← Zonja Bovari

Pjesa e dytë — XV · Zonja Bovari

Chapter 25 of 36

Turma rrinte pas murit, e mbyllur simetrikisht mes parmakëve. Në qoshet e rrugëve përreth, afishe vigane përsërisnin me shkronja baroke: „Luçia di Lamermur…1 Lagardi… Opera…, etj.“ Bënte kohë e mirë; kishin vapë; djersa rridhte nëpër kaçurrela, të gjitha shamitë e nxjerra fshinin ballët e kuq; dhe herë-herë një erë e vakët, që frynte nga lumi, tundte butë anët e tendave prej pëlhure të varura te dyert e kafeneve. Pak më poshtë, megjithatë, të freskonte një rrymë ajri e akullt që vinte erë dhjamë, lëkurë e vaj. Ishte avulli i rrugës së Qerreve, plot me magazina të mëdha të zeza ku rrokullisen fuçitë.

Nga frika se mos dukej qesharake, Ema deshi, para se të hynte, të bënte një xhiro nëpër port, dhe Bovari, nga kujdesi, i mbajti biletat në dorë, në xhepin e pantallonave, që e shtypte pas barkut.

Që në holl e zuri një rrahje zemre. Buzëqeshi pa dashje nga kotësia kur pa turmën që turrej djathtas nëpër korridorin tjetër, ndërsa ajo ngjitej shkallëve të lozhave të para. Iu bë qejfi, si një fëmije, të shtynte me gisht dyert e gjera të veshura me pëlhurë; thithi me gjithë gjoks erën e pluhurosur të korridoreve, dhe, kur u ul në lozhën e saj, e harkoi belin me një shkujdesje dukeshe.

Salla po fillonte të mbushej, nxirrnin dylbitë nga këllëfët, dhe abonentët, duke parë njëri-tjetrin që larg, përshëndeteshin. Vinin të çlodheshin nga shqetësimet e tregtisë në artet e bukura; por, duke mos i harruar punët, flisnin ende për pambuk, alkool ose indigo. Shihje aty koka pleqsh, pa shprehje e paqësore, që, të zbardhura në flokë e në lëkurë, u ngjanin medaljeve prej argjendi të zbehura nga një avull plumbi. Djemtë e rinj të bukur krekoseshin në parter, duke shfaqur në hapjen e jelekut kravatën rozë ose ngjyrë molle të gjelbër; dhe zonja Bovari i admironte nga lart, ndërsa mbështesnin mbi bastunë me dorezë ari pëllëmbën e tendosur të dorezave të verdha.

Ndërkaq, qirinjtë e orkestrës u ndezën; llambadari zbriti nga tavani, duke derdhur, me rrezatimin e faqeve të tij, një gëzim të papritur në sallë; pastaj muzikantët hynë njëri pas tjetrit, dhe në fillim qe një zallamahi e gjatë basesh që gumëzhinin, violinash që kërcisnin, kornetash që trumbetonin, flautash e fyejsh që cicëronin. Por në skenë u dëgjuan tri goditje; nisi një rrotullim timpanesh, veglat prej bronzi goditën akorde, dhe perdja, duke u ngritur, zbuloi një peizazh.

Ishte një kryqëzim rrugësh në pyll, me një krua majtas, në hijen e një lisi. Fshatarë dhe fisnikë, me shall skocez mbi sup, këndonin të gjithë bashkë një këngë gjuetie; pastaj erdhi një kapiten që thërriste engjëllin e së keqes duke ngritur të dy krahët drejt qiellit; u shfaq një tjetër; ikën, dhe gjahtarët ia nisën përsëri.

Ajo e gjente veten sërish në leximet e rinisë, në mes të Walter Scott-it. I dukej se dëgjonte, nëpër mjegull, tingullin e gajdeve skoceze që përsëritej mbi shqopishtat. Veç kësaj, meqë kujtimi i romanit ia lehtësonte kuptimin e libretit, e ndiqte intrigën fjali pas fjalie, ndërsa mendime të pakapshme që i ktheheshin shpërndaheshin menjëherë nën shkulmet e muzikës. E linte veten të përkundej nga melodia dhe e ndiente veten të dridhej me gjithë qenien e saj, sikur harqet e violinave të kalonin mbi nervat e saj. S’i mjaftonin sytë për të soditur kostumet, dekoret, personazhet, pemët e pikturuara që dridheshin kur ecje, dhe kësulat prej kadifeje, mantelet, shpatat, gjithë ato fantazi që lëviznin në harmoni si në atmosferën e një bote tjetër. Por një grua e re doli përpara duke i hedhur një qese një shqytari të veshur me të gjelbra. Mbeti vetëm, dhe atëherë u dëgjua një flaut që bënte si një murmuritje kroi ose si cicërima zogjsh. Luçia ia nisi me guxim kavatinës së saj në sol maxhor; ankohej për dashurinë, kërkonte krahë. Edhe Ema, po ashtu, do të kishte dashur, duke ikur nga jeta, të fluturonte në një përqafim. Befas, u shfaq Edgar-Lagardi.

Kishte një nga ato zbehtësi të mrekullueshme që u japin racave të zjarrta të Jugut diçka nga madhështia e mermerit. Trupi i tij i fuqishëm ishte i shtrënguar në një xhaketë të shkurtër ngjyrë kafe; një kamë e vogël e gdhendur i rrihte mbi kofshën e majtë, dhe rrotullonte vështrime plot mall duke zbuluar dhëmbët e bardhë. Thuhej se një princeshë polake, duke e dëgjuar një mbrëmje të këndonte në plazhin e Biaricit, ku ai riparonte barka, ishte dashuruar pas tij. Ishte rrënuar për shkak të tij. Ai e kishte lënë në vend të numëruar për gra të tjera, dhe kjo famë sentimentale s’linte pa i shërbyer famës së tij artistike. Aktori i dorës së dytë, i shkathët si diplomat, kishte madje kujdes të fuste gjithmonë nëpër reklama një fjali poetike mbi magjinë e personit të tij dhe ndjeshmërinë e shpirtit të tij. Një zë i bukur, një siguri e patundur, më shumë temperament se inteligjencë dhe më shumë fryrje se lirizëm, e plotësonin këtë natyrë të admirueshme sharlatani, ku kishte diçka nga floktari dhe nga toreadori.

Që në skenën e parë, i ndezi të gjithë. E shtrëngonte Luçian në krahë, e linte, kthehej, dukej i dëshpëruar: kishte shpërthime zemërimi, pastaj grahma elegjiake me një ëmbëlsi të pafund, dhe notat i dilnin nga qafa e zhveshur, plot dënesa e puthje. Ema përkulej për ta parë, duke gërvishtur me thonj kadifen e lozhës. E mbushte zemrën me ato vajtime melodioze që zvarriteshin me shoqërimin e kontrabaseve, si britmat e të mbyturve në rrëmujën e një stuhie. I njihte të gjitha dehjet dhe ankthet nga të cilat për pak sa s’kishte vdekur. Zëri i këngëtares s’i dukej veçse jehona e ndërgjegjes së saj, dhe ky iluzion që e magjepste, diçka madje nga jeta e saj. Por askush mbi tokë s’e kishte dashur me një dashuri të tillë. Ai s’kishte qarë si Edgari, mbrëmjen e fundit, nën dritën e hënës, kur i thoshin njëri-tjetrit: „Nesër; nesër!…“ Salla kërciste nga duartrokitjet; e përsëritën të gjithë stretën; të dashuruarit flisnin për lulet e varrit të tyre, për betime, për mërgim, për fat, për shpresa, dhe kur lëshuan lamtumirën e fundit, Ema lëshoi një britmë të mprehtë, që u përzie me dridhjen e akordeve të fundit.

— Pse, pra, — pyeti Bovari, — ky zotëri e përndjek?

— Jo, more, — u përgjigj ajo; — është dashnori i saj.

— Megjithatë betohet të hakmerret mbi familjen e saj, ndërsa tjetri, ai që erdhi pak më parë, thoshte: „E dua Luçian dhe besoj se më do.“ E pastaj, iku me të atin krah për krah. Sepse është i ati, apo jo, ai i shëmtuari i vogël që ka një pendë gjeli në kapelë?

Pavarësisht nga shpjegimet e Emës, që nga dueti recitativ ku Gilberti i shpjegon zotit të tij Ashtonit manovrat e tij të neveritshme, Sharli, duke parë unazën e rreme të fejesës që do të mashtrojë Luçian, kujtoi se ishte një kujtim dashurie i dërguar nga Edgari. Pranonte, nga ana tjetër, se s’e kuptonte historinë, — për shkak të muzikës, — që i dëmtonte shumë fjalët.

— Ç’rëndësi ka? — tha Ema; — hesht!

— Sepse më pëlqen, — vazhdoi ai duke u përkulur mbi supin e saj, — t’i kuptoj gjërat, e di mirë.

— Hesht! hesht! — bëri ajo e nervozuar.

Luçia përparonte, gjysmë e mbajtur nga shërbyeset, me një kurorë lulesh portokalli në flokë, dhe më e zbehtë se sateni i bardhë i fustanit të saj. Ema ëndërronte ditën e dasmës së saj; dhe e shihte prapë veten atje, në mes të grurit, në shtegun e vogël, kur ecnin drejt kishës. Pse vallë ajo s’kishte rezistuar, s’ishte lutur si kjo këtu? Përkundrazi, ishte e gëzuar, pa e vënë re humnerën ku po hidhej… Ah! sikur, në freskinë e bukurisë së saj, para ndotjeve të martesës dhe zhgënjimit të tradhtisë, ta kishte mundur ta vinte jetën mbi ndonjë zemër të madhe e të fortë, atëherë, duke u shkrirë bashkë virtyti, dhembshuria, epshet dhe detyra, kurrë s’do të kishte zbritur nga një lumturi kaq e lartë. Por ajo lumturi, pa dyshim, ishte një gënjeshtër e sajuar për dëshpërimin e çdo dëshire. Tani e njihte vogëlsinë e pasioneve që arti i zmadhonte. Duke u përpjekur pra ta largonte mendjen prej tyre, Ema donte të mos shihte më në këtë riprodhim të dhimbjeve të saj veçse një fantazi plastike të mirë për të argëtuar sytë, madje buzëqeshte përbrenda me një mëshirë përbuzëse, kur në fund të skenës, nën perden prej kadifeje, u shfaq një burrë me mantel të zi.

Kapela e tij e madhe spanjolle ra në një gjest që bëri; dhe menjëherë veglat dhe këngëtarët ia nisën sekstetit. Edgari, që shkëlqente nga tërbimi, i sundonte të gjithë të tjerët me zërin e tij më të kthjellët. Ashtoni i hidhte me nota të rënda provokime vrastare, Luçia lëshonte vajtimin e saj të mprehtë, Arturi modulonte mënjanë tinguj të mesëm, dhe basi i pastorit gumëzhinte si organo, ndërsa zërat e grave, duke përsëritur fjalët e tij, ia merrnin në kor, për mrekulli. Ishin të gjithë në të njëjtën vijë duke gjestikuluar; dhe zemërimi, hakmarrja, xhelozia, tmerri, mëshira dhe habia dilnin njëherësh nga gojët e tyre gjysmë të hapura. I dashuruari i fyer tundte shpatën e zhveshur; jaka e tij prej dantelle ngrihej me të shtyra, sipas lëvizjeve të gjoksit, dhe ai shkonte djathtas e majtas, me hapa të mëdhenj, duke bërë të kumbonin pas dërrasave mamuzet e praruara të çizmeve të tij të buta, që zgjeroheshin te kyçi. Duhej të kishte, mendonte ajo, një dashuri të pashtershme, për ta derdhur mbi turmë me vala kaq të gjera. Të gjitha dëshirat e saj për ta nënçmuar zhdukeshin nën poezinë e rolit që e pushtonte, dhe, e tërhequr drejt njeriut nga iluzioni i personazhit, u përpoq ta përfytyronte jetën e tij, atë jetë kumbuese, të jashtëzakonshme, të shkëlqyer, që megjithatë ajo do të mund ta kishte bërë, po ta kishte dashur rasti. Do të ishin njohur, do të ishin dashuruar! Me të, nëpër të gjitha mbretëritë e Evropës, do të kishte udhëtuar nga kryeqyteti në kryeqytet, duke ndarë lodhjet dhe krenarinë e tij, duke mbledhur lulet që i hidhnin, duke i qëndisur vetë kostumet; pastaj, çdo mbrëmje, në fund të një lozhe, pas grilës me rrjetë të artë, do të kishte mbledhur, me gojë hapur, derdhjet e këtij shpirti që do të kishte kënduar vetëm për të; nga skena, ndërsa luante, ai do ta kishte parë. Por e kapi një marrëzi: ai po e shikonte, ishte e sigurt! I erdhi dëshira të vraponte në krahët e tij për t’u strehuar në forcën e tij, si në mishërimin e vetë dashurisë, dhe t’i thoshte, t’i thërriste: „Më rrëmbe, më merr me vete, të ikim! Të tuat, të tuat! të gjitha zjarret e mia dhe të gjitha ëndrrat e mia!“

Perdja ra.

Era e gazit përzihej me frymëmarrjet; era e freskoreve e bënte atmosferën edhe më mbytëse. Ema deshi të dilte; turma i kishte zënë korridoret, dhe ajo ra përsëri në kolltuk me rrahje zemre që e mbysnin. Sharli, nga frika se mos i binte të fikët, vrapoi në bufe t’i merrte një gotë shurup bajamesh.

E pati shumë zor të kthehej në vend, sepse ia godisnin bërrylat në çdo hap, për shkak të gotës që mbante në duar, madje ia derdhi tri të katërtat mbi supet e një ruaneze me mëngë të shkurtra, e cila, duke ndier lëngun e ftohtë që i rridhte në mes, lëshoi britma palloi, sikur ta vrisnin. I shoqi, që ishte pronar fabrike tjerrjeje, u nxeh me të ngathtin; dhe, ndërsa ajo fshinte me shami njollat mbi fustanin e saj të bukur prej tafti ngjyrë qershie, ai murmuriste me ton të vrazhdë fjalët dëmshpërblim, shpenzime, kthim. Më në fund, Sharli arriti pranë së shoqes, duke i thënë krejt pa frymë:

— Kujtova, për besë, se do të mbetesha atje! Sa njerëz!… sa njerëz!…

Shtoi:

— Merr me mend kë takova atje lart? Zotin Leon!

— Leonin?

— Atë vetë! Tani vjen të të paraqesë nderimet.

Dhe, ndërsa i mbaronte këto fjalë, ish-nëpunësi i Jonvilit hyri në lozhë.

Zgjati dorën me një shkujdesje zotërie; dhe zonja Bovari zgjati pa e ditur të sajën, pa dyshim duke iu bindur tërheqjes së një vullneti më të fortë. S’e kishte ndier që nga ajo mbrëmje pranvere kur binte shi mbi gjethet e gjelbra, kur i thanë lamtumirë njëri-tjetrit, më këmbë pranë dritares. Por, shpejt, duke iu kujtuar hijeshia e situatës, e shkundi me një përpjekje këtë mpirje të kujtimeve dhe nisi të belbëzonte fjali të shpejta.

— Ah! mirëmbrëma… Si! ju këtu?

— Heshtje! — bërtiti një zë nga parteri, sepse po fillonte akti i tretë.

— Jeni, pra, në Ruan?

— Po.

— Dhe që kur?

— Jashtë! jashtë!

Të gjithë ktheheshin nga ata; heshtën.

Por, që nga ky çast, ajo s’dëgjoi më; dhe kori i të ftuarve, skena e Ashtonit me shërbëtorin e tij, dueti i madh në re maxhor, të gjitha kaluan për të në largësi, sikur veglat të ishin bërë më pak kumbuese dhe personazhet më të largët; i kujtoheshin lojërat me letra te farmacisti, shëtitja te taja, leximet nën kioskë, bisedat kokë më kokë pranë zjarrit, gjithë ajo dashuri e varfër, kaq e qetë dhe kaq e gjatë, kaq e matur, kaq e ëmbël, që megjithatë e kishte harruar. Pse po kthehej, pra? ç’kombinim aventurash e vendoste sërish në jetën e saj? Ai rrinte pas saj, i mbështetur me sup pas ndarjes së lozhës; dhe herë pas here ajo ndiente të dridhej nën frymën e vakët të flegrave të tij që i zbriste nëpër flokë.

— Ju argëton kjo? — tha ai, duke u përkulur mbi të kaq afër, sa maja e mustaqes i preku lehtë faqen.

Ajo u përgjigj si pa të keq:

— Oh! o Zot, jo! jo shumë.

Atëherë ai propozoi të dilnin nga teatri, për të shkuar të hanin akullore diku.

— Ah! jo ende! të rrimë! — tha Bovari. — I ka flokët të lëshuar: kjo premton të jetë tragjike.

Por skena e çmendurisë nuk e interesonte Emën, dhe loja e këngëtares iu duk e tepruar.

— Bërtet shumë fort, — tha ajo duke u kthyer nga Sharli, që po dëgjonte.

— Po… ndoshta… pak, — ia ktheu ai, i pavendosur mes sinqeritetit të kënaqësisë së tij dhe respektit që kishte për mendimet e së shoqes.

Pastaj Leon tha duke psherëtirë:

— Bën një vapë…

— E padurueshme! është e vërtetë.

— Ndihesh keq? — pyeti Bovari.

— Po, po më zihet fryma; të ikim.

Zoti Leon i vuri butë mbi supe shallin e saj të gjatë prej dantelle, dhe shkuan që të tre të uleshin në port, në ajër të hapët, para vitrinës së një kafeneje.

Në fillim u fol për sëmundjen e saj, megjithëse Ema e ndërpriste Sharlin herë pas here, nga frika, thoshte, se mos e mërziste zotin Leon; dhe ky u tregoi se kishte ardhur në Ruan të kalonte dy vjet në një zyrë të madhe, për t’u regjur në punët, që në Normandi ishin ndryshe nga ato që trajtoheshin në Paris. Pastaj pyeti për Bertën, për familjen Ome, për nënën Lëfransua; dhe, meqë në praninë e burrit s’kishin më gjë për t’i thënë njëri-tjetrit, shpejt biseda u ndal.

Njerëz që dilnin nga shfaqja kalonin në trotuar, duke gumëzhitur ose duke bërtitur me sa kishin në fyt: „O engjëll i bukur, Luçia ime!“ Atëherë Leon, për t’u hequr si njohës, nisi të fliste për muzikë. Kishte parë Tamburinin, Rubinin, Persianin, Grizin;2 dhe pranë tyre, Lagardi, pavarësisht nga shpërthimet e tij të mëdha, s’vlente asgjë.

— Megjithatë, — e ndërpreu Sharli, që kafshonte me kafshata të vogla sorbetin e tij me rum, — thonë se në aktin e fundit është krejt i mrekullueshëm; më vjen keq që ikëm para fundit, sepse kishte nisur të më argëtonte.

— Sidoqoftë, — vazhdoi nëpunësi, — së shpejti do të japë një shfaqje tjetër.

Por Sharli u përgjigj se ata do të iknin që të nesërmen.

— Përveç në qoftë se, — shtoi duke u kthyer nga e shoqja, — do të rrish vetëm, macja ime e vogël?

Dhe, duke ndërruar manovër para këtij rasti të papritur që i shfaqej shpresës së tij, djali i ri nisi të lavdëronte Lagardinë në pjesën e fundit. Ishte diçka e mrekullueshme, sublime! Atëherë Sharli nguli këmbë:

— Do të ktheheshe të dielën. Hajde, vendos! gabon, po të ndiesh qoftë edhe pak që kjo të bën mirë.

Ndërkaq tryezat përreth po zbrazeshin; një kamerier erdhi e qëndroi me maturi pranë tyre; Sharli, që kuptoi, nxori qesen; nëpunësi e mbajti nga krahu, madje s’harroi të linte, për më tepër, dy monedha argjendi, që i bëri të tingëllonin mbi mermer.

— Më vjen keq, vërtet, — murmuriti Bovari, — për paratë që ju…

Tjetri bëri një gjest përbuzës plot përzemërsi, dhe, duke marrë kapelën:

— Jemi marrë vesh, apo jo, nesër, në orën gjashtë?

Sharli protestoi edhe një herë se ai s’mund të mungonte më gjatë; por asgjë s’e pengonte Emën…

— Është se…, — belbëzoi ajo me një buzëqeshje të çuditshme, — s’e di fort mirë…

— Mirë pra! do ta mendosh, do ta shohim, nata të sjell këshillë…

Pastaj Leonit, që i shoqëronte:

— Tani që jeni në anët tona, do të vini, shpresoj, herë pas here të na kërkoni për darkë?

Nëpunësi u betua se s’do të mungonte, meqë, nga ana tjetër, kishte nevojë të shkonte në Jonvil për një punë të zyrës. Dhe u ndanë para pasazhit Shën-Erblan, në çastin kur katedralja binte njëmbëdhjetë e gjysmë.

Shënime

  1. Lucia di Lammermoor (1835), opera e Gaetano Donizetti-t sipas romanit të Walter Scott-it Nusja e Lamermurit, që u këndua në frëngjisht në Paris që nga viti 1839. Luçia do Edgarin, armikun e familjes së saj; i vëllai, Ashtoni, e mashtron dhe e detyron të martohet me Arturin; Luçia çmendet dhe vdes, dhe Edgari vret veten mbi varrin e saj. ↩︎

  2. Antonio Tamburini, Giovanni Battista Rubini, Fanny Tacchinardi-Persiani dhe Giulia Grisi: këngëtarë të famshëm italianë që këndonin atëherë në Teatrin Italian të Parisit. Persiani ishte Luçia e parë, më 1835. ↩︎

Found a mistake in this chapter? Report a mistake

Zonja Bovari

Reading settings

Text size

100%
Line spacing
Colours