← Krim dhe ndëshkim

Pjesa e gjashtë — IV · Krim dhe ndëshkim

Kapitulli 35 nga 41

— Ju e dini, ndoshta (po, megjithatë, jua kam treguar edhe vetë), — filloi Svidrigajlovi, — që unë kam ndenjur këtu në burgun e borxhlinjve, për një llogari të madhe, e pa pasur as mjetin më të vogël në dukje për ta paguar. S’ka nevojë të hyj në hollësi si më shpengoi atëherë Marfa Petrovna; a e dini deri në ç’shkallë trullosjeje mund të dashurojë ndonjëherë një grua? Ishte një grua e ndershme, aspak budallaqe (megjithëse krejt e pashkollë). Përfytyroni pra se pikërisht kjo grua xheloze e e ndershme vendosi të ulej, pas shumë ekstazave e qortimeve të tmerrshme, në njëfarë kontrate me mua, të cilën e zbatoi gjatë gjithë kohës së martesës sonë. Puna është se ajo ishte dukshëm më e madhe se unë, përveç kësaj, mbante vazhdimisht në gojë njëfarë karafili. Unë pata aq derrëri në shpirt e njëfarë ndershmërie të llojit tim, sa t’i deklaroja drejt se s’mund t’i jem krejtësisht besnik. Ky pohim e çoi në ekstazë, por, me sa duket, sinqeriteti im i vrazhdë i pëlqeu në njëfarë mënyre: „Pra, gjoja, vetë s’do të mashtrojë, meqë e deklaron kështu që më parë“, — hë, e për një grua xheloze kjo është gjëja e parë. Pas lotësh të gjatë u lidh midis nesh kjo lloj kontrate gojore: e para, unë kurrë s’do ta lë Marfa Petrovnën dhe do të mbetem gjithmonë burri i saj; e dyta, pa lejen e saj s’do të largohem gjëkundi; e treta, dashnore të përhershme kurrë s’do të mbaj; e katërta, për këtë Marfa Petrovna më lejon t’u hedh ndonjëherë sytë shërbëtoreve të shtëpisë,1 por jo ndryshe veçse me dijeninë e saj të fshehtë; e pesta, Zoti më ruajtë të dashuroj një grua nga shtresa jonë; e gjashta, nëse rastësisht, Zoti na ruajt, do të më vizitojë ndonjë pasion, i madh e serioz, atëherë duhet t’ia zbuloj Marfa Petrovnës. Sa i përket pikës së fundit, Marfa Petrovna ishte, megjithatë, gjatë gjithë kohës mjaft e qetë; ishte grua e zgjuar, e rrjedhimisht s’mund të më shikonte ndryshe veçse si një të shthurur e kurvar, që s’është në gjendje të dashurojë seriozisht. Por gruaja e zgjuar dhe gruaja xheloze janë dy gjëra të ndryshme, dhe pikërisht këtu është hataja. Megjithatë, për të gjykuar pa anësi disa njerëz, duhet të heqësh dorë që më parë nga disa pikëpamje të paragjykuara dhe nga zakoni i përditshëm ndaj njerëzve e sendeve që na rrethojnë zakonisht. Në gjykimin tuaj, më shumë se në të kujtdo tjetër, kam të drejtë të shpresoj. Ndoshta keni dëgjuar shumë gjëra qesharake e absurde për Marfa Petrovnën. Vërtet, ajo kishte disa zakone shumë qesharake; por do t’ju them drejt se më vjen sinqerisht keq për hidhërimet e panumërta që i kam shkaktuar. Hë, dhe mjaft, me sa duket, për një oraison funèbre2 shumë të hijshëm për gruan më të butë të burrit më të butë. Në rastet e grindjeve tona unë, në pjesën më të madhe, heshtja e s’nervozohesha, dhe kjo xhentëllmenëri e arrinte pothuajse gjithmonë qëllimin; ndikonte mbi të dhe madje i pëlqente; kishte raste që madje krenohej me mua. Por motrën tuaj megjithatë s’e duroi. E si ndodhi që ajo rrezikoi të merrte në shtëpinë e saj si guvernante një bukuroshe të tillë! Unë e shpjegoj me faktin se Marfa Petrovna ishte grua e zjarrtë e e ndjeshme dhe se, thjesht e qartë, ajo vetë u dashurua, — fjalë për fjalë u dashurua, — me motrën tuaj. Hë, po edhe Avdotja Romanovna! E kuptova shumë mirë, qysh në shikim të parë, se këtu puna ishte keq, dhe — ç’mendoni? — vendosa të mos i ngrija as sytë drejt saj. Por Avdotja Romanovna bëri vetë hapin e parë — e besoni apo jo? A besoni gjithashtu se Marfa Petrovna arriti deri aty sa në fillim madje zemërohej me mua për heshtjen time të vazhdueshme për motrën tuaj, ngaqë isha kaq indiferent ndaj fjalëve të saj të pandërprera e plot dashuri për Avdotja Romanovnën? As vetë s’e kuptoj ç’donte! Hë, natyrisht, Marfa Petrovna i tregoi Avdotja Romanovnës për mua gjithçka deri në rrënjë. Ajo kishte një tipar fatkeq, t’u tregonte vendosmërisht të gjithëve të gjitha të fshehtat tona familjare e t’u ankohej pa pushim të gjithëve për mua; si të mos e shfrytëzonte një mike kaq të re e kaq të bukur? Supozoj se ato s’kishin bisedë tjetër veç për mua, dhe, pa dyshim, Avdotja Romanovnës iu bënë të njohura të gjitha ato përralla të zymta, misterioze, që më atribuohen… Vë bast se edhe ju keni dëgjuar diçka të tillë?

— Kam dëgjuar. Luzhini ju akuzonte se madje ishit shkaku i vdekjes së një fëmije. E vërtetë është?

— Bëmëni nder, lërini të qeta gjithë këto banalitete, — u shmang me neveri e me mërzi Svidrigajlovi, — nëse doni kaq patjetër të mësoni për gjithë këtë marrëzi, atëherë do t’jua tregoj ndonjëherë veçmas, kurse tani…

— Flitej gjithashtu për njëfarë shërbëtori tuaj në fshat dhe se gjoja edhe për këtë ishit shkaku i diçkaje.

— Bëmëni nder, mjaft! — e ndërpreu përsëri me padurim të dukshëm Svidrigajlovi.

— Mos është ai shërbëtori që vinte pas vdekjes t’ju mbushte llullën… që ma treguat vetë? — nervozohej gjithnjë e më shumë Raskolnikovi.

Svidrigajlovi e vështroi me vëmendje Raskolnikovin, dhe këtij iu duk se në atë vështrim shkrepi në çast, si rrufe, një buzëqeshje e ligë, por Svidrigajlovi u përmbajt dhe u përgjigj me shumë mirësjellje:

— Pikërisht ai. Shoh që edhe juve ju interesojnë jashtëzakonisht të gjitha këto, dhe do ta quaj për detyrë, në rastin e parë të përshtatshëm, ta kënaq kureshtjen tuaj pikë për pikë. Dreqi e mori! Shoh që vërtet mund t’i dukem dikujt personazh romanesk. Gjykoni, pra, deri në ç’shkallë jam i detyruar pas kësaj ta falënderoj të ndjerën Marfa Petrovna që i tregoi motrës suaj për mua kaq shumë gjëra misterioze e interesante. S’guxoj të gjykoj për përshtypjen; por, në çdo rast, kjo ishte në dobinë time. Me gjithë neverinë e natyrshme të Avdotja Romanovnës për mua dhe pavarësisht nga pamja ime e përhershme e zymtë e e neveritshme, — më në fund asaj i erdhi keq për mua, i erdhi keq për një njeri të humbur. E kur zemrës së një vajze i vjen keq, atëherë, natyrisht, kjo është për të më e rrezikshmja nga të gjitha. Atëherë patjetër i vjen edhe ta „shpëtojë“, edhe ta sjellë në mend, edhe ta ringjallë, edhe ta thërrasë drejt qëllimeve më fisnike, edhe ta rilindë për një jetë e veprimtari të re, — hë, dihet ç’mund të ëndërrohet në këtë drejtim. E mora menjëherë me mend se zogu po fluturonte vetë në rrjetë dhe, nga ana ime, u përgatita. Ju, me sa duket, po vrenjteni, Rodion Romaniç? S’ka gjë, zotëri, puna, siç e dini, mbaroi me vogëlsira. (Dreqi e mori, sa verë po pi!) E dini, mua gjithmonë më ka ardhur keq, qysh nga fillimi, që fati s’e la motrën tuaj të lindte në shekullin e dytë a të tretë të erës sonë, diku si bijë e ndonjë princi sundimtar a ndonjë guvernatori, a ndonjë prokonsulli në Azinë e Vogël. Ajo, pa dyshim, do të ishte një nga ato që pësuan martirizimin, dhe, natyrisht, do të buzëqeshte kur t’ia digjnin gjoksin me darë të skuqura. Do të shkonte vetë në këtë me qëllim, kurse në shekujt e katërt e të pestë do të ikte në shkretëtirën e Egjiptit3 dhe do të rronte atje tridhjetë vjet, duke u ushqyer me rrënjë, me ngazëllime e me vegime. Ajo vetë vetëm këtë e ka etje, dhe kërkon që të marrë sa më shpejt ndonjë mundim për dikë, e po s’ia dhe këtë mundim, ndoshta do të hidhet nga dritarja. Kam dëgjuar diçka për njëfarë zoti Razumihin. Ai është djalë, thonë, i arsyeshëm (gjë që e tregon edhe mbiemri i tij, duhet të jetë seminarist),4 hë, pra le ta ruajë motrën tuaj. Me një fjalë, unë, me sa duket, e kuptova, gjë që e quaj nder për veten. Por atëherë, domethënë në fillim të njohjes, e dini vetë, je gjithmonë disi më mendjelehtë e më budalla, shikon gabim, sheh tjetër gjë. Dreqi e mori, pse është kaq e bukur? S’jam unë fajtor! Me një fjalë, tek unë filloi me vrullin më të papërmbajtshëm epshor. Avdotja Romanovna është tmerrësisht e dëlirë, në mënyrë të padëgjuar e të paparë. (Mbajeni parasysh, po jua tregoj këtë për motrën tuaj si fakt. Ajo është e dëlirë, ndoshta deri në sëmundje, pavarësisht nga gjithë mendja e saj e gjerë, dhe kjo do ta dëmtojë.) Pikërisht atëherë na ndodhi një vajzë, Parasha, Parasha me sy të zinj, që sapo e kishin sjellë nga një fshat tjetër, shërbëtore shtëpie, që s’e kisha parë ende kurrë, — shumë e bukur, por budallaqe në mënyrë të pabesueshme: shpërtheu në lot, nisi ulërimën në gjithë oborrin, e doli skandal. Një herë, pas drekës, Avdotja Romanovna më gjeti me qëllim vetëm në rrugicën e kopshtit dhe me sy që i shkreptinin kërkoi nga unë ta lija të qetë Parashën e gjorë. Kjo ishte gati biseda jonë e parë vetëm për vetëm. Unë, natyrisht, e quajta nder ta plotësoja dëshirën e saj, u përpoqa të bëja sikur isha i tronditur, i turbulluar, hë, me një fjalë, e luajta rolin jo keq. Filluan marrëdhëniet, bisedat misterioze, moralizimet, mësimet, lutjet, përgjërimet, madje edhe lotët, — a e besoni, madje edhe lotët! Ja deri në ç’fuqi arrin te disa vajza pasioni për propagandën! Unë, natyrisht, ia hodha të gjitha fatit tim, bëra sikur kisha uri e etje për dritën dhe, më në fund, vura në punë mjetin më të madh e të palëkundur për të pushtuar zemrën e gruas, mjetin që kurrë s’e mashtron askënd e që vepron vendosmërisht mbi të gjitha deri te e fundit, pa asnjë përjashtim. Ky mjet është i njohur — lajka. S’ka asgjë në botë më të vështirë se drejtësia e zemrës, dhe s’ka asgjë më të lehtë se lajka. Nëse në drejtësinë e zemrës ka qoftë edhe një të qindtën e një note të rreme, atëherë menjëherë ndodh disonanca, e pas saj — skandali. Kurse nëse në lajkë edhe gjithçka deri në notën e fundit është e rreme, edhe atëherë ajo është e këndshme dhe dëgjohet jo pa kënaqësi; qoftë edhe me një kënaqësi të vrazhdë, por megjithatë me kënaqësi. Dhe sado e vrazhdë të jetë lajka, në të patjetër të paktën gjysma duket e vërtetë. Dhe kjo për të gjitha zhvillimet e shtresat e shoqërisë. Madje edhe vestalen5 mund ta joshësh me lajka. E për njerëzit e zakonshëm as që ka ç’të thuhet. Pa qeshur s’mund ta kujtoj si e joshja një herë një zonjë, të përkushtuar ndaj burrit të saj, fëmijëve të saj e virtyteve të saj. Sa e gëzuar ishte kjo e sa pak punë kishte! E zonja ishte vërtet e virtytshme, të paktën në mënyrën e saj. Gjithë taktika ime qëndronte në atë që çdo minutë isha thjesht i dërrmuar e bija përmbys para dëlirësisë së saj. E lajkatoja pa Zot, dhe sapo, ndodhte, arrija një shtrëngim dore, madje një vështrim, e qortoja veten se ia kisha rrëmbyer me forcë, se ajo kishte rezistuar, se kishte rezistuar aq shumë, sa me siguri kurrë s’do të kisha marrë asgjë, sikur të mos isha vetë kaq i ves-shëm; se ajo, në pafajësinë e saj, s’e kishte parashikuar pabesinë dhe ishte dorëzuar pa dashje, pa e ditur vetë, pa pasur dijeni, e kështu me radhë, e kështu me radhë. Me një fjalë, i arrita të gjitha, kurse zonja ime mbeti në shkallën më të lartë e bindur se ishte e pafajshme e e dëlirë dhe i plotësonte të gjitha detyrat e detyrimet, e kishte humbur krejt rastësisht. E sa u zemërua me mua kur i deklarova në fund se, sipas bindjes sime të sinqertë, ajo kishte kërkuar kënaqësi po aq sa edhe unë. Edhe Marfa Petrovna e gjorë dorëzohej tmerrësisht para lajkës, dhe sikur të kisha dashur vetëm, natyrisht, do t’ia kisha kaluar në emrin tim gjithë pasurinë qysh kur ishte gjallë. (Megjithatë po pi tmerrësisht shumë verë e po llafos.) Shpresoj se s’do të zemëroheni nëse përmend tani që po ai efekt filloi të realizohej edhe me Avdotja Romanovnën. Po unë vetë qeshë budalla e i padurueshëm dhe e prisha gjithë punën. Avdotja Romanovnës edhe disa herë më parë (e një herë disi veçanërisht) s’i pëlqeu tmerrësisht shprehja e syve të mi, a e besoni këtë? Me një fjalë, në to ndizej gjithnjë e më fort e më pa kujdes njëfarë zjarri që e trembte e që më në fund iu bë i urryer. S’ka pse të tregoj hollësitë, por u ndamë. Këtu bëra përsëri budallallëk. Fillova të tallesha në mënyrën më të vrazhdë me gjithë këto propaganda e kthime në besim; Parasha doli përsëri në skenë, e jo vetëm ajo, — me një fjalë, filloi një Sodomë e vërtetë. Oh, sikur ta kishit parë, Rodion Romaniç, qoftë edhe një herë në jetë, sytë e motrës suaj ashtu siç dinë ndonjëherë të shkreptijnë! S’ka gjë që tani jam i dehur e kam pirë tashmë një gotë të tërë verë, po them të vërtetën; ju siguroj se ky vështrim më ka dalë në ëndërr; fëshfërimën e fustanit të saj më në fund s’e duroja dot më. Vërtet, mendova se do të më binte sëmundja e tokës; kurrë s’e kisha përfytyruar se mund të arrija në një ekstazë të tillë. Me një fjalë, duhej patjetër të pajtohesha; po kjo ishte tashmë e pamundur. E përfytyroni ç’bëra atëherë? Deri në ç’shkallë trullosjeje mund ta çojë tërbimi njeriun! Kurrë mos ndërmerrni asgjë në tërbim, Rodion Romaniç. Duke llogaritur se Avdotja Romanovna, në thelb, është lypëse (ah, më falni, s’desha të them këtë… po a s’është njësoj, nëse shprehet po ai koncept?), me një fjalë, rron me punën e duarve të saj, se ka në ngarkim edhe nënën, edhe ju (ah, dreqi, prapë po vrenjteni…), vendosa t’i propozoja të gjitha paratë e mia (deri në tridhjetë mijë mund t’i siguroja edhe atëherë), që të ikte me mua qoftë edhe këtu, në Petersburg. Natyrisht, këtu do të betohesha për dashuri të përjetshme, lumturi e kështu me radhë, e kështu me radhë. A e besoni, isha atëherë aq i marrosur, sa po të më thoshte: there ose helmo Marfa Petrovnën e martohu me mua, — kjo do të bëhej menjëherë! Por gjithçka mbaroi me katastrofën që e dini tashmë, dhe mund ta gjykoni vetë deri në ç’tërbim mund të arrija, kur mora vesh se Marfa Petrovna e kishte gjetur atëherë atë nëpunësin e zyrave më të poshtër, Luzhinin, dhe gati e kishte sajuar dasmën, — gjë që, në thelb, do të ishte po ajo që propozoja edhe unë. Apo jo? Apo jo? Kështu, apo jo? Vërej se ju filluat të dëgjoni shumë me vëmendje… djalë i ri interesant…

Svidrigajlovi goditi me padurim me grusht mbi tryezë. Ishte skuqur. Raskolnikovi e pa qartë se gota a gota e gjysmë shampanjë që kishte pirë, duke e rrufitur pa u vënë re, me gllënjka, kishte ndikuar mbi të në mënyrë të sëmurë, — dhe vendosi ta shfrytëzonte rastin. Svidrigajlovi i dukej shumë i dyshimtë.

— Hë, pas kësaj jam plotësisht i bindur se edhe këtu erdhët duke pasur parasysh motrën time, — i tha ai Svidrigajlovit drejt e pa u fshehur, që ta ngacmonte edhe më shumë.

— Eh, mjaft, — sikur u përmend befas Svidrigajlovi, — se unë ju thashë… e përveç kësaj, motra juaj s’më duron dot.

— Po edhe unë jam i bindur se s’ju duron, po s’është tani puna këtu.

— Po ju jeni i bindur se s’më duron? (Svidrigajlovi mblodhi sytë dhe buzëqeshi me tallje.) Keni të drejtë, ajo s’më do; po kurrë mos u bëni garant për punët që kanë ndodhur midis burrit e gruas ose dashnorit e dashnores. Këtu ka gjithmonë një qoshe të vogël, që i mbetet gjithmonë e panjohur gjithë botës e që e dinë vetëm ata të dy. Ju garantoni se Avdotja Romanovna më shikonte me neveri?

— Nga disa fjalë e fjalëza tuajat gjatë tregimit tuaj vërej se ju edhe tani keni pikëpamjet tuaja e qëllimet më të ngutshme ndaj Dunjës, natyrisht të ulëta.

— Si! M’i shpëtuan fjalë e fjalëza të tilla? — u tremb befas me naivitet të madh Svidrigajlovi, duke mos i kushtuar as vëmendjen më të vogël epitetit që iu dha qëllimeve të tij.

— Po ju shpëtojnë edhe tani. Hë, pse keni, për shembull, kaq frikë? Nga se u trembët befas tani?

— Unë kam frikë e trembem? Trembem nga ju? Më shumë duhet të keni frikë ju nga unë, cher ami.6 E ç’marrëzi, megjithatë… Po, megjithatë, jam dehur, e shoh këtë; gati sa s’më shpëtoi prapë goja. Në djall vera! Hej, ujë!

Ai rrëmbeu shishen dhe pa ceremoni e hodhi nga dritarja. Filipi solli ujë.

— Të gjitha këto janë marrëzira, — tha Svidrigajlovi, duke lagur peshqirin e duke e vënë në kokë, — po unë mund t’ju ul hundën me një fjalë e t’ua bëj pluhur të gjitha dyshimet. A e dini, për shembull, që po martohem?

— Këtë ma keni thënë edhe më parë.

— Ua kam thënë? E harrova. Po atëherë s’mund ta thoja me siguri, sepse as nusen s’e kisha parë ende; vetëm e kisha ndër mend. Hë, kurse tani e kam nusen, dhe puna është bërë, e sikur të mos ishin punët, të ngutshme, do t’ju merrja patjetër e do t’ju çoja tani tek ata, — sepse dua t’ju kërkoj këshillë. Hej, dreqi! Mbeten vetëm dhjetë minuta. E shihni, shikoni orën; po, megjithatë, do t’jua tregoj, sepse është një gjë interesante, martesa ime, në llojin e vet, domethënë, — ku po shkoni? Prapë po ikni?

— Jo, tani s’do të iki më.

— Krejt s’do të ikni? Do ta shohim! Do t’ju çoj atje, kjo është e vërtetë, do t’jua tregoj nusen, po jo tani, kurse tani së shpejti do të jetë koha për ju. Ju djathtas, unë majtas. E njihni këtë Resslih? Pikërisht këtë Resslih, te e cila banoj tani, — a? Dëgjoni? Jo, ç’mendoni, pikërisht ajo për të cilën thonë se vajza, në ujë, në dimër, — hë, dëgjoni? Dëgjoni? Hë, pra ajo m’i gatoi të gjitha; ty, thotë, të vjen kështu mërzi, zbavitu pak. Kurse unë jam njeri i zymtë, i mërzitshëm. Ju mendoni, i gëzuar? Jo, i zymtë: s’bëj dëm, po rri në qoshe; ndonjëherë tri ditë s’më nxjerrin dot fjalë. Kurse kjo Resslih është maskarenjë, do t’ju them, se ajo ç’ka ndër mend: unë do të mërzitem, do ta lë gruan e do të iki, kurse gruaja do t’i mbetet asaj, e ajo do ta vërë në qarkullim; në shtresën tonë, domethënë, e edhe më lart. Ka, thotë, një baba të tillë të paralizuar, nëpunës në pension, rri në kolltuk e prej tre vjetësh s’lëviz këmbët. Ka, thotë, edhe nënë, zonjë e arsyeshme, mamaja. Djali shërben diku në gubernia, s’ndihmon. E bija u martua e s’i viziton, kurse në duar kanë dy nipër të vegjël (sikur të tyret të ishin pak), dhe e morën, pa e mbaruar kursin, nga gjimnazi vajzën, të bijën e fundit, pas një muaji i mbushen gjashtëmbëdhjetë vjeç, pra pas një muaji mund ta martojnë. Me mua, domethënë. Shkuam; sa qesharake është kjo te ata; prezantohem: pronar tokash, i ve, nga një familje e njohur, me lidhje të tilla e të tilla, me kapital, — hë, ç’ka që unë jam pesëdhjetë e ajo s’i ka mbushur as gjashtëmbëdhjetë? Kush e shikon këtë? Hë, po është joshëse, a? Se është joshëse, ha-ha! T’i kishit parë si u nisa të flisja me babain e me nënën! Duhej paguar vetëm për të më parë në atë kohë. Del ajo, bën reverancë, hë, mund ta përfytyroni, ende me fustan të shkurtër, një burbuqe e pacelur, skuqet, ndizet si agimi (ia kishin thënë, natyrisht). S’e di si jeni ju për fytyrat e grave, po sipas meje, këta gjashtëmbëdhjetë vjet, këta sy ende fëminorë, kjo druajtje e këta lot të vegjël turpi, — sipas meje, kjo është më mirë se bukuria, e ajo për më tepër është edhe vetë si pikturë. Flokë të çelët, të ngritur në kaçurrela të vogla si të qengjit, buzë të plota, të kuqe, këmbë — mrekulli!.. Hë, u njohëm, unë deklarova se nxitoj për rrethana familjare, dhe të nesërmen, pardje domethënë, na bekuan. Që atëherë, sa vij, e marr menjëherë në prehër dhe s’e lëshoj… Hë, ndizet si agimi, kurse unë e puth çdo minutë; mamaja, natyrisht, i mbush mendjen se ky, gjoja, është burri yt e kështu kërkohet, me një fjalë, mjaltë! Dhe kjo gjendje e tanishme, e të fejuarit, vërtet, ndoshta është më e mirë se ajo e burrit. Këtu është ajo që quhet la nature et la vérité!7 Ha-ha! Kam folur me të nja dy herë — s’është aspak budallaqe vajza; ndonjëherë kështu më vështron fshehurazi — sa më djeg. E dini, ka një fytyrë si Madona e Rafaelit. Se Madona Sistina8 ka fytyrë fantastike, fytyrë e një „të marre të Zotit“ të pikëlluar, s’ju ka rënë në sy? Hë, pra diçka e tillë. Sapo na bekuan, të nesërmen i solla dhurata për një mijë e pesëqind: një stoli me diamante, një tjetër me perla dhe një kuti tualeti grash prej argjendi — ja kaq e madhe, me lloj-lloj gjërash, saqë edhe asaj, madonës, iu skuq fytyra. Dje e ula në prehër, po, me sa duket, tepër pa ceremoni, — u skuq e tëra e i shpërthyen lotët, po s’do ta tregojë, digjet e tëra. Dolën të gjithë për një minutë, mbetëm vetëm ne të dy, befas më hidhet në qafë (vetë, për herë të parë), më përqafon me të dyja duart e vogla, më puth dhe betohet se do të jetë për mua grua e bindur, besnike e e mirë, se do të më bëjë të lumtur, se do ta përdorë gjithë jetën, çdo minutë të jetës së saj, gjithçka, gjithçka do ta flijojë, kurse për të gjitha këto dëshiron të ketë nga unë vetëm një gjë, respektin tim, e më shumë, thotë, „asgjë, asgjë s’më duhet, asnjë dhuratë!“ Pranojeni vetë se të dëgjosh një rrëfim të tillë vetëm për vetëm nga një engjëll i vogël gjashtëmbëdhjetëvjeçar, me fustan tyli, me kaçurrela të ngritura, me ngjyrën e turpit vajzëror e me lot të vegjël entuziazmi në sy, — pranojeni vetë, është mjaft joshëse. Se është joshëse? Se vlen diçka, a? Hë, se vlen? Hë… hë, dëgjoni… hë, të shkojmë te nusja ime… vetëm jo tani!

— Me një fjalë, te ju këtë epsh e ngjall pikërisht ky ndryshim i përbindshëm i moshës e i zhvillimit! Dhe mos vallë do të martoheni vërtet kështu?

— E ç’ka? Patjetër. Secili kujdeset për veten, dhe më i gëzuar rron ai që di ta mashtrojë veten më mirë se të gjithë. Ha-ha! Po pse u futët kaq thellë në virtyt? Kini mëshirë, i dashur, unë jam njeri mëkatar. He-he-he!

— Megjithatë, ju i vendosët fëmijët e Katerina Ivanovnës. Po… po ju kishit për këtë shkaqet tuaja… tani i kuptoj të gjitha.

— Fëmijët në përgjithësi i dua, i dua shumë fëmijët, — qeshi Svidrigajlovi. — Për këtë punë madje mund t’ju tregoj një episod shumë interesant, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Qysh ditën e parë pas ardhjes shkova nëpër gjithë këto klloaka, hë, pas shtatë vjetësh u hodha mbi to. Ju, me siguri, e vini re që unë s’nxitoj të takohem me shoqërinë time, me miqtë e shokët e dikurshëm. Hë, edhe sa më gjatë do të shtyj pa ta. E dini: te Marfa Petrovna në fshat më kanë torturuar për vdekje kujtimet për gjithë këto vende e vendthe misterioze, ku, kush di, mund të gjejë shumë. Dreqi e mori! Populli pi, rinia e shkolluar digjet nga papunësia në ëndrra e vegime të parealizueshme, shëmtohet nëpër teori; nga diku kanë ardhur çifutë, fshehin para, kurse gjithë të tjerët shthuren. Kështu më ra ky qytet që në orët e para me një erë të njohur. Rashë në një të ashtuquajtur mbrëmje vallëzimi — klloakë e tmerrshme (e mua më pëlqejnë klloakat pikërisht me pak ndyrësi), hë, natyrisht, kankan,9 si s’ka e si s’ka pasur në kohën time. Po, zotëri, në këtë ka përparim. Befas, shikoj, një vajzë, nja trembëdhjetë vjeçe, e veshur shumë bukur, po kërcen me një virtuoz; një tjetër përballë saj vis-à-vis. Kurse pranë murit, në një karrige, rri e ëma. Hë, mund ta përfytyroni ç’kankan! Vajza turpërohet, skuqet, më në fund fyhet e fillon të qajë. Virtuozi e kap e fillon ta rrotullojë e të shtiret para saj, të gjithë përreth qeshin dhe — më pëlqen në çaste të tilla publiku ynë, qoftë edhe ai i kankanit, — qeshin e bërtasin: „Mirë i bëhet, kështu duhet! Mos sill fëmijë!“ Hë, mua s’më bën përshtypje, e s’më intereson: logjikisht a jo logjikisht ngushëllojnë veten! E caktova menjëherë vendin tim, u ula pranë nënës dhe fillova të flisja se edhe unë jam i ardhur, se ç’injorantë janë të gjithë këtu, se s’dinë t’i dallojnë meritat e vërteta e të ushqejnë respektin e duhur; i dhashë të kuptonte se kam shumë para; i ftova t’i çoja me karrocën time; i çova në shtëpi, u njoha (rrinë në një kthinë te ca qiramarrës, sapo kanë ardhur). Më deklaruan se njohjen me mua edhe ajo, edhe e bija s’mund ta pranojnë ndryshe veçse si nder; marr vesh se s’kanë as kasolle, as vatër, e kanë ardhur të përpiqen për diçka në ndonjë zyrë; u ofroj shërbime, para; marr vesh se kishin shkuar gabimisht në mbrëmje, duke menduar se atje vërtet mësojnë të vallëzosh; u ofroj të ndihmoj nga ana ime në edukimin e vajzës së re, në gjuhën frënge e në vallëzim. E pranojnë me ngazëllim, e quajnë nder, dhe ende sot e kësaj dite i njoh… Doni, të shkojmë, — vetëm jo tani.

— Lërini, lërini anekdotat tuaja të poshtra, të ulëta, o njeri i shthurur, i ulët, epshor!

— Shileri ynë, Shileri ynë, Shileri! Où va-t-elle la vertu se nicher?10 E dini, do t’jua tregoj me qëllim gjëra të tilla, që të dëgjoj thirrjet tuaja. Kënaqësi!

— Si jo, mos vallë s’jam qesharak vetë për veten në këtë minutë? — mërmëriti me inat Raskolnikovi.

Svidrigajlovi qeshte me gjithë zë; më në fund thirri Filipin, pagoi dhe filloi të ngrihej.

— Hë, po jam edhe i dehur, assez causé!11 — tha ai, — kënaqësi!

— Si të mos ndieni kënaqësi ju, — thirri Raskolnikovi, duke u ngritur gjithashtu, — mos vallë për një të shthurur të konsumuar të tregosh aventura të tilla, — duke pasur ndër mend ndonjë qëllim të përbindshëm të të njëjtit lloj, — s’është kënaqësi, e për më tepër në rrethana të tilla e një njeriu si unë… Të ndez.

— Hë, po qe kështu, — u përgjigj madje me njëfarë habie Svidrigajlovi, duke e shqyrtuar Raskolnikovin, — po qe kështu, atëherë edhe ju vetë jeni një cinik i mirë. Material, të paktën, keni në vete të madh. Mund të kuptoni shumë, shumë… hë, po edhe të bëni mund të bëni shumë. Hë, megjithatë, mjaft. Më vjen sinqerisht keq që fola pak me ju, po ju s’do të më ikni… Ja, prisni vetëm…

Svidrigajlovi doli nga taverna. Raskolnikovi pas tij. Svidrigajlovi s’ishte, megjithatë, shumë i dehur; i kishte rënë në kokë vetëm për një çast, kurse dehja i largohej me çdo minutë. Ishte shumë i shqetësuar për diçka, për diçka jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe vrenjtej. Njëfarë pritjeje, dukshëm, e trazonte e e shqetësonte. Me Raskolnikovin në minutat e fundit kishte ndryshuar disi befas e me çdo minutë bëhej më i vrazhdë e më tallës. Raskolnikovi i vuri re të gjitha këto dhe ishte gjithashtu në ankth. Svidrigajlovi iu bë shumë i dyshimtë; vendosi ta ndiqte.

Zbritën në trotuar.

— Ju djathtas, kurse unë majtas, ose, ndoshta, anasjelltas, vetëm — adieu, mon plaisir,12 deri në takimin e gëzuar!

Dhe ai shkoi djathtas drejt Sennajës.

Shënime

  1. Shërbëtoret e shtëpisë (rus. sennye devushki): vajza bujkrobe në shërbim të shtëpisë së fisnikut. ↩︎

  2. Oraison funèbre (fr.): fjalim mortor. ↩︎

  3. Aludim për asketët e krishterë që në shekujt IV–V jetonin si vetmitarë në shkretëtirën e Egjiptit. ↩︎

  4. Seminaristëve u jepeshin shpesh mbiemra të sajuar me kuptim; Razumihin të kujton fjalën razum, „arsye“. ↩︎

  5. Vestalet: priftëreshat e virgjëra të perëndeshës Vesta në Romën e lashtë. ↩︎

  6. Cher ami (fr.): mik i dashur. ↩︎

  7. La nature et la vérité (fr.): natyra dhe e vërteta. ↩︎

  8. „Madona Sistina“ e Rafaelit, në galerinë e Dresdenit. ↩︎

  9. Kankani: valle e shpejtë me kërcime, me origjinë nga Parisi, e quajtur atëherë e pahijshme. ↩︎

  10. Où va-t-elle la vertu se nicher? (fr.): „Ku s’fole virtyti!“ — fjalë që i atribuohet Molierit. ↩︎

  11. Assez causé! (fr.): mjaft llafe! ↩︎

  12. Adieu, mon plaisir (fr.): lamtumirë, gëzimi im. ↩︎

Keni gjetur një gabim në këtë kapitull? Raporto një gabim

Krim dhe ndëshkim

Cilësimet e leximit

Madhësia e shkronjave

100%
Hapësira ndërmjet rreshtave
Ngjyrat