← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e dytë — IV · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 11 nga 41

Zosimovi ishte një njeri i gjatë e i dhjamosur, me fytyrë të fryrë, të zbehtë e pa ngjyrë, të rruar lëmuar, me flokë të drejtë e të verdhë si kashta, me syze dhe me një unazë të madhe ari në një gisht të fryrë nga dhjami. Ishte nja njëzet e shtatë vjeç. Ishte veshur me një pallto të gjerë, të lehtë e me shije, me pantallona verore ngjyrë të çelët, dhe në përgjithësi gjithçka mbi të ishte e gjerë, e hijshme dhe krejt e re; të brendshmet të patëmetë, zinxhiri i orës masiv. Sjellja e tij ishte e ngadaltë, si e plogësht, dhe njëkohësisht e shkujdesur në mënyrë të studiuar; mendjemadhësia, ndonëse e fshehur me kujdes, i dukej çdo minutë. Të gjithë ata që e njihnin e gjenin njeri të rëndë, por thoshin se e dinte punën e tij.

— Unë, vëlla, erdha dy herë te ti… E sheh, erdhi në vete! — bërtiti Razumihini.

— E shoh, e shoh; hë, si ndihemi tani, a? — iu drejtua Zosimovi Raskolnikovit, duke e vështruar me ngulm dhe duke u ulur pranë tij në divan, te këmbët, ku menjëherë u shtri sa mundi.

— Po gjithë kohën është i mërzitur, — vazhdoi Razumihini, — sapo ia ndërruam të brendshmet, dhe gati qau.

— Është e kuptueshme; të brendshmet mund të prisnin, kur s’do vetë… Pulsi i shkëlqyer. Koka të dhemb ende pak, a?

— Jam mirë, jam krejtësisht mirë! — tha me ngulm e me nervozizëm Raskolnikovi, duke u ngritur befas pak në divan e duke shkrepur sytë, por menjëherë ra përsëri në jastëk dhe u kthye nga muri. Zosimovi e vëzhgonte me ngulm.

— Shumë mirë… gjithçka si duhet, — tha ai plogësht. — Ka ngrënë ndonjë gjë?

I treguan dhe e pyetën se ç’mund t’i jepnin.

— Po mund t’i jepni gjithçka… Supë, çaj… Kërpudha e kastraveca, natyrisht, mos i jepni, po as mish lope s’duhet, dhe… hë, po ç’të llomotitim këtu!.. — U pa me Razumihinin. — Ilaçin tutje, dhe të gjitha tutje; kurse nesër do ta shoh… Edhe sot do të mundej… hë, po…

— Nesër mbrëma do ta nxjerr shëtitje! — vendosi Razumihini, — në Kopshtin e Jusupovit, e pastaj do të hyjmë në „Palais de Cristal“.1

— Nesër unë as që do ta lëvizja, po, në fund të fundit… pak… hë, do të shohim.

— Eh, ç’mërzi, sot pikërisht festoj shtëpinë e re, dy hapa larg; ja, sikur të vinte edhe ai. Të paktën të rrinte shtrirë në divan midis nesh! Ti do të vish? — iu drejtua befas Razumihini Zosimovit, — shiko mos harro, e premtove.

— Ndoshta, pak më vonë. Ç’ke përgatitur atje?

— Po asgjë, çaj, vodkë, harengë. Do të shërbejnë një byrek: do të mblidhen tanët.

— Kush pikërisht?

— Po të gjithë nga këtu dhe gati të gjithë të rinj, vërtet, — përveç ndoshta xhaxhait plak, po edhe ai i ri: sapo erdhi dje në Petersburg, për ca punë të vogla; shihemi një herë në pesë vjet.

— Kush është?

— Po ka vegjetuar gjithë jetën si shef poste në një rreth… merr një pension të vogël, gjashtëdhjetë e pesë vjeç, s’ia vlen të flasësh… Unë, megjithatë, e dua. Do të vijë Porfiri Petroviçi: hetuesi i çështjeve penale këtu… jurist pravoved.2 Po, ti e njeh…

— Edhe ai qenka ndonjë i afërm yti?

— Nga më të largëtit; po ti pse vrenjtesh? Ngaqë u zutë një herë, ndoshta s’do të vish?

— Pështyj mbi të…

— Aq më mirë. Hë, kurse atje — studentë, një mësues, një nëpunës, një muzikant, një oficer, Zametovi…

— Më thuaj, të lutem, ç’mund të kesh të përbashkët ti, ose ja ky, — Zosimovi bëri me kokë nga Raskolnikovi, — me ndonjë Zametov?

— Oh, këta mërzitakët! Parimet!.. dhe ti i tëri qëndron mbi parime si mbi susta; nuk guxon të lëvizë sipas vullnetit të vet; kurse sipas meje, njeriu i mirë — ja parimi, dhe s’dua të di asgjë tjetër. Zametovi është njeri i mrekullueshëm.

— Edhe e mbush xhepin.

— Hë, edhe e mbush xhepin, e ç’ka! E ç’ka që e mbush! — bërtiti befas Razumihini, duke u nervozuar disi në mënyrë të panatyrshme, — mos ta lavdërova unë atë që e mbush xhepin? Thashë se është i mirë vetëm në llojin e vet! E po t’i shikosh drejt, në të gjitha llojet, — sa njerëz të mirë do të mbeten? Jam i sigurt se për mua, bashkë me të gjitha të brendshmet, do të japin vetëm një qepë të pjekur, dhe kjo po të të japin edhe ty si shtesë!..

— Kjo është pak; unë për ty do të jap dy…

— Kurse unë për ty vetëm një! Bëj edhe shaka! Zametovi është ende çunak, ende do t’ia shkul flokët, sepse duhet tërhequr, e jo shtyrë. Duke e shtyrë njeriun s’e ndreq, aq më pak një çunak. Me një çunak duhet dyfish kujdes. Eh, o ju budallenj përparimtarë, s’kuptoni asgjë! Njeriun s’e respektoni, veten e fyeni… E po do ta dish, ndoshta kemi edhe një punë të përbashkët.

— Do të doja ta dija.

— Po gjithë për çështjen e bojaxhiut, domethënë të lyerësit… Do ta nxjerrim ne! Po, në fund të fundit, tani s’ka asnjë të keqe. Puna tani është krejt, krejt e qartë! Do t’i hedhim vetëm pak avull.

— Ç’bojaxhi është ky?

— Si, mos s’ta kam treguar? Apo jo? Po, ta tregova vetëm fillimin… ja, për vrasjen e plakës fajdexhore, gruas së nëpunësit… hë, këtu u përzie tani edhe bojaxhiu…

— Po për këtë vrasje kam dëgjuar edhe para teje, madje interesohem për këtë çështje… pjesërisht… për një arsye… dhe lexova në gazeta! Po ja…

— Edhe Lizavetën e vranë! — ia plasi befas Nastasja, duke iu drejtuar Raskolnikovit. Ajo kishte ndenjur gjatë gjithë kohës në dhomë, e ngjeshur pranë derës, dhe dëgjonte.

— Lizavetën? — mërmëriti Raskolnikovi me një zë mezi të dëgjueshëm.

— Po Lizavetën, tregtaren, mos s’e njeh? Ajo vinte këtu poshtë. Edhe ta arnoi një këmishë.

Raskolnikovi u kthye nga muri, ku në letrën e ndotur të verdhë me lule të vogla të bardha zgjodhi një lule të bardhë të ngathët, me ca vija të vogla kafe, dhe filloi ta shqyrtonte: sa gjethe kishte, ç’dhëmbëza kishin gjethet dhe sa vija? Ndiente se i ishin mpirë duart e këmbët, sikur t’i ishin paralizuar, por as që provoi të lëvizte dhe vështronte me ngulm lulen.

— Hë, po bojaxhiu? — e ndërpreu me një pakënaqësi të veçantë Zosimovi llomotitjen e Nastasjës. Ajo psherëtiu dhe heshti.

— Edhe atë e regjistruan si vrasës! — vazhdoi me zjarr Razumihini.

— Ka ndonjë provë, apo jo?

— Ç’dreq prove! Po, në fund të fundit, pikërisht nga një provë, po kjo provë s’është provë, ja ç’duhet vërtetuar! Krejt njëlloj si në fillim, kur i morën e i dyshuan ata, si quheshin… Kohun e Pestrjakovin. Pfu! Sa budallaqe bëhen të gjitha këto, sa të vjen neveri edhe nga larg! Pestrjakovi, ndoshta, do të vijë sot te unë… Meqë ra fjala, Rodja, ti e di këtë punë, ndodhi para sëmundjes, mu një ditë para se të bije të fikët në zyrë, kur po tregonin atje për këtë…

Zosimovi e vështroi me kureshtje Raskolnikovin; ky nuk lëvizte.

— Po e di ç’është, Razumihin? Po të shikoj: sa i ngutshëm qenke, megjithatë, — vërejti Zosimovi.

— Le të jem, po prapëseprapë do ta nxjerrim! — bërtiti Razumihini, duke i rënë tryezës me grusht. — Se këtu ç’është më fyese? Jo që gënjejnë; gënjeshtrën mund ta falësh gjithmonë; gënjeshtra është gjë e dashur, sepse të çon te e vërteta. Jo, ajo që të nxeh është se gënjejnë dhe i falen edhe gënjeshtrës së tyre. Unë Porfirin e respektoj, por… Se ç’i hutoi ata, për shembull, para së gjithash? Dera ishte e mbyllur, e kur erdhën me portierin — e hapur: hë, pra, Kohu e Pestrjakovi e vranë! Ja logjika e tyre.

— Po mos u nxeh; thjesht i ndaluan; s’mund të… Meqë ra fjala: unë e kam takuar këtë Kohun; ai, siç doli, i blinte plakës sendet e paskaduara? a?

— Po, ndonjë mashtrues! Ai blen edhe kambiale. Spekullant. Po në djall le të shkojë! Unë për çfarë zemërohem, e kupton këtë? Zemërohem për rutinën e tyre të kalbur, banale, të ngurtësuar… Kurse këtu, vetëm në këtë punë, mund të hapet një rrugë e tërë e re. Vetëm me të dhëna psikologjike mund të tregosh se si duhet rënë në gjurmën e vërtetë. „Ne kemi, gjoja, faktet!“ Po faktet s’janë gjithçka; të paktën gjysma e punës qëndron te si di t’i trajtosh faktet!

— Po ti di t’i trajtosh faktet?

— Po s’mund të heshtësh, kur ndien, kur e ndien me të prekur se ja, mund ta ndihmoje punën, sikur… Eh!.. Ti e di punën me hollësi?

— Po pres për bojaxhiun.

— Po, vërtet! Hë, dëgjo historinë: mu ditën e tretë pas vrasjes, në mëngjes, kur ata ende merreshin me Kohun e Pestrjakovin, — megjithëse ata e kishin provuar çdo hap të tyre: e vërteta bërtet! — shfaqet befas një fakt nga më të papriturit. Njëfarë fshatari Dushkin, pronar i një pijetoreje mu përballë asaj ndërtese, vjen në zyrë dhe sjell një kuti argjendari me vathë ari dhe tregon një përrallë të tërë: „Më erdhi me vrap, gjoja, pardje nga mbrëmja, aty nga fillimi i orës nëntë, — dita dhe ora! e kupton? — punëtori bojaxhi, që edhe më parë kishte ardhur te unë atë ditë, Mikolaji, dhe më solli këtë kutinë me vathë ari e me gurë, dhe më kërkoi për to dy rubla peng, kurse kur e pyeta: ku e more? — tha se e gjeti në trotuar. Më shumë s’e pyeta për këtë, — kështu thotë Dushkini, — po i nxora një kartëmonedhë — një rubël domethënë, sepse mendova, gjoja, që në mos te unë, do ta lërë peng te një tjetër, njësoj është — do ta pijë, e më mirë le të rrijë sendi te unë: ç’e vë më larg, e merr më afër, e po të dalë ndonjë gjë a të nisin fjalët, atëherë do ta paraqes“. Hë, natyrisht, tregon përralla gjyshesh, gënjen me sa ka në kokë, sepse unë e njoh këtë Dushkinin, ai vetë jep hua me peng e fsheh sende të vjedhura, dhe një send prej tridhjetë rublash nuk ia përlau Mikolajt që ta „paraqiste“. Thjesht u tremb. Hë, po në djall, dëgjo; vazhdon Dushkini: „Kurse këtë fshatarin, Mikolaj Dementjevin, e njoh që i vogël, nga krahina dhe rrethi ynë, i Zarajskut, sepse ne vetë jemi nga Rjazani. Dhe Mikolaji, ndonëse s’është pijanec, pi ndonjëherë, dhe e dinim që ai punonte në atë ndërtesë, lyente, bashkë me Mitrejin, se ai me Mitrejin janë nga të njëjtat vende. Dhe si e mori kartëmonedhën, e ndërroi menjëherë, piu përnjëherë dy gotëza, mori kusurin dhe iku, kurse Mitrejin s’e pashë me të në atë kohë. Kurse të nesërmen dëgjuam që Aljona Ivanovnën dhe motrën e saj Lizaveta Ivanovnën i kishin vrarë me sëpatë, kurse ne i njihnim, zotëri, dhe më hyri dyshimi për vathët, — sepse e dinim që e ndjera jepte para me peng. Shkova në shtëpinë e tyre dhe fillova me kujdes të pyesja me vete, me hapa të ngadaltë, dhe para së gjithash pyeta: a është këtu Mikolaji? Dhe Mitreji më tha që Mikolaji kishte dalë qejf, kishte ardhur në shtëpi në agim, i dehur, kishte ndenjur në shtëpi nja dhjetë minuta dhe kishte ikur përsëri, kurse Mitreji s’e kishte parë më pastaj dhe po e mbaronte punën vetëm. Kurse puna e tyre është në të njëjtat shkallë me të vrarat, në katin e dytë. Si i dëgjuam të gjitha këto, ne atëherë s’i treguam asgjë askujt, — kështu thotë Dushkini, — kurse për vrasjen morëm vesh gjithçka që mundëm dhe u kthyem në shtëpi po me të njëjtin dyshim. Kurse sot në mëngjes, në orën tetë, — domethënë ditën e tretë, e kupton? — shoh, më hyn Mikolaji, jo esëll, po as fort i dehur, po e kupton bisedën. U ul në stol, hesht. Kurse përveç tij në pijetore në atë kohë ishte vetëm një njeri i huaj, dhe një tjetër po flinte në stol, i njohur, dhe dy çunat tanë, zotëri. ‚A e pe, e pyes, Mitrejin?‘ — ‚Jo, thotë, s’e pashë‘. — ‚As këtu s’ka qenë?‘ — ‚S’ka qenë, thotë, që pardje‘. — ‚Po sonte ku fjete?‘ — ‚Në Peski, thotë, te ata të Kolomnës‘.3 — ‚Po vathët, i them, ku i more atëherë?‘ — ‚Në trotuar i gjeta‘, — dhe e thotë këtë disi jo si duhet, dhe pa më parë në sy. ‚Po a dëgjove, i them, që filan e fistek ndodhi pikërisht atë mbrëmje e në atë orë, në ato shkallë?‘ — ‚Jo, thotë, s’kam dëgjuar‘, — kurse vetë dëgjon me sy të zgurdulluar, dhe u zbardh befas si shkumës. Unë ia tregoj këtë, shikoj, kurse ai kap kapelën dhe filloi të ngrihej. Atëherë desha ta mbaja: ‚Prit, Mikolaj, i them, s’do të pish një gotë?‘ Dhe i bëra me sy çunit të mbante derën, e dal nga pas banakut: kur ai ma mbathi, e në rrugë, e me vrap, e në rrugicë, — vetëm sa e pashë. Atëherë m’u zgjidh dyshimi, sepse mëkati është i tiji, ashtu siç është…“

— Si jo!.. — tha Zosimovi.

— Prit! Dëgjo fundin! U nisën, natyrisht, me sa kishin në këmbë ta kërkonin Mikolajn: Dushkinin e ndaluan dhe i bënë kontroll, edhe Mitrejit; i shkundën edhe ata të Kolomnës, — po befas pardje sjellin vetë Mikolajn: e kishin ndaluar pranë portës —, në një han. Kishte shkuar atje, kishte hequr nga qafa kryqin, prej argjendi, dhe kishte kërkuar për kryqin një gotëz vodkë. Ia dhanë. Pak minuta më vonë, një grua shkoi në stallë dhe sheh nga një e çarë: ai aty pranë, në hangar, kishte lidhur brezin pas trarit, kishte bërë lak; ishte hipur mbi një kërcu dhe donte të vinte lakun në qafë; gruaja bërtiti me sa kishte në kokë, vrapuan të gjithë: „Ja ç’qenke!“ — „Më çoni, thotë, në filan njësi, do t’i rrëfej të gjitha“. Hë, me nderimet e duhura e çuan në filan njësi, këtu domethënë. Hë, kjo, ajo, kush, si, sa vjeç — „njëzet e dy“ — e të tjera, e të tjera. Pyetja: „Kur punonit me Mitrejin, a s’patë njeri në shkallë, ja, në filan e filan orë?“ Përgjigjja: „Dihet, kalonin ndoshta njerëz, po ne s’i vumë re“. — „Po a s’dëgjuat ndonjë gjë, ndonjë zhurmë e të tjera?“ — „S’dëgjuam asgjë të veçantë“. — „Po a e dije ti, Mikolaji, po atë ditë, që filan vejushë e kishin vrarë e grabitur në filan ditë e orë bashkë me motrën e saj?“ — „S’di gjë, s’kam dëgjuar gjë. Për herë të parë e dëgjova nga Afanasi Pavliçi, ditën e tretë, në pijetore“. — „Po vathët ku i more?“ — „Në trotuar i gjeta“. — „Pse të nesërmen s’erdhe me Mitrejin në punë?“ — „Se pata dalë qejf“. — „Po ku dole qejf?“ — „Atje e këtje“. — „Pse ike nga Dushkini?“ — „Se na pat zënë frika fort atëherë“. — „Nga se u trembe?“ — „Se kanë me na dënue“. — „Si mund të trembeshe nga kjo, kur ndihesh krejt i pafajshëm?..“ Hë, beso a mos beso, Zosimov, kjo pyetje u bë, dhe fjalë për fjalë me këto shprehje, e di me siguri, ma kanë treguar saktë! Si të duket? Si të duket?

— Hë, jo, megjithatë, provat ekzistojnë.

— Po unë s’flas tani për provat, flas për pyetjen, për atë se si e kuptojnë ata thelbin e tyre! Hë, po dreqi!.. Hë, pra, e shtrënguan, e shtrënguan, e shtypën, e shtypën, dhe ai rrëfeu: „Jo në trotuar, gjoja, i gjeta, po në banesë i gjeta, ku po lyenim me Mitrejin“. — „Si kështu?“ — „Ja kështu, që po lyenim me Mitrejin gjithë ditën, deri në orën tetë, dhe po bëheshim gati të iknim, kurse Mitreji mori furçën dhe ma lyeu turinjtë me bojë, ma lyeu turinjtë me bojë, dhe ia mbathi, kurse unë pas tij. Dhe po vrapoj pas tij, e vetë bërtas me sa kam në kokë; dhe kur po dilja nga shkallët nën portë, u përplasa me vrull me portierin e me zotërinjtë, e sa zotërinj ishin me të, s’e mbaj mend, kurse portieri më shau për këtë, dhe portieri tjetër më shau, dhe doli edhe gruaja e portierit, edhe ajo na shau, dhe një zotëri po hynte nën portë, me një zonjë, dhe edhe ai na shau, sepse unë me Mitkën ishim shtrirë tërthor në rrugë: unë e kapa Mitkën për flokësh, e rrëzova dhe fillova ta godisja, kurse Mitka, nga poshtë meje, më kapi për flokësh dhe filloi të më godiste, po këtë s’e bënim nga inati, po nga gjithë dashuria, me lojë. E pastaj Mitka u lirua dhe vrapoi në rrugë, e unë pas tij, po s’e arrita dhe u ktheva vetëm në banesë, — sepse duhej të mblidhja gjërat. Fillova të mbledh e pres Mitrejin, mos vjen. Dhe te dera e hyrjes, pas murit, në qoshe, shkela mbi një kuti. Shikoj, qenka atje, e mbështjellë me kartë. E hoqa kartën, shoh ca kapëse kaq të vockla, i hoqëm kapëset — e në kuti vathët…“

— Pas derës? Pas derës ishte? Pas derës? — thirri befas Raskolnikovi, duke e vështruar Razumihinin me një vështrim të turbullt e të frikësuar, dhe ngadalë u ngrit pak në divan, duke u mbështetur me dorë.

— Po… e ç’ka? Ç’ke? Pse kështu? — Edhe Razumihini u ngrit pak nga vendi.

— Asgjë!.. — u përgjigj mezi i dëgjueshëm Raskolnikovi, duke rënë përsëri në jastëk e duke u kthyer përsëri nga muri. Të gjithë heshtën pak.

— Duhet të ketë dremitur, nga gjumi, — tha më në fund Razumihini, duke e vështruar pyetës Zosimovin; ky bëri një shenjë të lehtë mohuese me kokë.

— Hë, vazhdo, pra, — tha Zosimovi, — ç’ndodhi më tej?

— Po ç’të ndodhte më tej? Sapo i pa vathët, menjëherë, duke harruar edhe banesën, edhe Mitkën, rrëmbeu kapelën dhe vrapoi te Dushkini dhe, siç dihet, mori prej tij një rubël, kurse atij i gënjeu se i gjeti në trotuar, dhe menjëherë doli qejf. Kurse për vrasjen pohon të njëjtën gjë si më parë: „S’di gjë, s’kam dëgjuar gjë, vetëm ditën e tretë e dëgjova“. — „Po pse s’erdhe deri tani?“ — „Nga frika“. — „Po pse doje të varesh?“ — „Nga mendimet“. — „Nga ç’mendime?“ — „Se kanë me na dënue“. Hë, ja gjithë historia. Tani, si mendon, ç’nxorën ata prej këtej?

— Po ç’ka për të menduar, gjurmë ka, çfarëdo qoftë, por ka. Fakt. Nuk do ta lëshojnë të lirë bojaxhiun tënd?

— Po ata e kanë regjistruar tani drejt e si vrasës! Ata s’kanë më asnjë dyshim…

— Po gënjen; nxehesh. Hë, po vathët? Pranoje vetë që, kur po atë ditë e po atë orë i bien Nikolajt në dorë vathët nga sënduku i plakës, — pranoje vetë se ata duhet të kenë rënë disi në dorën e tij? Kjo s’është pak në një hetim të tillë.

— Si i ranë në dorë! Si i ranë në dorë? — thirri Razumihini, — e mos vallë ti, mjek, ti, që para së gjithash je i detyruar ta studiosh njeriun dhe ke rastin, më shumë se cilido tjetër, ta studiosh natyrën njerëzore, — mos vallë s’e sheh, nga të gjitha këto të dhëna, ç’natyrë është ky Nikolaji? Mos vallë s’e sheh, që herën e parë, se gjithçka që ai tha në marrje në pyetje është e vërteta më e shenjtë? Pikërisht kështu i ranë në dorë, siç tha. Shkeli mbi kuti dhe e mori!

— E vërteta më e shenjtë! Megjithatë, pranoi vetë se herën e parë gënjeu?

— Më dëgjo, dëgjo me vëmendje: edhe portieri, edhe Kohu, edhe Pestrjakovi, edhe portieri tjetër, edhe gruaja e portierit të parë, edhe meshçania që ndodhej në atë kohë te ajo në dhomëzën e portierit, edhe këshilltari i oborrit Krjukov, që në po atë minutë sapo kishte zbritur nga karroca dhe po hynte nën portë krah për krah me një zonjë, — të gjithë, domethënë tetë a dhjetë dëshmitarë, dëshmojnë njëzëri se Nikolaji e kishte shtypur Dmitrin për tokë, ishte shtrirë mbi të dhe e godiste, kurse ky i ishte kapur pas flokëve dhe e godiste gjithashtu. Janë shtrirë tërthor rrugës dhe e zënë kalimin; i shajnë nga të gjitha anët, kurse ata, „si fëmijë të vegjël“ (shprehja fjalë për fjalë e dëshmitarëve), janë shtrirë njëri mbi tjetrin, ciklojnë, zihen e qeshin, qeshin të dy si me garë, me fytyrat më qesharake, dhe, duke ndjekur njëri-tjetrin, si fëmijët, dolën me vrap në rrugë. E dëgjove? Tani vëre me rreptësi: trupat lart janë ende të ngrohtë, e dëgjon, të ngrohtë, kështu i gjetën! Nëse i vranë ata, ose vetëm Nikolaji, dhe në të njëjtën kohë grabitën sëndukët duke i thyer, ose vetëm morën pjesë disi në grabitje, atëherë më lejo të të bëj vetëm një pyetje: a përputhet një gjendje e tillë shpirtërore, domethënë ciklimat, të qeshurat, zënia fëminore nën portë, — me sëpatat, me gjakun, me dinakërinë kriminale, me kujdesin, me grabitjen? Sapo kishin vrarë, vetëm nja pesë a dhjetë minuta më parë, — sepse kështu del, trupat janë ende të ngrohtë, — dhe befas, duke i lënë edhe trupat, edhe banesën të hapur, dhe duke e ditur që sapo kanë kaluar njerëz andej, dhe duke e lënë edhe plaçkën, ata, si fëmijë të vegjël, rrokullisen në rrugë, qeshin, tërheqin vëmendjen e të gjithëve mbi vete, dhe për këtë ka dhjetë dëshmitarë njëzëri!

— Natyrisht, e çuditshme! Sigurisht, e pamundur, por…

— Jo, vëlla, jo por, kurse nëse vathët, që u gjendën po atë ditë e po atë orë në duart e Nikolajt, përbëjnë vërtet një kundërprovë të rëndësishme faktike kundër tij — e cila megjithatë shpjegohet drejtpërdrejt me dëshmitë e tij, pra është ende kundërprovë e diskutueshme, — atëherë duhen marrë parasysh edhe faktet shfajësuese, aq më tepër që janë fakte të pakundërshtueshme. Po si mendon ti, sipas karakterit të jurisprudencës sonë, a do ta pranojnë, a janë në gjendje ta pranojnë një fakt të tillë, — të bazuar vetëm në një pamundësi psikologjike, vetëm në një gjendje shpirtërore, — si fakt të pakundërshtueshëm, që i rrëzon të gjitha faktet akuzuese e materiale, cilatdo qofshin? Jo, s’do ta pranojnë, s’do ta pranojnë për asgjë në botë, sepse gjoja kutinë e gjetën dhe njeriu deshi të varej, „gjë që s’mund të ndodhte, sikur të mos ndihej fajtor!“ Ja pyetja kapitale, ja pse nxehem unë! Kuptoje!

— Po e shoh që nxehesh. Prit, harrova të pyes: me se është vërtetuar që kutia me vathë është vërtet nga sënduku i plakës?

— Kjo është vërtetuar, — u përgjigj Razumihini, duke u vrenjtur e si pa dëshirë, — Kohu e njohu sendin dhe tregoi kush e kishte lënë peng, dhe ai vërtetoi prerazi se sendi ishte vërtet i tiji.

— Keq. Tani edhe diçka: a s’e pa dikush Nikolajn në kohën kur Kohu e Pestrjakovi kaluan lart, dhe a s’mund të vërtetohet kjo disi?

— Pikërisht kjo është, që s’e pa njeri, — u përgjigj Razumihini me bezdi, — pikërisht kjo është e keqja; madje as Kohu me Pestrjakovin s’i vunë re, kur kaluan lart, ndonëse dëshmia e tyre s’do të vlente tani shumë. „E pamë, thonë, që banesa ishte e hapur, që në të, me siguri, punohej, por, duke kaluar, s’i kushtuam vëmendje dhe s’e mbajmë mend saktë a ishin aty punëtorët në atë minutë apo jo“.

— Hm. Pra, shfajësimi i vetëm është që qëllonin njëri-tjetrin dhe qeshnin. Le të themi se kjo është provë e fortë, por… Më lejo tani: po si e shpjegon ti vetë gjithë faktin? Gjetjen e vathëve si e shpjegon, nëse vërtet i gjeti ashtu siç dëshmon?

— Si e shpjegoj? Po ç’ka këtu për të shpjeguar: puna është e qartë! Të paktën rruga nëpër të cilën duhet çuar puna është e qartë dhe e vërtetuar, dhe pikërisht kutia e vërtetoi. Vrasësi i vërtetë i rrëzoi këta vathë. Vrasësi ishte lart, kur Kohu e Pestrjakovi trokisnin, dhe rrinte me shul. Kohu bëri budallallëkun dhe zbriti poshtë; atëherë vrasësi doli me vrap dhe vrapoi edhe ai poshtë, sepse s’kishte asnjë rrugëdalje tjetër. Në shkallë u fsheh nga Kohu, Pestrjakovi e portieri në banesën bosh, pikërisht në atë minutë kur Dmitri e Nikolaji kishin dalë me vrap prej saj, qëndroi pas derës, kur portieri dhe ata kaluan lart, priti derisa u shuan hapat, dhe zbriti poshtë krejt i qetë, mu në atë minutë kur Dmitri me Nikolajn dolën me vrap në rrugë, dhe të gjithë u shpërndanë, dhe nën portë s’mbeti njeri. Ndoshta e panë, po s’e vunë re; s’kalojnë pak njerëz? Kurse kutinë e rrëzoi nga xhepi kur qëndronte pas derës, dhe s’e vuri re që e rrëzoi, sepse s’e kishte mendjen atje. Kurse kutia vërteton qartë se ai qëndroi pikërisht atje. Ja gjithë hileja!

— Dinake! Jo, vëlla, kjo është dinake. Kjo është më dinakja nga të gjitha!

— Po pse, pse?

— Po sepse gjithçka u përputh tepër me fat… dhe u ndërthur… krejt si në teatër.

— E-eh! — desh të thërriste Razumihini, por në këtë minutë u hap dera dhe hyri një fytyrë e re, e panjohur për asnjërin nga të pranishmit.

Shënime

  1. „Palais de Cristal“ (fr. „Pallati i Kristaltë“): emër tavernë në Petersburg, sipas Pallatit të Kristaltë të Ekspozitës Botërore të Londrës (1851), që për radikalët rusë të kohës ishte simbol i përparimit e i shoqërisë së ardhshme. ↩︎

  2. Pravoved (rus. правовед): i diplomuar në Shkollën Perandorake të Jurisprudencës në Petersburg. ↩︎

  3. Peski dhe Kolomna: lagje periferike të Petersburgut. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat