← Zonja Bovari

Pjesa e dytë — I · Zonja Bovari

Chapter 11 of 36

Jonvil-l’Abei (i quajtur kështu prej një abacie të vjetër kapuçinësh, rrënojat e së cilës s’ekzistojnë më) është një qytezë tetë ligë larg Ruanit, mes rrugës së Abevilit dhe asaj të Boveut, në fund të një lugine që e ujit Riëla, një lumë i vogël që derdhet në Andelë, pasi ka vënë në lëvizje tri mullinj afër grykës, dhe ku ka ca troftë, që djemtë i zënë me grep të dielave për qejf.

Xhadeja lihet te La Buasier dhe vazhdon rrafsh deri në majë të kodrës së Lëve, prej nga shihet lugina. Lumi që e përshkon e ndan si në dy krahina me pamje të ndryshme: gjithçka majtas është livadh, gjithçka djathtas është arë. Livadhi zgjatet nën një varg kodrash të ulëta, për t’u bashkuar prapa me kullotat e krahinës Bre, ndërsa nga lindja fusha, duke u ngjitur ngadalë, zgjerohet dhe shtrin sa hap syri arat e saj të verdha me grurë. Uji që rrjedh buzë barit ndan me një vijë të bardhë ngjyrën e livadheve nga ajo e brazdave, dhe kështu fusha i ngjan një manteli të madh të shpalosur, që ka një jakë kadifeje të gjelbër me anë gajtani argjendi.

Në fund të horizontit, kur mbërrin, ke përpara lisat e pyllit të Arguejit, me shpatet e thepisura të kodrës së Shën-Zhanit, të vizuara nga lart poshtë me vija të gjata e të kuqe, të pabarabarta; janë gjurmët e shirave, dhe këto ngjyra tulle, që shquhen si fije të holla mbi ngjyrën gri të malit, vijnë nga burimet e shumta me hekur që rrjedhin përtej, në krahinën përreth.

Këtu je në kufijtë e Normandisë, të Pikardisë dhe të Il-dë-Fransit, një vend i përzier, ku të folurit është pa theks, ashtu si peizazhi pa karakter. Këtu bëhen djathërat më të këqij të Nëfshatelit në gjithë rrethin, dhe, nga ana tjetër, bujqësia kushton shtrenjtë, sepse duhet shumë pleh për të majmur këto toka të shkrifëta plot rërë e gurë.

Deri më 1835 s’kishte asnjë rrugë të kalueshme për të arritur në Jonvil; por rreth asaj kohe u ndërtua një rrugë e madhe ndërfshatare, që lidh rrugën e Abevilit me atë të Amienit dhe që u shërben ndonjëherë karrocierëve që shkojnë nga Ruani në Flandër. Megjithatë Jonvil-l’Abei mbeti në vend, pavarësisht nga daljet e reja. Në vend që të përmirësojnë bujqësinë, aty ngulin këmbë ende te kullotat, sado të zhvlerësuara të jenë, dhe qyteza përtace, duke iu shmangur fushës, ka vazhduar natyrshëm të zgjerohet drejt lumit. E sheh që larg, të shtrirë gjatë mbi breg, si një bari lopësh që fle drekën buzë ujit.

Në fund të bregores, pas urës, fillon një rrugë e shtruar, e mbjellë me plepa të rinj, që të çon drejt e te shtëpitë e para të vendit. Ato janë të rrethuara me gardhe, në mes oborresh plot me ndërtesa të shpërndara, shtrydhëse mollësh, hangarë qerresh e kazanë rakie, të hedhura nën pemë të dendura, nëpër degët e të cilave janë varur shkallë, purteka ose kosa. Çatitë prej kashte, si kësula gëzofi të ulura mbi sy, zbresin gati deri në një të tretën e dritareve të ulëta, xhamat e trashë e të fryrë të të cilave kanë në mes një nyjë, si funde shishesh. Mbi murin prej allçie, që e përshkojnë diagonalisht trarë të zinj, kapet ndonjëherë ndonjë dardhë e dobët, dhe shtëpitë përdhese kanë para derës një portëz të vogël rrotulluese, që t’i mbrojë nga zogjtë e pulave, që vijnë e çukisin në prag thërrime buke të zezë të njomur në sidër. Pastaj oborret ngushtohen, banesat afrohen, gardhet zhduken; një tufë fieri lëkundet nën një dritare në majë të një bishti fshese; ka farkën e një nallbani dhe pastaj një qerrebërës me dy-tri qerre të reja jashtë, që zënë rrugën. Pastaj, nëpër një parmak me hapësira, shfaqet një shtëpi e bardhë përtej një rrethi bari që e zbukuron një Kupid me gisht mbi gojë; dy vazo prej gize qëndrojnë në të dy anët e shkallëve; pllakat e zyrës shkëlqejnë te dera; është shtëpia e noterit, më e bukura e vendit.

Kisha është në anën tjetër të rrugës, njëzet hapa më tutje, në hyrje të sheshit. Varrezat e vogla që e rrethojnë, të mbyllura me një mur sa për t’u mbështetur, janë aq të mbushura me varre, sa gurët e vjetër, në një rrafsh me tokën, bëjnë një shtrim të vazhdueshëm, ku bari ka vizatuar vetvetiu katrorë të gjelbër të rregullt. Kisha është rindërtuar e re në vitet e fundit të mbretërimit të Sharlit X. Qemeri prej druri ka nisur të kalbet nga lart, dhe vende-vende ka gropa të zeza në ngjyrën e tij blu. Mbi derë, aty ku do të ishte organoja, është një galeri për burrat, me një shkallë spirale që buçet nën nallanet.

Drita e plotë, që hyn nga xhamat e thjeshtë, ndriçon për së gjeri stolat e vendosur tërthor pas murit, ku aty-këtu është mbërthyer ndonjë hasër, me këto fjalë poshtë me shkronja të mëdha: „Stoli i zotit filan.“ Më tej, aty ku nefi ngushtohet, rrëfyesorja qëndron përballë një statuje të vogël të Virgjëreshës, të veshur me fustan sateni, me një vello tyli të spërkatur me yje argjendi mbi kokë dhe krejt të kuqe në mollëza si një idhull i ishujve Sanduiç; dhe më në fund një kopje e Familjes së Shenjtë, dërguar nga ministri i Brendshëm, që sundon mbi altarin e madh mes katër shandanëve, e mbyll në fund perspektivën. Stolat e korit, prej druri pishe, kanë mbetur pa u lyer.

Tregu, domethënë një çati me tjegulla e mbajtur nga rreth njëzet shtylla, zë vetëm ai afro gjysmën e sheshit të madh të Jonvilit. Bashkia, e ndërtuar sipas projektit të një arkitekti nga Parisi, është një lloj tempulli grek që zë qoshen, pranë shtëpisë së farmacistit. Në katin përdhes ka tri kolona jonike dhe në katin e parë një galeri me harqe të rrumbullakëta, ndërsa trekëndëshin që e mbyll e mbush një gjel galik, që mbështet njërën këmbë mbi Kartën dhe mban me tjetrën peshoren e drejtësisë.1

Por ajo që të tërheq më shumë sytë është, përballë hanit Luani i Artë, farmacia e zotit Ome! Sidomos në mbrëmje, kur ndizet llamba e tij me vaj dhe enët e kuqe e të gjelbra që i zbukurojnë vitrinën zgjasin larg mbi tokë dy dritat e tyre me ngjyrë; atëherë, përmes tyre, si në dritat bengaleze, shihet hija e farmacistit, e mbështetur me bërryl mbi tryezën e punës. Shtëpia e tij, nga lart poshtë, është e mbuluar me mbishkrime me shkronja të pjerrëta, të rrumbullakëta e të shtypura: „Ujëra Vichy, Seltz e Barèges, shurupe pastruese, ilaçi Raspail, racahout i arabëve, pastilje Darcet, pastë Regnault, fasha, banja, çokollata shëndeti, etj.“2 Dhe tabela, që zë gjithë gjerësinë e dyqanit, ka me shkronja ari: Ome, farmacist. Pastaj, në fund të dyqanit, pas peshoreve të mëdha të mbërthyera mbi banak, fjala laborator shpaloset mbi një derë me xhama, që, në mes të lartësisë, përsërit edhe një herë Ome, me shkronja ari mbi sfond të zi.

Pastaj s’ka më asgjë për të parë në Jonvil. Rruga (e vetmja), e gjatë sa një e shtënë pushke dhe e rrethuar nga disa dyqane, mbaron befas te kthesa e xhades. Po ta lësh djathtas dhe të ndjekësh rrëzën e kodrës së Shën-Zhanit, shpejt mbërrin te varrezat.

Në kohën e kolerës,3 për t’i zgjeruar, rrëzuan një copë muri dhe blenë tri akra tokë aty pranë; por gjithë kjo pjesë e re është gati e pabanuar, sepse varret, si dikur, vazhdojnë të grumbullohen drejt portës. Roja, që është njëkohësisht varrmihës dhe kujdestar i kishës (duke nxjerrë kështu nga kufomat e famullisë një fitim të dyfishtë), ka përfituar nga toka bosh për të mbjellë patate. Megjithatë, vit pas viti, arëza e tij ngushtohet, dhe kur bie ndonjë epidemi, ai s’e di nëse duhet të gëzohet për vdekjet apo të hidhërohet për varret.

— Ju ushqeheni me të vdekurit, Lestibudua! — i tha më në fund një ditë zoti famullitar.

Këto fjalë të zymta e bënë të mendohej; e ndalën për ca kohë; por edhe sot e kësaj dite ai vazhdon t’i mbjellë zhardhokët e tij, madje mbron me siguri se rriten natyrshëm.

Që nga ngjarjet që do të tregohen, në të vërtetë asgjë s’ka ndryshuar në Jonvil. Flamuri trengjyrësh prej llamarine vërtitet ende në majë të kambanores së kishës; dyqani i stofrave të modës tund ende në erë dy flamurët e tij prej basme; fetuset e farmacistit, si pako eshke të bardhë, kalben gjithnjë e më shumë në alkoolin e tyre të turbullt, dhe mbi portën e madhe të hanit, luani i vjetër i artë, i zbardhur nga shirat, u tregon ende kalimtarëve kaçurrelat e tij prej qeni pudël.

Mbrëmjen kur bashkëshortët Bovari do të mbërrinin në Jonvil, zonja Lëfransua, e ve, e zonja e këtij hani, ishte aq e zënë, saqë i rridhnin pika të mëdha djerse ndërsa trazonte tenxheret. Të nesërmen ishte ditë tregu në qytezë. Duhej prerë mishi që përpara, pastruar pulat, bërë supë e kafe. Kishte, përveç kësaj, ushqimin e qiraxhinjve të saj, atë të mjekut, të gruas së tij dhe të shërbyeses së tyre; bilardoja kumbonte nga të qeshurat; tre mullixhinj, në sallën e vogël, thërrisnin që t’u sillnin raki; drutë flakëronin, prushi kërciste, dhe mbi tryezën e gjatë të kuzhinës, mes copave të mishit të gjallë të dashit, ngriheshin pirgje pjatash që dridheshin nga goditjet e trungut ku grihej spinaqi. Në oborr dëgjoje shpendët që bërtisnin, ndërsa shërbyesja i ndiqte për t’u prerë kokën.

Një burrë me pantofla prej lëkure të gjelbër, pak i shenjuar nga lija dhe me një kësulë kadifeje me xhufkë ari, ngrohte kurrizin pas oxhakut. Fytyra e tij s’shprehte gjë tjetër veç kënaqësisë me veten, dhe dukej po aq i qetë në jetë sa gardelini i varur mbi kokën e tij në një kafaz thuprash: ishte farmacisti.

— Artemiza! — bërtiste e zonja e hanit, — thyej ca shkarpa, mbush brokat, sill raki, nxito! Të paktën sikur ta dija ç’ëmbëlsirë t’u shtroj atyre që po prisni! O Zot i madh! Djemtë e shpërnguljes ia nisën prapë zhurmës në bilardo! Dhe qerrja e tyre ka mbetur nën portën e madhe! Dallëndyshja është në gjendje ta bëjë copë kur të mbërrijë! Thirre Politin ta fusë nën strehë!… Ta thuash, zoti Ome, që nga mëngjesi ata kanë bërë ndoshta pesëmbëdhjetë lojëra e kanë pirë tetë kana me sidër!… Po do të ma grisin çohun, — vazhdonte ajo, duke i parë që larg, me garuzhdën në dorë.

— S’do të ishte ndonjë dëm i madh, — u përgjigj zoti Ome, — do të blinit një tjetër.

— Një bilardo tjetër! — thirri e veja.

— Meqë kjo s’mban më, zonja Lëfransua; jua them përsëri, po e dëmtoni veten! po e dëmtoni shumë! E pastaj, sot amatorët duan gropa të ngushta dhe steka të rënda. S’luhet më si dikur; gjithçka ka ndryshuar! Duhet ecur me kohën! Shikoni Telienë, për shembull…

E zonja e hanit u skuq nga inati. Farmacisti shtoi:

— Bilardoja e tij, thoni ç’të doni, është më e hijshme se e juaja; e po t’i shkrepë, për shembull, të organizojë një turne patriotik për Poloninë ose për të përmbyturit e Lionit…4

— S’janë lypsarë si ai që na trembin ne! — e ndërpreu e zonja e hanit, duke ngritur supet e saj të trasha. — Shkoni, shkoni, zoti Ome! Sa të jetë gjallë Luani i Artë, njerëzit do të vijnë. Ne e kemi kesën plot! Kurse një nga këto mëngjese do ta shihni Kafenenë Franceze të mbyllur, me një afishe të bukur mbi kanata!… Ta ndërroj bilardon time, — vazhdonte, duke folur me vete, — që më vjen aq mirë për të shtrirë rrobat e lara, e mbi të cilën, në kohën e gjuetisë, kam vënë të flenë deri në gjashtë udhëtarë!… Po ky ngordhalaq i Iverit që s’po vjen!

— E prisni për darkën e zotërinjve tuaj? — pyeti farmacisti.

— Ta pres? Po zoti Bine? Në orën gjashtë fiks do ta shihni të hyjë, se si ai s’ka tjetër mbi dhe për përpikëri. I duhet gjithmonë vendi i tij në sallën e vogël! Më mirë ta vrasësh sesa ta bësh të hajë darkë gjetiu! Dhe sa i neveritshëm që është! Dhe sa i vështirë për sidrin! S’është si zoti Leon; ai vjen ndonjëherë në shtatë, madje edhe në shtatë e gjysmë; as që e shikon ç’ha. Ç’djalë i mirë! Kurrë s’ngre zërin.

— Sepse ka shumë dallim, e shihni, mes dikujt që ka marrë edukatë dhe një ish-karabinieri që është tagrambledhës.

Ra ora gjashtë. Bine hyri.

Ishte veshur me një redingotë blu, që i binte drejt vetiu rreth trupit të tij të thatë, dhe kasketa prej lëkure, me veshoret të lidhura me kordonë mbi majë të kokës, linte të dukej, nën strehën e ngritur, një ballë tullac, që e kishte shtypur zakoni i përkrenares. Mbante një jelek stofi të zi, një jakë me qime kali, pantallona gri dhe, në çdo stinë, çizme të lyera mirë, që kishin dy fryrje paralele për shkak të gishtave që i dilnin. As edhe një qime s’i dilte nga vija e mjekrës së tij të verdhë si rrip, që, duke i rrethuar nofullën, ia kornizonte si anën e një lehe fytyrën e gjatë e të zbehtë, me sy të vegjël e hundë të kërrusur. I fortë në të gjitha lojërat me letra, gjahtar i mirë dhe me shkrim të bukur, kishte në shtëpi një torno, ku argëtohej duke punuar unaza pecetash, me të cilat e kishte mbushur shtëpinë, me xhelozinë e një artisti dhe me egoizmin e një qytetari.

U drejtua nga salla e vogël; por u desh që në fillim të nxirrnin që andej tre mullixhinjtë; dhe gjatë gjithë kohës që i shtruan tryezën, Bine ndenji i heshtur në vendin e tij, pranë sobës; pastaj mbylli derën dhe hoqi kasketën, si zakonisht.

— S’janë mirësjelljet që do t’ia konsumojnë gjuhën! — tha farmacisti, sapo mbeti vetëm me të zonjën e hanit.

— Kurrë s’flet më shumë, — u përgjigj ajo; — javën e kaluar erdhën këtu dy agjentë tregtarë stofrash, djem plot humor, që në mbrëmje tregonin një mal me shaka, sa qaja nga të qeshurit; e pra, ai rrinte aty memec si peshk, pa nxjerrë një fjalë.

— Po, — bëri farmacisti, — pa imagjinatë, pa batuta, pa asgjë nga ato që e bëjnë njeriun të shoqërisë!

— Thonë megjithatë që ka aftësi, — kundërshtoi e zonja e hanit.

— Aftësi? — ia ktheu zoti Ome; — ai! aftësi? Në zanatin e tij, mund të jetë, — shtoi me ton më të qetë.

Dhe vazhdoi:

— Ah! që një tregtar me lidhje të rëndësishme, që një jurist, një mjek, një farmacist të jenë aq të zhytur në punë sa të bëhen tekanjozë e madje të vrazhdë, këtë e kuptoj; përmenden raste të tilla nëpër histori! Por të paktën kjo ndodh se po mendojnë diçka. Unë, për shembull, sa herë më ka ndodhur të kërkoj penën mbi tryezë për të shkruar një etiketë, e në fund të gjej që e kisha vënë pas veshit!

Ndërkaq zonja Lëfransua doli në prag të shihte nëse po vinte Dallëndyshja. U drodh. Një burrë i veshur me të zeza hyri befas në kuzhinë. Në dritat e fundit të muzgut dallohej se kishte fytyrë të kuqe e trup atleti.

— Ç’ju shërben, zoti famullitar? — pyeti e zonja e hanit, ndërsa zgjaste dorën mbi oxhak për të marrë një nga shandanët prej bronzi që qëndronin aty në rresht si kolonadë, me qirinjtë e tyre; — doni të pini diçka? një gisht liker rrush frëngu, një gotë verë?

Kleriku refuzoi shumë me edukatë. Kishte ardhur të merrte çadrën, që e kishte harruar ditën tjetër në manastirin e Ernëmonit, dhe, pasi iu lut zonjës Lëfransua t’ia çonte në famulli gjatë mbrëmjes, doli për të shkuar në kishë, ku po binte Angelusi.

Kur farmacisti s’e dëgjoi më në shesh zhurmën e këpucëve të tij, e gjeti shumë të pahijshme sjelljen e tij të pak më parë. Ky refuzim për të pranuar një freskuese i dukej një hipokrizi nga më të neveritshmet; priftërinjtë hanin e pinin të gjithë pa i parë njeri dhe kërkonin të kthenin kohën e të dhjetës.

E zonja e hanit mori në mbrojtje famullitarin e saj:

— E pastaj, ai do të thyente katër si ju mbi gju. Vitin e kaluar i ndihmoi njerëzit tanë të fusnin kashtën brenda; mbante deri në gjashtë duaj njëherësh, aq i fortë është!

— Bravo! — tha farmacisti. — Dërgojini, pra, vajzat në rrëfim te ca djem me një natyrë të tillë! Unë, po të isha qeveria, do të doja që priftërinjve t’u merrej gjak një herë në muaj. Po, zonja Lëfransua, çdo muaj, një flebotomi e bollshme, në interes të policisë dhe të moralit!

— Pushoni, zoti Ome! Jeni i pafe! S’keni fe!

Farmacisti u përgjigj:

— Kam një fe, fenë time, madje kam më shumë se të gjithë ata, me maskaralleqet dhe marifetet e tyre! Përkundrazi, e adhuroj Zotin! Besoj në Qenien supreme, në një Krijues, cilido qoftë, s’më intereson, që na ka vënë këtu poshtë për të përmbushur detyrat tona si qytetarë dhe si baballarë familjesh; por s’kam nevojë të shkoj në kishë të puth pjata argjendi e të majm nga xhepi im një tufë hokatarësh që ushqehen më mirë se ne! Sepse ai mund të nderohet po aq mirë në një pyll, në një fushë, ose duke soditur qemerin eterik, si të lashtët. Zoti im është Zoti i Sokratit, i Franklinit, i Volterit dhe i Béranger-it! Unë jam për Rrëfimin e besimit të famullitarit savojar dhe për parimet e pavdekshme të ’89-s!5 Prandaj s’pranoj një plak Zot të mirë që shëtit në kopshtin e tij me bastun në dorë, që i strehon miqtë në barkun e balenave, që vdes duke lëshuar një britmë dhe ringjallet pas tri ditësh: gjëra absurde në vetvete dhe krejt në kundërshtim, për më tepër, me të gjitha ligjet e fizikës; gjë që na tregon, kalimthi, se priftërinjtë kanë ndenjur gjithmonë të zhytur në një injorancë të ndyrë, ku përpiqen të mbysin bashkë me vete edhe popujt.

Heshti, duke kërkuar me sy një publik përreth, sepse në vlugun e tij farmacisti për një çast kishte kujtuar se ndodhej në mes të këshillit bashkiak. Por e zonja e hanit s’e dëgjonte më; ia kishte vënë veshin një rrotullimi të largët. U dallua zhurma e një karroce, e përzier me trokitjen e patkonjve të lirshëm që rrihnin tokën, dhe më në fund Dallëndyshja u ndal para derës.

Ishte një arkë e verdhë, e mbajtur nga dy rrota të mëdha që, duke u ngritur deri në lartësinë e mbulesës, i pengonin udhëtarët të shihnin rrugën dhe ua ndotnin supet. Xhamat e vegjël të dritareve të saj të ngushta dridheshin në kornizat e tyre kur karroca ishte e mbyllur dhe ruanin njolla balte, aty-këtu, mes shtresës së tyre të vjetër të pluhurit, që as shirat e stuhive s’e lanin dot krejt. Ishte e mbrehur me tre kuaj, dy pranë njëri-tjetrit dhe i treti përpara, dhe kur zbriste tatëpjetave, prekte tokën me fund duke u tundur.

Disa qytetarë të Jonvilit dolën në shesh; flisnin të gjithë njëherësh, duke kërkuar lajme, shpjegime dhe shporta; Iveri s’dinte kujt t’i përgjigjej. Ishte ai që u bënte banorëve të vendit porositë në qytet. Shkonte nëpër dyqane, u sillte rrotulla lëkure këpucarëve, hekurishte nallbanit, një fuçi me harengë së zonjës së tij, kësula nga modistja, perukë nga floktari; dhe gjatë rrugës, në kthim, shpërndante pakot, duke i hedhur përmbi gardhet e oborreve, më këmbë mbi ndenjëse, e duke bërtitur me sa kishte në kraharor, ndërsa kuajt ecnin vetë.

Një ngjarje e papritur e kishte vonuar: zagarja e zonjës Bovari kishte ikur nëpër fusha. I kishin fishkëllyer një çerek ore të mirë. Iveri madje ishte kthyer gjysmë lige prapa, duke kujtuar çdo minutë se e shihte; por u desh të vazhdonin rrugën. Ema kishte qarë, ishte nxehur; e kishte akuzuar Sharlin për këtë fatkeqësi. Zoti Lëro, tregtar stofrash, që ndodhej me të në karrocë, ishte përpjekur ta ngushëllonte me një mal shembujsh qensh të humbur që e njohin të zotin pas shumë vitesh. Përmendej një, thoshte, që ishte kthyer nga Kostandinopoja në Paris. Një tjetër kishte bërë pesëdhjetë ligë në vijë të drejtë dhe kishte kaluar katër lumenj me not; dhe vetë i ati kishte pasur një qen pudël që, pas dymbëdhjetë vjetësh mungesë, i ishte hedhur befas mbi kurriz një mbrëmje, në rrugë, kur po shkonte për darkë në qytet.

Shënime

  1. Gjeli galik është simbol i Francës. Karta (la Charte) është kushtetuta e vitit 1830, mbi të cilën mbështetej monarkia e Luigj-Filipit, mbret nga 1830 deri më 1848, kohë në të cilën ndodh romani. ↩︎

  2. Ujëra minerale dhe barna të modës: ujërat e burimeve të Vichy-së, të Seltz-it e të Barèges-it; „ilaçi Raspail“, sipas kimistit François-Vincent Raspail, që shiste mjete të lira shërimi me bazë kamfuri; racahout-i, një pluhur ushqyes me kakao dhe miell, që reklamohej si recetë arabe. ↩︎

  3. Epidemia e kolerës e vitit 1832, që vrau me dhjetëra mijëra njerëz në Francë. ↩︎

  4. Ome përmend dy kauza bamirësie që zinin vend në gazetat e kohës: refugjatët polakë pas kryengritjes së dështuar kundër Rusisë dhe viktimat e përmbytjeve të mëdha të Lionit. Në bilardo, poule ishte një lojë me shumë lojtarë ku të gjithë vinin para në një arkë të përbashkët. ↩︎

  5. Ome numëron heronjtë e mendimit të lirë: Benjamin Franklin, Volteri dhe këngëtari Béranger. Rrëfimi i besimit të famullitarit savojar është një pjesë e famshme e Emilit (1762) të Rousseau-së, ku mbrohet një fe natyrore pa kishë e pa dogma. Parimet e ’89-s janë ato të Revolucionit Francez të vitit 1789. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Zonja Bovari

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours