← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e pestë — III · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 29 nga 41

— Pjotr Petroviç! — bërtiti ajo, — të paktën ju më mbroni! Mbushjani mendjen kësaj krijese budallaqe se s’guxon të sillet kështu me një zonjë fisnike në fatkeqësi, se për këtë ka gjyq… do të shkoj te vetë gjeneral-guvernatori… Ajo do të japë llogari… Duke kujtuar bukën e kripën e babait tim, mbroni jetimët.

— Më lejoni, zonjë… Më lejoni, më lejoni, zonjë, — bënte me dorë Pjotr Petroviçi, — babanë tuaj, siç e dini, s’kam pasur aspak nderin ta njoh… më lejoni, zonjë! (dikush qeshi me zë të lartë), kurse në grindjet tuaja të pandërprera me Amalija Ivanovnën s’kam ndër mend të marr pjesë, zonjë… Unë kam ardhur për nevojën time… dhe dëshiroj të sqarohem, menjëherë, me thjeshtrën tuaj, Sofja… Ivanovnën… Kështu, më duket, zonjë? Më lejoni të kaloj, zonjë…

Dhe Pjotr Petroviçi, duke e anashkaluar me një anë Katerina Ivanovnën, u drejtua për në qoshen e kundërt, ku ndodhej Sonja.

Katerina Ivanovna mbeti siç kishte qëndruar në vend, sikur ta kishte goditur rrufeja. S’mund të kuptonte si kishte mundur Pjotr Petroviçi ta mohonte bukën e kripën e babait të saj. Pasi e kishte sajuar një herë këtë bukë e kripë, ajo vetë i besonte tashmë me shenjtëri. E tronditi edhe toni zyrtar, i thatë, madje plot njëfarë kërcënimi përbuzës i Pjotr Petroviçit. Edhe të gjithë disi heshtën pak nga pak kur u shfaq ai. Përveç faktit që ky njeri „i punëve e serioz“ binte tepër ashpër ndesh me gjithë shoqërinë, përveç kësaj, dukej se ai kishte ardhur për diçka të rëndësishme, se, me siguri, ndonjë shkak i jashtëzakonshëm mund ta kishte tërhequr në një shoqëri të tillë dhe se, pra, tani do të ndodhte diçka, do të bëhej diçka. Raskolnikovi, që qëndronte pranë Sonjës, u hoq mënjanë për ta lënë të kalonte; Pjotr Petroviçi, me sa dukej, s’e vuri re fare. Pas një minute në prag u shfaq edhe Lebezjatnikovi; në dhomë s’hyri, por u ndal edhe ai me njëfarë kureshtjeje të veçantë, gati me habi; dëgjonte, por, me sa dukej, për një kohë të gjatë s’mundi të kuptonte diçka.

— Më falni që, ndoshta, po ju ndërpres, por puna është mjaft e rëndësishme, zotërinj, — vuri re Pjotr Petroviçi disi në përgjithësi e pa iu drejtuar askujt në veçanti, — madje gëzohem që është para publikut. Amalija Ivanovna, ju lutem me gjithë përulje, si e zonjë e banesës, t’i kushtoni vëmendje bisedës sime të mëposhtme me Sofja Ivanovnën. Sofja Ivanovna, — vazhdoi ai, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Sonjës, jashtëzakonisht të habitur e tashmë që më parë të trembur, — nga tryeza ime, në dhomën e mikut tim, Andrej Semjonoviç Lebezjatnikovit, menjëherë pas vizitës suaj, u zhduk një kartëmonedhë shtetërore njëqindrublëshe, që më përkiste. Nëse në çfarëdo mënyre e dini dhe na tregoni se ku ndodhet tani, atëherë, ju siguroj me fjalë nderi, dhe i marr të gjithë për dëshmitarë, puna do të mbarojë vetëm me kaq. Në rast të kundërt do të jem i detyruar t’u drejtohem masave shumë serioze, atëherë… fajësoni veten, zonjushë!

Në dhomë ra një heshtje e plotë. Madje edhe fëmijët që qanin pushuan. Sonja qëndronte e zbehtë si e vdekur, shikonte Luzhinin dhe s’mund të përgjigjej asgjë. Ishte sikur ende s’kuptonte. Kaluan disa sekonda.

— Hë, zonjushë, si është puna? — pyeti Luzhini, duke e vështruar me ngulm.

— S’e di… S’di asgjë… — tha më në fund Sonja me zë të dobët.

— Jo? S’e dini? — pyeti përsëri Luzhini dhe heshti edhe disa sekonda. — Mendohuni, mademoiselle, — filloi ai rreptë, por ende sikur duke e këshilluar, — shqyrtojeni, jam dakord t’ju jap edhe kohë për t’u menduar. Urdhëroni të shihni, zonjushë: sikur të mos isha kaq i sigurt, atëherë, natyrisht, me përvojën time, s’do të rrezikoja t’ju akuzoja kaq drejtpërdrejt; sepse për një akuzë të tillë, të drejtpërdrejtë e publike, por të rreme apo qoftë edhe vetëm të gabuar, unë, në një farë kuptimi, jap vetë llogari. Këtë e di, zonjushë. Sot në mëngjes këmbeva, për nevojat e mia, disa bileta me pesë për qind për një shumë nominale prej tre mijë rublash. Llogaria e kam të shënuar në portofol. Kur erdha në shtëpi, unë — dëshmitar për këtë është Andrej Semjonoviçi — fillova të numëroja paratë dhe, pasi numërova dy mijë e treqind rubla, i fsheha në portofol, kurse portofolin në xhepin anësor të sertukut. Në tryezë mbetën rreth pesëqind rubla, në kartëmonedha, e midis tyre tri kartëmonedha nga njëqind rubla secila. Në këtë minutë mbërritët ju (me thirrjen time) — dhe gjithë kohën qëndruat pastaj tek unë jashtëzakonisht e turbulluar, kështu që madje tri herë, në mes të bisedës, u ngritët e nxitonit, s’dihet pse, të iknit, megjithëse biseda jonë s’kishte mbaruar ende. Andrej Semjonoviçi mund t’i dëshmojë të gjitha këto. Me siguri, as ju vetë, mademoiselle, s’do të refuzoni ta konfirmoni e ta deklaroni se unë ju thirra, nëpërmjet Andrej Semjonoviçit, vetëm e vetëm për të biseduar me ju për gjendjen e jetimëve e të pafuqishme të së afërmes suaj, Katerina Ivanovnës (te e cila s’mund të vija për drekën e përkujtimit), dhe për atë sa e dobishme do të ishte të organizohej në dobi të saj diçka si mbledhje ndihmash, llotari a diçka e ngjashme. Ju më falënderuat e madje ju dolën lotët (po i tregoj të gjitha siç ishin, që, së pari, t’jua kujtoj, e së dyti, t’ju tregoj se nga kujtesa ime s’është fshirë as tipari më i vogël). Pastaj mora nga tryeza një kartëmonedhë dhjetërublëshe dhe jua dhashë, në emrin tim, për interesat e së afërmes suaj e si ndihmë e parë. Të gjitha këto i pa Andrej Semjonoviçi. Pastaj ju përcolla deri te dera, — gjithnjë në po atë turbullim nga ana juaj, — pas së cilës, pasi mbeta vetëm me Andrej Semjonoviçin e bisedova me të nja dhjetë minuta, Andrej Semjonoviçi doli, kurse unë iu drejtova përsëri tryezës, me paratë që ishin mbi të, me qëllim që, pasi t’i numëroja, t’i vija mënjanë veçmas, siç e kisha menduar më parë. Për habinë time, një kartëmonedhë njëqindrublëshe, midis të tjerave, s’u gjend. Urdhëroni, pra, gjykoni: ta dyshoj Andrej Semjonoviçin s’mundem në asnjë mënyrë, zonjushë; madje më vjen turp edhe ta supozoj. Të gabohesha në numërim gjithashtu s’mundesha, sepse, një minutë para ardhjes suaj, pasi i mbarova të gjitha llogaritë, e gjeta shumën të saktë. Pranojeni vetë se, duke kujtuar turbullimin tuaj, nxitimin për të ikur dhe faktin që i mbajtët duart, për ca kohë, mbi tryezë; duke marrë parasysh, më në fund, pozitën tuaj shoqërore dhe zakonet e lidhura me të, unë, si të thuash, me tmerr, e madje kundër vullnetit tim, u detyrova të ndalem në një dyshim, — natyrisht, mizor, por — të drejtë, zonjushë! Do të shtoj edhe do ta përsërit se, pavarësisht nga gjithë siguria ime e dukshme, e kuptoj se, megjithatë, në akuzën time të tanishme ka për mua njëfarë rreziku. Por, siç e shihni, s’e lashë kështu; u ngrita dhe do t’ju them pse: vetëm, zonjushë, vetëm për shkak të mosmirënjohjes suaj më të zezë! Si? Unë ju ftoj në interes të së afërmes suaj fort të varfër, unë ju jap lëmoshën time sa mundem, dhjetë rubla, dhe ju, aty për aty, menjëherë më paguani për të gjitha këto me një veprim të tillë! Jo, zonjushë, kjo s’është mirë, zonjushë! Duhet një mësim, zonjushë. Gjykoni, pra; për më tepër, si miku juaj i vërtetë, ju lutem (sepse mik më të mirë s’mund të keni në këtë minutë), ejani në vete! Përndryshe, do të jem i pamëshirshëm! Hë, zonjushë, pra?

— Unë s’kam marrë asgjë nga ju, — pëshpëriti me tmerr Sonja, — ju më dhatë dhjetë rubla, ja, merrini. — Sonja nxori nga xhepi shaminë, gjeti nyjën, e zgjidhi, nxori kartëmonedhën dhjetërublëshe dhe ia zgjati dorën Luzhinit.

— Po për njëqind rublat e tjera kështu s’e pranoni? — tha ai me qortim e me ngulm, pa e pranuar kartëmonedhën.

Sonja hodhi sytë përreth. Të gjithë e vështronin me ca fytyra kaq të tmerrshme, të rrepta, tallëse, plot urrejtje. Ajo vështroi Raskolnikovin… ai qëndronte te muri, me duar të kryqëzuara, dhe e shikonte me një vështrim të zjarrtë.

— O Zot! — i shpëtoi Sonjës.

— Amalija Ivanovna, do të duhet të njoftojmë policinë, prandaj ju lutem me gjithë përulje, dërgoni tani për tani për portierin, — tha ngadalë e madje me përzemërsi Luzhini.

— Gott der Barmherzige!1 Unë e dita që ajo vidhte! — përplasi duart Amalija Ivanovna.

— Ju e dinit? — e kapi fjalën Luzhini, — pra, edhe më parë kishit të paktën disa baza për të arritur në këtë përfundim. Ju lutem, shumë e nderuar Amalija Ivanovna, t’i mbani mend fjalët tuaja, të shqiptuara, megjithatë, para dëshmitarëve.

Nga të gjitha anët u ngrit befas një zhurmë e madhe zërash. Të gjithë u trazuan.

— Si-i-i! — thirri befas Katerina Ivanovna, duke ardhur në vete, dhe — sikur të ishte këputur — u hodh drejt Luzhinit, — si! Ju e akuzoni për vjedhje? Sonjën? Ah, të poshtër, të poshtër! — Dhe duke u hedhur drejt Sonjës, e përqafoi, si në morsë, me duart e saj të thara.

— Sonja! Si guxove të merrje prej tij dhjetë rubla! O, budallaqe! Ma jep këtu! Ma jep tani këtë dhjetërublëshe — ja!

Dhe, duke ia rrëmbyer Sonjës kartëmonedhën, Katerina Ivanovna e shtrydhi në duar dhe ia hodhi me të prapë të dorës drejt e në fytyrë Luzhinit. Topthi i ra në sy dhe kërceu përdhe. Amalija Ivanovna u hodh të mblidhte paratë. Pjotr Petroviçi u zemërua.

— Mbajeni këtë të çmendur! — bërtiti ai.

Te dera, në këtë minutë, krahas Lebezjatnikovit u shfaqën edhe disa fytyra të tjera, midis të cilave dukeshin edhe të dyja zonjat e ardhura.

— Si! E çmendur? Unë qenkam e çmendur? Bu-dalla! — kërciti Katerina Ivanovna. — Ti vetë je budalla, dhelpër gjyqesh, njeri i ulët! Sonja, Sonja të marrë paratë e tij! Sonja qenka vjedhëse! Po ajo do të të japë edhe ty, budalla! — Dhe Katerina Ivanovna qeshi histerikisht. — E keni parë budallain? — hidhej ajo në të gjitha anët, duke ua treguar të gjithëve Luzhinin. — Si! Edhe ti? — e pa ajo të zonjën e shtëpisë, — edhe ti aty, suxhukshitëse, e vërteton që ajo „vidhte“, ti, kofshë pule prusiane me krinolinë e poshtër! Ah, ju! Ah, ju! Po ajo as nga dhoma s’ka dalë dhe, kur erdhi nga ti, i poshtër, u ul aty për aty pranë Rodion Romanoviçit!.. Kontrollojeni! Po që s’ka dalë gjëkundi, atëherë paratë duhet t’i ketë me vete! Kërko, pra, kërko, kërko! Vetëm, po s’i gjete, atëherë më fal, shpirt, do të japësh llogari! Te sovrani, te sovrani, te vetë cari do të vrapoj, te i mëshirshmi, do t’i bie në këmbë, që tani, që sot! unë jam jetime! Do të më lënë të hyj! Ti mendon se s’do të më lënë? Gënjen, do të arrij! Do të arrij-j! Ti llogarite te kjo, që ajo është e butë? Te kjo shpresove? Po unë, vëlla, jam e shkathët! Do të rrëzohesh! Kërko, pra! Kërko, kërko, hë, kërko!!

Dhe Katerina Ivanovna, në ekstazë, e shkundte Luzhinin, duke e tërhequr drejt Sonjës.

— Jam gati, zonjë, dhe jap llogari… por qetësohuni, zonjë, qetësohuni! E shoh shumë mirë që jeni e shkathët!.. Kjo… kjo… si do të bëhet kjo, zonjë? — mërmëriste Luzhini, — kjo duhet bërë në praninë e policisë, zonjë… megjithëse, megjithatë, edhe tani dëshmitarë ka tepër mjaft… Jam gati, zonjë… Por në çdo rast është e vështirë për një burrë… për shkak të gjinisë… Sikur me ndihmën e Amalija Ivanovnës… megjithëse, megjithatë, kështu s’bëhet puna… Si do të bëhet kjo, zonjë?

— Kë të doni? Le ta kontrollojë kush të dojë! — bërtiste Katerina Ivanovna, — Sonja, ktheju xhepat përmbys! Ja, ja! Shiko, përbindësh, ja bosh, këtu ishte shamia, xhepi bosh, e sheh! Ja xhepi tjetër, ja, ja! E sheh! E sheh!

Dhe Katerina Ivanovna jo vetëm që i ktheu përmbys, po i nxori me forcë jashtë të dy xhepat, njërin pas tjetrit. Por nga xhepi i dytë, i djathtë, kërceu befas një letër dhe, duke përshkruar në ajër një parabolë, ra te këmbët e Luzhinit. Këtë e panë të gjithë; shumë thirrën. Pjotr Petroviçi u përkul, e mori letrën me dy gishta nga dyshemeja, e ngriti që ta shihnin të gjithë dhe e shpalosi. Ishte një kartëmonedhë njëqindrublëshe, e palosur në tetë. Pjotr Petroviçi e rrotulloi dorën përreth, duke ua treguar të gjithëve kartëmonedhën.

— Vjedhëse! Jashtë nga banesë! Polis, polis! — ulëriti Amalija Ivanovna, — ato duhet Siberi dëbonte! Jashtë!

Nga të gjitha anët fluturuan thirrje. Raskolnikovi heshtte, pa ia ndarë sytë Sonjës, duke i kaluar herë pas here, por shpejt, te Luzhini. Sonja qëndronte në po atë vend, si pa ndjenja: pothuajse as që ishte habitur. Befas ngjyra ia mbuloi gjithë fytyrën; thirri dhe e mbuloi fytyrën me duar.

— Jo, s’jam unë! S’e kam marrë! S’e di! — bërtiti ajo me një ulërimë që të copëtonte zemrën, dhe u hodh drejt Katerina Ivanovnës. Kjo e kapi dhe e shtrëngoi fort pas vetes, sikur të donte ta mbronte me kraharor nga të gjithë.

— Sonja! Sonja! Unë s’e besoj! E sheh, unë s’e besoj! — bërtiste (pavarësisht nga gjithë prova e dukshme) Katerina Ivanovna, duke e tundur në duart e saj si fëmijë, duke e puthur pa numër, duke ia kapur duart e, duke iu ngjitur, duke ia puthur. — Ti të marrësh! Po ç’njerëz budallenj janë këta! O Zot! Budallenj jeni, budallenj, — bërtiste ajo, duke iu drejtuar të gjithëve, — po ju s’e dini ende, s’e dini ç’zemër është kjo, ç’vajzë është kjo! Ajo të marrë, ajo! Po ajo fustanin e fundit do ta heqë, do ta shesë, do të ecë zbathur, e do t’jua japë juve, po t’ju duhet, ja si është ajo! Ajo edhe biletën e verdhë e mori ngaqë fëmijët e mi po vdisnin nga uria, e shiti veten për ne!.. Ah, i ndjeri, i ndjeri! Ah, i ndjeri, i ndjeri! E sheh? E sheh? Ja ku e ke drekën e përkujtimit! O Zot! Po mbrojeni, pra, ç’rrini kështu të gjithë! Rodion Romanoviç! Po ju pse s’e mbroni? Edhe ju, apo, besoni? Ju s’vleni sa gishti i saj i vogël, të gjithë, të gjithë, të gjithë, të gjithë! O Zot! Po mbroje, pra, më në fund!

Vaji i Katerina Ivanovnës së gjorë, me tuberkuloz, jetime, bëri, me sa dukej, një efekt të fortë mbi publikun. Kishte aq shumë gjë të mjerueshme, aq shumë vuajtje në këtë fytyrë të shtrembëruar nga dhimbja, të tharë nga tuberkulozi, në këto buzë të thara, të mpiksura nga gjaku, në këtë zë që bërtiste ngjirur, në këtë vaj me dënesë, të ngjashëm me vajin e një fëmije, në këtë lutje plot besim, fëminore e njëkohësisht të dëshpëruar për ta mbrojtur, sa që, me sa dukej, të gjithëve u erdhi keq për fatkeqen. Të paktën, Pjotr Petroviçit menjëherë i erdhi keq.

— Zonjë! Zonjë! — thërriste ai me zë mbresëlënës, — ky fakt s’ju prek juve! Askush s’do të guxojë t’ju akuzojë për qëllim apo për marrëveshje, aq më tepër që ju vetë e zbuluat, duke e kthyer xhepin përmbys: pra, s’supozonit asgjë. Jam gati shumë e shumë të ndiej keqardhje, nëse, si të thuash, varfëria e shtyu edhe Sofja Semjonovnën, po pse, mademoiselle, s’donit ta pranonit? Patët frikë nga turpi? Hapi i parë? U hutuat, ndoshta? Puna është e kuptueshme, zonjushë; shumë e kuptueshme, zonjushë… Por, megjithatë, pse duhej të futeshit në cilësi të tilla! Zotërinj! — iu drejtua ai të gjithë të pranishmëve, — zotërinj! Duke ndier keqardhje e, si të thuash, duke ngushëlluar, unë, ndoshta, jam gati ta fal, madje edhe tani, pavarësisht nga fyerjet personale të marra. Le t’ju shërbejë, pra, mademoiselle, turpi i tanishëm si mësim për të ardhmen, — iu drejtua ai Sonjës, — kurse unë puna e mëtejshme do ta lë pa e çuar më tej dhe, ashtu qoftë, po e ndërpres. Mjaft!

Pjotr Petroviçi e vështroi vëngër Raskolnikovin. Vështrimet e tyre u takuan. Vështrimi i zjarrtë i Raskolnikovit ishte gati ta bënte hi. Ndërkaq Katerina Ivanovna, me sa dukej, s’dëgjonte më asgjë: e përqafonte e e puthte Sonjën si e çmendur. Edhe fëmijët e kishin rrethuar nga të gjitha anët Sonjën me duart e tyre të vogla, kurse Poleçka, — që s’e kuptonte krejt, megjithatë, se ç’ishte puna, — dukej se ishte mbytur e tëra në lot, duke u këputur nga dënesat e duke e fshehur fytyrëzën e saj të bukur, të fryrë nga të qarët, në supin e Sonjës.

— Sa e ulët kjo! — u dëgjua befas një zë i fortë te dera.

Pjotr Petroviçi u kthye shpejt.

— Ç’poshtërsi! — përsëriti Lebezjatnikovi, duke e vështruar me ngulm në sy.

Pjotr Petroviçi madje sikur u drodh. Këtë e vunë re të gjithë. (Më vonë e kujtonin këtë.) Lebezjatnikovi hyri në dhomë.

— Dhe ju guxuat të më vinit mua dëshmitar? — tha ai, duke iu afruar Pjotr Petroviçit.

— Ç’do të thotë kjo, Andrej Semjonoviç? Për çfarë po flisni? — mërmëriti Luzhini.

— Do të thotë që ju jeni… shpifës, ja ç’duan të thonë fjalët e mia! — tha me zjarr Lebezjatnikovi, duke e vështruar rreptë me sytë e tij të vegjël, që shihnin keq. Ishte tmerrësisht i zemëruar. Raskolnikovi i nguli sytë mbi të, sikur duke e kapur e duke e peshuar çdo fjalë. Përsëri ra heshtja. Pjotr Petroviçi madje e humbi pothuajse, sidomos në çastin e parë.

— Nëse këtë ma thoni mua… — filloi ai, duke belbëzuar, — po ç’keni? A jeni në vete?

— Unë jam në vete, zotëri, kurse ju jeni… mashtrues! Ah, sa e ulët kjo! E dëgjova gjithçka, prita me qëllim gjithçka, që të kuptoja gjithçka, sepse, e pranoj, madje edhe deri tani kjo s’është krejt logjike… Por përse e bëtë të gjithë këtë — s’e kuptoj.

— Po ç’kam bërë unë! A do të pushoni së foluri me ato gjëegjëzat tuaja të marra! Apo, ndoshta, keni pirë?

— Ju, njeri i ulët, ndoshta pini, e jo unë! Unë vodkë s’pi fare kurrë, sepse kjo s’është në bindjet e mia! Përfytyroni, ai, ai vetë, me duart e tij ia dha këtë kartëmonedhë njëqindrublëshe Sofja Semjonovnës, — e pashë, jam dëshmitar, do të betohem! Ai, ai! — përsëriste Lebezjatnikovi, duke iu drejtuar të gjithëve e secilit.

— Po ju a ju ka lënë mendja apo jo, qumështor? — kërciti Luzhini, — ajo është këtu vetë para jush, e pranishme, — ajo vetë këtu, tani, para të gjithëve vërtetoi se, përveç dhjetë rublave, s’mori asgjë nga unë. Si mund t’ia jepja, pas kësaj?

— E pashë, e pashë! — bërtiste e vërtetonte Lebezjatnikovi, — dhe ndonëse kjo është kundër bindjeve të mia, jam gati që në këtë orë të bëj në gjyq çfarëdo betimi, sepse pashë si ia futët fshehtas! Vetëm se unë, budallai, mendova që ia futët nga bamirësia! Te dera, kur po përshëndeteshit me të, kur ajo u kthye e kur ju i shtrëngonit dorën me njërën dorë, me tjetrën, të majtën, ia vutë fshehtas letrën në xhep. E pashë! E pashë!

Luzhini u zbeh.

— Ç’po gënjeni! — thirri ai me paturpësi, — po si mund ta dallonit letrën, duke qëndruar te dritarja? Ju është bërë… me ata sy që shohin keq. Po flisni përçart!

— Jo, s’më është bërë! Dhe ndonëse qëndroja larg, i pashë të gjitha, të gjitha, dhe ndonëse nga dritarja është vërtet e vështirë të dallosh letrën, — këtë e thoni të vërtetë, — por unë, për një rast të veçantë, e dija me siguri që ishte pikërisht kartëmonedha njëqindrublëshe, sepse, kur filluat t’i jepnit Sofja Semjonovnës dhjetërublëshen, — e pashë vetë, — ju po atëherë morët nga tryeza kartëmonedhën njëqindrublëshe (këtë e pashë, sepse atëherë qëndroja afër, dhe meqë më lindi menjëherë një mendim, prandaj s’e harrova që e kishit kartëmonedhën në dorë). Ju e palosët dhe e mbajtët, të shtrënguar në dorë, gjithë kohën. Pastaj e harrova përsëri, por kur filluat të ngriheshit, e kaluat nga e djathta në të majtën dhe gati ju ra; atëherë m’u kujtua përsëri, sepse më erdhi përsëri po ai mendim, pikërisht që ju doni, fshehtas nga unë, t’i bëni asaj një bamirësi. Mund ta përfytyroni si fillova t’ju ndiqja, — e pashë si arritët t’ia futnit në xhep. E pashë, e pashë, do të betohem!

Lebezjatnikovit gati i zihej fryma. Nga të gjitha anët filluan të dëgjoheshin thirrje të ndryshme, që shprehnin më shumë habi; por u dëgjuan edhe thirrje që merrnin ton kërcënues. Të gjithë u shtynë drejt Pjotr Petroviçit. Katerina Ivanovna u hodh drejt Lebezjatnikovit.

— Andrej Semjonoviç! Unë u gabova për ju! Mbrojeni! Vetëm ju jeni për të! Ajo është jetime, ju dërgoi Zoti! Andrej Semjonoviç, shpirt, i dashur!

Dhe Katerina Ivanovna, pothuajse pa ditur ç’bënte, u hodh para tij në gjunjë.

— Marrëzi! — ulëriti Luzhini, i tërbuar deri në furi, — marrëzi po bluani, zotëri. „E harrova, m’u kujtua, e harrova“ — ç’është kjo! Pra unë ia vura me qëllim? Pse? Me ç’qëllim? Ç’kam unë të përbashkët me këtë…

— Pse? Ja këtë as unë vetë s’e kuptoj, po që po tregoj një fakt të vërtetë, kjo është e sigurt! Unë s’gabohem aq, o njeri i ndyrë e kriminel, sa pikërisht më kujtohet si për këtë shkak më lindi menjëherë atëherë një pyetje, pikërisht në kohën kur ju falënderoja e ju shtrëngoja dorën. Pse pikërisht ia vutë fshehtas në xhep? Domethënë, pse pikërisht fshehtas? Mos vallë vetëm sepse donit ta fshihnit nga unë, duke ditur që unë kam bindje të kundërta e mohoj bamirësinë private, që s’shëron asgjë rrënjësisht? Hë, dhe vendosa që ju vërtet ju vjen turp para meje të jepni shuma të tilla, dhe, përveç kësaj, ndoshta, mendova unë, ai do t’i bëjë një surprizë, ta habisë, kur të gjejë në xhep njëqind rubla të tëra. (Sepse disa bamirës u pëlqen shumë t’i shtrijnë kështu bamirësitë e tyre; e di unë.) Pastaj mendova gjithashtu se ju doni ta provoni, domethënë a do të vijë, kur t’i gjejë, të falënderojë? Pastaj, se doni t’i shmangeni mirënjohjes dhe që, hë, si thuhet atje: që dora e djathtë, apo, të mos dijë…2 me një fjalë diçka e tillë… Hë, po sa mendime më erdhën atëherë në kokë, kështu që vendosa t’i mendoja të gjitha më vonë, po megjithatë e quajta jo delikate t’ju tregoja se e dija të fshehtën. Por, megjithatë, më erdhi menjëherë në kokë prapë një pyetje tjetër: që Sofja Semjonovna, para se ta vërejë, ndoshta, ku i dihet, do t’i humbasë paratë; ja pse vendosa të vija këtu, ta thërrisja e ta njoftoja se i kishin vënë në xhep njëqind rubla. Po kalimthi kalova më parë në nomerin e zonjave Kobyljatnikov, që t’u çoja „Përfundimin e përgjithshëm të metodës pozitive“ dhe t’u rekomandoja veçanërisht artikullin e Pideritit (e megjithatë edhe të Vagnerit);3 pastaj vij këtu, e këtu ja ç’histori! Hë, a mund, a mund të kisha të gjitha këto mendime e arsyetime, sikur të mos kisha parë vërtet që ju ia futët në xhep njëqind rubla?

Kur Andrej Semjonoviçi mbaroi arsyetimet e tij me shumë fjalë, me një përfundim të tillë logjik në fund të fjalimit, u lodh tmerrësisht, e madje djersa i rridhte nga fytyra. Mjerisht, ai s’dinte të shprehej si duhet as rusisht (duke mos ditur, megjithatë, asnjë gjuhë tjetër), kështu që u shterua i tëri, disi përnjëherësh, madje sikur u dobësua pas bëmës së tij si avokat. Megjithatë, fjalimi i tij bëri një efekt të jashtëzakonshëm. Fliste me një zjarr të tillë, me një bindje të tillë, sa që, dukshëm, të gjithë i besuan. Pjotr Petroviçi ndjeu që puna ishte keq.

— Ç’punë kam unë që juve ju erdhën në kokë atje ca pyetje budallaqe, — thirri ai. — Kjo s’është provë, zotëri! Ju mund t’i keni parë të gjitha këto në gjumë, ja kaq, zotëri! Kurse unë po ju them se ju gënjeni, zotëri! Gënjeni e shpifni nga ndonjë e keqe ndaj meje, e pikërisht nga inati që s’pranova propozimet tuaja shoqërore mendjelira e pa Zot, ja ç’është, zotëri!

Por kjo dredhë s’i solli dobi Pjotr Petroviçit. Përkundrazi, nga të gjitha anët u dëgjua një murmuritje.

— A, ja ku ia dole! — bërtiti Lebezjatnikovi. — Gënjen! Thirr policinë, kurse unë do të betohem! Vetëm një gjë s’mund të kuptoj: pse rrezikoi një veprim kaq të ulët! O njeri i mjerë, i poshtër!

— Unë mund ta shpjegoj pse rrezikoi një veprim të tillë dhe, po të duhet, do të betohem vetë! — tha më në fund me zë të vendosur Raskolnikovi dhe doli përpara.

Dukej i vendosur e i qetë. Të gjithëve disi u qe bërë e qartë, vetëm duke e parë, se ai e dinte vërtet se ç’ishte puna dhe se kishte arritur zgjidhja.

— Tani e kam sqaruar krejt gjithçka për veten, — vazhdoi Raskolnikovi, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Lebezjatnikovit. — Qysh nga fillimi i historisë fillova të dyshoja se këtu kishte ndonjë kurth të ndyrë; fillova të dyshoja për shkak të disa rrethanave të veçanta, të njohura vetëm për mua, që do t’ua shpjegoj tani të gjithëve: në to qëndron gjithë puna! Kurse ju, Andrej Semjonoviç, me dëshminë tuaj të çmuar m’i sqaruat përfundimisht të gjitha. Ju lutem të gjithëve, të gjithëve të dëgjoni: ky zotëri (ai tregoi Luzhinin) i kishte kërkuar së fundi dorën një vajze, e pikërisht motrës sime, Avdotja Romanovna Raskolnikovës. Por, kur erdhi në Petersburg, pardje, në takimin tonë të parë, u grind me mua dhe unë e nxora jashtë nga dhoma ime, për çka ka dy dëshmitarë. Ky njeri është shumë i lig… Pardje unë ende s’e dija se ai banonte këtu në nomera, te ju, Andrej Semjonoviç, dhe se, pra, po atë ditë kur u grindëm, domethënë pardje, ai ishte dëshmitar kur unë i dhashë, si mik i të ndjerit zoti Marmeladov, bashkëshortes së tij Katerina Ivanovnës ca para për varrimin. Ai i shkroi menjëherë nënës sime një letër dhe e njoftoi se unë i paskam dhënë të gjitha paratë jo Katerina Ivanovnës, po Sofja Semjonovnës, dhe në të njëjtën kohë përmendi me shprehjet më të ulëta… karakterin e Sofja Semjonovnës, domethënë bëri aluzion për karakterin e marrëdhënieve të mia me Sofja Semjonovnën. Të gjitha këto, siç e kuptoni, me qëllim që të më grindte me nënën e motrën, duke u mbushur mendjen se unë po i prish, me qëllime jo fisnike, paratë e tyre të fundit, me të cilat ato më ndihmojnë. Mbrëmë, para nënës e motrës, dhe në praninë e tij, unë e rivendosa të vërtetën, duke provuar se ia kisha dhënë paratë Katerina Ivanovnës për varrimin, e jo Sofja Semjonovnës, dhe se me Sofja Semjonovnën pardje s’isha as njohur ende e madje as s’e kisha parë ende në fytyrë. Në të njëjtën kohë shtova se ai, Pjotr Petroviç Luzhini, me gjithë cilësitë e tij, s’vlen sa gishti i vogël i Sofja Semjonovnës, për të cilën flet kaq keq. Kurse në pyetjen e tij: a do ta ulja Sofja Semjonovnën pranë motrës sime? — u përgjigja se e kisha bërë tashmë këtë, po atë ditë. I inatosur ngaqë nëna e motra s’donin, sipas shpifjeve të tij, të grindeshin me mua, ai, fjalë pas fjale, filloi t’u thoshte paturpësi të pafalshme. Ndodhi prishja përfundimtare, dhe e nxorën nga shtëpia. Të gjitha këto ndodhën mbrëmë. Tani ju lutem vëmendje të veçantë: përfytyroni sikur t’i dilte tani për dore të provonte se Sofja Semjonovna është vjedhëse, atëherë, së pari, do t’u provonte motrës e nënës sime se kishte qenë pothuajse i drejtë në dyshimet e tij; se ishte zemëruar me të drejtë që unë vura në një rrafsh motrën time dhe Sofja Semjonovnën; se, duke më sulmuar mua, ai pra mbronte e ruante nderin e motrës sime, të fejuarës së tij. Me një fjalë, me gjithë këtë ai madje mund të më grindte përsëri me të afërmit e, natyrisht, shpresonte të hynte përsëri në hirin e tyre. S’po flas për faktin që ai po hakmerrej ndaj meje personalisht, sepse ka arsye të supozojë se nderi e lumturia e Sofja Semjonovnës janë shumë të shtrenjta për mua. Ja gjithë llogaria e tij! Ja si e kuptoj unë këtë punë! Ja gjithë shkaku, dhe tjetër s’mund të jetë!

Kështu ose gati kështu e mbaroi Raskolnikovi fjalimin e tij, të ndërprerë shpesh nga thirrjet e publikut, që dëgjonte, megjithatë, me shumë vëmendje. Por, pavarësisht nga të gjitha ndërprerjet, ai foli prerë, qetë, saktë, qartë, me vendosmëri. Zëri i tij i prerë, toni i tij i bindur dhe fytyra e rreptë bënë mbi të gjithë një efekt të jashtëzakonshëm.

— Po, po, kështu është! — e vërtetonte me ngazëllim Lebezjatnikovi. — Kështu duhet të jetë, sepse ai pikërisht më pyeti, sapo hyri në dhomën tonë Sofja Semjonovna, „a jeni ju këtu? A s’ju kisha parë midis mysafirëve të Katerina Ivanovnës?“ Më thirri për këtë te dritarja dhe atje më pyeti me zë të ulët. Pra, atij i duhej patjetër që ju të ishit këtu! Kështu është, të gjitha kështu janë!

Luzhini heshtte dhe buzëqeshte me përbuzje. Megjithatë, ishte shumë i zbehtë. Dukej se po mendonte si t’ia dilte. Ndoshta do t’i linte me kënaqësi të gjitha e do të ikte, por në çastin e tanishëm kjo ishte pothuajse e pamundur; kjo do të thoshte ta pranonte drejtpërdrejt drejtësinë e akuzave të ngritura kundër tij dhe se e kishte shpifur vërtet Sofja Semjonovnën. Përveç kësaj, edhe publiku, edhe pa këtë i pirë, trazohej tepër. Furnizuesi, megjithëse, megjithatë, s’i kuptonte të gjitha, bërtiste më shumë se të gjithë dhe propozonte disa masa shumë të pakëndshme për Luzhinin. Por kishte edhe të pa pirë; ishin mbledhur e ishin grumbulluar nga të gjitha dhomat. Të tre polakët e vegjël ndizeshin tmerrësisht dhe i bërtisnin pa pushim: „panie łajdak!“,4 duke mërmëritur edhe ca kërcënime polonisht. Sonja dëgjonte e tendosur, po sikur edhe ajo s’i kuptonte të gjitha, sikur të zgjohej nga të fikët. Vetëm s’i ndante sytë nga Raskolnikovi, duke ndier se tek ai qëndronte gjithë mbrojtja e saj. Katerina Ivanovna merrte frymë me vështirësi e ngjirur dhe dukej në një rraskapitje të tmerrshme. Më budallaqe se të gjithë qëndronte Amalija Ivanovna, me gojë hapur e pa kuptuar asgjë fare. Ajo shihte vetëm që Pjotr Petroviçi ishte zënë disi. Raskolnikovi kërkoi të fliste përsëri, por s’e lanë më ta mbaronte: të gjithë bërtisnin e shtyheshin rreth Luzhinit me sharje e kërcënime. Por Pjotr Petroviçi s’u frikësua. Duke parë se çështja e akuzës kundër Sonjës ishte humbur krejt, iu drejtua hapur paturpësisë.

— Më lejoni, zotërinj, më lejoni; mos u shtyni, më lini të kaloj! — thoshte ai, duke çarë rrugën nëpër turmë, — dhe bëmëni nder, mos kërcënoni; ju siguroj se s’do të ndodhë asgjë, s’do të bëni asgjë, s’jam nga të frikshmit, zotërinj, e përkundrazi, ju, zotërinj, do të jepni llogari që me dhunë mbuluat një çështje penale. Vjedhësja është më se e zbuluar, dhe unë do ta ndjek ligjërisht, zotërinj. Në gjyq s’janë aq të verbër e… as të dehur, zotërinj, dhe s’do t’u besojnë dy të pafeve të njohur, trazovës e mendjelirë, që më akuzojnë, nga hakmarrja personale, për çka vetë ata, nga budallallëku i tyre, e pranojnë… Po, zotërinj, më lejoni, zotërinj!

— Që menjëherë të mos ju mbetet më as fryma në dhomën time; urdhëroni largohuni, dhe gjithçka mbaroi midis nesh! E kur mendoj që unë dilja nga lëkura, i shpjegoja… dy javë të tëra!..

— Po unë ju thashë vetë pak më parë, Andrej Semjonoviç, që po largohem, kur ju ende më mbanit; kurse tani do të shtoj vetëm se jeni budalla, zotëri. Ju uroj ta shëroni mendjen e sytë tuaj që shohin keq. Më lejoni, pra, zotërinj!

Ai çau rrugën; por furnizuesit s’i vinte ta lëshonte kaq lehtë, vetëm me sharje: rrëmbeu nga tryeza një gotë, e hodhi me forcë dhe e qëlloi drejt Pjotr Petroviçit; por gota fluturoi drejt e në Amalija Ivanovnën. Ajo kërciti, kurse furnizuesi, duke humbur ekuilibrin nga hovi, u rrëzua rëndë nën tryezë. Pjotr Petroviçi shkoi në dhomën e tij, dhe pas gjysmë ore s’ishte më në shtëpi. Sonja, e druajtur nga natyra, e dinte edhe më parë se atë ishte më lehtë ta shkatërroje se këdo tjetër, kurse ta fyente mund ta bënte kushdo gati pa u ndëshkuar. Por megjithatë, deri në këtë minutë, i dukej se mund t’i shmangej disi fatkeqësisë — me kujdes, me butësi, me përulje para të gjithëve e secilit. Zhgënjimi i saj ishte tepër i rëndë. Ajo, natyrisht, me durim e gati pa u ankuar mund t’i duronte të gjitha — edhe këtë. Por në minutën e parë iu bë tepër rëndë. Pavarësisht nga triumfi i saj e nga shfajësimi i saj, — kur i kaloi frika e parë e shtangia e parë, kur e kuptoi e i mori me mend të gjitha qartë, — ndjenja e pafuqisë e e fyerjes ia shtrëngoi zemrën me mundim. Asaj i filloi një krizë histerike. Më në fund, duke mos duruar dot, doli me vrap nga dhoma dhe vrapoi në shtëpi. Kjo ndodhi pothuajse menjëherë pas largimit të Luzhinit. Amalija Ivanovna, kur, mes të qeshurave të forta të të pranishmëve, e qëlloi gota, s’e duroi dot as ajo që të pësonte nga gostia e huaj. Duke kërcitur, si e tërbuar, u hodh drejt Katerina Ivanovnës, duke e quajtur atë fajtore për gjithçka:

— Jashtë nga banesë! Tani! Marsh! — Dhe me këto fjalë filloi të rrëmbente gjithçka që i binte në dorë nga sendet e Katerina Ivanovnës dhe t’i hidhte përdhe. Pothuajse edhe pa këtë e vrarë, gati pa ndjenja, duke iu marrë fryma, e zbehtë, Katerina Ivanovna u hodh nga shtrati (mbi të cilin kishte rënë e rraskapitur) dhe u sul mbi Amalija Ivanovnën. Por lufta ishte tepër e pabarabartë; ajo e shtyu si një pupël.

— Si! Jo vetëm që e shpifën pa Zot, — kjo krijesë edhe mbi mua! Si! Në ditën e varrimit të burrit më nxjerrin nga banesa, pas bukës e kripës sime, në rrugë, me jetimët! Po ku të shkoj! — ulëriste duke qarë me dënesë e duke iu marrë fryma gruaja e gjorë. — O Zot! — bërtiti ajo befas, me sy që i shkreptinin, — vallë s’ka drejtësi! Kë do të mbrosh ti, po jo ne, jetimët? Po ja, do ta shohim! Ka në botë gjyq e drejtësi, ka, do ta gjej! Tani, prit, krijesë pa Zot! Poleçka, rri me fëmijët, do të kthehem. Më prisni, qoftë edhe në rrugë! Do ta shohim, a ka në botë drejtësi?

Dhe, duke hedhur mbi kokë po atë shall të gjelbër prej drapdedami,5 për të cilin kishte folur në tregimin e tij i ndjeri Marmeladov, Katerina Ivanovna çau përmes turmës së çrregullt e të dehur të qiramarrësve, që ende ishin grumbulluar në dhomë, dhe me ulërimë e me lot doli me vrap në rrugë — me një qëllim të papërcaktuar, që diku tani, menjëherë e me çdo kusht të gjente drejtësi. Poleçka u strukur e tmerruar me fëmijët në qoshe mbi sënduk, ku, duke i përqafuar të dy të voglit, duke u dridhur e tëra, filloi të priste ardhjen e nënës. Amalija Ivanovna vërtitej nëpër dhomë, kërciste, vajtonte, hidhte përdhe gjithçka që i binte në dorë dhe bënte rrëmujë. Qiramarrësit bërtisnin kush andej e kush këndej — disa tregonin, si dinin, për ngjarjen që kishte ndodhur; të tjerët grindeshin e shaheshin; disa ia nisën këngëve…

„E tani është koha edhe për mua! — mendoi Raskolnikovi. — Hë pra, Sofja Semjonovna, të shohim ç’do të thoni tani!“

Dhe u nis për te banesa e Sonjës.

Shënime

  1. Gott der Barmherzige! (gjerm.): O Zot i mëshirshëm! ↩︎

  2. Aludim për fjalët e Krishtit: „Kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta“ (Mateu 6:3). ↩︎

  3. Titull i një përmbledhjeje me shkrime të shkollës pozitiviste (filozofia e Ogyst Kontit), të lexuara gjerësisht nga radikalët e kohës. Pideriti dhe Vagneri: autorë gjermanë shkencash natyrore, shkrimet e të cilëve përktheheshin atëherë në Rusi. ↩︎

  4. Panie łajdak! (pol.): Zotëri maskara! ↩︎

  5. Drapdedam (fr. drap de dames): stof i hollë leshi, i lirë. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat