të burgosurve…
Shënime
Found a mistake in this chapter? Report a mistake