Pjesa e parë — I · Krim dhe ndëshkim
Kapitulli 1 nga 41
Në fillim të korrikut, në një kohë jashtëzakonisht të nxehtë, nga mbrëmja, një djalë i ri doli në rrugë nga kthina që mbante me qira te ca qiramarrës në rrugicën S—,1 dhe ngadalë, si në mëdyshje, u nis drejt urës K—.2
I kishte shpëtuar me fat takimit me të zonjën e shtëpisë në shkallë. Kthina e tij ndodhej mu nën çatinë e një ndërtese të lartë pesëkatëshe dhe më shumë i ngjante një dollapi sesa një banese. Kurse e zonja e shtëpisë, nga e cila e mbante me qira këtë kthinë bashkë me drekën dhe shërbimin, rrinte një shkallë më poshtë, në një banesë më vete. Sa herë që dilte në rrugë, atij i duhej patjetër të kalonte para kuzhinës së saj, që pothuajse gjithmonë rrinte e hapur krejt nga shkallët. Dhe sa herë që kalonte andej, djaloshi ndiente një ndjesi të sëmurë e frikacake, për të cilën i vinte turp dhe që e bënte të ngrysej. I detyrohej të zonjës së shtëpisë për gjithçka dhe kishte frikë të ndeshej me të.
Jo se ishte kaq frikacak e i nënshtruar, përkundrazi fare; por prej ca kohësh ndodhej në një gjendje nervozizmi e tendosjeje që i ngjante hipokondrisë. Ishte zhytur aq thellë në vetvete dhe ishte veçuar aq nga të gjithë, sa kishte frikë nga çdo takim, jo vetëm nga takimi me të zonjën e shtëpisë. E kishte shtypur varfëria; por kohët e fundit edhe ngushtica e gjendjes së tij kishte pushuar së rënduari mbi të. Me punët e tij të përditshme kishte pushuar krejt së merruri dhe nuk donte të merrej. Në të vërtetë, nuk kishte frikë nga asnjë zonjë shtëpie, çfarëdo që të kurdiste ajo kundër tij. Por të ndalej në shkallë, të dëgjonte lloj-lloj gjepurash për gjithë atë rrëmujë të përditshme me të cilën ai s’kishte të bënte fare, gjithë ato ngacmime për pagesën, kërcënimet, ankesat, e për më tepër të dredhonte vetë, të kërkonte ndjesë, të gënjente — jo, më mirë të rrëshqiste disi si mace nëpër shkallë e të ikte pa e parë kush.
Megjithatë, këtë herë, kur doli në rrugë, edhe atë vetë e habiti frika nga takimi me huadhënësen e tij.
„Për çfarë pune kam ndër mend t’i hyj dhe njëkohësisht nga ç’gjepura trembem! — mendoi me një buzëqeshje të çuditshme. — Hm… po… gjithçka e ka njeriu në dorë, dhe gjithçka e lë t’i kalojë para hundës, vetëm e vetëm nga frika… kjo tashmë është aksiomë… Interesant, nga çfarë kanë njerëzit frikë më shumë se nga çdo gjë tjetër? Nga një hap i ri, nga një fjalë e re e tyre kanë frikë më shumë se nga gjithçka… Po, në fund të fundit, unë llomotis tepër. Prandaj s’bëj asgjë, sepse llomotis. Ose ndoshta edhe kështu: llomotis sepse s’bëj asgjë. Këtë llomotitje e mësova këtë muajin e fundit, duke ndenjur shtrirë ditë e net të tëra në qoshe e duke menduar… për Carin Bizele.3 Pse po shkoj tani? Mos vallë jam i zoti për këtë? Mos vallë kjo është serioze? Aspak serioze. Kështu, për hir të fantazisë e zbavis veten; lodra! Po, ndoshta vërtet lodra!“
Në rrugë bënte një vapë e tmerrshme, dhe për më tepër mbytje, turmë që shtyhej, kudo gëlqere, skela, tulla, pluhur dhe ajo erë e keqe e veçantë e verës, aq e njohur për çdo banor të Petersburgut që s’ka mundësi të marrë me qira një vilë verore. Të gjitha këto ia tronditën përnjëherësh, në mënyrë të pakëndshme, nervat djaloshit, që ishin të trazuara edhe pa këtë. Kurse era e padurueshme e pijetoreve, të cilat në këtë pjesë të qytetit janë veçanërisht të shumta, dhe të dehurit që të dilnin përpara në çdo hap, megjithëse ishte ditë pune, ia plotësuan tablosë ngjyrimin e neveritshëm e të trishtë. Një ndjenjë neverie nga më të thellat i shkrepi për një çast në tiparet e holla të djalit të ri. Meqë ra fjala, ishte jashtëzakonisht i pashëm, me sy të errët e të bukur, me flokë ngjyrë gështenjë të errët, më i gjatë se mesatarja, i hollë e i hijshëm. Por shpejt ra si në një mendim të thellë, madje, për ta thënë më saktë, si në një farë harrese, dhe vazhdoi të ecte pa e vënë re më atë që kishte përreth, as pa dashur ta vinte re. Vetëm herë pas here mërmëriste diçka me vete, nga zakoni i tij për monologë, që sapo ia kishte pranuar vetes. Po në atë çast e kuptonte edhe vetë se mendimet i ngatërroheshin herë-herë dhe se ishte shumë i dobët: ishte dita e dytë që pothuajse nuk kishte vënë gjë në gojë.
Ishte i veshur aq keq, saqë një tjetër, qoftë edhe njeri i mësuar me këto, do të kishte turp të dilte ditën në rrugë me të tilla lecka. Por lagjja ishte e tillë që këtu me veshjen vështirë se mund të habitje njeri. Afërsia e Sheshit Sennaja,4 bollëku i atyre lokaleve që i di gjithkush dhe sidomos popullsia e esnafëve e e zejtarëve, e grumbulluar nëpër këto rrugë e rrugica të mesit të Petersburgut, e bënin ndonjëherë pamjen e përgjithshme laraman me tipa të tillë, sa do të ishte çudi të habiteshe kur ndeshje këtë a atë figurë. Por në shpirtin e djaloshit ishte grumbulluar tashmë aq shumë përbuzje e ligë, saqë, me gjithë ndjeshmërinë e tij, ndonjëherë shumë rinore, ai më pak se për gjithçka kishte turp për leckat e tij në rrugë. Tjetër gjë kur ndeshej me ndonjë të njohur a me shokët e dikurshëm, me të cilët përgjithësisht nuk i pëlqente të takohej… E megjithatë, kur një i dehur, që s’dihej pse e ku po e çonin në atë kohë nëpër rrugë me një qerre të madhe, të mbrehur me një kalë karroje po aq të madh, i bërtiti papritur ndërsa kalonte: „Hej ti, kapelaxhi gjerman!“ — dhe zuri të ulërinte me sa kishte në kokë, duke e treguar me dorë, djaloshi u ndal befas dhe e kapi kapelën me një lëvizje spazmatike. Kapela ishte e lartë, e rrumbullakët, nga ato të Cimmermanit,5 por krejt e konsumuar, fare e kuqërremtë, plot vrima e njolla, pa strehë dhe e shtrembëruar në njërën anë në mënyrën më të shëmtuar. Por atë nuk e pushtoi turpi; e pushtoi një ndjenjë krejt tjetër, që i ngjante madje frikës.
„E dija! — mërmëriste i hutuar, — kështu e mendoja! Kjo është më e keqja nga të gjitha! Ja, një marrëzi e tillë, një gjëzë fare e rëndomtë mund ta prishë gjithë planin! Po, kapela bie shumë në sy… Qesharake, prandaj edhe bie në sy… Me leckat e mia më duhet patjetër një kasketë, qoftë edhe ndonjë petull e vjetër, e jo kjo shëmtirë. Askush s’mban të tilla, do ta vënë re nga një verstë larg,6 do ta mbajnë mend… kryesorja, më pas do ta mbajnë mend, e ja tek u bë provë kundër meje. Këtu duhet të bie sa më pak në sy… Gjërat e vogla, gjërat e vogla janë kryesorja!… Pikërisht këto gjëra të vogla i shkatërrojnë gjithnjë të gjitha…“
Nuk kishte shumë për të ecur; madje e dinte sa hapa ishin nga porta e shtëpisë së tij: plot shtatëqind e tridhjetë. Një herë i kishte numëruar, kur ishte zhytur shumë në ëndrra. Në atë kohë as vetë nuk u besonte ende këtyre ëndrrave të veta dhe vetëm e acaronte veten me guximin e tyre të shëmtuar, por joshës. Kurse tani, një muaj më vonë, kishte filluar t’i shihte ndryshe dhe, me gjithë monologët ngacmues mbi pafuqinë e pavendosmërinë e vet, ëndrrën „e shëmtuar“ ishte mësuar, disi edhe pa dashur, ta quante tashmë ndërmarrje, ndonëse ende nuk i besonte vetes. Madje tani po shkonte të bënte sprovën e ndërmarrjes së tij, dhe me çdo hap shqetësimi i rritej gjithnjë e më shumë.
Me zemrën që i ndalej dhe me një dridhje nervore iu afrua një ndërtese tejet të madhe, që me njërin mur shihte nga kanali,7 e me tjetrin nga rruga —. Kjo ndërtesë ishte e tëra me banesa të vogla dhe e banuar nga lloj-lloj njerëzish që rronin me ç’të mundnin: rrobaqepës, bravandreqës, kuzhiniere, gjermanë të ndryshëm, vajza që jetonin më vete, nëpunës të vegjël e të tjerë. Njerëzit që hynin e dilnin shkonin e vinin rrëmbimthi nën të dyja portat e nëpër të dy oborret e ndërtesës. Këtu shërbenin tre a katër portierë.8 Djaloshi u gëzua shumë që nuk u ndesh me asnjërin prej tyre dhe, pa u vënë re, rrëshqiti menjëherë nga porta djathtas, në shkallë. Shkallët ishin të errëta e të ngushta, „të zeza“,9 por ai i njihte e i kishte studiuar të gjitha këto, dhe gjithë ky mjedis i pëlqente: në një errësirë të tillë edhe një vështrim kureshtar nuk ishte i rrezikshëm. „Nëse që tani kam kaq frikë, ç’do të ndodhte vallë sikur të më vinte puna vërtet deri te vetë vepra?…“ — mendoi pa dashur, ndërsa ngjitej në katin e katërt.10 Këtu ia zunë rrugën ca ish-ushtarë që punonin hamej e po nxirrnin orenditë nga një banesë. E dinte që më parë se në atë banesë jetonte një gjerman me familje, nëpunës: „Pra, ky gjerman tani po shpërngulet, dhe, pra, në katin e katërt, në këto shkallë e në këtë sheshpushim, për ca kohë mbetet e zënë vetëm banesa e plakës. Kjo është mirë… për çdo rast…“ — mendoi sërish dhe i ra ziles së banesës së plakës. Zilja tringëlliu dobët, sikur të ishte prej teneqeje e jo prej bronzi. Në banesat e vogla të ndërtesave të tilla pothuajse të gjitha zilet janë të këtilla. Ai e kishte harruar tingullin e kësaj zileje, dhe tani ky tingull i veçantë sikur befas i kujtoi diçka dhe ia nxori qartë para syve… U drodh i tëri; nervat i ishin dobësuar tepër këtë herë. Pak më vonë dera u hap sa një të çarë fare të vogël: banorja e vështronte të ardhurin nga e çara me mosbesim të dukshëm, dhe dukeshin vetëm sytë e saj të vegjël që shkëlqenin nga errësira. Por, kur pa shumë njerëz në sheshpushim, mori zemër dhe e hapi krejt. Djaloshi kapërceu pragun dhe hyri në një paradhomë të errët, të ndarë me një mur të hollë, prapa të cilit ishte një kuzhinë e vockël. Plaka qëndronte para tij në heshtje dhe e shikonte pyetëse. Ishte një plakushe e vockël, e thatë, rreth të gjashtëdhjetave, me sy të vegjël të mprehtë e të ligj, me hundë të vogël e të mprehtë dhe kokëzbuluar. Flokët e saj të verdhë si kashta, pak të thinjur, ishin lyer trashë me vaj. Rreth qafës së saj të hollë e të gjatë, që i ngjante një këmbe pule, kishte mbështjellë ca lecka fanelle, kurse mbi supe, megjithë vapën, i varej një xhaketë e shkurtër me gëzof, e grisur e e zverdhur. Plakusha kollitej e rënkonte pa pushim. Djaloshi duhet ta ketë parë me ndonjë vështrim të veçantë, sepse edhe në sytë e saj u shfaq befas sërish mosbesimi i mëparshëm.
— Raskolnikov,11 student, kam qenë te ju para një muaji, — nxitoi të mërmëriste djaloshi, duke u përkulur gjysmë, kur iu kujtua se duhej të ishte më i sjellshëm.
— Më kujtohet, biro, e mbaj mend shumë mirë që keni qenë, — tha qartë plakusha, pa i hequr si më parë sytë pyetës nga fytyra e tij.
— Ja pra, zonjë… prapë për një punë të vogël të tillë… — vazhdoi Raskolnikovi, pak i hutuar dhe i habitur me mosbesimin e plakës.
„Ndoshta, në fund të fundit, ajo është gjithmonë e tillë, po unë atë herë nuk e vura re“, — mendoi me një ndjesi të pakëndshme.
Plaka heshti pak, si e menduar, pastaj u tërhoq mënjanë dhe, duke treguar derën e dhomës, tha, ndërsa i linte rrugë mysafirit të kalonte përpara:
— Hyni, biro.
Dhoma jo e madhe, ku hyri djaloshi, me letër muri të verdhë, me barbaroza dhe me perde muslini në dritare, ishte në atë çast e ndriçuar fort nga dielli që perëndonte. „Pra, edhe atëherë dielli do të ndriçojë po kështu!…“ — i shkrepi si pa dashje në mendje Raskolnikovit, dhe me një vështrim të shpejtë rroku gjithçka në dhomë, që të mësonte e të mbante mend, sa të ishte e mundur, vendosjen e sendeve. Por në dhomë nuk kishte asgjë të veçantë. Orenditë, të gjitha shumë të vjetra e prej druri të verdhë, përbëheshin nga një divan me mbështetëse të madhe druri të harkuar, një tryezë e rrumbullakët në formë ovale para divanit, një tualet me pasqyrë të vogël në murin midis dy dritareve, karrige përgjatë mureve dhe dy-tri piktura të lira në korniza të verdha, që paraqitnin zonjusha gjermane me zogj në duar — ja ku ishin të gjitha orenditë. Në qoshe, para një ikone të vogël, digjej një kandil. Gjithçka ishte shumë e pastër: si orenditë, ashtu edhe dyshemetë ishin fërkuar sa shndrisnin; gjithçka shkëlqente. „Puna e Lizavetës“, — mendoi djaloshi. Në gjithë banesën nuk mund të gjeje asnjë grimcë pluhuri. „Një pastërti e tillë gjendet te vejushat e liga e të vjetra“, — vazhdoi me vete Raskolnikovi dhe vështroi me kureshtje, me bisht të syrit, perden prej basme para derës së dhomës së dytë, fare të vogël, ku ishin shtrati dhe komoja e plakës dhe ku ai ende s’kishte hedhur sy asnjëherë. E gjithë banesa përbëhej nga këto dy dhoma.
— Ç’urdhëroni? — tha ashpër plakusha, duke hyrë në dhomë dhe duke iu vënë përsëri drejt përpara, për ta parë drejt në fytyrë.
— Kam sjellë një peng, ja, zonjë! — Dhe nxori nga xhepi një orë të vjetër, të sheshtë, prej argjendi. Në kapakun e pasmë kishte një glob. Zinxhiri ishte prej çeliku.
— Po edhe pengut të mëparshëm i ka dalë afati. Pardje u mbush muaji.
— Do t’ju paguaj kamatën edhe për një muaj; prisni pak.
— Kjo varet nga vullneti im, biro: të pres apo ta shes sendin tuaj që tani.
— Sa më jepni për orën, Aljona Ivanovna?
— Po ti me gjepura më vjen, biro; s’vlen pothuajse asgjë. Për unazën herën e kaluar ju dhashë dy kartëmonedha, kurse atë mund ta blesh të re te argjendari për një rubël e gjysmë.12
— Më jepni nja katër rubla, do ta shpengoj, është e babait. Së shpejti do të marr para.
— Një rubël e gjysmë, zotëri, dhe kamatën përpara, po deshët.
— Një rubël e gjysmë! — thirri djaloshi.
— Si të doni. — Dhe plaka ia zgjati orën mbrapsht. Djaloshi e mori dhe u zemërua aq shumë, sa deshi të ikte; por menjëherë u mendua mirë, kur iu kujtua se s’kishte ku të shkonte tjetër dhe se kishte ardhur edhe për diçka tjetër.
— Jepmini! — tha ai vrazhdë.
Plaka futi dorën në xhep për çelësat dhe shkoi në dhomën tjetër, pas perdeve. Djaloshi, i mbetur vetëm në mes të dhomës, dëgjonte me kureshtje dhe bënte llogari. Dëgjohej si ajo hapi komonë. „Duhet të jetë sirtari i sipërm, — llogariste ai. — Çelësat, pra, i mban në xhepin e djathtë… Të gjithë në një tufë, në një rreth çeliku… Dhe aty ka një çelës më të madh se të gjithë, tri herë më të madh, me dhëmbëza, që s’është, sigurisht, i komosë… Pra, ka edhe ndonjë kuti tjetër, ose ndonjë sënduk… Ja, kjo është interesante. Sëndukët i kanë të gjithë çelësa të tillë… Po, në fund të fundit, sa e poshtër është e gjithë kjo…“
Plaka u kthye.
— Ja, biro: po të llogarisim dhjetë kopekë në muaj për çdo rubël, atëherë për një rubël e gjysmë ju bien pesëmbëdhjetë kopekë, për një muaj përpara. Dhe për dy rublat e mëparshme, me të njëjtën llogari, ju bien edhe njëzet kopekë përpara. Gjithsej, pra, tridhjetë e pesë. Kështu që tani për orën tuaj ju takon të merrni gjithsej një rubël e pesëmbëdhjetë kopekë. Ja, merrini.
— Si! Pra tani vetëm një rubël e pesëmbëdhjetë kopekë!
— Pikërisht kështu, zotëri.
Djaloshi nuk u grind dhe i mori paratë. Shikonte plakën dhe nuk nxitonte të ikte, sikur donte të thoshte a të bënte edhe diçka, por sikur as vetë nuk e dinte se çfarë…
— Aljona Ivanovna, ndoshta këto ditë do t’ju sjell edhe një send tjetër… prej argjendi… të mirë… një kuti cigaresh… sapo ta marr mbrapsht nga një shok… — U hutua dhe heshti.
— Atëherë do të flasim, biro.
— Mirupafshim, zonjë… Po ju rrini gjithmonë vetëm në shtëpi, motra s’është? — pyeti ai sa më shkujdesur që mundi, ndërsa dilte në paradhomë.
— E ç’punë keni ju me të, biro?
— Asgjë të veçantë. Ashtu, sa për të pyetur. Ju menjëherë… Mirupafshim, Aljona Ivanovna!
Raskolnikovi doli krejt i hutuar. Ky hutim i shtohej gjithnjë e më shumë. Duke zbritur shkallët, disa herë u ndal madje, sikur ta kishte goditur befas diçka. Dhe më në fund, kur doli në rrugë, thirri:
„O Zot! Sa e neveritshme është e gjithë kjo! Vallë, vallë unë… jo, kjo është marrëzi, kjo është absurditet! — shtoi me vendosmëri. — Vallë një tmerr i tillë mund të më shkonte ndër mend? Për çfarë fëlliqësie qenka e zonja, megjithatë, zemra ime! Kryesorja: e fëlliqur, e ndyrë, e shëmtuar, e shëmtuar!… Dhe unë, një muaj të tërë…“
Por nuk mundi ta shprehte tronditjen e tij as me fjalë, as me thirrje. Ndjenja e një neverie të pafund, që kishte filluar t’ia shtypte e t’ia turbullonte zemrën qysh kur ishte nisur drejt plakës, kishte arritur tani përmasa të tilla dhe ishte bërë aq e qartë, sa ai nuk dinte ku të futej nga ankthi. Ecte nëpër trotuar si i dehur, pa i vënë re kalimtarët dhe duke u përplasur me ta, dhe erdhi në vete kur ishte tashmë në rrugën tjetër. Duke vështruar përreth, vuri re se ndodhej pranë një pijetoreje, ku hyje nga trotuari, duke zbritur ca shkallë poshtë, në bodrum. Pikërisht në atë çast dolën nga dera dy të dehur dhe, duke mbajtur njëri-tjetrin e duke u sharë, u ngjitën në rrugë. Pa e menduar gjatë, Raskolnikovi zbriti menjëherë poshtë. Deri atëherë nuk kishte hyrë kurrë në pijetore, por tani koka i vinte rrotull, dhe për më tepër e mundonte një etje përvëluese. I erdhi dëshira të pinte birrë të ftohtë, aq më tepër që dobësinë e tij të papritur ia vishte edhe urisë. U ul në një qoshe të errët e të ndyrë, në një tryezë të vogël ngjitëse, kërkoi birrë dhe e piu gotën e parë me lakmi. Menjëherë i lehtësoi gjithçka dhe mendimet iu kthjelluan. „E gjithë kjo është marrëzi, — tha me shpresë, — s’kishte asgjë këtu për t’u shqetësuar! Thjesht një çrregullim fizik! Një gotë birrë, një copë peksimet — dhe ja, sa hap e mbyll sytë, forcohet mendja, kthjellohet mendimi, ngurtësohen qëllimet! Pfu, sa e parëndësishme është e gjithë kjo!…“ Por, me gjithë këtë pështymë përbuzëse, tashmë shikonte gazmor, sikur të ishte çliruar befas nga një barrë e tmerrshme, dhe i hodhi sytë me miqësi të pranishmëve. Por edhe në atë çast parandiente së largu se e gjithë kjo ndjeshmëri ndaj së mirës ishte gjithashtu e sëmurë.
Në pijetore në atë kohë kishin mbetur pak njerëz. Përveç atyre dy të dehurve që i kishin dalë përpara në shkallë, menjëherë pas tyre kishte dalë edhe një tufë e tërë, nja pesë veta, me një femër e me një fizarmonikë. Pas tyre u bë qetësi e u lirua vendi. Kishin mbetur: një që ishte pak i pirë, i ulur para birrës, nga pamja meshçan;13 dhe shoku i tij, i trashë, shtatmadh, me një kaftan të shkurtër e me mjekër të thinjur, fort i dehur, që po dremiste në stol. Ky herë pas here, papritur, si i sapozgjuar nga gjumi, fillonte të kërciste gishtat me krahë të hapur dhe të hidhej me pjesën e sipërme të trupit, pa u ngritur nga stoli, ndërsa këndonte nën zë ca budallallëqe, duke u përpjekur të kujtonte vargjet, diçka si:
Një vit të tërë gruan përkëdhela,
Një vit të të-rë gru-an për-kë-dhe-la…
Ose papritur, duke u zgjuar, prapë:
Nëpër Podjaçeskaja shkova,14
Të dikurshmen e takova…
Por askush nuk e ndante lumturinë e tij; shoku i tij i heshtur i shikonte gjithë këto shpërthime madje me armiqësi e mosbesim. Ishte aty edhe një njeri tjetër, që nga pamja i ngjante disi një nëpunësi të dalë nga shërbimi. Rrinte më vete, para enës së tij, duke pirë herë pas here nga pak e duke vështruar përreth. Edhe ai dukej disi i shqetësuar.
Shënime
-
Sipas identifikimit të pranuar zakonisht, Rrugica Stoljarni (Столярный переулок), pranë Sheshit Sennaja. Dostojevski e shkurton qëllimisht emrin. ↩︎
-
Ura Kokushkin, mbi Kanalin Jekaterininski. ↩︎
-
Car Bizelja (rus. Царь Горох): mbret i përrallave popullore ruse. „Të mendosh për Carin Bizele“ do të thotë të merresh me gjëra të kota. ↩︎
-
Sheshi Sennaja („sheshi i sanës“): shesh tregu në Petersburg, i rrethuar nga lagje të varfra, pijetore e bujtina. ↩︎
-
Kapelë e punuar në punishten e njohur të kapelave të Cimmermanit në Petersburg. ↩︎
-
Verstë (rus. верста): njësi ruse e gjatësisë, rreth 1,07 km. ↩︎
-
Kanali Jekaterininski (sot Kanali Gribojedov), që Dostojevski e quan „kanava“ (hendek). ↩︎
-
Portier (rus. дворник): kujdestar i oborrit e i shtëpisë, që mbante pastërtinë, ruante portën dhe ishte i detyruar të ndihmonte policinë. ↩︎
-
Shkallët „e zeza“: shkallët e pasme të shërbimit, që të çonin te kuzhinat; ato kryesore quheshin „të pastra“. ↩︎
-
Në Rusi kati përdhes numërohet si kati i parë; kati i katërt rus i përgjigjet katit të tretë sipas numërimit shqiptar. ↩︎
-
Mbiemri vjen nga rusishtja raskol, „përçarje, skizëm“; raskolnikë quheshin edhe besimtarët e vjetër, që u ndanë nga Kisha Ortodokse Ruse në shek. XVII. ↩︎
-
Rubla: monedha ruse; një rubël kishte 100 kopekë. ↩︎
-
Meshçan (rus. мещанин): shtresë ligjore e qytetarëve të vegjël në Rusinë cariste: zejtarë, tregtarë të vegjël e punëtorë të qytetit. ↩︎
-
Rrugët Podjaçeskaja (e Madhe, e Mesme dhe e Vogël) ndodhen në lagjen afër Sheshit Sennaja. ↩︎
Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim