← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e dytë — V · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 12 nga 41

Ishte një zotëri jo më i ri në moshë, i ngrirë në etiketë, me paraqitje dinjitoze, me një fytyrë të kujdesshme e të vrenjtur, që e filloi duke u ndalur te dera, duke vështruar përreth me një habi fyese që s’e fshihte dhe sikur pyeste me vështrim: „Ku paskam rënë?“ Me mosbesim dhe madje me një shfaqje të shtirur frike, gati edhe fyerjeje, vështronte „kabinën e anijes“ të ngushtë e të ulët të Raskolnikovit. Me të njëjtën habi i ktheu e ia nguli pastaj sytë vetë Raskolnikovit, të zhveshur, të pakrehur, të palarë, që ishte shtrirë në divanin e tij të mjerë e të ndyrë dhe edhe ai e shikonte pa lëvizur. Pastaj, me të njëjtën ngadalësi, filloi të shqyrtonte figurën e çrregullt, të parruar e të pakrehur të Razumihinit, i cili nga ana e tij e shikonte drejt në sy me një pamje pyetëse e të pacipë, pa lëvizur nga vendi. Heshtja e tendosur zgjati nja një minutë, dhe më në fund, siç ishte për t’u pritur, ndodhi një ndryshim i vogël dekori. Duke kuptuar, me siguri, nga ca të dhëna, megjithatë shumë të qarta, se me një qëndrim tepër të rreptë këtu, në këtë „kabinë anijeje“, s’fitoje asgjë, zotëria që hyri u zbut disi dhe me mirësjellje, ndonëse jo pa rreptësi, tha, duke iu drejtuar Zosimovit e duke e shqiptuar qartë çdo rrokje të pyetjes së tij:

— Rodion Romaniç Raskolnikov, zoti student apo ish-student?

Zosimovi lëvizi ngadalë dhe, ndoshta, do të përgjigjej, sikur Razumihini, të cilit s’i ishin drejtuar fare, të mos e kishte paraprirë menjëherë:

— Ja ku është, shtrirë në divan! Po ju ç’ju duhet?

Ky „po ju ç’ju duhet?“ familjar e preu në mes zotërinë e ngrirë në etiketë; ai madje gati u kthye nga Razumihini, por arriti megjithatë ta përmbante veten në kohë dhe u kthye sa më shpejt përsëri nga Zosimovi.

— Ja Raskolnikovi! — mërmëriti Zosimovi, duke bërë me kokë nga i sëmuri, pastaj gogësiu, duke e hapur gojën disi jashtëzakonisht shumë dhe duke e mbajtur jashtëzakonisht gjatë në atë gjendje. Pastaj futi ngadalë dorën në xhepin e jelekut, nxori një orë ari tepër të madhe, të fryrë, me kapak, e hapi, e shikoi dhe po aq ngadalë e me përtesë u mor përsëri ta vinte në vend.

Vetë Raskolnikovi ishte shtrirë gjatë gjithë kohës në heshtje, në shpinë, dhe e shikonte me ngulm, ndonëse pa asnjë mendim, të ardhurin. Fytyra e tij, e kthyer tani nga lulja interesante e letrës së murit, ishte jashtëzakonisht e zbehtë dhe shprehte një vuajtje të pazakontë, sikur të kishte kaluar sapo një operacion mundues ose sikur ta kishin nxjerrë tani nga torturat. Por zotëria që hyri filloi pak nga pak t’i zgjonte gjithnjë e më shumë vëmendje, pastaj hutim, pastaj mosbesim e madje sikur frikë. Kurse kur Zosimovi, duke e treguar, tha: „ja Raskolnikovi“, ai befas, duke u ngritur shpejt, sikur u hodh, u ul në shtrat dhe me një zë gati sfidues, por të ndërprerë e të dobët, tha:

— Po! Unë jam Raskolnikov! Ç’ju duhet?

Mysafiri e vështroi me vëmendje dhe tha me rëndësi:

— Pjotr Petroviç Luzhin. Kam shpresë të plotë se emri im nuk ju është krejt i panjohur.

Por Raskolnikovi, që priste diçka krejt tjetër, e vështroi me hutim e i menduar dhe s’u përgjigj asgjë, sikur emrin e Pjotr Petroviçit ta dëgjonte prerazi për herë të parë.

— Si? Mos vallë deri tani s’keni urdhëruar të merrni ende asnjë lajm? — pyeti Pjotr Petroviçi, duke u fyer disi.

Si përgjigje Raskolnikovi u lëshua ngadalë mbi jastëk, vuri duart pas kokës dhe filloi të shikonte tavanin. Në fytyrën e Luzhinit u shfaq mërzia. Zosimovi e Razumihini filluan ta shikonin me kureshtje edhe më të madhe, dhe ai më në fund u hutua dukshëm.

— Unë supozoja dhe llogarisja, — mërmëriti ai, — që letra, e nisur tashmë më shumë se dhjetë ditë më parë, madje gati dy javë…

— Dëgjoni, pse rrini gjithë kohën në këmbë te dera? — e ndërpreu befas Razumihini, — po keni diçka për të sqaruar, uluni, se ju të dyve, me Nastasjën, ju bie ngushtë atje. Nastasjushka, hiqu mënjanë, lëre të kalojë! Kaloni, ja një karrige, këtu! Futuni, pra!

E shtyu karrigen e tij nga tryeza, liroi pak hapësirë midis tryezës dhe gjunjëve të tij dhe priti në një qëndrim disi të tendosur që mysafiri „të futej“ në këtë të çarë. Çasti ishte zgjedhur ashtu që s’mund të refuzoje në asnjë mënyrë, dhe mysafiri u fut nëpër hapësirën e ngushtë, duke nxituar e duke u penguar. Kur arriti te karrigia, u ul dhe e vështroi me dyshim Razumihinin.

— Ju, megjithatë, mos u hutoni, — ia plasi ky, — Rodja është tashmë dita e pestë që është i sëmurë dhe tri ditë foli përçart, kurse tani erdhi në vete dhe madje hëngri me oreks. Ja, ky që rri këtu është mjeku i tij, sapo e vizitoi, kurse unë jam shoku i Rodkës, edhe unë ish-student, dhe tani po kujdesem për të si dado; kështu që mos na merrni parasysh e mos u ndrojtni, por vazhdoni, ç’ju duhet.

— Ju falënderoj. Mos e shqetësoj megjithatë të sëmurin me praninë e me bisedën time? — iu drejtua Pjotr Petroviçi Zosimovit.

— J-jo, — mërmëriti Zosimovi, — madje mund edhe ta zbavitni, — dhe përsëri gogësiu.

— Oh, ai prej kohësh është në vete, që në mëngjes! — vazhdoi Razumihini, familjariteti i të cilit kishte pamjen e një naiviteti kaq të sinqertë, sa Pjotr Petroviçi u mendua dhe filloi të merrte zemër, ndoshta pjesërisht edhe ngaqë ky leckaman e i pacipë kishte arritur megjithatë të prezantohej si student.

— Mamaja juaj… — filloi Luzhini.

— Hm! — bëri me zë të lartë Razumihini. Luzhini e vështroi pyetës.

— Asgjë, ashtu; vazhdoni…

Luzhini ngriti supet.

— …Mamaja juaj, kur isha ende pranë tyre, filloi t’ju shkruante një letër. Kur erdha këtu, lashë qëllimisht të kalonin disa ditë dhe s’erdha te ju, që të isha plotësisht i sigurt se ishit njoftuar për gjithçka; por tani, për habinë time…

— E di, e di! — tha befas Raskolnikovi, me një shprehje bezdie nga më të paduruarat. — Ju jeni? Dhëndri? Hë, e di!.. dhe mjaft!

Pjotr Petroviçi u fye prerazi, por heshti. Nxitonte me të gjitha forcat të kuptonte se ç’do të thoshin të gjitha këto? Heshtja zgjati nja një minutë.

Ndërkaq Raskolnikovi, që ishte kthyer pak nga ai kur iu përgjigj, filloi befas ta shqyrtonte përsëri me ngulm e me njëfarë kureshtjeje të veçantë, sikur pak më parë ende s’kishte arritur ta shqyrtonte të tërin, ose sikur diçka e re në të e kishte goditur: madje u ngrit pak qëllimisht nga jastëku për këtë. Vërtet, në pamjen e përgjithshme të Pjotr Petroviçit të binte në sy diçka si e veçantë, pikërisht diçka që sikur e justifikonte emrin „dhëndër“, që iu dha sapo kaq pa ceremoni. Së pari, dukej, madje dukej tepër, se Pjotr Petroviçi kishte nxituar me ngulm t’i shfrytëzonte ditët në kryeqytet, që të arrinte të stolisej e të zbukurohej në pritje të nuses, gjë që, megjithatë, ishte shumë e pafajshme dhe e lejueshme. Madje edhe vetëdija e tij, ndoshta tepër e kënaqur me veten, për ndryshimin e tij të këndshëm për mirë mund t’i falej për një rast të tillë, sepse Pjotr Petroviçi ishte në rolin e dhëndrit. Të gjitha rrobat e tij sapo kishin dalë nga rrobaqepësi, dhe të gjitha ishin të mira, përveç ndoshta vetëm se të gjitha ishin tepër të reja dhe e zbulonin tepër njëfarë qëllimi. Madje edhe kapela e rrumbullakët, e hijshme, krejt e re, dëshmonte për këtë qëllim: Pjotr Petroviçi sillej me të disi tepër me nderim dhe e mbante në duar tepër me kujdes. Madje edhe një palë e mrekullueshme dorezash ngjyrë jargavani, të vërteta Zhuven,1 dëshmonte të njëjtën gjë, qoftë edhe vetëm me atë që s’i vishte, por i mbante vetëm në duar për paradë. Në veshjen e Pjotr Petroviçit mbizotëronin ngjyrat e çelëta e rinore. Kishte veshur një xhaketë të bukur verore me nuancë kafe të çelët, pantallona të lehta ngjyrë të çelët, po ashtu jelekun, të brendshme të holla të sapoblera, një kravatë të vogël batiste nga më të lehtat me vija rozë, dhe, ç’ishte më e mira: të gjitha këto madje i shkonin Pjotr Petroviçit. Fytyra e tij, shumë e freskët e madje e bukur, edhe pa këtë dukej më e re se dyzet e pesë vjetët e tij. Favoritet e errëta ia hijëzonin këndshëm nga të dyja anët, si dy kotoleta, dhe dendësoheshin shumë bukur pranë mjekrës së rruar me kujdes që shkëlqente. Madje edhe flokët, megjithatë vetëm fare pak të thinjur, të krehur e të dredhur te berberi, nuk paraqitnin për këtë arsye asgjë qesharake a ndonjë pamje budallaqe, gjë që ndodh zakonisht gjithmonë me flokët e dredhur, sepse i japin fytyrës një ngjashmëri të pashmangshme me një gjerman që shkon në kurorëzim. E nëse kishte diçka vërtet të pakëndshme e që të largonte në këtë fizionomi mjaft të bukur e serioze, kjo vinte nga arsye të tjera. Pasi e shqyrtoi pa ceremoni zotin Luzhin, Raskolnikovi buzëqeshi me helm, ra përsëri në jastëk dhe filloi të shikonte si më parë tavanin.

Por zoti Luzhin u përmbajt dhe, me sa duket, vendosi të mos i vinte re për njëfarë kohe të gjitha këto çudira.

— Më vjen shumë e shumë keq që ju gjej në këtë gjendje, — filloi ai përsëri, duke e thyer me mundim heshtjen. — Sikur ta dija për sëmundjen tuaj, do të kisha ardhur më herët. Po, e dini, punët!.. Kam për më tepër një çështje shumë të rëndësishme në profesionin tim të avokatit në Senat. Nuk po përmend ato shqetësime që do t’i merrni me mend edhe ju. Tuajat, domethënë mamanë dhe motrën, i pres nga ora në orë…

Raskolnikovi lëvizi dhe desh të thoshte diçka; fytyra e tij shprehu njëfarë trazimi. Pjotr Petroviçi u ndal pak, priti, por meqë s’erdhi asgjë, vazhdoi:

— …Nga ora në orë. U gjeta për fillim një banesë…

— Ku? — tha me zë të dobët Raskolnikovi.

— Shumë afër këtu, shtëpia e Bakalejevit…

— Kjo është në Voznesenski, — e ndërpreu Razumihini, — atje janë dy kate me nomera;2 i mban tregtari Jushin; kam qenë.

— Po, nomera, zotëri…

— Ndyrësi nga më të tmerrshmet: pisllëk, qelbësirë, dhe vend i dyshimtë; kanë ndodhur gjëra; e djalli e di kush s’banon atje!.. Edhe unë vetë kam shkuar për një rast skandaloz. Lirë, megjithatë.

— Unë, natyrisht, s’mund të mblidhja kaq shumë të dhëna, meqë jam vetë njeri i ri këtu, — kundërshtoi i prekur Pjotr Petroviçi, — po, megjithatë, dy dhoma të vogla shumë e shumë të pastra, dhe meqë kjo është për një afat shumë të shkurtër… Kam gjetur tashmë banesën e vërtetë, domethënë banesën tonë të ardhshme, — iu drejtua ai Raskolnikovit, — dhe tani po e rregullojnë; kurse ndërkohë edhe vetë po rri ngushtë në nomera, dy hapa larg këtej, te zonja Lippevehzel, në banesën e një miku tim të ri, Andrej Semjoniç Lebezjatnikovit; ai ma tregoi edhe shtëpinë e Bakalejevit…

— Lebezjatnikovit? — tha ngadalë Raskolnikovi, sikur po kujtonte diçka.

— Po, Andrej Semjoniç Lebezjatnikov, nëpunës në ministri. E njihni?

— Po… jo… — u përgjigj Raskolnikovi.

— Më falni, m’u duk kështu nga pyetja juaj. Kam qenë dikur kujdestari i tij… një djalë i ri shumë i dashur… dhe që i ndjek gjërat… Unë gëzohem kur takoj të rinjtë: prej tyre mëson ç’ka të re. — Pjotr Petroviçi i vështroi me shpresë të gjithë të pranishmit.

— Në ç’kuptim? — pyeti Razumihini.

— Në kuptimin më serioz, si të thuash, në vetë thelbin e çështjes, — ia mori Pjotr Petroviçi, sikur u gëzua nga pyetja. — Unë, e shihni, s’e kam vizituar Petersburgun prej dhjetë vjetësh. Të gjitha këto risitë tona, reformat, idetë — të gjitha këto na kanë prekur edhe ne në provincë; por për të parë më qartë e për t’i parë të gjitha, duhet të jesh në Petersburg. Hë, zotëri, kurse mendimi im është pikërisht ky, se më shumë se gjithçka vë re e mëson duke vëzhguar brezat tanë të rinj. Dhe e pranoj: u gëzova…

— Për çfarë pikërisht?

— Pyetja juaj është e gjerë. Mund të gabohem, po më duket se gjej një vështrim më të qartë, më shumë, si të thuash, kritikë; më shumë zotësi praktike…

— Kjo është e vërtetë, — tha nëpër dhëmbë Zosimovi.

— Gënjen, zotësi praktike s’ka, — u kap Razumihini. — Zotësia praktike fitohet me zor, e nga qielli s’bie falas. Kurse ne prej gati dyqind vjetësh jemi shmësuar nga çdo punë… Idetë, ndoshta, vërtiten, — iu drejtua ai Pjotr Petroviçit, — dhe dëshira për të mirën ka, ndonëse fëminore; dhe madje edhe ndershmëri gjendet, megjithëse këtu janë grumbulluar mashtrues pa fund, po zotësi praktike prapëseprapë s’ka! Zotësia praktike ecën me çizme.

— S’jam dakord me ju, — kundërshtoi me një kënaqësi të dukshme Pjotr Petroviçi, — natyrisht, ka entuziazma, parregullsi, por duhet të jesh edhe i butë: entuziazmat dëshmojnë për zjarrin ndaj punës dhe për atë mjedis të jashtëm të parregullt në të cilin ndodhet puna. E nëse është bërë pak, edhe kohë ka pasur pak. Për mjetet as që po flas. Kurse sipas pikëpamjes sime vetjake, po të doni, madje diçka edhe është bërë: janë përhapur mendime të reja, të dobishme, janë përhapur disa vepra të reja, të dobishme, në vend të atyre të mëparshmeve ëndërrimtare e romantike; letërsia po merr një nuancë më të pjekur; janë shkulur e janë vënë në lojë shumë paragjykime të dëmshme… Me një fjalë, jemi shkëputur pa kthim nga e kaluara, dhe kjo, sipas meje, është tashmë një punë, zotëri…

— E ka mësuar përmendësh! Po prezantohet, — tha befas Raskolnikovi.

— Si, zotëri? — pyeti Pjotr Petroviçi, pa dëgjuar, por nuk mori përgjigje.

— Të gjitha këto janë të drejta, — nxitoi të fuste fjalën Zosimovi.

— A s’është e vërtetë, zotëri? — vazhdoi Pjotr Petroviçi, duke e vështruar këndshëm Zosimovin. — Pranojeni vetë, — vazhdoi ai, duke iu drejtuar Razumihinit, por tashmë me një nuancë ngadhënjimi e epërsie, dhe gati sa nuk shtoi: „djalosh“, — që ka mbarësi, ose, siç thonë tani, progres, qoftë edhe në emër të shkencës e të së vërtetës ekonomike…

— Banalitet!

— Jo, s’është banalitet, zotëri! Nëse deri tani më thoshin, për shembull: „duaje të afërmin“, dhe unë e doja, ç’dilte prej kësaj? — vazhdoi Pjotr Petroviçi, ndoshta me një nxitim të tepërt, — dilte që e grisja kaftanin përgjysmë, e ndaja me të afërmin, dhe të dy mbeteshim gjysmë lakuriq, sipas fjalës së urtë ruse: „Po ndoqe disa lepuj njëherësh, s’kap asnjërin“. Kurse shkenca thotë: duaje para të gjithëve vetëm veten, sepse gjithçka në botë mbështetet te interesi vetjak. Po ta duash vetëm veten, edhe punët e tua do t’i rregullosh si duhet, edhe kaftani yt do të mbetet i tërë. Kurse e vërteta ekonomike shton se sa më shumë punë private të rregulluara dhe, si të thuash, kaftanë të tërë të ketë në shoqëri, aq më shumë themele të forta ka ajo dhe aq më shumë rregullohet në të edhe puna e përbashkët. Pra, duke fituar vetëm e vetëm për veten, unë pikërisht me këtë sikur fitoj edhe për të gjithë dhe çoj drejt asaj që i afërmi të marrë diçka më shumë se një kaftan të grisur, dhe jo më nga bujaria private, e veçantë, por si pasojë e mbarësisë së përgjithshme. Mendim i thjeshtë, por, për fat të keq, që s’erdhi për shumë kohë, i mbuluar nga entuziazmi e ëndërrimi, ndërsa, me sa duket, s’duhej shumë zgjuarsi për ta marrë me mend…

— Më falni, as unë s’jam i zgjuar, — e ndërpreu prerë Razumihini, — prandaj le ta lëmë. Unë fola me qëllim, përndryshe gjithë kjo llomotitje për të kënaqur veten, gjithë këto banalitete të pandërprera, të pashtershme, dhe gjithnjë e njëjta gjë, e njëjta gjë, më janë neveritur aq shumë këto tre vjet, sa, për Zotin, skuqem kur i thonë të tjerët, jo unë, para meje. Ju, natyrisht, nxitonit të prezantoheshit me dijet tuaja, kjo është shumë e falshme, dhe s’ju dënoj. Kurse unë doja vetëm të mësoja tani se kush jeni ju, sepse, e shihni, pas kauzës së përbashkët kohët e fundit janë kapur kaq shumë spekullantë të llojeve të ndryshme dhe kanë shtrembëruar aq shumë, për interesin e tyre, gjithçka që kanë prekur, sa e kanë ndotur krejtësisht gjithë punën. Hë, zotëri, dhe mjaft!

— I nderuar zotëri, — filloi zoti Luzhin, duke u fyer me një dinjitet të jashtëzakonshëm, — mos doni të thoni, kaq pa ceremoni, se edhe unë…

— Oh, më falni, më falni… A mund ta bëja unë?.. Hë, zotëri, dhe mjaft! — e preu Razumihini dhe u kthye prerë nga Zosimovi për të vazhduar bisedën e mëparshme.

Pjotr Petroviçi doli aq i zgjuar sa t’i besonte menjëherë shpjegimit. Ai, megjithatë, vendosi të ikte pas dy minutash.

— Shpresoj që njohja jonë, e nisur tani, — iu drejtua ai Raskolnikovit, — pas shërimit tuaj dhe duke pasur parasysh rrethanat që i dini, do të forcohet edhe më… Ju uroj veçanërisht shëndet…

Raskolnikovi as kokën nuk e ktheu. Pjotr Petroviçi filloi të ngrihej nga karrigia.

— E vrau patjetër ndonjë nga ata që linin peng? — thoshte me bindje Zosimovi.

— Patjetër ndonjë nga ata që linin peng! — pohoi Razumihini. — Porfiri s’i tradhton mendimet e tij, po prapëseprapë po i merr në pyetje ata që linin peng…

— I merr në pyetje ata që linin peng? — pyeti me zë të lartë Raskolnikovi.

— Po, e ç’ka?

— Asgjë.

— Nga i gjen ai? — pyeti Zosimovi.

— Disa i tregoi Kohu; emrat e të tjerëve ishin shkruar në mbështjelljet e sendeve, kurse disa erdhën vetë, kur dëgjuan…

— Hë, duhet të jetë ndonjë horr i shkathët e me përvojë! Ç’guxim! Ç’vendosmëri!

— Pikërisht kjo është, që jo! — e ndërpreu Razumihini. — Pikërisht kjo ju nxjerr të gjithëve nga rruga. Kurse unë them — i pashkathët, pa përvojë dhe, me siguri, ky ishte hapi i parë! Supozo një llogari dhe një horr të shkathët, dhe del e pabesueshme. Kurse supozo një njeri pa përvojë, dhe del se vetëm rasti e nxori nga halli, e ç’s’bën rasti? Më fal, po ai as pengesat, ndoshta, s’i kishte parashikuar! E si e çon punën? — merr sende prej dhjetë a njëzet rublash, i mbush xhepin me to, rrëmon në arkën e plakës, nëpër lecka, — kurse në komo, në sirtarin e sipërm, në një kuti, gjetën vetëm para të thata për një mijë e pesëqind, përveç letrave me vlerë! As të grabiste s’dinte, vetëm të vriste dinte! Hapi i parë, të them, hapi i parë; e humbi toruan! Dhe jo me llogari, po me rastësi shpëtoi!

— Kjo, me sa duket, është për vrasjen e kohëve të fundit të plakës, gruas së nëpunësit, — ndërhyri, duke iu drejtuar Zosimovit, Pjotr Petroviçi, tashmë në këmbë me kapelën e me dorezat në dorë, por që para se të ikte deshi të hidhte edhe disa fjalë të zgjuara. Me sa dukej, përpiqej të linte një përshtypje të mirë, dhe kotësia mundi maturinë.

— Po. E keni dëgjuar?

— Si jo, zotëri, në lagje…

— E dini me hollësi?

— S’mund ta them; por mua më intereson në këtë rast një rrethanë tjetër, si të thuash, një pyetje e tërë. S’po flas për atë se krimet në klasën e ulët, në pesë vitet e fundit, janë shtuar; s’po flas për grabitjet e zjarret e kudogjendura e të pandërprera; më e çuditshmja për mua është se krimet edhe në klasat e larta shtohen po në të njëjtën mënyrë e, si të thuash, paralelisht. Atje, dëgjohet, një ish-student grabiti postën në rrugën e madhe; atje njerëz të përparuar, për nga pozita e tyre shoqërore, bëjnë kartëmonedha false; atje, në Moskë, kapin një grup të tërë falsifikatorësh të obligacioneve të huasë së fundit me llotari, — dhe midis pjesëmarrësve kryesorë një pedagog i historisë botërore;3 atje vrasin sekretarin tonë jashtë shtetit, për një shkak parash e misterioz… Dhe nëse tani kjo plakë fajdexhore është vrarë nga dikush prej atyre që linin peng, atëherë edhe ky, pra, ishte njeri nga një shoqëri më e lartë, — sepse fshatarët nuk lënë peng sende ari, — atëherë me se ta shpjegojmë këtë, nga njëra anë, shthurje të pjesës së qytetëruar të shoqërisë sonë?

— Ka shumë ndryshime ekonomike… — ia ktheu Zosimovi.

— Me se ta shpjegojmë? — u kap Razumihini. — Ja, pikërisht me mungesën tepër të rrënjosur të zotësisë praktike mund të shpjegohej.

— Domethënë, si kështu, zotëri?

— Po ç’u përgjigj në Moskë ja ky pedagogu juaj në pyetjen pse falsifikonte obligacione: „Të gjithë pasurohen me mënyra të ndryshme, kështu edhe mua më erdhi dëshira të pasurohesha sa më shpejt“. Fjalët e sakta s’i mbaj mend, po kuptimi ishte: falas, sa më shpejt, pa mundim! Jemi mësuar të rrojmë me gjithçka gati, të ecim me rripat e të tjerëve, të hamë të përtypurën. Hë, kurse kur ra ora e madhe,4 secili tregoi nga shikon…

— Po, megjithatë, morali? Dhe, si të thuash, rregullat…

— Po për çfarë shqetësoheni? — ndërhyri papritur Raskolnikovi. — Sipas teorisë suaj doli!

— Si kështu sipas teorisë sime?

— Po çojeni deri në pasojat e saj atë që predikonit pak më parë, dhe do të dalë se njerëzit mund t’i therësh…

— Më falni! — thirri Luzhini.

— Jo, kjo s’është kështu! — ia ktheu Zosimovi.

Raskolnikovi ishte shtrirë i zbehtë, me buzën e sipërme që i dridhej, dhe merrte frymë me zor.

— Gjithçka ka një masë, — vazhdoi me mendjemadhësi Luzhini, — ideja ekonomike s’është ende ftesë për vrasje, dhe nëse vetëm të supozojmë…

— Po a është e vërtetë që ju, — e ndërpreu befas përsëri Raskolnikovi me një zë që i dridhej nga ligësia, në të cilin dëgjohej njëfarë gëzimi i fyerjes, — a është e vërtetë që ju i thatë nuses suaj… pikërisht në atë orë kur morët pëlqimin e saj, se gëzoheshit më shumë se për gjithçka… që ajo ishte e varfër… sepse ka më leverdi ta marrësh gruan nga varfëria, që pastaj ta sundosh… dhe t’ia përmendësh se e ke mbushur me të mira?..

— I nderuar zotëri! — thirri me ligësi e me nervozizëm Luzhini, duke u skuqur i tëri e duke u hutuar, — i nderuar zotëri… ta shtrembërosh kështu mendimin! Më falni, por duhet t’ju them se thashethemet që kanë arritur te ju, ose, më mirë të them, që jua kanë sjellë, s’kanë as hijen e një themeli të shëndoshë, dhe unë… dyshoj se kush… me një fjalë… kjo shigjetë… me një fjalë, mamaja juaj… Ajo edhe pa këtë m’u duk, megjithë cilësitë e saj të shkëlqyera, disi me një nuancë entuziaste e romantike në mendime… Por unë prapëseprapë isha një mijë versta larg nga supozimi se ajo mund ta kuptonte e ta paraqiste punën në një trajtë kaq të shtrembëruar nga fantazia… Dhe më në fund… më në fund…

— Po e dini ç’është? — thirri Raskolnikovi, duke u ngritur pak mbi jastëk dhe duke e shikuar drejt në sy me një vështrim depërtues e që shkëndijonte, — e dini ç’është?

— Ç’është, zotëri? — Luzhini u ndal dhe priti me një pamje të fyer e sfiduese. Për disa sekonda zgjati heshtja.

— Është se, nëse ju edhe një herë… guxoni të përmendni qoftë edhe një fjalë… për nënën time… do t’ju hedh kokëposhtë nga shkallët!

— Ç’ke! — bërtiti Razumihini.

— A, pra kështu qenka, zotëri! — Luzhini u zbardh dhe kafshoi buzën. — Më dëgjoni, zotëri, — filloi ai me ngadalë, duke e përmbajtur veten me të gjitha forcat, por prapëseprapë duke u mbytur, — qysh pak më parë, që nga hapi i parë, e mora me mend armiqësinë tuaj, por mbeta këtu qëllimisht, që të mësoja edhe më shumë. Shumë gjëra mund t’i falja një të sëmuri e një të afërmi, por tani… juve… kurrë, zotëri…

— S’jam i sëmurë! — thirri Raskolnikovi.

— Aq më tepër, zotëri…

— Shporruni në djall!

Por Luzhini po dilte tashmë vetë, pa e mbaruar fjalën, duke u futur përsëri midis tryezës e karriges; Razumihini këtë herë u ngrit që ta linte të kalonte. Pa vështruar askënd dhe pa i bërë madje me kokë Zosimovit, i cili prej kohësh i bënte shenjë ta linte të qetë të sëmurin, Luzhini doli, duke e ngritur nga kujdesi kapelën deri te supi, kur, duke u përkulur pak, kalonte nga dera. Dhe madje në përkuljen e shpinës së tij sikur shprehej në këtë rast se ai po merrte me vete një fyerje të tmerrshme.

— A bëhet, a bëhet kështu? — thoshte Razumihini i hutuar, duke tundur kokën.

— Lërmëni, lërmëni të gjithë! — thirri i tërbuar Raskolnikovi. — Po a do të më lini më në fund, o torturues! Nuk kam frikë prej jush! Tani s’kam frikë nga askush, nga askush! Larg meje! Dua të jem vetëm, vetëm, vetëm, vetëm!

— Ikim! — tha Zosimovi, duke i bërë me kokë Razumihinit.

— Po më fal, si ta lëmë kështu?

— Ikim! — përsëriti me ngulm Zosimovi dhe doli. Razumihini u mendua dhe vrapoi ta arrinte.

— Mund të ishte më keq, sikur të mos e dëgjonim, — tha Zosimovi, tashmë në shkallë. — S’duhet ngacmuar…

— Ç’ka ai?

— Sikur t’i vinte vetëm ndonjë shtysë e mbarë, ja kjo do të duhej! Pak më parë ishte në fuqi… E di, ai ka diçka në mendje! Diçka të palëvizshme, që e rëndon… Nga kjo kam shumë frikë; patjetër!

— Po ja, ky zotëri, ndoshta, Pjotr Petroviçi! Nga biseda duket se ai po martohet me motrën e tij dhe se Rodja për këtë mori një letër, mu para sëmundjes…

— Po; e solli djalli tani; ndoshta e prishi gjithë punën. Po a e vure re që ai është indiferent ndaj gjithçkaje, hesht për gjithçka, përveç një pike, për të cilën del nga vetja: kjo vrasje…

— Po, po! — ia mori Razumihini, — e vura re shumë mirë! Interesohet, trembet. E trembën pikërisht ditën kur u sëmur, në zyrën e inspektorit; ra të fikët.

— Ma trego këtë më hollësisht në mbrëmje, dhe unë do të të them diçka pastaj. Më intereson, shumë! Pas gjysmë ore do të vij ta shoh… Inflamacion, megjithatë, s’do të ketë…

— Faleminderit! Kurse unë ndërkohë do të pres te Pashenka dhe do ta vëzhgoj nëpërmjet Nastasjës…

Raskolnikovi, kur mbeti vetëm, e vështroi me padurim e me mërzi Nastasjën; por ajo ende po vononte të ikte.

— Çaj do të pish tani? — pyeti ajo.

— Më vonë! Dua të fle! Lërmë…

U kthye me spazmë nga muri; Nastasja doli.

Shënime

  1. Zhuven (fr. Jouvin): fabrikë e njohur franceze dorezash. ↩︎

  2. Nomera (rus. нумера): dhoma me qira për ditë a për muaj, si një hotel i lirë. ↩︎

  3. Aludim për një çështje të vërtetë të vitit 1865: në Moskë u zbulua një grup falsifikatorësh të obligacioneve të huasë shtetërore me llotari, midis të cilëve ishte edhe një mësues i historisë botërore. Edhe rastet e tjera që përmend Luzhini kujtojnë lajme të shtypit të kohës. ↩︎

  4. Aludim për reformat e viteve 1860, sidomos për heqjen e bujkrobërisë në vitin 1861. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat