← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e parë — IV · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 4 nga 41

Letra e nënës e kishte rraskapitur. Por për pikën më kryesore, thelbësore, nuk pati asnjë minutë dyshim, madje as në kohën kur po e lexonte letrën. Thelbi i çështjes ishte vendosur në kokën e tij, dhe ishte vendosur përfundimisht: „Kjo martesë s’ka për t’u bërë sa të jem gjallë unë, dhe në djall zoti Luzhin!“

„Sepse kjo është punë e qartë, — mërmëriste me vete, duke buzëqeshur me ironi e duke e shijuar me ligësi që përpara suksesin e vendimit të tij. — Jo, mama, jo, Dunja, s’do të më gënjeni dot!.. Dhe ende kërkojnë ndjesë që nuk më kërkuan këshillë e që e vendosën punën pa mua! Si jo! Mendojnë se tani s’mund të prishet më; po do ta shohim, a prishet apo s’prishet! Po ç’arsye kapitale: ‚Pjotr Petroviçi, gjoja, është një njeri aq i punëve, aq i punëve, sa s’mund të martohet ndryshe veçse me kuaj poste, gati me tren‘. Jo, Duneçka, i shoh të gjitha dhe e di për çfarë ke ndër mend të flasësh shumë me mua; e di edhe se ç’mendove gjithë natën, duke ecur nëpër dhomë, dhe për çfarë u lute para Hyjlindëses së Kazanit,1 që e ka mamaja në dhomën e gjumit. Në Golgotë ngjitesh me zor. Hm… Pra, qenka vendosur përfundimisht: dëshironi të martoheni me një njeri të punëve e racional, Avdotja Romanovna, që ka kapitalin e tij (që e ka tashmë kapitalin e tij, kjo është më solide, më imponuese), që shërben në dy vende dhe që i ndan bindjet e brezave tanë më të rinj (siç shkruan mamaja) dhe ‚me sa duket, është i mirë‘, siç vëren vetë Duneçka. Ky me sa duket është më i shkëlqyeri nga të gjitha! Dhe po kjo Duneçka për këtë me sa duket martohet!.. Shkëlqyeshëm! Shkëlqyeshëm!..

…Po interesante, megjithatë, pse vallë mamaja më shkroi për ‚brezat më të rinj‘? Thjesht për ta karakterizuar njeriun, apo me ndonjë qëllim më të largët: të më zbusë në favor të zotit Luzhin? O dinake! Do të ishte interesante të sqarohej edhe një rrethanë: deri në ç’shkallë kanë qenë të çiltra njëra me tjetrën, atë ditë e atë natë, dhe gjatë gjithë kohës më pas? A u thanë drejtpërdrejt të gjitha fjalët midis tyre, apo të dyja e kuptuan se kanë të njëjtën gjë në zemër e në mendje, kështu që s’ka pse t’i thuash të gjitha me zë e ta tradhtosh veten kot. Ndoshta pjesërisht ashtu ka qenë; duket nga letra: mamasë i qenka dukur i ashpër, pak, dhe mamaja naive u fut te Dunja me vërejtjet e saj. Kurse ajo, natyrisht, u zemërua dhe ‚u përgjigj me inat‘. Si jo! Kë nuk e tërbon kjo, kur puna kuptohet edhe pa pyetje naive dhe kur është vendosur që s’ka më ç’të thuhet. Dhe ç’më shkruan ajo: ‚Duaje Dunjën, Rodja, se ajo të do më shumë se veten‘; mos vallë e mundon fshehurazi brejtja e ndërgjegjes, që pranoi ta flijojë vajzën për djalin? ‚Ti je shpresa jonë, ti je gjithçka jonë!‘ O mama!..“ Inati ziente në të gjithnjë e më fort, dhe sikur ta takonte tani zotin Luzhin, me sa duket do ta kishte vrarë!

„Hm, kjo është e vërtetë, — vazhdoi ai, duke ndjekur shakullinën e mendimeve që i vërtiteshin në kokë, — është e vërtetë se me njeriun duhet ‚të sillesh gradualisht e me kujdes, për ta njohur‘; por zoti Luzhin është i qartë. Kryesorja, ‚njeri i punëve dhe, me sa duket, i mirë‘: shaka është, mori përsipër bagazhin, sëndukun e madh e dërgon me shpenzimet e veta! Si të mos jetë i mirë? Kurse ato të dyja, nusja dhe e ëma, pajtojnë një fshatar, me një qerre të mbuluar me rrogoz (unë kështu kam udhëtuar)! S’ka gjë! Janë vetëm nëntëdhjetë versta, ‚e andej do të udhëtojmë shumë mirë me klasë të tretë‘, nja një mijë versta. Edhe me mend: shtrije këmbën sa ke jorganin; po ju, zoti Luzhin, ç’keni? Ajo është nusja juaj… Dhe s’mund të mos e dinit se e ëma merr hua përpara për rrugën, në llogari të pensionit të saj? Natyrisht, këtu keni një qarkullim tregtar të përbashkët, një ndërmarrje me përfitime të ndërsjella dhe me pjesë të barabarta, pra edhe shpenzimet përgjysmë; bukën e kripën bashkë, kurse duhanin veç e veç, siç thotë fjala e urtë. Po edhe këtu njeriu i punëve ua punoi pak: bagazhi kushton më lirë se udhëtimi i tyre, e ndoshta do të shkojë edhe falas. Ç’është kështu, s’e shohin këtë të dyja, apo bëjnë qëllimisht sikur s’e vënë re? Dhe janë të kënaqura, të kënaqura! Dhe kur mendon që këto janë vetëm lulet, kurse frutat e vërteta vijnë më pas! Sepse ç’ka rëndësi këtu: këtu nuk ka rëndësi koprracia, as dorështrëngimi, por toni i gjithë kësaj. Sepse ky është toni i ardhshëm pas martesës, një profeci… Po edhe mamaja, ç’ka që e prish paranë kështu? Me ç’do të vijë në Petersburg? Me tri rubla, apo me dy ‚kartëmonedha‘, siç thotë ajo… plaka… hm! Me se shpreson të jetojë pastaj në Petersburg? Sepse ajo, për ca arsye, ka arritur tashmë ta marrë me mend që me Dunjën nuk do të mund të jetojë bashkë pas martesës, madje as në kohën e parë? Njeriu i dashur, me siguri, diçka i ka shpëtuar këtu, e ka bërë veten të ndihet, megjithëse mamaja e largon këtë me të dyja duart: ‚Do ta refuzoj, gjoja, vetë‘. Po ç’është kështu, te kush shpreson: te njëqind e njëzet rublat e pensionit, me zbritjen për borxhin e Afanasi Ivanoviçit? Thur atje shalle dimri e qëndis mëngore, duke prishur sytë e saj të plakur. Po shallet i shtojnë vetëm njëzet rubla në vit njëqind e njëzet rublave, këtë e di. Pra, prapëseprapë shpresojnë te fisnikëria e ndjenjave të zotit Luzhin: ‚Do ta propozojë, gjoja, vetë, do të lutet‘. Prit, prit! Dhe kështu ndodh gjithmonë me këta shpirtrat e bukur shilerianë:2 deri në momentin e fundit e veshin njeriun me pendë palloi, deri në momentin e fundit shpresojnë për të mirën e jo për të keqen; dhe ndonëse e parandiejnë anën tjetër të medaljes, për asgjë në botë nuk ia thonë vetes që përpara fjalën e vërtetë; i rrëqeth vetë mendimi; e largojnë të vërtetën me të dyja duart, deri në atë çast kur njeriu i zbukuruar t’i lërë me gisht në gojë me dorën e vet. Po interesante, a ka zoti Luzhin dekorata; vë bast që e ka Anën në ilik3 dhe që e vë në drekat te sipërmarrësit e te tregtarët. Ndoshta do ta vërë edhe në dasmën e tij! Po, në fund të fundit, në djall le të shkojë!..

…Hë, mamaja le të jetë, Zoti qoftë me të, ajo është e tillë, po Dunja ç’ka? Duneçka, e dashur, ju njoh unë juve! Ishit tashmë në vitin e njëzetë kur u pamë për herë të fundit: karakterin tuaj e kisha kuptuar qysh atëherë. Mamaja ja shkruan që ‚Duneçka mund të durojë shumë‘. Këtë e dija, zonjushë. Këtë e dija qysh dy vjet e gjysmë më parë, dhe qysh atëherë, dy vjet e gjysmë, kam menduar për këtë, pikërisht për këtë, që ‚Duneçka mund të durojë shumë‘. Kur mund ta durojë zotin Svidrigajlov, me të gjitha pasojat, do të thotë se vërtet mund të durojë shumë. Kurse tani paskan përfytyruar, bashkë me mamanë, se mund të durohet edhe zoti Luzhin, që shtjellon teorinë mbi epërsinë e grave të marra nga varfëria e të mbushura me të mira nga burrat e tyre, dhe që e shtjellon gati në takimin e parë. Hë, le të themi që ‚i shpëtoi‘, megjithëse është njeri racional (kështu që ndoshta nuk i shpëtoi fare, por pikërisht donte ta sqaronte sa më shpejt), po Dunja, Dunja? Asaj njeriu i është i qartë, kurse me njeriun duhet të jetosh. Ajo do të hajë vetëm bukë të zezë e do të pijë ujë, po shpirtin s’do ta shesë, lirinë e saj morale s’do ta japë për komoditet; s’do ta japë për gjithë Shlezvig-Holshtajnin,4 e jo më për zotin Luzhin. Jo, Dunja nuk ishte e tillë, me sa e njihja unë, dhe… hë, sigurisht, as tani nuk ka ndryshuar!.. Ç’të flasësh! Të rëndë janë Svidrigajlovët! Rëndë është të endesh gjithë jetën nëpër krahina si guvernante për dyqind rubla, po unë prapëseprapë e di që motra ime më mirë do të shkonte si zezakët te plantatori ose si letonët te gjermani i Balltikut,5 sesa ta poshtëronte shpirtin e saj dhe ndjenjën e saj morale me një lidhje me një njeri që s’e respekton dhe me të cilin s’ka ç’të bëjë, — përgjithmonë, vetëm për përfitimin e saj vetjak! Dhe le të ishte zoti Luzhin i tëri prej ari më të kulluar ose prej një diamanti të tërë, prapë s’do të pranonte të bëhej konkubina e ligjshme e zotit Luzhin! Pse pranon atëherë tani? Ku qëndron hileja? Ku qëndron zgjidhja e enigmës? Puna është e qartë: për veten, për komoditetin e vet, madje edhe për ta shpëtuar veten nga vdekja, veten s’do ta shesë, po për një tjetër, ja, e shet! Për një njeri të dashur, të adhuruar, do ta shesë! Ja ku qëndron gjithë hileja jonë: për vëllanë, për nënën do ta shesë! Gjithçka do ta shesë! Oh, këtu, me rast, edhe ndjenjën tonë morale do ta shtypim; lirinë, qetësinë, madje edhe ndërgjegjen, të gjitha, të gjitha do t’i çojmë në pazar. Humbtë jeta! Vetëm këto qeniet tona të shtrenjta të jenë të lumtura. Jo vetëm kaq, por edhe kazuistikën tonë do ta sajojmë, do të mësojmë nga jezuitët dhe për njëfarë kohe, ndoshta, edhe veten do ta qetësojmë, do ta bindim veten se kështu duhet, vërtet duhet, për një qëllim të mirë. Të tillë jemi, dhe gjithçka është e qartë si drita e diellit. Është e qartë se këtu askush tjetër veç Rodion Romanoviç Raskolnikovit nuk është në lojë dhe nuk qëndron në plan të parë. Si jo, zotëri, mund t’ia rregullojë lumturinë, ta mbajë në universitet, ta bëjë ortak në zyrë, t’ia sigurojë gjithë fatin; ndoshta më vonë do të bëhet edhe i pasur, i nderuar, i respektuar, e ndoshta do ta mbyllë jetën madje si njeri i famshëm! Po nëna? Këtu është Rodja, Rodja i paçmuar, i parëlinduri! Si të mos flijosh për një të parëlindur të tillë qoftë edhe një bijë të tillë! O zemra të dashura e të padrejta! Po ç’them: këtu ne, ndoshta, s’do ta refuzojmë as fatin e Soneçkës! Soneçka, Soneçka Marmeladova, Soneçka e përjetshme, sa të jetë bota! Flijimin, flijimin a e keni matur plotësisht të dyja? A është kështu? A ju del fuqia? A është për mirë? A është e arsyeshme? A e dini ju, Duneçka, se fati i Soneçkës s’është aspak më i ndyrë se fati me zotin Luzhin? ‚Dashuri këtu s’mund të ketë‘, shkruan mamaja. Po sikur, përveç dashurisë, të mos ketë as respekt, por, përkundrazi, të ketë tashmë neveri, përbuzje, krupë, ç’do të ndodhë atëherë? Atëherë del që, pra, përsëri do t’ju duhet ‚të ruani pastërtinë‘. A s’është kështu? A e kuptoni, a e kuptoni ç’do të thotë kjo pastërti? A e kuptoni se pastërtia e Luzhinit është po njësoj si pastërtia e Soneçkës, e ndoshta edhe më keq, më e ndyrë, më e poshtër, sepse ju, Duneçka, prapëseprapë llogaritni për pak komoditet të tepërt, kurse atje bëhet fjalë thjesht për vdekje nga uria! ‚Shtrenjtë, shtrenjtë kushton, Duneçka, kjo pastërti!‘ Hë, po sikur më pas të mos ju dalë fuqia, do të pendoheni? Sa hidhërim, sa trishtim, sa mallkime, sa lot të fshehur nga të gjithë, sepse ju s’jeni Marfa Petrovna? Po me nënën ç’do të bëhet atëherë? Ajo edhe tani s’është e qetë, mundohet; po atëherë, kur t’i shohë të gjitha qartë? Po me mua?.. Po ç’keni menduar vërtet për mua? Nuk e dua flijimin tuaj, Duneçka, nuk e dua, mama! Kjo s’ka për t’u bërë sa të jem gjallë, s’ka për t’u bërë, s’ka për t’u bërë! Nuk e pranoj!“

Befas erdhi në vete dhe u ndal.

„S’ka për t’u bërë? Po ç’do të bësh ti që të mos bëhet? Do ta ndalosh? Po ç’të drejtë ke? Ç’mund t’u premtosh ti nga ana jote, që të kesh një të drejtë të tillë? T’ua kushtosh gjithë fatin tënd, gjithë të ardhmen, kur të mbarosh studimet dhe të gjesh vend pune? Këtë e kemi dëgjuar, po kjo është ende buki,6 kurse tani? Këtu duhet bërë diçka që tani, e kupton këtë? Po ti ç’bën tani? I zhvat ato vetë. Sepse paratë ato i marrin në llogari të pensionit prej njëqind rublash dhe duke lënë peng veten te zotërinjtë Svidrigajlov! Nga Svidrigajlovët, nga Afanasi Ivanoviç Vahrushini, me se do t’i ruash ti, milioner i ardhshëm, Zeus që disponon fatin e tyre? Pas dhjetë vjetësh? Po brenda dhjetë vjetësh nëna do të arrijë të verbohet nga shallet, e ndoshta edhe nga lotët; do të tretet nga agjërimi; po motra? Hë, mendo pak, ç’mund të ndodhë me motrën pas dhjetë vjetësh, ose gjatë këtyre dhjetë vjetëve? E more me mend?“

Kështu e mundonte veten dhe e ngacmonte me këto pyetje, madje me njëfarë kënaqësie. Megjithatë, të gjitha këto pyetje nuk ishin të reja, as të papritura, por të vjetra, të dhimbshme, të kahershme. Kishte shumë kohë që kishin filluar ta torturonin dhe ia kishin copëtuar zemrën. Kishte shumë e shumë kohë që kishte lindur në të gjithë ky ankth i tanishëm, ishte rritur, ishte grumbulluar dhe kohët e fundit ishte pjekur e ishte përqendruar, duke marrë trajtën e një pyetjeje të tmerrshme, të egër e fantastike, që ia kishte rraskapitur zemrën e mendjen, duke kërkuar në mënyrë të papërballueshme zgjidhje. Kurse tani letra e nënës e goditi befas si rrufe. Ishte e qartë se tani nuk duhej të brengosej, të vuante pasivisht, vetëm me arsyetime se pyetjet ishin të pazgjidhshme, por patjetër të bënte diçka, dhe menjëherë, dhe sa më shpejt. Duhej të vendoste me çdo kusht, qoftë edhe për diçka, ose…

„Ose të heqësh dorë krejt nga jeta! — thirri ai befas i tërbuar, — ta pranosh me bindje fatin ashtu siç është, njëherë e përgjithmonë, dhe të mbytësh gjithçka në vetvete, duke hequr dorë nga çdo e drejtë për të vepruar, për të jetuar e për të dashur!“

„A e kuptoni, a e kuptoni, i nderuar zotëri, ç’do të thotë kur s’ke më ku të shkosh? — iu kujtua befas pyetja e djeshme e Marmeladovit, — sepse duhet që çdo njeri të ketë të paktën një vend ku të mund të shkojë…“

Befas u drodh: një mendim, edhe ky i djeshëm, i kaloi përsëri nëpër kokë. Por nuk u drodh ngaqë i kaloi ky mendim. Ai e dinte, e parandiente, se ai patjetër do „t’i kalonte“, dhe e priste tashmë; madje ky mendim nuk ishte fare i djeshëm. Por ndryshimi ishte se një muaj më parë, madje edhe dje, ai ishte vetëm një ëndërr, kurse tani… tani u shfaq befas jo si ëndërr, por në një trajtë të re, të kërcënueshme e krejt të panjohur për të, dhe ai befas e kuptoi vetë këtë… I ra diçka në kokë dhe iu errën sytë.

Vështroi me nxitim përreth, kërkonte diçka. Donte të ulej dhe kërkonte një stol; po kalonte atëherë nëpër Bulevardin K—.7 Një stol dukej përpara, nja njëqind hapa larg. Eci sa më shpejt që mundi; por rrugës i ndodhi një aventurë e vogël, që për disa minuta ia tërhoqi gjithë vëmendjen.

Duke kërkuar me sy stolin, vuri re përpara tij, nja njëzet hapa larg, një grua që ecte, por në fillim nuk i kushtoi asnjë vëmendje, ashtu si edhe të gjitha sendeve që i kishin kaluar deri atëherë para syve. I kishte ndodhur shumë herë, për shembull, të shkonte në shtëpi dhe të mos e mbante mend fare rrugën nëpër të cilën kishte ecur, dhe ishte mësuar tashmë të ecte kështu. Por te gruaja që ecte kishte diçka aq të çuditshme, që të binte në sy qysh në shikim të parë, saqë pak nga pak vëmendja e tij filloi t’i ngulej mbi të — në fillim pa dëshirë e si me bezdi, e pastaj gjithnjë e më fort. Befas i erdhi dëshira të kuptonte se çfarë kishte pikërisht kaq të çuditshme kjo grua. Së pari, ajo duhej të ishte një vajzë shumë e re; ecte nëpër atë vapë kokëjashtë, pa ombrellë e pa doreza, duke tundur duart në një mënyrë qesharake. Kishte veshur një fustan të vogël mëndafshi, prej stofi të lehtë („prej cohe“), por edhe ky i veshur disi shumë çuditshëm, mezi i mbërthyer, dhe prapa, te beli, mu në fillim të fundit, i grisur; një copë e tërë ishte shkëputur dhe varej e lëkundej. Një shami e vogël ishte hedhur mbi qafën e zbuluar, por i rrinte disi shtrembër e mënjanë. Për më tepër, vajza ecte me hapa të pasigurt, duke u penguar e madje duke u lëkundur nga të gjitha anët. Ky takim i zgjoi më në fund Raskolnikovit gjithë vëmendjen. U takua me vajzën mu te stoli, por ajo, sapo arriti te stoli, u rrëzua mbi të, në qoshe, ia mbështeti kokën mbështetëses së stolit dhe mbylli sytë, me sa dukej nga një lodhje e jashtëzakonshme. Kur e vështroi me vëmendje, e kuptoi menjëherë se ishte krejt e dehur. Ishte e çuditshme dhe e egër të shihje një dukuri të tillë. Madje mendoi se mos gabohej. Para tij ishte një fytyrë jashtëzakonisht e re, nja gjashtëmbëdhjetë vjeçe, madje ndoshta vetëm pesëmbëdhjetë, — e vogël, bjonde, e bukur, por e tëra e skuqur dhe si e fryrë. Vajza, me sa dukej, kuptonte shumë pak; e kishte vënë njërën këmbë mbi tjetrën, duke e nxjerrë shumë më tepër se ç’duhej, dhe, sipas të gjitha shenjave, e kuptonte shumë keq se ndodhej në rrugë.

Raskolnikovi nuk u ul dhe nuk donte të ikte, por qëndronte para saj i hutuar. Ky bulevard është gjithmonë i shkretë, kurse tani, pas orës një e pasdites dhe në një vapë të tillë, nuk kishte pothuajse njeri. E megjithatë, mënjanë, nja pesëmbëdhjetë hapa larg, në buzë të bulevardit, ishte ndalur një zotëri, të cilit, me sa dukej nga të gjitha, do t’i pëlqente shumë t’i afrohej edhe ai vajzës me ca qëllime. Edhe ai, me siguri, e kishte parë nga larg dhe po e ndiqte, por e kishte penguar Raskolnikovi. I hidhte vështrime të liga, duke u përpjekur, megjithatë, që ai të mos i vinte re, dhe priste me padurim radhën e tij, kur do të ikte ky leckaman i bezdisshëm. Puna ishte e qartë. Ky zotëri ishte nja tridhjetë vjeç, i ngjeshur, i shëndoshë, gjak e qumësht, me buzë rozë e me mustaqe të vogla, dhe i veshur shumë me shik. Raskolnikovi u zemërua tmerrësisht; befas i erdhi dëshira ta fyente disi këtë dandi të shëndoshë. E la vajzën për një minutë dhe iu afrua zotërisë.

— Hej ju, Svidrigajlov! Ç’kërkoni ju këtu? — bërtiti ai, duke shtrënguar grushtet e duke qeshur me buzët që i bënin shkumë nga inati.

— Ç’do të thotë kjo? — pyeti rreptë zotëria, duke rrudhur vetullat e duke u habitur me mendjemadhësi.

— Hiquni qafe, ja ç’do të thotë!

— Si guxon, horr!..

Dhe ngriti kamxhikun. Raskolnikovi u hodh mbi të me grushte, pa llogaritur madje që zotëria i ngjeshur mund t’ia dilte edhe me dy si ai. Por në atë çast dikush e kapi fort nga prapa; midis tyre u fut një polic.

— Mjaft, zotërinj, mos u zini, ju lutem, nëpër vende publike. Ç’kërkoni? Kush je ti? — iu drejtua rreptë Raskolnikovit, pasi ia shqyrtoi leckat.

Raskolnikovi e vështroi me vëmendje. Ishte një fytyrë trime ushtaraku, me mustaqe e me favorite të thinjura dhe me vështrim të mençur.

— Pikërisht ju më duheni, — bërtiti ai, duke e kapur për dore. — Unë jam ish-student, Raskolnikov… Këtë mund ta mësoni edhe ju, — iu drejtua ai zotërisë, — kurse ju ejani, t’ju tregoj diçka…

Dhe, duke e kapur policin për dore, e tërhoqi drejt stolit.

— Ja, shikoni, krejt e dehur, sapo po ecte nëpër bulevard: kush e di nga ç’njerëz është, po s’duket se e bën këtë si zanat. Më shumë gjasa, diku e kanë dehur e e kanë mashtruar… për herë të parë… e kuptoni? dhe e kanë nxjerrë kështu në rrugë. Shikoni si i është grisur fustani, shikoni si e ka veshur: e kanë veshur të tjerë, s’e ka veshur vetë, dhe e kanë veshur duar të pazonja, duar burrash. Kjo duket. E tani shikoni këtu: ky dandi, me të cilin desha të zihesha tani, s’e njoh, e shoh për herë të parë; po edhe ai e vuri re rrugës, tani, të dehur, që s’e di ku është, dhe tani i digjet shpirti t’i afrohet e ta rrëmbejë, — meqë ajo është në këtë gjendje, — ta çojë diku… Dhe me siguri kështu është: më besoni, s’gabohem. E pashë vetë si e vëzhgonte e si e ndiqte, vetëm se unë e pengova, dhe tani po pret kur do të iki unë. Ja, tani u largua pak, rri sikur po dredh një cigare… Si të bëjmë që të mos ia lëmë në dorë? Si ta dërgojmë në shtëpi, — mendojeni pak!

Polici e kuptoi e e peshoi gjithçka sa hap e mbyll sytë. Zotëria i trashë ishte, natyrisht, i qartë, mbetej vajza. Ushtaraku u përkul mbi të për ta parë më nga afër, dhe në tiparet e tij u shfaq një dhembshuri e sinqertë.

— Ah, sa keq! — tha ai, duke tundur kokën, — krejt si fëmijë ende. E kanë mashtruar, pikërisht kështu. Dëgjoni, zonjë, — filloi ta thërriste, — ku banoni, ju lutem? — Vajza hapi sytë e lodhur e të turbullt, shikoi me hutim ata që e pyesnin dhe bëri me dorë sikur t’i largonte.

— Dëgjoni, — tha Raskolnikovi, — ja (kërkoi në xhep dhe nxori njëzet kopekë; u gjetën), ja, merrni një karrocë dhe urdhërojeni karrocierin ta çojë në adresë. Vetëm ta mësojmë adresën!

— Zonjushë, o zonjushë? — filloi përsëri polici, pasi i mori paratë, — tani do t’ju marr një karrocë dhe do t’ju përcjell vetë. Ku urdhëroni? a? Ku banoni, ju lutem?

— Ik!.. më ngacmojnë!.. — mërmëriti vajza dhe përsëri bëri me dorë.

— Ah, ah, sa keq! Ah, ç’turp, zonjushë, ç’turp! — Përsëri tundi kokën, duke e qortuar, duke e mëshiruar e duke u indinjuar. — Ja ku e ke hallin! — iu drejtua ai Raskolnikovit dhe aty për aty, kalimthi, e vështroi përsëri nga koka te këmbët. I çuditshëm, me siguri, iu duk edhe ky: me lecka të tilla, e vetë jep para!

— Shumë larg prej këtu e gjetët? — e pyeti ai.

— Po ju them: po ecte para meje, duke u lëkundur, këtu në bulevard. Sapo arriti te stoli, u rrëzua.

— Ah, ç’turp ka zënë vend tani në botë, o Zot! Kaq e njomë, e tashmë e dehur! E kanë mashtruar, ashtu është! Ja, edhe fustani i saj i grisur… Ah, si ka marrë dhenë shthurja sot!.. E ndoshta është edhe nga fisnikët, nga ndonjë familje e varfër… Sot shumë të tilla janë shtuar. Nga pamja duket si e brishtë, njëlloj si zonjushë, — dhe përsëri u përkul mbi të.

Ndoshta edhe atij i rriteshin vajza të tilla — „njëlloj si zonjusha dhe të brishta“, me sjellje të edukuara e me gjithfarë modash të marra tashmë hua…

— Kryesorja, — ngutej Raskolnikovi, — të mos ia lëmë këtij të poshtri! Se ai do ta përdhosë edhe më! Shihet sheshit ç’do; shih, i poshtri, s’largohet!

Raskolnikovi fliste me zë të lartë dhe e tregonte drejt me dorë. Ai e dëgjoi dhe desh të zemërohej përsëri, por e mendoi dhe u kënaq vetëm me një vështrim përbuzës. Pastaj u largua ngadalë edhe nja dhjetë hapa e përsëri u ndal.

— Që të mos ia lëmë, kjo mund të bëhet, zotëri, — u përgjigj nënoficeri i menduar. — Po të na thoshte ku ta çojmë, ndryshe… Zonjushë, o zonjushë! — u përkul ai përsëri.

Ajo befas i hapi krejt sytë, vështroi me vëmendje, sikur të kuptonte diçka, u ngrit nga stoli dhe u kthye nga ana prej nga kishte ardhur.

— Pfu, të paturpshëm, më ngacmojnë! — tha ajo, duke bërë përsëri me dorë. Eci shpejt, por si më parë duke u lëkundur fort. Dandi shkoi pas saj, por nëpër një rrugicë tjetër të bulevardit, pa ia ndarë sytë.

— Mos u shqetësoni, s’do t’ia lë, zotëri, — tha me vendosmëri mustaqeli dhe u nis pas tyre.

— Eh, si ka marrë dhenë shthurja sot! — përsëriti ai me zë, duke psherëtirë.

Në atë çast diçka sikur e pickoi Raskolnikovin; sa hap e mbyll sytë sikur e ktheu përmbys.

— Dëgjoni, hej! — bërtiti ai pas mustaqelit.

Ai u kthye.

— Lëreni! Ç’ju duhet? Hiqni dorë! Le të zbavitet (tregoi dandin). Ç’ju duhet juve?

Polici nuk kuptonte dhe shikonte me sy të zgurdulluar. Raskolnikovi qeshi.

— E-eh! — tha ushtaraku, duke tundur dorën, dhe shkoi pas dandit e pas vajzës, duke e marrë ndoshta Raskolnikovin ose për të çmendur, ose për diçka edhe më të keqe.

„Njëzet kopekët e mi m’i mori, — tha me ligësi Raskolnikovi, kur mbeti vetëm. — Hë, le të marrë edhe nga ai dhe le ta lërë vajzën të shkojë me të, e me kaq mbaron… E pse u përzieva unë të ndihmoja! Mua më takon të ndihmoj? Kam unë të drejtë të ndihmoj? Le ta gëlltisin njëri-tjetrin të gjallë — ç’më duhet mua? Dhe si guxova t’i jap këta njëzet kopekë. Mos janë të mitë?“

Megjithë këto fjalë të çuditshme, iu bë shumë rëndë. U ul në stolin e lënë bosh. Mendimet i ishin shpërndarë… Dhe në përgjithësi i vinte rëndë të mendonte në atë çast për çfarëdo qoftë. Do të donte të harrohej krejt, t’i harronte të gjitha, pastaj të zgjohej dhe t’ia niste krejt nga e para…

„Vajza e gjorë!.. — tha ai, duke vështruar qoshen e zbrazët të stolit. — Do të vijë në vete, do të qajë, pastaj do ta marrë vesh e ëma… Në fillim do ta rrahë, e pastaj do ta fshikullojë, me dhimbje e me turp, ndoshta edhe do ta përzërë… E po s’e përzuri, prapëseprapë do ta nuhasin Darja Francevnat, dhe vajza ime do të fillojë të vërdallet, andej e këtej… Pastaj menjëherë spitali (dhe kështu ndodh gjithmonë me ato që jetojnë me nëna shumë të ndershme dhe bëjnë marrëzira fshehurazi prej tyre), e pastaj… pastaj përsëri spitali… vera… mejhanet… dhe përsëri spitali… pas dy-tre vjetësh — e gjymtuar, gjithsej jetë nëntëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë vjeç, zotëri… Mos vallë s’kam parë të tilla? E si u bënë ato? Ja, kështu u bënë të gjitha… Pfu! E le të jetë! Kështu, thonë, duhet të jetë. Një përqindje e tillë, thonë, duhet të shkojë çdo vit… diku… në djall, me siguri, që t’i freskojë të tjerat e të mos i pengojë. Përqindje! Të bukura janë, vërtet, këto fjalëzat e tyre: janë kaq qetësuese, shkencore. U tha: përqindje, pra s’ka pse të shqetësohesh. Ja, sikur të ishte një fjalë tjetër, atëherë… do të ishte, ndoshta, më shqetësuese… Po sikur edhe Duneçka të bjerë disi në përqindje!.. Jo në atë, po në një tjetër?..

Po ku po shkoj unë? — mendoi ai befas. — E çuditshme. Për diçka u nisa. Sapo e lexova letrën, u nisa… Në Ishullin Vasiljevski, te Razumihini8 po shkoja, ja ku, tani… e kujtoj. Po pse, megjithatë? Dhe si më shkoi ndër mend mendimi të shkoja te Razumihini pikërisht tani? Kjo është për t’u shënuar“.

Habitej me veten. Razumihini ishte një nga shokët e tij të dikurshëm të universitetit. Ishte për t’u shënuar që Raskolnikovi, kur ishte në universitet, pothuajse nuk kishte shokë, u largohej të gjithëve, s’shkonte te askush dhe i priste me zor ata që i vinin. Megjithatë, edhe të tjerët shpejt ia kthyen shpinën. As në mbledhjet e përbashkëta, as në biseda, as në dëfrime, në asgjë, disi, nuk merrte pjesë. Studionte me zell, pa e kursyer veten, dhe për këtë e respektonin, por askush s’e donte. Ishte shumë i varfër dhe disi krenar me mendjemadhësi e i mbyllur; sikur fshihte diçka në vetvete. Disa shokëve u dukej se ai i shikonte të gjithë si fëmijë, nga lart, sikur t’i kishte kaluar të gjithë në zhvillim, në dije e në bindje, dhe se bindjet e interesat e tyre i shikonte si diçka më të ulët.

Me Razumihinin, ndërkaq, për ndonjë arsye u afrua, domethënë jo se u afrua, por ishte me të më i komunikueshëm, më i çiltër. Në fakt, me Razumihinin ishte e pamundur të ishe në marrëdhënie të tjera. Ishte një djalë jashtëzakonisht i gëzuar e i shoqërueshëm, i mirë deri në naivitet. Megjithatë, nën këtë thjeshtësi fshiheshin edhe thellësi, edhe dinjitet. Më të mirët e shokëve e kuptonin këtë, të gjithë e donin. Nuk ishte aspak budalla, ndonëse vërtet ndonjëherë pak naiv. Pamja e tij ishte shprehëse — i gjatë, i hollë, gjithmonë i rruar keq, me flokë të zinj. Ndonjëherë bënte rrëmujë dhe kishte famë si njeri i fortë. Një natë, në shoqëri, me një goditje të vetme rrëzoi një rojtar të rendit të gjatë dymbëdhjetë vershokë.9 Mund të pinte pa fund, por mund edhe të mos pinte fare; ndonjëherë bënte shaka edhe të papranueshme, por mund edhe të mos bënte fare. Razumihini ishte i shquar edhe për atë që asnjë dështim nuk e turbullonte kurrë dhe asnjë rrethanë e keqe, me sa dukej, nuk mund ta shtypte. Mund të banonte qoftë edhe mbi çati, të duronte uri ferri e të ftohtë të jashtëzakonshëm. Ishte shumë i varfër dhe e mbante veten krejtësisht vetë, i vetëm, duke fituar para me lloj-lloj punësh. Njihte një humnerë burimesh nga mund të nxirrte, natyrisht me punë. Një herë nuk e ngrohu dhomën gjithë dimrin dhe pohonte se kjo ishte madje më e këndshme, sepse në të ftohtë flihet më mirë. Tani ishte detyruar edhe ai ta linte universitetin, por jo për shumë kohë, dhe nxitonte me të gjitha forcat t’i ndreqte rrethanat, që të mund të vazhdonte. Raskolnikovi nuk kishte qenë te ai tashmë nja katër muaj, kurse Razumihini as nuk ia dinte banesën. Një herë, nja dy muaj më parë, ishin takuar në rrugë, por Raskolnikovi ktheu kokën dhe madje kaloi në anën tjetër, që ai të mos e vinte re. Kurse Razumihini, ndonëse e vuri re, kaloi pranë tij, pa dashur ta shqetësonte mikun.

Shënime

  1. Ikona e Hyjlindëses së Kazanit: një nga ikonat më të nderuara të Kishës Ortodokse Ruse. ↩︎

  2. Shpirti i bukur (gjerm. schöne Seele): ideal i shpirtit të pastër e harmonik te poeti gjerman Fridrih Shiler (1759–1805). Në Rusinë e viteve 1860 „shpirt i bukur shilerian“ përdorej me ironi për idealistët naivë. ↩︎

  3. Urdhri i Shën Anës: dekoratë shtetërore ruse, që u jepej shpesh nëpunësve civilë; klasat e ulëta të tij mbaheshin në gjoks, në një shirit të varur nga iliku. ↩︎

  4. Shlezvig e Holshtajn: dy dukata në kufirin midis Danimarkës e Gjermanisë, për të cilat në vitin 1864 Danimarka luftoi kundër Prusisë e Austrisë; çështje shumë e diskutuar në shtypin e kohës. ↩︎

  5. Gjermanët e Balltikut: fisnikëria gjermane e provincave balltike të Perandorisë Ruse, që zotëronte tokat ku punonin fshatarët letonë e estonë. ↩︎

  6. Buki: emri i shkronjës së dytë (Б) të alfabetit të vjetër sllav. Shprehja ruse „ky është ende buki“ do të thotë „kjo është ende punë e largët, ende e pasigurt“. ↩︎

  7. Sipas identifikimit të zakonshëm, Bulevardi Konnogvardejski. ↩︎

  8. Mbiemri vjen nga rusishtja razum, „arsye, mend“. ↩︎

  9. Gjatësia e njeriut në Rusi matej në vershokë mbi dy arshinë (rreth 142 cm); „dymbëdhjetë vershokë“ do të thotë rreth 1,95 m. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat