Pjesa e gjashtë — III · Krim dhe ndëshkim
Kapitulli 34 nga 41
Ai nxitonte për te Svidrigajlovi. Ç’mund të shpresonte nga ky njeri — as vetë s’e dinte. Por në këtë njeri fshihej njëfarë pushteti mbi të. Pasi e kishte kuptuar këtë një herë, s’mund të qetësohej më, e tani për më tepër kishte ardhur edhe koha.
Rrugës një pyetje e mundonte veçanërisht: a kishte qenë Svidrigajlovi te Porfiri?
Me aq sa mund të gjykonte e për aq sa do të betohej — jo, s’kishte qenë! Mendoi edhe e edhe, e kujtoi gjithë vizitën e Porfirit, e peshoi: jo, s’kishte qenë, natyrisht që s’kishte qenë!
Por nëse s’kishte qenë ende, a do të shkonte apo s’do të shkonte te Porfiri?
Tani për tani i dukej se s’do të shkonte. Pse? As këtë s’do ta shpjegonte dot, por edhe sikur ta shpjegonte, tani s’do ta vriste mendjen veçanërisht për këtë. Të gjitha këto e mundonin, e njëkohësisht disi s’i kishte mendja aty. Gjë e çuditshme, askush ndoshta s’do ta besonte këtë, por për fatin e tij të tanishëm, të menjëhershëm, kujdesej disi dobët, i hutuar. E mundonte diçka tjetër, shumë më e rëndësishme, e jashtëzakonshme, — për të vetë e për askënd tjetër, por diçka tjetër, diçka kryesore. Përveç kësaj, ndiente një lodhje morale të pakufishme, megjithëse arsyeja i punonte këtë mëngjes më mirë se gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit.
E pastaj a ia vlente tani, pas gjithçkaje që kishte ndodhur, të përpiqej t’i mposhtte të gjitha këto vështirësi të reja të mjera? A ia vlente, për shembull, të përpiqej të intrigonte, që Svidrigajlovi të mos shkonte te Porfiri; të studionte, të pyeste, të humbiste kohë për ndonjë Svidrigajlov!
Oh, sa e kishin mërzitur të gjitha këto!
E megjithatë ai prapëseprapë nxitonte për te Svidrigajlovi; mos vallë priste prej tij diçka të re, udhëzime, rrugëdalje? Edhe pas fijes së kashtës kapesh! Mos vallë fati, mos vallë ndonjë instinkt i bashkon? Ndoshta kjo ishte vetëm lodhje, dëshpërim; ndoshta duhej jo Svidrigajlovi, po dikush tjetër, kurse Svidrigajlovi thjesht i doli këtu përpara. Sonja? Po pse do të shkonte tani te Sonja? Përsëri t’i lypte lotët? E pastaj Sonja i ishte e tmerrshme. Sonja paraqiste një vendim të paepur, një vendim pa ndryshim. Këtu — ose rruga e saj, ose e tija. Sidomos në këtë minutë s’ishte në gjendje ta shihte. Jo, a s’është më mirë ta provojë Svidrigajlovin: ç’është ai? Dhe s’mund të mos e pranonte përbrenda se vërtet ai prej kohësh sikur i duhej për diçka.
Hë, megjithatë, ç’mund të kishin të përbashkët? Madje as krimi s’mund të ishte i njëjtë te ta. Ky njeri, përveç kësaj, ishte shumë i pakëndshëm, dukshëm jashtëzakonisht i shthurur, patjetër dinak e mashtrues, ndoshta shumë i lig. Për të qarkullonin tregime të tilla. E vërtetë, ai ishte përpjekur për fëmijët e Katerina Ivanovnës; por kush e di përse e ç’do të thotë kjo? Ky njeri ka gjithmonë ca qëllime e projekte.
Gjatë gjithë këtyre ditëve Raskolnikovit i shkrepte vazhdimisht edhe një mendim tjetër dhe e shqetësonte tmerrësisht, megjithëse madje përpiqej ta dëbonte nga vetja, aq i rëndë ishte për të! Ai mendonte ndonjëherë: Svidrigajlovi i vërtitej gjithnjë rreth e rrotull, edhe tani i vërtitet; Svidrigajlovi e mori vesh të fshehtën e tij; Svidrigajlovi kishte synime ndaj Dunjës. Po sikur edhe tani t’i ketë? Pothuajse me siguri mund të thuhet se po. Po sikur tani, pasi e mori vesh të fshehtën e tij e kështu fitoi pushtet mbi të, të dojë ta përdorë si armë kundër Dunjës?
Ky mendim ndonjëherë, madje edhe në gjumë, e mundonte, por për herë të parë i erdhi kaq me vetëdije të qartë, si tani, kur po shkonte te Svidrigajlovi. Vetëm ky mendim e çonte në një tërbim të zymtë. Së pari, atëherë do të ndryshojë gjithçka, madje edhe në gjendjen e tij vetjake: duhet t’ia zbulojë menjëherë të fshehtën Duneçkës. Duhet, ndoshta, ta dorëzojë vetë veten, për ta larguar Duneçkën nga ndonjë hap i pakujdesshëm. Letra? Sot në mëngjes Dunja mori njëfarë letre! Nga kush mund të merrte letra në Petersburg? (Luzhini, ndoshta?) E vërtetë, atje ruan Razumihini; por Razumihini s’di asgjë. Ndoshta duhet t’i zbulohet edhe Razumihinit? Raskolnikovi e mendoi këtë me neveri.
„Në çdo rast Svidrigajlovin duhet ta shoh sa më shpejt, — vendosi ai përfundimisht me vete. — Lavdi Zotit, këtu s’duhen aq hollësitë, sa thelbi i punës; por nëse, nëse vetëm është i aftë, nëse Svidrigajlovi po intrigon diçka kundër Dunjës, — atëherë…“
Raskolnikovi ishte lodhur aq shumë gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë gjithë këtij muaji, sa s’mund t’i zgjidhte më pyetje të tilla ndryshe veçse me një vendim të vetëm: „Atëherë do ta vras“, — mendoi ai në një dëshpërim të ftohtë. Një ndjenjë e rëndë ia shtrëngoi zemrën; u ndal në mes të rrugës dhe filloi të shikonte përreth: në ç’rrugë po ecën dhe ku ka arritur? Ndodhej në Prospektin —ski, nja tridhjetë a dyzet hapa larg Sennajës, që e kishte kaluar. Gjithë kati i dytë i shtëpisë majtas ishte zënë nga një tavernë. Të gjitha dritaret ishin hapur krejt; taverna, duke gjykuar nga figurat që lëviznin nëpër dritare, ishte plot e përplot. Në sallë këndonin këngëtarët, tingëllonin klarinetë, violinë e gjëmonte daullja turke. Dëgjoheshin klithma grash. Ai desh të kthehej mbrapsht, duke mos kuptuar pse ishte kthyer në Prospektin —ski, kur befas, në njërën nga dritaret e hapura anësore të tavernës, pa Svidrigajlovin, që rrinte mu pranë dritares, në një tryezë çaji, me llullë në gojë. Kjo e tronditi tmerrësisht, deri në tmerr. Svidrigajlovi e vëzhgonte e e shqyrtonte në heshtje dhe, gjë që gjithashtu e tronditi menjëherë Raskolnikovin, me sa duket desh të ngrihej, që të arrinte të ikte ngadalë, para se ta vinin re. Raskolnikovi bëri menjëherë sikur as ai vetë s’e kishte vënë re dhe po shikonte, i zhytur në mendime, anash, kurse vetë vazhdonte ta vëzhgonte me cep të syrit. Zemra i rrihte e shqetësuar. Pikërisht kështu: Svidrigajlovi dukshëm s’do që ta shohin. E hoqi llullën nga buzët dhe desh të fshihej tashmë; por, duke u ngritur e duke shtyrë karrigen, me siguri vuri re befas se Raskolnikovi po e shihte e po e vëzhgonte. Midis tyre ndodhi diçka e ngjashme me skenën e takimit të tyre të parë te Raskolnikovi, gjatë gjumit. Një buzëqeshje mashtruesi iu shfaq në fytyrë Svidrigajlovit dhe zgjerohej gjithnjë e më shumë. Edhe njëri, edhe tjetri e dinin se të dy po e shihnin e po e vëzhgonin njëri-tjetrin. Më në fund Svidrigajlovi shpërtheu me zë të lartë në të qeshur.
— Hë, hë! hyni pra, po të doni; jam këtu! — bërtiti ai nga dritarja.
Raskolnikovi u ngjit në tavernë.
E gjeti në një dhomë të pasme shumë të vogël, me një dritare, ngjitur me sallën e madhe, ku në njëzet tryeza të vogla, mes britmave të një kori të dëshpëruar këngëtarësh, pinin çaj tregtarë, nëpunës e shumë njerëz të çdo lloji. Nga diku vinte trokitja e topave të bilardos. Në tryezën para Svidrigajlovit ishte një shishe shampanjë e filluar dhe një gotë, gjysmë plot me verë. Në dhomëz ndodheshin edhe një djalosh me organo, me një organo të vogël dore, dhe një vajzë e shëndetshme, me faqe të kuqe, me fund me vija të ngritur pak e me kapelë tiroleze me shirita, këngëtare, nja tetëmbëdhjetë vjeçe, që, pavarësisht nga kënga e korit në dhomën tjetër, këndonte me shoqërimin e organistit, me një kontralto mjaft të ngjirur, njëfarë kënge shërbëtorësh…
— Hë, mjaft! — e ndërpreu Svidrigajlovi kur hyri Raskolnikovi.
Vajza e preu menjëherë dhe u ndal në pritje plot respekt. Këngën e saj të rimuar shërbëtorësh e këndonte gjithashtu me njëfarë nuance serioze e plot respekt në fytyrë.
— Hej, Filip, një gotë! — bërtiti Svidrigajlovi.
— Unë s’do të pi verë, — tha Raskolnikovi.
— Si të doni, s’e kam për ju. Pi, Katja! Sot s’do të duhet asgjë më, shko! — I mbushi një gotë të plotë me verë dhe nxori një kartëmonedhë të vogël të verdhë.1 Katja e piu gotën menjëherë, si pinë verë gratë, domethënë pa u shkëputur, me njëzet gllënjka, mori kartëmonedhën, i puthi dorën Svidrigajlovit, i cili e lejoi shumë seriozisht ta puthte, dhe doli nga dhoma, e pas saj u tërhoq edhe djaloshi me organo. Të dy ishin sjellë nga rruga. Svidrigajlovi s’kishte as një javë që rronte në Petersburg, po gjithçka rreth tij ishte tashmë në një këmbë patriarkale. Shërbëtori i tavernës, Filipi, ishte gjithashtu tashmë „i njohur“ dhe sillej me servilizëm. Dera për në sallë mbyllej; Svidrigajlovi në këtë dhomë ishte si në shtëpinë e tij dhe ndoshta kalonte në të ditë të tëra. Taverna ishte e ndyrë, e keqe e madje as e mesme.
— Unë po vija te ju e po ju kërkoja, — filloi Raskolnikovi, — po pse u ktheva tani befas në Prospektin —ski nga Sennaja! Unë kurrë s’kthehem këtu e s’vij. Kthehem nga Sennaja djathtas. E pastaj rruga për te ju s’është këtej. Sapo u ktheva, ja ku jeni! Kjo është e çuditshme!
— Pse s’e thoni drejt: kjo është mrekulli!
— Sepse kjo, ndoshta, është vetëm rastësi.
— Shih ç’natyrë kanë të gjithë këta njerëz! — qeshi Svidrigajlovi, — s’e pranojnë, edhe sikur përbrenda t’i besojnë mrekullisë! Se ju vetë e thoni që „ndoshta“ është vetëm rastësi. Dhe sa frikacakë të vegjël janë këtu të gjithë për mendimin e tyre, s’mund ta përfytyroni, Rodion Romaniç! S’po e them për ju. Ju keni mendimin tuaj dhe s’patë frikë ta kishit. Pikërisht me këtë ma tërhoqët kureshtjen.
— Me asgjë tjetër?
— Po edhe kjo mjafton.
Svidrigajlovi ishte dukshëm në një gjendje të ngacmuar, por vetëm një pikëz; verë kishte pirë vetëm gjysmë gote.
— Më duket se ju erdhët te unë para se të merrnit vesh që jam i aftë të kem atë që ju e quani mendim të vetin, — vuri re Raskolnikovi.
— Hë, atëherë ishte punë tjetër. Secili ka hapat e tij. Kurse për mrekullinë do t’ju them se ju, me sa duket, i fjetët këto dy-tri ditët e fundit. Ua caktova vetë këtë tavernë, dhe s’kishte asnjë mrekulli që erdhët drejt; jua shpjegova vetë gjithë rrugën, jua tregova vendin ku ndodhet dhe orët kur mund të më gjenit këtu. E mbani mend?
— E harrova, — u përgjigj i habitur Raskolnikovi.
— Ju besoj. Dy herë jua thashë. Adresa ju është ngulitur në kujtesë mekanikisht. Edhe u kthyet këtu mekanikisht, e megjithatë rreptësisht sipas adresës, pa e ditur vetë. Unë, edhe kur jua thoja atëherë, s’shpresoja se më kuptuat. Shumë e tradhtoni veten, Rodion Romaniç. E ja edhe diçka: jam i bindur se në Petersburg shumë njerëz, duke ecur, flasin me vete. Ky është qytet gjysmë të çmendurish. Sikur të kishim shkenca, mjekët, juristët e filozofët do të mund të bënin mbi Petersburgun kërkime nga më të çmuarat, secili në specialitetin e vet. Rrallë gjendet diku kaq shumë ndikime të zymta, të ashpra e të çuditshme mbi shpirtin e njeriut si në Petersburg. Ç’vlejnë vetëm ndikimet klimatike! E megjithatë ky është qendra administrative e gjithë Rusisë, dhe karakteri i tij duhet të pasqyrohet në gjithçka. Por s’është tani puna këtu, po që unë ju kam vështruar disa herë nga anash. Dilni nga shtëpia — e mbani ende kokën drejt. Pas njëzet hapash e ulni tashmë, duart i kryqëzoni prapa. Shikoni dhe, dukshëm, as përpara, as anash s’shihni më asgjë. Më në fund, filloni të lëvizni buzët e të flisni me vete, ku ndonjëherë e lironi dorën e deklamoni, më në fund, ndaleni në mes të rrugës për një kohë të gjatë. Kjo s’është aspak mirë, zotëri. Ndoshta ju vë re dikush, përveç meje, e kjo s’është në dobinë tuaj. Mua, në thelb, s’më bën përshtypje, dhe s’do t’ju shëroj, por ju, natyrisht, më kuptoni.
— Po ju e dini që më ndjekin? — pyeti Raskolnikovi, duke e vështruar me hetim.
— Jo, s’di asgjë, — u përgjigj sikur i habitur Svidrigajlovi.
— Hë, atëherë le të më lëmë të qetë, — mërmëriti i vrenjtur Raskolnikovi.
— Mirë, le t’ju lëmë të qetë.
— Më mirë më thoni, nëse vini këtu të pini e vetë më caktuat dy herë të vija këtu te ju, pse tani, kur shikova nga rruga në dritare, u fshihnit e donit të iknit? Këtë e vura re shumë mirë.
— He-he! E pse ju, kur unë qëndroja atëherë në pragun tuaj, rrinit shtrirë në divanin tuaj me sy mbyllur e bënit sikur flinit, ndërsa s’flinit fare? Këtë e vura re shumë mirë.
— Unë mund të kisha… shkaqe… ju vetë i dini.
— Edhe unë mund të kisha shkaqet e mia, megjithëse ju s’do t’i mësoni.
Raskolnikovi e vuri bërrylin e djathtë mbi tryezë, e mbështeti mjekrën nga poshtë me gishtat e dorës së djathtë dhe e nguli vështrimin mbi Svidrigajlovin. E shqyrtoi për një minutë fytyrën e tij, që e kishte tronditur gjithmonë edhe më parë. Ishte njëfarë fytyre e çuditshme, si një maskë: e bardhë, e kuqërremtë, me buzë të kuqe flakë, me mjekër bionde të çelët e me flokë bionde ende mjaft të dendura. Sytë ishin disi tepër të kaltër, kurse vështrimi i tyre disi tepër i rëndë e i palëvizshëm. Kishte diçka tmerrësisht të pakëndshme në këtë fytyrë të bukur e jashtëzakonisht të re, po të gjykoje nga mosha. Veshja e Svidrigajlovit ishte elegante, verore, e lehtë, sidomos mburrej me të brendshmet. Në gisht kishte një unazë të madhe me gur të shtrenjtë.
— Po mos vallë më duhet të merrem edhe me ju, — tha befas Raskolnikovi, duke dalë me një padurim ngërçor drejt e hapur, — ndonëse ju, ndoshta, jeni edhe njeriu më i rrezikshëm, po të doni të dëmtoni, po unë s’dua ta thyej më veten. Do t’ju tregoj tani që s’e çmoj veten aq shumë sa mendoni me siguri. Dijeni, pra, erdha te ju t’ju them drejt se, nëse e mbani qëllimin tuaj të mëparshëm për motrën time dhe nëse për këtë mendoni të përfitoni nga diçka që është zbuluar kohët e fundit, atëherë do t’ju vras, para se të më fusni në burg. Fjala ime është e sigurt: e dini që do të di ta mbaj. E dyta, nëse doni të më njoftoni diçka, — sepse gjatë gjithë kësaj kohe më dukej sikur donit të më thoshit diçka, — atëherë njoftojeni sa më shpejt, sepse koha është e çmuar dhe, ndoshta, shumë shpejt do të jetë tepër vonë.
— Po ku nxitoni kaq shumë? — pyeti Svidrigajlovi, duke e shqyrtuar me kureshtje.
— Secili ka hapat e tij, — tha i zymtë e me padurim Raskolnikovi.
— Ju vetë më nxitët tani për sinqeritet, kurse në pyetjen e parë refuzoni të përgjigjeni, — vuri re Svidrigajlovi me buzëqeshje. — Ju duket gjithnjë se kam ca qëllime, prandaj më shikoni me dyshim. Ç’ka, kjo është krejt e kuptueshme në gjendjen tuaj. Por, sado që dëshiroj të afrohem me ju, prapëseprapë s’do ta marr mundimin t’ju çbind. Për Zotin, loja s’ia vlen qiriun, e pastaj as s’kisha ndër mend të flisja me ju për ndonjë gjë të veçantë.
— Atëherë pse ju duhesha kaq shumë? Se ju më silleshit rrotull?
— Po thjesht si subjekt interesant për vëzhgim. Më pëlqyet me fantastikën e gjendjes suaj — ja me se! Përveç kësaj, jeni vëllai i një personi që më interesonte shumë, dhe, më në fund, nga vetë ky person, në kohën e vet, kam dëgjuar tmerrësisht shumë e shpesh për ju, prej nga nxora përfundimin se keni ndikim të madh mbi të; a s’mjafton kjo? He-he-he! Megjithatë, e pranoj, pyetja juaj për mua është shumë e ndërlikuar dhe më është e vështirë t’ju përgjigjem. Hë, ja, për shembull, se ju erdhët tani te unë jo vetëm për punë, po për diçka të re? Kështu, apo jo? Kështu, apo jo? — ngulmonte Svidrigajlovi me buzëqeshje mashtruesi, — hë, përfytyroni pra pas kësaj, që edhe unë vetë, ende duke ardhur këtu, në vagon, llogarisja pikërisht te ju, se edhe ju do të më thoni diçka të re dhe se pikërisht prej jush do të arrij të huazoj diçka! Ja ç’të pasur jemi!
— Ç’të huazoni?
— Po ç’t’ju them? Mos e di vallë ç’? E shihni në ç’tavernë të mjerë rri gjithë kohën, dhe kjo më bën qejf, domethënë jo se më bën qejf, po kështu, diku duhet të ulesh. Hë, ja qoftë edhe kjo Katja e gjorë — e patë?.. Hë, sikur të isha, për shembull, të paktën grykës, gastronom klubi, po ja ç’mund të ha unë! (Ai drejtoi gishtin drejt qoshes ku mbi një tryezë të vogël, në një pjatë kallaji, ishin mbetjet e një bifteku të tmerrshëm me patate.) Meqë ra fjala, keni ngrënë drekë? Unë hëngra pak dhe s’dua më. Verë, për shembull, s’pi fare. Përveç shampanjës, asnjë, e edhe shampanjë gjatë gjithë mbrëmjes një gotë, e edhe ajo më dhemb koka. Këtë e porosita tani që të marr pak hov, sepse po bëhem gati të shkoj diku, dhe më shihni në një humor të veçantë. Prandaj u fsheha pak më parë, si nxënës, sepse mendova se do të më pengonit; por, me sa duket (nxori orën), mund të rri me ju një orë; tani është katër e gjysmë. Më besoni, sikur të kisha të paktën diçka; hë, të isha pronar tokash, hë, baba, hë, ulan, fotograf, gazetar… a-asgjë, asnjë specialitet! Ndonjëherë madje mërzitem. Vërtet, mendova se do të më thoshit diçka të re.
— Po kush jeni ju dhe pse erdhët këtu?
— Kush jam unë? E dini: fisnik, shërbeva dy vjet në kalorësi, pastaj kështu u enda këtu në Petersburg, pastaj u martova me Marfa Petrovnën dhe rrojta në fshat. Ja biografia ime!
— Ju, me sa duket, jeni bixhoz?
— Jo, ç’bixhoz jam unë. Hile-bërësi — s’është bixhoz.
— Po ju paskeni qenë hile-bërës?
— Po, kam qenë hile-bërës.
— Po ç’ka, ju kanë rrahur?
— Ka ndodhur. Po pse?
— Hë, pra, mund t’ju kishin sfiduar në duel… e në përgjithësi, kjo të gjallëron.
— S’ju kundërshtoj e për më tepër s’jam mjeshtër i filozofimit. Jua pranoj, erdha këtu më shumë për gratë, sa më shpejt.
— Sapo e varrosët Marfa Petrovnën?
— Hë po, — buzëqeshi me një sinqeritet fitues Svidrigajlovi. — E ç’pastaj? Ju, me sa duket, gjeni diçka të keqe që flas kështu për gratë?
— Domethënë a gjej apo jo diçka të keqe në shthurje?
— Në shthurje! Hë, ja ku paskeni dalë! Po, megjithatë, me radhë do t’ju përgjigjem së pari për gruan në përgjithësi; e dini, jam në humor për llafe. Më thoni, pse ta përmbaj veten? Pse t’i braktis gratë, kur jam të paktën i dhënë pas tyre? Të paktën, është një punë.
— Pra këtu shpresoni vetëm te shthurja?
— Hë, e ç’pastaj, edhe te shthurja! Ç’u ka hyrë në kokë shthurja. Po të paktën më pëlqen pyetja e drejtpërdrejtë. Në këtë shthurje, të paktën, ka diçka të vazhdueshme, madje të bazuar në natyrë e jo të nënshtruar fantazisë, diçka që rri në gjak si një thëngjill i vogël gjithmonë i ndezur, që ndez përjetë, e që edhe për shumë kohë, edhe me vitet, ndoshta s’e shuan kaq shpejt. Pranojeni vetë, a s’është një punë në llojin e vet?
— Po ç’ka këtu për t’u gëzuar? Kjo është sëmundje, dhe e rrezikshme.
— A, ja ku paskeni dalë! Jam dakord që kjo është sëmundje, si gjithçka që e kapërcen masën, — e këtu patjetër do të duhet ta kapërcesh masën, — po kjo, së pari, te njëri është kështu, te tjetri ndryshe, e së dyti, natyrisht, në çdo gjë mbaj masë, llogari, ndonëse të ulët, po ç’të bësh? Po të mos ishte kjo, atëherë ndoshta do të duhej të vritje veten me plumb. Jam dakord që njeriu i hijshëm është i detyruar të mërzitet, po megjithatë…
— Po ju do të mund ta vrisnit veten me plumb?
— Hë, ja! — e zmbrapsi me neveri Svidrigajlovi, — bëmëni nder, mos flisni për këtë, — shtoi ai me nxitim e madje pa asnjë mburrje nga ajo që dukej në të gjitha fjalët e tij të mëparshme. Madje edhe fytyra sikur iu ndryshua. — E pranoj një dobësi të pafalshme, po ç’të bësh: kam frikë nga vdekja dhe s’më pëlqen kur flasin për të. A e dini që jam pjesërisht mistik?
— A! fantazmat e Marfa Petrovnës! Ç’ka, vazhdojnë të vijnë?
— Lëri, mos i përmendni; në Petersburg ende s’kanë ardhur; e le t’i marrë dreqi! — thirri ai me njëfarë pamjeje të nervozuar. — Jo, le të flasim më mirë për këtë… po, megjithatë… Hm! Eh, pak kohë, s’mund të rri gjatë me ju, po gjynah! Do të kisha ç’t’ju tregoja.
— Po ç’keni, ndonjë grua?
— Po, një grua, kështu, një rast i papritur… jo, s’po flas për këtë.
— Hë, po ndyrësia e gjithë këtij mjedisi s’ndikon më mbi ju? E keni humbur tashmë forcën për t’u ndalur?
— Po ju pretendoni edhe forcë? He-he-he! Më habitët tani, Rodion Romaniç, megjithëse e dija që më parë se kështu do të ishte. Ju më flisni për shthurjen e për estetikën! Ju — Shiler, ju — idealist! Të gjitha këto, natyrisht, kështu duhet të jenë dhe duhej habitur, sikur të ishin ndryshe, por, megjithatë, disi prapëseprapë e çuditshme në realitet… Ah, gjynah që kemi pak kohë, sepse ju vetë jeni një subjekt shumë interesant! E meqë ra fjala, e doni Shilerin? Unë e dua tmerrësisht.
— Po ç’mburravec që jeni, megjithatë! — tha me njëfarë neverie Raskolnikovi.
— Hë, për Zotin, jo! — u përgjigj duke qeshur Svidrigajlovi, — po, megjithatë, s’e kundërshtoj, le të jem edhe mburravec; po pse të mos mburresh, kur s’dëmton njeri. Shtatë vjet rrojta në fshat te Marfa Petrovna, prandaj, duke iu hedhur tani një njeriu të zgjuar si ju, — të zgjuar e në shkallën më të lartë interesant, — thjesht gëzohem të llafos, e përveç kësaj, e piva këtë gjysmë gote verë dhe më është ngjitur tashmë një pikëz në kokë. E kryesorja, ekziston një rrethanë që më ka ngacmuar shumë, por për të cilën unë… do të hesht. Ku po shkoni? — pyeti befas i trembur Svidrigajlovi.
Raskolnikovi kishte filluar të ngrihej. I ishte bërë edhe rëndë, edhe zagushi, e disi i vinte ngushtë që kishte ardhur këtu. Për Svidrigajlovin ishte bindur se ishte keqbërësi më bosh e më i parëndësishëm në botë.
— E-eh! Rrini, mbetuni, — i lutej Svidrigajlovi, — dhe urdhëroni t’ju sjellin të paktën çaj. Hë, rrini, hë, s’do të flas marrëzira, për veten, domethënë. Do t’ju tregoj diçka. Hë, doni t’ju tregoj si më „shpëtonte“, me fjalët tuaja, një grua? Kjo do të jetë madje përgjigje për pyetjen tuaj të parë, sepse ky person është motra juaj. A mund ta tregoj? Edhe kohën do ta vrasim.
— Tregoni, po shpresoj se ju…
— Oh, mos u shqetësoni! Për më tepër, Avdotja Romanovna madje edhe te një njeri kaq i ndyrë e bosh si unë mund të ngjallë vetëm respektin më të thellë.
Shënime
-
Kartëmonedha e verdhë: kartëmonedha prej një rubli. ↩︎
Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim