← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e katërt — II · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 22 nga 41

Ishte tashmë gati ora tetë; të dy nxitonin për te Bakalejevi, që të arrinin para Luzhinit.

— Hë, kush ishte ai? — pyeti Razumihini, sapo dolën në rrugë.

— Ishte Svidrigajlovi, po ai pronar tokash, në shtëpinë e të cilit u fye motra, kur shërbente te ata si guvernante. Për shkak të ndjekjeve të tij dashurore ajo iku prej tyre, e dëbuar nga gruaja e tij, Marfa Petrovna. Kjo Marfa Petrovna i kërkoi pastaj Dunjës falje, e tani befas vdiq. Për të flisnim pak më parë. S’e di pse, por kam shumë frikë nga ky njeri. Ai erdhi menjëherë pas varrimit të gruas. Është shumë i çuditshëm dhe ka vendosur për diçka… Sikur di diçka… Dunjën duhet ta ruajmë prej tij… ja këtë desha të të thosha, a dëgjon?

— Ta ruajmë! Po ç’mund t’i bëjë ai Avdotja Romanovnës? Hë, të falënderoj, Rodja, që më flet kështu… Do ta ruajmë, do ta ruajmë!.. Ku banon?

— S’e di.

— Pse s’e pyete? Eh, gjynah! Megjithatë, do ta mësoj!

— E pe ti? — pyeti Raskolnikovi pas njëfarë heshtjeje.

— Po, e vura re; e vura re mirë.

— E pe vërtet? E pe qartë? — ngulmonte Raskolnikovi.

— Po, e mbaj mend qartë; e njoh midis një mijë vetash, unë i mbaj mend fytyrat.

Përsëri heshtën.

— Hm… pikërisht… — mërmëriti Raskolnikovi. — Sepse, e di… m’u duk… më duket gjithnjë… se kjo mund të jetë edhe fantazi.

— Po për çfarë e ke? S’po të kuptoj fort mirë.

— Ja, ju të gjithë thoni, — vazhdoi Raskolnikovi, duke e shtrembëruar gojën në një buzëqeshje, — se jam i çmendur; edhe mua m’u duk tani se, ndoshta, jam vërtet i çmendur dhe pashë vetëm një fantazmë!

— Po ç’të gjeti?

— Po kush e di! Ndoshta jam vërtet i çmendur, dhe gjithçka që ndodhi gjatë gjithë këtyre ditëve, gjithçka, ndoshta, ishte ashtu, vetëm në përfytyrim…

— Eh, Rodja! Prapë të trazuan!.. Po ç’të tha, me ç’punë erdhi?

Raskolnikovi s’u përgjigj, Razumihini u mendua një minutë.

— Hë, dëgjo pra përgjigjen time, — filloi ai. — Erdha te ti, ti flije. Pastaj hëngrëm drekë, e pastaj shkova te Porfiri. Zametovi gjithnjë atje. Desha të filloja, dhe s’doli asgjë. Gjithnjë s’arrija të flisja si duhet. Ata sikur s’kuptojnë e s’mund të kuptojnë, po aspak s’turpërohen. E mora Porfirin te dritarja dhe fillova t’i flisja, po prapë s’e di pse s’doli ashtu: ai shikon anash, edhe unë shikoj anash. Më në fund ia vura grushtin para turirit dhe i thashë që do ta bëj copë-copë, si të afërm. Ai vetëm më vështroi. Pështyva dhe ika, ja kaq. Shumë budallallëk. Me Zametovin asnjë fjalë. Vetëm, e sheh: mendova se e prisha punën, po teksa zbrisja shkallët, më erdhi një mendim, sikur më ndriçoi: përse po mundohemi unë e ti? Sikur të të kanosej ndonjë rrezik, a ndonjë gjë e tillë, hë, natyrisht. Po ty ç’të duhet! Ti s’ke të bësh fare këtu, ndaj pështyji; do t’i qeshim më vonë, kurse unë në vendin tënd do të filloja edhe t’i mistifikoja. Se sa turp do t’u vijë më vonë! Pështyji; më vonë mund edhe t’i rrahim, kurse tani le të qeshim!

— Natyrisht, kështu! — u përgjigj Raskolnikovi. „Po nesër ç’do të thuash vallë?“ — mendoi me vete. Gjë e çuditshme, deri tani s’i kishte shkuar ndër mend asnjëherë: „ç’do të mendojë Razumihini, kur ta marrë vesh?“ Duke menduar këtë, Raskolnikovi e vështroi me ngulm. Kurse raporti i tanishëm i Razumihinit për vizitën te Porfiri e interesonte fare pak: aq shumë kishte rënë qysh atëherë e aq shumë ishte shtuar!..

Në korridor u përplasën me Luzhinin: ai erdhi saktësisht në orën tetë dhe po kërkonte nomerin, kështu që që të tre hynë bashkë, por pa e vështruar njëri-tjetrin e pa u përshëndetur. Të rinjtë kaluan përpara, kurse Pjotr Petroviçi, për hir të mirësjelljes, u vonua pak në paradhomë, duke hequr pallton. Pulherija Aleksandrovna doli menjëherë ta priste në prag. Dunja po përshëndetej me të vëllanë.

Pjotr Petroviçi hyri dhe u përshëndet me zonjat mjaft përzemërsisht, megjithëse me një solemnitet të dyfishuar. Megjithatë, shikonte sikur të ishte ngatërruar pak e s’e kishte gjetur ende veten. Pulherija Aleksandrovna, edhe ajo sikur e hutuar, nxitoi menjëherë t’i ulte të gjithë rreth tryezës së rrumbullakët, mbi të cilën vlonte samovari. Dunja dhe Luzhini u vendosën përballë njëri-tjetrit, në të dy skajet e tryezës. Razumihini dhe Raskolnikovi ranë përballë Pulherija Aleksandrovnës — Razumihini më afër Luzhinit, kurse Raskolnikovi pranë së motrës.

Ra një heshtje e çastit. Pjotr Petroviçi nxori pa nxitim një shami batisti, nga e cila vinte erë parfumi, dhe shfryu hundët me pamjen e një njeriu të virtytshëm, por megjithatë pak të fyer në dinjitetin e tij, e përveç kësaj të vendosur me vendosmëri të kërkonte shpjegime. Qysh në paradhomë i kishte shkuar ndër mend: të mos e hiqte pallton e të ikte, dhe kështu t’i ndëshkonte rreptë e në mënyrë mbresëlënëse të dyja zonjat, që t’ua bënte të ndienin gjithçka përnjëherësh. Por s’guxoi. Përveç kësaj, ky njeri s’e donte të panjohurën, kurse këtu duhej sqaruar: nëse urdhri i tij ishte shkelur kaq hapur, atëherë diçka ka, e pra, më mirë ta mësonte që më parë; kurse për ndëshkim gjithmonë do të kishte kohë, dhe kjo ishte në duart e tij.

— Shpresoj se udhëtimi shkoi mbarë? — iu drejtua ai zyrtarisht Pulherija Aleksandrovnës.

— Lavdi Zotit, Pjotr Petroviç.

— Shumë e këndshme, zonjë. Dhe Avdotja Romanovna gjithashtu nuk u lodh?

— Unë jam e re e e fortë, s’lodhem, po mamasë iu bë shumë e rëndë, — u përgjigj Duneçka.

— Ç’të bësh, zonjushë; rrugët tona kombëtare janë shumë të gjata. E madhe është e ashtuquajtura „Nëna Rusi“… Kurse unë, me gjithë dëshirën, në asnjë mënyrë s’munda të nxitoja dje për t’ju pritur. Shpresoj, megjithatë, se gjithçka shkoi pa telashe të veçanta?

— Ah, jo, Pjotr Petroviç, ne ishim shumë të dëshpëruara, — nxitoi të deklaronte me një intonacion të veçantë Pulherija Aleksandrovna, — dhe sikur vetë Zoti, më duket, të mos na kishte dërguar dje Dmitri Prokofiçin, do të kishim humbur krejt. Ja ku është, Dmitri Prokofiç Razumihini, — shtoi ajo, duke ia prezantuar Luzhinit.

— Si jo, pata kënaqësinë… dje, — mërmëriti Luzhini, duke i hedhur një sy armiqësor Razumihinit, pastaj u vrenjt dhe heshti. Dhe në përgjithësi Pjotr Petroviçi u përkiste atyre njerëzve që, me sa duket, janë jashtëzakonisht të sjellshëm në shoqëri e që sidomos pretendojnë të jenë të sjellshëm, por që, sapo diçka nuk shkon sipas qejfit të tyre, i humbasin menjëherë të gjitha mjetet dhe u ngjajnë më shumë thasëve me miell sesa kavalierëve të shkathët që i japin gjallëri shoqërisë. Të gjithë heshtën përsëri: Raskolnikovi heshtte me kokëfortësi, Avdotja Romanovna s’donte ta ndërpriste heshtjen para kohe, Razumihini s’kishte ç’të thoshte, kështu që Pulherija Aleksandrovna u shqetësua përsëri.

— Marfa Petrovna vdiq, e dëgjuat? — filloi ajo, duke iu drejtuar mjetit të saj kryesor.

— Si jo, e dëgjova, zonjë. U njoftova që në lajmin e parë dhe madje erdha tani t’ju njoftoj se Arkadi Ivanoviç Svidrigajlovi, menjëherë pas varrimit të bashkëshortes, u nis me nxitim për në Petersburg. Kështu, të paktën, sipas lajmeve më të sakta që kam marrë.

— Në Petersburg? Këtu? — pyeti e shqetësuar Duneçka dhe pa me të ëmën.

— Pikërisht kështu, zonjushë, dhe, natyrisht, jo pa qëllime, duke marrë parasysh nxitimin e nisjes dhe, në përgjithësi, rrethanat e mëparshme.

— O Zot! Mos vallë as këtu s’do ta lërë Duneçkën të qetë? — thirri Pulherija Aleksandrovna.

— Më duket se s’ka ndonjë arsye të veçantë për t’u shqetësuar, as për ju, as për Avdotja Romanovnën, natyrisht nëse vetë nuk dëshironi të hyni në çfarëdo marrëdhëniesh me të. Sa më përket mua, unë po ndjek dhe tani po kërkoj ku ka zënë vend…

— Ah, Pjotr Petroviç, s’e besoni deri në ç’shkallë më trembët tani! — vazhdoi Pulherija Aleksandrovna. — Unë e kam parë gjithsej vetëm dy herë, dhe m’u duk i tmerrshëm, i tmerrshëm! Jam e sigurt se ai qe shkaku i vdekjes së së ndjerës Marfa Petrovna.

— Për këtë s’mund të nxirret përfundim. Unë kam lajme të sakta. S’e kundërshtoj, ndoshta ai e shpejtoi rrjedhën e gjërave, si të thuash, me ndikimin moral të fyerjes; por sa i përket sjelljes dhe, në përgjithësi, karakteristikës morale të personit, jam dakord me ju. S’e di nëse është i pasur tani dhe ç’i la pikërisht Marfa Petrovna; këtë do ta mësoj në afatin më të shkurtër; por, natyrisht, këtu, në Petersburg, duke pasur qoftë edhe ca mjete parash, do t’u kthehet menjëherë të vjetrave. Ky është njeriu më i shthurur e më i humbur në vese, nga të gjithë njerëzit e këtij lloji! Kam baza të konsiderueshme për të supozuar se Marfa Petrovna, që pati fatkeqësinë ta dashurojë kaq shumë e ta shpengojë nga borxhet, tetë vjet më parë, i shërbeu edhe në një drejtim tjetër: vetëm me përpjekjet e sakrificat e saj u shua, qysh në fillim, një çështje penale, me përzierje të një vrasjeje shtazore e, si të thuash, fantastike, për të cilën ai shumë e shumë mund të kishte bërë një shëtitje deri në Siberi. Ja ç’njeri është ky, nëse doni ta dini.

— Ah, o Zot! — thirri Pulherija Aleksandrovna. Raskolnikovi dëgjonte me vëmendje.

— A thoni të vërtetën që keni të dhëna të sakta për këtë? — pyeti Dunja, rreptë e në mënyrë mbresëlënëse.

— Them vetëm atë që kam dëgjuar vetë, në fshehtësi, nga e ndjera Marfa Petrovna. Duhet vënë re se nga pikëpamja juridike kjo çështje është shumë e errët. Këtu jetonte, dhe edhe tani, me sa duket, jeton njëfarë Resslih, e huaj e për më tepër fajdexhore e vogël, që merret edhe me punë të tjera. Me këtë Resslih zoti Svidrigajlov kishte qysh prej kohësh disa marrëdhënie shumë të afërta e misterioze. Tek ajo jetonte një e afërme e largët, mbesë, më duket, shurdhmemece, një vajzë rreth pesëmbëdhjetë e madje katërmbëdhjetë vjeçe, të cilën kjo Resslih e urrente pa masë dhe ia përmendte çdo kafshatë; madje e rrihte në mënyrë çnjerëzore. Një ditë e gjetën në papafingo të varur. U vendos se ishte vetëvrasje. Pas procedurave të zakonshme me kaq u mbyll çështja, por më vonë doli, megjithatë, një kallëzim se fëmija ishte… fyer mizorisht nga Svidrigajlovi. E vërtetë, e gjitha kjo ishte e errët, kallëzimi ishte nga një tjetër gjermane, një grua e njohur për keq e që s’gëzonte besim; më në fund, në thelb, as kallëzim s’pati, falë përpjekjeve e parave të Marfa Petrovnës; gjithçka u kufizua në një fjalë goje. Por, megjithatë, kjo fjalë goje ishte shumë domethënëse. Ju, natyrisht, Avdotja Romanovna, keni dëgjuar gjithashtu atje historinë e shërbëtorit Filip, që vdiq nga torturat, nja gjashtë vjet më parë, qysh në kohën e bujkrobërisë.

— Unë kam dëgjuar, përkundrazi, që ky Filipi u var vetë.

— Pikërisht kështu, zonjushë, por e detyroi apo, më mirë të themi, e shtyu drejt vdekjes së dhunshme sistemi i pandërprerë i ndjekjeve e i ndëshkimeve të zotit Svidrigajlov.

— Këtë s’e di, — u përgjigj thatë Dunja, — kam dëgjuar vetëm njëfarë historie shumë të çuditshme, se ky Filipi ishte njëfarë hipokondriku, njëfarë filozofi shtëpiak, njerëzit thoshin „i ka hyrë leximi në kokë“, dhe se u var më shumë nga talljet, e jo nga goditjet e zotit Svidrigajlov. Kurse ai, në kohën time, sillej mirë me shërbëtorët, dhe shërbëtorët madje e donin, megjithëse vërtet e fajësonin edhe ata për vdekjen e Filipit.

— Shoh se ju, Avdotja Romanovna, befas jeni bërë disi e prirur ta shfajësoni, — vuri re Luzhini, duke e shtrembëruar gojën në një buzëqeshje të dykuptimtë. — Vërtet, ai është njeri dinak e joshës me zonjat, për çka shembull i trishtuar është Marfa Petrovna, që vdiq kaq çuditshëm. Unë vetëm desha t’ju shërbeja juve dhe mamasë suaj me këshillën time, duke pasur parasysh përpjekjet e tij të reja e pa dyshim të pritshme. Sa më përket mua, jam plotësisht i bindur se ky njeri pa dyshim do të zhduket përsëri në burgun e borxhlinjve. Marfa Petrovna kurrsesi s’pati ndonjëherë qëllim t’i linte diçka në emër të tij, duke pasur parasysh fëmijët, dhe nëse i la diçka, atëherë vetëm diçka më të domosdoshmen, me vlerë të vogël, kalimtare, që njeriut me zakonet e tij s’do t’i mjaftojë as për një vit.

— Pjotr Petroviç, ju lutem, — tha Dunja, — le të mos flasim më për zotin Svidrigajlov. Kjo më sjell trishtim.

— Ai erdhi tani te unë, — tha befas Raskolnikovi, duke e ndërprerë heshtjen për herë të parë.

Nga të gjitha anët u dëgjuan thirrje, të gjithë u kthyen nga ai. Madje edhe Pjotr Petroviçi u trazua.

— Nja një orë e gjysmë më parë, kur flija, hyri, më zgjoi dhe u prezantua, — vazhdoi Raskolnikovi. — Ishte mjaft i shkujdesur e i gëzuar dhe shpreson plotësisht se do të afrohem me të. Ndër të tjera, lutet shumë dhe kërkon një takim me ty, Dunja, kurse mua më lutej të isha ndërmjetës në këtë takim. Ka një propozim për ty; ç’është, ma tregoi mua. Përveç kësaj, më njoftoi me siguri se Marfa Petrovna, një javë para vdekjes, arriti të të linte ty, Dunja, me testament tre mijë rubla, dhe këto para mund t’i marrësh tani në kohën më të shkurtër.

— Lavdi Zotit! — thirri Pulherija Aleksandrovna dhe u kryqëzua. — Lutu për të, Dunja, lutu!

— Kjo është e vërteta e plotë, — i shpëtoi Luzhinit.

— Hë-hë, e pastaj? — e nxitonte Duneçka.

— Pastaj tha se vetë s’është i pasur dhe gjithë pasuria u kalon fëmijëve të tij, që tani janë te tezja. Pastaj, se ka zënë vend diku afër meje, po ku? — s’e di, s’e pyeta…

— Po ç’do, ç’do t’i propozojë Duneçkës? — pyeti e trembur Pulherija Aleksandrovna. — Ta tha?

— Po, ma tha.

— Po ç’është?

— Do ta them më vonë. — Raskolnikovi heshti dhe iu kthye çajit të tij.

Pjotr Petroviçi nxori orën dhe shikoi.

— Duhet të nisem për një punë, dhe kështu s’do t’ju pengoj, — shtoi ai me një pamje disi të cytur dhe filloi të ngrihej nga karrigia.

— Rrini, Pjotr Petroviç, — tha Dunja, — se ju kishit ndër mend ta kalonit mbrëmjen këtu. Përveç kësaj, ju vetë shkruat se dëshironi të sqaroni diçka me mamanë.

— Pikërisht kështu, Avdotja Romanovna, — tha me peshë Pjotr Petroviçi, duke u ulur përsëri në karrige, por duke e mbajtur ende kapelën në duar, — vërtet desha të sqarohesha edhe me ju, edhe me mamanë tuaj shumë të nderuar, dhe madje për pika shumë të rëndësishme. Por, ashtu si edhe vëllai juaj s’mund të sqarohet para meje për disa propozime të zotit Svidrigajlov, ashtu edhe unë s’dëshiroj e s’mund të sqarohem… para të tjerëve… për disa pika shumë e shumë të rëndësishme. Përveç kësaj, lutja ime kryesore e më bindëse nuk u plotësua…

Luzhini mori një pamje të hidhur dhe heshti me madhështi.

— Lutja juaj, që vëllai të mos ishte në takimin tonë, nuk u plotësua vetëm për shkak të ngulmimit tim, — tha Dunja. — Ju shkruat se u fyet nga vëllai; mendoj se kjo duhet sqaruar menjëherë dhe ju duhet të pajtoheni. Dhe nëse Rodja ju ka fyer vërtet, atëherë ai duhet dhe do t’ju kërkojë falje.

Pjotr Petroviçi u kapardis menjëherë.

— Ka disa fyerje, Avdotja Romanovna, të cilat, me gjithë vullnetin e mirë, s’mund të harrohen, zonjushë. Në çdo gjë ka një vijë, të cilën është e rrezikshme ta kalosh; sepse, po ta kapërcesh një herë, është e pamundur të kthehesh mbrapsht.

— Unë s’ju flisja për këtë, në të vërtetë, Pjotr Petroviç, — e ndërpreu Dunja pak me padurim, — kuptojeni mirë se e gjithë e ardhmja jonë varet tani nga kjo, nëse do të sqarohet e do të rregullohet gjithë kjo sa më shpejt apo jo? Po ju them drejt, që nga fjala e parë, se ndryshe s’mund ta shoh, dhe nëse më çmoni qoftë edhe pak, atëherë, sado e vështirë, gjithë kjo histori duhet të mbarojë që sot. Po ju përsërit, nëse vëllai është fajtor, ai do të kërkojë falje.

— Çuditem që e shtroni kështu pyetjen, Avdotja Romanovna, — nervozohej gjithnjë e më shumë Luzhini. — Duke ju çmuar e, si të thuash, duke ju adhuruar, unë njëkohësisht shumë e shumë mund të mos e dua dikë nga njerëzit e shtëpisë suaj. Duke pretenduar lumturinë e dorës suaj, s’mund të marr njëkohësisht përsipër detyrime të papajtueshme…

— Ah, lëreni gjithë këtë prekshmëri, Pjotr Petroviç, — e ndërpreu Dunja me ndjenjë, — dhe jini ai njeri i zgjuar e fisnik që ju kam quajtur gjithmonë e dua t’ju quaj. Unë ju dhashë një premtim të madh, jam e fejuara juaj; atëherë më besoni mua në këtë punë, dhe besomëni, do të jem në gjendje të gjykoj pa anësi. Që po marr përsipër rolin e gjykatëses, kjo është po aq e papritur për vëllain tim sa edhe për ju. Kur e ftova sot, pas letrës suaj, të vinte patjetër në takimin tonë, s’i tregova asgjë nga qëllimet e mia. Kuptojeni që nëse nuk pajtoheni, atëherë unë duhet të zgjedh midis jush: ose ju, ose ai. Kështu u shtrua pyetja edhe nga ana e tij, edhe nga ana juaj. Nuk dua dhe s’duhet të gabohem në zgjedhje. Për ju duhet të prish me vëllain; për vëllain duhet të prish me ju. Dua dhe mund ta mësoj tani me siguri: a është ai vëlla për mua? Dhe për ju: a jam e shtrenjtë për ju, a më çmoni: a jeni burrë për mua?

— Avdotja Romanovna, — tha Luzhini, duke u shtangur i fyer, — fjalët tuaja janë tepër domethënëse për mua, do të them më shumë, madje fyese, duke pasur parasysh pozitën që kam nderin të zë në raport me ju. Pa thënë asnjë fjalë për krahasimin fyes e të çuditshëm, në një rrafsh, midis meje dhe… një djaloshi mendjemadh, me fjalët tuaja ju pranoni mundësinë e shkeljes së premtimit që më është dhënë. Ju thoni: „ose ju, ose ai“, pra, me këtë më tregoni sa pak vlej për ju… unë s’mund ta lejoj këtë në marrëdhëniet dhe… detyrimet që ekzistojnë midis nesh.

— Si! — u ndez Dunja, — unë e vë interesin tuaj krah për krah me gjithçka që deri tani ka qenë e çmuar për mua në jetë, me atë që deri tani ka qenë gjithë jeta ime, dhe befas ju fyheni ngaqë ju çmoj pak!

Raskolnikovi buzëqeshi në heshtje e me thumb, Razumihini u drodh i tëri; por Pjotr Petroviçi s’e pranoi kundërshtimin; përkundrazi, me çdo fjalë bëhej gjithnjë më ngatërrestar e më i nervozuar, sikur po i hynte shija.

— Dashuria për shokun e ardhshëm të jetës, për burrin, duhet të jetë më e madhe se dashuria për vëllain, — tha ai me ton sentencash, — dhe në çdo rast, unë s’mund të qëndroj në një rrafsh… Megjithëse ngula këmbë pak më parë se në praninë e vëllait tuaj s’dëshiroj e s’mund të shpjegoj gjithçka me të cilën erdha, megjithatë tani kam ndër mend t’i drejtohem mamasë suaj shumë të nderuar për një shpjegim të domosdoshëm për një pikë shumë kryesore e fyese për mua. I biri juaj, — iu drejtua ai Pulherija Aleksandrovnës, — dje, në praninë e zotit Rassudkin1 (apo… kështu, më duket? më falni, ma ka ikur nga mendja mbiemri juaj, — iu përkul ai me mirësjellje Razumihinit), më fyeu duke shtrembëruar mendimin tim, që jua kisha thënë atëherë në një bisedë private, pranë kafesë, domethënë që martesa me një vajzë të varfër, që e ka provuar tashmë hidhërimin e jetës, sipas meje, është më e favorshme në drejtim bashkëshortor sesa me një që ka provuar mirëqenien, sepse është më e dobishme për moralin. I biri juaj me qëllim e zmadhoi kuptimin e fjalëve deri në absurditet, duke më akuzuar për qëllime keqdashëse dhe, sipas pikëpamjes sime, duke u mbështetur në korrespondencën tuaj. Do ta quaj veten të lumtur, nëse ju, Pulherija Aleksandrovna, do të mundeni të më bindni për të kundërtën dhe kështu të më qetësoni ndjeshëm. Më thoni, pra, me ç’terma pikërisht i përcollët fjalët e mia në letrën tuaj Rodion Romanoviçit?

— Nuk më kujtohet, — u ngatërrua Pulherija Aleksandrovna, — po i përcolla siç i kuptova vetë. S’e di si jua përcolli Rodja… Ndoshta e zmadhoi diçka.

— Pa nxitjen tuaj s’mund ta zmadhonte.

— Pjotr Petroviç, — tha me dinjitet Pulherija Aleksandrovna, — prova që unë dhe Dunja s’i morëm fjalët tuaja në kuptimin shumë të keq është se jemi këtu.

— Mirë, mama! — tha me miratim Dunja.

— Pra, edhe këtu jam unë fajtori! — u fye Luzhini.

— Ja, Pjotr Petroviç, ju gjithnjë Rodionin fajësoni, kurse vetë shkruat pak më parë për të në letër një gënjeshtër, — shtoi, duke marrë zemër, Pulherija Aleksandrovna.

— Nuk më kujtohet të kem shkruar ndonjë gënjeshtër, zonjë.

— Ju shkruat, — tha prerë Raskolnikovi, pa u kthyer nga Luzhini, — se dje unë ua dhashë paratë jo të vesë së të shtypurit, siç ndodhi në të vërtetë, por së bijës së tij (të cilën deri dje s’e kisha parë kurrë). Këtë e shkruat për të më grindur me të afërmit, dhe për këtë shtuat, me shprehje të ndyra, për sjelljen e një vajze që ju s’e njihni. E gjitha kjo është thashethem e poshtërsi.

— Më falni, zotëri, — u përgjigj Luzhini duke u dridhur nga inati, — në letrën time u zgjata për cilësitë e për veprimet tuaja vetëm për të plotësuar kështu lutjen e motrës e të mamasë suaj për t’u përshkruar atyre: si ju gjeta dhe ç’përshtypje më bëtë? Sa për atë që është shënuar në letrën time, gjeni qoftë edhe një rresht të padrejtë, domethënë që ju s’i shpenzuat paratë dhe që në atë familje, sado fatkeqe, s’kishte persona të padenjë?

— Kurse sipas meje, ju, me gjithë cilësitë tuaja, s’vleni sa gishti i vogël i kësaj vajze fatkeqe, mbi të cilën hidhni gurin.2

— Pra, ju do të guxonit ta futnit edhe në shoqërinë e nënës e të motrës suaj?

— E kam bërë tashmë, nëse doni ta dini. E ula sot pranë mamasë e Dunjës.

— Rodja! — thirri Pulherija Aleksandrovna.

Duneçka u skuq; Razumihini rrudhi vetullat. Luzhini buzëqeshi me thumb e me mendjemadhësi.

— E shihni vetë, Avdotja Romanovna, — tha ai, — a është e mundur këtu marrëveshja? Shpresoj tani se kjo punë mbaroi dhe u sqarua njëherë e përgjithmonë. Kurse unë do të largohem, që të mos pengoj këndshmërinë e mëtejshme të takimit familjar dhe komunikimin e sekreteve (ai u ngrit nga karrigia dhe mori kapelën). Por, duke ikur, guxoj të vërej se në të ardhmen shpresoj të më kursejnë nga takime të tilla dhe, si të thuash, kompromise. Kurse juve do t’ju lutem veçanërisht, shumë e nderuar Pulherija Aleksandrovna, për po këtë temë, aq më tepër që edhe letra ime ishte drejtuar juve, e jo ndonjë tjetri.

Pulherija Aleksandrovna u fye pak.

— Ju po na merrni krejt në pushtetin tuaj, Pjotr Petroviç. Dunja jua tregoi shkakun pse nuk u plotësua dëshira juaj: ajo kishte qëllime të mira. Dhe pastaj ju më shkruani sikur urdhëroni. Mos vallë duhet ta quajmë çdo dëshirë tuajën urdhër? Kurse unë, përkundrazi, do t’ju them se tani duhet të jeni me ne veçanërisht delikat e zemërbutë, sepse ne i lamë të gjitha dhe, duke ju besuar, erdhëm këtu, e pra, edhe pa këtë, jemi pothuajse në pushtetin tuaj.

— Kjo s’është krejt e drejtë, Pulherija Aleksandrovna, dhe sidomos në çastin e tanishëm, kur është njoftuar për tre mijë rublat e lëna me testament nga Marfa Petrovna, gjë që, më duket, vjen shumë në kohë, duke gjykuar nga toni i ri me të cilin më folët, — shtoi ai me thumb.

— Duke gjykuar nga kjo vërejtje, mund të supozohet vërtet se ju llogaritnit në pafuqinë tonë, — vuri re e nervozuar Dunja.

— Por tani, të paktën, s’mund të llogaris kështu dhe sidomos s’dëshiroj të pengoj komunikimin e propozimeve të fshehta të Arkadi Ivanoviç Svidrigajlovit, me të cilat ai e ka autorizuar vëllanë tuaj dhe të cilat, siç po shoh, kanë për ju një rëndësi kryesore, e ndoshta edhe shumë të këndshme.

— Ah, Zoti im! — thirri Pulherija Aleksandrovna.

Razumihini s’rrinte dot në karrige.

— S’të vjen turp tani, motër? — pyeti Raskolnikovi.

— Më vjen turp, Rodja, — tha Dunja. — Pjotr Petroviç, dilni jashtë! — iu drejtua ajo atij, e zbehur nga zemërimi.

Pjotr Petroviçi, me sa duket, s’e priste fare një fund të tillë. Ai shpresonte tepër te vetja, te pushteti i tij e te pafuqia e viktimave të veta. S’e besoi as tani. U zbeh dhe buzët filluan t’i dridheshin.

— Avdotja Romanovna, nëse dal tani nga kjo derë, me një përcjellje të tillë, atëherë — llogariteni këtë — s’do të kthehem më kurrë. Mendojeni mirë! Fjala ime është e prerë.

— Ç’paturpësi! — thirri Dunja, duke u ngritur shpejt nga vendi, — po unë as nuk dua që të ktheheni!

— Si? Kështu qe-e-enka puna, zonjushë! — thirri Luzhini, që s’e kishte besuar deri në çastin e fundit një zgjidhje të tillë, e prandaj e kishte humbur krejt fillin, — kështu pra, zonjushë! Po a e dini, Avdotja Romanovna, se unë mund edhe të protestoja, zonjushë?

— Ç’të drejtë keni të flisni kështu me të! — ndërhyri me zjarr Pulherija Aleksandrovna, — me se mund të protestoni? Dhe ç’janë këto të drejtat tuaja? Hë, a do t’jua jap unë juve, një të tillë, Dunjën time? Ikni, na lini krejt! Ne vetë jemi fajtore që u futëm në një punë të padrejtë, e më shumë se të gjitha unë…

— Megjithatë, Pulherija Aleksandrovna, — ndizej i tërbuar Luzhini, — ju më lidhët me fjalën e dhënë, të cilën tani po e mohoni… dhe më në fund… më në fund, unë u futa, si të thuash, për këtë shkak në shpenzime…

Ky pretendim i fundit ishte aq shumë në karakterin e Pjotr Petroviçit, sa Raskolnikovi, që zbehej nga zemërimi e nga përpjekjet për ta mbajtur, befas s’duroi dot dhe — shpërtheu në të qeshur. Por Pulherija Aleksandrovna doli nga vetja:

— Në shpenzime? Në ç’shpenzime? Mos po flisni për sëndukun tonë? Po atë jua solli konduktori falas. O Zot, ne qenkemi ato që ju lidhëm! Po ejani në vete, Pjotr Petroviç, ju na lidhët ne këmbë e duar, e jo ne juve!

— Mjaft, mama, të lutem, mjaft! — lutej Avdotja Romanovna. — Pjotr Petroviç, bëni të mirë, ikni!

— Do të iki, zonjushë, por vetëm një fjalë të fundit! — tha ai, tashmë pothuajse fare pa e zotëruar veten, — mamaja juaj, me sa duket, ka harruar krejt se unë vendosa t’ju marr, si të thuash, pas fjalës së qytetit, që u përhap në gjithë rrethinën për reputacionin tuaj. Duke përçmuar për ju opinionin publik e duke rivendosur reputacionin tuaj, natyrisht, do të mund të shpresoja, shumë e shumë, në shpërblim e madje të kërkoja mirënjohjen tuaj… Dhe vetëm tani m’u hapën sytë! Shoh vetë se, ndoshta, shumë e shumë veprova me nxitim, duke përçmuar zërin publik…

— Po ky a ka dy koka, apo si! — bërtiti Razumihini, duke u hedhur nga karrigia e duke u bërë gati t’i jepte llogari.

— Jeni njeri i ulët e i ligë! — tha Dunja.

— Asnjë fjalë! Asnjë gjest! — thirri Raskolnikovi, duke e mbajtur Razumihinin; pastaj, duke iu afruar Luzhinit gati sy më sy:

— Urdhëroni dilni jashtë! — tha ai me zë të ulët e duke i ndarë fjalët, — dhe asnjë fjalë më, përndryshe…

Pjotr Petroviçi e vështroi disa sekonda me fytyrë të zbehur e të shtrembëruar nga inati, pastaj u kthye, doli, dhe, natyrisht, rrallë kush ka marrë me vete në zemër kaq urrejtje të ligë kundër dikujt, sa ky njeri kundër Raskolnikovit. Atë, dhe vetëm atë, e fajësonte për gjithçka. Është për t’u vënë re që, edhe duke zbritur shkallët, ai përfytyronte ende se puna, ndoshta, s’ishte fare e humbur dhe, sa u përket vetëm zonjave, madje „shumë e shumë“ e ndreqshme.

Shënime

  1. Rassudkin: Luzhini e shtrembëron mbiemrin e Razumihinit (nga razum, „arsye, mendje“) në një tjetër me kuptim të ngjashëm (nga rassudok, „arsyetim, gjykim“). ↩︎

  2. Aludim për fjalët e Krishtit për gruan e zënë në kurorëshkelje: „Ai nga ju që është pa mëkat, le të hedhë i pari gurin kundër saj“ (Gjoni 8:7). ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat