Pjesa e pestë — V · Krim dhe ndëshkim
Kapitulli 31 nga 41
Lebezjatnikovi kishte një pamje të shqetësuar.
— Kam ardhur te ju, Sofja Semjonovna. Më falni… Ashtu e mendoja që do t’ju gjeja këtu, — iu drejtua ai befas Raskolnikovit, — domethënë s’mendoja asgjë… të këtij lloji… por pikërisht mendoja… Atje te ne Katerina Ivanovna u çmend, — ia preu ai befas Sonjës, duke e lënë Raskolnikovin.
Sonja thirri.
— Domethënë, të paktën, kështu duket. Megjithatë… Ne atje s’dimë ç’të bëjmë, ja ç’është, zonjushë! U kthye ajo — e kanë dëbuar nga diku, me sa duket, ndoshta edhe e kanë rrahur… të paktën kështu duket… Ajo vrapoi te shefi i Semjon Zaharoviçit, s’e gjeti në shtëpi; ai po hante drekë te ndonjë gjeneral tjetër… Përfytyroni, ajo ia mbathi atje ku po hanin drekë… te ky gjenerali tjetër, dhe, përfytyroni, — ngulmoi megjithatë, e thirri shefin e Semjon Zaharoviçit, e, me sa duket, edhe nga tryeza. Mund ta përfytyroni ç’doli atje. E nxorën, natyrisht; kurse ajo tregon se e shau vetë dhe i hodhi diçka. Kjo mund edhe të supozohet… si s’e morën? — s’e kuptoj! Tani u tregon të gjithëve, edhe Amalija Ivanovnës, vetëm se është e vështirë ta kuptosh, bërtet e përpëlitet… Ah po: ajo thotë e bërtet se, meqë tani e kanë braktisur të gjithë, do t’i marrë fëmijët e do të dalë në rrugë, me organo rrugësh, kurse fëmijët do të këndojnë e do të kërcejnë, edhe ajo, dhe do të mbledhin para, dhe do të shkojë çdo ditë nën dritaren e gjeneralit… „Le ta shohin, thotë, si lypin nëpër rrugë fëmijët fisnikë të një babai nëpunës!“ I rreh të gjithë fëmijët, ata qajnë. Lenjës i mëson të këndojë „Fermëzën“,1 djalit të kërcejë, edhe Polina Mihajllovnës, gris gjithë rrobat; u bën ca kapele të vogla, si aktorëve; vetë do të mbajë një legen, që t’i bjerë, në vend të muzikës… S’dëgjon asgjë… Përfytyroni, si kështu? Kjo është thjesht e pamundur!
Lebezjatnikovi do të vazhdonte edhe më, por Sonja, që e dëgjonte mezi duke marrë frymë, rrëmbeu befas mantelin, kapelën dhe doli me vrap nga dhoma, duke u veshur rrugës. Raskolnikovi doli pas saj, Lebezjatnikovi pas tij.
— Me siguri është çmendur! — i thoshte ai Raskolnikovit, duke dalë me të në rrugë, — vetëm se s’desha ta trembja Sofja Semjonovnën dhe thashë: „me sa duket“, po s’ka asnjë dyshim. Thonë se në tuberkuloz i dalin ca tuberkula të tillë në tru; gjynah që s’di mjekësi. Megjithatë, u përpoqa ta bindja, por ajo s’dëgjon asgjë.
— I folët për tuberkulat?
— Domethënë jo krejt për tuberkulat. Përveç kësaj, ajo s’do të kuptonte asgjë. Por unë po flas për këtë: po ta bindësh logjikisht njeriun se, në thelb, s’ka përse të qajë, ai do të pushojë së qari. Kjo është e qartë. Kurse bindja juaj është se s’do të pushojë?
— Atëherë do të ishte tepër lehtë të rroje, — u përgjigj Raskolnikovi.
— Më lejoni, më lejoni; natyrisht, Katerina Ivanovnës i është mjaft e vështirë ta kuptojë; por a e dini se në Paris janë bërë tashmë eksperimente serioze për mundësinë e shërimit të të çmendurve, duke vepruar vetëm me bindje logjike? Një profesor atje, që vdiq së fundi, shkencëtar serioz, mendoi se kështu mund të mjekohej.2 Ideja e tij themelore është se tek të çmendurit s’ka ndonjë çrregullim të veçantë në organizëm, kurse çmenduria është, si të thuash, një gabim logjik, një gabim në gjykim, një pikëpamje e gabuar për gjërat. Ai e kundërshtonte gradualisht të sëmurin dhe, përfytyroni, arrinte, thonë, rezultate! Por meqë në këtë rast përdorte edhe dushe, rezultatet e këtij mjekimi i nënshtrohen, natyrisht, dyshimit… Të paktën kështu duket…
Raskolnikovi prej kohësh s’e dëgjonte më. Kur arriti te shtëpia e tij, i bëri me kokë Lebezjatnikovit dhe u kthye nën portë. Lebezjatnikovi erdhi në vete, hodhi sytë përreth dhe vrapoi më tej.
Raskolnikovi hyri në kthinën e tij dhe qëndroi në mes të saj. „Përse ishte kthyer këtu?“ Vështroi këtë letër muri të verdhemë, të fërkuar, këtë pluhur, divanin e tij… Nga oborri vinte njëfarë trokitjeje e prerë, e pandërprerë; diçka diku sikur po ngulnin, ndonjë gozhdë… U afrua te dritarja, u ngrit në majë të gishtave dhe për një kohë të gjatë, me një pamje vëmendjeje të jashtëzakonshme, vështroi në oborr. Por oborri ishte bosh, dhe ata që trokitnin s’dukeshin. Majtas, në krahun e ndërtesës, dukeshin këtu-këtu dritare të hapura; në parvazë qëndronin vazo të vogla me barbarozë të dobët. Jashtë dritareve ishin varur ndërresa… Të gjitha këto i dinte përmendësh. U kthye dhe u ul në divan.
Kurrë, kurrë s’e kishte ndier veten kaq tmerrësisht të vetmuar!
Po, ndjeu edhe një herë se, ndoshta, vërtet do ta urrejë Sonjën, dhe pikërisht tani, kur e bëri më fatkeqe. „Përse shkoi tek ajo t’i lypte lotët? Përse i duhej kaq shumë t’ia hante jetën? Oh, poshtërsi!“
— Do të mbetem vetëm! — tha ai befas me vendosmëri, — dhe ajo s’do të vijë në burg!
Pas nja pesë minutash ngriti kokën dhe buzëqeshi çuditshëm. Ishte një mendim i çuditshëm: „Ndoshta në katorgë vërtet është më mirë“, — i shkoi befas ndër mend.
S’i kujtohej sa ndenji tek vetja, me mendime të papërcaktuara që i grumbulloheshin në kokë. Befas dera u hap dhe hyri Avdotja Romanovna. Ajo në fillim u ndal dhe e vështroi nga pragu, si pak më parë ai Sonjën; pastaj kaloi dhe u ul përballë tij në karrige, në vendin e saj të djeshëm. Ai e vështroi në heshtje e disi pa mendim.
— Mos u zemëro, vëlla, kam ardhur vetëm për një minutë, — tha Dunja. Shprehja e fytyrës së saj ishte e menduar, por jo e ashpër. Vështrimi ishte i kthjellët e i qetë. Ai e pa se edhe kjo kishte ardhur tek ai me dashuri.
— Vëlla, tani i di të gjitha, të gjitha. Dmitri Prokofiçi m’i shpjegoi e m’i tregoi të gjitha. Të ndjekin e të torturojnë për një dyshim budalla e të ndyrë… Dmitri Prokofiçi më tha se s’ka asnjë rrezik dhe se kot e merr këtë me kaq tmerr. Unë s’mendoj kështu dhe e kuptoj plotësisht sa është trazuar gjithçka te ti dhe se kjo indinjatë mund të lërë gjurmë përgjithmonë. Nga kjo kam frikë. Që na braktise, s’të gjykoj dhe s’guxoj të të gjykoj, dhe më fal që të qortova më parë. E ndiej në veten time se, sikur të kisha një hidhërim kaq të madh, edhe unë do të largohesha nga të gjithë. Nënës s’do t’i tregoj asgjë për këtë, por do t’i flas për ty pa pushim dhe do t’i them në emrin tënd se do të vish shumë shpejt. Mos u mundo për të; unë do ta qetësoj; po edhe ti mos e mundo, — eja të paktën një herë; kujto se ajo është nëna! E tani erdha vetëm të të them (Dunja filloi të ngrihej nga vendi) se, nëse rastësisht të duhem për diçka ose të duhet… gjithë jeta ime, apo diçka… atëherë më thirr, do të vij. Lamtumirë!
U kthye prerë dhe shkoi drejt derës.
— Dunja! — e ndali Raskolnikovi, u ngrit dhe iu afrua, — ky Razumihini, Dmitri Prokofiçi, është njeri shumë i mirë.
Dunja u skuq fare pak.
— Hë! — pyeti ajo, pasi priti një minutë.
— Është njeri i punëve, punëtor, i ndershëm e i aftë të dashurojë fort… Lamtumirë, Dunja.
Dunja u skuq e tëra, pastaj befas u shqetësua:
— Po ç’është kjo, vëlla, mos vallë ndahemi vërtet përgjithmonë, që po më lë… porosi të tilla?
— Njësoj është… lamtumirë.
Ai u kthye mënjanë dhe u largua prej saj drejt dritares. Ajo qëndroi pak, e vështroi e shqetësuar dhe doli në ankth.
Jo, ai s’ishte i ftohtë me të. Pati një çast (më të fundit), kur i erdhi tmerrësisht ta përqafonte fort e të ndahej me të, e madje t’ia thoshte, por as dorën s’guxoi t’ia jepte:
„Pastaj ndoshta do të drithërohet, kur të kujtojë që e përqafoja tani, do të thotë se ia vodha puthjen!“
„E a do ta durojë kjo apo s’do ta durojë? — shtoi ai pas disa minutash me vete. — Jo, s’do ta durojë; të tillat s’e durojnë dot! Të tillat kurrë s’e durojnë…“
Dhe mendoi për Sonjën.
Nga dritarja frynte freski. Në oborr drita s’ndriçonte më aq fort. Befas mori kasketën dhe doli.
Ai, natyrisht, s’mundte, dhe as s’donte, të kujdesej për gjendjen e tij të sëmurë. Por gjithë ky shqetësim i pandërprerë e gjithë ky tmerr shpirtëror s’mund të kalonin pa pasoja. Dhe nëse ende s’dergjej në ethe të vërteta, ndoshta ishte pikërisht sepse ky shqetësim i brendshëm, i pandërprerë, e mbante ende në këmbë e në vetëdije, por disi artificialisht, deri në një kohë.
Endej pa qëllim. Dielli po perëndonte. Njëfarë trishtimi i veçantë kishte filluar t’i shfaqej kohët e fundit. Në të s’kishte diçka veçanërisht therëse, djegëse; por prej tij frynte diçka e vazhdueshme, e përjetshme, parandiheshin vite pa rrugëdalje të këtij trishtimi të ftohtë, vdekjeprurës, parandihej njëfarë përjetësie në „një arshin hapësirë“. Në orët e mbrëmjes kjo ndjesi zakonisht fillonte ta mundonte edhe më fort.
— Ja, me këto dobësi kaq budallaqe, thjesht fizike, që varen nga ndonjë perëndim dielli, mbaje veten e mos bëj ndonjë budallallëk! Jo vetëm te Sonja, po edhe te Dunja do të shkosh! — mërmëriti ai me urrejtje.
E thirrën. U kthye; drejt tij u hodh Lebezjatnikovi.
— Përfytyroni, isha te ju, po ju kërkoj. Përfytyroni, ajo e zbatoi qëllimin e saj dhe i mori fëmijët! Unë me Sofja Semjonovnën mezi i gjetëm. Vetë i bie një tigani, fëmijët i detyron të këndojnë e të kërcejnë. Fëmijët qajnë. Ndalen nëpër udhëkryqe e pranë dyqaneve. Pas tyre vrapon populli budalla. Ejani.
— Po Sonja?.. — pyeti i shqetësuar Raskolnikovi, duke nxituar pas Lebezjatnikovit.
— Thjesht në ekstazë. Domethënë jo Sofja Semjonovna në ekstazë, po Katerina Ivanovna; po, megjithatë, edhe Sofja Semjonovna në ekstazë. Kurse Katerina Ivanovna krejt në ekstazë. Po ju them, është çmendur përfundimisht. Do t’i marrin në polici. Mund ta përfytyroni si do të ndikojë kjo… Tani janë buzë kanalit pranë urës —ski, shumë afër Sofja Semjonovnës. Afër.
Buzë kanalit, jo shumë larg urës dhe pa arritur dy shtëpi para shtëpisë ku banonte Sonja, ishte grumbulluar një tufë njerëzish. Vraponin sidomos çunakë e vajzaka. Zëri i ngjirur, i këputur i Katerina Ivanovnës dëgjohej qysh nga ura. Dhe vërtet, ishte një pamje e çuditshme, e aftë të interesonte publikun e rrugës. Katerina Ivanovna, me fustanin e saj të vjetër, me shallin prej drapdedami e me një kapelë kashte të thyer, të zhvendosur si një lëmsh i shëmtuar mënjanë, ishte vërtet në një ekstazë të njëmendtë. Ishte lodhur dhe i merrej fryma. Fytyra e saj e rraskapitur, me tuberkuloz, dukej më e vuajtur se kurrë (për më tepër në rrugë, në diell, i tuberkulozuri duket gjithmonë më i sëmurë e më i shëmtuar se në shtëpi); por gjendja e saj e ngacmuar s’pushonte, dhe me çdo minutë bëhej edhe më e nervozuar. Hidhej drejt fëmijëve, u bërtiste, i bindte, u mësonte aty para popullit si të kërcenin e ç’të këndonin, fillonte t’u shpjegonte përse duhej kjo, dëshpërohej nga mosmarrja vesh e tyre, i rrihte… Pastaj, pa e mbaruar, hidhej drejt publikut; po të vinte re ndonjë njeri pak a shumë të veshur mirë, që ishte ndalur të shikonte, fillonte menjëherë t’i shpjegonte se ja, gjoja, deri ku janë katandisur fëmijët „nga një shtëpi fisnike, madje mund të thuhet aristokratike“. Po të dëgjonte në turmë të qeshura a ndonjë fjalë ngacmuese, sulej menjëherë mbi të paturpshmit e fillonte të shahej me ta. Disa, vërtet, qeshnin, të tjerë tundnin kokën; të gjithëve në përgjithësi u interesonte ta shihnin të çmendurën me fëmijët e trembur. Tiganin, për të cilin kishte folur Lebezjatnikovi, s’e kishte; të paktën, Raskolnikovi s’e pa; por në vend që t’i binte tiganit, Katerina Ivanovna fillonte të përplaste duart e saj të thata sipas ritmit, kur e detyronte Poleçkën të këndonte, kurse Lenjën e Koljën të kërcenin; madje edhe vetë fillonte t’u këndonte së bashku, por çdo herë këputej te nota e dytë nga një kollë e mundimshme, prej së cilës dëshpërohej përsëri, mallkonte kollën e saj, e madje qante. Më shumë se gjithçka e nxirrnin nga vetja të qarët e frika e Koljës dhe e Lenjës. Vërtet, ishte bërë një përpjekje për t’i veshur fëmijët me kostum, siç vishen këngëtarët e këngëtaret e rrugës. Djalit i kishin vënë një çallmë nga diçka e kuqe me të bardhë, që të paraqiste një turk. Për Lenjën s’kishin mjaftuar kostumet; i kishin vënë vetëm në kokë kësulën e kuqe, të thurur me lesh (ose më mirë të themi, takijen) e të ndjerit Semjon Zaharoviç, e në kësulë i kishin ngulur një copë pende të bardhë struci, që i kishte përkitur qysh gjyshes së Katerina Ivanovnës e që ruhej deri atëherë në sënduk, si një rrallësi familjare. Poleçka ishte me fustanin e saj të zakonshëm. Ajo e vështronte nënën me druajtje e e hutuar, s’largohej prej saj, i fshihte lotët, e merrte me mend çmendurinë e nënës dhe vështronte e shqetësuar përreth. Rruga dhe turma e kishin trembur tmerrësisht. Sonja ecte pandërprerë pas Katerina Ivanovnës, duke qarë e duke iu lutur çdo minutë të kthehej në shtëpi. Por Katerina Ivanovna ishte e paepur.
— Mjaft, Sonja, mjaft! — bërtiste ajo shpejt e shpejt, duke nxituar, duke iu marrë fryma e duke u kollitur. — As vetë s’e di ç’kërkon, si fëmijë! Të thashë tashmë që s’do të kthehem prapë te kjo gjermane e dehur. Le ta shohin të gjithë, gjithë Petersburgu, si lypin lëmoshë fëmijët e një babai fisnik, që shërbeu gjithë jetën me besnikëri e drejtësi dhe, mund të thuhet, vdiq në shërbim. (Katerina Ivanovna kishte arritur tashmë ta krijonte këtë fantazi e t’i besonte verbërisht.) Le ta shohë, le ta shohë ky gjeneralucë i pavlerë. E edhe budallaqe je, Sonja: ç’do të hamë tani, më thuaj? Mjaft të kemi torturuar, s’dua më! Ah, Rodion Romaniç, ju jeni! — thirri ajo, kur pa Raskolnikovin, duke u hedhur drejt tij, — shpjegojani, ju lutem, kësaj budallaqeje se s’mund të bëhet gjë më e mençur! Edhe ata me organo rrugësh fitojnë, kurse ne do të na dallojnë të gjithë menjëherë, do ta marrin vesh që jemi një familje e varfër fisnike jetimësh, të katandisur në varfëri, e ky gjeneralucë do ta humbasë vendin, do ta shihni! Do të shkojmë çdo ditë nën dritaret e tij, e kur të kalojë sovrani, do të bie në gjunjë, do t’i nxjerr këta të gjithë përpara dhe do t’i tregoj: „Mbroji, o atë!“ Ai është ati i jetimëve, është i mëshirshëm, do t’i mbrojë, do ta shihni, kurse këtë gjeneralucën… Lenja! tenez-vous droite!3 Ti, Kolja, do të kërcesh prapë tani. Pse qaravitesh? Prapë po qaravitet! Hë, nga se, nga se ke frikë, budallush! O Zot! ç’të bëj me ta, Rodion Romaniç! Sikur ta dinit sa të pamend janë! Hë, ç’të bësh me të tillë!..
Dhe ajo, vetë gati duke qarë (gjë që s’e pengonte të folurën e saj të shpejtë, të pandërprerë e të pareshtur), i tregonte fëmijët që qaravitnin. Raskolnikovi provoi ta bindte të kthehej e madje i tha, duke menduar se do të ndikonte te sedra e saj, se s’ishte e hijshme për të të ecte nëpër rrugë, si ecin ata me organo, meqë po përgatitej të bëhej drejtoreshë e një konvikti fisnik vajzash…
— Konvikti, ha-ha-ha! Të bukura tingëllojnë daullet përtej maleve! — thirri Katerina Ivanovna, duke u mbytur menjëherë pas të qeshurës nga kolla, — jo, Rodion Romaniç, ëndrra kaloi! Të gjithë na braktisën!.. Kurse ky gjeneralucë… E dini, Rodion Romaniç, i hodha një bojëmbajtëse, — aty, në dhomën e shërbëtorëve, ishte rastësisht mbi tryezë, pranë fletës ku firmosnin, dhe unë firmosa, ia hodha e ika me vrap. Oh, të poshtër, të poshtër. Po le të shkojë në djall; tani do t’i ushqej vetë këta, s’do t’i përulem askujt! Mjaft e kemi munduar atë! (Ajo tregoi Sonjën.) Poleçka, sa mblodhëm, trego? Si? Vetëm dy kapikë gjithsej? Oh, të ndyrë! S’japin asgjë, vetëm vrapojnë pas nesh me gjuhë jashtë! Hë, pse qesh ky trap? (tregoi ajo njërin nga turma). E gjitha kjo ngaqë ky Kolka është kaq i pamend, ç’mundim me të! Ç’të duhet, Poleçka? Fol me mua frëngjisht, parlez-moi français.4 Se të kam mësuar, se ti di disa fraza!.. Përndryshe si do ta dallojnë që jeni nga familje fisnike, fëmijë të edukuar dhe aspak si gjithë ata me organo; s’po shfaqim nëpër rrugë ndonjë „Petrushkë“,5 po do të këndojmë një romancë fisnike… Ah po! ç’do të këndojmë? Ju më ndërprisni gjithnjë, kurse ne… e shihni, ne u ndalëm këtu, Rodion Romaniç, që të zgjedhim ç’të këndojmë, — diçka të tillë që të mund të kërcejë edhe Kolja… sepse të gjitha këto i kemi, mund ta përfytyroni, pa përgatitje; duhet të merremi vesh, që t’i provojmë krejt të gjitha, e pastaj do të nisemi për në Prospektin e Nevës, ku ka shumë më tepër njerëz të shoqërisë së lartë e do të na vënë re menjëherë: Lenja di „Fermëzën“… Vetëm se gjithnjë „Fermëza“ e „Fermëza“, e të gjithë e këndojnë! Ne duhet të këndojmë diçka shumë më fisnike… Hë, ç’mendove ti, Polja, të paktën ti ta ndihmoje nënën! Kujtesë, kujtesë s’kam, përndryshe do ta kujtoja! S’do të këndojmë vërtet „Husari, mbështetur në shpatë“!6 Ah, të këndojmë frëngjisht „Cinq sous“!7 Se ju kam mësuar, ju kam mësuar. E kryesorja, meqë është frëngjisht, do ta shohin menjëherë që jeni fëmijë fisnikësh, dhe kjo do të jetë shumë më prekëse… Mund të këndohej edhe: „Malbrough s’en va-t-en guerre“, meqë është një këngë krejt për fëmijë dhe përdoret në të gjitha shtëpitë aristokratike, kur vënë fëmijët në gjumë.
Malbrough s’en va-t-en guerre,
Ne sait quand reviendra…8 —
Cinq sous, cinq sous,
Pour monter notre ménage…9
Khi-khi-khi! (Dhe ajo u mbyt nga kolla.) Ndreqe fustanin, Poleçka, supet të kanë rënë, — vuri re ajo përmes kollës, duke marrë frymë. — Tani duhet të silleni veçanërisht me hijeshi e me fisnikëri, që të shohin të gjithë që jeni fëmijë fisnikësh. Unë e thashë atëherë që korsetin duhej ta prisnim më të gjatë e për më tepër me dy copa. Ishe ti atëherë, Sonja, me këshillat e tua: „Më shkurt e më shkurt“, e ja doli që e shëmtuam krejt fëmijën… Hë, prapë po qani të gjithë! Po ç’keni, budallenj! Hë, Kolja, fillo shpejt, shpejt, shpejt, — oh, ç’fëmijë i padurueshëm!..
Cinq sous, cinq sous…
Prapë ushtari! Hë, ç’të duhet?
Vërtet, përmes turmës po çante rrugë një polic. Por në të njëjtën kohë një zotëri me uniformë e me kapotë, një nëpunës solid rreth pesëdhjetë vjeç, me urdhër në qafë (kjo e fundit i pëlqeu shumë Katerina Ivanovnës dhe ndikoi te polici), u afrua dhe në heshtje i dha Katerina Ivanovnës një kartëmonedhë të gjelbër trirublëshe. Në fytyrën e tij shprehej një dhembshuri e sinqertë. Katerina Ivanovna e pranoi dhe iu përkul me mirësjellje, madje me ceremoni.
— Ju falënderoj, i nderuar zotëri, — filloi ajo nga lart, — shkaqet që na shtynë… merri paratë, Poleçka. E sheh, ka njerëz fisnikë e bujarë, gati menjëherë t’i ndihmojnë një fisnikeje të varfër në fatkeqësi. Ju shihni, i nderuar zotëri, jetimë fisnikë, madje mund të thuhet me lidhjet më aristokratike… Kurse ky gjeneralucë rrinte e hante thëllëza… përplasi këmbët që e shqetësova… „Shkëlqesia juaj, i them, mbroni jetimët, duke e njohur shumë mirë, i them, të ndjerin Semjon Zaharoviç, e meqë të bijën e tij të vërtetë më i poshtri i të poshtërve e shpifi ditën e vdekjes së tij…“ Prapë ky ushtar! Mbromëni! — i bërtiti ajo nëpunësit, — pse më ngacmon ky ushtar? Ikëm tashmë nga një tjetër këtu nga rruga Meshçanskaja… hë, ç’punë ke ti, budalla!
— Sepse nëpër rrugë është e ndaluar, zonjë. Mos bëni skandal.
— Ti vetë je skandaloz! Për mua është njësoj sikur të eci me organo, ç’punë ke ti?
— Për organon duhet të keni leje, kurse ju vetvetiu, zonjë, e në këtë mënyrë po e mblidhni popullin. Ku banoni?
— Si, leje! — ulëriti Katerina Ivanovna. — Sot varrosa burrin, ç’leje këtu!
— Zonjë, zonjë, qetësohuni, — filloi nëpunësi, — ejani, do t’ju shoqëroj… Këtu në turmë s’është e hijshme… nuk jeni mirë…
— I nderuar zotëri, i nderuar zotëri, ju s’dini asgjë! — bërtiste Katerina Ivanovna, — do të shkojmë në Prospektin e Nevës, — Sonja, Sonja! Po ku është ajo? Edhe ajo qan! Po ç’keni të gjithë!.. Kolja, Lenja, ku po shkoni? — thirri ajo befas e trembur, — o fëmijë budallenj! Kolja, Lenja, po ku shkuan!..
Ndodhi që Kolja e Lenja, të trembur në shkallën e fundit nga turma e rrugës e nga të papriturat e nënës së çmendur, kur panë më në fund ushtarin që donte t’i merrte e t’i çonte diku, befas, sikur të ishin marrë vesh, u kapën dorë për dore dhe ia mbathën me vrap. Me ulërimë e me të qara u hodh Katerina Ivanovna e gjorë t’i arrinte. Ishte e shëmtuar e të vinte keq ta shikoje, duke vrapuar, duke qarë, duke iu marrë fryma. Sonja e Poleçka u hodhën pas saj.
— Ktheji, ktheji, Sonja! O fëmijë budallenj, mosmirënjohës!.. Polja! kapi… Për ju po…
Ajo u pengua në vrap të plotë dhe ra.
— U përgjak! O Zot! — thirri Sonja, duke u përkulur mbi të.
Të gjithë vrapuan, të gjithë u grumbulluan përreth. Raskolnikovi e Lebezjatnikovi vrapuan ndër të parët; nëpunësi nxitoi gjithashtu, e pas tij edhe polici, duke mërmëritur: „Eh-ma!“ e duke tundur dorën, duke parandier se puna do të kthehej në telash.
— Ikni! ikni! — i shpërndante ai njerëzit që shtyheshin përreth.
— Po vdes! — bërtiti dikush.
— U çmend! — tha një tjetër.
— Zot, na ruaj! — tha një grua, duke u kryqëzuar. — I kapën vajzën e vogël me djalin? Ja, po i sjellin, e madhja i kapi… Shih, të marrë!
Por kur e shqyrtuan mirë Katerina Ivanovnën, panë se ajo aspak s’ishte vrarë pas gurit, siç kishte menduar Sonja, por që gjaku që e skuqi kalldrëmin i kishte shpërthyer nga kraharori përmes fytit.
— Këtë e di, e kam parë, — mërmëriste nëpunësi duke iu drejtuar Raskolnikovit e Lebezjatnikovit, — ky është tuberkuloz, zotëri; shpërthen kështu gjaku dhe të mbyt. Me një të afërme timen, jo shumë kohë më parë, kam qenë dëshmitar, dhe kështu nja një gotë e gjysmë… befas, zotëri… Po ç’të bëjmë, megjithatë, do të vdesë tani?
— Këtu, këtu, te unë! — lutej Sonja, — ja këtu banoj!.. Ja kjo shtëpi, e dyta prej këtej… Te unë, sa më shpejt, sa më shpejt!.. — hidhej ajo te të gjithë. — Dërgoni për mjek… O Zot!
Me përpjekjet e nëpunësit kjo punë u rregullua, madje edhe polici ndihmoi ta mbartnin Katerina Ivanovnën. E futën te Sonja gati të vdekur dhe e shtrinë në shtrat. Gjakderdhja vazhdonte ende, por ajo sikur kishte filluar të vinte në vete. Në dhomë hynë njëherësh, përveç Sonjës, Raskolnikovi e Lebezjatnikovi, nëpunësi dhe polici, që e kishte shpërndarë më parë turmën, nga e cila disa i kishin përcjellë deri te dera. Poleçka futi brenda, duke i mbajtur për duarsh, Koljën e Lenjën, që dridheshin e qanin. Erdhën edhe nga Kapernaumovët: vetë ai, çalaman e i shtrembër, një njeri me pamje të çuditshme, me flokë e me favorite të ashpra, që i qëndronin përpjetë; e shoqja, që kishte njëherë e përgjithmonë njëfarë pamjeje të trembur, dhe disa nga fëmijët e tyre, me fytyra të ngurtësuara nga habia e vazhdueshme e me gojë hapur. Midis gjithë këtij publiku u shfaq befas edhe Svidrigajlovi. Raskolnikovi e vështroi me habi, duke mos kuptuar nga doli dhe duke mos e kujtuar në turmë.
Flisnin për mjekun e për priftin. Nëpunësi, megjithëse i pëshpëriti Raskolnikovit se, me sa duket, mjeku tani ishte i tepërt, urdhëroi të dërgonin. Vrapoi vetë Kapernaumovi.
Ndërkaq Katerina Ivanovna mori frymë, gjaku për ca kohë u ndal. Ajo shikonte me një vështrim të sëmurë, por të ngulët e depërtues, Sonjën e zbehtë e që dridhej, që i fshinte me shami pikat e djersës nga balli; më në fund, kërkoi ta ngrinin pak. E ulën në shtrat, duke e mbajtur nga të dyja anët.
— Ku janë fëmijët? — pyeti ajo me zë të dobët. — I solle, Polja? O budallenj!.. Hë, pse ikët me vrap… Oh!
Gjaku ia mbulonte ende buzët e thara. Ajo hodhi sytë përreth, duke vështruar:
— Kështu pra rron ti, Sonja! Asnjëherë s’kam qenë te ti… m’u desh…
Ajo e vështroi me vuajtje:
— Ta thithëm gjithë gjakun, Sonja… Polja, Lenja, Kolja, ejani këtu… Hë, ja ku janë, Sonja, të gjithë, merri… nga duart në duar… kurse për mua mjaft!.. Mbaroi balloja! G’a!.. Më shtrini, më lini të paktën të vdes e qetë…
E shtrinë përsëri mbi jastëk.
— Ç’ka? Prifti?.. S’duhet… Ku keni ju një rubël të tepërt?.. S’kam mëkate!.. Zoti edhe pa këtë duhet të më falë… E di vetë sa kam vuajtur!.. E po s’më fali, s’ka gjë!..
Një kllapi e shqetësuar e pushtonte gjithnjë e më shumë. Herë-herë drithërohej, hidhte sytë përreth, i njihte të gjithë për një minutë; por menjëherë vetëdija zëvendësohej përsëri nga kllapia. Merrte frymë ngjirur e me vështirësi, diçka sikur i gurgullonte në fyt.
— I them: „Shkëlqesia juaj!..“ — thërriste ajo, duke marrë frymë pas çdo fjale, — kjo Amalija Ljudvigovna… ah! Lenja, Kolja! duart në ije, shpejt, shpejt, glissé-glissé, pas de basque!10 Trokit me këmbë… Ji fëmijë i hijshëm.
Du hast Diamanten und Perlen…11
Si vazhdon më tej? Ja, ta këndonim…
Du hast die schönsten Augen,
Mädchen, was willst du mehr?12
Hë po, si jo! was willst du mehr, — ç’sajon, budallai!.. Ah po, ja edhe kjo:
Në vapë mesdite, në luginë të Dagestanit…13
Ah, sa e doja… E doja deri në adhurim këtë romancë, Poleçka!.. e di, babai yt… e këndonte qysh kur ishte i fejuar… O ditë!.. Ja, ta këndonim, ta këndonim! Hë, si, si… ja, e harrova… po ma kujtoni, pra, si? — Ishte në një trazim të jashtëzakonshëm dhe përpiqej të ngrihej. Më në fund, me një zë të tmerrshëm, të ngjirur, që i këputej, ajo filloi, duke thirrur e duke iu marrë fryma në çdo fjalë, me pamjen e njëfarë frike që rritej:
Në vapë mesdite!.. në luginë!.. të Dagestanit!..
Me plumb në gji!..
Shkëlqesia juaj! — ulëriti ajo befas me një ulërimë që të çante zemrën e duke shpërthyer në lot, — mbroni jetimët! Duke njohur bukën e kripën e të ndjerit Semjon Zaharoviç!.. Madje mund të thuhet aristokratike!.. G’a! — u drodh ajo befas, duke ardhur në vete e duke i vështruar të gjithë me njëfarë tmerri, por menjëherë e njohu Sonjën. — Sonja, Sonja! — tha ajo me butësi e me dashuri, sikur e habitur që e shihte para vetes, — Sonja, e dashur, edhe ti këtu?
E ngritën përsëri pak.
— Mjaft!.. Është koha!.. Lamtumirë, e mjera!.. E rraskapitën gërdallën!.. U këput-u-ua! — bërtiti ajo me dëshpërim e me urrejtje dhe u përplas me kokë mbi jastëk.
Ra përsëri në harresë, por kjo harresë e fundit s’zgjati shumë. Fytyra e saj e verdhë e zbehtë, e tharë, iu hodh mbrapsht, goja iu hap, këmbët iu zgjatën me ngërç. Ajo psherëtiu thellë-thellë dhe vdiq.
Sonja ra mbi kufomën e saj, e përqafoi me duar dhe mbeti ashtu e ngrirë, me kokën të mbështetur mbi kraharorin e tharë të së ndjerës. Poleçka u përkul te këmbët e nënës dhe ia puthte, duke qarë me dënesë. Kolja e Lenja, pa e kuptuar ende se ç’kishte ndodhur, por duke parandier diçka shumë të tmerrshme, e kapën njëri-tjetrin me të dyja duart për supesh dhe, duke ngulur sytë njëri te tjetri, befas bashkë, njëherësh, hapën gojën e filluan të bërtisnin. Të dy ishin ende me kostume: njëri me çallmë, tjetra me takijen me pendë struci.
Dhe si u gjend befas kjo „fletë lavdërimi“ mbi shtrat, pranë Katerina Ivanovnës? Ishte aty, pranë jastëkut; Raskolnikovi e pa.
Ai u largua te dritarja. Lebezjatnikovi u hodh drejt tij.
— Vdiq! — tha Lebezjatnikovi.
— Rodion Romanoviç, kam dy fjalë të nevojshme t’ju them, — u afrua Svidrigajlovi. Lebezjatnikovi ia la menjëherë vendin dhe u zhduk me delikatesë. Svidrigajlovi e çoi Raskolnikovin e habitur edhe më larg në qoshe.
— Gjithë këtë rrëmujë, domethënë varrimin e të tjerat, e marr përsipër unë. E dini, vetëm të ketë para, e unë ju thashë që kam të tepërta. Këta dy zogj e këtë Poleçkën do t’i vendos në ndonjë jetimore nga më të mirat dhe do të vë për secilin, deri në moshën madhore, nga një mijë e pesëqind rubla kapital, që Sofja Semjonovna të jetë krejt e qetë. Edhe atë do ta nxjerr nga pellgu, sepse është vajzë e mirë, apo jo? Hë, zotëri, pra thuajini Avdotja Romanovnës se dhjetë mijë rublat e saj i përdora ja kështu.
— Me ç’qëllime u bëtë kaq bamirës? — pyeti Raskolnikovi.
— E-eh! Njeri mosbesues! — qeshi Svidrigajlovi. — Se unë ju thashë që këto para i kam të tepërta. Hë, po thjesht, nga njerëzia, s’e pranoni, apo? Se ajo s’ishte „morr“ (ai drejtoi gishtin drejt asaj qosheje ku ishte e ndjera), si ndonjë plakushë fajdexhore. Hë, pranojeni, hë „të rrojë vërtet Luzhini e të bëjë poshtërsi, apo të vdesë ajo?“ E po të mos ndihmoja unë, atëherë „Poleçka, për shembull, do të shkojë po atje, në po atë rrugë…“
E tha këtë me pamjen e njëfarë mashtrimi të gëzuar, që shkel syrin, pa ia ndarë sytë Raskolnikovit. Raskolnikovi u zbeh dhe u ngrir, duke dëgjuar shprehjet e tij vetjake, të thëna Sonjës. U zmbraps shpejt dhe e vështroi egërsisht Svidrigajlovin.
— Po-pse… e dini ju? — pëshpëriti ai, mezi duke marrë frymë.
— Po unë qëndroj këtu, pas murit, te madam Resslih. Këtu është Kapernaumovi, kurse atje madam Resslih, mike e vjetër e shumë besnike. Fqinj, zotëri.
— Ju?
— Unë, — vazhdoi Svidrigajlovi, duke u lëkundur nga e qeshura, — dhe mund t’ju siguroj për nder, i dashuri Rodion Romanoviç, se më keni ngjallur një interes të mrekullueshëm. Se ju thashë që do të afrohemi, jua parashikova, — hë, ja ku u afruam. Dhe do ta shihni ç’njeri i shkathët jam. Do ta shihni se me mua mund të rrosh ende…
Shënime
-
„Fermëza“ (rus. «Хуторок»): romancë popullore me vargje të Aleksej Kolcovit. ↩︎
-
Aludim për psikiatrin francez Fransua Lërë (François Leuret, 1797–1851), që i trajtonte të çmendurit me „mjekim moral“, d.m.th. me bindje, por edhe me dushe të ftohta. ↩︎
-
Tenez-vous droite! (fr.): Rri drejt! ↩︎
-
Parlez-moi français (fr.): fol me mua frëngjisht. ↩︎
-
Petrushka: personazhi kryesor i teatrit popullor rus të kukullave, që shfaqej nëpër rrugë e panaire. ↩︎
-
„Husari, mbështetur në shpatë“: romancë e njohur me vargje të poetit Konstantin Batjushkov. ↩︎
-
„Cinq sous“ (fr.): „Pesë grosh“, këngë popullore franceze. ↩︎
-
(fr.) „Malbruku niset për luftë, / s’dihet kur do të kthehet…“ — këngë e vjetër popullore franceze për dukën e Marlboros. ↩︎
-
(fr.) „Pesë grosh, pesë grosh, / për të ngritur shtëpinë tonë…“ ↩︎
-
Glissé, pas de basque (fr.): hapa vallëzimi. ↩︎
-
(gjerm.) „Ti ke diamante e perla…“ — nga një poezi e Hajnrih Hajnes, e kënduar si romancë. ↩︎
-
(gjerm.) „Ti ke sytë më të bukur, / vajzë, ç’do më shumë?“ — po nga ajo poezi e Hajnes. ↩︎
-
Vargu i parë i poezisë „Ëndrra“ (1841) e Mihail Lermontovit, që vazhdon: „me plumb në gji dergjesha pa lëvizur…“ ↩︎
Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim