← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e gjashtë — I · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 32 nga 41

Për Raskolnikovin erdhi një kohë e çuditshme: sikur të kishte rënë befas një mjegull para tij dhe ta kishte mbyllur në një vetmi pa rrugëdalje e të rëndë. Duke e kujtuar më vonë këtë kohë, shumë më vonë, e merrte me mend se vetëdija e tij ndonjëherë sikur zbehej dhe se kjo vazhdoi, me disa ndërprerje, deri te katastrofa përfundimtare. Ishte i bindur plotësisht se atëherë ishte gabuar në shumë gjëra, për shembull në afatet e në kohën e disa ngjarjeve. Të paktën, duke kujtuar më vonë e duke u përpjekur të sqaronte për veten atë që kujtonte, ai mësoi shumë për veten, duke u udhëhequr tashmë nga të dhënat e marra nga të tjerët. Një ngjarje, për shembull, e ngatërronte me një tjetër; një tjetër e quante pasojë të një ndodhie që kishte ekzistuar vetëm në përfytyrimin e tij. Herë-herë e pushtonte një shqetësim i sëmurë e i mundimshëm, që shndërrohej madje në frikë paniku. Por i kujtohej gjithashtu se kishte pasur minuta, orë e madje, ndoshta, ditë të tëra plot apati, që e pushtonte, sikur në kundërshtim me frikën e mëparshme, — apati që i ngjante gjendjes së sëmurë e indiferente të disa njerëzve që po vdesin. Në përgjithësi, këto ditë të fundit ai vetë sikur përpiqej t’i ikte kuptimit të qartë e të plotë të gjendjes së tij; disa fakte urgjente, që kërkonin sqarim të menjëhershëm, e rëndonin veçanërisht; por sa do të gëzohej të çlirohej e t’u ikte disa shqetësimeve, harresa e të cilave kanosej, megjithatë, me një humbje të plotë e të pashmangshme në gjendjen e tij.

Veçanërisht e shqetësonte Svidrigajlovi: madje mund të thuhej se ai sikur ishte ndalur te Svidrigajlovi. Që nga koha e fjalëve tepër kërcënuese për të e të thëna tepër qartë të Svidrigajlovit, në banesën e Sonjës, në minutën e vdekjes së Katerina Ivanovnës, rrjedha e zakonshme e mendimeve të tij sikur ishte prishur. Por, pavarësisht se ky fakt i ri e shqetësonte jashtëzakonisht, Raskolnikovi disi s’nxitonte ta sqaronte punën. Herë-herë, duke e gjetur befas veten diku në ndonjë pjesë të largët e të vetmuar të qytetit, në ndonjë tavernë të mjerë, vetëm, në tryezë, i zhytur në mendime, e mezi duke kujtuar si kishte arritur këtu, befas i kujtohej Svidrigajlovi: befas e kuptonte tepër qartë e me shqetësim se duhej, sa më shpejt, të merrej vesh me këtë njeri e, sa të ishte e mundur, ta zgjidhte përfundimisht. Një herë, kur shkoi diku përtej doganës së qytetit,1 madje përfytyroi se po priste këtu Svidrigajlovin e se këtu e kishin caktuar takimin. Një herë tjetër u zgjua para agimit diku përdhe, nëpër shkurre, dhe pothuajse s’kuptonte si kishte arritur atje. Megjithatë, në këto dy-tri ditë pas vdekjes së Katerina Ivanovnës ishte takuar tashmë nja dy herë me Svidrigajlovin, pothuajse gjithmonë në banesën e Sonjës, ku shkonte disi pa qëllim, por pothuajse gjithmonë për një minutë. Shkëmbenin gjithmonë fjalë të shkurtra dhe asnjëherë s’folën për pikën kryesore, sikur të ishin marrë vesh vetvetiu të heshtnin për këtë deri në një kohë. Trupi i Katerina Ivanovnës dergjej ende në arkivol. Svidrigajlovi drejtonte varrimin e merrej me telashet. Edhe Sonja ishte shumë e zënë. Në takimin e fundit Svidrigajlovi i shpjegoi Raskolnikovit se me fëmijët e Katerina Ivanovnës e kishte rregulluar disi punën, dhe e kishte rregulluar me sukses; se falë disa lidhjeve, ishin gjetur persona të tillë me ndihmën e të cilëve të tre jetimët mund të vendoseshin menjëherë në institucione shumë të përshtatshme për ta; se paratë e lëna mënjanë për ta kishin ndihmuar gjithashtu shumë, meqë jetimët me kapital vendosen shumë më lehtë se jetimët lypës. Tha diçka edhe për Sonjën, premtoi se do të vinte disi vetë te Raskolnikovi këto ditë dhe përmendi se „do të donte të këshillohej; se do të duhej shumë të bisedonin, se ka punë të tilla…“ Kjo bisedë u bë në paradhomë, pranë shkallëve. Svidrigajlovi e vështroi me ngulm në sy Raskolnikovin dhe befas, pasi heshti e uli zërin, e pyeti:

— Po ç’keni, Rodion Romaniç, që s’jeni në vete? Vërtet! Dëgjoni e shikoni, po sikur s’kuptoni. Merrni zemër. Ja, le të bisedojmë: gjynah vetëm që ka shumë punë, edhe të huaja, edhe të miat… Eh, Rodion Romaniç, — shtoi ai befas, — të gjithë njerëzve u duhet ajër, ajër, ajër, zotëri… Mbi të gjitha!

Befas u hoq mënjanë, që të linte të kalonte priftin e psaltin që po ngjiteshin shkallëve. Ata po vinin të bënin panihidën. Me urdhër të Svidrigajlovit, panihidat bëheshin dy herë në ditë, me rregull. Svidrigajlovi shkoi në rrugën e tij. Raskolnikovi qëndroi pak, u mendua dhe hyri pas priftit në banesën e Sonjës.

Qëndroi te dera. Shërbesa po fillonte, qetë, me rregull, trishtueshëm. Në vetëdijen për vdekjen e në ndjesinë e pranisë së vdekjes për të kishte pasur gjithmonë diçka të rëndë e mistikisht të tmerrshme, qysh nga fëmijëria; e pastaj kishte kohë që s’kishte dëgjuar panihidë. E kishte këtu edhe diçka tjetër, tepër të tmerrshme e shqetësuese. Shikonte fëmijët: të gjithë qëndronin pranë arkivolit, në gjunjë, Poleçka qante. Pas tyre, duke qarë ngadalë e sikur me druajtje, falej Sonja. „E megjithatë ajo këto ditë asnjë herë s’më ka vështruar e s’më ka thënë asnjë fjalë“, — i shkoi befas ndër mend Raskolnikovit. Dielli e ndriçonte fort dhomën; tymi i temjanit ngjitej shtëllungë; prifti lexonte „Prehe, o Zot“. Raskolnikovi e ndenji gjithë shërbesën. Duke bekuar e duke u përshëndetur, prifti disi vështronte çuditshëm përreth. Pas shërbesës Raskolnikovi iu afrua Sonjës. Ajo befas e kapi nga të dyja duart dhe e mbështeti kokën në supin e tij. Ky gjest i shkurtër madje e tronditi Raskolnikovin me hutim; madje ishte e çuditshme: si? as neverinë më të vogël, as pështirosjen më të vogël ndaj tij, as drithërimën më të vogël në dorën e saj! Ky ishte tashmë njëfarë pafundësie e poshtërimit të vetvetes. Kështu, të paktën, e kuptoi ai. Sonja s’thoshte asgjë. Raskolnikovi i shtrëngoi dorën dhe doli. I erdhi tmerrësisht rëndë. Sikur të ishte e mundur të ikte diku në këtë minutë e të mbetej krejt vetëm, qoftë edhe për gjithë jetën, do ta quante veten të lumtur. Por puna ishte se kohët e fundit, ndonëse ishte pothuajse gjithmonë vetëm, në asnjë mënyrë s’mund ta ndiente se ishte vetëm. I ndodhte të dilte jashtë qytetit, të dilte në rrugën e madhe, madje një herë doli në ndonjë korije; por sa më i vetmuar të ishte vendi, aq më fort e ndiente sikur praninë e afërt e shqetësuese të dikujt, jo se të tmerrshme, po disi shumë bezdisëse, kështu që kthehej sa më shpejt në qytet, përzihej me turmën, hynte nëpër taverna, nëpër pijetore, shkonte në Tolkuç, në Sennaja. Këtu ishte sikur më lehtë e madje më e vetmuar. Në një gjellëtore, nga mbrëmja, këndonin këngë: ndenji një orë të tërë duke dëgjuar, dhe i kujtohej se madje i kishte qenë shumë e këndshme. Por në fund befas u shqetësua përsëri; sikur një brejtje ndërgjegjeje filloi befas ta mundonte: „Ja, rri e dëgjoj këngë, po mos vallë këtë duhet të bëj!“ — sikur mendoi ai. Megjithatë, e mori me mend aty për aty se s’ishte vetëm kjo që e shqetësonte; kishte diçka që kërkonte zgjidhje të menjëhershme, por që s’mund të kuptohej as të shprehej me fjalë. Gjithçka po mblidhej në një lëmsh. „Jo, më mirë ndonjë luftë! Më mirë përsëri Porfiri… ose Svidrigajlovi… Sa më shpejt përsëri ndonjë sfidë, ndonjë sulm i dikujt… Po! po!“ — mendonte ai. Doli nga gjellëtorja dhe u hodh gati me vrap. Mendimi për Dunjën e për nënën i ngjalli befas, s’dihej pse, një frikë si paniku. Pikërisht atë natë, para mëngjesit, u zgjua nëpër shkurre, në Ishullin Krestovski,2 i ngrirë i tëri, me ethe; shkoi në shtëpi dhe arriti që herët në mëngjes. Pas disa orësh gjumi ethet i kaluan, por u zgjua vonë: ishte ora dy pasdite.

I kujtohej se atë ditë ishte caktuar varrimi i Katerina Ivanovnës dhe u gëzua që s’kishte qenë i pranishëm. Nastasja i solli për të ngrënë; hëngri e piu me shumë oreks, gati me babëzi. Koka i ishte më e freskët, dhe vetë ishte më i qetë se këto tri ditët e fundit. Madje u çudit, kalimthi, me vërshimet e mëparshme të frikës së tij si paniku. Dera u hap dhe hyri Razumihini.

— A! po ha, pra s’është i sëmurë! — tha Razumihini, mori një karrige dhe u ul në tryezë përballë Raskolnikovit. Ishte i shqetësuar dhe s’përpiqej ta fshihte. Fliste me një mërzi të dukshme, por pa nxituar e pa e ngritur veçanërisht zërin. Mund të mendoje se tek ai kishte zënë vend njëfarë qëllimi i veçantë e madje i jashtëzakonshëm. — Dëgjo, — filloi ai me vendosmëri, — për mua le t’ju marrë dreqi të gjithëve, por nga ajo që po shoh tani, e shoh qartë se s’mund të kuptoj asgjë; të lutem, mos mendo se erdha të të marr në pyetje. Pështyj mbi këtë! Vetë s’dua! Edhe sikur t’i zbulosh vetë tani të gjitha, të gjitha të fshehtat tuaja, unë ndoshta as s’do t’i dëgjoj, do të pështyj e do të iki. Erdha vetëm të mësoj personalisht e përfundimisht: a është e vërtetë, së pari, që je i çmendur? Për ty, e sheh, ekziston bindja (hë, atje diku) se ndoshta je i çmendur ose shumë i prirur për këtë. Ta pranoj, edhe unë vetë kam qenë shumë i prirur ta mbështesja këtë mendim, së pari, duke gjykuar nga veprimet e tua budallaqe e pjesërisht të ndyra (të pashpjegueshme me asgjë), e së dyti, nga sjellja jote e fundit me nënën e motrën. Vetëm një përbindësh e një i poshtër, po s’qe i çmendur, mund të sillej kështu me to siç u solle ti; e rrjedhimisht, ti je i çmendur…

— Kohë që i ke parë?

— Tani. Po ti s’i ke parë që atëherë? Ku endesh, më thuaj, të lutem, kam ardhur tri herë te ti. Nëna është sëmurë rëndë që dje. U bë gati të vinte te ti; Avdotja Romanovna filloi ta mbante; s’do të dëgjojë asgjë: „Nëse ai, thotë, është i sëmurë, nëse i ngatërrohet mendja, kush do ta ndihmojë, po jo nëna?“ Erdhëm këtu të gjithë, sepse s’mund ta linim vetëm. Deri te dera jote i luteshim të qetësohej. Hymë, ti s’ishe; ja këtu rrinte ajo. Ndenji dhjetë minuta, ne qëndronim mbi të, në heshtje. U ngrit dhe thotë: „Nëse del nga shtëpia, e pra është i shëndoshë e e ka harruar nënën, atëherë është e pahijshme e turp që nëna të qëndrojë në prag e t’i lypë përkëdheljet si lëmoshë“. U kthye në shtëpi dhe ra në shtrat; tani ka ethe: „Shoh, thotë, që për të tijën ka kohë“. Ajo mendon se e tija është Sofja Semjonovna, e fejuara jote, ose dashnorja, s’e di. Unë shkova menjëherë te Sofja Semjonovna, sepse, vëlla, doja të mësoja gjithçka, — vij, shikoj: arkivoli qëndron, fëmijët qajnë. Sofja Semjonovna po u provon fustanet e zisë. Ti s’ishe. Shikova, kërkova ndjesë dhe dola, dhe kështu i tregova Avdotja Romanovnës. Pra, të gjitha këto janë marrëzira, dhe këtu s’ka kurrfarë të tijës, më e mundshme, pra, është çmenduria. Por ja, ti rri e po ha mish të zier si i babëzitur, sikur s’ke ngrënë tri ditë. Le të themi, edhe të çmendurit hanë, por ndonëse s’më ke thënë asnjë fjalë, ti… s’je i çmendur! Për këtë do të betohem. Mbi të gjitha, s’je i çmendur. Pra, le t’ju marrë dreqi të gjithëve, sepse këtu ka njëfarë misteri, njëfarë të fshehte; kurse unë s’kam ndër mend ta vras mendjen me të fshehtat tuaja. Erdha vetëm të të shaj, — përfundoi ai, duke u ngritur, — të shfryj, kurse unë e di ç’duhet të bëj tani!

— Po ç’do të bësh tani?

— Po ty ç’të duhet ç’dua të bëj tani?

— Shiko, se do të pish!

— Si… si e more vesh ti këtë?

— Hë, ja edhe kjo!

Razumihini heshti një minutë.

— Ti ke qenë gjithmonë njeri shumë i arsyeshëm dhe kurrë, kurrë s’ke qenë i çmendur, — vuri re ai befas me zjarr. — Kështu është: do të pi! Lamtumirë! — Dhe u nis të ikte.

— Unë fola për ty, pardje më duket, me motrën, Razumihin.

— Për mua! Po… ku mund ta shihje ti atë pardje? — u ndal befas Razumihini, madje u zbeh pak. Mund të merrej me mend se zemra filloi t’i rrihte ngadalë e me tension në kraharor.

— Erdhi këtu, vetëm, ndenji këtu, foli me mua.

— Ajo!

— Po, ajo.

— Po ç’i the… dua të them, për mua?

— I thashë që ti je njeri shumë i mirë, i ndershëm e punëtor. Që e do, s’ia thashë, sepse këtë e di vetë.

— E di vetë?

— Hë, ja edhe kjo! Kudo që të shkoja unë, çfarëdo që të më ndodhte, — ti do të mbeteshe providenca e tyre. Unë, si të thuash, po t’i dorëzoj ty, Razumihin. Po e them këtë, sepse e di krejt sa e do atë dhe jam i bindur për pastërtinë e zemrës sate. E di gjithashtu se edhe ajo mund të të dojë, e madje, ndoshta, të do tashmë. Tani vendos vetë, si e di më mirë, — duhet apo s’duhet të pish.

— Rodka… E sheh… Hë… Ah, dreqi! Po ti ku do të shkosh? E sheh: nëse e gjitha kjo është e fshehtë, le të jetë! Por unë… unë do ta mësoj të fshehtën… Dhe jam i sigurt se patjetër është ndonjë marrëzi e ndonjë vogëlsirë e tmerrshme dhe që e ke sajuar vetëm ti të gjithë. Po, megjithatë, ti je njeri i shkëlqyer! Njeri i shkëlqyer!..

— Po unë pikërisht doja të të shtoja, po ti më ndërpreve, se e mendove shumë mirë pak më parë që të mos i mësosh këto mistere e të fshehta. Lëri për ca kohë, mos u shqetëso. Të gjitha do t’i mësosh në kohën e vet, pikërisht atëherë kur të duhet. Dje një njeri më tha se njeriut i duhet ajër, ajër, ajër! Dua të shkoj tani tek ai e të mësoj ç’kupton ai me këtë.

Razumihini qëndronte i menduar e i trazuar dhe po peshonte diçka.

„Ky është konspirator politik! Me siguri! Dhe është në prag të ndonjë hapi vendimtar — kjo është e sigurt! S’mund të jetë ndryshe dhe… dhe Dunja e di…“ — mendoi ai befas me vete.

— Pra te ti vjen Avdotja Romanovna, — tha ai, duke i skanduar fjalët, — kurse ti vetë do të takohesh me një njeri që thotë se duhet më shumë ajër, ajër dhe… dhe, pra, edhe kjo letër… edhe kjo është diçka nga e njëjta gjë, — përfundoi ai sikur me vete.

— Ç’letër?

— Ajo mori një letër, sot, që e shqetësoi shumë. Shumë. Madje tepër. Unë fola për ty — më lutej të heshtja. Pastaj… pastaj tha se ndoshta do të ndahemi shumë shpejt, pastaj filloi të më falënderonte me zjarr për diçka; pastaj iku në dhomën e saj dhe u mbyll.

— Ajo mori një letër? — pyeti përsëri i menduar Raskolnikovi.

— Po, një letër; po ti s’e dije? Hm.

Të dy heshtën.

— Lamtumirë, Rodion. Unë, vëlla… pati një kohë… po, megjithatë, lamtumirë, e sheh, pati një kohë… Hë, lamtumirë! Edhe unë duhet të shkoj. S’do të pi. Tani s’duhet… gënjen!

Ai nxitonte; por, duke dalë tashmë e duke e mbyllur gati derën pas vetes, befas e hapi përsëri dhe tha, duke shikuar diku anash:

— Meqë ra fjala! E mban mend atë vrasjen, hë, ja, atë të Porfirit: të plakës? Hë, pra dije që vrasësi u gjet, rrëfeu vetë dhe i paraqiti të gjitha provat. Është një nga ata punëtorët, bojaxhinjtë, përfytyro, e mban mend, që i mbroja këtu? A e beson që gjithë atë skenë rrahjeje e të qeshurash në shkallë, me shokun e tij, kur po ngjiteshin ata, portieri e dy dëshmitarët, e kishte sajuar me qëllim, pikërisht për t’ua hedhur hi syve? Ç’dinakëri, ç’gjakftohtësi te një këlysh i tillë! Vështirë ta besosh; po e shpjegoi vetë, rrëfeu vetë gjithçka! E si rashë unë në kurth! Ç’ka, sipas meje, ky është vetëm një gjeni i shtirjes e i mendjeshpejtësisë, një gjeni i alibisë juridike, — e pra s’ka përse të çuditesh veçanërisht! Mos vallë s’mund të ketë të tillë? E që s’e mbajti dot karakterin dhe rrëfeu, unë për këtë i besoj edhe më shumë. Më e besueshme… Po si rashë unë, unë atëherë në kurth! Për ta ngjitesha nëpër mure!

— Më thuaj, të lutem, nga e more vesh këtë dhe pse të intereson kaq shumë? — pyeti me një trazim të dukshëm Raskolnikovi.

— Hë, ja edhe kjo! Pse më intereson! Ç’pyete!.. Kurse e mora vesh nga Porfiri, ndër të tjerë. Megjithatë, prej tij i mora vesh gati të gjitha.

— Nga Porfiri?

— Nga Porfiri.

— Po ç’ka… ç’ka ai? — pyeti i trembur Raskolnikovi.

— Ma shpjegoi shkëlqyeshëm. Ma shpjegoi psikologjikisht, në mënyrën e tij.

— Ai ta shpjegoi? Ai vetë ta shpjegoi?

— Ai vetë, ai vetë; lamtumirë! Më vonë do të të tregoj edhe diçka tjetër, po tani kam punë. Atje… pati një kohë kur mendova… Hë, po ç’ka; më vonë!.. Pse të dehem tani. Ti më dehe edhe pa verë. Jam i dehur, Rodka! Pa verë jam i dehur tani, hë, po lamtumirë; do të vij; shumë shpejt.

Ai doli.

„Ky, ky është konspirator politik, kjo është e sigurt, e sigurt! — vendosi përfundimisht me vete Razumihini, duke zbritur ngadalë shkallët. — Dhe e ka futur edhe motrën; kjo është shumë, shumë e mundshme me karakterin e Avdotja Romanovnës. Kanë filluar takimet… Po edhe ajo më ka bërë aluzione. Nga shumë fjalë… e fjalëza… e aluzione të saj, e gjitha kjo del pikërisht kështu! Po si të shpjegohet ndryshe gjithë ky ngatërrim? Hm! E unë që mendova… O Zot, ç’më shkoi ndër mend. Po, zotëri, kjo ishte një errësim mendjeje, dhe unë jam fajtor para tij! Ishte ai që atëherë, pranë llambës, në korridor, ma errësoi mendjen. Puh! Ç’mendim i ndyrë, i vrazhdë, i poshtër nga ana ime! Të lumtë, Mikolka, që rrëfeve… Dhe si shpjegohen tani të gjitha të mëparshmet! Ajo sëmundja e tij atëherë, të gjitha veprimet e tij kaq të çuditshme, madje edhe më parë, më parë, qysh në universitet, sa i zymtë, sa i vrenjtur ka qenë gjithmonë… Po ç’kuptim ka tani kjo letër? Ndoshta edhe këtu ka diçka. Nga kush është kjo letër? Dyshoj… Hm. Jo, këtë do ta mësoj të gjithë“.

Ai kujtoi e mori me mend gjithçka për Duneçkën, dhe zemra iu ngri. U hodh nga vendi dhe vrapoi.

Raskolnikovi, sapo doli Razumihini, u ngrit, u kthye nga dritarja, u përplas në një qoshe, në tjetrën, sikur ta kishte harruar ngushtësinë e strofkës së tij, dhe… u ul përsëri në divan. Ishte sikur i ripërtërirë i tëri; përsëri luftë — pra, u gjet rrugëdalja!

„Po, pra, u gjet rrugëdalja! Përndryshe gjithçka ishte zënë e ishte mbyllur tepër, kishte filluar të shtypte me mundim, e sulmonte njëfarë trullosjeje. Qysh nga skena me Mikolkën te Porfiri kishte filluar të mbytej pa rrugëdalje, në ngushtësi. Pas Mikolkës, po atë ditë, ishte skena te Sonja; e drejtoi e e mbaroi krejt, krejt jo ashtu siç mund ta kishte përfytyruar më parë… u dobësua, pra, në çast e rrënjësisht! Përnjëherësh! E megjithatë ishte pajtuar atëherë me Sonjën, ishte pajtuar vetë, me zemër ishte pajtuar, se kështu, vetëm, me një punë të tillë në shpirt, s’mund të rronte! Po Svidrigajlovi? Svidrigajlovi është gjëegjëzë… Svidrigajlovi e shqetëson, e vërtetë, po disi jo nga ajo anë. Me Svidrigajlovin, ndoshta, e pret gjithashtu një luftë. Svidrigajlovi, ndoshta, është gjithashtu një rrugëdalje e tërë; por Porfiri është punë tjetër.

Pra, Porfiri vetë ia paska shpjeguar Razumihinit, ia paska shpjeguar psikologjikisht! Prapë filloi të sjellë psikologjinë e tij të mallkuar! Porfiri? Që Porfiri të besonte qoftë edhe për një minutë që Mikolka është fajtor, pas asaj që ndodhi atëherë midis tyre, pas asaj skene, sy më sy, para Mikolkës, për të cilën s’mund të gjendet asnjë interpretim i drejtë, përveç njërit? (Raskolnikovit këto ditë i kishte shkrepur e i ishte kujtuar disa herë copa-copa gjithë kjo skenë me Porfirin; të tërë s’do ta duronte dot kujtimin.) U thanë atëherë midis tyre fjalë të tilla, u bënë lëvizje e gjeste të tilla, shkëmbyen vështrime të tilla, u tha diçka me një zë të tillë, u arrit deri në kufij të tillë, sa pas kësaj s’ishte Mikolka (të cilin Porfiri e kishte marrë me mend përmendësh që nga fjala e gjesti i parë), s’ishte Mikolka ai që do ta lëkundte vetë themelin e bindjeve të tij.

Po ç’thua! Madje edhe Razumihini kishte filluar të dyshonte! Skena në korridor, pranë llambës, s’kishte kaluar më kot atëherë. Ja, ai u hodh te Porfiri… Po pse ky tjetri filloi ta mashtronte kështu? Ç’qëllim ka ai t’ia largojë sytë Razumihinit drejt Mikolkës? Se ai patjetër ka menduar diçka; këtu ka qëllime, po cilat? E vërtetë, që nga ai mëngjes kishte kaluar shumë kohë, — tepër, tepër shumë, kurse për Porfirin s’kishte as zë as nam. Ç’ka, kjo, natyrisht, është më keq…“ Raskolnikovi mori kasketën dhe, i zhytur në mendime, doli nga dhoma. Ishte dita e parë, gjatë gjithë kësaj kohe, që e ndiente veten, të paktën, me vetëdije të shëndoshë. „Duhet ta mbyll punën me Svidrigajlovin, — mendonte ai, — dhe me çdo kusht, sa më shpejt: edhe ky, me sa duket, pret që të shkoj vetë tek ai“. Dhe në këtë çast një urrejtje e tillë iu ngrit befas nga zemra e tij e lodhur, sa që ndoshta do të mund të vriste njërin prej këtyre të dyve: Svidrigajlovin ose Porfirin. Të paktën, ndjeu se, në mos tani, më vonë do të ishte në gjendje ta bënte këtë. „Do ta shohim, do ta shohim“, — përsëriste ai me vete.

Por sapo e hapi derën në paradhomë, u përplas befas me vetë Porfirin. Ky po hynte tek ai. Raskolnikovi u shtang për një minutë. Çudi, ai s’u habit shumë me Porfirin dhe pothuajse s’u tremb prej tij. Vetëm u drodh, por shpejt, në çast, u bë gati. „Ndoshta zgjidhja! Po si m’u afrua kaq ngadalë, si mace, e unë s’dëgjova asgjë? Mos vallë përgjonte?“

— S’e prisnit mysafirin, Rodion Romaniç, — thirri duke qeshur Porfiri Petroviçi. — Prej kohësh kisha ndër mend të vija, po kaloja, mendova — pse të mos hyj nja pesë minuta t’ju shoh. Paskeni ndër mend të dilni diku? S’do t’ju mbaj. Vetëm një cigare të vogël, po më lejoni.

— Po uluni, Porfiri Petroviç, uluni, — e ulte mysafirin Raskolnikovi, me një pamje në dukje aq të kënaqur e miqësore, sa, vërtet, do të habitej vetë me veten, sikur të mund ta shihte veten. Po kruheshin fundet, llumi i fundit! Ndonjëherë kështu njeriu duron gjysmë ore frikë vdekjeje me një kusar, po kur ia vënë më në fund thikën në fyt, atëherë madje edhe frika i kalon. U ul drejt përballë Porfirit dhe, pa i lëvizur qepallat, e vështronte. Porfiri mblodhi sytë dhe filloi të ndizte cigaren.

„Hë, fol pra, fol pra, — sikur donte të kërcente nga zemra e Raskolnikovit. — Hë, ç’ka, ç’ka, pse s’flet?“

Shënime

  1. Dogana e qytetit (rus. zastava): vendet në hyrje të Petersburgut ku dikur kontrolloheshin udhëtarët; skaji i qytetit. ↩︎

  2. Ishulli Krestovski: ishull në deltën e Nevës, në veri të qytetit, atëherë me pyje e vende shëtitjeje. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat