← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e katërt — IV · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 24 nga 41

Kurse Raskolnikovi shkoi drejt e te shtëpia buzë kanalit, ku banonte Sonja. Shtëpia ishte trekatëshe, e vjetër dhe me ngjyrë të gjelbër. Gjeti portierin dhe mori prej tij udhëzime të paqarta se ku banonte Kapernaumovi, rrobaqepësi. Pasi gjeti në një qoshe të oborrit hyrjen për te shkallët e ngushta e të errëta, u ngjit më në fund në katin e dytë dhe doli në galerinë që e rrethonte nga ana e oborrit. Ndërsa endej në errësirë e në hutim se ku mund të ishte hyrja për te Kapernaumovi, befas, tre hapa larg tij, u hap një derë; ai u kap pas saj pa e menduar.

— Kush është aty? — pyeti e shqetësuar një zë gruaje.

— Jam unë… te ju, — u përgjigj Raskolnikovi dhe hyri në një paradhomë të vockël. Këtu, mbi një karrige me ndenjëse të shembur, në një shandan bakri të shtrembëruar, qëndronte një qiri.

— Ju jeni! O Zot! — thirri dobët Sonja dhe mbeti si e ngulur në vend.

— Nga hyhet te ju? Këtej?

Dhe Raskolnikovi, duke u përpjekur të mos e vështronte, kaloi sa më shpejt në dhomë.

Pas një minute hyri me qiri edhe Sonja, e vuri qiriun dhe qëndroi vetë para tij, krejt e hutuar, e tëra në një trazim të papërshkrueshëm dhe, dukshëm, e trembur nga vizita e tij e papritur. Befas fytyra e saj e zbehtë iu skuq, dhe madje i dolën lot në sy… I vinte edhe neveri, edhe turp, edhe ëmbëlsi… Raskolnikovi u kthye shpejt mënjanë dhe u ul në karrige pranë tryezës. Arriti ta përfshinte shkarazi dhomën me sy.

Ishte një dhomë e madhe, por jashtëzakonisht e ulët, e vetmja që jepnin me qira Kapernaumovët, dera e mbyllur për te të cilët ndodhej në murin majtas. Në anën e kundërt, në murin djathtas, ishte edhe një derë tjetër, gjithmonë e mbyllur me çelës. Atje ishte tashmë një banesë tjetër, fqinje, me një numër tjetër. Dhoma e Sonjës i ngjante disi një hambari, kishte pamjen e një katërkëndëshi shumë të çrregullt, dhe kjo i jepte diçka të shëmtuar. Muri me tri dritare, që dilte nga kanali, e priste dhomën disi tërthorazi, prandaj njëra qoshe, tmerrësisht e mprehtë, ikte diku në thellësi, kështu që, në dritën e dobët, as s’mund të dallohej mirë; kurse qoshja tjetër ishte tepër e shëmtuar, e hapur. Në gjithë këtë dhomë të madhe pothuajse s’kishte fare mobilie. Në qoshe, djathtas, ndodhej shtrati; pranë tij, më afër derës, një karrige. Përgjatë po atij muri ku ishte shtrati, mu te dera për te banesa e huaj, qëndronte një tryezë e thjeshtë prej dërrase, e mbuluar me një mbulesë të kaltër; pranë tryezës dy karrige me thurje. Pastaj, te muri i kundërt, afër qoshes së mprehtë, qëndronte një komo e vogël prej druri të thjeshtë, sikur e humbur në zbrazëti. Ja gjithçka që ishte në dhomë. Letra e murit, e verdhemë, e fërkuar e e rreckosur, ishte nxirë nëpër të gjitha qoshet; me siguri këtu bëhej lagështi e erë tymi në dimër. Varfëria dukej; madje as shtrati s’kishte perde.

Sonja e vështronte në heshtje mysafirin e saj, që e shqyrtonte dhomën e saj kaq me vëmendje e pa ceremoni, dhe madje filloi, më në fund, të dridhej nga frika, sikur të qëndronte para gjykatësit e vendimtarit të fatit të saj.

— Erdha vonë… A është ora njëmbëdhjetë? — pyeti ai, ende pa i ngritur sytë drejt saj.

— Është, — mërmëriti Sonja. — Ah, po, është! — nxitoi ajo befas, sikur në këtë të ishte për të gjithë rrugëdalja, — tani sapo ra sahati te të zotët e shtëpisë… dhe e dëgjova vetë… Është.

— Kam ardhur te ju për herë të fundit, — vazhdoi i zymtë Raskolnikovi, megjithëse edhe tani ishte vetëm për herë të parë, — unë ndoshta s’do t’ju shoh më…

— Ju… po ikni?

— S’e di… gjithçka nesër…

— Pra nesër s’do të jeni te Katerina Ivanovna? — iu drodh zëri Sonjës.

— S’e di. Gjithçka nesër në mëngjes… S’është puna këtu: erdha të them një fjalë…

Ngriti mbi të vështrimin e tij të menduar dhe befas vuri re se ai rrinte ulur, kurse ajo ende qëndronte në këmbë para tij.

— Pse rrini në këmbë? Uluni, — tha ai befas me një zë të ndryshuar, të qetë e të përkëdhelshëm.

Ajo u ul. Ai e vështroi me dashamirësi e gati me dhembshuri për një minutë.

— Sa e dobët që jeni! Shih ç’dorë keni! Krejt e tejdukshme. Gishtat si të një të vdekure.

I mori dorën. Sonja buzëqeshi dobët.

— Gjithmonë kështu kam qenë, — tha ajo.

— Edhe kur rronit në shtëpi?

— Po.

— Hë, po, natyrisht! — tha ai shkurt, dhe shprehja e fytyrës, edhe tingulli i zërit iu ndërruan përsëri befas. Edhe një herë hodhi sytë përreth.

— Këtë e merrni me qira nga Kapernaumovi?

— Po…

— Ata janë atje, pas derës?

— Po… Edhe ata kanë një dhomë të tillë.

— Të gjithë në një?

— Në një.

— Unë në dhomën tuaj natën do të kisha frikë, — vuri re ai i zymtë.

— Të zotët e shtëpisë janë shumë të mirë, shumë të dashur, — u përgjigj Sonja, ende sikur pa ardhur në vete e pa e marrë veten, — dhe gjithë mobiliet, dhe gjithçka… gjithçka është e të zotëve. Dhe janë shumë të mirë, edhe fëmijët vijnë shpesh te unë…

— Ata që belbëzojnë?

— Po… Ai belbëzon dhe çalon gjithashtu. Edhe e shoqja gjithashtu… Jo se belbëzon, po sikur s’i shqipton të gjitha. Ajo është e mirë, shumë. Kurse ai ka qenë dikur shërbëtor oborri. Kurse fëmijë kanë shtatë… dhe vetëm më i madhi belbëzon, kurse të tjerët janë thjesht të sëmurë… po nuk belbëzojnë… Po ju nga i dini ju ata? — shtoi ajo me njëfarë habie.

— Ma tregoi atëherë babai juaj gjithçka. Ai më tregoi gjithçka për ju… Edhe si dolët në orën gjashtë e u kthyet pas orës tetë, edhe si Katerina Ivanovna qëndroi në gjunjë pranë shtratit tuaj.

Sonja u turbullua.

— Sikur e pashë sot, — pëshpëriti ajo me ngurrim.

— Kë?

— Babanë. Po ecja në rrugë, atje afër, në qoshe, pas orës nëntë, e ai sikur po ecën përpara. Dhe sikur ishte vërtet ai. Desha të hyja te Katerina Ivanovna…

— Ju shëtisnit?

— Po, — pëshpëriti shkurt Sonja, duke u turbulluar përsëri e duke ulur sytë.

— Katerina Ivanovna gati ju rrihte, kur ishit te babai?

— Ah jo, ç’thoni, ç’thoni kështu, jo! — e vështroi Sonja madje me njëfarë tmerri.

— Pra ju e doni?

— Atë? Po si-i-i jo! — e zgjati Sonja me ankim e me vuajtje, duke kryqëzuar befas duart. — Ah! ju atë… Sikur ta dinit vetëm. Se ajo është krejt si një fëmijë… Se mendja i është krejt si e luajtur… nga hidhërimi. E sa e zgjuar ka qenë… sa bujare… sa e mirë! Ju s’dini asgjë, asgjë… ah!

Sonja e tha këtë si në dëshpërim, duke u trazuar e duke vuajtur, e duke përdredhur duart. Faqet e zbehta iu ndezën përsëri, në sy iu shpreh mundimi. Dukej se tek ajo kishin prekur tmerrësisht shumë gjëra, se ajo donte tmerrësisht të shprehte diçka, të thoshte, të mbronte. Njëfarë dhembshurie e pangopshme, në qoftë se mund të shprehemi kështu, iu përvijua befas në të gjitha tiparet e fytyrës.

— Më rrihte! Po ç’thoni kështu! O Zot, më rrihte! E sikur të më rrihte, e ç’pastaj! Hë, e ç’pastaj? Ju s’dini asgjë, asgjë… Ajo është kaq fatkeqe, ah, sa fatkeqe! Dhe e sëmurë… Ajo kërkon drejtësi… Ajo është e pastër. Ajo beson aq shumë se në çdo gjë duhet të ketë drejtësi, dhe e kërkon… Dhe edhe sikur ta torturoni, ajo s’do të bëjë gjë të padrejtë. Ajo vetë s’e vë re se si e gjithë kjo s’është e mundur, që të ketë drejtësi te njerëzit, dhe nervozohet… Si fëmijë, si fëmijë! Ajo është e drejtë, e drejtë!

— Po me ju ç’do të bëhet?

Sonja e vështroi me pyetje.

— Se ata mbetën mbi ju. E vërtetë, edhe më parë gjithçka ishte mbi ju, edhe i ndjeri vinte te ju të kërkonte për të pirë kur i dhembte koka nga e pira. Hë, po tani ç’do të bëhet?

— S’e di, — tha e trishtuar Sonja.

— Ata do të mbeten atje?

— S’e di, ata i kanë borxh asaj banese; vetëm e zonja e shtëpisë, thonë, tha sot se do t’i nxjerrë, kurse Katerina Ivanovna thotë se as vetë s’do të rrijë asnjë minutë.

— Nga i vjen gjithë ky guxim? Te ju shpreson?

— Ah jo, mos flisni kështu!.. Ne jemi një, rrojmë si një, — u trazua befas përsëri e madje u nervozua Sonja, tamam sikur të ishte zemëruar një kanarinë apo ndonjë zog tjetër i vogël. — E pastaj ç’të bëjë ajo? Hë, si, si të bëjë? — pyeste ajo, duke u ndezur e duke u trazuar. — E sa, sa qau sot! Mendja i ngatërrohet, s’e keni vënë re këtë? I ngatërrohet; herë shqetësohet, si e vogël, që nesër gjithçka të jetë e hijshme, të ketë meze e gjithçka… herë përdredh duart, pështyn gjak, qan, befas fillon të godasë kokën pas murit, si në dëshpërim. E pastaj përsëri ngushëllohet, te ju shpreson gjithnjë: thotë se ju tani jeni ndihmësi i saj dhe se ajo do të marrë hua diku pak para e do të shkojë në qytetin e saj, me mua, e do të hapë një konvikt për vajza fisnike, kurse mua do të më marrë mbikëqyrëse, dhe do të na fillojë një jetë krejt e re, e bukur, dhe më puth, më përqafon, më ngushëllon, dhe beson kaq shumë! beson kaq shumë në fantazitë! Hë, vallë mund ta kundërshtosh? Kurse vetë gjithë ditën sot lan, pastron, arnon, magjen e futi vetë në dhomë, me ato forcat e saj të dobëta, iu mor fryma, ra drejt e mbi shtrat; e pastaj në mëngjes shkuam me të te dyqanet në rresht, t’u blinim këpucë Poleçkës e Lenës, sepse iu janë prishur të gjitha, vetëm se s’na dolën paratë sipas llogarisë, na mungonin shumë, kurse ajo zgjodhi ca këpucë kaq të bukura, sepse ka shije, ju s’e dini… Aty në dyqan qau, para tregtarëve, që s’na dolën… Ah, sa të vinte keq ta shikoje.

— Hë, dhe kuptohet pas kësaj që ju… jetoni kështu, — tha Raskolnikovi me një buzëqeshje të hidhur.

— Po juve vallë s’ju vjen keq? S’ju vjen keq? — u ngrit përsëri Sonja, — se ju, e di, ju vetë dhatë të fundit, pa parë ende asgjë. E sikur t’i kishit parë të gjitha, o Zot! E sa, sa herë e kam bërë unë të qajë! Madje javën e kaluar! Oh, unë! Vetëm një javë para vdekjes së tij. Veprova mizorisht! E sa, sa herë e kam bërë këtë. Ah, sa më dhembi sot gjithë ditën kur e kujtoja!

Sonja madje përdridhte duart duke folur, nga dhimbja e kujtimit.

— Ju qenkeni mizore?

— Po unë, unë! Erdha atëherë, — vazhdoi ajo duke qarë, — kurse i ndjeri më thotë: „lexomë, thotë, Sonja, më dhemb pak koka, lexomë… ja librin“, — një libër e kishte, ia kishte marrë Andrej Semjoniçit, Lebezjatnikovit, banon këtu, ai sillte gjithmonë libra të tillë qesharakë. Kurse unë i them: „më duhet të shkoj“, dhe s’desha t’i lexoja, kurse kisha shkuar tek ata, kryesisht për t’i treguar Katerina Ivanovnës ca jakë; Lizaveta, tregtarja, më kishte sjellë lirë jakë e mëngore, të bukura, të reja e me qëndisje. Dhe Katerina Ivanovnës i pëlqyen shumë, i vuri dhe u pa në pasqyrë, dhe i pëlqyen shumë, shumë: „m’i dhuro, thotë, Sonja, të lutem“. Të lutem, kërkoi, dhe aq shumë i donte. E ku t’i vinte ajo! Ashtu: iu kujtua vetëm koha e dikurshme, e lumtur! Shikohet në pasqyrë, mrekullohet, dhe asnjë, asnjë fustan s’ka, asnjë send, ja sa vjet! Dhe kurrë s’i kërkon asgjë askujt; është krenare, më shpejt jep vetë të fundit, kurse këtu kërkoi, — aq shumë i pëlqyen! Kurse unë më erdhi keq t’i jepja, „ç’ju duhen, i them, Katerina Ivanovna?“ Kështu i thashë, „ç’ju duhen“. Pikërisht këtë s’duhej t’ia thosha! Ajo më vështroi kështu, dhe iu bë kaq rëndë, kaq rëndë që e refuzova, dhe sa të vinte keq ta shikoje… Dhe jo për jakët i erdhi rëndë, po për atë që e refuzova, e pashë. Ah, sikur, më duket, tani do t’i ktheja të gjitha, do t’i ndryshoja të gjitha, të gjitha ato fjalë të dikurshme… Oh, unë… po ç’ka!.. juve s’ju bën përshtypje!

— Këtë Lizavetën, tregtaren, e njihnit?

— Po… Po ju vallë e njihnit? — pyeti përsëri me njëfarë habie Sonja.

— Katerina Ivanovna ka tuberkuloz, të keq; ajo së shpejti do të vdesë, — tha Raskolnikovi pasi heshti pak, pa iu përgjigjur pyetjes.

— Oh, jo, jo, jo! — Dhe Sonja, me një gjest të pavetëdijshëm, e kapi nga të dyja duart, sikur t’i lutej që të mos ishte kështu.

— Po kjo është më mirë, po të vdesë.

— Jo, s’është më mirë, s’është më mirë, aspak s’është më mirë! — përsëriste ajo e trembur e pa e kuptuar.

— Po fëmijët? Ku do t’i merrni atëherë, po jo te ju?

— Oh, s’e di! — thirri Sonja gati e dëshpëruar dhe u kap për koke. Dukej se ky mendim i kishte shkuar edhe asaj vetë nëpër mend shumë e shumë herë, dhe ai vetëm e kishte trembur përsëri këtë mendim.

— Hë, po sikur ju, ende kur Katerina Ivanovna të jetë gjallë, tani, të sëmureni e t’ju çojnë në spital, hë, ç’do të bëhet atëherë? — ngulmonte ai pa mëshirë.

— Ah, ç’thoni, ç’thoni! Kjo s’mund të ndodhë! — dhe fytyra e Sonjës u shtrembërua nga një tmerr i frikshëm.

— Si s’mund të ndodhë? — vazhdoi Raskolnikovi me një buzëqeshje të ashpër, — s’jeni e siguruar, apo jo? Atëherë ç’do të bëhet me ta? Do të dalin në rrugë gjithë turma, ajo do të kollitet e do të lypë, e do ta godasë kokën diku pas murit, si sot, kurse fëmijët do të qajnë… E pastaj do të bjerë, do ta çojnë në rajon, në spital, do të vdesë, kurse fëmijët…

— Oh, jo!.. Zoti s’do ta lejojë këtë! — i shpërtheu më në fund nga kraharori i shtrënguar Sonjës. Ajo dëgjonte, duke e vështruar me lutje e duke i kryqëzuar duart në një lutje të heshtur, sikur gjithçka të varej prej tij.

Raskolnikovi u ngrit dhe filloi të ecte nëpër dhomë. Kaloi nja një minutë. Sonja qëndronte me duar e kokë të ulur, në një ankth të tmerrshëm.

— Po të kursesh s’mundesh? Të lësh mënjanë për ditë të zeza? — pyeti ai, duke u ndalur befas para saj.

— Jo, — pëshpëriti Sonja.

— Natyrisht, jo! Po e keni provuar? — shtoi ai gati me tallje.

— E kam provuar.

— Dhe dështoi! Hë, po, natyrisht! Ç’ke për të pyetur!

Dhe përsëri filloi të ecte nëpër dhomë. Kaloi edhe nja një minutë.

— S’fitoni çdo ditë?

Sonja u turbullua më shumë se më parë, dhe ngjyra i goditi përsëri fytyrën.

— Jo, — pëshpëriti ajo me një përpjekje të mundimshme.

— Me Poleçkën, me siguri, do të ndodhë po e njëjta gjë, — tha ai befas.

— Jo! jo! S’mund të jetë, jo! — thirri me zë të lartë Sonja si e dëshpëruar, sikur ta kishin plagosur befas me thikë. — Zoti, Zoti s’do ta lejojë një tmerr të tillë!..

— Të tjerëve ua lejon.

— Jo, jo! Atë do ta mbrojë Zoti, Zoti!.. — përsëriste ajo pa e ditur ç’bënte.

— Po ndoshta Zoti as që ekziston fare, — u përgjigj Raskolnikovi madje me njëfarë gëzimi të keq, qeshi dhe e vështroi.

Fytyra e Sonjës ndryshoi befas tmerrësisht: nëpër të kaluan ngërçe. Me një qortim të papërshkrueshëm e vështroi, desh të thoshte diçka, por s’mundi të shqiptonte asgjë dhe vetëm befas shpërtheu në një dënesë të hidhur, të hidhur, duke mbuluar fytyrën me duar.

— Ju thoni se Katerina Ivanovnës i ngatërrohet mendja; po juve vetë ju ngatërrohet mendja, — tha ai pas njëfarë heshtjeje.

Kaluan nja pesë minuta. Ai ecte gjithnjë andej-këtej, në heshtje e pa e vështruar. Më në fund iu afrua; sytë i shkreptinin. E kapi me të dyja duart nga supet dhe e vështroi drejt në fytyrën e saj që qante. Vështrimi i tij ishte i thatë, i përflakur, i mprehtë, buzët i dridheshin fort… Befas u përkul i tëri shpejt dhe, duke rënë përdhe, i puthi këmbën. Sonja u zmbraps me tmerr prej tij, si prej një të çmenduri. Dhe vërtet, ai dukej krejt si i çmendur.

— Ç’bëni, ç’bëni kështu? Para meje! — mërmëriti ajo, duke u zbehur, dhe zemra iu shtrëngua befas me dhimbje, me dhimbje.

Ai u ngrit menjëherë.

— Nuk t’u përula ty, iu përula gjithë vuajtjes njerëzore, — tha ai disi egërsisht dhe u largua te dritarja. — Dëgjo, — shtoi ai, duke u kthyer tek ajo pas një minute, — pak më parë i thashë një fyesi se ai s’vlen sa gishti yt i vogël… dhe se motrës sime i bëra sot nder, duke e ulur pranë teje.

— Ah, ç’u paskeni thënë atyre! Edhe para saj? — thirri e trembur Sonja, — të rrijë me mua! Nder! Po unë jam… e pandershme… jam mëkatare e madhe, e madhe! Ah, ç’paskeni thënë!

— Jo për çnderimin e mëkatin e thashë këtë për ty, por për vuajtjen tënde të madhe. E që je mëkatare e madhe, kjo është e vërtetë, — shtoi ai gati me ngazëllim, — e mbi të gjitha je mëkatare ngaqë e vrave e e tradhtove veten më kot. Si të mos jetë ky tmerr! Si të mos jetë tmerr që rron në këtë baltë, që e urren kaq shumë, dhe njëkohësisht e di vetë (mjafton vetëm të hapësh sytë) që me këtë s’ndihmon askënd e s’shpëton askënd nga asgjë! Po më thuaj më në fund, — tha ai, gati në ekstazë, — si bashkëjetojnë te ti një turp i tillë e një poshtërsi e tillë krah për krah me ndjenja të tjera, të kundërta e të shenjta? Se do të ishte më e drejtë, një mijë herë më e drejtë e më e arsyeshme të hidheshe drejt e me kokë në ujë e t’i jepje fund njëherë e mirë!

— Po me ata ç’do të bëhet? — pyeti dobët Sonja, duke e vështruar me vuajtje, por njëkohësisht sikur aspak e habitur nga propozimi i tij. Raskolnikovi e vështroi çuditshëm.

Ai e lexoi gjithçka në një vështrim të saj. Pra, vërtet, edhe ajo vetë e kishte pasur tashmë këtë mendim. Ndoshta shumë herë e seriozisht e kishte menduar në dëshpërim, si t’i jepte fund njëherë e mirë, dhe aq seriozisht, sa tani pothuajse s’u habit nga propozimi i tij. Madje as mizorinë e fjalëve të tij s’e vuri re (kuptimin e qortimeve të tij dhe vështrimin e tij të veçantë mbi turpin e saj, natyrisht, as këto s’i vuri re, dhe kjo i dukej qartë atij). Por ai e kuptoi plotësisht deri në ç’dhimbje të përbindshme e kishte torturuar, e prej kohësh, mendimi për gjendjen e saj të pandershme e të turpshme. Ç’mund, ç’mund ta kishte ndalur pra, mendonte ai, deri tani vendosmërinë e saj për t’i dhënë fund njëherë e mirë? Dhe vetëm atëherë e kuptoi plotësisht ç’kuptim kishin për të këta fëmijë të gjorë, të vegjël, jetimë, dhe kjo Katerina Ivanovna e mjerë, gjysmë e çmendur, me tuberkulozin e saj e me goditjet e kokës pas murit.

Por megjithatë atij i ishte përsëri e qartë se Sonja me karakterin e saj e me atë zhvillim, sido që të ishte, që kishte marrë, në asnjë mënyrë s’mund të mbetej kështu. Megjithatë për të mbetej pyetje: pse ajo mundi të mbetej kaq tepër gjatë në një gjendje të tillë e s’u çmend, nëse s’kishte forcë të hidhej në ujë? Natyrisht, ai e kuptonte se gjendja e Sonjës ishte një dukuri e rastësishme në shoqëri, megjithëse, për fat të keq, aspak e vetmuar dhe e jashtëzakonshme. Por pikërisht kjo rastësi, ky njëfarë zhvillimi dhe gjithë jeta e saj e mëparshme mund ta kishin vrarë, me sa duket, menjëherë që në hapin e parë në këtë rrugë të neveritshme. Ç’e mbante pra? Jo shthurja? Se ky turp, dukshëm, e kishte prekur vetëm mekanikisht; shthurja e vërtetë s’i kishte depërtuar ende as me një pikë në zemër: këtë ai e shihte; ajo qëndronte para tij në të vërtetë…

„Ajo ka tri rrugë, — mendonte ai: — të hidhet në kanal, të përfundojë në çmendinë, ose… ose, më në fund, të hidhet në shthurje, që e trullos mendjen e e gurëzon zemrën“. Mendimi i fundit i ishte më i neveritshmi; por ai ishte tashmë skeptik, ishte i ri, abstrakt e, rrjedhimisht, mizor, prandaj s’mund të mos besonte se rrugëdalja e fundit, domethënë shthurja, ishte më e mundshmja.

„Por vallë a është e vërtetë kjo, — thirri ai me vete, — vallë edhe kjo krijesë, që e ka ruajtur ende pastërtinë e shpirtit, do të tërhiqet më në fund me vetëdije në këtë gropë të ndyrë e të qelbur? Vallë kjo tërheqje ka filluar tashmë, dhe vallë vetëm prandaj mundi ajo të durojë deri tani, sepse vesi s’i duket më aq i neveritshëm? Jo, jo, s’mund të jetë! — thërriste ai, si pak më parë Sonja, — jo, nga kanali e ka mbajtur deri tani mendimi për mëkatin, dhe ata, ata… E nëse deri tani s’është çmendur ende… Po kush tha se s’është çmendur tashmë? Vallë është me mendje të shëndoshë? Vallë mund të flasësh kështu si ajo? Vallë me mendje të shëndoshë mund të arsyetosh kështu si ajo? Vallë mund të rrish kështu mbi humbjen, drejt e mbi gropën e qelbur në të cilën po e tërheq tashmë, e të tundësh duart e të zësh veshët, kur të flasin për rrezikun? Ç’është kjo, mos vallë pret ndonjë mrekulli? Me siguri kështu është. Vallë të gjitha këto s’janë shenja çmendurie?“

Ai u ndal me kokëfortësi te ky mendim. Kjo rrugëdalje madje i pëlqente më shumë se çdo tjetër. Filloi ta shqyrtonte më me ngulm.

— Pra ti i lutesh shumë Zotit, Sonja? — e pyeti ai.

Sonja heshtte, ai qëndronte pranë saj e priste përgjigjen.

— Ç’do të isha unë pa Zotin? — pëshpëriti ajo shpejt, me energji, duke ngritur shkarazi drejt tij sytë që iu ndezën befas, dhe ia shtrëngoi fort dorën me dorën e saj.

„Hë, pikërisht kështu!“ — mendoi ai.

— Po ty ç’të bën Zoti për këtë? — pyeti ai, duke e ngacmuar më tej.

Sonja heshti gjatë, sikur s’mund të përgjigjej. Kraharori i saj i dobët valëzohej i tëri nga trazimi.

— Heshtni! Mos pyetni! Ju s’e meritoni!.. — thirri ajo befas, duke e vështruar rreptë e me zemërim.

„Pikërisht kështu! pikërisht kështu!“ — përsëriste ai me ngulm me vete.

— Gjithçka bën! — pëshpëriti ajo shpejt, duke ulur përsëri sytë.

„Ja dhe rrugëdalja! Ja dhe shpjegimi i rrugëdaljes!“ — vendosi ai me vete, duke e shqyrtuar me një kureshtje të babëzitur.

Me një ndjenjë të re, të çuditshme, gati të sëmurë, e shqyrtonte këtë fytyrëz të zbehtë, të dobët e të çrregullt, këndore, këta sy të butë të kaltër, që mund të shkreptinin me një zjarr të tillë, me një ndjenjë kaq të ashpër e energjike, këtë trup të vogël, që ende dridhej nga indinjata e zemërimi, dhe të gjitha këto i dukeshin gjithnjë e më të çuditshme, gati të pamundura. „E marrë e Zotit! e marrë e Zotit!“1 — përsëriste ai me vete.

Mbi komo ishte një libër. Ai e vinte re çdo herë, duke kaluar andej-këtej; kurse tani e mori dhe e shikoi. Ishte Dhiata e Re në përkthimin rusisht.2 Libri ishte i vjetër, i përdorur, me lidhje lëkure.

— Nga është ky? — i bërtiti ai përmes dhomës. Ajo qëndronte gjithnjë në po atë vend, tre hapa larg tryezës.

— Ma sollën, — u përgjigj ajo, sikur pa dëshirë e pa e vështruar.

— Kush ta solli?

— Ma solli Lizaveta, ia kisha kërkuar.

„Lizaveta! E çuditshme!“ — mendoi ai. Gjithçka te Sonja i bëhej disi më e çuditshme e më e mrekullueshme me çdo minutë. E çoi librin pranë qiriut dhe filloi ta shfletonte.

— Ku është këtu ajo për Llazarin? — pyeti ai befas.

Sonja shikonte me kokëfortësi përdhe dhe s’përgjigjej. Qëndronte pak anash tryezës.

— Ku është ajo për ringjalljen e Llazarit? Gjeje, Sonja.

Ajo i hodhi një sy vëngër.

— Nuk po shikoni aty ku duhet… në ungjillin e katërt…3 — pëshpëriti ajo rreptë, pa lëvizur drejt tij.

— Gjeje dhe ma lexo, — tha ai, u ul, u mbështet me bërryl në tryezë, e mbështeti kokën në dorë dhe nguli sytë i zymtë anash, duke u bërë gati të dëgjonte.

„Pas nja tri javësh në verstën e shtatë,4 mirë se vini! Unë, me sa duket, do të jem vetë atje, po s’u bë edhe më keq“, — mërmëriste ai me vete.

Sonja bëri një hap me ngurrim drejt tryezës, pasi e dëgjoi me mosbesim dëshirën e çuditshme të Raskolnikovit. Megjithatë, e mori librin.

— Vallë s’e keni lexuar? — pyeti ajo, duke e vështruar përmes tryezës, nën vetulla. Zëri i saj bëhej gjithnjë e më i ashpër.

— Shumë kohë më parë… Kur mësoja. Lexo!

— Po në kishë s’e keni dëgjuar?

— Unë… s’shkoja. Po ti shkon shpesh?

— J-jo, — pëshpëriti Sonja.

Raskolnikovi buzëqeshi.

— E kuptoj… Dhe pra, nesër s’do të shkosh ta varrosësh babanë?

— Do të shkoj. Edhe javën e kaluar isha… bëra një panihidë.

— Për kë?

— Për Lizavetën. E vranë me sëpatë.

Nervat i acaroheshin gjithnjë e më shumë. Koka filloi t’i vërtitej.

— Ti ishe mike me Lizavetën?

— Po… Ajo ishte e drejtë… vinte… rrallë… s’mundej. Lexonim bashkë me të e… flisnim. Ajo do ta shohë Zotin.5

Të çuditshme i tingëllonin këto fjalë librash, dhe përsëri diçka e re: ca takime misterioze me Lizavetën, dhe që të dyja — të marra të Zotit.

„Këtu bëhesh edhe vetë i marrë i Zotit! Ngjitet!“ — mendoi ai. — Lexo! — thirri ai befas me ngulm e me nervozizëm.

Sonja ngurronte ende. Zemra i trokiste. Disi s’guxonte t’i lexonte. Gati me mundim e vështronte ai „të gjorën e çmendur“.

— Pse ju duhet? Se ju s’besoni?.. — pëshpëriti ajo ngadalë e disi duke iu marrë fryma.

— Lexo! Kështu dua! — ngulmonte ai, — i lexoje Lizavetës!

Sonja e hapi librin dhe gjeti vendin. Duart i dridheshin, zëri s’i mjaftonte. Dy herë filloi, dhe gjithnjë s’i shqiptohej rrokja e parë.

„Ishte i sëmurë njëfarë Llazari, nga Betania…“ — shqiptoi ajo më në fund, me mundim, por befas, që nga fjala e tretë, zëri i kumboi dhe iu këput, si një tel i tendosur tepër. Fryma iu pre, dhe kraharori iu shtrëngua.

Raskolnikovi e kuptonte pjesërisht pse Sonja s’guxonte t’i lexonte, dhe sa më shumë e kuptonte këtë, aq më vrazhdë e më me nervozizëm sikur ngulmonte për leximin. E kuptonte shumë mirë sa e rëndë i ishte asaj tani të zbulonte e të nxirrte në shesh gjithë atë që ishte e saja. E kuptoi se këto ndjenja vërtet sikur përbënin të fshehtën e saj të vërtetë dhe tashmë të vjetër, ndoshta qysh nga mosha e njomë, qysh në familje, pranë babait fatkeq e njerkës së çmendur nga hidhërimi, midis fëmijëve të uritur, britmave të shëmtuara e qortimeve. Por njëkohësisht ai e mori vesh tani, dhe e mori vesh me siguri, se, ndonëse ajo ishte e pikëlluar dhe kishte tmerrësisht frikë nga diçka, duke filluar tani të lexonte, prapëseprapë asaj vetë i digjej shpirti të lexonte, pavarësisht nga gjithë pikëllimi e nga gjithë frika, dhe pikërisht atij, që ai të dëgjonte, dhe patjetër tani — „çfarëdo që të dalë pastaj!“… Këtë e lexoi në sytë e saj, e kuptoi nga trazimi i saj i ngazëllyer… Ajo e mposhti veten, e shtypi ngërçin e fytit që ia kishte prerë zërin në fillim të vargut, dhe vazhdoi leximin e kapitullit të njëmbëdhjetë të Ungjillit të Gjonit. Kështu arriti deri te vargu i 19-të:

„Dhe shumë nga judenjtë kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar në hidhërimin për vëllanë e tyre. Marta, kur dëgjoi se po vjen Jezusi, doli ta takonte; kurse Maria rrinte në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit: Zot! sikur të kishe qenë këtu, vëllai im s’do të kishte vdekur. Por edhe tani e di se çfarëdo që t’i kërkosh Perëndisë, Perëndia do të ta japë“.

Këtu ajo u ndal përsëri, duke parandier me turp se zëri do t’i dridhej e do t’i këputej përsëri…

„Jezusi i thotë: Vëllai yt do të ringjallet. Marta i tha: E di se do të ringjallet në ringjallje, ditën e fundit. Jezusi i tha: Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të vdesë, do të rrojë. Dhe kushdo që rron e beson në mua, s’do të vdesë kurrë. A e beson këtë? Ajo i thotë

(dhe sikur duke marrë frymë me dhimbje, Sonja lexoi duke i ndarë fjalët e me forcë, sikur ta rrëfente vetë para gjithë botës):

Po, Zot! Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë“.

Ajo desh të ndalej, ngriti shpejt sytë drejt tij, por e mposhti sa më shpejt veten dhe filloi të lexonte më tej. Raskolnikovi rrinte e dëgjonte pa lëvizur, pa u kthyer, i mbështetur me bërryl në tryezë e duke shikuar anash. Arritën deri te vargu i 32-të.

„Kurse Maria, kur erdhi atje ku ishte Jezusi dhe e pa, ra në këmbët e tij; dhe i tha: Zot! sikur të kishe qenë këtu, vëllai im s’do të kishte vdekur. Jezusi, kur e pa që qante, dhe që qanin edhe judenjtë që kishin ardhur me të, u pikëllua në shpirt dhe u trondit. Dhe tha: Ku e keni vënë? I thonë: Zot! eja e shih. Jezusi qau. Atëherë judenjtë thoshin: Shih sa e donte! Kurse disa prej tyre thanë: A s’mund ky, që ia hapi sytë të verbrit, të bënte që edhe ky të mos vdiste?“

Raskolnikovi u kthye nga ajo dhe e vështronte i trazuar: po, pikërisht kështu! Ajo dridhej tashmë e tëra në ethe të vërteta, të njëmendta. Ai e kishte pritur këtë. Ajo po i afrohej fjalës për mrekullinë më të madhe e të padëgjuar, dhe një ndjenjë ngadhënjimi të madh e pushtoi. Zëri i saj u bë kumbues si metal; ngadhënjimi e gëzimi tingëllonin në të dhe e forconin. Rreshtat i ngatërroheshin përpara, sepse sytë i errësoheshin, por ajo e dinte përmendësh atë që lexonte. Te vargu i fundit: „A s’mund ky, që ia hapi sytë të verbrit…“ — ajo, duke e ulur zërin, e përcolli me zjarr e me pasion dyshimin, qortimin e blasfeminë e judenjve mosbesues, të verbër, që tani, pas një minute, si të goditur nga rrufeja, do të bien, do të qajnë me dënesë e do të besojnë… „Dhe ai, ai — edhe ai i verbuar e mosbesues, — edhe ai do të dëgjojë tani, edhe ai do të besojë, po, po! menjëherë, që tani“, — ëndërronte ajo, dhe dridhej nga një pritje e gëzueshme.

„Kurse Jezusi, duke u pikëlluar përsëri përbrenda, shkon te varri. Ishte një shpellë, dhe mbi të ishte vënë një gur. Jezusi thotë: Hiqeni gurin. Motra e të vdekurit, Marta, i thotë: Zot! tashmë qelbet, sepse ka katër ditë që është në varr“.

Ajo e theksoi me energji fjalën: katër.

„Jezusi i thotë: A s’të thashë se, po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë? E hoqën, pra, gurin nga shpella ku dergjej i vdekuri. Kurse Jezusi i ngriti sytë nga qielli dhe tha: Atë, të falënderoj që më dëgjove. Unë e dija që ti më dëgjon gjithmonë; po e thashë këtë për popullin që qëndron këtu, që të besojnë se ti më ke dërguar. Pasi tha këtë, thirri me zë të madh: Llazar! dil jashtë. Dhe i vdekuri doli,

(lexoi ajo me zë të lartë e me ngazëllim, duke u dridhur e duke u ftohur, sikur ta shihte me sytë e vet):

Atëherë shumë nga judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë ç’bëri Jezusi, besuan në të“.

Më tej ajo s’lexoi e s’mund të lexonte, e mbylli librin dhe u ngrit shpejt nga karrigia.

— E gjitha për ringjalljen e Llazarit, — pëshpëriti ajo shkurt e rreptë dhe qëndroi pa lëvizur, e kthyer anash, pa guxuar e sikur duke pasur turp t’i ngrinte sytë drejt tij. Dridhja e saj si në ethe vazhdonte ende. Cungu i qiriut po shuhej prej kohësh në shandanin e shtrembër, duke ndriçuar zbehtë në këtë dhomë lypësish vrasësin dhe laviren, që ishin bashkuar çuditshëm në leximin e librit të përjetshëm. Kaluan nja pesë minuta a më shumë.

— Erdha të flas për një punë, — tha befas Raskolnikovi me zë të lartë e i vrenjtur, u ngrit dhe iu afrua Sonjës. Ajo ngriti në heshtje sytë drejt tij. Vështrimi i tij ishte veçanërisht i ashpër, dhe në të shprehej njëfarë vendosmërie e egër.

— Sot i braktisa të afërmit, — tha ai, — nënën e motrën. Nuk do të shkoj më tek ato tani. Atje i këputa të gjitha.

— Pse? — pyeti Sonja si e shtangur. Takimi i mëparshëm me nënën e motrën e tij i kishte lënë një përshtypje të jashtëzakonshme, ndonëse të paqartë edhe për vetë atë. Lajmin për prishjen e dëgjoi gati me tmerr.

— Tani kam vetëm ty, — shtoi ai. — Eja të shkojmë bashkë… Erdha te ti. Jemi të mallkuar bashkë, bashkë edhe do të shkojmë!

Sytë i shkreptinin. „Si gjysmë i çmendur!“ — mendoi nga ana e saj Sonja.

— Ku të shkojmë? — pyeti ajo me frikë dhe u zmbraps pa dashje.

— Po nga ta di unë? Di vetëm që në një rrugë, e di me siguri, — dhe kaq. Një qëllim!

Ajo e vështronte dhe s’kuptonte asgjë. Kuptonte vetëm që ai ishte tmerrësisht, pafundësisht fatkeq.

— Asnjëri prej tyre s’do të kuptojë asgjë, po t’u flasësh, — vazhdoi ai, — kurse unë kuptova. Ti më duhesh, prandaj erdha te ti.

— S’kuptoj… — pëshpëriti Sonja.

— Do ta kuptosh më vonë. Vallë ti s’bëre të njëjtën gjë? Edhe ti e kapërceve… mundove ta kapërcesh. Ti ngrite dorë mbi veten, ti e shkatërrove një jetë… tënden (është njësoj!). Ti mund të rroje me shpirt e me mendje, kurse do të përfundosh në Sennaja… Por ti s’mund të durosh, dhe po të mbetesh vetëm, do të çmendesh, si edhe unë. Ti edhe tani je si e çmendur; pra, duhet të shkojmë bashkë, në një rrugë! Eja!

— Pse? Pse e thoni këtë! — tha Sonja, e trazuar çuditshëm e me rebelim nga fjalët e tij.

— Pse? Sepse kështu s’mund të mbetet — ja pse! Duhet më në fund të gjykosh seriozisht e drejt, e jo të qash si fëmijë e të bërtasësh që Zoti s’do ta lejojë! Hë, ç’do të bëhet, po të të çojnë vërtet nesër në spital? Ajo s’është në mend e ka tuberkuloz, do të vdesë shpejt, po fëmijët? Vallë Poleçka s’do të humbasë? Vallë s’ke parë këtu fëmijë, nëpër qoshe, që nënat i dërgojnë të lypin? Unë kam pyetur ku rrojnë këto nëna e në ç’mjedis. Atje fëmijët s’mund të mbeten fëmijë. Atje shtatëvjeçari është i shthurur e vjedhës. Po fëmijët janë shëmbëlltyra e Krishtit: „E tyre është mbretëria e Perëndisë“.6 Ai urdhëroi t’i nderojmë e t’i duam, ata janë njerëzimi i ardhshëm…

— Po ç’të bëj, ç’të bëj? — përsëriste Sonja, duke qarë në histeri e duke përdredhur duart.

— Ç’të bësh? Të thyesh atë që duhet, njëherë e përgjithmonë, dhe kaq: dhe ta marrësh vuajtjen përsipër! Ç’ka? S’e kupton? Do ta kuptosh më vonë… Lirinë e pushtetin, e kryesorja pushtetin! Mbi gjithë krijesën që dridhet e mbi gjithë milingonën!.. Ja qëllimi! Mbaje mend këtë! Kjo është porosia ime për ty! Ndoshta po flas me ty për herë të fundit. Po të mos vij nesër, do t’i dëgjosh të gjitha vetë, dhe atëherë kujtoji këto fjalë të tanishme. Dhe ndonjë ditë, më vonë, pas vitesh, me jetën, ndoshta edhe do ta kuptosh ç’donin të thoshin. Kurse po të vij nesër, do të të them kush e vrau Lizavetën. Lamtumirë!

Sonja u drodh e tëra nga frika.

— Po vallë ju e dini kush e vrau? — pyeti ajo, duke ngrirë nga tmerri e duke e vështruar egërsisht.

— E di dhe do ta them… Ty, vetëm ty! Unë të zgjodha ty. Nuk do të vij të të kërkoj falje, thjesht do ta them. Të kam zgjedhur prej kohësh që të ta them këtë, qysh atëherë, kur babai yt fliste për ty e kur Lizaveta ishte gjallë, e mendova këtë. Lamtumirë. Mos më jep dorën. Nesër!

Ai doli. Sonja e vështronte si një të çmendur; por edhe ajo vetë ishte si e marrë dhe e ndiente këtë. Koka i vërtitej. „O Zot! si e di ai kush e vrau Lizavetën? Ç’donin të thoshin këto fjalë? E tmerrshme është kjo!“ Por njëkohësisht mendimi s’i vinte ndër mend. Në asnjë mënyrë! Në asnjë mënyrë!.. „Oh, ai duhet të jetë tmerrësisht fatkeq!.. I braktisi nënën e motrën. Pse? Ç’ndodhi? Dhe ç’ka ai ndër mend? Ç’ishin këto që i thoshte? I puthi këmbën dhe i thoshte… i thoshte (po, këtë e tha qartë) se pa të s’mund të rrojë më… O Zot!“

Në ethe e në kllapi e kaloi Sonja gjithë natën. Herë-herë hidhej përpjetë, qante, përdridhte duart, herë binte përsëri në një gjumë me ethe, dhe shihte në ëndërr Poleçkën, Katerina Ivanovnën, Lizavetën, leximin e Ungjillit dhe atë… atë, me fytyrën e tij të zbehtë, me sytë që i digjnin… Ai i puth këmbët, qan… O Zot!

Pas derës djathtas, pas po asaj dere që e ndante banesën e Sonjës nga banesa e zonjës Gertruda Karlovna Resslih, ishte një dhomë e ndërmjetme, prej kohësh bosh, që i përkiste banesës së zonjës Resslih dhe që ajo e jepte me qira, për çka ishin vënë edhe etiketa te porta e ishin ngjitur letra te xhamat e dritareve që dilnin nga kanali. Sonja prej kohësh ishte mësuar ta quante këtë dhomë të pabanuar. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, te dera në dhomën bosh kishte qëndruar zoti Svidrigajlov dhe, i fshehur, kishte përgjuar. Kur doli Raskolnikovi, ai qëndroi pak, u mendua, shkoi në majë të gishtave në dhomën e tij, ngjitur me dhomën bosh, mori një karrige dhe e solli pa zhurmë mu te dera që të çonte në dhomën e Sonjës. Biseda iu duk interesante e domethënëse, dhe i pëlqeu shumë, shumë, — aq i pëlqeu, sa e solli edhe karrigen, që në të ardhmen, qoftë edhe nesër, për shembull, të mos i nënshtrohej përsëri pakëndshmërisë së qëndrimit një orë të tërë në këmbë, po të rregullohej më rehat, që të merrte kënaqësinë e plotë në të gjitha drejtimet.

Shënime

  1. Rus. jurodivaja: „e marrë për hir të Krishtit“. Në traditën ortodokse ruse, jurodivyj quhej njeriu që dukej i çmendur ose tepër i thjeshtë, por që populli e nderonte si të shenjtë e të frymëzuar nga Zoti. ↩︎

  2. Dhiata e Re ishte botuar e plotë në rusishten e kohës vetëm pak vite më parë (1862); në shërbesat kishtare përdorej sllavishtja kishtare. ↩︎

  3. Ungjilli i katërt: Ungjilli sipas Gjonit; ringjallja e Llazarit tregohet në kapitullin 11. ↩︎

  4. Versta e shtatë: në rrugën e Peterhofit, në verstën e shtatë nga qyteti, ndodhej spitali i Petersburgut për të sëmurët mendorë. ↩︎

  5. Jehonë e fjalëve të Krishtit: „Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë“ (Mateu 5:8). ↩︎

  6. Aludim për fjalët e Krishtit: „Lërini fëmijët të vijnë tek unë… sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë“ (Marku 10:14). ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat