Pjesa e parë — VII · Krim dhe ndëshkim
Kapitulli 7 nga 41
Dera, si edhe atëherë, u hap sa një të çarë fare të vogël, dhe përsëri dy vështrime të mprehta e mosbesuese iu ngulën nga errësira. Këtu Raskolnikovi e humbi toruan dhe gati bëri një gabim të rëndë.
Nga frika se plaka do të trembej që ishin vetëm dhe pa shpresë se pamja e tij do ta qetësonte, kapi derën dhe e tërhoqi nga vetja, që plakës të mos i shkonte ndër mend ta mbyllte përsëri. Kur e pa këtë, ajo nuk e tërhoqi derën nga vetja, por as nuk e lëshoi dorezën e bravës, kështu që ai gati e nxori atë, bashkë me derën, në shkallë. Po kur pa se ajo qëndronte tërthor në derë dhe nuk e linte të kalonte, eci drejt mbi të. Ajo u hodh mbrapa e trembur, desh të thoshte diçka, por sikur s’mundi dhe e shikonte me sy të zgurdulluar.
— Mirëmbrëma, Aljona Ivanovna, — filloi ai sa më shkujdesur që mundi, por zëri nuk iu bind, iu këput e iu drodh, — ju solla… një send… po ja, më mirë të shkojmë këtu… në dritë… — Dhe, duke e lënë, hyri drejt, pa ftesë, në dhomë. Plaka vrapoi pas tij; iu zgjidh gjuha.
— O Zot! Po ç’doni?.. Kush jeni? Ç’urdhëroni?
— Na falni, Aljona Ivanovna… jam i njohuri juaj… Raskolnikov… ja, ju solla pengun, që ju premtova ditët e shkuara… — Dhe ia zgjaste pengun.
Plaka i hodhi një sy pengut, por menjëherë ia nguli sytë drejt në sy mysafirit të paftuar. Shikonte me vëmendje, me ligësi e me mosbesim. Kaloi rreth një minutë; atij iu duk madje se në sytë e saj kishte diçka si tallje, sikur ajo t’i kishte marrë me mend të gjitha. Ndiente se po e humbte toruan, se pothuajse kishte frikë, aq frikë, sa i dukej se, po ta shikonte ajo kështu, pa thënë asnjë fjalë edhe nja gjysmë minute, do t’i ikte.
— Po pse më shikoni kështu, sikur s’më njohët? — tha ai befas, edhe ai me ligësi. — Po deshët, merreni, përndryshe do të shkoj te të tjerë, s’kam kohë.
As që e kishte menduar ta thoshte këtë, por ashtu, i doli vetvetiu.
Plaka erdhi në vete, dhe toni i vendosur i mysafirit, me sa dukej, i dha zemër.
— Po ç’ke kështu, biro, kaq befas… ç’është kjo? — pyeti ajo, duke vështruar pengun.
— Një kuti cigaresh prej argjendi: jua thashë herën e kaluar.
Ajo zgjati dorën.
— Po ç’keni që jeni kaq i zbehtë? Ja, edhe duart ju dridhen! Mos jeni larë në lumë, biro?
— Ethe, — u përgjigj ai prerë. — Pa dashur bëhesh i zbehtë… kur s’ke ç’të hash, — shtoi ai, duke i nxjerrë fjalët me zor. Forcat po e linin përsëri. Por përgjigjja iu duk e besueshme; plaka e mori pengun.
— Ç’është kjo? — pyeti ajo, duke e vështruar edhe një herë me ngulm Raskolnikovin e duke e peshuar pengun në dorë.
— Një send… kuti cigaresh… prej argjendi… shikojeni.
— Po, ç’e di, sikur s’është prej argjendi… Shih si e paska mbështjellë.
Duke u përpjekur të zgjidhte spangon dhe duke u kthyer nga dritarja, nga drita (të gjitha dritaret i kishte të mbyllura, megjithë mbytjen), e la krejt për disa sekonda dhe i ktheu shpinën. Ai zbërtheu palton dhe e liroi sëpatën nga laku, por ende s’e nxori krejt, vetëm e mbante me dorën e djathtë nën rroba. Duart i ishin tmerrësisht të dobëta; e dëgjonte vetë si i mpiheshin e i drurëzoheshin gjithnjë e më shumë me çdo çast. Kishte frikë se do ta lëshonte e do ta rrëzonte sëpatën… befas sikur iu morën mendtë.
— Po ç’paska mbështjellë këtu! — thirri me bezdi plaka dhe lëvizi drejt tij.
S’mund të humbiste më asnjë çast. E nxori krejt sëpatën, e ngriti me të dyja duart, mezi duke e ndier veten, dhe pothuajse pa mundim, pothuajse mekanikisht, ia lëshoi në kokë me kurrizin e sëpatës. Forcë sikur s’kishte fare në të atë çast. Por sapo e lëshoi njëherë sëpatën, aty lindi në të forca.
Plaka, si gjithmonë, ishte kokëzbuluar. Flokët e saj të çelët e të thinjur, të rrallë, të lyer si zakonisht trashë me vaj, ishin thurur në një gërshetë të hollë si bisht miu dhe ishin mbledhur nën një copë krehri prej briri, që i dilte në zverk. Goditja i ra mu në majë të kokës, gjë që e lehtësoi shtati i saj i vogël. Ajo lëshoi një britmë, por shumë të dobët, dhe befas u ul e tëra përdhe, ndonëse arriti t’i ngrinte të dyja duart te koka. Në njërën dorë vazhdonte ende ta mbante „pengun“. Atëherë ai e goditi me gjithë fuqinë edhe një herë e edhe një herë, gjithnjë me kurrizin e sëpatës dhe gjithnjë në majë të kokës. Gjaku shpërtheu si nga një gotë e përmbysur, dhe trupi u rrëzua në shpinë. Ai u tërhoq mbrapa, e la të binte dhe menjëherë u përkul mbi fytyrën e saj; ajo ishte tashmë e vdekur. Sytë i kishte të zgurdulluar, sikur donin t’i dilnin jashtë, kurse balli dhe gjithë fytyra i ishin rrudhur e shtrembëruar nga një spazmë.
E vuri sëpatën përdhe, pranë së vdekurës, dhe menjëherë i futi dorën në xhep, duke u përpjekur të mos përlyhej me gjakun që rridhte, — pikërisht në atë xhepin e djathtë, nga i cili ajo i kishte nxjerrë çelësat herën e kaluar. Ishte plotësisht në vete, errësime e marramendje nuk kishte më, por duart ende i dridheshin. I kujtohej më vonë se ishte madje shumë i vëmendshëm, i kujdesshëm, përpiqej gjithë kohën të mos ndotej… Çelësat i nxori menjëherë; të gjithë, si edhe atëherë, ishin në një tufë, në një rreth çeliku. Menjëherë vrapoi me ta në dhomën e gjumit. Ishte një dhomë shumë e vogël, me një kuti të madhe xhami plot ikona. Te muri tjetër ishte një shtrat i madh, shumë i pastër, me një jorgan mëndafshi me pambuk, të qepur me copa të vogla. Te muri i tretë ishte komoja. Çudi: sapo filloi t’i provonte çelësat te komoja, sapo dëgjoi tringëllimën e tyre, sikur i kaloi një spazmë nëpër trup. Befas i erdhi përsëri dëshira t’i linte të gjitha e të ikte. Por kjo zgjati vetëm një çast; të ikte ishte vonë. Madje buzëqeshi me veten, kur befas një tjetër mendim shqetësues i ra në kokë. Befas iu duk se plaka, ndoshta, ishte ende gjallë dhe mund të vinte ende në vete. I la çelësat dhe komonë, vrapoi mbrapsht te trupi, rrëmbeu sëpatën dhe e ngriti edhe një herë mbi plakën, por nuk e lëshoi. S’kishte dyshim se ishte e vdekur. Duke u përkulur e duke e shqyrtuar përsëri më nga afër, pa qartë se kafka ishte copëtuar dhe madje ishte shtrembëruar pak mënjanë. Desh ta prekte me gisht, por e tërhoqi dorën; edhe pa këtë dukej. Gjaku ndërkaq kishte bërë tashmë një pellg të tërë. Befas i vuri re në qafë një spango, e tërhoqi, por spangoja ishte e fortë dhe s’këputej; për më tepër, ishte njomur me gjak. Provoi ta nxirrte ashtu, nga gjiri, por diçka pengonte, kishte ngecur. Me padurim ngriti përsëri sëpatën, për ta prerë spangon aty, mbi trup, nga sipër, por nuk guxoi, dhe me mundim, duke përlyer duart e sëpatën, pas dy minutash rropatjeje, e preu spangon pa e prekur trupin me sëpatë dhe e hoqi; nuk ishte gabuar — një qese parash. Në spango ishin dy kryqe, njëri prej selvie e tjetri prej bakri, dhe, përveç kësaj, një ikonë e vogël prej smalti; dhe po aty, bashkë me to, varej një qese e vogël prej kamoshi, e yndyrosur, me një rreth çeliku e me një unazë. Qesja ishte mbushur shumë plot; Raskolnikovi e futi në xhep pa e parë, kryqet ia hodhi plakës mbi gjoks dhe, duke marrë këtë herë me vete edhe sëpatën, u hodh mbrapsht në dhomën e gjumit.
Nxitonte tmerrësisht, rrëmbeu çelësat dhe filloi përsëri të rropatej me ta. Por disi gjithçka i dilte keq: nuk futeshin në brava. Jo se i dridheshin aq shumë duart, por gabonte vazhdimisht: sheh, për shembull, se çelësi s’është ai, s’i bën, e prapë e fut. Befas iu kujtua dhe e kuptoi se ky çelës i madh, me dhëmbëza, që varej aty bashkë me të tjerët e vegjël, patjetër s’duhej të ishte fare i komosë (siç i kishte shkuar ndër mend edhe herën e kaluar), por i ndonjë arke, dhe se pikërisht në atë arkë, ndoshta, ishin fshehur të gjitha. E la komonë dhe menjëherë u fut nën shtrat, duke e ditur se plakat zakonisht i mbajnë arkat nën shtrat. Ashtu ishte: qëndronte një arkë e konsiderueshme, më shumë se një arshin1 e gjatë, me kapak të harkuar, e veshur me lëkurë të kuqe maroke e me gozhdë të vogla çeliku të ngulura në të. Çelësi me dhëmbëza i shkoi mu dhe e hapi. Sipër, nën një çarçaf të bardhë, ishte një gëzof i shkurtër prej lepuri, i veshur me stof të kuq; nën të ishte një fustan mëndafshi, pastaj një shall, dhe më thellë, me sa dukej, ishin vetëm lecka. Para së gjithash filloi t’i fshinte në stofin e kuq duart e përlyera me gjak. „E kuqe, pra mbi të kuqen gjaku bie më pak në sy“, — arsyetoi ai, dhe befas erdhi në vete: „O Zot! Mos po më lajthitet mendja?“ — mendoi i tmerruar.
Por sapo i lëvizi ato lecka, befas, nga poshtë gëzofit, rrëshqiti një orë ari. U hodh t’i kthente të gjitha përmbys. Vërtet, midis leckave ishin përzier sende ari — me siguri të gjitha pengje, të shpenguara e të pashpenguara, — byzylykë, zinxhirë, vathë, karfica e të tjera. Disa ishin në kuti, të tjerat thjesht të mbështjella me letër gazete, por me kujdes e me rregull, me fletë të dyfishta, dhe të lidhura përreth me shirita. Pa humbur asnjë çast, filloi t’i mbushte me to xhepat e pantallonave e të palltos, pa i zgjedhur e pa i hapur pakot e kutitë; por nuk arriti të merrte shumë…
Befas iu duk se në dhomën ku ishte plaka po ecte dikush. U ndal dhe ngriu si i vdekur. Por gjithçka ishte qetë, pra, vetëm sa i qe bërë. Befas u dëgjua qartë një britmë e lehtë, ose sikur dikush rënkoi ngadalë e me ndërprerje dhe heshti. Pastaj përsëri qetësi vdekjeje, një a dy minuta. Ai rrinte galiç para sëndukut dhe priste duke marrë frymë me zor, por befas u hodh përpjetë, rrëmbeu sëpatën dhe doli me vrap nga dhoma e gjumit.
Në mes të dhomës qëndronte Lizaveta, me një bohçe të madhe në duar, dhe shikonte e ngrirë motrën e vrarë, e tëra e bardhë si pëlhurë dhe si e paaftë të bërtiste. Kur e pa që doli me vrap, u drodh si gjethe, me një dridhje të imët, dhe nëpër gjithë fytyrën i kaluan spazma; ngriti pak dorën, hapi gojën, por prapëseprapë nuk bërtiti dhe ngadalë, me shpinë, filloi të tërhiqej prej tij drejt qoshes, duke e shikuar me ngulm, drejt e në sy, por gjithnjë pa bërtitur, sikur s’i mjaftonte ajri për të bërtitur. Ai u hodh mbi të me sëpatë; buzët e saj u shtrembëruan aq vajtueshëm, si te fëmijët shumë të vegjël kur fillojnë të trembeshin nga diçka, e shikojnë me ngulm sendin që i tremb dhe bëhen gati të bërtasin. Dhe deri në atë shkallë ishte e thjeshtë, e shtypur dhe e trembur njëherë e përgjithmonë kjo Lizaveta fatkeqe, saqë as dorën nuk e ngriti për të mbrojtur fytyrën, ndonëse kjo ishte lëvizja më e nevojshme e më e natyrshme në atë minutë, sepse sëpata ishte ngritur drejt mbi fytyrën e saj. Ajo vetëm e ngriti fare pak dorën e majtë që kishte të lirë, larg fytyrës, dhe e zgjati ngadalë përpara drejt tij, sikur ta shtynte tutje. Goditja i ra drejt në kafkë, me teh, dhe ia çau përnjëherësh gjithë pjesën e sipërme të ballit, gati deri në majë të kokës. Ajo u rrëzua aty për aty. Raskolnikovi e humbi krejt toruan, rrëmbeu bohçen e saj, e hodhi përsëri dhe vrapoi në paradhomë.
Frika e pushtonte gjithnjë e më shumë, sidomos pas kësaj vrasjeje të dytë, krejt të papritur. Donte të ikte sa më shpejt që andej. Dhe sikur në atë minutë të ishte në gjendje të shihte e të arsyetonte më drejt; sikur vetëm të mund t’i kuptonte të gjitha vështirësitë e gjendjes së tij, gjithë dëshpërimin, gjithë shëmtinë dhe gjithë absurditetin e saj, të kuptonte njëherësh sa vështirësi, e ndoshta edhe krime, i mbeteshin ende për t’i kapërcyer e për t’i kryer, që të shpëtonte prej andej e të arrinte në shtëpi, shumë mundet që do t’i kishte lënë të gjitha dhe do të kishte shkuar menjëherë vetë të kallëzonte veten, dhe jo nga frika për veten, por vetëm nga tmerri e neveria për atë që kishte bërë. Neveria sidomos ngrihej e rritej në të me çdo minutë. Për asgjë në botë s’do të shkonte tani te sënduku e madje as në dhoma.
Por njëfarë hutimi, madje sikur njëfarë humbjeje në mendime, filloi ta pushtonte pak nga pak: herë-herë sikur harrohej ose, më mirë të themi, harronte kryesoren dhe kapej pas gjërave të vogla. Megjithatë, kur hodhi një sy në kuzhinë dhe pa mbi stol një kovë gjysmë të mbushur me ujë, iu kujtua t’i lante duart dhe sëpatën. Duart i kishte me gjak dhe i ngjiteshin. Sëpatën e futi drejt me teh në ujë, rrëmbeu një copë sapun që ishte në dritare, në një pjatëz të plasaritur, dhe filloi t’i lante duart drejt në kovë. Pasi i lau, nxori edhe sëpatën, lau hekurin dhe për një kohë të gjatë, nja tri minuta, lau drurin, aty ku ishte përgjakur, duke e provuar gjakun madje edhe me sapun. Pastaj fshiu gjithçka me të brendshmet që po thaheshin aty në një tel të tendosur nëpër kuzhinë, dhe pastaj e shqyrtoi gjatë, me vëmendje, sëpatën pranë dritares. Gjurmë nuk kishin mbetur, vetëm bishti ishte ende i lagur. E futi me kujdes sëpatën në lak, nën pallto. Pastaj, aq sa e lejonte drita në kuzhinën e zymtë, i shqyrtoi palton, pantallonat, çizmet. Nga jashtë, në shikim të parë, sikur s’kishte asgjë; vetëm në çizme kishte njolla. Njomi një leckë dhe i fshiu çizmet. E dinte, megjithatë, se po shikonte keq, se ndoshta kishte diçka që të binte në sy e që ai s’e vinte re. Qëndroi i menduar në mes të dhomës. Një mendim i mundimshëm, i errët, ngrihej në të, — mendimi se po çmendej dhe se në këtë minutë s’ishte në gjendje as të arsyetonte, as ta mbronte veten, se ndoshta s’duhej bërë fare ajo që po bënte tani… „O Zot! Duhet të iki, të iki!“ — mërmëriti ai dhe u hodh në paradhomë. Por këtu e priste një tmerr të cilin, natyrisht, ende s’e kishte provuar asnjëherë.
Qëndronte, shikonte dhe nuk u besonte syve: dera, dera e jashtme, nga paradhoma në shkallë, po ajo ku i kishte rënë ziles pak më parë e nga kishte hyrë, ishte e pambyllur, madje e hapur një pëllëmbë të tërë: as bravë, as shul, gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë kësaj kohe! Plaka nuk e kishte mbyllur pas tij, ndoshta nga kujdesi. Po o Zot! E kishte parë pastaj Lizavetën! Dhe si mundi, si mundi të mos e merrte me mend se ajo kishte hyrë nga diku! Jo përmes murit.
U hodh te dera dhe vuri shulin.
„Por jo, përsëri jo ashtu! Duhet të iki, të iki…“
Hoqi shulin, hapi derën dhe filloi të dëgjonte nga shkallët.
Dëgjoi gjatë. Diku larg, poshtë, ndoshta nën portë, dy zëra bërtisnin fort e me zë të hollë, grindeshin e shaheshin. „Ç’kanë ata?..“ Priste me durim. Më në fund gjithçka pushoi përnjëherësh, si e prerë me thikë; ishin shpërndarë. Ai desh të dilte, por befas një kat më poshtë u hap me zhurmë një derë drejt shkallëve, dhe dikush filloi të zbriste, duke kënduar nën zë ndonjë melodi. „Pse bëjnë kaq zhurmë të gjithë!“ — i shkrepi në kokë. E mbylli përsëri derën pas vetes dhe priti. Më në fund gjithçka heshti, asnjë shpirt. Kishte bërë tashmë një hap në shkallë, kur befas u dëgjuan përsëri ca hapa të rinj.
Këto hapa u dëgjuan shumë larg, ende mu në fillim të shkallëve, por ai e mbante mend shumë mirë e qartë se qysh nga tingulli i parë, qysh atëherë, kishte filluar të dyshonte, për ndonjë arsye, se ato patjetër po vinin këtu, në katin e katërt, te plaka. Pse? A ishin tingujt kaq të veçantë, kaq kuptimplotë? Hapat ishin të rëndë, të njëtrajtshëm, të pangutur. Ja, ai e kaloi katin e parë, ja u ngjit edhe më; gjithnjë e më qartë e më qartë! U dëgjua gulçimi i rëndë i atij që po ngjitej. Ja, filloi edhe kati i tretë… Këtu! Dhe befas iu duk se ishte ngurosur, se ishte si në ëndërr, kur sheh që të ndjekin, janë afër, duan të të vrasin, kurse ti sikur ke zënë rrënjë në vend e s’mund të lëvizësh as duart.
Dhe më në fund, kur mysafiri kishte filluar tashmë të ngjitej në katin e katërt, vetëm atëherë u përmend i tëri befas dhe arriti megjithatë të rrëshqiste shpejt e me shkathtësi mbrapsht nga hyrja në banesë dhe të mbyllte derën pas vetes. Pastaj kapi shulin dhe ngadalë, pa zhurmë, e futi grremçin në unazë. Instinkti e ndihmonte. Kur mbaroi gjithçka, u fsheh pa marrë frymë, mu pranë derës. Mysafiri i paftuar ishte gjithashtu te dera. Qëndronin tani përballë njëri-tjetrit, si pak më parë ai me plakën, kur dera i ndante dhe ai dëgjonte.
Mysafiri mori frymë rëndë disa herë. „I trashë dhe i madh, me siguri“, — mendoi Raskolnikovi, duke shtrënguar sëpatën në dorë. Vërtet, sikur të gjitha këto t’i shihte në ëndërr. Mysafiri kapi zilen dhe i ra fort.
Sapo tringëlliu tingulli prej teneqeje i zilës, befas sikur iu bë se në dhomë diçka lëvizi. Për disa sekonda madje dëgjoi seriozisht. I panjohuri i ra ziles edhe një herë, priti edhe pak dhe befas, me padurim, filloi ta tundte me gjithë fuqinë dorezën e derës. I tmerruar shikonte Raskolnikovi grremçin e shulit që kërcente në unazë dhe priste me një frikë të topitur se ja, ja, shuli do të dilte. Vërtet, kjo dukej e mundur: aq fort e tundnin. I shkoi ndër mend ta mbante shulin me dorë, por ai mund ta merrte me mend. Koka sikur po fillonte t’i vinte rrotull përsëri. „Ja, do të bie!“ — i shkrepi në mendje, por i panjohuri filloi të fliste, dhe ai erdhi menjëherë në vete.
— Po ç’kanë atje, gërhasin, apo i ka mbytur ndokush? Të trrrimallkuar! — gjëmoi ai si nga një fuçi. — Hej, Aljona Ivanovna, shtrigë plakë! Lizaveta Ivanovna, bukuroshe e papërshkrueshme! Hapni! Uh, të trimallkuara, flenë, apo ç’kanë?
Dhe përsëri, i tërbuar, i ra ziles nja dhjetë herë rresht, me sa fuqi kishte. Natyrisht, ky ishte njeri që urdhëronte dhe që e kishte këtë shtëpi si të tijën.
Pikërisht në atë minutë u dëgjuan befas, jo larg në shkallë, ca hapa të vegjël, të nxituar. Po afrohej edhe dikush tjetër. Raskolnikovi në fillim as nuk i dëgjoi.
— Mos vallë s’ka njeri? — thirri me zë të kumbueshëm e të gëzuar i sapoardhuri, duke iu drejtuar drejtpërdrejt vizitorit të parë, që vazhdonte ende t’i binte ziles. — Mirëmbrëma, Koh!
„Nga zëri, duhet të jetë shumë i ri“, — mendoi befas Raskolnikovi.
— Po djalli e di, gati e theva bravën, — u përgjigj Kohu. — Po ju nga më njihni?
— Ja tani! Pardje, në „Gambrinus“,2 tri lojëra rresht jua mora në bilardo!
— A-a-a…
— Po s’paskan qenë? E çuditshme. Budallallëk i tmerrshëm, megjithatë. Ku mund të ketë shkuar plaka? Kam punë.
— Edhe unë kam punë, o mik!
— Hë, ç’të bëjmë? Pra, mbrapsht. E-eh! E unë që mendoja të gjeja para! — thirri djaloshi.
— Natyrisht, mbrapsht, po pse të caktonte orë? Vetë ajo, shtriga, ma caktoi orën. Për mua është rrugë e gjatë. Po ku dreqin të shkojë e të vërdallet, s’e kuptoj? Gjithë vitin rri shtriga, mykur, këmbët i dhembin, e tani befas paska dalë shëtitje!
— Mos ta pyesim portierin?
— Për çfarë?
— Ku shkoi dhe kur do të kthehet?
— Hm… dreqi… ta pyesim… Po ajo s’shkon kurrë gjëkundi… — dhe e tundi edhe një herë dorezën e bravës. — Dreqi e mori, s’kemi ç’të bëjmë, po ikim!
— Prisni! — thirri befas djaloshi, — shikoni: e shihni si largohet dera, po ta tundësh?
— Hë?
— Do të thotë se s’është mbyllur me kyç, po me shul, me grremç domethënë! E dëgjoni si tringëllon shuli?
— Hë?
— Po si s’e kuptoni? Do të thotë se ndonjëra prej tyre është në shtëpi. Sikur të kishin ikur të gjitha, do ta kishin mbyllur nga jashtë me kyç, e jo me shul nga brenda. Kurse këtu, — e dëgjoni si tringëllon shuli? Dhe që ta mbyllësh derën me shul nga brenda, duhet të jesh në shtëpi, e kuptoni? Pra, rrinë në shtëpi, po s’hapin!
— Ba! Po vërtet! — thirri Kohu i habitur. — Po ç’kanë atje! — Dhe filloi ta tundte derën si i tërbuar.
— Prisni! — thirri përsëri djaloshi, — mos e tundni! Këtu diçka s’shkon… ju i ratë ziles, e tundët — s’hapin; pra, ose të dyja kanë rënë të fikëta, ose…
— Ose çfarë?
— Ja çfarë: të shkojmë të thërrasim portierin; le t’i zgjojë ai vetë.
— Ashtu! — Të dy u nisën poshtë.
— Prisni! Rrini ju këtu, kurse unë do të vrapoj poshtë për portierin.
— Pse të rri?
— E kush e di ç’mund të ndodhë?..
— Mirë, pra…
— Unë po përgatitem të bëhem hetues gjyqësor! Këtu është e qartë, e qqqartë që diçka s’shkon! — thirri me zjarr djaloshi dhe u nis me vrap poshtë nëpër shkallë.
Kohu mbeti, e lëvizi edhe një herë ngadalë zilen, dhe ajo tringëlliu një goditje; pastaj ngadalë, sikur po mendonte e po shqyrtonte, filloi ta lëvizte dorezën e derës, duke e tërhequr e duke e lëshuar, që të bindej edhe një herë se ishte mbyllur vetëm me shul. Pastaj, duke gulçuar, u përkul dhe filloi të shikonte nga vrima e çelësit; por në të ishte çelësi nga brenda, dhe, pra, s’mund të shihej asgjë.
Raskolnikovi qëndronte dhe shtrëngonte sëpatën. Ishte si në kllapi. Madje po përgatitej të përleshej me ta, kur të hynin. Kur trokisnin e merreshin vesh, disa herë i erdhi befas mendimi t’i jepte fund gjithçkaje njëherësh dhe t’u thërriste nga pas derës. Herë-herë i vinte të fillonte t’i shante, t’i ngacmonte, derisa të mos e kishin hapur. „Të paktën sa më shpejt!“ — i shkrepi në kokë.
— Po ky, dreqi…
Koha kalonte, një minutë, një tjetër — s’vinte njeri. Kohu filloi të lëvizte.
— Po dreqi!.. — thirri ai befas dhe, me padurim, duke e lënë rojën, u nis edhe ai poshtë, duke nxituar e duke trokitur me çizme nëpër shkallë. Hapat u shuan.
— O Zot, ç’të bëj!
Raskolnikovi hoqi shulin, e hapi pak derën — s’dëgjohej asgjë, dhe befas, krejt pa menduar më, doli, e mbylli derën pas vetes sa më fort që mundi dhe u hodh poshtë.
Kishte zbritur tashmë tri radhë shkallësh, kur befas u dëgjua një zhurmë e fortë më poshtë, — ku të futej! S’kishte ku të fshihej. Vrapoi mbrapsht, përsëri drejt banesës.
— Hej, djall, dreq! Kape!
Me britma doli me vrull dikush poshtë nga ndonjë banesë dhe jo që vrapoi, por sikur ra poshtë nëpër shkallë, duke bërtitur me sa i hante fyti:
— Mitka!3 Mitka! Mitka! Mitka! Mitka! Të marrtë dreqi-i-i!
Britma përfundoi me një ciklimë; tingujt e fundit u dëgjuan tashmë në oborr; gjithçka heshti. Por po në atë çast disa njerëz, që flisnin me zë të lartë e shpejt-shpejt, filluan të ngjiteshin me zhurmë nëpër shkallë. Ishin tre a katër. Ai dalloi zërin e kumbueshëm të djaloshit. „Ata janë!“
Në dëshpërim të plotë u nis drejt përballë tyre: ç’të bëhet, le të bëhet! Po ta ndalnin, gjithçka mbaroi; po ta linin të kalonte, prapë gjithçka mbaroi: do ta mbanin mend. Po afroheshin tashmë; midis tyre mbetej vetëm një radhë shkallësh — dhe befas shpëtimi! Disa shkallare larg tij, djathtas, një banesë bosh dhe e hapur krejt, po ajo banesë e katit të dytë, ku po lyenin punëtorët, kurse tani, si me qëllim, kishin ikur. Ata ishin, me siguri, që sapo kishin dalë me vrap me ato britma. Dyshemetë sapo ishin lyer, në mes të dhomës ishin një vozë e vogël dhe një enë balte me bojë e me furçë. Sa hap e mbyll sytë rrëshqiti nga dera e hapur dhe u fsheh pas murit, dhe ishte koha: ata qëndronin tashmë mu në sheshpushim. Pastaj u kthyen lart dhe kaluan pranë, për në katin e katërt, duke folur me zë të lartë. Ai priti, doli në majë të gishtave dhe vrapoi poshtë.
Askush në shkallë! As nën portë. Kaloi shpejt nën portë dhe u kthye majtas nëpër rrugë.
E dinte shumë mirë, e dinte jashtëzakonisht mirë se ata, në këtë çast, ishin tashmë në banesë, se ishin habitur shumë kur e kishin parë të hapur, ndërsa pak më parë kishte qenë e mbyllur, se po shikonin tashmë trupat dhe se s’do të kalonte më shumë se një minutë dhe do ta merrnin me mend e do ta kuptonin plotësisht se këtu sapo kishte qenë vrasësi dhe se kishte arritur të fshihej diku, të rrëshqiste pranë tyre, të ikte; do ta merrnin me mend, ndoshta, edhe se ai kishte ndenjur në banesën bosh, ndërsa ata kalonin lart. E ndërkaq, në asnjë mënyrë nuk guxonte ta shpejtonte shumë hapin, ndonëse deri te kthesa e parë mbeteshin nja njëqind hapa. „A të rrëshqas në ndonjë portë e të pres diku në ndonjë shkallë të panjohur? Jo, e keqe! Po a ta hedh diku sëpatën? A të marr një karrocë? E keqe! e keqe!“
Më në fund ja edhe rrugica; u fut në të gjysmë i vdekur; këtu ishte tashmë gjysmë i shpëtuar dhe e kuptonte këtë: më pak dyshime, e për më tepër këtu qarkullonte shumë popull, dhe ai humbiste në të si një kokërr rëre. Por të gjitha këto mundime e kishin rraskapitur aq shumë, sa mezi lëvizte. Djersa i rridhte pika-pika; qafa i ishte lagur e tëra. „Shih si qenka bërë tapë!“ — i thirri dikush, kur doli te kanali.
Tani nuk e mbante mend mirë veten; sa më tej, aq më keq. E mbante mend, megjithatë, si befas, kur doli te kanali, u tremb se kishte pak njerëz dhe se këtu binte më shumë në sy, dhe desh të kthehej mbrapsht në rrugicë. Megjithëse gati po binte, prapëseprapë bëri një rrotullim dhe arriti në shtëpi nga një anë krejt tjetër.
Jo plotësisht në vete kaloi edhe nën portën e shtëpisë së tij; të paktën kishte dalë tashmë në shkallë dhe vetëm atëherë iu kujtua sëpata. E ndërkaq e priste një detyrë shumë e rëndësishme: ta vinte në vend dhe sa më pa u vënë re. Natyrisht, ai s’ishte më në gjendje ta kuptonte se ndoshta do të ishte shumë më mirë të mos e vinte fare sëpatën në vendin e mëparshëm, por ta hidhte, qoftë edhe më vonë, diku në ndonjë oborr të huaj.
Por gjithçka shkoi mbarë. Dera e dhomëzës së portierit ishte e mbyllur, por jo me kyç, pra kishte shumë gjasa që portieri të ishte brenda. Por deri në atë shkallë e kishte humbur aftësinë për të kuptuar ndonjë gjë, sa iu afrua drejt dhomëzës së portierit dhe e hapi. Sikur portieri ta pyeste: „ç’do?“ — ai, ndoshta, do t’ia jepte drejt e sëpatën në dorë. Por portieri përsëri nuk ishte aty, dhe ai arriti ta vinte sëpatën në vendin e mëparshëm nën stol; madje e mbuloi me kërcu si më parë. Askënd, asnjë shpirt, nuk takoi pastaj deri në dhomën e tij; dera e së zonjës së shtëpisë ishte e mbyllur. Kur hyri te vetja, u hodh mbi divan, ashtu siç ishte. Nuk flinte, por ishte në harresë. Sikur të hynte dikush atëherë në dhomën e tij, do të hidhej menjëherë përpjetë e do të bërtiste. Copëza e grimca mendimesh i gëlonin në kokë; por asnjërin s’mund ta kapte, te asnjëri s’mund të ndalej, megjithë përpjekjet…
Shënime
Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim